Shendetesi

Si të forcojmë imunitetin në këtë periudhë pandemie

Imuniteti ynë është aleat në luftën ndaj virusit COVID-19.

Ekspertët e Shëndetësisë rekomandojnë dietën ushqimore mesdhetare si mënyrën më të mirë për të forcuar imunitetin gjatë kësaj periudhe pandemie.

Sipas tyre, mënyra me e mirë për të forcuar imunitetin do të ishte marrja e një diete ushqimore me sa më tepër vitamin ku duhet të mbizotërojë vitamina c. Dieta mesdhetare është dieta më e pasur me nutrient makro edhe mikro-nutrientë. Përmes tyre merren proteina, edhe fibrat e nevojshme edhe yndyrnat e mira omega 3 por njëkohësisht merret edhe maksimumi i kripërave minerale.

Specialistët e Shëndetësisë rekomandojnë që në totalin ditor të ushqimit, duhet të konsumohet të 5 ngjyrat e fruta-perimeve.

“Sugjerimi për totalin ditor është që ne të konsumojmë të 5 gjyrat e fruta-perimeve. Kjo do të thotë që të kemi patjetër një ngjyrë të verdhë, një banana ose limon, duhet të kemi ngjyrën portokalli, të kemi ngjyrën e kuqe domaten, speci dhe duhet thënë që speci i kuq, speci gogozhare ka vitaminën më të lartë se portokalli limoni. Duhet të konsumojmë shumë perime me ngjyrë jeshile përmendin këtu perimet me gjethe, spinaqi, brokolin, fruta të ndryshme si kivi, speci jeshil. Të gjitha këto që kanë shumë vitamina dhe minerale. Ndërkohë që duhet të kemi ngjyrën blu në të cilën mund të përmendin patëllxhanin ose boronicën. Konsumimi i këtyre pesë ngyrave përfaqëson të pesta klasat e anti-oksidantëve dhe anti oksidantët do të na ndihmojnë në këtë moment për të luftuar stresin”, rekomandojnë ata.

Edhe mjeket e huaj krahas respektimit të rregullave për të mos u infektuar nga COVID, ata kanë rekomanduar që arma më e mirë kundër këtij virusi mbetet forcimi i sistemit imunitar. /atsh

Si të forcojmë imunitetin në këtë periudhë pandemie Read More »

Pamje nga laboratori i dytë i testimeve, Manastirliu: Cilësi dhe siguri për identifikimin e të prekurve me COVID-19

Pas laboratorit të referencës në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e COVID-19, që nga dita e djeshme kryhen edhe në QSUT.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka theksuar se rritja e numrit të të prekurve ka bërë që të zgjerohet edhe kapacitetet e testimit me cilësi dhe siguri për identifikimin e rasteve pozitivë me COVID-19.

Ajo ka publikuar pamje nga ambientet e brendshme ku kryhen testimet për rastet e dyshuara me koronavirus.

‘Zgjerojmë kapacitetet e testimit, me cilësi dhe siguri për identifikimin e të prekurve nga COVID-19, me hapjen e laboratorit të dytë në QSUT, staf i kualifikuar dhe laborator i çertifikuar”, shprehet ministrja.

Manastirliu ka apeluar që të mbështesim stafet mjekësore, të mbrojmë veten dhe njerëzit e dashur, duke zbatuar tre rregulla të thjeshta, çdo ditë, vendosjen e maskës, ruajtjen e distancës dhe kujdesin për higjienën vetjake dhe kolektive./atsh

Pamje nga laboratori i dytë i testimeve, Manastirliu: Cilësi dhe siguri për identifikimin e të prekurve me COVID-19 Read More »

Tomini: Hiqet nga protokolli mbajtja e dorezave, me detyrim vetëm maskat

Eugena Tomini, shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik deklaroi se COVID19 është bërë agresiv dhe ka zgjeruar fashën e moshave që prek.

Në një nga mediet e vendit, Tomini theksoi faktin se ka tendencë të rritjes së rasteve tek moshat e reja, edhe në një kohë kur temperaturat janë të larta.Sipas saj, në 3 javët e ardhshme parashikohet që të jenë përafërsisht po të njëjtat shifra të të infektuarve.

“Aktualisht ne kemi hasur këtë javë me një trend të lartë të infeksionit të COVID. Duke nisur nga 24 orëshi i kësaj jave që shkuan në 107 raste të gjurmuara. Ky gjurmim ka sjellë që të evidentohen raste simptomatik, asimptomatik. Janë evidentuar dhe raste që kanë qenë kontakte, pra bëhet fjalë për transmetim komunitar. Një pjesë e rasteve janë asimptomatik. Zgjerimi i fashës së orarit tregon se ka transmetueshmëri 2.5-3 % dhe agresivitet më të lartë. Një pjesë e madhe e pacientëve të hospitalizuar, janë me sëmundje shoqëruese. Disa prej tyre janë në gjendje të rënd. Ndaj u vendos dhe hapja e COVID2. Duhet të kemi kujdes, pasi rreziku është i madh.

