Politike

Shqipëria ka përmbushur çdo kusht për hapjen e negociatave

Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj e cilëson raportin e Këshillit të Europës si dëshmi se Shqipëria ka përmbushur çdo kusht për hapjen e negociatave.

“Vlerësimi pozitiv dhe rekomandimi pa kushte për hapjen e negociatave për anëtarësim, dëshmon se Shqipëria ka përmbushur çdo kusht për hapjen e negociatave.

Vlerësim dhe falënderim për objektivitetin e atyre që ndjekin përditë, me kujdes dhe seriozitet, atë që bëhet dhe ndodh këtu.”, shprehet Hodaj.atsh

Shqipëria ka përmbushur çdo kusht për hapjen e negociatave Read More »

Basha: Negociatat nuk do të hapen në qershor

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se beteja e opozitës nuk është për karrigen e një partie, por që pushteti t’i takojë çdo qytetari. Duke folur në një takim në Fier, Basha vuri në dukje se gjendjen në vend e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel.

“Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Europian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antieuropiane”, tha Basha.

Sipas tij, Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave, sepse “e di fare mirë se ç’ka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin”. /atsh

Basha: Negociatat nuk do të hapen në qershor Read More »

Hapja e negociatave për anëtarësim në BE, Thaçi uron Shqipërinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar Shqipërinë dhe Kryeministrin Edi Rama për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Ky rekomandim uroj të shndërrohet në vendim nga ana e Këshillit të Bashkimit Europian, që Shqipëria në mënyrë meritore të bëhet pjesë e familjes evropiane”, ka shkruar Presidenti Thaçi. /KosovaPress/

Hapja e negociatave për anëtarësim në BE, Thaçi uron Shqipërinë Read More »

Haradinaj: Bashkimi kombëtar Kosovë-Shqipëri, projekt i shekujve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për një bashkim të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë.

Në një konferencë për mediet, Haradinaj deklaroi se çështja e bashkimit kombëtar është një projekt shekullor dhe se Kosova dhe Shqipëria duhet t’i heqin pengesat burokrate.

“Për çështjen e bashkimit kombëtar mund të them se është projekt i shekujve por në etapën që ndodhemi mendoj se është e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria ta thellojnë bashkëpunimin e gjithanshme, t’i heqim pengesat burokratike, administrative e të tjera ose ta heqim taksën e rrugës që e kanë nxjerrë për qytetarët e Kosovës”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se vetëm përmes veprimeve konkrete fuqizohen lidhjet Kosovë-Shqipëri.

“Do ishte mirë me vepru kështu ma konkret dhe me ndihmu lidhjen më të fuqishme ekonomike e gjithanshme Kosovë-Shqipëri”, tha Haradinaj./KosovaPress/

Haradinaj: Bashkimi kombëtar Kosovë-Shqipëri, projekt i shekujve Read More »

Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë

Komisioneri Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, duke lexuar progres raportin për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deklaroi sot se “Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Sipas Komisionerit Hahn, progresi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e kritereve të paracaktuara është mbresëlënës. Sipas tij, kusht i vetëm mbetet vijueshmëria e reformave.

“Shumë vende kanë arritur kriteret që kemi vendosur dhe në veçanti Ballkani Perëndimor. Angazhimi ynë ka dhënë rezultate konkrete. Kemi dhe arritje historike, kemi shumë sfida që mbeten ende të hapura dhe paketa e sotme tregon se duhet ecur mbi këto udhëzime”, tha Hahn.

Ai deklaroi se Shqipëria ka bërë progres me Reformën në Drejtësi dhe procesin e patjetërsueshme të vetingut. “Ky është një shembull edhe për vendet e tjera”, deklaroi Hahn.

“Në nivelin strategjik duhet t’i japim merita vendeve për atë që kanë arritur ashtu sikurse duhet theksuar se sigurisht që vendet, respektivisht do të duhet të japin rezultate”, vijoi Hahn.

“Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me lejoni t’ju them se të dyja vendet kanë ecur pozitivisht me rekomandimet, sigurisht duhet të ecet më tej me çështjet problematike. Duhet të ketë rezultate më të qëndrueshme për sundimin e ligjit, për stabilitetin në rajon”, tha ai.

“Të dyja vendet kanë dhënë rezultate mbi reformat dhe ato pika që i kemi caktuar në vitin 2018. Ne mbi këtë bazë rekomandojmë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ato duhet të mbeten të fokusuara në vijueshmëri me reformat e ndërmarra. Dua të shoh më shumë progres dhe duhet të vijojë implementimi reformave”, theksoi Hahn. “Ky është kushti për të ecur përpara në rrugën europiane dhe për të vijuar me kapitujt e negociatave që janë 23-24 të tillë”, theksoi Hahn.

“Ne nuk mund të importojmë në BE problemet mes fqinjëve, kjo është urgjente për vendet e Ballkanit Perëndimorë”, theksoi Hahn. “Përshëndesim me këtë rast marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ekonomia ka probleme në Ballkanin Perëndimor dhe kjo nuk lejon që këto vende të përfitojnë plotësisht nga avantazhet që i japim ne (BE). Duhet luftuar papunësia dhe duhet forcuar stabiliteti ekonomik si bazë për stabilitet politik”, vijoi Hahn./atsh

Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë Read More »

Letra e gjashtë publike Lulzim Bashës

LETER E GJASHTE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti kryetar,

letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit.

S’ka mbetur nga ana ime ndonjë gjë e rëndësishme pa shkruar në këto letra dhe çka mbetet ende ndoshta, është detyrimi për të përmbledhur disa nga gjërat kryesore që janë thënë e shkruar.

1. Dy vjet më parë Ju bëtë fiks të njëjtën gjë dhe fiks për të njëjtat arsye: Paniku nga zgjedhjet dhe frika nga drejtësia. Asokohe kishit ikur nga Kuvendi dhe ishit mbledhur në Çadrën e Republikës së Re, për të mbrojtur drejtësinë e vjetër duke refuzuar të votoni Vetingun. Dihet si shkuan gjërat, s’po zgjatem.

2. Sivjet Ju i jeni rikthyer po atij avazi, por nga një nivel i ri papërgjegjshmërie, me mandate të djegura, bojkot zgjedhjesh dhe kërcënime për të ndaluar forcërisht popullin të zgjedhë në 30 qershor. Përsëri frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia, Ju kanë qorruar e shurdhuar dhe shtyrë në rrugën e një lufte imagjinare çlirimtare nga tirania! Të cilën duhet ta bëni me veten ne fakt, për të përmbysur tiraninë e frikës brenda Jush, sepse Shqipëria s’është në duart e asnjë tiranie, po në duart e një shumice të zgjedhur demokratikisht, për të qeverisur deri në vitin 2021.

3. Siç e shihni dhe vetë, mbështetja Juaj në aventurën pa rrugëdalje vjen duke rënë, e sado t’i tërhiqni e t’i shtriqni trupat e ndjekësve si çamçakiz në bulevard, për të krijuar efekte fotografike e televizive masiviteti, nuk bëni tjetër veçse gënjeni veten Tuaj dhe ata që duan të gënjehen me idenë, se disa mijëra punonjësit e bashkive blu dhe masa modeste e militantëve bashkëngjitur tyre, janë populli i Shqipërisë në protestë kundër qeverisë! Kjo gënjeshtër mund t’Ju mbajë me gajret edhe për ca kohë, Juve e lidershipin politik të grupimit Tuaj. Por besomëni që zgjimi nga ëndrra me sy hapur e largimit të qeverisë pa zgjedhje apo e moslejimit të zgjedhjeve, do të jetë shumë i dhimbshëm për atë grupim e për Ju si udhëheqësi i saj, nëse do të vijoni shurdhërisht në rrugën pa dalje, ku po marshoni verbërisht.

4. Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkarisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po!

