Shendetesi

Pipero: Rënia drastike e numrit të personave të infektuar, lajm optimist

Mjeku i njohur pranë Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Pëllumb Pipero e cilësoi sot lajm optimist rënien drastike të numrave të personave të infektuar me COVID-19 në vendin tonë, por sipas tij është ende herët që të nisë festa.

Në një intervistë televizive Pipero u shpreh se “e kemi pritur si lajm optimist, por është shpejt për t’u gëzuar. Unë kam menduar se kjo javë do të ketë ulje të numrave, por jo shumë të madhe. Do jetë si të thuash si një sheshpushim. Kjo është një ecuri logjike e kurbave e epidemive në përgjithësi. Natyrisht, numrat do të kenë luhatje, një ditë më poshtë dhe një ditë më lart, por do të jetë gjithnjë poshtë asaj që ne e kemi quajtur pikun e numrave. Unë besoj që pikun kurba tek ne e ka arritur javën e kaluar. Gjithsesi është një lajm i mirë, sepse ishin rreth 180 mostra dhe kanë qenë vetëm 6 pozitive. Pra, do të thotë së është zgjeruar numri i kontakteve dhe përqindja e pozitivitetit ka rënë. Kjo është logjika e kësaj shifre”.

Lidhur me gjendjen e të shtruarve Pipero tha se “gjendja e të shtruarve është stabël. Natyrisht kemi raste në shërim e sipër dhe besoj se edhe sot do të ketë pacientë të tjerë që do të lënë spitalin. Kur them të shëruar, themi në një farë mënyrë të çliruar nga simptoma dhe nga sëmundja, por edhe nga kovidi, pasi personat janë negativë në fund të procesit, por ata duhet që të jenë edhe 2 javë në shtëpi dhe të kujdesen për veten. Ndërkohë, kemi pacientë të tjerë që vazhdojnë të luftojnë me sëmundjen duke u paraqitur nga forma nga mesatare, të lehta, të rëndë apo dy apo tri raste mjaft të rënda”.

Sipas tij, në vazhdim do të këtë raste të reja, por shtoi se ato do të jenë në një segment më të kufizuar në krahasim me javën e kaluar, kur numri i të prekurve kaloi mbi 20 persona”.

Pipero tha se Shqipëria ka kaluar gjysmën e parë të kësaj pandemie.

“Besoj se kemi kaluar gjysmën e parë të kësaj kurbe të epidemisë, që ishte më e vështirë, gjysma tjetër do të jetë më e gjatë, por do të ketë më pak numra. Çka do të thotë jo të festojmë dhe të gëzojmë, sepse është herët, por duhet të respektojmë rregullat e qeverisë dhe këshillat tona”, – tha Pipero.

Ai u shpreh se “duhet të përgatitemi, sidomos pensionistët dhe të sëmurët kronikë, që të qëndrojnë më gjatë në shtëpi dhe të gjithë të tjerët duhet të respektojnë rregullat”./atsh

Pipero: Rënia drastike e numrit të personave të infektuar, lajm optimist Read More »

Shkon në 27 numri i personelit shëndetësor të shëruar nga COVID-19

Një mjeke dhe 4 infermierë të prekur nga COVID-19, janë shëruar pas testit konfirmues.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila thekson se në total deri tani janë shëruar 27 personel shëndetësor.

“Lajm i mirë. Edhe 5 të shëruar mes personelit shëndetësor gjatë 24 orëve të fundit. Një mjeke dhe 4 infermierë janë shëruar pas testit konfirmues nga laboratori i Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik”, thekson Manastirliu.

Ministrja shprehet se “shkon në 27 numri i mjekëve dhe infermierëve të shëruar nga COVID-19. Deri tani 154 qytetarë dhe staf mjekësor e kanë mundur COVID-19”./atsh

Shkon në 27 numri i personelit shëndetësor të shëruar nga COVID-19 Read More »

Manastirliu: Mirënjohje për punën e palodhur të mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë

Mjekët dhe infermierët e spitalit Infektiv në Tiranë janë sot më shumë se kurrë heronjtë tanë, pasi ndodhen në vijën e parë të përballjes me COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu publikoi sot një video nga puna e mjekëve dhe infermierëve në këtë spital, ku me përkushtim i shërbejnë pacientëve të konfirmuar me koronavirusin, që ka prekur gjithë vendet e botës.

“Mirënjohje për punën e palodhur të mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë të përballjes me COVID-19”, – shprehet Manastirliu.

