Politike

Korrigjimi i kufijve, Haradinaj kundër Thaçit: Nuk e ka besimin tim, i pakënaqur me punën e …

Çështja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka ndarë edhe qëndrimet e liderëve dhe drejtuesve të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk e ka besimin e tij për të përfaqësuar Kosovën në dialog dhe hapur tema për korrigjim të kufijve. Haradinaj i pyetur nga gazetarët në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë sot, ka thënë se ai ia ka dhënë besimin e tij Thaçit për të përfaqësuar shtetin në dialog vetëm për të sjellë njohjen e Serbisë për Kosovën.

“Janë dy etapa, njëra është dhënia e besimit te presidenti i vendit me përfaqësuar vendin në një proces për marrjen e njohjes së vendit për të cilën ka besimin tim, në tema të kufijve dhe territoreve nuk e ka këtë besim dhe nuk kuptova se si jam hisedarë e një teme të tillë… Nëse presidenti e shtron një temë të tillë nuk e ka shtruar në emrin tim, as grupit parlamentar as partisë që përfaqësojë”, ka thënë Haradinaj duke iu përgjigje gazetarëve. Haradinaj po ashtu është përgjigjur ndaj pyetjeve në lidhje me paralajmërimet e LDK-së dhe VV-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ai ka ironizuar me opozitën duke thënë se nuk është i kënaqur me punën e tyre.

”Jam i pakënaqur me punën e tyre si opozitë, shumë opozitë e dobët janë, ne vazhdojmë të kemi mospajtime por edhe punë kryejmë sot kemi pas një mbledhje me 24 tema dhe vazhdojmë punën për të mirën e qytetarëve dhe nuk e shohim problematike nismën e tyre”, ka thënë Haradinaj. ”…LDK dhe VV janë pa guxim politik për me marrë përgjegjësi dhe bëjnë zhurmë në Parlament dhe i ikin përgjegjësisë, e Qeveria i kryen punët e veta që i takojnë me Kushtetutë dhe me ligj”, ka shtuar kryeministri.

Korrigjimi i kufijve, Haradinaj kundër Thaçit: Nuk e ka besimin tim, i pakënaqur me punën e … Read More »

Rama u ndërpret pushimet ministrave, të gjithë në takim te vila qeveritare në Vlorë, analizë e hollësishme për punën e tyre

Thirrja me urgjencë e Ramës për të bërë analizën e 300 ditëve të para të qeverisjes në këtë mandat të dytë ka ndërprerë pushimet e të gjithë kabinetit qeveritar. Takimi mësohet se do të zhvillohet në vilat qeveritare në Vlorë, larg vëmendjes së mediave, të cilat do të mundin të regjistrojnë vetëm hyrje-daljet e makinave të ministrave dhe stafit të Kryeministrit.

Të hënën, ministrat dhe stafet e tyre u kthyen në punë pas pushimeve gati dyjavore. Mësohet se axhenda e takimit (retreat) të Kryeministrit me ministrat e tij është analiza e punës së vitit të parë qeverisës dhe plani për vitin e dytë, në përmbushje të programit 4-vjeçar të qeverisë të prezantuar nga Edi Rama më 10 shtator 2017. Një vit më parë, pas shpalljes së kabinetit të ri, Kryeministri zhvilloi dy takime të tilla në Llogara dhe në Shëngjin, pak ditë më vonë. Takimet i shërbyen hartimit të prioriteteve të qeverisë dhe programit qeverisës, që u prezantua nga Kryeministri me nisjen nga puna të Parlamentit të ri. Në vitin e parë qeverisës, Kryeministri vijoi punën e tij me të njëjtin kabinet, pa bërë asnjë ndryshim ministrash.

Pritet që në shtator Kryeministri Rama të bëjë ndryshime të ministrave të tij, për shkak të nevojës për impulse të reja në qeveri. Një vit deri qershorin e ardhshëm, kur Këshilli Europian do të marrë një vendim për negociatat me Shqipërinë, Kryeministri do të kërkojë një ritëm të ri të kabinetit të tij. Mësohet se instrumenti matës i punës së çdo ministri, përveç realizimit të objektivave të programit të 300 ditëve të para, do të jetë edhe platforma e bashkëqeverisjes shqipëria që duam.al, në të cilën qytetarët shprehin ankesat dhe problematikat që ndeshin në zyrat e administratës.

