Shendetesi

Manastirliu: Nga 1 dhjetori pagesa e paketës higjeno-sanitare edhe për fëmijët me probleme të rënda

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi sot në komunikimin e përjavshëm me qytetarët se rasti Valbonës i një nëne me fëmijë me aftësi të veçanta e cila kishte probleme me përfitimin e paketës higjeno-sanitare ka gjetur zgjidhje.

Sipas ministres ku rast u zgjidh dhe tashmë duke nisur nga 1 dhjetori pagesa e paketës higjeno-sanitare nuk do të jetë vetëm për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, por dhe për raste të tjera të personave me aftësi ndryshe të cilët janë me aftësi të kufizuar të thellë apo të rëndë.

“Po e nis komunikimin javor do e nis me rastin e Valbonës, nëna e një djali me aftësi të veçanta që përfiton pagesën mujore nga programi i Mbrojtjes Sociale. Valbona me ka shprehur shqetësimin se përse nuk e përfitonin paketën higjeno-sanitare. Valbona duhet të sqaroj se ne po nisim në Tiranë një vlerësim të ri bio psiko-social për vlerësimin e aftësisë së kufizuar ku një vëmendje të veçantë do ti kushtojmë vlerësimit të fëmijëve me aftësi ndryshe. Prej datës 1 dhjetor pagesa e paketës higjeno-sanitare nuk do të jetë vetëm për personat para tetra plegjik por dhe për raste të tjera të personave me aftësi ndryshe të cilët janë me aftësi të kufizuar të thellë apo të rëndë. Ky vlerësim do sjell më shumë mbështetje financiare për personat me aftësi të veçanta dhe kryesisht për fëmijët me aftësi ndryshe”, tha Manastirliu.

Ministrja gjatë këtij komunikim bëri dhe një panoramë të punëve që do bëhen gjatë kësaj jave të re. Në fokus të kësaj jave janë pikat e reja të vlerësimit të aftësisë së kufizuar të cilat tashmë do të jenë pranë qendrave shëndetësore.

“Gjatë kësaj jave do jem në një prej pikave të reja të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, të cilat tashmë do të jenë pranë qendrave shëndetësore, duke garantuar më shumë akses dhe transparencë maksimale duke u vlerësuar nga një ekip mjekësh, punonjësish social dhe psikologësh. Do ta fillojmë në Tiranë për t’u shpërndarë më pas në gjithë Shqipërinë”, theksoi ministrja.

Gjithashtu një tjetër rast i një qytetari me sëmundje zemre i cili kishte probleme me marrjen e barnave të rimbursueshme gjeti zgjidhje.

“Janë të shumtë qytetarët që këtë javë më kanë shkruar për disa shqetësime dhe ne i kemi adresuar me ekipin e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të zgjidhur çdo kërkesë apo ankesë të tyre. Ka një prej tyre që tregon mundimin e vërtetë që në disa raste kalojnë pacientët me sëmundje kronike për të përfituar barnat e rimbursueshëm, siç është rasti i Xhevdetit. Ai endej sa në një zyrë në një qendër shëndetësore për të përfituar barnat me rimbursueshëm për sëmundjen e zemrës. Në pamundësi për të gjetur zgjidhje ai na shkruajti dhe ne ndoqën rastin e tij, kemi bërë hapa në drejtim të lehtësimit të procedurave. Ka ende shumë për të bërë për të lehtësuar qytetarët për të përfituar barnat me rimburësim. Siguroj Xhevdetin dhe për gjithë ju se po punojmë për paketën e thjeshtëzimit të procedurave për barnat e rimburësueshme me synim ndjekjen tek mjeku i familjes për sëmundjet kronike të përcaktuara”, tha ministrja.

Gjithashtu ministrja Manastirliu solli dhe një herë në vëmendje programin e vaksinimit që u zhvillua gjatë javës që shkoj ku 138 mijë doza vaksinash janë vënë në dispozicion falas për vaksinimin ndaj gripit për kategoritë në risk.

