Petrit Vasili ka vijuar sërish me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, thotë se Rama bashkëpunon me 40 banda.
“Kryeministri i Shqiperise bashkejeton me 40 banda kriminale te deklaruara nga ai vete. Keto banda i buzeqeshin kryeministrit dhe ai ju buzeqesh atyre se kane shume gjera te perbashketa mes vedi. Kryeministri ka frike edhe te flase e jo më ti godase bandat.
Kryeministri,qe ben llafazanin,arrogantin, gojepisin dhe qe kakaris si gjeli ne pleh,kur vjen fjala te bandat rri si pule e hutuar”, shkruan Vasili.
Ndër të tjera ai thotë:
“Ministri i Brendshem i Italise Matteo Salvini hapi nje front lufte te pameshirshme ndaj krimit te organizuar,bandave,trafikantëve të droges dhe te qenieve njerezore ne Itali.
Rezultatet e tij brenda pak javeve kane qene te jashtezakonshme dhe mbeshtetja e qytetareve italiane per te rritet ne menyre spektakolare,ndersa shqetesimi i bandave te krimineleve me i madh se kurre.
Duke i goditur ne zemer bandat Salvini ai po perballet edhe me kercenimet me vdekje prej te tyre. Ndersa kryeministri i Shqiperise bashkejeton me 40 banda kriminale te deklaruara nga ai vete.
Keto banda i buzeqeshin kryeministrit dhe ai ju buzeqesh atyre se kane shume gjera te perbashketa mes vedi. Kryeministri ka frike edhe te flase e jo më ti godase bandat.
Kryeministri,qe ben llafazanin,arrogantin, gojepisin dhe qe kakaris si gjeli ne pleh,kur vjen fjala te bandat rri si pule e hutuar.Kuptohet ka frike.
Megjithse Departamenti Amerikan i Shtetit dhe CIA flasin qarte per krimin e organizuar, pastrimin dhe parave te pista i vetmi qe nuk flet, nuk leviz gishtin, nuk vepron eshte vetem ai, kryeministri”,shprehet më tej kreu i grupit të LSI-së”, nënvizon Vasili.
Ish kryeministri Fatos Nano pas aktivizimit në rrjetet sociale, nuk mund të qëndrojë larg opinionit politik. Në një reagim të fundit ai shkruan se koha për Ramën kryeministër ka perënduar, duke kërkuar largimin e tij.
“Pushteti të ndryshon, të verbon dhe ndonjëherë të ngadalëson, por duhet ta pranosh gjithmon se kur të vjen fundi, duhet të dorëzohesh sepse atëherë Shqipëria mund të ecë para. Ti dhe aq sa munde, por nuk je i denjë për ta ndrydhuar më Shqipërinë, je në kohë për t’u larguar, sepse populli humbi besimin në ty”, shkruan Nano.
Por pas këtij postimi interesante janë komentet e ndjekësve në Facebook. Ata kanë shpërthyer në kritika ndaj Nanos, teksa shkruajnë se vetë ai e solli në politikë.
“Ai që e shkatërroi këtë vend, është ai mosmirënjohës që ti solle në politikë”, shkruan një nga komentuesit.
The Washington Times godet sërish qeverinë shqiptare. Një shkrim tjetër ka pasuar atë për ambasadorin amerikand Donald Lu, për të cilin u tha se ka punuar kundër presidentit Donald Trump dhe ka mbështetur kryeministrin Edi Rama.
Shkrimi mban datën e djeshme, ndërsa kësaj radhe i kushtohet reformës në drejtësi dhe vettingut. Sipas The Washington Times vettingu po zhduk kundërshtarët politikë të Ramës dhe po i jep fuqi absolute duke vendosur pas gjithë kësaj miliarderin George Soros.
Në shkrim thuhet se gjykatës të korruptuar janë mbajtur në detyrë dhe zyrtarë te ndershëm janë larguar nga detyra, nëse ata besojnë gjënë e gabuar ose mbështesin partinë e gabuar. “Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, duke u zhvendosur në krye të listave të prodhimit të marijuanës që trafikohet në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Drogat e forta janë gjithashtu shumë të përhapura”, shkruan opinionisti.
