Shendetesi

Si të mbrojmë veten nga koronavirusi

Gripi është një sëmundje serioze e cila mund të çojë në gjendje të rëndë shëndetësore me shtrime në spital, e ndonjëherë deri në vdekje.

Antibiotikët nuk veprojnë ndaj viruseve por si mund ta mbrojmë veten nga koronavirusi?

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndarë disa këshilla për të shmangur infektimin nga ky virus.

“Masa bazike të higjienës së duarve, siç është larja e duarve me ujë dhe sapun.
Higjiena respiratore, kur kolliteni apo teshtini, përdorni bërrylin ose shami.
Shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.
Mënjanimet e kontakteve të panevojshme me kafshë të gjalla apo produktet e tyre dhe larja e duarve pas prekjes së tyre.
Aplikimi i praktikave të higjienës ushqimore. Sigurohuni që mishi është gatuar mire para se të konsumohet”, -këshillojnë specialistët e ministrisë së Shëndetësisë./atsh

Si të mbrojmë veten nga koronavirusi Read More »

Investimet në Spitalin e Vlorës rrisin shërbimet që nuk ofroheshin më parë/ Rama: Duhej bërë muze në çdo spital se si ishin pajisjet përpara sterilizimit

Të moshuarit që paguanin 700 dollarë më parë për lentet e syve, nuk kanë më nevojë të marrin rrugën drejt Tiranës, ndërsa sot ata e kanë falas këtë shërbim në Vlorë.

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vizituan sot spitalin e Vlorës, ku investimet në infrastrukturë dhe mjekë të specializuar mundësojnë shumë shërbime, që nuk ofroheshin më parë, me kushte dhe standarde të kualifikuara.

“Në spitalin rajonal, ku investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe plotësimi i nevojave me mjekë të specializuar (si në çdo spital të vendit tanimë), mundësojnë sot shumë shërbime që nuk ofroheshin më parë dhe me kushte të mira e standarde profesionale të sigurta. Edhe pacientët me tumore nuk vijnë më në Tiranë për trajtimin siç bënin deri dje, por sot e marrin shërbimin në Vlorë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu duke shpjeguar punën që është bërë në këtë spital theksoi se, “aktualisht kemi zgjeruar shërbimin e kimioterapisë në këtë spital”.

“Rritja e financimit për shëndetësinë, është e influencuar gjithashtu në rritjen e volumit të barnave citostatike, pra për trajtime me kimiopreparate. Vetë mjekët onkologë në spitale ofrojnë shumë më shumë terapi mjekimi se ç’kanë ofruar mbi të gjitha mbulojnë shumë sëmundje tumorale, të cilat deri dje nuk trajtoheshin në spitale”, tha ministrja.

Kryeministri vizitoi pacientët, të cilët u shprehën se janë të gjitha medikamentet.

Manastirliu u shpreh se, “kemi bërë një përmirësim radikal në trajtimin e sëmundjeve tumorale edhe me barna të terapive të shtrenjta dhe kështu kemi mbuluar jo vetëm sëmundjen e gjirit me Herceptinën, por edhe sëmundjet malinje të gjakut nëpërmjet marrëveshjeve kuadër që kemi lidhur dhe nëpërmjet rritjes së numrit të barnave që ofrojmë me rimbursim për mbulimin e terapive në luftën kundër tumoreve, por gjithashtu edhe për sa i përket të gjithë paketës që ne ofrojmë në spitale. Në barnat bazë, në preparatet bazë nuk ka asnjë mungesë’.

Kryeministri Rama gjithashtu takoi edhe mjekët e rinj që ofrojnë shërbimet e tyre në spitalin e Vlorës, por gjithashtu disa prej tyre edhe në spitalin e Fierit.

Kryeministri Rama vizitoi edhe mjekët që kryejnë ekzaminimet për lentet e syve.

Manastirliu u shpreh se çdo vit në Vlorë po shtojmë shërbime që nuk ofroheshin më parë, apo që paguheshin siç është paketa e lenteve.

Drejtoresha e Spitalit të Vlorës u shpreh se bëhen 250-300 operacione lentesh në vit dhe që dalin me sukses.