“Gjatë javës që lam pas nisëm një program shumë të rëndësishëm kombëtar për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, programin e vaksinimit falas ndaj gripit për kategoritë në risk. 138 mijë doza vaksinash janë vënë në dispozicion të të moshuarve , personelit mjekësor, grave shtatëzëna, të sëmurëve kronik dhe fëmijëve 2-5 vjeç për tu mbrojtur nga komplikacionet e gripit”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja gjatë këtij komunikimi bëri dhe apel në kuadër të muajit për ndërgjegjësimin ndaj diabetit duke i ftuar qytetarët të gjejnë pak kohë për të bërë falas kontrollin periodik për parandalimin e diabetit.

“Ky është një muaj tjetër i rëndësishëm, është muaji për ndërgjegjësim ndaj diabetit. Dua ti bëj një ftesë publike të gjithëve ju që të gjeni pak kohë për të bërë kontrollin periodik falas për të parandaluar komplikacionet e diabetit”, tha ministrja.

Në fund ministrja tha se, ” gjatë kësaj jave do jem në Shkodër për disa investime shumë të rëndësishme qoftë në kujdesin parësor ku kemi përmirësuar shërbimin për komunitetitin ashtu edhe në spital ku po funksionon më së miri shërbimi i koronarografisë që është një shërbim që shpëton jetë dhe ofrohet afër vendbanimit edhe në Shkodër”.

Komunikimi javor është një tjetër mënyrë për të marrë nga qytetarët shqetësime që lidhen me shëndetësinë apo mbrojtjen sociale dhe në të njëjtën kohë për të adresuar çështje që do të përfshihen në axhendën javore të ministres. /aatsh

Manastirliu: Nga 1 dhjetori pagesa e paketës higjeno-sanitare edhe për fëmijët me probleme të rënda Read More »

Shqipëri-Francë/Lleshaj i lë vendin e tij në “Air Albania Stadium” efektives së plagosur, Ina Nuku

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj,ia ka lënë vendin e tij në stadiumin “Air Albania Stadium”, për të ndjekur ndeshjen historike mes Shqipërisë dhe Francës efektives së policisë, Ina Nuku, e cila mbeti e plagosur nga shpërthimi i një mjeti pirroteknik gjatë një protestë të opozitës.

“Sot në këtë ditë të rëndësishme për futbollin shqiptar, preferova të dërgoj Ina Nukën në vendin tim në stadium, si shenjë respekti për sakrificën e kësaj punonjëse të Policisë së Shtetit”, deklaron Lleshaj, duke postuar edhe një foto të efektivës Nuka brenda stadiumit të ri të veshur kuqezi.

“Bashkë me urimet më të mira për gjithë sportdashësit shqiptarë, që sot si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e futbollit janë mbledhur nën ngjyrat kuqezi për të përkrahur ekipin tonë kombëtar. Rroftë Shqipëria!”, shprehet Lleshaj./atsh

Shqipëri-Francë/Lleshaj i lë vendin e tij në “Air Albania Stadium” efektives së plagosur, Ina Nuku Read More »

17 nëntori- Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme, 17 Nëntori, konsiderohet si një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve dhe dhimbjeve që ajo shkakton.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehet se lindje e parakohshme e bebit, konsiderohet lindja përpara javës së 37-të të shtatëzënisë, pavarësisht peshës së tij.

Slogani i këtij viti “Të lindësh para kohe, të marrësh kujdesin e duhur, në kohën dhe vendin e duhur”, vjen si mesazh gjithëpërfshirës për politikëbërësit, ofruesit e kujdesit shëndetësor, prindërit, familjen etj; për një partneritet në kujdesin ndaj këtyre foshnjave, përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me sfidat që u duhet të përballen familjet e këtyre foshnjave si dhe mundësi për të folur lidhur me zgjidhjet e mundshme.