SHKRIMI I PLOTË
Titulli origjinal: Axhenda devijuese e Soros simbolizohet nga prishja e reformës në Shqipëri
Nga L. Todd Wood – The Washington Times
Reforma në drejtësi dukej si një ide e mirë në Shqipëri, e cila, si shumë vende ish-komuniste, po përballet me pasojat e një trashëgimie dhjetëra vjeçare korrupsioni.
Nuk ka hapësirë të mjaftueshme në këtë rubrikë për të hyrë në detajet e ndërlikuara të kësaj reforme, por ndikimi keqdashës i organizatave dhe këshilltarëve të financuar nga miliarderi liberal hungarezo-amerikan George Soros, është i qartë në Shqipëri, ndërsa zyrtarët shqiptarë përpiqen të rishikojnë sistemin gjyqësor.
“Procesi i reformës” i cili filloi në vitin 2016, i ndihmuar dhe mbështetur nga ekspertë të financuar nga Soros dhe e nxitur fort nga Ambasada e SHBA në Tiranë, në të vërtetë, ka lënë vendin pa gjykata. Në këtë mënyrë, qeveria e tanishme socialiste, e kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, ka mundur të miratojë ligje, të cilat nuk kanë thuajse asnjë mundësi kontrolli ligjor, ndërkohe që Prokuroria është mbushur me emërime politike.
Askush nuk e di se kur gjykatat do të plotësohen e do të mund të jenë funksionale si një pushtet i pavarur. Kur në fakt ky ishte i gjithë thelbi i reformës.
Problemi duket se është struktura, që “ekspertët” shtynë popullin shqiptar të besonte. Pas injorimit të shumë paralajmërimeve nga shqiptarët me përvojë në sistemin gjyqësor, u krijua një proces i rreptë verifikimi (vettingu) me supozimin se do të garantonte largimin nga sistemi te gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.
Por shumë pak kandidatë ia kanë dalë procesit të vettingut, duke i lënë gjykatat pa kuorumin e nevojshëm dhe të pamundura për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e veprimeve të qeverisë mbi ligjet e miratuara.
Sa e favorshme për qeverinë!
Procesi i vettingut është përdorur gjithashtu për të zhdukur kundërshtarët politikë nga çdo rol në të gjitha pushtetet, duke ruajtur fuqinë absolute të z. Rama. Natyrisht, gjykatës të korruptuar janë mbajtur në detyrë dhe zyrtarë te ndershëm janë larguar nga detyra, nëse ata besojnë gjënë e gabuar ose mbështesin partinë e gabuar.
Kur e gjitha kjo kombinohet me ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008, të cilat vendosën që ligjvënësit të mos zgjidheshin më drejtpërdrejt, por u zëvëndësua me një sistem me listë partie, në thelb populli shqiptar u privua nga e drejta për të zgjedhur. Sërish, e gjitha kjo duket se ka qënë rezultati i dëshiruar gjatë gjithë kohës.
Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, duke u zhvendosur në krye të listave të prodhimit të marijuanës që trafikohet në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Drogat e forta janë gjithashtu shumë të përhapura. Varësia dhe problemet e tjera të drogës po bëhen normë në një vend me vetëm 2.5 milionë njerëz, që është duke u stërmunduar.
Gjithashtu, Shqipëria është duke u bërë një pikë trafikimi dhe një portë për në Europë për drogat e forta që vijnë nga Amerika e Jugut dhe Azia Qendrore. Kritikët thonë se ligjet e miratuara në parlament, që nuk janë subjekt i shqyrtimit të një Gjykate Kushtetuese, pasi është jofunksionale, po ndihmojnë në pastrimin e parave të kësaj tregtie droge.
Amerikanët dhe evropianët po injorojnë të gjithë këtë situatë, ndoshta për të shmangur pranimin e dështimit te axhendës Soros/globaliste, e cila pas shumë përpjekjeve për t’u futur, nuk funksionoi në këtë rajon. Ose, ka funksionuar shumë mirë, por rezultati nuk ka qenë ai që duhej për popullin shqiptar.
