Politike

Kuvendi miraton një sërë ligjesh të rëndësishme

Sot u zhvillua seanca e fundit parlamentare për Sesionin e II të Legjislaturës së IX të Kuvendit të Shqipërisë, ku u miratuan katër ligje, pesë marrëveshje, dy projektvendime dhe një projektrezolutë.

Në hapje të seancës, fjalën e mori zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, i cili deklaroi  se LSI nuk do të votojë ligjin për Magjistratët, pasi bie në kundërshtimin me Kushtetutën e re që Kuvendi votoi dy vite më parë. “Reforma në Drejtësi duhej bërë dhe duhet bërë në frymën e bazës që ne sanksionuam me frymën e ndryshimeve Kushtetuese. Pas dy vitesh Shqipëria është i vetmi vend pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Kjo tregon se projeksioni që u ndërtua Reforma në Drejtësi ka qenë më e pakta me defekte që vijnë dhe na shfaqen deri në këtë gjendje që ne jemi sot. Përgjegjësia bie mbi të gjithë klasën politike”, – u shpreh Rama. Gjithashtu, Rama i kërkoi Kuvendit që të mos marrë pushimet, por të zgjidhë çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi në qëndrimin e tij ndaj kërkesës së LSI për dialogun për projektligjet, miratimi i të cilave kërkon shumicë të cilësuar, u shpreh se: “Unë, siç e kam deklaruar edhe herë të tjera, inkurajoj dhe mbështes dialogun për të kapërcyer mbi luftën politike të ditës dhe axhendës normale politike të partive politike. Sigurisht, që kemi gjëra që na ndajnë, por kemi plot gjëra që na bashkojnë, siç është reforma në Drejtësi dhe unë e përgëzoj grupin parlamentar të LSI-së, që është i gatshëm për dialog. Sigurisht, unë e kam inkurajuar dhe përsëri jam në dispozicion të funksionimit të dialogut. Prandaj kërkoj që shërbimet e Kuvendit, mundësisht të komunikojnë edhe me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së dhe në një moment, gjatë zhvillimit të seancës, të ulemi për të diskutuar të dy projektligjet e përfshira në rendin e ditës që kërkojnë shumicë të cilësuar. Do të mbështes gjithashtu edhe propozimin tjetër, pavarësisht nga vakanca e drejtë e lejes në muajin gusht, nëse do të duhet për t’u thirrur Kuvendi për t’i hapur rrugë votimit të kandidatëve që vijnë nga institucionet e tjera si Presidenti apo Kuvendi, për Gjykatën Kushtetuese dhe për Gjykatën e Lartë. Besoj se shpreh edhe vullnetin e të gjithë deputetëve, për thirrjen, në çdo kohë, të Kuvendit për këtë çështje.”

Më tej, seanca vijoi me diskutime rreth projektligjit “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”. Në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, Vullnet Sinaj tha se ligji për të cilin po diskutojmë sot, synon përcaktimin e dispozitave të reja për kontrollin shtetëror të importit dhe eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, në përputhje me rregulloret e BE-së dhe me marrëveshjet dhe traktatet në të cilat Shqipëria është palë.

“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja e kontrollit shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të mallrave të ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, për të siguruar mbrojtjen e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sigurinë dhe politikën e jashtme, kredibilitetin ndërkombëtar të saj dhe garantimin e respektimit të angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në këtë fushë”, – tha Sinaj. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Në fjalën e saj për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, u shpreh se: “Shumë ndryshime janë bërë në lidhje me mbrojtjen e grave dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes nga dhuna në familje, me ligj, por në praktikë të gjithë jemi dëshmitarë se edhe ky ligj, të cilit i janë bërë përmirësime të vazhdueshme dhe përbën dhe një nga risitë në praktikën shqiptare, has në vështirësi në zbatimin në praktikë. Konkretisht, nisma që ka sjellë Këshilli i Ministrave synon në radhë të parë të garantojë mbrojtjen reale të grave në periudhën paraprake, në momentin sapo ato të denoncojnë apo raportojnë dhunën në polici, sepse në këtë periudhë ka një vakuum ligjor. E dyta, edhe urdhrat e mbrojtjes dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, për të cilët të gjithë qytetarët kanë dëgjuar, jo gjithnjë kanë qenë efektivë. Nuk janë të pakta rastet kur personave në urdhër mbrojtje u është marrë edhe jeta. Gjithashtu, pak kohë më parë ne kaluam një ligj të rëndësishëm në kuadër të Reformës në Drejtësi, Ligjin e Ndihmës Ligjore të garantuar nga Shteti”. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, Adelina Rista vuri theksin mbi faktin se qeveria shqiptare u përball me një sërë problematikash të mbartura në të gjitha drejtimet, gjatë vënies në zbatim të reformës në arsim. Sipas saj, megjithatë, qeveria e kishte parë arsimin si sfidë dhe përgjegjësi dhe dita-ditës reforma është duke dhënë rezultate konkrete pozitive. Deputetja e Partisë Socialiste u shpreh se ky projektligj synon që nëpërmjet 24 neneve të fuqizojë e përmirësojë reformën në Arsim.