Sipas raportit të publikuar nga vetë Kryeministri Rama, në 10 muaj të funksionimit të platformës, janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve, që deri dje mbeteshin sirtarëve të zyrave të shtetit. “Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam”, u shpreh Kryeministri Rama pak ditë më parë, ndërkohë që bëri publik dhe faktin që për 420 zyrtarë të identifikuar nga hetimi administrativ, si përgjegjës për mospërgjigjen në kohë ndaj qytetarëve, janë marrë masa ndëshkimore.

Ndërkohë, Kryeministri u bëri apel qytetarëve për të mos humbur kohë, por të raportojnë çdo problematikë që ata kanë, pasi kjo sipas tij, është mënyra sesi njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi shërbimin që meritojnë.

Analiza e qeverisë në Asamblenë Socialiste, në fillim të shtatorit
Analiza e qeverisë për vitin e parë të punës së saj do të zhvillohet në Asamblenë Kombëtare Socialiste, e cila pritet të mblidhet ditët e para të shtatorit. Kjo analizë do të përcaktojë dhe ministritë, ku duhet të ndërhyjë Kryeministri për të bërë ndryshimet e tij. Asambleja ishte parashikuar të zhvillohej në fund të korrikut, para pushimeve të verës. Por në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist, të zhvilluar më 16 korrik, kryetari i tij, Taulant Balla, njëkohësisht dhe kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS, njoftoi deputetët se Asambleja Kombëtare, ku do të bëhet analiza e punës së qeverisë për vitin e parë të mandatit të dytë të saj, shtyhet për në shtator.

Mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare është zhvilluar në prill të këtij viti dhe aty është bërë po ashtu analiza e punës së qeverisë për periudhën janar-prill 2018. Gjatë këtij mandati, ministrat e qeverisë kanë zhvilluar takime llogaridhënieje para deputetëve socialistë, ku kanë marrë dhe pyetje dhe kritika nga deputetët e tyre. Një vit më parë, ishte Kryeministri Rama i cili përcaktoi një rol të ri të grupit parlamentar dhe strukturave të partisë përballë qeverisë që ai drejton.

“Sfida e këtij mandati kërkon që grupi parlamentar të jetë i organizuar shumë mirë, i disiplinuar si asnjëherë më parë, i drejtuar nga një ekip i përkushtuar dhe i përgatitur për debatin e vijës së parë në komisione dhe në sallë, por mbi të gjitha, i aftë organizativisht për t’u koordinuar plotësisht me ekipin drejtues të partisë dhe me ekipin qeverisës. Funksionet e tri këtyre ekipeve do të jenë të ndara qartë, natyrisht, por bashkëpunimi i ngushtë dhe ndërveprimi sistematik mes tyre, pra parti-grup-qeveri, do të përcaktojë cilësinë e gjithë procesit tonë qeverisës, do të përcaktojë efikasitetin e bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm dhe do të përcaktojë suksesin ose mossuksesin tonë”, është shprehur Kryeministri Rama.

Rama u ndërpret pushimet ministrave, të gjithë në takim te vila qeveritare në Vlorë, analizë e hollësishme për punën e tyre Read More »

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe “Byroja Kombëtare e Krim-Korrupsionit”

Shqiptarët, duhet të shpëtojnë nga kthetrat e “Unionit mafioz PD-PS-LSI”, që e ka ndarë Shqipërinë, në racione e zona kontrolli dhe shfrytëzimi ekonomik personal.

Quhet lajm i mirë, që shtatorin e 26 të tranzicionit, ndërkombëtarët, kanë deklaruar se do kapin “për veshi” e do të çojnë para drejtësisë së vonuar, “kopenë e ujqërve” të lënë të lirë e fuqiplotë, që shqyen ekonominë e tmerruan shqiptarët.

Ndoshta erdhi “ora”, ta marrin “mandatën” prej drejtësisë së re, kryehajdutët dhe shefat faktik, të bandave politike-shtetërore kriminale në Shqipëri, Rajon e Europë, të vetëmbrojtur nga ndëshkimi, me mandatin dhe drejtësinë që e marrin, emërojnë dhe komandojnë vetë.