Socializmi nuk është asnjëherë për njerëzit, por gjithmonë për pushtet. Në fund të fundit, ka të bëjë me marrjen e kontrollit në mënyrat që Marksi i kuptoi qartë. Z. Soros është duke u përpjekur të kopjojë një shabllon të dështuar majtist në të gjithë Ballkanin, duke promovuar një shoqëri me kufij të hapur, e ngjashme me një Jugosllavi të re dhe sigurisht të kontrolluar nga socialistët.
Bashkimi Evropian i ka dhënë shumë rëndësi natyrës së supozuar antidemokratike të reformës gjyqësore në Poloni dhe Hungari, por ka injoruar situatën shumë më të tmerrshme dhe të pandershme, që po ndodh në Shqipëri. Siç dihet, rrezet e diellit janë gjithmonë dezinfektuesi më i mirë.
Nderkohe qe zien ende debati per nderhyrjen ruse ne zgjedhjet e fundit presidenciale te SHBA, nje kthim pas ne histori, tregon fakte e te dhena se cfare ka ndodhur ne Rusine e vitit 1996. Ne kohen kur vendi do te zgjidhte pasuesin e Boris Jelcinit dhe si erdhi ne pushtet presidenti Putin.
Nga Stefën Kinzër/
Për një nga fuqitë më të mëdha botërore, ndërhyrja sistematike në politikën presidenciale të një vendi tjetër, është një akt i pastër agresioni. Por kjo ndodhi. Duke u ndodhur në një kryeqytet të largët, krerët politikë ia dolën të siguroheshin që kandidati i favorizuar prej tyre, të fitonte zgjedhjet kundër rivalëve që i frikësonin ata.
Ata ia dolën. Votuesit u manovruan, me zgjedhjen e një presidenti që i shërbeu interesit të fuqisë ndërhyrëse. Ky ishte një projekt i mirë-organizuar, i sponsorizuar nga qeveria, për të shkatërruar vullnetin e votuesve në një vend tjetër – një farë vandalizmi politik shumë i suksesshëm në një shkallë globale.
Ishte viti 1996. Rusia po zgjidhte një president për të pasuar Boris Jelcinin, presidenca katastrofike e të cilit, e kakarterizuar nga kolapsi social post-sovjetik, dhe një luftë e egër në Çeçeni, kishte sjellë një rënie dramatike të popullaritetit të tij.
Presidenti amerikan Bill Klinton, vendosi se interesat amerikane do të shërbeheshin më së miri, duke gjetur një mënyrë për të ri-zgjedhur Jelcinin, pavarësisht nga papëlqyeshmëria e tij e madhe. Jelcin ishte i sëmurë, një i alkoolizuar kronik, dhe shihej në Uashington si tepër i lehtë për t’u kontrolluar. Klinton krijoi lidhje të ngushta me të.
Ai ishte “Kandidati ynë Mançurian”.“Unë e di që populli rus duhet të zgjedhë një president, dhe ne duhet ta vazhdojmë atë ndihmojmë në çdo aspekt”- tha ai. Më vonë, Klinton ishte edhe më kategorik:”Dua që Jelcin të fitojë thellësisht!”. Pas kësaj, burimet publike dhe private të Shteteve të Bashkuara, u vunë në dispozicion të një kandidati presidencial rus.
Një pjesë e planit amerikan ishte publike. Klinton filloi të lavdërojë Jelcinin, si një burrë shteti të klasit botëror. Ai mbrojti taktikat brutale të presidentit rus në Çeçeni, duke e krahasuar atë me Abrahamin Linkolnin për përkushtimin e tij për të mbajtur kombin e bashkuar.
Sa i përket bombardimeve që Jelcin urdhëroi ndaj parlamentit rus në vitin 1993, dhe që shkaktuan vdekjen e 187 personave, Klinton këmbënguli se miku i tij kishte “bërë çmos” për ta shmangur atë. Ai nuk përmendi planin e tij për ta zgjeruar NATO-n deri në kufijtë e Rusisë, dhe nuk tha kurrë asnjë fjalë për shkatërrimin e ekonomisë së dikurshme shtetërore të Rusisë nga kleptokratët e lidhur me Jelcinin.