“Projektligji shënon një qasje të re të funksionimit dhe organizimit të institucioneve përgjegjëse të sistemit arsimor parauniversitar. Në kuadër të funksionimit të reformës së re territoriale, ku komunat nuk janë më njësi të qeverisjes vendore, projektligji rregullon përbërjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Për herë të parë zbatohet aplikimi i konceptit të vlerësimit të jashtëm të arritjeve shkollore në arsimin fillor, si edhe nëpërmjet këtij projektligji mundësohet krijimi i bazës ligjore për një kulturë të re të prindërve në nivel kombëtar, atë të Këshillit Kombëtar të prindërve”, – u shpreh Rista. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Deputeti i Partisë Socialiste, Rakip Suli, lidhur me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor”, bëri me dije që kostoja totale e projektit kap vlerën 90.6 milionë euro dhe e detajoi sipas zërave mënyrën e financimit. “Me miratimin e këtij granti përmbyllet fatura financiare për realizimin e këtij projekti strategjik dhe ekonomik për vendin. Në vlerën e siguruar prej 90.6 mln euro është i mundur realizimi i projektit për rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës, me gjatësi 34.2 km si edhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit, me gjatësi 4.7 km, duke përfshirë edhe degëzimet shtesë në Tiranë dhe Durrës, me gjatësi 980 metra dhe 800 metra respektivisht, për të lidhur linjën e re me terminalin publik. Projekti parashikohet të fillojë në janar 2019 dhe të përfundojë më 31.12.2020, pas sigurimit të fondeve nga qeveria shqiptare”. Deputeti Suli në fjalën e tij listoi përfitimet e këtij projekti: kohën e lëvizjes, zvogëlimin e trafikut rrugor, komoditetin në lëvizje, reduktimin e ndotjes dhe zhvillimin e ekonomisë dhe punësimit. Kjo marrëveshje u miratua me 75 vota pro.

Seanca miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, ratifikuar me ligjin nr. 86/2015”;  projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Eficienca energjetike përmes sektorit bankar” ratifikuar me ligjin nr. 89/2015”; projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit”.

Ndërsa projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale”, u miratuan me 76 vota pro.

Më tej, seanca votoi me 76 vota pro dy projektvendime “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi” dhe projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore”.

Gjithashtu dhe projektrezoluta “Për reformën e politikës shtetërore për diasporën” dhe projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, u votuan me 76 vota pro.

Në përfundim të seancës plenare, Ruçi bëri me dije se: “Përsa u përket propozimeve të bëra nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim për dy projektligjet që kemi sot në seancë plenare, inkurajoj plotësisht dialogun ndërmjet grupeve parlamentare, me qëllimin e mirë për të mundësuar votimin e dy projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, si për zgjidhjen përfundimisht të ngërçit për Shkollën e Magjistraturës, ashtu edhe për votimin e nismës së deputetit Ndreu për Kodin Rrugor, për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve. Siç e dini, ndërpreva drejtimin e seancës për të negociuar me tre grupet parlamentare.  Komunikova me tre kryetarët e grupeve, por kjo tryezë nuk u mundësua, sepse disponibël për të negociuar ishte vetëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste z. Balla. Z. Spaho, pas negociatave, refuzoi pjesëmarrjen me argumentin se nuk marrim pjesë në tryezë pa u anuluar ligji për Teatrin. Z. Rama, i cili ishte propozuesi, pasi negocioi me grupimin më të madh opozitar, Partinë Demokratike, nuk mundësoi prezencën e tij në tryezë. Kështu që të dy projektligjet, pavarësisht nga diskutimi, shtyhen deri në arritjen e një vullneti politik për t’i votuar ato me shumicë të cilësuar”. Seanca plenare i mbylli punimet e saj rreth orës 15:00. /atsh

