Politike

Rama, letër të pestë publike Bashës

Zoti Kryetar,

në radhë të parë sinqerisht përgëzime për mbrëmë, sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa!

Por siç edhe me siguri e vutë re vetë, karvani i fitores Suaj imagjinare po firon pak e nga pak, çdo herë që sos në Tiranë dhe siç e kuptoni, njëkohësisht po firojnë edhe shanset e Dialogut mes nesh. Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë.

Sidoqoftë shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët. U bënë muaj që vini vërdallë, bashkë me punonjësit e bashkive blu e me ca katranë me bojë, duke goditur Shqipërinë ndërkombëtarisht dhe ngritur pikëpyetje të madhe tek miqtë europianë, lidhur me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian; duke cënuar veprimtarinë ekonomike të vendit dhe turizmin në veçanti; duke trazuar një popull të tërë me hallin absurd se çfarë do të ndodhë e çfarë do të digjet kur të sosni në Tiranë herën tjetër…

Përveç këtyre sukseseve, që mund t’i thelloni më tutje nëse e vijoni këtë avaz dhe rënies së mëtejshme të mbështetjes së grupimit Tuaj politik, çfarë keni arritur ose mund të arrini tjetër apo le të dalë ku të dalë?

Parlamentin e keni ndaluar dot të funksionojë normalisht?
Jo, madje në seancat e të enjtes ka më shumë prezencë në anën e djathtë të sallës, se sa ç’kishte deri kur Ju e braktisët.

Qeverinë e keni ndaluar dot të vazhdojë punën normalisht?
Jo, madje e vërteta është se edhe të enjten, që na e kishit imponuar si ditë për lojë luftash, kur duhet të merreshim me baltën, çizmet, bojën, glasat e vezët Tuaja në Kuvend, e kemi ditë kuvendore normale.

A mos vallë më keni larguar mua dot?
Po, kjo po, më keni larguar mbrëmë me balonat që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik”, nën tingujt ëngjëllorë të vuvuzelëve të paqes, teksa pllaka e gramafonit Tuaj rilajmëronte fundin e afërt të tiranisë me përkrahjen mbarëbotërore për largimin tim drejt qiellit, kurse fallxhorja Juaj i rrëfente popullit se në një filxhan amerikan ishte iluminuar mbi dhunën, që Zoti e dënon si shembëlltyrë të Djallit!

Gjithësesi, pa u zgjatur me çka Ju kam stërshpjeguar nga ana ime në katër letrat e mëparshme, shoh të udhës të nënvizoj si vijon:

E para, nëse nuk ulemi në Tryezën e Dialogut edhe këto pak ditë që kanë mbetur, Ju mund të vazhdoni të lëshoni balona e të ndizni dritat e celularëve të shpresës se qielli do më përpijë mua, njësoj balonat dhe nga qielli bum, do bjerë dhuratë për Ju fitorja që me votë meazallah se e arrini dot. Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë – protestave seriale kundër zgjedhjeve, me frikën nga drejtësia si karikues për bateritë tuaja. Ndërsa ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i latë ju, s’mund t’i lemë edhe ne rrugëve dhe do të vazhdojmë të qeverisim, me të gjitha bateritë e karikuara për katër vjet, deri në qershorin 2021.

E dyta, zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhe! Sepse Kushtetuta e Republikës sonë nuk lejon askënd t’i shtyjë, kurse ligji dënon rëndë këdo që prek qoftë edhe një kuti votimi. E meqë ra fjala, ata miqtë gjermanë të Shqipërisë në partinë Tuaj simotër, bëni mirë t’i dëgjoni kur Ju sugjerojnë dialog pa kushte, e jo të abuzoni publikisht për të çoroditur dynjanë, duke spekulluar me opinionet e tyre krejt miqësore! Se jo për gjë po ja, erdhi dita kur 61 kandidatët e mijëra këshilltarët e Partisë Socialiste do të jenë në Tiranë, për t’i rënë gongut të vrapimit drejt 30 qershorit dhe pastaj s’mbetet asnjë mik në botë, që të harxhojë më kohë as për opinione miqësore.