Përkundrazi, u dha atyre një dhuratë spektakolare. Katër muaj përpara zgjedhjeve, Klinton urdhëroi që Fondi Monetar Ndërkombëtar t’i japë Rusisë një ndihmë prej 10.2 miliardë dollarësh. Jelcini përdori një pjesë të parave për të paguar blerë zgjedhjet, ndërsa pjesa tjetër u zhduk shumë shpejt në llogaritë e bankave të huaja të oligarkëve rusë.
Mesazhi ishte i qartë:Jelcin dinte se si ta trondiste “pemën e parave” perëndimore. Në rast se dikush e ka harruar, Klinton shkoi në Moskë disa javë më vonë, për të festuar me partnerin e tij rus. Oligarkët u rreshtuan në anën e Jelcinit. Diplomatët amerikanë, bënë të mundur që një nga rivalët e tij të braktiste garën presidenciale, në mënyrë që Jelcin të përmirësonte shanset e tij.
Katër konsulentë politikë amerikanë u shpërngulën në Moskë, për të ndihmuar në drejtimin e fushatës së Jelcinit. Fushata u dha atyre 250.000 dollarë në muaj për këshilla, për “metoda të sofistikuara të votimit, kontaktimit të votuesve dhe organizimit të fushatës”.
Ata organizuan grupe fokusimi dhe dizenjuan mesazhe reklamash, me qëllim nxitjen e frikës nga votuesit për trazirat civile. Kur panë një raport të CNN nga Moska, që thoshte se votuesit po anonin drejt Jelcinit, pasi kishin frikë nga trazirat, një nga konsulentët bërtiti në mënyrë triumfale:”Funksionoi! E gjithë strategjia ka funksionuar. Ata janë të frikësuar për vdekje!”.
Jelcin i fitoi zgjedhjet me 54 përqind të votave. Procesi i numërimit ishte i dyshimtë, dhe Jelcini kishte abuzuar rëndë me fondet e fushatës, por grupet amerikane, disa të financuara pjesërisht nga Uashingtoni, nxituan të shpallnin panairin e zgjedhjeve. “The Neë York Times” e quajti atë “një fitore për Rusinë”. Në fakt, ishte e kundërta:një fitore nga një fuqi e huaj, që donte të vendoste kandidatin e saj në presidencën ruse.
Ndërhyrja amerikane në zgjedhjet ruse të vitit 1996, nuk ishte e fshehtë. Përkundrazi, shtypi lavdëronte aftësinë e SHBA-së për të diktuar politikën e një vendi që dikur e kishim frikë. Kur Klinton nxiti FMN-në t’i jepte Jelcinit dhe shokëve të tij 10.2 miliardë dollarë, Uashingtoni pohoi:”Tani kjo është mënyra e drejtë, për t’i shërbyer interesave perëndimore…Është përdorimi i instrumentit politik të butë, por të fuqishëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar”.
Pasi Jelcin fitoi, “Time” e vendosi në kopertinë, duke mbajtur një flamur amerikan. Titulli ishte, “Faleminderit pët shpëtimin:Historia sekrete e ndihmës së këshilltarëve amerikanë në fitoren e Jelcinit”. Historia u bë më vonë një film me titull “Spinning Boris”.
Kjo ishte ndërhyrja e parë e drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale, në historinë e marrëdhënieve SHBA-Rusi. Ajo prodhoi rezultate të këqija. Jelcin, i hapi asetet e vendit të tij për një plaçkitje masive. Ai e shndërroi në një djerrinë kryeqytetin çeçen, Grozni. Standardet e jetesës në Rusi, ranë në mënyrë dramatike. Pastaj, në fund të vitit 1999, i rrënuar nga problemet shëndetësore, ai tronditi vendin dhe botën duke dhënë dorëheqjen.
Në aktin e tij të fundit, ai caktoi pasardhësin e tij:një oficer të panjohur të shërbimit sekret me emrin Vladimir Putin. Është një ironi e këndshme, që tregon se sa e pamend mund të jetë ndërhyrja në politikat e një vendi tjetër. Nëse Shtetet e Bashkuara, nuk do të ishin përfshinë në zgjedhjet presidenciale ruse 22 vjet më parë, sot me siguri nuk do të përballeshim me Putinin.
Të gjithë ministrat e qeverisë do të raportojnë sot para kryeministrit Edi Rama mbi ecurinë e punës së deritanishme për institucionet që ata drejtojnë.
