Politike

Ligji i Magjistraturës, Basha: Të zbatohen 7 pikat e opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një komunikim me gazetarët u shpreh i vendosur lidhur me qëndrimin që do të mbajë PD për ligjin e Magjistraturës, i cili kërkon 84 vota pro, duke theksuar se opozita ka paraqitur 7 pikat e saj që duhet të zbatohen.

Basha tha se, PD i qëndron këtyre 7 pikave, në të kundërt sipas tij nuk ka konsensus.

Basha refuzoi kërkesën e mazhorancës për votimin e ligjit për Shkollën e Magjistraturës. Sipas tij, kjo kërkesë është një propozim qesharak, me të cilin kërkohet që ne të shkruajmë me duart tona, shkeljen e Kushtetutës prej tyre.

Për Bashën, zgjidhja më e mirë është kthimi te organet kushtetuese të drejtësisë, sipas tij të kapur prej Ramës për të shpëtuar të afërmit dhe veten e tyre nga burgu.

“Ata na ftojnë ne, që atë që bëjnë me duart e tyre, shkeljen e Kushtetutës, ta bëjnë me duart tona. Ata kanë një propozim me shtatë pika për kapërcimin e krizës së reformës në drejtësi. Por nuk e pranojnë sepse duan të shpëtojnë të afërmit dhe veten e tyre nga burgu me kapjen e drejtësisë. Në vend t’i përgjigjeshin ftesës sonë, vijnë me një propozim qesharak, sipas të cilit, mënyrën për të shkelur Kushtetutën, mos ta shkruajnë ata, por ne. Propozimi ynë është kthimi te institucionet e drejtësisë”, u shpreh Basha.

“Ata kanë 7 pika që trajton këto kriza. Nëse PS ka me të vërtetë vullnetin që t’i japë fund kapjes në drejtësisë, i ka propozimet tona. Ne jemi pro që t’i jepet jetë 7 propozimeve tona. Ne kërkojmë që mos të kemi prokurori të përkohshëm. Tani s’ka mirëkuptim. Ata s’kanë ndërmend që të zbatojnë reformën në drejtësi”, tha Basha./atsh

Ligji i Magjistraturës, Basha: Të zbatohen 7 pikat e opozitës Read More »

Presidenti kthen në Kuvend ligjin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Presidenti e argumenton këtë vendim në disa pika:

Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.

Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.

Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.

Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.

Së fundmi, në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore, ftoj Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”./atsh

Presidenti kthen në Kuvend ligjin për ndërtimin e Teatrit Kombëtar Read More »

Alibeaj: Organet e vettingut po mbajnë në sistem gjyqtarë të korruptuar

Organet e vettingut po mbajnë në sistem gjyqtarë të korruptuar, deklaroi sot nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj u shpreh në një deklaratë për shtyp se, “Partia Demokratike tregoi dje me fakte, bazuar në raportin zyrtar të shërbimeve inteligjente sesi organet e vettingut po konfirmojnë në detyrë gjyqtarë të kapur në flagrancë me përgjime në afera korruptive”.

“Gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor është vlerësuar nga institucionet përgjegjëse dhe shërbimet inteligjente si i papërshtatshëm me detyrën dhe duhej shkarkuar nga organet e vettingut”, tha Alibeaj.

“Ky fakt tregon se organet e vettingut po mbajnë në sistem gjyqtarë të korruptuar sipas urdhrave të Edi Ramës, i cili hesht dhe fshihet përballë provave të qarta që zbulojnë çdo ditë projektin mafioz të tij për kapjen e drejtësisë nëpërmjet gjyqtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar”, shtoi Alibeaj.

“Në 10 Prill 2018 institucionet përgjegjëse i kanë përsëritur organeve të vettingut papërshtatshmërinë e gjyqtarit Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në raportin zyrtar, institucionet që verifikojnë pastërtinë e figurës, i kujtojnë organeve të vettingut se “përfshirja e këtij gjyqtari në veprime korruptive është përcaktues i integritetit profesional të tij dhe që tregon për pastërtinë e figures së çdo gjytqtari dhe prokurori”, u shpreh Alibeaj.

“Si ka mundësi që Edi Rama nuk shqetësohet kur një gjyqtar i kapur në përgjime në aferë korruptive, jo vetëm nuk u shkarkua nga detyra, por iu hap rruga për të kandiduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, që është qeveria e gjyqësorit?! Si ka mundësi që ai u shet shqiptarëve për pastrim të Pallatit të Drejtësisë procesin që konfirmon në detyrë gjyqtarë të korruptuar?!”, tha Alibeaj.