E treta dhe e fundit, mos mendoni Ju lutem për asnjë moment se 30 qershori nuk do të vijë apo do të kalojë pa zgjedhje. Një dritëshkurtësi e tillë mund t’i lejohet udhëheqësit Tuaj të currufjasur, i cili zhubravitet papushim nga mllefi i patretshëm qysh prej ikjes nga pushteti me 1 milionë shpulla dhe cfilitet përditë, nga tmerri i pangushëllueshëm i trokitjes së drejtësisë në derë. Po kjo s’ka si t’Ju falet Juve që të nesërmen e 30 qershorit, do të gjykoheni nga ndjekësit Tuaj për se si ka mundësi, që i dorëzuat pa betejë elektorale tërë bashkitë e Shqipërisë! E aty pastaj kam frikë se edhe tërë pasojat e xhindosjes së atij marroqit dixhital ndaj meje e Partisë Socialiste, do t’i hani Ju si fajtori i madh i një disfate katastrofike.

Mos gënjeni veten më tutje i dashur Lulzim, koha po mbaron dhe mbytja e anijes Suaj sapo ka filluar. Ka ende një mundësi të vogël për Dialog përpara se sa vetë ndjekësit Tuaj, t’Ju flakin të parin në ujrat thithës ku e keni futur qorrazi atë anije.

Edi Rama

Post Scriptum: Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë:-)

26 maj, 2019

Rama, letër të pestë publike Bashës Read More »

Braçe: Dhe pak dhe do të nisë “Luli ik”

Dhe pak dhe do nisë ‘Luli ik”, deklaroi sot zëvendëskryeministri Erion Braçe, ndërsa shpërndau pamje me dron nga protesta e opozitës.

Braçe u ndal te pjesëmarrja në protestën e opozitës, duke deklaruar se “droni të bën gjëmën.

“Kalifati 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 . . . . . Droni të bën gjëmën, të gjen ku je, të numëron një nga një, edhe me dritat e telefonit të shtrenjte “smart”! Lyrzim, Tik Tak, Tik Tak, Tik Tak …… Mos harro 30 qershorin”, u shpreh Braçe.

“Dhe pak dhe do të nisë “Luli ik”, dhe pak dhe për atë tjetrin vjen fundi. Boll 30 vjet me të”, tha Braçe./atsh

Braçe: Dhe pak dhe do të nisë “Luli ik” Read More »

Kush cenon një mandat popullor, ta harrojë se mund të flasë për demokraci

Zëvendëskryeministri, Erion Braçe ka lëshuar akuza në drejtim të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke u shprehur se “Kush cenon një mandat popullor, legjitimitetin e certifikuar ndërkombëtarisht te tij, duhet ta harrojë se mund t’i flasë për demokraci, rregull e ligj, cilitdo qytetari në këtë vend”.

“Lulzim Basha paska folur për nder e dinjitet gjatë ushtrimit të detyrës ose banalisht gëzimit të pushtetit! Po a ka nder e dinjitet një ministër që pushkaton në mes të ditës, ju merr jetën që zoti ua fali, katër qytetareve pa faj që protestonin kundër mënyrës së ushtrimit të pushtetit prej tij?
A ka nder e dinjitet po i njëjti ministër që-siç dëshmon Presidenti i Republikës i kohës, përdori gjithë pushtetin për të penguar, dështuar e në fund moslejuar hiç, hetimin e krimit më barbar në bulevardin e Tiranës qysh nga koha e fashizmit?
Nderi e dinjiteti mos ekzistoftë kur për to flet një vrasës i tillë! Kush cenon një mandat popullor-legjitimitetin e certifikuar ndërkombëtarisht te tij, për ministrin që pushkatoi katër burra të pafaj në mes të bulevardit, duhet ta harrojë se mund t’i flasë për demokraci, rregull e ligj, cilitdo qytetari në këtë vend!”, shprehet Braçe.

Sipas tij, Lulzim Basha nuk kërkon zgjedhje në 30 qershor, por pushtet në tavolinë.

“Nëse ka një arsye qe ky është sot në opozitë, i pavotuar nga shqiptarët,
nëse ka një arsye që ky nuk do zgjedhje, por pushtet në tavolinë përmes dhunës barbare prej fashisti, ajo është unike:Nuk votohen vrasësit!
Në çdo kohë!”, vijoi ai./atsh

Kush cenon një mandat popullor, ta harrojë se mund të flasë për demokraci Read More »

Rama mesazh Bashës me vargjet e Tolstoit: Durimi nuk është pritje

Pas katër letrave publike drejtuar kreut të PD, Lulzim Basha, Kryeministri Rama ka postuar në rrjetet sociale një shprehej të shkrimtarit dhe mendimtarit rus Leon Tolstoi.

“Durimi nuk është pritje.
S’është të presësh duarkryq. Kjo është përtaci. Durimi është të vazhdosh kur vazhdimi është i vështirë dhe i ngadaltë.
Dy luftëtarët më të fuqishëm janë koha dhe durimi”.