Komiteti i Eksperteve vendosi që maska të behej e detyrueshme, në çdo ambient të mbyllur. Pavarësisht se deri diku në institucione publike sipërfaqja të lejon të kesh distancë. Por kjo distancë edhe mund të zvogëlohet në disa raste. Ndaj është bërë e detyrueshme. Nëse nuk mbahet dhe evidentohet se nuk është mbajtur, ligji në fuqi ka vendosur një gjobë që është në vlerën e 2 mijë lekë të rejave. Duhet të bëhet një saktësim për mbajtjen e dorezave. Disa teori, jo të saktësuara sa i përket disa rekomandimeve, janë rrëzuar. Në disa studime të fundit dhe në rekomandimet e OBSH, kanë hedhur poshtë mbajtjen e dorezave, përjashto personelin mjekësor. Ndërkohë pjesa tjetër e popullatës, nuk duhet. Komiteti Teknik e ka përjashtuar nga protokolli mbajtjen e dorezave’, tha Tomini.

‘Heqjen nga përdorimi të vendosjes së dorezave, vetëm në rastet kur kemi përdorim në gastronomi, apo dhe nëpër kuzhina. Përdorimi i dorezave në bare dhe restorante është hequr nga komiteti. Maska është e detyrueshme që të mbahet në ambientet e brendshme. Ndërkohë ambientet e mbyllura, në institucione, në fasoneri, apo dyqane, është e detyrueshme. Në lokalet e natës, jo të gjithë pjesëtarët e tavolinës, nuk janë anëtarë të një familje. Maska është bërë një element i higjienës, por domosdoshmëri me detyrim. Edhe në klubet e natës, duhet detyrimisht përdorimi i maskës. Dalë nga dalë ne jemi në ditët ku po hyjmë në këtë zbatim, ku askund s’do të lejohet pa maskë në ambientet e brendshme.”, shtoi ndër të tjera ajo./atsh

Tomini: Hiqet nga protokolli mbajtja e dorezave, me detyrim vetëm maskat Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 102 raste të reja, 4 humbje jete në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në përditësimin e pasdites së sotme për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë, informoi për 102 raste të reja të prekur me COVID-19 dhe 4 humbje jete.

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik apeloi që në nisje të komunikimit që qytetarët të zbatojnë detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID19. “I drejtohemi çdo qytetari, të vendosë maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, përdorimi i maskave/barrierave mbrojtëse është detyrim për çdo individ”, theksoi ajo.

Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 qytetarë, midis tyre një 43-vjeçar nga Kamza, pa sëmundje të tjera, i intubuar dhe në gjendje të rëndë prej disa ditësh nuk ka mundur të mbijetojë megjithë perpjekjet e mëdha të stafit mjekësor. E kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm edhe një 60-vjeçar nga Shkodra, një 64-vjeçar nga Durrësi në Spitalin Infektiv dhe një 61-vjeçar nga Tirana në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.
Vijon të ketë shtrime të reja në të dy spitalet dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë, 14 në terapi intensive dhe 1 i intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 501 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 102 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 67 raste në Tiranë, 5 në Shkodër, nga 4 raste në Krujë, nga 2 raste në Berat, Kavajë, Peqin, nga 1 rast në Durrës, Has, Korçë, Lezhë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 50 qytetarë, duke e çuar në 2264 numrin e të shëruarve nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore.

“Rikujtojmë qytetarët se: Vendosja e maskës në ambientet e mbyllura është e detyrueshme.
Çdo barrierë mbrojtëse, e bërë edhe në kushte shtëpie, ndihmon në kufizimin e përhapjes së infeksionit.
Maska prej tekstili duhet të mbulojë plotësisht hundën dhe gojën gjatë gjithë kohës.
Moszbatimi i kësaj mase është e dënueshme sipas aktit normativ, me masë administrative në shumën 2 mijë lekë të reja për çdo qytetar.
Ministria e Shëndetësisë ju bën thirrje të respektoni vetëizolimin kur jeni të prekur nga COVID19.
Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur apo keni patur kontakte me persona të prekur, duhet te izoloheni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID19”, theksoi Qirjako.

COVID-19 – Statistika (18 Korrik 2020)
Testime totale 35107
Raste pozitive 4008
Raste të shëruara 2264
Raste Aktive 1631
Humbje jete 111 (Qarku Tiranë 57, Shkodër 18, Durrës 17, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 774
Durrës 207
Shkodër 193
Vlorë 102
Lezhë 85
Kukës 50
Korçë 53
Berat 38
Elbasan 46
Fier 38
Gjirokastër 21
Dibër 24/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 102 raste të reja, 4 humbje jete në 24 orët e fundit Read More »

Mjeku Gjata: Laboratori i dytë gati prej kohësh, të rinjtë të ndërgjegjësohen për situatën e COVID

Mjeku kirurg njëherazi edhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Arben Gjata deklaroi se laboratori i dytë ishte gati prej kohësh dhe me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19, u vu në dispozicion për kryerjen e testimeve.

