Politike

Meta: Ngjarje historike,zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni

Presidenti Ilir Meta i dërgoi sot një mesazh urimi Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, për përmbylljen me sukses të procesit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku dhe gjuha shqipe zë zyrtarisht vendin e saj të merituar në Maqedoni.

Presidenti vlerësoi se “kjo është një ngjarje historike dhe kuptimplote për shqiptarët, një arritje e madhe dhe e rëndësishme që i kontribuon demokracisë dhe garantimit të të drejtave të barabarta për qytetarët e të gjitha kombësive që jetojnë në Maqedoni”.

Kjo arritje, tha ai, përbën gjithashtu një hap shumë të rëndësishëm në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të orientuar drejt vlerave euroatlantike dhe në rastin konkret, sipas Presidentit Meta, demonstruan një maturi të admirueshme dhe qëndrim konstruktiv.

“E vlerësoj jashtëzakonisht shumë rolin që Ju personalisht keni luajtur në këtë drejtim, duke i bërë krenarë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë”, u shpreh Meta. /atsh

Meta: Ngjarje historike,zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni Read More »

Opozita kërkon debat për dekretet/ Ruçi: Kundër rregullores, s’ka asnjë precedent nga 1989-a

Kuvendi nisi Seancën e Jashtëzakonshme me kërkesën e kryetarit të grupit Parlamentar të PD-së Edmond Spaho dhe kryetarit të grupit të LSI-së Petrit Vasili me kërkesën për emërimin dhe shkarkimin e ministrave me debat.

Në fjalën e tij, Spaho tha se opozita ka dërguar kërkesën që kjo seancë e jashtëzakonshme të zhvillohet me debat, madje ka paraqitur edhe listën e grupeve parlamentare.

Po ashtu dhe kryetari i grupit të LSI-së Petrit Vasali u shpreh se pasi ka komunikuar me stafin e Kryetarit të Kuvendit, ka depozituar listën e deputetëve që kërkojnë fjalën, bazuar sipas tij, në rregulloren e Kuvendit.

Nga ana tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se opozita duhet të respektojë rregulloren.

“Kur citohet këtu në emër të rregullores, duhet të citoni një nen të saj”, tha Balla.

Ndërkaq, Kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh sot në Kuvend, në përgjigje të kërkesës së opozitës të cilët kërkuan debat për dekretet e Metës për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj, se kjo nuk ka ndodhur kurrë në të kaluarën.

Ruçi tha se nga viti 1989 nuk ka ndodhur asnjëherë që dekretet e presidentit të shoqërohen me debate.

Sipas tij, rregullorja parashikon vetëm votimin për emërimin dhe shkarkimin e ministrave. “Kërkova precedentët e kaluar të seancave plenare. Nga 1989 deri në 2018, 37 seanca parlamentare për emërime dhe shkarkime ministrash, pra me 160 dekrete. Kjo që kërkoni ju nuk ka ndodhur kurrë. Nuk parashikohet në asnjë nen të rregullores”, u shpreh Ruçi./atsh

Opozita kërkon debat për dekretet/ Ruçi: Kundër rregullores, s’ka asnjë precedent nga 1989-a Read More »

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për kadastrën”

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar kthimin në Kuvend të ligjit “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij.

Presidenti i Republikës thotë se ka vlerësuar përputhshmërinë e ligjit “Për kadastrën” me Kushtetutën, dhe në përfundim të shqyrtimit çmon se disa nene të veçanta të këtij ligji bien në kundërshtim me legjislacionin bazë të së drejtës civile në Republikën e Shqipërisë; cënojnë parimin e sigurisë juridike; krijojnë tension kushtetues; si dhe nuk janë në harmoni me jurisprudencën kushtetuese.

Për arsyet e sipërcituara, Presidenti i Republikës vlerëson se të gjitha dispozitat e ligjit “Për kadastrën” që referojnë tek projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, duhet të rishikohen në tërësi nga Kuvendi së bashku me projektligjin që është në proces shqyrtimi, me qëllim shmangien e kësaj gjendjeje të theksuar pasigurie dhe përshtatjen e dispozitave të ligjit të miratuar sipas përmbajtjes dhe në shqyrtim paralel me projektligjin që pretendohet të miratohet dhe që është ende në shqyrtim. /atsh

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për kadastrën” Read More »

Kuvendi do të zhvillojë nesër në orën 17:00 një seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi do të zhvillojë nesër në orën 17:00 një seancë të jashtëzakonshme ku do të votohen dekretet e Presidentit për lirim dhe emërimit të ministrave dhe zv/Kryeministrit.

Bazuar në Rregullores së Kuvendit, me kërkesë të Kryeministrit, Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm.

Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë urdhrin me rendin e ditës të përcaktuar.
Në kërkesën e tij drejtuar Kuvendit Kryeministri thekson se, motivi i paraqitjes së kësaj kërkese lidhet me shqyrtimin dhe miratimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të disa ministrave, në kuadër të ristrukturimit organik të qeverisë, për zgjerimin e objektivave të qeverisë në frymën e reformimit, përmirësimit dhe transformimit të shërbimeve, zgjerimin e kapaciteteve dhe rritjen e efikasitetit të punës.

Në mbështetje të rregullores se Kuvendit, Kryeministri kërkon thirrjen e mbledhjes së Kuvendit dhe mbajtjen e seancës plenare, për votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim zëvendëskryeministri dhe të disa ministrave.

Thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, krahas garantimit të respektimit të afateve kushtetuese për shqyrtimin e dekreteve të lirim/emërimit çmoj se i shërben funksionimit normal dhe me kapacitet të plotë të kabinetit qeverisës./atsh

Kuvendi do të zhvillojë nesër në orën 17:00 një seancë të jashtëzakonshme Read More »

Brace: “Një klasë nuk mund të bllokojë një Fakultet; disa klasa në disa fakultete nuk mund të bllokojnë një Universitet”

Një grup studentësh ka vendosur që të vijojnë me bojkotin e mësimit dhe ngujimin në fakultet.