Është ndërhyrja vepruese e Byrosë (Ndër)Kombëtare të Hetimit, ajo që krijon besim tek shqiptarët, se më në fund, “Byroja Kombëtare e Krimit dhe Korrupsionit” në Shqipëri, do mbyllet në “dhomat e Reçit” e do të sekuestrohet, deri tek brekët e dashnoreve, që mbajnë në kroskotët e makinave luksoze dhe sirtarët e zyrave, bizneseve, vilave e sarajeve, të vëna e ndërtuar me miliarda krimesh.

Hapi i parë, pavarësisht lënies së disa zaga(r)njorëve në drejtësi, u hodh me shkatërrimin e “folesë” së tyre, në kupolën e drejtësisë e do të vazhdojë, me “lukuninë” që ka gjetur strehë në “shpellat” e tjera të (pa)drejtësisë, me logot gjykata e prokurori. Shqiptarët, nuk gëzojnë për largimin, burgun dhe sekuestron e tyre, por për faktin se pas 27 vitesh diktaturë ekonomike dhe hajdutëri politike-gjyqësore të klikës që sundon ende, do të shpëtojnë veten dhe brezat, nga padrejtësia, nga pafuqia për të qenë të lirë, të barabartë, të qetë, të garantuar në të derjta, të respektuar prej ligjit.

Nëse në ’90-ën, bota rrëzoi “Byronë e Diktaturës”, sot pas 27 vitesh është emergjencë, të çmontoj, rrëzoj e zhduk nga jeta shqiptare “Byronë e Korrupsionit dhe Krimit”, të strukturuar në “Union mafioz PD-PS-LSI”, që ka ndarë Shqipërinë në racione e zona kontrolli dhe shfrytëzimi ekonomik personal.

Vetëm Byroja (Ndër)Kombëtare e Hetimit, mund ta shpërbëjë dhe godasë politikisht, ekonomikisht e financiarisht “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, gjë që nuk e bëri dot populli i tejlodhur prej varfërisë e shkatërrimit psikologjik, që instaloi dhe zbatoi prej 27 vitesh, “Byroja” PS-PD-LSI.

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit” në rrugë paqësore, mbasi kapobandat e PD-PS-LSI, “Tano Karidët” Berisha, Meta, Rama, Basha, për të qenë të bashkuar në sundimin e tyre të përjetshëm e të trashëguar në familje (breza), kanë futur përçarjen në popull, duke krijuar secili “popull-turmën” e tij partiake, blu, rozë, të kuqe, jeshile, të verdhë e ngjyrë “mu….” (PR).

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, as me vota, mbasi në këto 27 vite, ata kanë pasur “magazinën” e votave dhe i numëronin e ndanin vetë, sipas pjesëve, interesave dhe fuqisë së bandave të pushtetit.

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, as me drejtësinë, mbasi kapobanda dhe langaraqë nëpër prokurori e gjykata, emëroheshin prej kësaj “byroje”, duke caktuar pervers e byth-shitur zaga(r)njora, dizdara, gjinra, thanza, brocra, ndrecra, fullanra e lloj-lloj perversësh e mostrash, që shkatërruan dhe degjeneruan drejtësinë.

Shqiptarët nuk mundën ta largonin dot “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, me liri sociale e publike, mbasi kundër zërave që kërkonin drejtësi, përdoreshin bandat kriminale, të cilat ishin “eskorta” shërbyese të ruajtjes së sundimit të Berishës, Nanos, Metës e Ramës.

Ndaj dhe operacioni i ndërrmarrë nga Byroja (Ndër)Kombëtare e Hetimit, konsdierohet si shpresa e fundit këtij tranzicioni 27 vjeçar, për të zhdukur nga jeta shqiptare, “Byronë Kombëtare të Krimit e Korrupsionit”, këtë kopje më të shëmtuar e me të neveritshme, se “Byroja e Diktaturës”, që na i la peshqesh me skemën “KATOVICA”./Pamfleti

Byroja Kombëtare e Hetimit dhe “Byroja Kombëtare e Krim-Korrupsionit” Read More »