Gjatë një interviste, Gjata tha se “që në fillim ka qenë gati i gatshëm laboratori në QSUT. Madje ne si universitet mjekësie kemi kontribuar pasi një nga këto pajisjet PCR që janë aty, janë pikërisht të vëna në dispozicion nga universiteti i mjekësisë për COVID-19. Problemi ka qenë i thjeshtë, që numri i testimeve që bëheshin dhe kapacitetet që kishin ISHP mjaftonin, ose komiteti mendonte që mjaftonin për situatën COVID që kishim ne në atë periudhë. Me rritjen e rasteve dhe me përhapjen në formë pandemike të kësaj sëmundje lindi nevoja që të vihet në punë edhe laboratori dytë, që po ju them që ai laborator ka disa kohë që ka qenë i gatshëm për t’u vënë në punë’.

“Ne kaluam një fazë shumë të mirë të karantinimit ku kishim shifra shumë të mira përsa i përket lockdown të shpejtë që u ndërmor, edhe masat të shpejta që u ndërmorën dhe pikërisht solli një relaksim total të shoqërisë dhe shumë njerëz menduan që COVID është një shaka, është një sëmundje që mori fund në Shqipëri dhe hapja, megjithëse të gjithë prisnim rritjen e shifrave me hapjen e aktivitetit social, ekonomik, kulturorë etj, u shoqërua me një pakujdesi totale të publikut për të respektuar masat antiCOVID. Nuk besoj se këtu ka qenë e pamjaftueshme sensibilizimi që është bërë për nga ana jonë publikut. Sensibilizimi që është bërë sepse mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë mes dhe sidomos hapja e studiove për lloj-lloj gjithollogësh të cilët edhe sot vazhdojnë të thonë që COVID nuk eKziston dhe shpeshherë janë edhe ata shkaktarë që sëmundja përhapet edhe që njerëzit pësojnë ato dëme të rëndësishme deri në vdekje që ka ndodhur deri tani”, tha ndër të tjera Gjata.

Ai shpjegoi se më tepër sesa rihapja e transportit publik, në rritjen e numrit të të infektuarve po luan një rol edhe pjesëmarrja e të rinjve në bare, kafene apo klubet e natës, të cilët sipas tij, refuzojnë të kuptojnë që i gjithë vendi ndodhet në një situatë pandemie.

“Nëse ne do të dalim në Tiranë dhe do të bëjmë një shëtitje nëpër lokale, nëpër klube ose nëse do të ikim nëpër klubet e natës sidomos në zonën e Bllokut, do të shohim me dhjetëra, me qindra djem e vajza të reja që nuk mbajnë asnjë maskë, që kërcejnë, këndojnë, vallëzojnë dhe kjo histori është edhe në zonat e jugut ku kam parë disa fotografi të party-ve që janë bërë ku janë me qindra njerëz që festojnë dhe që harrojnë që jemi në periudhë COVID. Nëse do të kishte një lloj afeksioni mbi numrat e të prekurve transporti urban, unë besoj që është më i ulët sesa këto që të them të drejtën kur i shoh më rrënqethet mishi, kur shoh ata të rinj e të reja që nuk mendojnë as për veten e tyre, as për familjet e tyre dhe jo më të mendojnë për shoqërinë”, tha Gjata. /atsh

Mjeku Gjata: Laboratori i dytë gati prej kohësh, të rinjtë të ndërgjegjësohen për situatën e COVID Read More »

PS nuk ka asnjë obligim ndaj PD-LSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit që do ta mbështesë deri në fund

“Partia Socialiste nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së.

Rama tha se “nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë”.

“PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PDLSIOP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe Lulzim Basha apo edhe Ilir Meta nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën”, tha ai. /atsh

PS nuk ka asnjë obligim ndaj PD-LSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit që do ta mbështesë deri në fund Read More »

Ekspertja e ISHP-së: Përdorimi i maskës, mjet plotësues për të mos rrezikuar infektimin nga COVID-19

“Përdorimi i maskës në mënyrë të detyrueshme në ambientet e mbyllura duke respektuar rregullat bazë të distancimi, përbën një mjet plotësues për të mos rrezikuar infektimin nga COVID”.

Kështu deklaroi Gentiana Qirjako, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik në një nga mediet e vendit.

