Shendetesi

Lajmi i mirë: Edhe 10 të shëruar nga COVID-19, 99 në total

Gjatë 24 orëve të fundit 10 pacientë janë shëruar duke e çuar në 99 numrin e të shëruarve nga COVID-19.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, tha në komunikimin për mediet theksoi se ”lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99”.

Dervishi tha se “vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuar pozitivë”.

Mes të shëruarve sot është edhe profesor Dhimitër Kraja, i cili iu përgjigj i pari thirrjes për t’u rikthyer në shërbim, për të ndihmuar kolegët në kurimin e pacientëve të infektuar me COVID-19. /atsh

Lajmi i mirë: Edhe 10 të shëruar nga COVID-19, 99 në total Read More »

Profesor Xhaxho i prekur nga COVID-19/ Shehu: Dhe nga shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontribut

Profesor Roland Xhaxho është një tjetër mjek i prekur nga COVID-19, i cili është shtruar sot në repartin infektiv.

Ish-deputeti i PD dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i ka uruar shërim të shpejtë profesor Xhaxhos.

“I dashur Landi të urojmë shërim të shpejtë! Kolegu, miku i ngushtë, reanimatori i talentuar, novator i veccantë e pedagogu njerëzor Prof. Roland Xhaxho, është shtruar sot në repartin infektiv i prekur nga ky virus”, ka shprehur Xhaxho.

“Mbasi ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe person kryesor në përshtatjen e shërbimeve të reanimacionit për përballjen me këtë epidemi, siç duket do t’i duhet të “pushojë” disa ditë, tashmë si pacient i përkohshëm”, ka thënë Shehu.

“Megjithëse jam i bindur se dhe nga dhoma apo shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontributin e tij të çmuar me dijet, energjitë e optimizmin e përhershëm. Shërim të shpejtë aty midis kolegësh”, ka theksuar Shehu./atsh

Profesor Xhaxho i prekur nga COVID-19/ Shehu: Dhe nga shtrati i spitalit do të vazhdojë të japë kontribut Read More »

27 raste të reja me COVID-19/ Kemi hyrë në zonën e zjarrit, sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “sot kemi 27 pozitivë. Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku po synon të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën e bluzave të bardha”.

“Sot ju bëj një thirrje të fortë të motivojmë të gjitha forcat shpirtërore dhe mendore brenda nesh, për të ushqyer rezistencën, duke mos harxhuar energji për asgjë tjetër”, – tha Rama, i cili publikoi edhe një video rrëqethëse në Iran.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot ju lutem me të gjithë forcën ta vendosni si kryefjalë të çdo dite në vijim moton jetike të luftës sonë: ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më”.

“Sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta dhe mbrojtja e jetës është qëllimi, ne jemi mjeti për realizimin e këtij qëllimi njerëzor, qytetar, kombëtar. Sot jam i detyruar t’ju jap këtë video rrëqethëse që ta shikoni si do kishim përfunduar, po të mos ishim futur më shpejt se të tjerët në mbrojtje, por edhe si, mos e dhëntë zoti, mund të përfundojmë nëse për ‘mustaqet e Çelos’ hapim vrima në barrikadat tona”, – tha Rama./atsh

https://web.facebook.com/edirama.al/videos/2578101465840638/?t=0

27 raste të reja me COVID-19/ Kemi hyrë në zonën e zjarrit, sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta Read More »

Shërohen edhe 2 infermierë të prekur nga COVID-19, 15 personel mjekësor në total

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndarë lajmin e mirë se janë shëruar 2 infermierë të prekur nga COVID-19, pas testit konfirmues.

Në total deri tani janë shëruar 15 personel shëndetësor.

‘Edhe 2 infermierë janë shëruar pas testit konfirmues nga laboratori i virologjisë në ISHP .
Shkon në 15 numri i mjekëve dhe infermierëve të shëruarve nga COVID-19. FORCA’, -thote Manastirliu. /atsh

Shërohen edhe 2 infermierë të prekur nga COVID-19, 15 personel mjekësor në total Read More »

Lajm i mirë: 9 të shëruar sot nga COVID-19

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se edhe 9 persona të tjerë janë shëruar nga COVID-19.

“Lajm i mirë: 9 të shëruar sot”, deklaroi Kryeministri në orët e vona të pas mesnatës.

Deri tani 85 persona kanë fituar betejën me koronavirusin në vendin tonë.

Një ditë më parë u dha lajmi se edhe një çift i moshuar nga Korça që erdhën në spitalin Infektiv në gjendje të rënduar u shëruan nga COVID-19. /atsh

Lajm i mirë: 9 të shëruar sot nga COVID-19 Read More »

5 respiratorë të tjerë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, forcohen kapacitetet për terapinë intensive

Pesë respiratorët i rinj në spitalin universitare “Shefqet Ndroqi”, financim i qeverisë shqiptare do të forcojnë rezervën e kapaciteteve në përballimin e situatës së COVID-19.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “5 respiratorët e tjerë, të mbërritur në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, pjesë e financimit të qeverisë shqiptare prej 54 respiratorësh të rinj, që do të forcojnë rezervën e kapaciteteve tona për terapinë intensive në përballjen me COVID-19”.