Më herët, Kreu i Qeverisë përmes një letre të katërt publike ka ftuar kreun e opozitës Basha që të ulet në tryezën e dialogut pa vendosur kushte./atsh

Rama mesazh Bashës me vargjet e Tolstoit: Durimi nuk është pritje Read More »

Balla: Zgjedhjet me 30 Qershor janë detyrim Kushtetues, ndëshkim për këdo që cenon ato

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilluan një takim elektoral në Bashkinë Prrenjas, ku prezantuan kandidatin socialist për Bashkinë e Prrenjasit, Nuri Belba.

Në fjalën e tij Balla tha se Partia Socialiste ka marrë besimin e shqiptarëve për të bërë shtet.

“Shteti fillon nga respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve nga të gjithë. Zgjedhjet me 30 Qershor janë detyrim Kushtetues.

Askush nuk mund të dalë mbi Kushtetutën. Ligji jep ndëshkim shembullor për këdo që do të guxojë të cenojë zgjedhjet.

Edi Rama do të marrë në vitin 2021 mandatin e tretë qeverisës”, deklaroi Balla. /atsh

Balla: Zgjedhjet me 30 Qershor janë detyrim Kushtetues, ndëshkim për këdo që cenon ato Read More »

Meta: I gatshëm të dekretoj datë tjetër për zgjedhjet, dorëzoj edhe mandatin

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur sot gatishmërinë që të rishikojë Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretojë një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.

Me anë të një reagimi, Presidenti i Republikës përsërit shqetësimin e thellë mbi krizën kushtetuese, institucionale, politike dhe të përfaqësimit ku ndodhet vendi.

“Thellimi i dallimeve mes palëve dhe kokëfortësia për mohimin e kësaj krize kanë vështirësuar edhe më tej gjetjen e rrugëdaljeve të arsyeshme dhe të qëndrueshme nga kjo gjendje që po rrezikon stabilitetin dhe demokracinë në vend”, – shprehet Kreu i Shtetit.

Me angazhimin maksimal si Kreu i Shtetit, Meta thotë se, “kam bërë thirrje të përsëritura për prapësimin nga kjo rrugë e konfliktit, duke u ofruar për të dhënë çdo kontribut dhe për të bërë gjithçka që do të afronte palët politike drejt një zgjidhjeje, që ka në themel interesin kombëtar dhe rrugëtimin e pandalshëm europian të Shqipërisë”.

“Nxitur nga zhvillimet e djeshme, përshëndes dhe mirëpres angazhimin e shprehur të Parlamentit Gjerman për zgjidhjen e krizës, duke iu bashkuar thirrjes së tyre drejtuar të gjitha palëve politike në Shqipëri, për të marrë përgjegjësitë vendimmarrëse për të gjitha çështjet që lidhen me stabilitetin demokratik në vend, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pa përjashtuar asnjë temë”, – thekson Meta.

Gjithashtu, shton Meta, “si Kryetar i Shtetit, kam përgjegjësinë kushtetuese të respektoj dhe mbroj parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke evidentuar gjithashtu çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen”.

“Vlerësoj faktin që edhe Parlamenti Gjerman, ky institucion kyç i partnerit tonë strategjik, ka paralajmëruar se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik, duke u pamundësuar qytetarëve shqiptarë zgjedhjen mes alternativave konkurruese”, – shprehet Meta.

“Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”, – thekson ai.

“Unë kam përgjegjësi kushtetuese, që brenda caqeve që Kushtetuta më lejon, të siguroj respektimin, në formë e në përmbajtje, të Kushtetutës. Për mua bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal”, – nënvizon Meta.

“Bashkohem me thirrjen e Parlamentit të Gjermanisë se është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen, sepse nëse kjo nuk ndodh ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Europës”, – thekson Presidenti.

Ndaj, shton Meta, “me përgjegjësi për të ardhmen europiane të vendit; me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; me frymën e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror; shpreh angazhimin tim për të përmbushur përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar unitetin e popullit dhe parimet bazë të bashkëjetesës demokratike, që rrezikohen nga kriza politike në vend”.

“Në këtë kuadër, shpreh gatishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”, – thekson Meta.

“Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve”, – thotë Meta.

“U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit gjerman. Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme”, – shprehet Meta.

Presidenti nënvizon se, “ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”.

“Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, – përfundon Presidenti i Republikës. atsh

Meta: I gatshëm të dekretoj datë tjetër për zgjedhjet, dorëzoj edhe mandatin Read More »

Kryemadhi: Beteja e opozitës është për hapjen e negociatave me BE-në

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e kësaj force politike në njësinë nr. 11 në Tiranë tha se beteja e opozitës nuk është kryeministri Rama, por janë e ardhmja e shqiptarëve, hapja e negociatave për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.