“Edi Rama do të vazhdojë të heshtë për këto pyetje dhe për faktet e bëra publike, sepse tani maska e tij si reformator i drejtësisë ka rënë! Shqiptarët po shohin çdo ditë se Edi Rama është arkitekti i farsës me vettingun, sepse atij i duhen gjyqtarët e korruptuar për zbatimin e projektin mafioz të kapjes së sistemit të drejtësisë për ta vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar, më të cilin qeveris vendin”, tha Alibeaj.atsh

Alibeaj: Organet e vettingut po mbajnë në sistem gjyqtarë të korruptuar Read More »

Skandal/ Veliaj i nxorri emrin te lista, shkrimtari: Jam në Sofje, nuk kam firmosur

Lista e Erion Veliaj me firmëtarët “artistë” që i kërkojnë Presidentit Meta për të firmosur ligjin që i jep firmës “Fusha SHPK” rezulton të jetë e falsifikuar. I indinjuar, dhe në një reagim që vjen nga Sofje e Bullgarisë ku ndodhet prej një muaji, shkrimtari Stefan Çapaliku zbulon skandalin e falsifikimit që për Erion Veliajn është bërë e përditshme.
“I lumtur sa s’ka, qe mbas nje muaj qëndrimi ne Sofie, ne rezidencën e shkrimtareve dhe përkthyesve “Next Page”, arrita te shkruaj vëllimin e trete te romanit tim “Secili çmendet simbas mënyrës se vet”, mësoj se si ne atdhe çmendet dikush tjetër, qe shkruan për mua se qenkam bere pro shembjes se teatrit” shprehet shkrimtari në një postim në profilin e tij në facebook.

Pak kohë më parë , Erion Veliajt iu zbulua falsifikimi me listën e mbështetësve të shembjes së Teatrit. Ishte aktorja Pavlina Mani që mohoi se bashkëshorti i saj Pirro Mani të kishte firmosur një listë ët Veliajt. Pavlina tha asokohe se Pirro ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i shtruar në spital për shkak të një sëmundje.

Gazeta55

Skandal/ Veliaj i nxorri emrin te lista, shkrimtari: Jam në Sofje, nuk kam firmosur Read More »

PD sulmon KPK-në: Vendime arbitrare në procesin e Vetingut

Partia Demokratike ka denoncuar procesin e Vetingut, që sipas saj, po shndërrohet në farsë. Kështu, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi procesin “si një farsë të orkestruar nga Edi Rama, për të kapur sistemin e drejtësisë”, ndërsa solli rastin e një gjyqtari të papërshtatshëm, sipas Alibeajt, që kaloi Vettingun me urdhër të kryeministrit.

“Meqë qeveria hesht për vendimet arbitrare të komisionit të Vetingut, Partia Demokratike po sjell sot një denoncim, se si ky organ po minon procesin, për të vënë drejtësinë në duart e Edi Ramës. Ilir Toska, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, kaloi Vetingun në muajin qershor, ndonëse DSIK kishte dorëzuar pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një raport, që e cilësonte si të papërshtatshëm këtë gjyqtar, për të vijuar karrierën në drejtësi. Sipas raportit të DSIK, Toska ka marrë para në prani të një zyrtari të Ministrisë së Brendshme, për të mos dhënë një masë disiplinore ndaj një gjyqtari. Gjithsesi, Ilir Toska e kaloi me sukses Vetingun, pasi është kandidat i Edi Ramës, për Këshillin e Lartë Gjyqësor”, deklaroi Alibeaj.

Gjatë seancës dëgjimore për Ilir Toskën,  relatori i KPK-së evidentoi shkresën e DSIK, që e cilësonte gjyqtarin si të papërshtatshëm, por tha se raporti ishte i paprovuar, ndaj edhe nuk e mori parasysh gjatë procesit. /atsh

PD sulmon KPK-në: Vendime arbitrare në procesin e Vetingut Read More »

Kryemadhi: Reforma në drejtësi u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaron se “e gjithë propaganda qeveritare për suksesin imagjinar të Reformës në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse këmbana e alarmit për kufomën e drejtësisë shqiptare, që Edi Rama dhe një grusht ndërkombëtarësh na bënë peshqesh në vend të një reforme që do të përmirësonte sistemin”.

Në një deklaratë për shtyp, Kryemadhi thekson se  “ajo që duhej të ishte një betejë parimore për sistemin e drejtësisë u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm, që as më pak e as më shumë kishin prishur pazaret e qeveritarëve dhe jo vetëm”.