Kuvendi miraton një sërë ligjesh të rëndësishme Read More »

Berisha publikon videon: Policia e Gjushit xhiro me furgon në plazh

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar videon e një qytetari ku duket furgoni i policisë bashkiake të Durrësit që patrullon në bregdet te Shkëmbi Kavajës jashtë ligjit dhe çdo rregulli. Qytetari shkruan se megjithhëse nuk lejohet patrullimi policor me fugon, mbi të gjitha nëse duhet të shisje duhet të paguje policinë me klering, pra t’i falje akullore, top futbolli etj.
Postimi i Berishës në Facebook
Narkopolicia e Gjushit xhiro me furgon ne plazh!
Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e pushuesit dixhital. sb
“Mirmengjes Z.Berisha! Uroj te jeni mire. Ketu jemi ne Durres pjesa qe quhet Shkembi i Kavajes, ketu nuk lejohet patrullimi policor me fugon, mbi te gjitha nese duhet te shisje duhet te paguje policine me klering, pra ti falje akullore, top futbolli etj. Ju uroj nje fillim jave te mbare”.

Vrojtuesit qe ruajne pushuesit se mos mbyten ne rere?!?!
Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e meposhtme! sb
“vrojtusit e Edi Rames qe ju kthejne shpinen qytetareve kjo eshte rilindja Z.Berisha turp per kte qeveri”.

Berisha publikon videon: Policia e Gjushit xhiro me furgon në plazh Read More »

Arta Marku sekuestron pasuritë e Adriatik Llallës !

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Bëhet e ditur se pronat e Adriatik Llallës, ish-kryeprokurorit Llla janë sekuestruar.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, mbi bazën e akteve të ardhura për kompetencë lëndore nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ka rregjistruar proçedimin penal nr.65 viti 2018, në ngarkim të shtetasit Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë proçedim penal, në bashkëpunim të ngushtë me policinë gjyqësore në Drejtorinë Hetimore Qëndrore, pranë Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë, janë kryer një sërë veprimesh hetimore.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla përbëjnë produkt të veprës penale
Me vendimin nr.179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, vendosja e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme:
Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;
Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë
Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë;
Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë në datën 23.07.2018 ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të mësipërme.
Vlera e tregut e pasurive të paluajtshme të mësipërme, në total është në shumën 98.772.000 lekë.
Vijojnë hetimet e mëtejshme lidhur me këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë.

Arta Marku sekuestron pasuritë e Adriatik Llallës ! Read More »

PD zbulon pse ‘Edvingu’ po mbron prokurorin e diktaturës: Rama, gati ta emërojë në Kushtetuese

Partia Demokratike ka sulmuar procesin e Vetingut, që po zhvillohet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend si të shndërruar në “Edving” pas rastit më të  freskët të zbatimit të standarteve të dyfishta në vlerësim, atij ndaj gjyqtarit Ardian Dvorani. Nga selia e PD, deputeti Gent Strazimi i bëri një “portret” figurës së gjyqtarit Ardian Dvorani, që u parait para KPK-së dhe u morr edhe në mbrojtje:

” Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, – tha Strazimir, –  provoi sërish sot se po zbaton standarde të dyfishta për gjyqtarët dhe prokurorët që i shërbëjnë Edi Ramës. Ardian Dvorani, gjykatësi I lartë, që njihet publikisht si “çanta  e shpinës e Fatmir Xhafës”, është simboli i shërbëtorit politik të Edi Ramës në sistemin e drejtësisë.  Ai u mor sot në mbrojtje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pavarësisht se anëtari I Gjykatës së Lartë, sipas Inspektoriatit të Pasurive,  nuk justifikonte 99 milionë lekë. Në një rast të paprecedentë, KPK përmbysi raportin e Inspektoriatit me justifikimin se Dvorani ka harruar të dorëzojë një fletë nga deklarimi i pasurisë. Sjellja me dy standarde e organeve të vettingut ka vënë në dyshim serioz besueshmërinë ndaj procesit, i cili po provon se nuk udhëhiqet nga ligji dhe se është një proces i korruptuar politikisht.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka gjetur tek Ardian Dvorani asnjë problem me integritetin e tij profesional. Por, nëse do të ishte vërtet i pavarur, vettingu duhet ta shkarkonte që sot Ardian Dvoranin, sepse është i vetmi gjyqtar i Republikës së Shqipërisë që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.  Mandati i Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë ka përfunduar 4 vjet më parë dhe Gjykata Kushtetuese me një vendim të posaçëm urdhëroi mbarimin e mandatit të tij.  Një vendim ky që sot e kësaj dite nuk është zbatuar nga anëtari I Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, të cilin Edi Rama po e përgatit ta emërojë anëtar të Gjykatës Kushtetuese, njësoj si Fehmi Abdiun në 98-ën.

