Shendetesi

Si të ruheni nga gripi për të parandaluar komplikimet

Për shumicën e njerëzve gripi është një sëmundje kalimtare, por në disa raste, shkakton ndërlikime të rënda dhe deri në vdekje, ndaj duhet të bëni kujdes.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë apel për kujdes në këto ditë të temperaturave të ulëta ku mundësia e prekjes nga gripi është e madhe.

“Gripi transmetohet nga njeriu tek njeriu me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit. Në raste më të rralla, një individ mund të infektohet duke prekur objekte të ndotura me virusin e gripit dhe më pas ai i kalon në gojën apo në hundën e tij me duart e infektuara”, – thotë MSHMS.

Më tej, ministria ndan disa këshilla që duhet marrë në konsideratë për t’u mbrojtur nga gripi. “Kollituni ose teshtini duke përdorur parakrahun ose krahun. Mbani masë mbrojtëse. Lani rregullisht duart. Përdorni shami me një përdorim kur teshtini ose kolliteni”, -rekomandon Ministria e Shëndetësisë. /atsh

Si të ruheni nga gripi për të parandaluar komplikimet Read More »

Sezoni i gripit/ ISHP: Aktualisht qarkullon virusi A/H1, situata normale

Sipas Institutit të Shëndetit Publik është evidentuar qarkullimi i gripit në vendin tonë. Aktualisht qarkullon virusi A/H1 i cili gjithashtu qarkullon në gjithë shtetet e Europës dhe të rajonit.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik këshillojnë që qytetarët të bëjnë kujdes ndaj të ftohtit dhe të informohen mbi këshillat ndaj gripit në faqet zyrtare të MSHMS dhe ISHP.

Si të veproni për të parandaluar dhe mbrojtur veten edhe të afërmit tuaj nga gripi?

– Lani duart

– Pastroni hundët me shami njëpërdorimshme;

– Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini;

– Evitoni ambientet e mbipopulluara dhe me shumë njerëz;

– Ruani një temperaturë të qëndrueshme brenda banesave tuaja;

– Ajrosni vazhdimisht ambientet ku rrini.

Kur jeni të sëmurë:

– Qëndroni në shtëpi, kufizoni daljen në ambiente të ftohta;

– Konsumoni ushqime të ngrohta;

– Pini sa më shumë lëngje;

– Kufizoni kontaktet direkte dhe indirekte (nëpërmjet objekteve);

– Mos e nënvlerësoni gripin. Sa herë nuk ndjeheni mirë, konsultohuni me mjekun.

Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratore. Sipas ekspertëve të ISHP situata është normale, e zakonshme dhe e pritshme për stinën. /atsh

Sezoni i gripit/ ISHP: Aktualisht qarkullon virusi A/H1, situata normale Read More »

25-vjeçarja nga Tirana, ia del të shpëtojë, pas 3 ndërhyrjesh kirurgjikale të vështira në mëlçi

Pas 30 ditësh të vështira në terapi intensive Arjola 25 vjeçare nga Tirana, ia ka dalë për mrekulli të shpëtojë, pas 3 ndërhyrjesh kirurgjikale të vështira në mëlçi.

Lajmin e ka dhënë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ka vlerësuar punën e shkëlqyer të mjekëve të klinikës 3 të Kirurgjisë prof. Arben Gjata, dr. Endri Shehu, dr. David Bellalla dhe dr. Anesti Caka.

Ministrja Manastirliu thekson se, pas 30 ditësh të vështira në terapi intensive mes momenteve shumë delikate dhe shpresës për mbijetesë, 25 vjeçarja nga Tirana ja ka dalë për mrekulli të shpëtojë, pas 3 ndërhyrjesh kirurgjikale të vështira në mëlçi”.

“Punë e shkëlqyer e ekipit të mjekëve të klinikës 3 të #Kirurgjisë prof. Arben Gjata, dr. Endri Shehu, dr. David Bellalla dhe dr. Anesti Caka”, shton Manastirliu.

“Shërim të shpejtë Arjola. Krenare për mjekët”, thekson ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu./atsh

25-vjeçarja nga Tirana, ia del të shpëtojë, pas 3 ndërhyrjesh kirurgjikale të vështira në mëlçi Read More »

“Shëndet për të gjithë”/ Miratohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës

Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e një marrëveshjeje, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës.

Kështu në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e një marrëveshjeje, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës të përfaqësuar nga agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për programin “Shëndet për të gjithë – HAP”, faza e dytë, prill 2019 – mars 2023, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi.

Që prej vitit 2015, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) po ndihmon në promovimin e shëndetit publik në qarqet e Dibrës dhe Fierit. Faza e parë e projektit e cila u zbatua nga konsorciumi i përbërë nga 3 organizata: Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale, Save the Children dhe Terre des Hommes, u finalizua në 31 mars 2019.

Faza e dytë e projektit shtrihet në afatin kohor prill 2019-mars 2023 dhe po zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Sëiss TPH) përmes qendrës HAP.

Parashtruar edhe në Strategjinë e SDC-së për Bashkëpunimin me Shqipërinë 2018-2021, qëllimi i fazës 2 të Projektit është “Popullsia shqiptare përfiton nga shëndetësia më e mirë falë shërbimeve të përmirësuara të kujdesit shëndetësor parësor.”

HAP po punon ngushtësisht me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe entitetet e saj në nivel kombëtar dhe vendor, ofruesit e kujdesit shëndetësor parësor, pushtetin vendor dhe organizatat lokale të shoqërisë civile për arritjen e dy rezultateve kryesore.

MSHMS-ja dhe strukturat e saj rajonale menaxhojnë me më shumë efektshmëri dhe eficiencë shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor.