Ajo tha se “Akti Normativ që ka dalë ditën e mërkurë lidhet me detyrimin për të mbajtur maskë në të gjitha mjediset e mbyllura, pavarësisht nëse respektohet ose jo distancimi fizik të paktën 1 deri në 1 metër e gjysëm nga njëri-tjetri. Por kjo nuk do të thotë që vetëm përdorimi i maskës është një mjet mbrojtës që të mbron 100% nga transmetimi i sëmundjes. Është një mjet plotësues, duhet ta theksoj këtë sepse njerëzit mendojnë që në momentin që vënë një maskë, i gjithë rreziku kaloi. Jo nuk ka evidenca të tilla. Është një mjet plotësues që shkon paralelisht me të gjithë respektimin e masave të tjera bazike që i kemi thënë tashmë dhe që njerëzit e dinë, që lidhet me distancimin fizik, me larjen e duarve, shmangien e kontakteve të afërta dhe me ruajtjen e higjienës respiratore”.

Sipas saj, gjatë gjithë kësaj pandemie në botë janë mbajtur qëndrime të ndryshme referuar përdorimit të maskave.

“Në nivel botëror, qëndrimet që u mbajtën karshi maskave kanë qenë të ndryshme. Them që është momenti i duhur sepse jemi tashmë në një fazë të transmetimit komunitar të sëmundjes, në disa bashki kjo është një situatë evidente. Kështu që, kur nuk bëhet më i mundur gjurmimi i çdo rasti apo çdo kontakti të rasteve, vendosja e maskave bëhet e detyrueshme”, tha Qirjako.

“Ideale do të ishte që të gjithë njerëzit të përdornin maskat mjekësore por në situatën kur e gjithë bota ka nevojë për maskën mjekësore sidomos personeli mjekësor, të gjithë kemi rënë dakord që këto maska të jenë prioritet për personelin shëndetësor. Për publikun e gjerë, ka alternative të tjera siç janë barrierat apo maska të bëra vetë. Sigurisht, nuk ka evidence të mbajtjes të së njëjtës ngarkesë, filtrimit të ngarkesës virale por padiskutim që ato përbëjnë pengesë sidomos nëse ndjekin disa parametra. OBSH rekomandon që maskat e bëra vetë janë një mjet shumë i mirë tek personat që nuk janë të sëmurë por ndoshta janë asiptomatikë dhe që mund të pengojnë transmetimin e virusit nga personi asiptomatikë tek personat e shëndetshëm. Sipas OBSH-së rekomandohen maska me 3 shtresa ku shtresa e brendshme duhet të jetë material pëlhurë ku qarkullon lehtësisht ajri”, u shpreh ajo. /atsh

Ekspertja e ISHP-së: Përdorimi i maskës, mjet plotësues për të mos rrezikuar infektimin nga COVID-19 Read More »

Manastirliu: Hapet laboratori i dytë për testimet për COVID-19

“Pas laboratorit të referencës në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e SARS COV 2 do të kryhen edhe në QSUT”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi sot laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku deklaroi se po forcohen kapacitetet për kryerjen e testeve Real Time PCR.

“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre. Sepse ne për asnjë moment nuk e kemi humbur vëmendjen nga qëllimi primar i testimit, i cili është pikërisht gjurmimi, izolimi dhe mundësia e kufizimit dhe e ndërprerjes së zinxhirit të infeksionit. Ky laborator i certifikuar, siç e premtuam, do të rrisë kapacitetet e testimit dhe për t’iu përgjigjur strategjisë së testimit të realizuar me ekspertizën e Komitetit Teknik të Ekspertëve”, tha Manastirliu.

Duke folur për kapacitetet e testimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se synohet cilësi në këtë proces. “Aktualisht në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, që është një laborator reference, kapacitetet e testimit janë nga 500-1000 mijë testime ditore dhe me hapjen e këtij laboratori për pacientët e spitaleve COVID, vijojmë rrisim kapacitetet, por rëndësi ka cilësia e testimit, ndaj dhe ky laborator është i biosigurisë 2, i certifikuar nga OBSH”, – tha Manastirliu.

Shefi i Shërbimit të Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi, tha se çdo gjë është gati për të nisur punën për testimin e pacientëve të spitaleve COVID.“Laboratori është i certifikuar dhe tashmë jemi gati për të nisur punën më pacientët e spitaleve COVID të Tiranës”, tha Koraqi.

Drejtuesja e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino tha se ky laborator i plotëson të gjitha kushtet e biosigurisë dhe do të jetë një ndihmë e madhe për luftën ndaj SARS COV 2. Laboratori i Mikrobiologjisë në QSUT do të vijojë edhe testimet serologjike për stafet mjekësore, pas Tiranës, edhe për stafet në spitalet rajonale. Aktualisht përqindja e pozitivitetit është nën 5.5%./atsh

Manastirliu: Hapet laboratori i dytë për testimet për COVID-19 Read More »