“Protestat tona paqësore të cilat janë protestat më të bukura që ka pasur Shqipëria në të gjitha vitet e saj të tranzicionit do të sjellin ndryshimin. Ju bëj thirrje që të mos përfshiheni në elementët e dhunës, por të distancoheni nga dhuna, edhe pse njerëzit janë të mërzitur dhe të frustruar e iu ka ardhur ku nuk mban më se me çfarë ndodh në Shqipëri”, tha Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit, protesta e nesërme do të jetë një nga protestat më të mëdha të opozitës. /atsh

Kryemadhi: Beteja e opozitës është për hapjen e negociatave me BE-në Read More »

Rama, letër të tretë publike Lulzim Bashës

LETER E TRETE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti Kryetar,

kjo letër e tretë po shkruhet pas leximit të mesazhit Tuaj drejtuar dje qytetarëve, si përgjigje me spond ndaj letrave të mia në adresën Tuaj për t’u ulur në Tryezën e Dialogut.

E para gjë që mendova duke lexuar atë përmbledhje akuzash Tuajat ndaj meje, ishte si ka mundësi vallë udhëheqësi i një grupimi politik që pretendon të qeverisë vendin, të mund të hedhë kaq rrjedhshëm në letër një lumë të tërë gjysëm të vërtetash (gjysëm të vërtetat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha dihet!), sajesash, vulgaritetesh e veshëgjatësirash të hatashme(?)! Por unë fatmirësisht s’kam gisht në zgjedhjen Tuaj dhe prandaj edhe s’kam se si ta përjetoj keq personalisht, faktin se Ju jeni ky që jeni. Kështu që pa problem, asgjë personale!

Ama sigurisht, përjetoj me dhimbje faktin se tërë lumi i llumit në fjalë, është derdhur e vijon të derdhet në gjuhë të huaja, duke Ju bërë Juve të dytin udhëheqës në Europë pas udhëheqësit Tuaj, që i bën një të padëgjuar batërdi verbale vendit të vet – jo thjesht kundërshtarit të tij. Por është ende më i habitshëm fakti, se edhe pse megjithë këtë gjuhështhurrje ekstreme, Ju as i keni fituar, as do t’i fitoni dot deri kur të largoheni nga detyra votat e shumicës së shqiptarëve, ashtu sikundër as keni bindur e as bindni dot, asnjë mik e partner ndërkombëtar të Shqipërisë, Ju vazhdoni i bini fyellit po njësoj. Madje jo, i bini fort e më fort!

Sidoqoftë, për hir të njerëzve që me plot të drejtë presin nga udhëheqësit e çdo pale Dialog Politik, unë po e konsideroj mesazhin Tuaj një mundësi për të nxitur Dialogun. Aq më mirë që njerëzit mund të na lexojnë të dyve.

Ju e nisni mesazhin me “asgjësimin” e Gjykatës Kushtetuese dhe më atribuoni mua, “shpalljen hapur” të mendimit se “shqiptarët janë më mirë pa gjykata”! E pavërtetë!

E vërteta është se shqiptarët ishin de facto pa gjykata, për më shumë se dy dekada kur drejtësia, mu ashtu siç e donte udhëheqësi Juaj e jo vetëm ai, ishte një mall që i falej më të fortit dhe blihej nga më i pasuri. Ju keni edhe eksperiencë personale lidhur me këtë fakt dhe jeni një ilustrim kuptimplotë i tij!

Sot Shqipëria është e vërtetë po, nuk e ka ende funksionale Gjykatën Kushtetuese, por jo sepse unë nuk dua që ta ketë, po sepse trupa e Gjykatës Kushtetuese është fshirë në pjesën dërrmuese të saj nga Vetingu dhe është në procesin historik të rindërtimit pas rrënimit korruptiv, ashtu si i gjithë sistemi i drejtësisë. Problemi Juaj nuk është thjesht se nuk dini ç’do të thotë të rindërtosh pas rrënimit, çka sigurisht Ju nuk e dini për fat të keq. Problemi Juaj nuk është as se nuk doni ta kuptoni, që të rindërtosh nuk është një fjalë goje po një përpjekje e mundimshme, e cila kërkon durim e kohë. Çka fatkeqësisht nuk doni ta kuptoni, e qartë edhe kjo. Por jo, problemi Juaj është më i madh se mosdija dhe përtacia mendore.