Po përse gjithë kjo sakrifikë për Ardian Dvoranin, aq sa të bëhet kurban haptazi besueshmëria, edhe pa këtë fakt e dyshimtë, e organeve të vettingut?! Ardian Dvorani, është prokuror i diktaturës së Partisë së Punës, sot Partia Socialiste, ose ndryshe Rilindja, ç’ka tregon më së miri integritetin e tij profesional. Dvorani ka qenë Prokuror në Shkodër në periudhën më të egër e gjakatare të vrasjeve në kufi. Ne cv e tij, mund të dallohet qartë “karriera profesionale”, që njeh vetëm ngritje nga viti 1998, kur nis të punojë për qeverinë e Partisë Socialiste, deri në vitin 2005, kur Partia Socialiste e votoi si anëtar të Gjykatës së Lartë.

Ardian Dvorani është në fakt “komisari politik” i “Partisë” në Gjykatën e Lartë. Është ideatori dhe argumentuesi i çdo vendimi të marrë kundër opozitës gjatë sundimit të “Partisë”, duke nisur nga konsiderimi si “shpifje” I faktit që Saimir Tahiri e Edi Rama së bashku me Habilajt dhe Balilajt drejtojnë trafikun e drogës, e deri tek moskonsiderimi “vepër penale” të goditjes së opozitës në parlament për shkak të denoncimit të Saimir Tahirit dhe kriminelëve ligjvënës.

Ardian Dvorani do ta kalojë “Edvingun”, megjithëse nuk justifikon pasurinë, megjithëse është autori dhe ideatori I vendimeve më skandaloze të 28 viteve të fundit, sepse narkoqeveria ka nevojë për elementë si ai, dhe kjo është dëshmia më e qartë dhe elokuente që procesin që do të duhej të ishte “Vetting”, Edi Rama e ka shndërruar në “Edving”.

PD zbulon pse ‘Edvingu’ po mbron prokurorin e diktaturës: Rama, gati ta emërojë në Kushtetuese Read More »

Vetingu, Rama: Fletërrufetë, dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Drejtësinë

“Vetingu po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar”, deklaron kryeministri Edi Rama në një reagim në rrjetet sociale.

Në reagim edhe të vendimeve më të fundit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe qëndrimit të opozitës, Rama thekson se “fletërrufetë kundër Vetingut janë dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Pallatin e Drejtësisë”.

“Loja mbaroi.Gjykatat e sipërme do pastrohen deri në fund e do ringrihen për ta bërë më në fund drejtësinë Drejtësi”, deklaron Kreu i Ekzekutivit./atsh

Vetingu, Rama: Fletërrufetë, dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Drejtësinë Read More »

Roth: Shqipëria është në rrugë mjaft të mirë drejt integrimit në BE

Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth gjatë konferencës së përbashkët me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati përgëzoi Shqipërinë dhe qeverinë e saj për reformat e ndërmarra për të afruar vendin drejt BE-së.

“Kam ardhur për të përgëzuar Shqipërinë për sukseset e saj dhe se Shqipëria është në një rrugë mjaft të mirë drejt Bashkimin Europian. Shqipëria ka marr nga Komisioni Europian një rekomandim pozitiv për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Nëqoftëse gjithçka do të vijojë në këtë mënyrë, unë jam i bindur se vitin e ardhshëm kjo do të bëhet realitet dhe jam po ashtu i bindur se Shqipëria do të vijojë kursin e vetë të reformave.

Ne radhë të pare këtu  bëhet fjale për ndërtimin e një shteti ligjor te forte dhe solid për vijimin dhe e një sistemi drejtësie te pavarur, sikurse edhe për një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, – theksoi Roth.