Për parandalimin e lindjes së parakohshme është e rëndësishme që gjatë shtatëzënisë gruaja të ndjekë një stil jetese të shëndetshëm, bazuar në një dietë ushqimore të pasur dhe duke ndjekur në mënyrë të rregullt rekomandimet e mjekut.Lindja e parakohshme (shkaktari kryesor i vdekshmërisë tek të porsalindurit), mund të shkaktojë probleme shëndetësore kronike të mushkërive, vonesa në zhvillim dhe paralizë cerebrale.

Faktorët mjekësorë dhe stili i jetesës, ndikojnë në lindjet e parakohshme.

Zakonisht gratë që kanë shtatëzëni me binjakë ose që pritet të sjellin në jetë më shumë se 2 fëmijë, si edhe ato që vuajnë nga ndonjë patologji kronike (si p.sh. hipertension ose diabet), janë më të rrezikuarat për të lindur fëmijë para kohe.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit në shkallë globale lindin para kohe rreth 15 milionë foshnja.

Për fat të keq, komplikimet prej lindjes së parakohshme, janë ndër shkaqet kryesore të vdekjes së foshnjave në pesë vitet e para të jetës.

Statistikat tregojnë se shifrat e lindjeve të parakohshme kanë pësuar rritje. Ekspertët deklarojnë se kjo vjen si pasojë e shtimit të përdorimit të trajtimeve për fertilitetin apo trendit të shtatzënive të mëvonshme. /atsh

17 nëntori- Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme Read More »

Leximi mbron trurin nga çmenduria

Leximi dhe shkrimi mbrojnë shëndetin e trurit pasi njerëzit që nuk mund ta bëjnë këtë kanë gati tre herë rrezik për t’u çmendur, sipas një studimi të Jennifer Manly, nga universiteti ”Columbia Vagelos College”, botuar në revistën ”Neurology”.

Studimi përfshiu rreth 1 000 individë me një moshë mesatare 77 vjeç, përfshirë 237 analfabetë.

Në fillim të studimit, 35% e analfabetëve rezultuan se kishin shenja çmendurie ndaj 18% të atyre që dinin të lexonin dhe të shkruanin.

Pas rreth katër vitesh, numri i analfabetëve me çmenduri u rrit në 48% ndaj 27% të atyre që dinin të lexonin dhe shkruanin.

Ekspertët kanë vlerësuar se analfabetët kanë një rrezik pothuajse tre herë më shumë për t’u çmendur se të tjerët, me kushte të barabarta siç janë mosha, seksi, statusi socio-ekonomik dhe shëndeti kardiovaskular.

“Të jesh në gjendje të lexosh dhe të shkruash lejon njerëzit të ndërmarrin më shumë aktivitete që përfshijnë burime mendore, të tilla si leximi i gazetës ose ndihmesa ndaj nipërve dhe mbesave me detyrat e shtëpisë”, tha Manly.

”Puna jonë siguron prova të reja që leximi dhe shkrimi mund të jenë faktorë të rëndësishëm në mbajtjen e shëndetit të trurit”, përfundoi ajo./atsh

Leximi mbron trurin nga çmenduria Read More »

Rreziku i sëmundjes së zemrës ”shkruhet” në sy

Thuhet se sytë janë dritarja e shpirtit. Por, ata gjithashtu mund të jenë një dritare për zemrën dhe të ndihmojnë në parashikimin e rrezikut të sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.

Enët e vogla të gjakut në pjesën e prapme të syrit në fakt preken nga ngurtësia arteriale dhe rritja e presionit të gjakut, sipas një studimi të botuar në revistën ”Hypertension” të Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Në këtë studim morën pjesë rreth 55 000 persona të moshave të mesme dhe të treta.

Ekipi kishte qasje në 3,5 milion seksione të enëve të gjakut si dhe një program të automatizuar që ekzaminonte imazhet e tyre dixhitale duke siguruar matjet e enëve të gjakut të secilit pjesëmarrës.