Një tjetër pacient tha se më kishin rekomanduar të shkoja në Tiranë me 350 euro për këtë operacion, po unë s’e përballoja dot. Por, kryeministri i tha se s’ka më nevojë për 350 euro, tani është falas.

Një tjetër paciente tha se mjekët janë sjellë shumë mirë dhe asnjë nuk ka kërkuar lekë.

Kryeministri vizitoi edhe centralin e sterilizimit në spitalin e Vlorës.

Manastirliu u shpreh se është një central modern, investim që i gjithi do t’i mbetet shtetit dhe që s’do kishim pasur mundësi ta bënim nëse s’do të kishim bërë këtë partneritet.

Kryeministri është ndalur edhe tek ata persona që akuzojnë qeverinë për vjedhje me koncesionet duke thënë se këto janë të pavërteta.

“E vetmja gjë që kemi bërë gabim është që nuk kemi bërë në këto spitale një muzeum të vogël si ishin pseudo sterilizatorët dhe si ishin instrumentet. Se populli dëgjon këto llafet e rrugëve dhe të politikës së rrugës që që PPP-ja, PPP-ja, vjedhja, vjedhja, korrupsioni, korrupsioni. Ja ku i keni dhe të gjitha këto janë të financuara nga privati. Nuk janë investuar nga shteti. Sepse shteti nuk ka pasur mundësi ta bëjë këtë sepse po të kishte pasur do ta kishin bërë ata të mençurit që na sulmojnë ndërkohë që kishin 30 vjet në dorë ta bënin. Shteti merr shërbimin që e ofron falas për qytetarët se nuk i kemi thënë pacientëve meqë ka instrumente të reja, nxirr lekë nga xhepi dhe paguan vit pas viti shlyen këtë investim. Në fund janë të shtetit pajisjet” tha Rama.

“Nuk është vetëm vegla është çdo proces pune, që nga larja, sterilizimi që është i përditshëm, pastaj janë veshjet që janë një përdorimshe. Ne e dimë sesi kanë qenë, mbulohej shtrati i pacientit me çarçaf, mbuloheshin instrumentet me çarçaf dhe futeshin në autoklavë, që ishin jo vetëm të vjetra, por nuk siguronin sterilitet. Infeksionet spitalore kanë qenë 30,2%, kanë rënë, janë përgjysmuar. Ndërkohë që është ulur ditëqëndrimi, është rritur optimizimi i sallës. Ndërkohë që sot mund të kryhen më shumë ndërhyrje pa lista të gjata pritjeje”./atsh

Investimet në Spitalin e Vlorës rrisin shërbimet që nuk ofroheshin më parë/ Rama: Duhej bërë muze në çdo spital se si ishin pajisjet përpara sterilizimit Read More »

Gati zemra e parë bionike

Zemra e parë bionike është gati.

E bërë nga indet e përdorura, ajo do të ndihmojë në eksperimentimin në mënyrë të sigurt me valvulat artificiale të zemrës dhe pajisjet e tjera mjekësore.

E përshkruar në revistën ”Science Robotics”, ajo u krijua nga ekipi i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT) i koordinuar nga Ellen Roche, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan të Harvardit, Universitetin e Teknologjisë ”Nanyang” në Singapor dhe Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve Irlandezë.

”Pajisja është një përzierje e indeve kardiake dhe një sistemi pompimi robotik: pra emri ‘zemër hibride biorobotike’ është një matricë sintetike që mund të mbështillet rreth një barkusheje dhe të bymehet’, për të vepruar si pompë, siç do të bënte një muskul i zemrës”, deklaruan autorët.

“Ne filluam nga barkushja e majtë sepse është më e vështira për t’u riprodhuar, për shkak të presioneve më të larta në të cilat ajo vepron. Qëllimi i këtij studimi mbi zemrën bionike është që të lejojë në të ardhmen testimin dhe zhvillimin e pajisjeve kardiake më shpejt dhe me kosto më të ulët duke simuluar atë që ndodh natyrshëm në zemrën e njeriut”, theksoi autoria e studimit Ellen Roche./ atsh

Gati zemra e parë bionike Read More »

2200 dëshmitarë/ “Infermierë për Shqipërinë” ndryshoi një herë e mirë mënyrën e rekrutimit të profesionistëve të shëndetit

Kryeministri Edi Rama, pasditen e stë enjtes ka risjellë në fokus portalin “Infermierë për Shqipërinë”, që u ka mundësuar që prej çeljes së tij, 2 200 infermierëve të bëhen pjesë e sistemit të shëndetësisë publike, në bazë të meritës.