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në vilën qeveritare në Vlorë, kabinetin e ministrave, të cilët do të vazhdojnë raportimin e tyre, mbi analizën e këtij viti të parë të punës së qeverisë si dhe mbi realizimin e detyrave dhe objektivave.
Por edhe pse ky takim do të jetë larg vëmendjes së mediave, pasi kryeministri do të jetë vetëm me anëtarët e qeverisë, gazeta ka mësuar detaje se për çfarë çështjesh do të raportojë secili emër.
Mësohet se ministrat i kanë përgatitur raportet e tyre qysh para një muaji dhe se do të raportojnë mbi të gjitha arritjet e deritanishme.
Kështu, Ministria e Brendshme, do të raportojë sot para kryeministrit Rama, për bilancin e luftës antikorrupsion; çështjen e kanabisit; mënyrën sesi është menaxhuar çështja e azilkërkimit etj.
Por krahas këtyre çështjeve, ministri Fatmir Xhafaj sipas “Sot” do të parashtrojë para kreut të qeverisë edhe ecurinë e procesit të vetingut në polici deri më tani.
Krahas këtyre arritjeve Xhafaj do të pasqyrojë gjithashtu edhe numrin e ligjeve dhe projektvendimeve që dikasteri që ai drejton i ka paraqitur Kuvendit për miratim.
Kriter ky që do të duhet ta pasqyrojnë të gjithë ministrat. Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu do të raportoj para kryeministrit ecurinë e deritanishme të skemës ekonomike në të gjithë qarqet e vendit. Manastirliu do të raportoj gjithashtu edhe bilancin e investimeve në qendrat spitalore.
Ndërsa, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, sipas informacioneve, do të pasqyrojë para kryeministrit, të gjithë bilancin e ecurisë së rritjes ekonomike në vend si dhe masat që janë marrë për të mundësuar uljen e mëtejshme të borxhit publik.
Kurse ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj do të pasqyrojë ecurinë e procesit të vetingut deri më tani.
Por raportimi para kreut të qeverisë, duket se do të vërë në “gijotinë” fatin e disa ministrave. Kjo për faktin se kryeministri ka paralajmëruar ndryshime rrënjësore në kabinetin qeverisës, gjatë Asamblesë, nëse nuk përmbushen objektivat e vendosur.
Gjatë ditës së sotme ministri Bushati do të raportojë para kreut të qeverisë ecurinë e deritanishme të procesit “Screening”. Bushati do të pasqyrojë gjithashtu edhe ecurinë e marrëveshjes me Greqinë.
Ndërsa sa i takon, ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknurit, ky i fundit sipas informacioneve, do të bëjë një bilanc para kryeministrit mbi masat e marra për riparimin e rrugëve të amortizuara; çështjen e statusit të naftëtarit si dhe një sërë çështjesh të tjera.
Ndërkohë nga ana tjetër, ministrja Xhaçka, e cila arriti të binde aleancën e NATO për të ngritur një bazë ushtarake në Shqipëri, do të raportoj për ecurinë e modernizimit të Forcave të Armatosura.
Ndersa ministrja Lindita Nikolla do të pasqyrojë parë kreut të qeverisë nismën më të fundit të MAS për sigurimin e librave falas për të gjithë nxënësit.
Kurse ministri Turizmit, Blendi Klosi do të pasqyrojë raportin e numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë kësaj vere/korrieri
Kur flitet për reformën në drejtësi dhe për politikanët e korruptuar, ambasadori amerikan Dolald Lu, megjithëse po largohet nga Shqipëria, në fund të mandatit të tij është po aq energjik sa në fillim.
“Politikanët e korruptuar duhet të kenë frikë!” Kjo është një nga frazat më të njohura të Donald Lusë, e cila nuk mungoi as në përgjigjjet që ai i dha disa pyetjeve të Top Channel për ecurinë e vetting-ut dhe të ngritjes së institucioneve të reja. Optimizmi dhe besimi se procesi po ecën në drejtimin e duhur është mesazhi kryesor i ambasadorit amerikan, i cili mbështet pa rezerva organet e vetting-ut.