Qytetarët në qarqet e synuara kanë akses dhe përdorin me efektshmëri shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor e një cilësie më të mirë./atsh

“Shëndet për të gjithë”/ Miratohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës Read More »

Fizioterapi dhe shërbim i dedikuar për 13 vjeçarin me aftësi ndryshe që i shpëtoi tërmetit në Thumanë

Anteo, 13 vjeçari me aftësi ndryshe që i shpëtoi fatmirësisht tërmetit në Thumanë është strehuar bashkë me familjen në Shëngjin.

Ai ndjek shkollën si një nga nxënësit më të shkëlqyer, ndërkohë që prej dy javësh merr edhe orët e fizioterapisë së nevojshme për problemin e tij shëndetësor.

Deputetja e qarkut Lezhë, Ardiana Jaku vizitoi 13-vjeçarin e strehuar në Shëngjin, i cili i tha se ëndërron të bëhet mjek në të ardhmen.

Jaku u interesua për gjendjen e Anteos, i cili tashmë ka filluar të marrë edhe shërbimin e fizioterapisë.

Për ERTV, prindërit e Anteos treguan sfidat me të cilat përballen për kurimin e sëmundjes së Anteos, ndërsa folën për optimizmin dhe kurajon që ka vetë Anteo, i cili dëshiron që në të ardhmen të bëhet mjek.

Për fundvit, 13-vjeçari i shprehu Alteos (gazetarit të ERTV-së) dëshirën për një dhuratë të preferuar, e cila do t’i dorëzohet përpara Vitit të Ri./atsh

Fizioterapi dhe shërbim i dedikuar për 13 vjeçarin me aftësi ndryshe që i shpëtoi tërmetit në Thumanë Read More »

Kafeina agjentja kundër obezitetit

Kafeina mund të konsiderohet si një agjente kundër obezitetit, pasi kafeja zvogëlon konservimin e lipideve, prodhimin e triglicerideve dhe kufizon shtimin në peshë, sipas studiuesve të Universitetit të Illinoisit, botuar në revistën ”Functional Foods”.

Ky eksperiment u aplikua te minjtë të cilët ndoqën një dietë me 40% yndyrë, 45% karbohidrate dhe 15% proteina.

Ata gjithashtu konsumuan kafeinën në një sasi të barabartë me atë të një qenieje njerëzore, që e merr atë në katër filxhanë në ditë.

Minjtë që konsumuan kafeinën grumbulluan më pak yndyrë të trupit sesa grupi tjetër: ata fituan 16% më pak peshë dhe grumbulluan 22% më pak yndyrë trupore sesa minjtë që konsumuan produktin e dekafeinuar.

Studiuesit vunë në dukje se kafeina zvogëloi grumbullimin e lipideve në qelizat yndyrore midis 20% dhe 41%./ atsh

Kafeina agjentja kundër obezitetit Read More »

Anaidi vetëm 15-muajsh, në gjendje të mirë shëndetësore pas ndërhyrjes me sukses për glaukomën në sy

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndarë një lajm të mirë për Anaidin vetëm 15-muajsh, i cili ka kryer me sukses ndërhyrjen për glaukomën në sy, një sëmundje që e kishte që në lindje dhe tashmë është kthyer pranë familjes.

Ministrja ka bërë të ditur se doktoreshë Arjeta Grezda ka realizuar ndërhyrjen delikate në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke e shpëtuar të voglin nga verbëria.

Ministrja e ndau këtë lajm të mirë në vigjilje Krishtlindjesh. /atsh

Anaidi vetëm 15-muajsh, në gjendje të mirë shëndetësore pas ndërhyrjes me sukses për glaukomën në sy Read More »

Festat e Fundvitit/ Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore, në gatishmëri 24 orë

Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët festive.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi në vigjiljen e Krishtlindjes Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. “Gjatë gjithë ditëve festive kemi marrë masat për rastet e urgjencës që mund të ndodhin duke garantuar shërbimin shëndetësor 24 orë në 24 nëpër spitale. Janë marrë masat, për të mos munguar medikamentet dhe ekipi i mjekëve dhe infermierëve do te jetë në gjendje gatishmërie për festat e fundvitit”, -tha Manastirliu.

Urdhëri i ministres përcakton sigurimin e gatishmërisë së transportit mjekësor me autoambulancë për të sëmurët që kanë nevojë për këtë shërbim dhe përcaktimin e listës së mjekëve të gatishmërisë “on call” për secilin shërbim. Gjithashtu në ditët e festave vendoset në gatishmëri edhe shërbimi i autoambulancave dhe Njësisë së Helikopterëve.

Shefi i Shërbimit të Urgjencës në QSUT, prof. Eqerem Hasani tha se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e pritshëm në rritje në ditët e festave.
Vigjiljen e Krishtlindjes Ministrja Manastirliu e festoi me fëmijët e shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Festës në Pediatrinë e QSUT-së ju bashkuan aktorët e Teatrit të Kukullave, të cilët realizuan shfaqjen “Tre derrkucët” për të sjellë atmosferën e festës në Pediatrinë e Tiranës. Në repartin e Onko-Hematologjisë në Pediatri u krijua një atmosferë festive me dhurata dhe lojëra me personazhet e dashur për fëmijë. Manastirliu falenderoi ekipin e mjekëve, infermierëve, të gjithë personelin e spitaleve që këto ditë do të jenë në gatishmëri 24/7 për t’iu ardhur në ndihmë atyre që do të kenë nevojë për shërbim shëndetësor./atsh

Festat e Fundvitit/ Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore, në gatishmëri 24 orë Read More »