Lidhur me këtë, ka reaguar zv/ kryeministri Erjon Braçe duke u shprehur se një klasë nuk mund të bllokojë një fakultet.

“Me Studentët. Një klasë nuk mund të bllokojë një Fakultet; disa klasa në disa fakultete nuk mund të bllokojnë një Universitet; 5 universitete nuk mund t’u djegin vitin 60-70 mijë studentëve! Një klasë përballë 70 mijëve është e padrejtë, e pandershme, e dhunshme partiake”, deklaron Braçe./atsh

Brace: “Një klasë nuk mund të bllokojë një Fakultet; disa klasa në disa fakultete nuk mund të bllokojnë një Universitet” Read More »

Kryemadhi: Bëri thirrje që çdo qytetar të harrojë idealin politik dhe të sakrifikojë edhe jetën për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë në Shqipëri

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dhënë një mesazh të fortë gjatë fjalës së saj në konventën e partisë.

Kryemadhi tha se vendi ndodhet në një nga momentet e tij më të vështira, ndërsa bëri thirrje që çdo qytetar të harrojë idealin politik dhe të sakrifikojë edhe jetën për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë në Shqipëri.
Sipas saj, partia qe drejton që e ka emrin LSI është ajo parti politike, “e cila në asnjë moment nuk do të tradhtojnë gjakun e mijëra burrave dhe grave që dhanë për Shqipërinë tonë të pavarur dhe krenare”.

Kryemadhi ka garantuar se “kjo parti s’do të tradhtojë kurrë flamurin që valëvitet krenar dhe që qeveria e krimit kërkon t’i uli kokën. Ju qe keni këtu, japim fjalën sot në emër të LSI, votuesve tanë që ne nuk tradhtojmë Shqipërinë, vendin tonë”.

“Sot vendi ka një nga momentet e tij më të vështira, prandaj ne duhet të harrojmë idealin politik, sot e vetmja ideologji që duhet të qarkullojë, jo vetëm në LSI, por në gjithë klasën politike është vetëm një Shqipëria është shtëpia jone, atdheu, familja që duhet të kujdesemi si kujdesemi për shtëpinë tonë.

Them sot një përkrahje të madhe për studentët që na dhanë dinjitet, shpresë, por mbi të gjitha na dhanë besim që të bashkuar do të fitojmë, jo politikisht, por për të fituar patriotikisht se sot është në diskutim çështja e vendit. Duhet të sakrifikojmë çdo gjë, edhe jetën, se çdo prind e jep jetën për të ardhmen e sigurt të fëmijëve të tij. Ju e dini shumë mirë se Shqipërisë iu premtuan 300 mijë vende pune, nuk pamë, por pamë mbi 400 mijë shqiptarë të larguar, por mijëra biznese të mbyllura dhe falimentuara, lot nënash që qanin se nuk kishin mundësi të ushqenin fëmijët,”– tha Kryemadhi ndër të tjera.

Kryemadhi: Bëri thirrje që çdo qytetar të harrojë idealin politik dhe të sakrifikojë edhe jetën për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë në Shqipëri Read More »

Presidenti Hashim Thaçi: Në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe lavdisë

Presidenti Hashim Thaçi tha se në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe lavdisë, në saje të sakrificës së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982.

“Ndërkaq, sot e 35 vjet më parë, në një qëndresë heroike përballë aparatit policor serb e jugosllav, ranë trimërisht dy veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Rënia e tyre u bë motiv shtesë për brezat që kishin ideal çlirimin e Kosovës. Lavdi heronjve të Janarit”, tha Thaçi./KosovaPress

Presidenti Hashim Thaçi: Në historinë e re të Kosovës, janari hyri si muaj i heroizmit dhe lavdisë Read More »

Rama: “Shpresojmë në çeljen e negociatave në 2019”

“Ne shpresojmë që ky vit të kurorëzojë një proces që duhet të ishte bërë vitin e shkuar dhe bashkë me zgjedhjet europiane të mbarojë edhe kushtëzimi i çeljes së negociatave të Shqipërisë”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, Kryeministri Rama u shpreh se “patjetër që çelja e negociatave është një sfidë e jona”.

“Ne morëm ftesën pa kushte nga BE dhe pastaj morëm një shtyrje të procesit, por me mirëkuptimin që të fillojë procesi ‘screening’, njëlloj si të kishim hapur ‘de facto’ negociatat. Ne i kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë detyrat e shtëpisë, pasi ky është një proces që nuk mbaron. Jemi të vetëdijshëm për këtë”, – tha Rama.

Por, sipas tij, “jemi po kaq të qartë edhe për faktin se disa vende të mëdha i kanë të gjitha instrumentet t’i thonë gjërat si duan dhe t’i ndryshojnë fjalët si të jetë nevoja”.

“Dhe duke qenë të mëdha, dhe duke pasur shumë më tepër fuqi për t’i komunikuar gjërat, patjetër që nuk është problemi më i madh se çfarë pasojash krijon kjo te një vend si i yni, apo si Kosova, që i është premtuar liberalizimi i vizave dhe fjala nuk është mbajtur. Apo si Maqedonia që ndërroi emrin dhe ende sot është në të njëjtën pozitë si ne. Unë shpresoj shumë që burimet tona të mëdha të frymëzimit, vendet tuaja të BE-së, të jenë burime shtyse dhe energjie pozitive që ne të çelim negociatat dhe të shkojmë më tutje”, – tha Rama. /atsh

Rama: “Shpresojmë në çeljen e negociatave në 2019” Read More »