Amerikanët fundosin Berishën, zbardhin skemën e pastrimit të parave me firmat piramidale, më 1997 u fshehën 20 mln dollarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë të dokumentuar çdo skandal dhe aferë të bërë nga pushtetarët shqiptarë. Periudha më e errët e vendi tonë është padyshim ajo e vitit 1997, ku u krijuan firmat piramidale dhe vendi shkoi drejt luftës civile. Por edhe pse kanë kaluar 20 vite nga kjo periudhë, amerikanët kanë informacion të detajuar mbi atë se çfarë ndodhi dhe politikanët e përfshirë. Gazeta ka siguruar një raport të FINCEN, Rrjeti për Hetimin e Krimit Financiar, pjesë e Departamentit Amerikan të Thesarit. FINCEN është ndër agjencitë më të forta në botë për pastrimin e parave dhe së fundmi ka treguar se ka të dhëna dhe për pushtetarët shqiptarë. Në raportin e siguruar nga gazeta jepen detaje mbi historikun e pastrimit të parave në botë dhe për vendin tonë periudha më negative shihet vitit 1997. Agjencia amerikane tregon se vetëm në verën e vitit 1997 dolën nga Shqipëria plot 20 milionë dollarë dhe ato u futën kryesisht në banka greke e disa turke. Bëhet fjalë për para të firmave piramidale, të cilat i kanë nxjerrë të gjitha jashtë dhe shteti i drejtuar nga Sali Berisha nuk mori asnjë masë. “Në rajonin e Detit të Zi vetëm dy rajone, Greqia e Turqia, i përkisnin FATF (më 1997). Afërsia e tyre me 15 vendet e ish-Bashkimit Sovjetik ngre një problem të veçantë në lidhje me pastrimin e parave. Një tjetër problem me bankat e tyre ishte rrjedhja e fondeve të mëdha nga Shqipëria të lidhura me skandalin e piramidave të kursimit. Hetimet pas raportimeve për transaksione të dyshimta kanë treguar se shuma të konsiderueshme parash të thata, rreth 20 milionë dollarë, janë depozituar në bankat e vendeve fqinje në verën e 1997”, thuhet në dokumentin e FINCEN.

Përfshirja e qeverisë

Pas publikimit të raporti nga agjencia e pastrimit të parave në SHBA, gazeta ka bërë një sërë kërkimesh mbi informacione të tjera që i disponojnë amerikanët lidhur me firmat piramidale të vitit 1997. “SOT’ ka siguruar një raport të ngjashëm, të nxjerrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, po me bazë në SHBA. Aty jepen të dhëna shumë të detajuar, që do i publikojmë në ditët në vijim, mbi përfshirjen e qeverisë së asaj kohe. “Kishte shumë probleme menaxhimi, si në sektorin financiar dhe në përgjithësi. Kuadri rregullator ishte i përshtatshëm dhe nuk ishte e qartë se cili kishte përgjegjësi për monitorimin e tregut informal. Edhe pas aprovimit të ligjit të bankave në shkurt 1996 që në dukje i dha fuqi Bankës së Shqipërisë të mbyllte institucionet ilegale financiare, banka qendrore nuk mund të merrte mbështetjen e qeverisë. Dhe vërtet qeveria po mbështeste kompanitë piramidale dhe zyrtarë të lartë shfaqeshin shpesh në takime të këtyre kompanive. Edhe në nëntor 1996 teksa kompanitë po shembeshin, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit pranuan medalje nderi në përvjetorin e një prej kompanive”, thuhet në dokument.

Paralajmërimi i amerikanëve

Amerikanët janë duke investuar në Shqipëri për realizimin e reformës në drejtësi dhe shfarosjen e krimit dhe korrupsionit. Por me publikimin e raporti nga FINCEN, SHBA jep një mesazh të qartë për të gjithë politikën se ata kanë në dorë dokumente dhe të dhëna për çdo situatë të ndodhur në vendin tonë që më 1990 e deri më sot. Jo më kot në raportet e DASH thuhet se pushtetarë shqiptarë janë të lidhur me krimin dhe janë të korruptuar. Por me SPAK thuhet se do hapen të gjitha çështjet e bujshme dhe SHBA po tregon se ka dijeni mbi të gjithë skemën piramidale të 1997. Po ashtu, amerikanët kanë rënë dhe në gjurmët e parave dhe po tregojnë se janë të përfshirë zyrtarë të lartë, ku në atë kohë president ishte Sali Berisha dhe qeveria varej prej tij. Në ditët në vijim gazeta do tregojë fakte mbi rolin që kishte qeveria në firmat piramidale të 1997./Kliti TOPALLI

Amerikanët fundosin Berishën, zbardhin skemën e pastrimit të parave me firmat piramidale, më 1997 u fshehën 20 mln dollarë Read More »

Rama u prish pushimet ministrave, ja thirrja që u ka bërë

Kryeministri Edi Rama ka thirrur ne kete fund gushti ne mbledhje ministrat e tij në një takim informal analize të 300- ditëshit të parë të mandatit të dytë të tij në vilat qeveritare në Vlorë.