5. Jini i sigurtë zoti Lulzim se zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim. Vetingu dhe Reforma në Drejtësi do të vijojnë pa asnjë lëkundje, asnjë ndalesë dhe asnjë rishikim, për sa kohë koha nuk do të sjellë nevojën për ndërhyrje të mundshme në korpusin ligjor të drejtësisë dhe vetëm me konsensusin e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Kujtesë: Shqipëria duhet të hapë negociatat për anëtarësim patjetër këtë vit dhe fatkeqësisht, Ju po bëni çmos t’i pengoni ato. Por jini po ashtu të sigurtë se populli shqiptar, përfshirë edhe çdo demokrat të arsyeshëm, që kurrë s’ka votuar e mbase s’do votojë ndonjëherë për Partinë Socialiste, nuk ka për t’Jua falur një paudhësi të tillë.

Shqiptarët janë shumë më të mençur se sa për fat të keq, shumë gabimisht, politikanë e parti të ndryshme i kanë kujtuar në momente të ndryshme të historisë së zhvillimeve demokratike. Mos e nënvleftësoni forcën e gjykimit dhe fuqinë e ndëshkimit të tyre, sepse çfarë keni parë e provuar në zgjedhje të shkuara, do t’Ju duket lule në krahasim me mësimin që do merrni kur t’Ju kërkoni përsëri votën një ditë, nëse s’do të ktheni rrugë sot përpara se sa nesër të jetë shumë vonë.

Me shëndet,

Edi Rama

27 maj, 2019

Letra e gjashtë publike Lulzim Bashës Read More »

Klevis Balliu: Rama po i hedh benzinë zjarrit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i kryesisë së saj, Klevis Balliu, i ftuar në News 24, ka komentuar protestën e djeshme të opozitës së bashkuar si dhe letrën më të fundit të kryeministrit Edi Rama drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas Balliut, kryeministri Edi Rama është në test dhe se letra e sjellë nga ai do t’i vërë flakën pushtetit të tij.

“Nuk ka asnjë mënyrë, apo cep apo dialog që e nxjerr Edi Ramën kryeministër. Sot, ai është në test. Letra e fundit që ai solli, ishte një turp dhe një provokim i pastër për datën 31 . Rruga që ka zgjedhur nuk do bëjë asgjë tjetër veçse do t’i vëjë flakën pushtetit të tij.

Nëse ai mendon se mendon se do mund të luajë me ndjenjat, sakrificat dhe fëmijët e këtyre banoprëve me disa letra, bën shumë gabim. Po ashtu edhe banorët e bregut të Lumit që ende nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim, të cilët janë ende në rrugë.

Ai nuk bën gjë tjetër veçse se i hedh benzinë zjarrit që është në revoltat e tyre. Unë nuk ndaloj dot asnjë qytetar të shprehë revoltën e tij ndaj një pushteti të inkriminuar dhe të degraduar. Ne kërkojmë zgjedhje. Nuk mund të kemi zgjedhje me një njeri që nuk bën zgjedhje në partinë e tij. Ai vodhi paratë, tani do të vjedhë edhe demokracinë.

Nuk mund të flasim për pasojat pa folur për shkakun. Nuk është faji ynë që rritet numri, ka qenë nga Presidenca te sheshi “Skëndërbej”, nuk është parë kurrë ky numër. Është ai arkitekti i kriminalizimit të parlamentit dhe kapjes së drejtësisë”, deklaroi Klevis Balliu.

Klevis Balliu: Rama po i hedh benzinë zjarrit Read More »

Basha: Ne jemi populli i Europës, asnjë hap pas

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha një ditë pas protestës në kryeqytet se “forca jonë është bashkimi, forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa”.

“Asnjë hap pas”, tha ai, në një reagim pas protestës së 25 majit.

“Ne jemi Populli i Europës, ne jemi Populli i Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera, besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu”, tha Basha.

“Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë. Beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i njeriut të lirë. Beteja me të keqen, po e çliron dhe fisnikëron shoqërisë dhe kombit tonë”, tha kryetari i Partisë Demokratike. /atsh

Basha: Ne jemi populli i Europës, asnjë hap pas Read More »