“Kam besim që reforma në drejtësi po prodhon rezultate reale për popullin shqiptar. Po largon gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe po konfirmon ata të ndershmit për të vazhduar punën e rëndësishme të gjykatave. Rezultatet janë mbresëlënëse. Komisioni i vetting-ut ka shkarkuar 21 gjyqtarë dhe prokurorë si dhe ka konfirmuar 27. Ndërkohë që disa nga rastet do të apelohen, procesi përfaqëson një hap madhor përpara drejt një gjyqësori të drejtë dhe të pavarur. Qytetarët e zakonshëm tani duhet të presin të kenë gjyqtarë dhe prokurorë të rivlerësuar dhe të pastër, që nuk do të kërkojnë më ryshfete dhe nuk do t’i përgjigjen më trysnisë politike. Më në fund, qytetarët mund të kërkojnë dhe të presin drejtësi të vërtetë”, deklaron Donald Lu.
Por, a është ambasadori amerikan i shqetësuar nga vonesa në ngritjen e KLGJ-së dhe KLP-së? Ambasadori Donald Lu thotë se ndan të njëjtin shqetësim sikurse edhe opozita për vonesën në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, por beson se ky proces nuk do të vonojë.
Me këtë rast, Donald Lu ka një apel për të gjithë: “Jam dakord me opozitën se është imperative që organet e reja gjyqësore të ngrihen shpejt. Kjo do të lejojë emërimin e një prokurori me mandat të plotë, emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe krijimin e SPAK dhe BKH. Besoj se jemi pranë krijimit si të KLP edhe të KLGJ. Këshillit të Lartë Gjyqësor i duhet vetëm një gjyqtar i guximshëm i gjykatave të apelit për të dalë vullnetar që të shërbejë në Këshill. Kam besim që në javët e ardhshme ky proces do të përmbyllet dhe do të ecet përpara me emërimin e gjyqtarëve të rinj, SPAK dhe BKH. Procesi i vetting-ut po funksionon. Jemi shumë pranë hyrjes në fazën tjetër të reformës”./korrieri
Në një shkrim te Panorama, analisti Agron Gjekmarkaj analizon se cili mund të jetë kandidati i Partisë Demokratike përballë Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës. Ai thotë se emri më i diskutuar është ai i Jorida Tabakut. Ndërsa më tej flet për ndryshimet e pritshme në qeveri.
AGRON GJEKMARKAJ
Filloi me shi e po mbyllet me rrebesh kjo verë! Askush nuk i përmbylli planet e veta siç desh! Të gjithë pushuan si mundën me përjashtim të skribeve, që nuk rrimë dot gjatë pa krypur mend! Përveç ndonjë glase që hodhën personazhe të dorës së dytë, si Qeveria dhe Opozita, për gati 20 ditë na lanë në të shenjtën paqe! Utopistët e përqendruar mbi ndonjë shishe birre mes gromësimave, bareve të kryeqytetit hidhnin ide për një shtet të lumtur pa qeveri dhe pa opozitë!
Ëndrrat dhe realiteti janë në kontradikite historike krejt si dashuritë e njëanshme e të pamundura, që ia plasin xhanin të vluarit që rraskapitet psherëtimash! Ministrat filluan të duken një nga një, pas tyre opozitarët dhe vetë kryetari i PD-së, teksa Kryeministri qeth leshrat e pakta rraheve të Dhërmiut! Edhe ai do të kthehet si benzina mbi zjarrin e lagur nga shirat e pabesë e tahmaqarë të gushtit! Ministrushja e Shëndetit, Manastirliu, para se të përleshej në mejdan me Tit Vasilin gjuhëpërveshur, doli syrin nepsqar të paparacëve me artilerinë e rëndë plazheve të jugut, duke këllasur në mendime një dynja të tërë!
Të tjerët erdhën pa bujë e zhurmë në zyrat e tyre, ku pihet shumë kafe e hidhur këto ditë! I madhi po mejton për ndryshime në kabinet! Ndarja me karrigen është më e rëndë se ajo me familjen. Karrigia është edhe nënë, edhe babë. Edhe atdhe, edhe botë! Është dije universale, këshillë, libër dhe trashëgimia më e mirë për fëmijët. Është shëlbim, thagmë, tharm, lezet e bereqet. Të rrotullohesh mbi të nuk ia ke lakmi as Juri Gagarinit e as ekuipazhit të Apollos.