Mjekët me maska dhe uniformat speciale, po punojnë pa u lodhur dhe janë gjatë gjithë kohës në shërbim të pacientëve./atsh

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/526227044763245/?t=0

Manastirliu: Mirënjohje për punën e palodhur të mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë Read More »

Balla: Shenjat në fytyrën e Anxhela Murraj, shembull i sakrificës të përditshme në përballjen me armikun e padukshëm

Anxhela Murraj, është një prej shembujve të profesionalizmit në vijën e parë të betejës ndaj COVID-19.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke publikuar fotografik të Anxhela Murrajt, pas një dite pune, thekson se “shenjat në fytyrën e Anxhelës, janë prova e sakrificës së saj të përditshme në përballjen me armikun e padukshëm”.

“Personazh: Anxhela Murraj është shembull i përkushtimit dhe sakrificës për profesionin, çdo ditë në vijën e parë të frontit në shërbim të pacientëve të prekur nga COVID-19, në Spitalin Infektiv, me misionin për të shpëtuar jetë”,- thekson Balla.

“Shenjat në fytyrën e Anxhelës nga syzet dhe maskat mbrojtëse, pas një dite të gjatë pune, janë prova e sakrificës së saj të përditshme në përballjen me armikun e padukshëm e shumë të rrezikshëm. Mirënjohje Anxhela ty dhe të gjithë kolegeve dhe kolegëve të tu.”,- tha Balla. /atsh

Balla: Shenjat në fytyrën e Anxhela Murraj, shembull i sakrificës të përditshme në përballjen me armikun e padukshëm Read More »

Mjekët shqiptarë të një niveli të lartë, Shqipëria me situatën më të mirë nga vendet e tjera falë izolimit strikt dhe masave në kohë

Marrja në kohë e masave kundër COVID-19, izolimi strikt si dhe mjekët shumë të mirë në Shqipëri, ka bërë që Shqipëria të këtë situatë më të mirë lidhur me numrin e të të infektuarve dhe të vdekurve në krahasim me vendet e tjera.

Kështu u shpreh kërkuesi shkencor shqiptar në Francë, Pluton Pëllumbi pranë grupit të njohur ndërkombëtar “Air Liquid” me mbi 80 mijë punonjës në të gjithë botën.

Ndërsa komentoi situatën në Francë dhe në Shqipëri, diferenca mes këtyre dy vendeve sipas tij, edhe pse Franca është shumë më e zhvilluar nga pikëpamja e teknologjisë krahasuar me Shqipërinë, politikat e ndërmarra nga pala shqiptare krijoi një situatë shumë më të mirë krahasuar me vendet e tjera.

“Po shikoja sot numrat e fundit që jepen përditë. Në Francë ka afërsisht 8 910 vdekje dhe 17 250 që janë shëruar. Pra, po të shohim vetëm atë numrin e rasteve që quhen të mbyllura, rasti e vdekjeve e ka 34%. Po ta krahasosh këtë me Shqipërinë, Shqipëria e ka vetëm 16%, është shumë më mirë sesa Franca. Franca ka dyfishin e përqindjeve të vdekjes të Shqipërisë. Për mendimin tim diferenca është që Shqipëria filloi të zbatojë me rregullat e izolimit një javë para Francës. Shqipëria e filloi në 9 mars kurse Franca 17 mars dhe kjo javë ishte me të vërtetë kritike. Të gjitha qeveritë janë gjendur të papërgatitura për këtë që ndodhi dhe ky është vrojtim i përgjithshëm. Qeveria franceze u gjend përballë mungesës së maskave, mungesës së mundësive për të bërë teste dhe si gjithmonë qeveria gjendet përpara një dileme se çfarë masash duhet të marri me ato mjete që ka në dorë. Po të shohim edhe nivelin e teknologjisë së Francës është më i mirë se i Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë gjë hiç. Shqipëria mendoj që idea e izolimit të plotë dhe e izolimit strikt ishte ide shumë e mirë, në fakt e pamë me neglizhencën e Anglisë dhe Spanjës që ju thatë që edhe vetë Boris Johnson përfundoi në spital’.

Sipas tij, mjekët shqiptarë janë shumë të zotë edhe në hartimin e politikave të kësaj situate të vështirë për të gjithë botën.

“Të them të drejtën, unë kam ndjekur këto ditë të gjitha ngjarjet në Shqipëri, përgjigjet e mjekëve dhe me të vërtetë specialistët që flasin nga Tirana janë të një cilësie shumë të lartë. Me të vërtetë masat që kanë marrë, politikat që kanë marrë, ka bërë që Shqipëria të ndodhet në një situatë më të mirë se vendet e tjera.

