Shendetesi

Vlorë, rreth 17 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muaj

Diagnostikimi i hershëm jo vetëm përmirëson cilësinë e shëndetit të popullatës, por lehtëson koston e trajtimit të pacientëve.

Falë ndërgjegjësimit që është realizuar për rëndësinë e kontrollit shëndetësor bazë, Check-Up-it, vihet re një rritje e numrit të banorëve që shprehin interes për këtë paketë ekzaminimesh.

Rreth 17 240 qytetarë të 17 qendrave shëndetësore të njësisë vendore të kujdesit shëndetësor Vlorë kanë realizuar Check -Up-in falas në këtë 10 mujor të vitit 2019.

Sipas njësisë vendore të kujdesit shëndetësor Vlorë janë 2310 qytetarë më shumë krahasuar me planifikimin për këtë 10 mujor.

Vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, 411 mijë qytetarë kanë kryer check up-in në të gjithë vendin.

Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç.

Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme./atsh

Vlorë, rreth 17 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muaj Read More »

Gjithçka që duhet të dini rreth vaksinës së gripit

Vaksina e gripit është një instrument efikas për parandalimin e gripit të stinës. Nga kjo vaksinë duhet të përfitojnë kategoritë më të rrezikuara si fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, sidomos ata me sëmundje që kanë të bëjnë me aparatin e frymëmarrjes.

Vaksina e gripit funksionon realisht dhe është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe familjen nga gripi. Jo më kot në Amerikë tani të gjithë të punësuarit në kompani private apo shtetërore janë të “detyruar” të vaksinohen. Ajo rekomandohet në mënyre absolute për të gjithë njerëzit mbi 6 muajsh.

Çfarë duhet të dimë mbi këtë vaksinë?

Vaksina e gripit është një vaksinë e cila injektohet me një gjilpërë, zakonisht në krah. Tipet e virusit të gripit janë vazhdimisht në ndryshim, kështu që është e domosdoshme që një vaksinë e re gripi të prodhohet çdo vit. Shkencëtarët krijojnë vaksinën e re përpara se të fillojë sezoni i gripit duke parashikuar tipin e virusit që ka të ngjarë të përhapet më shumë gjatë sezonit të ardhshëm.

Momenti se kur fillon sezoni i gripit dhe kur mbaron është i paparashikueshëm, kështu që rekomandohet që njerëzit të bëjnë vaksinën e gripit në fillim të vjeshtës, mundësisht deri në fund të tetorit. Aktiviteti i gripit zakonisht arrin majat në muajin janar ose shkurt.

Pas vaksinimit, nevojiten rreth dy javë për të ndërtuar imunitetin kundër gripit.

Efektiviteti i vaksinës së gripit mund të ndryshojnë në varësi të personit që vaksinohet. Vaksina tenton të punojnë më mirë tek të rriturit e shëndetshëm dhe fëmijët, dhe më pak tek të moshuarit.

Që ju mund të merrni gripin nga vaksina e gripit është thjesht një mit. Viruset që ndodhen të përfshirë në vaksinën e gripit janë të vrarë. Megjithatë, për shkak se ajo merr rreth dy javë kohë për të ndërtuar imunitetin tek njerëzit, pasi ata marrin vaksinën e gripit, disa njerëz mund të kenë kapur gripin menjëherë pas vaksinimit të tyre. /atsh

Gjithçka që duhet të dini rreth vaksinës së gripit Read More »

Bonusi i bebeve, 2 miliardë lekë në buxhet për 2020-n

Për bonusin e lindjeve në buxhetin e vitit 2020 është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Bonusi i bebes, është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja pavarësisht statusit social-ekonomik.

Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë lekë, fëmijën e dytë 80 mijë lekë, fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë lekë për çdo fëmijë.

Për nënat që lindin binjakë masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë lekë) për secilin fëmijë.

Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzetë mijë lekë) për secilin fëmijë./atsh

Bonusi i bebeve, 2 miliardë lekë në buxhet për 2020-n Read More »

5900 pacientë kanë kryer koronarografinë falas nga 1 janari 2019

Falë lehtësimit të procedurave për kryerjen e koronarografisë, 5900 pacientë e kanë kryer atë falas nga 1 janari 2019.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se ky është një tjetër inovacion që lehtëson qytetarët në marrjen e kujdesit shëndetësor.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër inovacion që lehtëson qytetarët në marrjen e kujdesit shëndetësor, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Me lehtësimin e procedurave për kryerjen e koronarografisë, shmangen sorollatjet e pacientëve. Tashmë rezervimi online bëhet nga mjeku kardiolog.

Ndërsa referimi për angiografinë koronare kryhet direkt nga poliklinikat e specialiteteve në Tiranë.

Për pacientët nga rrethet, referimi kryhet direkt nga spitali rajonal apo bashkiak.

Me 3 qendrat e hemodinamikës dhe sistemin elektronik ulen radhët e pritjes nga 1 në 3 javë./atsh

5900 pacientë kanë kryer koronarografinë falas nga 1 janari 2019 Read More »

Cigaret elektronike me rrezik për sistemin kardiovaskular

Cigaret elektronike mund të kenë efekte të dëmshme për sistemin kardiovaskular, sipas një studimi, që e gjykon si të parakohshme që ato të konsiderohen si alternativë e sigurt për cigaret e zakonshme.

“Cigaret elektronike përmbajnë nikotinë, grimca shumë të vogla, metale dhe aroma, nuk janë vetë avuj uji të padëmshëm”, theksoi autori kryesor i këtij studimi, Loren Wold i Universitetit të Ohajos.

“Studimet mbi ndotjen e ajrit tregojnë se grimcat e imëta (më pak se 2,5 mikronë) depërtojnë në qarkullimin e gjakut dhe kanë ndikim te zemra. Të dhënat mbi cigaret elektronike anojnë nga ky drejtim”, vazhdon ai.

Autorët e këtij studimi vënë theksin mbi veprimin e nikotinës, që rrit tensionin e gjakut dhe ritmin kardiak, si edhe mbi grimcat e imëta, që mund të shkaktojnë ngurtësim të arterieve dhe malcime.

Sipas studiuesve, të gjitha këto efekte sugjerojnë se përdorimi kronik i cigareve elektronike mund të rrisë zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare./ atsh

Cigaret elektronike me rrezik për sistemin kardiovaskular Read More »

Pirja e ujit me stomakun bosh ndihmon në mirëfunksionimin e trupit

Uji, edhe pse joushqyes, parandalon ndryshimet e papritura të temperaturës së trupit dhe ndihmon në largimin e nxehtësisë përmes djersës.

Në të njëjtën kohë, ai rregullon peshën e trupit dhe ndihmon në parandalimin e dehidratimit. Në lindje, 75% e peshës sonë është e përbërë nga uji, por ndërsa plakemi zvogëlohet në 60%.

Nevojat ditore për ujë ndryshojnë në varësi të moshës sonë, pavarësisht nëse jemi gra apo burra, dhe aktivitetet tona të përditshme. Si rezultat, duhet të pimë 7-8 gota ujë çdo ditë në mënyrë që trupat tanë të jenë të hidratuar.

Gota e parë e ujit duhet të konsumohet sapo të zgjohemi.

Natën trupat tanë lëshojnë lëngje. Prandaj dehidratohet. Pirja e gotës së parë me stomakun bosh ndihmon trupin tonë të funksionojë siç duhet.

Në të njëjtën kohë ne arrijmë:

– Të rrisim prodhimin e qelizave të reja;

– Të kemi lëkurë me shkëlqim;

– Shëndet më të mirë të sistemit limfatik;

– Peshë fikse ose humbje nëse kombinohet me një dietë të shëndetshme;

– Rezistencë më të madhe të trupit ndaj sëmundjeve. /atsh

Pirja e ujit me stomakun bosh ndihmon në mirëfunksionimin e trupit Read More »

Te flokët ekziston një “spiun” molekular që zbulon skizofreninë

Te flokët ekziston një ”spiun” molekular që lejon të zbulohet skizofrenia edhe para shfaqjes së halucinacioneve.

Është enzima Mpst, prania e të ciles në nivele të larta zbulon një ndryshim biokimik të trurit që duket se lind në fazat e hershme të zhvillimit në përgjigje të stresit inflamator.