Ju jeni i trembur!

Keni frikë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe përfaqësoni një grupim që udhëhiqet nga frika e kësaj reforme qysh ditën e parë të nisjes së saj. Por unë s’Ju ndihmoj dot në këtë pikë! Puna Juaj pse e keni tërë këtë lebeti në atë barkun e kasolles Suaj politike, kështu që kaq për Gjykatën Kushtetuese.

Vazhdojmë.

Edhe pse Ju jeni natyrisht në dijeni të disa gjyqeve që unë kam nisur me Ju (për shpifje sigurisht), në mesazhin Tuaj të djeshëm, keni grumbulluar shumë syresh. Prandaj, për hir të këtij komunikimi të hapur mes nesh, po Ju bëj me dije se do t’Ju ftoj në gjykatë për të sjellë qoftë edhe një provë të vetme për maskarallëqet që keni artikuluar në mesazhin Tuaj të djeshëm; që nga 30 milionë eurot që paskam dashur të vjedh e të pastroj në Amerikë me një kompani fallco(!) e me radhë të tëra, tek im vëlla që qenka zbuluar i lidhur me një grup kriminal trafikantësh droge(!), e deri tek negociatat e mia për kufijtë e Shqipërisë(!)dhe madje edhe të Kosovës!

Puna është se tërë këto shpifje e plot të tjera akoma, të cilat janë gatuar në kazanin Tuaj të stërmadh, janë derdhur nëpër kazanët e neveritshëm të mexhelisit tonë mediatik, janë përhapur si mbetje toksike sado e kudo ku keni mundur, në Shqipëri, në Kosovë dhe nëpër botë, Ju i quani “zbulime”!

Zbulime!

Pra na qenkeshin zbuluar dhe jo gatuar, paketuar e promovuar prej Jush e atyre që Ju rrethojnë dhe shërbejnë qorrazi, tërë këto të zeza për të cilat unë, sipas Jush, duhet të kisha dhënë të paktën 20 herë dorëheqjen me hir, kurse tani u dashka ta jap me pahir! Sepse përndryshe, Ju dhe populli imagjinar që Ju paska zgjedhur për shpëtimtar, nuk do të lejoni zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor apo jo?

Hajde logjikë hajde!

S’ka më keq për një udhëheqës se sa të mos dijë të lexojë humbjen dhe s’ka më zi për një udhëheqës sesa të humbë logjikën. Unë patjetër kam bërë gabimet e mia në kryerjen e misionit tim. Po ama asnjëherë s’i kam tradhëtuar ata që ma kanë ngarkuar këtë mision dhe lidhje në botë s’kam me maskarallëqet që Ju më keni mveshur e keni mbushur botën! E që të jemi shumë, po shumë të qartë, askënd përveç atyre që më kanë votuar dhe familjes time (e cila paguan përditë koston e lartë shpirtërore të baltës së pafundme të mizerabilitetit politik e mediatik që derdhet ndaj meje e familjarëve të mi), s’e marr dot seriozisht kur më kërkon dorëheqjen. Ndërsa kur ma kërkoni dorëheqjen Ju dhe populli imagjinar i punonjësve të bashkive që do dorëzoni si Çeçua në 30 qershor, bashkë me ujësjellësat e falimentuar, që furnizojnë më shumë militantë në protestat Tuaja se sa ujë në çezmat e njerëzve, mua vetëm më shumëfishohen fuqitë për të vazhduar luftën me plagët e panumërta të trashëgimisë Suaj qeverisëse.

Kështu që i dashur Lulzim, shkeputu nga krahët e mllefit që ta ka çuar për pambuk logjikën, çlirohu nga paniku i humbjes që të rri shkruar mbi ballë, mbaje për vete e për Plakun tënd Digjital frikën nga Reforma në Drejtësi dhe bëj atë që bën çdo udhëheqës në këtë situatë të padëshiruar: Ulu në Tryezën e Dialogut!

(Ndjesë për momentin e adresimit me “ti”, po sinqerisht mjaft me këtë karshillëk me zarar që po i bëni vendit, shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe miqve e partnerëve të Shqipërisë, në një kohë kur Shqipërisë i duhen kundërshtarë politikë që dinë të arsyetojnë, jo kalamaj në formë burrash që luajnë luftash në dëm të saj – ndjesë edhe kalamajve për ofendimin e paqëllimtë!).

Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni vendit dhe atyre pak individëve kokënxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit europian të Shqipërisë.

Akoma në pritje,

Edi Rama

24 maj, 2019

Rama, letër të tretë publike Lulzim Bashës Read More »