Më tej, ai shtoi se “‘lidhja e grupit Air Liquid është e thjeshtë. Janë dy pika kryesore. E para Air Liquid furnizon oksigjenin e të gjithë spitaleve, pjesës më të madhe të spitaleve dhe kuptohet që në këtë rast, kërkesa për oksigjen u rrit në mënyrë shumë të shpejtë dhe Air Liquid ishte I përgatitur me atë që ndodhi në Kinë dhe arriti të plotësoi kërkesën me oksigjen, prat ë furnizimin me oksigjen të të gjithë spitaleve jo vetëm të Francës por edhe të gjithë vendeve të tjera. Nga ana tjetër, është një filial i Air Liquid që prodhon respiratorë. Normalisht numri i respiratorëve që prodhohet është 50 sepse kërkesat nuk janë të mëdha në kohë normale, kurse tani me kërkesën e qeverisë, Air liquid do të prodhojë 10 mijë brenda 50 ditëve. Kërkesat janë shumë të mëdha në këtë moment dhe ka shumë nevojë’. /atsh

Mjekët shqiptarë të një niveli të lartë, Shqipëria me situatën më të mirë nga vendet e tjera falë izolimit strikt dhe masave në kohë Read More »

15 pacientë të tjerë të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, shkon në 131 numri në total

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131.

Shifrat janë bërë publike nga shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino e cila në komunikimin për mediet.

‘Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 pacientë janë të intubuar’-tha Bino.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 74 pacientë. /atsh

15 pacientë të tjerë të shëruar gjatë 24 orëve të fundit, shkon në 131 numri në total Read More »

Kurti: Prilli, vendimtar në luftën ndaj Covid-19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mëngjesin e së martës e ka nisur ditën në komunën e Gjilanit.

Bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi u priten nga kryetari, Lutfi Haziri në Shtabin Emergjent të Gjilanit. Aty u njohën nga afër për gjendjen dhe masat e ndërmarra nga komuna në parandalimin e pandemisë COVID-19.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se muaji prill është vendimtar për të dalë nga kriza shëndetësore pandemike.

Ai theksoi gatishmërinë dhe vullnetin për të shtyrë në kohë sa më shumë lakoren e shpërndarjes së COVID-19.

“Jemi të gatshëm, të interesuar të vullnetshëm që këtë lakoren e shpërndarjes së Covid 19 të shtyjmë sa më shumë në kohë. Ngritjen e saj të bëjmë sa më të pakët në mënyrë që të parandalojmë këtë pandemi që iu mori jetën tre qytetarëve. Organizimi ynë, edhe qendror, edhe lokal, është shembullor dhe këtë po e thonë edhe të tjerët. Duhet të vazhdojmë edhe në muajin prill. Sepse muaji prill është muaj vendimtar që nga kjo krizë shëndetësore të dalin sa më shpejt dhe sa më pak dëme”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se falë koordinimit ndërinstitucional kanë arritur të menaxhojnë rastet në komunën që ai drejton.

Ai u shpreh se i ka paraqitur gjitha kërkesat e komunës, kryeministrit në detyrë, Kurti.

“Në 15 rastet që i kemi menaxhuar deri tash tre i kemi të shëruar, e njoftova kryeministrin. Tendenca është në rënie e kemi lokalizuar dhe po e menaxhojmë këtë infeksion në vendet ku është gjetur deri tani… Problemet shtesë veçse i nënvizova. E njoftova kryeministrin se Gjilani e ka një problem prej qershori të vitit të kaluar për thatësinë e ujit. Jemi që 10 muaj me problemin e furnizimit me ujë. Në kushtet ku kërkohet higjienë qytetarët e Gjilanit e kanë një problem”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, theksoi se ka mbajtur të gjitha shënimet.

“Unë edhe kam dëgjuar me kujdes dhe kam mbajtur shënime”, tha ai.

Kurti mes tjerash në Gjilan foli edhe për masat e kufizimit të lëvizjes, derisa bëri të ditur se sot gjatë mbledhjes së qeverisë pritet te merret një vendim i ri për kufizimin e lëvizjes.

“Lidhur me atë se si do të vazhdohet me masat në vijim. Në mënyrë që të kemi kufizimin e lëvizjes. Sepse lëvizja e njerëzve potencialisht është lëvizje e virusit. Por në anën tjetër të krijojmë hapësirë për bizneset tona”, tha ai./KosovaPress/

Kurti: Prilli, vendimtar në luftën ndaj Covid-19 Read More »

Kreu i OBSH-së në Shqipëri, Gonzales: Masat e zbatuara ndikuan në mbajtjen e shifrës së të prekurve të ulët

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Raul Gonzales tha sot se “masat e zbatuara nga qeveria që në fillim të rasteve të para kanë qenë të suksesshme dhe kanë pasur impakt, në mbajtjen e shifrës të të prekurve të ulët”.