Analiza zbuloi se një lakim më i madh i arterieve retinale shoqërohej me ngurtësi më të madhe arteriale dhe presion më të madh sistolik (vlerë në kohën kur zemra po kontraktohet).

”Ky efekt në retinën nuk ka asnjë ndikim në vizion, por potencialisht mund të na tregojë shumë shpejt nëse personi ka më shumë rrezik të diagnostikojë sëmundje kardiovaskulare”, shpjegon studiuesja Alicia Rudnicka.

“Nëse ajo që ndodh në pjesën tjetër të trupit reflektohet në atë që ndodh në pjesën e pasme të syrit atëherë vlerësimi i morfologjisë retinale duhet të përfshihet në praktikën klinike midis faktorëve të rrezikut kardiovaskular, si mosha, nivelet e kolesterolit dhe presioni’’, theksuan autorët e studimit./atsh

Rreziku i sëmundjes së zemrës ”shkruhet” në sy Read More »

Rezistenca ndaj antibiotikëve, takim mes ekspertëve të shëndetit

Marrja e antibiotikëve kur ata nuk nevojiten sjell probleme me efikasitetin e antibiotikëve.

Kjo javë njihet ndryshe si java ndërgjegjësuese për antibiotikët ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë apel për të mos i përdorur ato pa këshillën e mjekut.

Në kuadër të kësaj jave u zhvillua mbledhja vjetore e CEASAR-it e cila bëri së bashku specialistë të fushës nga Instituti i Shëndetit Publik, spitalet universitare dhe rajonale për të diskutuar sfidat dhe objektivat për të ardhmen. Ky takim i rëndësishëm u bë me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që u përfaqësua nga Shefi i zyrës së saj në Tiranë, Raul Gonzales.

Në këtë takim, Dr. Albana FICO, Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik i ISHP-së bëri me dije edhe përkushtimin për të ecur përpara me procesin e përmirësimit të punës në laboratorët e këtij institucioni.

Antibiotikët janë medikamente të rëndësishme që përdoren për mjekimin e infeksioneve bakterore si në njerëz dhe në kafshë dhe jo në infeksionet virale, por jo gjithmonë ato janë zgjidhje. Antibiotikët po humbasin efektivitetin e tyre, që do të thotë më shumë vdekje dhe më shumë komplikacione për njerëzit, pasi ne nuk po i përdorim ato siç duhet. Nëse bakteriet bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, shumë mjekime të thjeshta do të bëhen përsëri të rrezikshme për shëndetin tonë./atsh

Rezistenca ndaj antibiotikëve, takim mes ekspertëve të shëndetit Read More »

Duart tregojnë sinjale për shëndetin që nuk duhet t’i injoroni

Nëse i hidhni një sy duarve, atëherë do kuptoni se sa shumë thonë për shëndetin tuaj. Duart janë një indikator i rëndësishëm i asaj që ndodh me organizmin që nuk duhet ti injoroni.

Therje në duar dhe gishta

Kjo tregon se nuk merrni mjaftueshëm vitaminë B1, B6, B12 ose vitaminë E. Jepini rëndësi shëndetit tuaj. Nëse e ndjeni këtë, atëherë bëni një vizitë tek doktori juaj ose kërkoni për ushqime që përmbajnë vitaminat që ju duhen.

Shenja gishtat ngjyrë blu

Kjo tregon qarkullimin e dobët ose nivele të ulëta të oksigjenit në gjak. Shpesh nuk është e dëmshme, por nëse shoqërohet me pneumoni, mund të jetë një shenjë e sëmundjes së mushkërive.

Ndjenjë mpirje në majë të gishtave

Nëse e ndjeni këtë, atëherë keni probleme me qarkullimin e gjakut. Sidoqoftë, mund të jetë rezultat i një nervi të dëmtuar ose sëmundjes kardiovaskulare.