Duke u ndalur te procesi i Vetting-ut si një nga kushtet kryesore për integrimin e Shqipërisë, Roth theksoi se në vendin tonë ky proces ka qenë i suksesshëm dhe tregues për këtë është largimi i 14 gjyqtarëve dhe prokurorëve që tashmë nuk janë më pjesë e sistemit.

“Në  procesin e Vetting-ut Shqipëria ka ecur në një rrugë e cila nuk ka të dyte dhe se Shqipëri ka treguar se ky proces ka qenë i suksesshëm. Fakti që deri tani 14 gjykatës dhe prokurorë të cilët janë shkëputur nga sistemi, tregojnë që njerëzit e kanë kuptuar se qeveria është serioze kur flitet për krijimin e një sistemi të pavarur drejtësie. Por këto reforma duhet ti ndiqni në mënyrë të vazhdueshme dhe një sërë elementësh i bëri të ditura edhe ministri Bushati në fjalën e tij, pra duhet që të jeni të vendosur në rrugën e reformave”, u shpreh ministri Roth.

Ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Federale gjermane, Michael Roth i ka bërë apel politikës shqiptare që të marrin përgjegjësitë dhe të mos rrezikojnë integrimin ne BE. Roth beri me dije se nëse një sistem gjyqësor që nuk funksionon do të ndikonte negativisht në fushat e tjera të jetës në vend.

“Nëse përmes një procesi të ndershëm dhe transparent, por njëkohësisht edhe strikt mbërrin në momentin kur na duhet të pushojmë gjykatës apo prokurorë të caktuar do të duhet që në një moment të mëvonshëm të kemi edhe gjykatës apo prokurorë të rinj që me ekspertizën e tyre të përmbushnin këto boshllëqe. Sepse pikërisht një sistem gjyqësor që nuk funksionon do të ndikonte pikërisht edhe në fushat e tjera të rëndësishme të jetës. Dhe pikërisht ky proces kaq i vështirë por i rëndësishëm për Shqipërinë kërkon një masë të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit nga ana e qeverisë, por po kaq e madhe duhet të jetë masa e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit edhe nga ana e opozitës. Ndaj unë do të dëshiroja të shfrytëzoja rastin t’ju drejtoj një apel të gjithë personave përgjegjës,  politikanëve përgjegjës të Shqipërisë, që të marrin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë të tillë që mos rrezikojnë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE”, përfundoi Roth./atsh

Roth: Shqipëria është në rrugë mjaft të mirë drejt integrimit në BE Read More »

“Po të mos ishte ajo, nuk di kush mund ta shpëtonte nderin”, Rama tregon si po ecin punët me Europën?

Kryeministri Edi Rama deklaron në një intervistë për televizionin publik gjerman, ZDF se jetojmë në një situatë të cilën e emërton si “mallkimi i Ballkanit”.

“Ne jetojmë në një situatë që përsëri përkufizohet nga “mallkimi i Ballkanit”. Kur ne ishim në formën më të keqe, Europa ishte në formën e saj më të mirë. Tani që ne jemi në forme të mirë, nuk është Europa mirë. Pra, në mes të kësaj sinergjie, ne vazhdojmë të përpiqemi dhe të punojmë. Ne kemi bërë shumë progres. Tani ne kemi edhe një afat për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Dhe ne na duket të përpiqemi dhe ta arrijmë. Dhe më pas të vazhdojmë e të vazhdojmë. Kjo është diçka që bëhet gjithnjë e më e madhe”, shprehet Rama.

I pyetur si po ecin  punët me Europën ai përgjigjet:“Dua të jem i sinqertë me ju. Nuk jam diplomat i mirë. Së pari, mendoj se mund të bëhet më keq përpara se të bëhet më mirë. Është diçka e lidhur me faktin se Europa sot dominohet nga brezi i parë që nuk njohu luftën. Dhe duke mos njohur luftën, ata nuk e kuptojnë plotësisht thelbin e asaj çfarë është Bashkimi Europian. Më kujtohet gjithmonë Helmut Kohli kur foli për bashkimin monetar.