Ajo të bën të mençur e ashik! Ajo të bën të bukur, hijerëndë dhe me raste të pasur. Thonë se ata që e ndiejnë se do largohen, mbyllin derën dhe e lajnë me lot, e lëpijnë dhe me oiii mallkojnë të prapmet e atyre që do fërkohen mbi të. Gushti, i cili po shkimet më ngadalë seç duhet, vazhdon ende me surprizat e tij. Taulant Ballën nuk po e lënë rehat. Ja zunë verën në fyt maluketërit. Akuzë pas akuze! Tani së fundi, Gazmend Bardhi, një djalë, mbase më dinjitozi i teknikëve ministra që pat ofruar Basha për qeverinë e çuditshme që menaxhoi zgjedhjet e shkuara, çdo ditë i bën nga një pyetje a ndonjë akuzë numrit 2 të socialistëve.
Tani për një të ndaluar në Greqi. Bah, duket e gjitha si xhelozi pas takimit të tij me Trampin. Pas një heshtjeje kurioze, Grida Duma kishte darovitur mjegullat e opozitës duke u mejtuar gjatë mbi hendekun që gërryen Kryeministri për të ndarë popullin nga opozita. Kësisoj i kishte dhënë një leksion enigmatik Bashës se si hendeku mund të shndërrohet në urë. Të jem si Basha, do mërzitesha me miq e armiq, me kundërshtarë e kritikë.
Do të dilja në një konferencë shtypi e do iu nxirrja gjuhën, duke iu thënë hajt sikter se do vej siç dua vetë se ma ka falur Doktori mua. Si do jetë shtatori e vendos ky fundmuaji. Do bjerë Teatri apo do mbahet? Do të dijë ta mbrojë opozita, duke korrur një fitore që do t’i duhej shumë pas kaq vitesh? Do të rishpikë ajo (PD) vetveten dhe fabulën e re? Mbetet për t’u parë. Enigmë e madhe pas kaq tulatjesh nëse do ketë sukses arroganca e pafre e Kryeministrit apo do të kompozohet një vullnet qytetar për t’u përballur?
Një gjë është e sigurt. Që në shtator fillon fushata elektorale për zgjedhjet lokale. Sytë janë zgurdulluar mbi Tiranën. Nga “Rilindja” me gjasë mbetet Erion Veliaj, një kandidat i vështirë, mjeshtër i propagandës dhe autor i disa punëve publike me spikamë qytetare, sado që mbi to nuk reshtin preferencat dhe diskutimet. Nga opozita ka ende mjegull. Analistët thonë se përballë Velisë do të jetë Jorida Tabaku, një nga asetet më me vlerë që ka opozita aktuale në rrafshin qytetar dhe politik.
Do të ishte një betejë interesante ndërmjet dy profilesh të kithta. Në Kosovë, krahas kufijve që po bën tërkuzë Thaçi, diskutohet edhe për Albanologjinë. Seminar i përvitshëm mes dy Fakulteteve Filologjike, atij të Prishtinës dhe Tiranës. Çeljen e punimeve e inauguruan Kryeministri Haradinaj dhe ministrja Nikolla, detaj njerëzor e politik ky me domethënie kombëtare për një gjë kaq themelore për kombin tonë, siç eshte Albanologjia.
Kur duan, disa politikanë bëjnë edhe ndonjë gjest të lëvdueshëm. Personalisht ndahem me keqardhje me kronikën time të dashur verore, meqenëse për një batutë e djeg jorganin. Pirandelo, shkrimtar i madh italian për ata pak që nuk e dinë, shkruante që humori është forma më serioze e komunikimit.
Sa ia kemi dalë të jemi seriozë në të qeshur, një Zot e di e po aq lexuesit. Në shtator kthehemi te gjerat e bezdisshme e serioze, të cilat mbesin të tilla vjeshtë pas vjeshte, si një ëndërr e keqe që nuk i shqitet vendit tonë. Ndërkohë, si dikur në radio poste, ju përshëndes me këngën e Modugnos: “Amara terra mia”!/PANORAMA