Gishta të bardhë, blu ose të mpirë

E gjitha kjo lidhet me sëmundjen “Buerger”, që tregon se keni rritje të inflamacionit në enët e vogla dhe të mesme të gjakut. Shpesh është rezultat i pirjes së duhanit.

Thonj të zbehtë

Nëse shtypni bazën e thonjve për një kohë, ajo do të kthehet e bardhë, por pastaj përsëri rozë. Kjo është normale. Sidoqoftë, nëse baza mbetet i bardhë, kjo mund të jetë një shenjë e mungesës së hekurit.

Ju dridhen duart

Fillimisht, jepini rëndësi kafeinës që merrni dhe nivelit të stresit. Shumë stres dhe kafe mund të shkaktojë dridhje duarsh. Nëse nuk keni asnjërën nga këto, bëni një vizitë për të mësuar më shumë.

Pëllëmba e kuqe

Nëse ju ndodh kjo, shkoni urgjent tek doktori pasi është shenjë e një sëmundje me mëlcinë.

Gishta të enjtur

Nëse ndodh kjo, atëherë tregon se jeni person që konsumoni shumë kripë. Provoni të mos e përdorni shpesh dhe të konsumoni shumë ujë.

Duar të djersitura

Kjo mund të jetë rezultat i një gjendre tiroide tepër aktive. Nëse vuani prej saj shumë shpesh, telefononi mjekun tuaj. /atsh

Duart tregojnë sinjale për shëndetin që nuk duhet t’i injoroni Read More »

Deri në vitin 2045 diabeti do të prekë 700 milionë njerëz

Numri i personave të moshës 20 dhe 79 vjeç me diabet pritet të arrijë në 700 milionë deri në vitin 2045, sipas studimeve të fundit nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF).

Diabeti, një nga sfidat shëndetësore në rritje të shpejtë e shekullit XXI nuk respekton as statusin socio-ekonomik, as kufijtë gjeografikë apo kombëtarë, me numrin e të rriturve që jetojnë me këtë sëmundje dhe që ka kaluar trefishin gjatë 20 viteve të fundit.

Sipas të dhënave nga botimi i fundit i Atlasit të Diabetit (IDF), një burim mbi barrën globale të diabetit tregoi se një në 11 të rritur të moshës 20-79 vjeç kanë diabet.

Mendohet se 463 milionë të rritur, të cilët përfaqësojnë 9,3 për qind të popullsisë botërore në këtë grupmoshë, aktualisht jetojnë me këtë sëmundje.

Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, deri në vitin 2030, IDF parashikon një rritje prej 10% të numrit të personave me këtë sfidë shëndetësore dhe që pritet të arrijë në 578 milionë.

Rreth dy dekada më parë, vlerësimi global i të rriturve që jetonin me diabet ishte 151 milionë, shifër e cila deri në vitin 2009 ishte rritur ndjeshëm me 88 për qind, duke shkuar në 285 milionë.

Vlerësohet se shumica dërmuese, rreth 80 % e njerëzve me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Botimi i fundit i Atlasit tregon se dy në tre persona me sëmundje jetojnë në zona urbane.

Shpenzimet vjetore globale të shëndetit për diabetin vazhdojnë të rriten çdo vit dhe parashikohet të arrijnë në 760 miliardë dollarë në 2019, ekuivalent me 10 % të shpenzimeve të përgjithshme globale të shëndetit.

“Shpenzimet globale për kombinimin e sëmundjes parashikohet të arrijnë në 825 miliardë dollarë deri në vitin 2030 dhe 845 miliardë dollarë deri në vitin 2045”, thuhet në raport.

“Në vitin 2019, numri i vdekjeve që rezultojnë nga diabeti dhe komplikimet e tij ka arritur në rreth 4,2 milionë”, vijon raporti./atsh

Deri në vitin 2045 diabeti do të prekë 700 milionë njerëz Read More »