Përpara se të jetë diçka që ka të bëjë me financën, është diçka që ka të bëjë me vëllain tim i cili humbi jetën në luftë. Ne e kemi më të lehtë. Ne mund të dukemi naivë në Ballkan sepse ne jemi shumë pro-europianë, por ne kemi parë luftën. Dhe lufta për ne nuk ishte diçka në television, por diçka e vërtetë. Te ne erdhën më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Kosova të cilët po iknin nga lufta. Dhe nga ana tjetër, sinqerisht mendoj se në këtë periudhë Europa kishte fatin të kishte Angela Merkelin. Po të mos ishte ajo, nuk di kush mund ta shpëtonte nderin e Europës. Pra, ky është mendimi im.”

“Po të mos ishte ajo, nuk di kush mund ta shpëtonte nderin”, Rama tregon si po ecin punët me Europën? Read More »

Berisha i tha Erdogan se shqiptarët kanë gjak turk, Nano e Rama morën pjesë në dasmën e djalit e të vajzës. E përbashkëta: I dhanë Telekom, Rrugën e Kombit, aeroportet

Njerëzit që kanë sunduar Shqipërinë pas viteve 1990, përjashtuar Ramiz Alinë që nuk iu dha rasti, kanë qënë dhe janë të sygjestionuar nga presidenti aktual turk Rexhep Taip Erdogan.

Në forma të ndryshme, ish Presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha, ish kryeministri Fatos Nano dhe kryeministri aktual Edi Rama kanë qënë dhe janë miq për kokë të presidentit turk, pavarësisht akuzave që SHBA dhe BE kanë ndaj tij për diktaturë dhe autoritarizëm.

Pavarësisht nga sa takuzojnë sot kundërshtarët e tyre politikë, kur janë në opozitë apo jashtë politikës, për interesa të caktuara politike, të gjithë pa përjashtim ka qënë miq kokë e këmbë me “Sulltanin” e ri turk.

Për hir të së vërtetës, i pari që vendosi ura miqësie personale me presidentin turk Erdogan ka qënë ish kryeministri shqiptar, për ironi të fatit i besimit orthodoks, socialisti Fatos Nano. Mjaftoi vetëm një takim mes tyre dhe bëhen miq për kokë, falë dhe natyrës liberale të ish kryeministrit Nano, si njeri i batutës, tavolinës dhe i gotës.

Në vitin 2004 ishte ish kryeministri Fatos Nano dhe kryeministri Silvio Berlusconi që hidhnin firmën si dëshmitarë në martesën e djalit të Presidentit turk, Erdogan, duke treguar qartë se miqësia e tyre ishte jashtëzakonisht e madhe.

Dhe si për çudi po këtë vit, me procedurë të përshpejtuar qeverisja socialiste e drejtuar në atë kohë nga Fatos Nano i dha Telekomin shqiptar, sot Albtelekom, një firme tuke. E cila dyshohet, akuzat janë hedhur pavarësisht provave, se është e djalit të Erdogan.

Fatos Nano iku nga pushteti në qershor të vitit 2005, por pjesë e luftës politike që Sali Berisha në atë kohë në opozitë i bëri ishte dhe dhënia e Telekomit për firmën turke, me premtimin për elektoratin se do ta anulonte privatizimin.

Sali Berisha në qershor të vitit 2005 bëhet kryeministër i vendit, dhe pasi bëri ca presion, futi djalin Shkëlzen Berisha në pjesë në këtë kompani, si drejtor për të ardhmen, merrte rrogën kot dhe më pas si bashkëpronar, dhe e la në fuqi privatizimin e paardhësit të tij.

Ish kryeministri Sali Berisha nuk u mjaftua me kaq, por në vitin 2006 vizitën e parë jashtë vendit e bëri në Turqi me ftesë të mikut turk Rexhep Taip Erdogan, asokohe kryeministër pasi president ishte Abdulla Gyl.

Ishte një vizitë shumë miqësore, një përgjërim për vëllazërinë turko-shqiptare që kishin qëndruar bashkë për 500 vite, me dëshirë apo pa dëshirë, Berisha as që donte t’ia dinte.

Rezultati i kësaj vizite ishte marrja e “Rrugës së Kombit” për ta ndërtuar pa projekt nga firma turke, rezultati i të cilës dihet.

Berisha e Basha morën me një dorë 230 milionë euro, ndërkohë që deri më tani, pavarësisht se kërkon miliona euro investime sërish, u shpenzuan 1.5 miliardë euro që tronditi bilancet e shtetit dhe zhyti vendin në borxh.