Ndërsa ditën e djeshme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se “në total kemi 54 respiratorë në dërgesën e parë dhe më pas do të kemi edhe 50 të tjerë e kështu me radhë, sipas porosive”./atsh

5 respiratorë të tjerë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, forcohen kapacitetet për terapinë intensive Read More »

Pipero: Këtë javë do të arrijë piku i epidemisë, në javën e tretë të prillit nis rënia

Mjeku i njohur pranë shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Pëllumb Pipero u shpreh sot se në këtë javë do të arrijë piku lidhur me numrin e rasteve të reja me COVID-19, ndërsa në javën e tretë të këtij muaji, do të nisë rënia.

Gjatë një interviste për një nga mediet e vendit, Pipero u shpreh se pritshmëritë janë tejkaluar për shkak të numrit të të shëruarve, ku sipas tij, kjo është meritë e mjekësisë shqiptare, po aq sa edhe e masave të marra nga qeveria dhe respektimi nga ana e qytetarëve.

“Unë besoj që pritshmëritë tona ndoshta janë tejkaluar me rastet e shëruara. Ne tashmë kemi 60-70 të shëruar dhe është një arritje e madhe për mjekësinë tonë, për bluzat e bardha, për spitalin e sëmundjeve infektive gjithashtu. Ndërkohë që falë masave të marra nga qeveria por edhe respektimit në maksimumin e mundshëm të qytetarëve, edhe të këshillave të profesionistëve për të treguar kujdes në jetën e tyre të përditshme, sa i takon masave të higjienës personale. Epidemia tek ne ose pasojat e pandemisë le të themi për fat të mirë nuk e arriti atë kurbën më majë, do të thosha atë kurbën e papërballueshme nga kapacitetet shëndetësore. Kurba ka qenë pak a shumë e zbutur, rritja ka qenë e qëndrueshme, graduale ç’ka tregon një ritëm të përballueshëm nga bluzat e bardha dhe ne e kemi përballuar më së mirë deri tani. Besoj kështu do të shkojë edhe më tej.
Më tej Pipero informoi se “kam thënë që, mbështetur në indikatorë të rëndësishëm të kësaj epidemie, unë besoj se kjo javë do të jetë java ku duhet të arrijë pikun, me numrin e rasteve të reja me COVID-19. Java tjetër do të jetë në këto nivele, por me një sheshpushimi jo në rritje më, dhe mandej do të fillojë rënia e rasteve. Unë besoj se në fillim të javës së tretë të prillit numri i rasteve do të fillojë të bjerë, natyrisht gradualisht, por do të fillojë të bjerë dhe shpresoj shumë që krahas rënies së numrit të fillojnë të zbuten edhe masat e qeverisë në raport me lëvizjen dhe rikthimin e aktivitetit ekonomik, pra të rifillojë gjallëria e saj”.

I pyetur nëse ka një rritje të numrit të të rinjve me COVID-19 së fundmi, Pipero tha se, “unë njësoj si ju, ndjek me shumë vëmendje buletinin e Ministrisë së Shëndetësisë. Në dijeninë time janë 3-4 raste të moshave të reja, por nuk di më shumë sesa kaq”.

Mjeku infeksionit u shpreh po ashtu se mënyra e kontaminimit nga ky virus mbetet kontakti i ngushtë.

“Ju kemi thënë që ky virus ka një periudhë inkubacioni shumë të gjatë. Jo të gjithë rrimë në shtëpi, dikush del nga shtëpia. Mjafton të ketë dalë para dy javësh, tri javësh apo para 10 ditësh dhe t’ia çojë virusin në shtëpi dikush nga familjarët. Pra, dua t’ju them që përmes kontakteve të afërta transmetohet. Nuk ka rrugë tjetër transmetimi përveçse kontakteve të afërta. Ndaj, vazhdojmë të këmbëngulim që qytetarët të qëndrojnë sa më gjatë në shtëpi dhe të dalin vetëm për arsye shumë të mëdha. Ju kemi thënë që ky virus prek të gjithë, nuk bën përjashtime pavarësisht sa e manifestojnë sëmundjen. Këshillat e ekspertëve duhet të jenë të zbatueshme nga të gjithë”, – tha Pipero. /atsh

Pipero: Këtë javë do të arrijë piku i epidemisë, në javën e tretë të prillit nis rënia Read More »

81 të shtruar në Infektiv, 8 pacientë në terapi intensive, 4 prej tyre janë të intubuar

Numri i pacientëve me COVID-19 të shtruar në shërbimin infektiv është 81, prej të cilëve 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar.

Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë një deklarate për mediet, të enjten, duke pasqyruar situatën e përhapjes së COVID-19 në vendin tonë, theksoi se “në shërbimin Infektiv aktualisht janë 81 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar”.

“Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID-2 “Shefqet Ndroqi” kemi 1 pacient të shtruar”, – shtoi Daja.

“Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Has, Elbasan, Shkodër dhe Pukë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit. /atsh

81 të shtruar në Infektiv, 8 pacientë në terapi intensive, 4 prej tyre janë të intubuar Read More »