Kryeministri Edi Rama thekson se vetëm 2 muajt e fundit, 191 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik.

“191 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik vetëm gjatë dy muajve të fundit. Sot, sistemi i shëndetësisë publike është i hapur për çdo profesionist që kërkon të punësohet në bazë të meritës në qendrat shëndetësore dhe spitalet tona, duke klikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë” http://infermierepershqiperine.al/”, – theksoi Rama.

“2200 infermierë janë punësuar nga hapja e portalit që ndryshoi një herë e mirë mënyrën e rekrutimit të profesionistëve të shëndetit. Pa ryshfet, pa parti, pa krushqi. Si ka mundësi?! Ja pra që ka mundësi dhe janë plot 2 200 dëshmitarë që mund t’ua tregojnë po t’i pyesni“,- përfundoi Kryeministri Edi Rama. /atsh

2200 dëshmitarë/ “Infermierë për Shqipërinë” ndryshoi një herë e mirë mënyrën e rekrutimit të profesionistëve të shëndetit Read More »

Koronavirusi, mjeku Kalo: Asnjë rast i dyshuar, kemi laboratorë që përcaktojnë virusin

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të dyshuar të koronavirusit të ri, ndërkohë që vendi ynë ka laboratorë e teste që përcaktojnë praninë ose jo të këtij virusi.

Kështu u shpreh mjeku infeksionist Tritan Kalo i ftuar në një studio televizive, nga ku theksoi se “çdo i sëmurë ose çdo individ qoftë edhe nga ato që kanë udhëtuar në Kinë dhe që kanë ardhur në Shqipëri, nuk janë të përjashtuar të kontaktojnë gripin dhe të shfaqin gripin, jo koronavirusin. Këta njerëz duke ndenjur ne mjedisin familjar, nuk përjashtohen në ato 14 ditë që mendohet se mund të shfaqen edhe simptomat klinike, të bien në kontakt me gripin që qarkullon”.

“Është vështirë të thuash që këta që infektohen ose këta që vijnë të infektuar në shërbimi e sëmundjeve infektive janë të prekur nga koronavirusi. Pa u izoluar dhe pa u përcaktuar prania e tij,nuk mund të jepet asgjë. Ne, hë për hë nuk kemi asnjë rast i cili është përcaktuar ose izoluar koronavirusi i ri në përmbajtjen e sekrecioneve ose në gjak. Ka laboratorë të mirëpërcaktuar ose laboratorë të referencës në Institutin e Shëndetit Publik që përcakton mire me testet që ka, përcakton praninë ose jo të këtij virusi në organizmin tonë. Janë teste që bëjnë diagnostikimin”, u shpreh ai.

Më tej, mjeku informoi se koronavirusi është virus i ri i një familjeje të vjetër.
“Virusi është virus njëlloj, nuk do ndonjë veçanti të madhe njohja. Është një virus i ri i një familje të vjetër që njihet që nga 1960, qarkullon si grip ose probleme më shumë tek kafshët. Ka dhënë dy epidemi si të Sarsit ku ka pasur edhe raste kufitare në Shqipëri, 4 në Itali dhe 1 në Rumani por që asnjë prej tyre nuk ka pasur vdekje. Asnjë i sëmurë me SARS i diagnostikuar në Europë ose në Kanada ku ka pasur një numër të madh rastesh, nuk ka pasur mortalitet”, -shpjegoi ai.

Doktori u shpreh se këtyre njerëzve që kthehen nga Kina fillimisht i është bërë skrinimi në Shangai, më pas në ndalesën që kanë bërë në Abu-Dabi, skrinimi i tretë është bërë në Athinë para se të hyjnë në Shqipëri. “Pra, kanë kaluar 3 filtra dhe kanë marrë informacion mjaft që të mund të kenë parasysh që në të gjithë botën nuk i kanë karantinojnë në mjediset spitalore”.