“Shqipëria është vend sovran dhe si e tillë fatet e vendit i kanë në dorë vetë shqiptarët. Në rastin më të mirë të huajt i mirëpresim të na ndihmojnë, por jo te bëhen patericë e qeverisë së krimit e drogës. Që është pjesë e çdo raporti ndërkombëtar për zullumet e veta, por që çuditërisht vetëm disa të huaj që janë këtu nuk i lexojnë këto raporte”, shprehet ajo.

Kryemadhi shton më tej se “asnjë reformë e blerë dhe e shitur me paratë e drogës, asnjë kullë e re apo e vjetër e ndërtuar me këto para nuk do mund të blejë kurrë besimin e shqiptarëve, se ky vend meriton më shumë se një reformë që gatuhet me helmin e krimit dhe që na shitet si betejë parimore e atyre që moralin e vetëm e kanë tek lidhjet e ngushta me kryeministrin dhe banditët e tij”./atsh

Kryemadhi: Reforma në drejtësi u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm Read More »

Basha reagon ndaj Ramës për Reformën në Drejtësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur Kryeministrit Rama lidhur me Reformën në Drejtësi.

Kryetari i PD me anë të një statusi në rrjetet sociale thekson se “ndryshimet e propozuara nga Edi Rama të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sanksionojnë që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga PPP- Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër. Ky propozim është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe kthim tek institucionet e vjetra që kishim para reformës në drejtësi. Kjo shkelje e Kushtetutës bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është shpërbërë dhe sistemi kushtetues në Shqipëri është i goditur rëndë. Qëllimi i këtij propozimi është kapja totale e drejtësisë nga Edi Rama përmes Arta Markut dhe KLD-së. Prandaj Edi Rama i përgjysmoi para një viti buxhetin dhe burimet për vetingun, qëllimisht për të zvarritur vetingun dhe për të mos krijuar KLP-në, KLGJ-në dhe SPAK”, – theksoi Basha.

Kreu i PD, Basha ka lëshuar akuza edhe në adresë të ndërkombëtarëve, duke theksuar se heshtja e tyre ka ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut shqiptar.

“Partnerët ndërkombëtarë duhet të shqetësohen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë nga Edi Rama, çka ka hequr çdo lloj kontrolli dhe kufizimi të pushtetit të shumicës dhe ka vënë në rrezik të drejtat e njeriut në Shqipëri. Heshtja e tyre ndaj kësaj gjendje ka ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut shqiptar, i cili pret përmbushjen e premtimit që ata i bënë shqiptarëve se peshqit e mëdhenj do ishin në burg dhe jo në krye të qeverisë. Drejtësia pa të korruptuar dhe kriminelë në burg është tallje dhe jo drejtës”,-  përfundoi Basha. /atsh

Basha reagon ndaj Ramës për Reformën në Drejtësi Read More »

Lulzim Basha trondit vendin, sapo bëri deklaratën “bombë”

Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka dhënë përgjigje akuzave të bëra gjatë ditës së sotme nga Edi Rama.

Ja reagimi i plotë i kreut të PD-së, Lulzim Basha:

Ndryshimet e propozuara nga Edi Rama të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sanksionojnë që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga PPP- Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër.

Ky propozim është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe kthim tek institucionet e vjetra që kishim para reformës në drejtësi.

Kjo shkelje e Kushtetutës bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është shpërbërë dhe sistemi kushtetues në Shqipëri është i goditur rëndë. Qëllimi i këtij propozimi është kapja totale e drejtësisë nga Edi Rama përmes Arta Markut dhe KLD-së.

Prandaj Edi Rama i përgjysmoi para një viti buxhetin dhe burimet për vetingun, qëllimisht për të zvarritur vetingun dhe për të mos krijuar KLP-në, KLGJ-në dhe SPAK.

Partnerët ndërkombëtarë duhet të shqetësohen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë nga Edi Rama, çka ka hequr çdo lloj kontrolli dhe kufizimi të pushtetit të shumicës dhe ka vënë në rrezik të drejtat e njeriut në Shqipëri. Heshtja e tyre ndaj kësaj gjendje ka ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut shqiptar, i cili pret përmbushjen e premtimit që ata i bënë shqiptarëve se peshqit e mëdhenj do ishin në burg dhe jo në krye të qeverisë. Drejtësia pa të korruptuar dhe kriminelë në burg është tallje dhe jo drejtësi./korrieri

Lulzim Basha trondit vendin, sapo bëri deklaratën “bombë” Read More »