Në një intervistë televizive, Gonzales iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet që qeveria shqiptare të lehtësojë masat parandaluese që janë në fuqi deri më tani.

Ai tha se “ky është një vendim shumë delikat”. “Ajo që mund të themi është se masat e mbylljes së njerëzve në shtëpi janë efikase dhe kanë prodhuar një rezultat të mirë. Disa vende në Europë janë duke bërë të njëjtën pyetje. Mund t’ju them se unë do të doja të inkurajoja vendet t’i mbanin masat bllokuese sa më gjatë që të jetë e mundur. Kjo është ajo gjë që ne me siguri e kemi parë që funksionon. Çdo lloj zbutje e këtyre masave duhet të studiohet shumë, shumë, shumë me kujdes, duhet të bëhen llogaritë mirë e marrë në konsideratë efektet që do të sjellë zbutja”, tha ai.

Gonzales tha se “masat e ruajtjes së distancës i shohim në Shqipëri sikurse në të gjithë botën”. “Çdo masë e adresuar me qëllim zbutjen duhet të shqyrtohen me një kujdes shumë të madh me fokus në impaktin e tyre, natyrisht duke menduar në mënyrë ekskluzive për mos keqësimin e situatës ekonomike në vend. Nuk duhet të ketë arsye të tjera përveç atyre që nuk përkeqësojnë ekonominë. Çdo lloj lehtësimi masash i pa menduar mirë mund të sjellë rritjen e rasteve pozitive me COVID-19 e si pasojë shtim të humbjeve të jetëve të tjera”, tha ai.

Lidhur me situatën në Shqipëri, Gonzales tha se “mund të them se ne mund të jemi optimist për situatën në Shqipëri, sikurse mund të jemi gjithashtu pozitiv nëse shikojmë ç’po ndodh në vendet e tjera të Europës”. “Gjërat me infeksionin në Shqipëri janë duke shkuar mirë nëse shikojmë të dhënat zyrtare kemi 377 raste pozitiv dhe 21 të vdekur dhe meqë po më jepet mundësia dua të shpreh ngushëllimet e mia familjeve. Këto shifra që kemi në vendin tuaj janë të mira. Këto shifra na tregojnë një gjë. Sipas një studimi nga ana jonë e shifrave, nëse qeveria nuk do të kishte vepruar në kohë do të kishim shifra krejt ndryshe. Ky është leksioni i parë që kemi mësuar. Mbyllja totale është efektive”, tha ai.

Po ashtu, Gonzales tha se “numri i atyre që kanë humbur jetën është një indikator që për ne vlen shumë pasi kuptojmë numrin e të infektuarve”. “Të dhënat për humbjen e jetëve në Shqipëri na tregojnë dy gjëra. E para numri të prekurve është i ulët dhe situata në popullatë është nën kontroll. Numri 21 jetëve të humbura që me patjetër është i dhimbshëm për ata që humbën të dashurit por po ta analizojmë në rrafshin kombëtar për të gjithë vendin tuaj në perspektivën afatgjatë është një numër që na tregojnë se gjërat janë duke shkuar mirë”, tha ai.

Lidhur strategjinë e testimit në Shqipëri, Gonzales tha se “çdo vend duhet të zhvillojë politikat e veta të testimit dhe kjo është e lidhur me shumë gjëra si për shembull niveli transmetimit të virusit sikurse edhe gjendja e disponueshme e testeve”.

“Të gjitha vendet në botë janë duke parë për të siguruar teste. Disa vende mundet t’i sigurojnë disa të tjera janë në proces të procedurave të blerjes. E thënë kjo ne inkurajojmë politikat e testimit për të kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur e për të marrë vendimet e duhura. Ka vende që janë duke i zgjeruar politikat e testimit por duhet të marrim në konsideratë mundësinë e gjetjes së testeve në tregjet ndërkombëtare. Jemi në dijeni të faktit se qeveria shqiptarë është duke bërë të gjitha përpjekjet për të pasur më shumë teste dhe për këtë ne po ndihmojmë. Ka një kërkesë të madhe në tregun ndërkombëtar për këtë test”, tha ai./atsh

Kreu i OBSH-së në Shqipëri, Gonzales: Masat e zbatuara ndikuan në mbajtjen e shifrës së të prekurve të ulët Read More »