Sipas doktorit, Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën taktikë siç po ndjek Anglia e Kanadaja ku individët e ardhur nga Kina qëndrojnë për 14 ditë për skrining, për të shmangur çdo indicje të mundshme.

“Shërbimi i Urgjencës po trajnohet që të këtë kujdes në mënyrën e vajtjes, pritjes, diagnostikimit, të transportimit dhe sjelljes së shërbimit të sëmundjeve infektive”, -tha ndër të tjera ai./atsh

Koronavirusi, mjeku Kalo: Asnjë rast i dyshuar, kemi laboratorë që përcaktojnë virusin Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka asnjë studente të shtruar në spitalin infektiv në Tiranë të dyshuar me koronavirus

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi sot se nuk ka asnjë studente të shtruar në spitalin infektiv në Tiranë, të dyshuar me koronavirus.

Në një deklaratë për shtyp MSHMS bën të ditur se “rasti i spitalit infektiv është një grua që ka udhëtuar 10 ditë më parë nga Kina dhe pas testimit mbrëmjen e djeshme rezulton me grip të thjeshtë dhe negative ndaj testit për koronavirus”.

Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirëpërcaktuar dhe funksionon më së miri.

Në zbatim të taskforcës së MSHMS datë 27.01.2020, me drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, drejtues të njësive tona në pikat e kalimit kufitar, përfaqësues të policisë kufitare është shtuar survejanca e sëmundjeve të rënda respiratore në bashkëpunim me gjithë spitalet. /atsh

Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka asnjë studente të shtruar në spitalin infektiv në Tiranë të dyshuar me koronavirus Read More »

Fatjona Vogli, infermierja që shërben me përkushtim në repartin delikat të neonatologjisë

Fatjona Vogli ka fituar me meritë vendin e punës përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” dhe sot shërben me përkushtim në repartin delikat të neonatologjisë, tek bebet e porsalindura në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu thotë se 191 infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë punësuar me meritë dhe transparencë vetëm gjatë 2 muajve të fundit dhe më shumë se 2000 infermierë prej momentit të ndërtimit të platformës unike për punësim “Infermierë për Shqipërinë”.

Manastirliu ka informuar se thirrja e radhës për aplikim në portal për punësim ka afat datën 5 shkurt.

Platforma “Infermierë për Shqipërinë” është lançuar në janar të 2018 për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë dhe është pjesë e ligjit të ri të kujdesit shëndetësor./atsh

Fatjona Vogli, infermierja që shërben me përkushtim në repartin delikat të neonatologjisë Read More »

Peripecitë e bebes Lois përfundojnë me sukses/ Kryhet në QSUT operacioni i parë i korrigjimit të një defekti madhor në zemër

Një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale është kryer me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, operacioni i parë i korrigjimit të një defekti madhor në zemër tek një bebe.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër peripecinë e Loisit, bebes që ka ardhur në jetë 6 muaj më parë me një defekt të lindur në zemër.

Kryeministri Rama ka publikuar fotot e Loisit, i cili iu nënshtrua një ndërhyrje delikate dhe tejet komplekse, e cila nuk ishte realizuar më parë në vendin tonë.

Operacioni ka zgjatur disa orë dhe është kryer me sukses nga doktor Altin Veshti dhe ekipi i kardiokirurgjisë në QSUT, duke realizuar për herë të parë në Shqipëri korrigjimin e një defekti madhor.

“Ogerta ka ndjekur nga afër peripecinë e Loisit, bebes që ka ardhur në jetë 6 muaj më parë me një defekt të lindur në zemër. Një patologji shumë e rrallë, që kërkonte një ndërhyrje delikate dhe tejet komplekse, e cila nuk ishte realizuar më parë në vendin tonë. Operacioni që zgjati disa orë, u krye me sukses nga dr. Altin Veshti dhe ekipi i kardiokirurgjisë në QSUT, duke realizuar për herë të parë në Shqipëri korrigjimin e një defekti madhor (Gerbode defect)”, -thotë Rama./atsh

Peripecitë e bebes Lois përfundojnë me sukses/ Kryhet në QSUT operacioni i parë i korrigjimit të një defekti madhor në zemër Read More »