Zbulimi, i cili mund të hapë rrugën për ilaçe të reja dhe teste për diagnostikimin e hershëm, është botuar në revistën ”Embo Molecular Medicine” nga studiues të qendrës japoneze ”Riken”.

Studimi nxjerr në pah për herë të parë se reaktiviteti i tepërt i zhurmës tipik për pacientët me skizofreni është për shkak të pranisë së tepërt në tru të enzimës Mpst, e cila prodhon sasi të mëdha të një molekule antioksiduese, sulfid hidrogjeni.

Zbulimi, i bërë tek minjtë laboratorikë, gjeti konfirmim edhe në analizën pas vdekjes së trurit të disa pacientëve në krahasim me njerëzit e shëndetshëm./ atsh

Te flokët ekziston një “spiun” molekular që zbulon skizofreninë Read More »

Rikonstruksion 120 qendrave shëndetësore në 2020/ Rritje e përfituesve nga skema e rimbursimit të ilaçeve

Qeveria do të vijojë të mbështesë me fonde sektorin e Shëndetësisë në vitin që vjen duke e konsideruar atë si sektor strategjik.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2020, i cili u prezantua të premten nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në Konferencën e Kryetarëve, buxheti për sektorin e Shëndetësisë do të rritet me 2.75 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e vitit 2019. Në total programohen 63.3 miliard lekë për vitin 2020.

Përmes investimeve të planifikuara synohet mbulimi universal i popullsisë me shërbim cilësor, diagnostikimi dhe parandalimi i sëmundjeve, si dhe shtimi i gamës së medikamenteve që trajtohen me recetë rimbursimi, reflektuar kjo në rritjen e jetëgjatësisë mesatare të grave dhe burrave mbi nivelet aktuale prej respektivisht 80 dhe 77 vjeç.

120 qendra shëndetësore do të rikonstruktohen për vitin 2020, me një vlerë të përllogaritur rreth 350 milionë lekë në vit. Këto qendra do të mobilohen dhe pajisen me pajisje mjekësore me një vlerë prej 64 milionë lekë për vitin 2020 dhe 30 milionë lekë për vitin 2021.

Për këtë periudhë do të bëhet rikonstruksioni i godinave spitalore me një vlerë 2.4 miliardë lekë. Rreth 660 milionë lekë do të shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore spitalore për spitalet.

Qeveria po ashtu programon shtimin e flotës së autoambulancave me 100 copë për periudhën 2020-2021, me një vlerë të përllogaritur rreth 474 milionë lekë.

Ndër rezultatet që synohet të arrihen për periudhën afatmesme 2020-2022 janë ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit, trajtimi me recetë rimbursimi i një numri më të lartë pacientësh nga 475 mijë pacientë aktualisht (2019) në 478 mijë pacientë në vitin 2022, si dhe rritja e numrit të pacientëve të trajtuar nga 290 mijë pacientë në vitin 2019 në 330 mijë pacientë në vitin 2022.

Po ashtu, synohet rritja e numrit të pacientëve që përfitojnë nga paketat e kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë, konkretisht 200 pacientë më shumë çdo vit, për periudhën 2020-2022, si dhe rritje e ndjeshme e numrit të seancave për pacientët që përfitojnë nga trajtimi me dializë nga 170 mijë seanca në vitin 2019, në 234 mijë në vitin 2022. 1 pacient kryen mesatarisht 13 seanca në muaj.

Ndër objektivat e Ministrisë së Shëndetësisë është edhe ulja e nivelit aktual prej 15% të pacientëve të ri shtruar për të njëjtën diagnozë brenda 72 orësh, nëpërmjet urgjencës, reduktimi i kohës aktuale prej 45 ditësh të pritjes për ekzaminime të rëndësishme si rezonancë magnetike, skaner etj, ulja nën 5,3 për 1000 lindje të gjalla të indeksit aktual të vdekshmërisë foshnjore, si rritja me më shumë se 40% të nivelit të numrit të pacientëve të vizituar për herë të parë brenda vitit nga personeli shëndetësor./atsh

Rikonstruksion 120 qendrave shëndetësore në 2020/ Rritje e përfituesve nga skema e rimbursimit të ilaçeve Read More »