Të hënën, ministrat dhe stafet e tyre u kthyen në punë pas pushimeve gati dyjavore. Një vit më parë, pas shpalljes së kabinetit të ri, Kryeministri zhvilloi dy takime të tilla në Llogara dhe në Shëngjin, pak ditë më vonë.

Takimet i shërbyen hartimit të prioriteteve të qeverisë dhe programit qeverisës, që u prezantua nga Kryeministri me nisjen nga puna të Parlamentit të ri.

Në vitin e parë qeverisës, Kryeministri vijoi punën e tij me të njëjtin kabinet, pa bërë asnjë ndryshim ministrash.

Rama u prish pushimet ministrave, ja thirrja që u ka bërë Read More »

Nard Ndoka bën paralajmërimin e fortë: Largohu me vapën e gushtit, në shtator vjen…

Deputeti i PD, Nard Ndoka përmes një postimi në rrjetin social, “Facebook” ka hedhur akuza dhe ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama, se në shtator do të ketë një aksion të fortë opozitar.Teksa e ka etiketuar me termin “dordolec”, Ndoka i ka kërkuar kryeministrit që të largohet sa më shpejt. Ndoka nga ana tjetër ka akuzuar kryeministrin, duke u shprehur se është personi përgjegjës për dështimin e zbatimit të ligjit në vend.

Shtet ligjor, apo shtet dordolecash?! Dordoleci vihet kryesish në kopshte e ara të mbjella për të trembur shpendët. Edi Rama ka ndërtuar një shtet “ligjor” dordolecash, në qënder ka vendosur vetën për të trembur të tjerët; drejtuesit e institucioneve, n?pun?sit, qytetarët dhe këdo tjetër. Promovon në teori shtetin ligjor; me ligje, vendime e udhëzime, por në praktikë; vendos një dordolec në krye për të frikësuar të tjerët dhe asgjë më shumë.

Burg për ato që abuzojnë me energjinë elektrike; vendos “dordolecin”, si standard. Burgos qytetarë, i detyron të vetvritën dhe i varfëron pafund; por dordolecin nuk e kanë frikë oligarkët që vjedhin energjinë elektrike, haptazi dhe me bekimin e dordolecëve. Burg për ato që ndërtojnë pa leje; dordoleci përseri mbi kokat e qytetarve, por oligarkët shembin shtëpi dhe ndërtojnë kulla, presin pemë dhe ndërtojnë pa leje, zgjerohen duke shkatërruar përreth, dordoleci ul kokën përpara tyre, apo bashkëpunon me to.

Dordoleci i varur në çdo plazh për qytetarët; por oligarkët gllabëruan hapësirat publike. Humbën jetë njerzish në det, se mbi kullat e shpëtimit kishte dordolecë; jo ruajtës jete, si ligji e parashikon. E prapë dordoleci kryeminister, flet për shtet ligjor! Deshtove Edi Rama; premtove shtet ligjor, por ndërtove shtet dordolecash! Largoju sëbashku me vapën në Gusht, se në Shtator do fryjë erë e fortë për ty e dordolecat që ti kujton, se do të trembësh të tjerët.
Koha jote mbaroj, kuptoje kaqëgjë, se pastaj ti e din; dordoleci shkulet krejt lehtë!

Nard Ndoka bën paralajmërimin e fortë: Largohu me vapën e gushtit, në shtator vjen… Read More »

Balla sfidon PD: T’i drejtohet Prokurorisë në lidhje me akuzat për Begon

Kryetari i Grupit Parlamentarë të PS-së, Taulant Balla sfidoi sot Partinë Demokratike duke i kërkuar që t’i drejtohet Prokurorisë para se të shpifë në lidhje me akuzat e saj për lidhjet e tij me trafikantin, Edmond Bego.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla doli sot në një konferencë të përbashkët me dy deputetë të Bundestagut, duke mos anashkaluar përgjigjet në lidhje me arrestimin e biznesmenit Edmond Bego në Greqi.