Madje erdhi dhe Erdogan për të bërë përurimin pa përfunduar ende, duke kushtuar dhe 60 milionë euro të tjera pasi u shemb tuneli. Rezultati tjetër i kësaj vizite ishte marrja e një HEC-i i treti për nga madhësia në Mirditë, HEC që tashmë është vënë në punë, por që ka prishur tërë ekosistemin në këtë zonë. Thuhet se në të dyja investimet ka dorë familja Erdogan.

Berisha bëri dhe një vizitë tjetër në Ankara dhe u takua me Erdogan në prill të vitit 2012, ku lëshoi dhe ‘perlën’ e tij të radhës. Në konferencë për shtyp me Erdogan, Berisha ka deklaruar se kemi lidhje gjaku me turqit. Një deklaratë e tillë ishte normale për ish kryeministrin Berisha, i cili edhe kur shkoi në Azerbajxhan, na bëri me origjinë azere, thjeshtë për atë punë nafte. Kësaj here Berisha tha se kemi lidhje gjaku me turqit. “Edhe njëherë, zoti kryeministër dua t’u falënderoj shumë përzemërsisht për pritjen vëllazërore. E them vëllazërore sepse kemi lidhje gjaku. Çfarë më ndodh mua, të dashur miq? Çdo delegacioni turk që unë takoj, pasi merr fund pjesa zyrtare unë ju shtroj një pyetje: Cili nga ju ka gjak shqiptar në deje? Nuk kam gjetur deri më sot asnjë. Juve zoti kryeministër nuk ja u kam shtruar ndonjëherë këtë pyetje se jam i sigurtë që nuk bëni përjashtim,”tha Berisha.

Teksa kishte marrë lajmin se Shqipëria është aleati strategjik i Turqisë në Ballkan, Berisha vijoi me ligjëratën e tij në konferencën e shtypit me Erdogan, ku fton kryeministrin e atëhershëm turk të merrte pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga Turqia.

Berisha tha se “kam ardhur këtu në një vizitë që koinçidon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky është një rast i shkëlqyer për mua, të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100-vjeçare që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar”. Më pas ai e ftoi Kryeministrin Erdogan të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Rezultati i kësaj vizite të dytë të Berishës në Turqi ishte shitja-falje që i bëri hidrocentralit të Ulzës dhe Shkopetit firmës turke Kurum, për 46.7 milionë euro pa pyetur pronarët ku ngrihet baseni i këtyre HEC-eve, por dhe pa bërë asnjë llogari pasi fitimi vjetor nga shfrytëzimi i energjisë nga dy HEC-et ishte 40 milionë euro.

Me këto nonsense Berisha pasi na bëri me gjak turk, pasi e ftoi Erdogan në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Turqia, shqiptarët e panë veten nën dominimin e parave turke që hynin e dilnin në Shqipëri bashkë me ato shqiptare.

Ndërkohë që me ardhjen në pushtet të kryeministrit aktual Edi Rama miqësia me Erdogan tashmë President u thellua akoma më shumë. Firmat turke kanë marrë gjithyçka në Shqipëri, duke filluar që nga aeroportet në Vlorë dhe gjetkë, pa përjashtuar rrugë dhe elementë të tjerë jetikë për Shqipërinë.

Si për ironi të fatit, Edi Rama ka firmosur si dëshmitar në martesën e vajzës së Rexhep Taip Erdogan dhe ka qënë në krye të vendit në këtë dasëm, ku dhëndërri Berat Albajrak është bërë tashmë Ministër Financash në Turqi. Pra kanë një miqësi solide mes tyre, duke shënuar vizita të njëpasnjëshme të Ramës në Ankara dhe takime kokë më kokë me Erdogan.

Pra e përbashkëta e Berishës, Nanos e Ramës është se jo vetëm kanë pasur të njëjtin mik, Rexhep Taip Erdogan, por dhe e kanë “dorovitur” të gjithë sa herë kanë qënë në pushtet me pasuritë e shqiptarëve për ta “ushqyer” këtë miqësi me “Sulltanin” e ri të Anadollit./pamfleti

Berisha i tha Erdogan se shqiptarët kanë gjak turk, Nano e Rama morën pjesë në dasmën e djalit e të vajzës. E përbashkëta: I dhanë Telekom, Rrugën e Kombit, aeroportet Read More »