Në fjalën e tij, Balla tha se “në fund të kësaj historie sikurse kam thënë do keni një pjesë të “babale” të serisë tre. Pse? Sepse kjo është e qartë, personi në Shqipëri nuk ka qenë në kërkim. Personi nuk është në kërkim ndërkombëtar në asnjë prej shërbimeve, sigurisht që pas përfundimit të verifikimit (që konventat ndërkombëtare parashikojnë 40 ditë verifikim), pyeteni personin vetë nëse ka pasur nevojë për mburojë politike.”

“Dhe këtu e konsideroj të mbyllur këtë çështje”, tha Balla duke vijuar se “mua me vjen keq qe ne politikanët shqiptarë përdorim jetën personale të kujtdo për qëllime politike. Për ne, ligji është njësoj për këdo”.

Më tej, Balla thekson se “nëse Partia Demokratike ka dyshime, duhet të mësoj që të ofrosh mburojë politike apo të pengosh zbatimin e ligjit për kundrejt një personi me vepër penale dhe në momentin që njihesh me një vepër penale, detyra e kujtdo është që të shkojë në prokurori dhe të bëjë kallëzim penal.”

“Unë e ftoj sot, madje e sfidoj Partine Demokratike të shkojë në prokurori sikurse ndodh edhe në Gjermani për një vepër penale”, ritheksoi Balla.

Një ditë më parë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh  se  “Taulant Balla duhet të japë sqarime për lidhjet e tij me trafikantin e rrezikshëm ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego./atsh

Balla sfidon PD: T’i drejtohet Prokurorisë në lidhje me akuzat për Begon Read More »

Politika uron festën e Kurban Bajramit

Politikanët shqiptarë uruan sot festën e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot paradite një vizitë në Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ku u prit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Skënder Bruçaj.

Presidenti Meta përcolli urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, duke shprehur njëkohësisht besimin që ditë të tilla të sjellin më shumë mirësi, mirëkuptim, harmoni e dashuri në familjet shqiptare, si dhe të forcojnë modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës mes bashkësive fetare në vendin tonë.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Mesazhi që sjell kjo ditë mjaft e rëndësishme e besimit islam, jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë qytetarët tanë, është mesazhi i solidaritetit, i bashkëpunimit, i vëmendjes sidomos për ata të cilët kanë më shumë nevojë për t’u përfshirë, për t’u përkrahur, për t’u ndihmuar. Sot është një ditë, e cila gjithashtu dëshmon për bashkëjetesën tonë të shkëlqyer ndërfetare, që ka në themelet e saj vlerat më të mira njerëzore dhe hyjnore”, tha ai.

Në këtë ditë simbol të sakrificës, devotshmërisë dhe mëshirës, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, tha se “sot dhe çdo ditë le të tregojmë më shumë vëmendje e përkujdesje për më të dobëtit e të pamundurit dhe të solidarizohemi me të gjithë ata në nevojë për një shoqëri më të drejtë e më të zhvilluar, për më shumë paqe e prosperitet”.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkë me urimin për festën e Kurban Bajramit, tha se “sot në Festën e Flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit në Zot, mendimet dhe lutjet e mija shkojnë në veçanti tek të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit”.

“Mesazhi i kësaj feste dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti dhe dashuri për Atdheun, familjen dhe njëri-tjetrin. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë”, tha Basha.

Edhe Kryetarja e LSI-së  Monika Kryemadhi uroi besimtarët për festën e Kurban Bajramit.

“Në këtë ditë të sakrificës dhe të flijimit të ditës së Kurban Bajramit dua tu uroj paqe, begati, mirësi dhe të ndajmë mirësinë me njëri-tjetrin, të ndajmë begatinë me njëri-tjetrin dhe të largojmë urrejtjen dhe dëshpërimin nga njëri-tjetri. Sot në këtë ditë të shënuar, e cila në njëfarë mënyre na kujton të gjithëve të reflektojmë, që jemi të barabartë përpara Zotit, le të jemi përsëri vëllezër me njëri tjetrin, të jemi përsëri të angazhuar me njëri-tjetrin për të bërë mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë”, tha Kryemadhi./atsh

Politika uron festën e Kurban Bajramit Read More »