Politike

Braçe: Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota

“Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota”, është shprehur zv/kryeministri Erion Braçe.

“Kurrë! Sepse nuk blihen 1 milion vota! Sepse nuk blihen as 100 mijë vota! Kush është marrë me zgjedhjet, unë kam 23 vite që merrem me to, e di fare mirë këtë! Ndaj dua të them dy gjëra për dy kategori gojëtarësh të zëshëm këto kohë”, ka thënë Braçe.

E para, ka theksuar ai, “për kategorinë që përfaqësohet nga “Gagaçi Mendor” e që tipizon të gjithë këta gjahtarët urrejtjes të socialistëve që çdo darkë janë në TV e çdo mëngjes janë në gazetat e TV-vë: Të hetohet gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet e 2016-tës e zgjedhjet e 2017-tës! Madje të ishte hetuar në kushtet e flagrancës, mu siç ligji thotë”.

“Nuk ka ndodhur! Të hetohet tani, e gjithë “masakra” që thoni ju e që nuk ekziston. Të hetohet tani, i gjithë krimi i dhunshëm i disa bandave të krimit politik në Dibër e ardhur aty që është i dokumentuar! Mbi bazë të provave e fakteve, vetëm mbi bazë të tyre e jo mbi bazë të analizës së fjalëve që “Gagaçi Mendor”, me vështirësinë e gagaçit i deformon, tjetërson duke i kthyer në shpifje banale që ulërasin për të vrarë të vërtetën!”, ka shtuar Braçe.

“E dyta, për kategorinë e shantazhuesve, bërë të gjithë bashkë, nga prokurorët politikë të partisë, partive deri tek “Gojë Pushka” që do na vrasë e presë të premten në darkë. Së pari, për këta dy prokurorët që kanë ndërtuar këtë strategji shpëtimi për vete e shantazhi për socialistët: Nuk shantazhohet Partia Socialiste! Është aq e madhe dhe e fortë, sa nuk ua merr mendja! Ka një arsye, fuqia që ka prej njerëzve të zakonshëm, fuqia prej popullit”, është shprehur Braçe.

Pikërisht se është kështu, ka theksuar Braçe, “kur kjo parti vendos nuk kthehet pas. Ka vendosur për Reformën në Drejtësi dhe do shkojë deri në fund, drejtësi e barabartë tani! Nuk ka kohë tjetër, as për ne e as për ju!”

“Drejtësi e barabartë tani, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve të korruptuar, por edhe ndaj prokurorëve të korruptuar e partiakë, plotë të tjerëve që kurrë nuk ishin të barabartë para ligjit, siç Kushtetuta thotë. Për t’i dhënë fund ciklit të krizave që po e mbajnë peng këtë vend për shkak të pandëshkueshmërisë, mungesës së Drejtësisë së njëjtë për të gjithë. Së dyti për “Gojë Pushkën”, ne nuk vrasim, por edhe s’lëmë kënd të na vrasë!”, ka nënvizuar Braçe./atsh

Braçe: Partia Socialiste nuk ka fituar kurrë duke blerë vota Read More »

Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave

“Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, me synim muajin tetor”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama duke e cilësuar këtë “lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave”.

Rama tha se “pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes, që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës, për të bllokuar negociatat me sharje, kërcënime, molotovë e përgjime baltosëse, Shqipëria po reziston”.

“Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30 qershor”, u shpreh Rama. /atsh

Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave Read More »

Meta për “Al Jazeera-n”: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, të gjithë të zbatojnë dekretin

Në një intervistë të dhënë për Al Jazeera, Presidenti Ilir Meta, shprehet se në 30 qershor, nuk do të ketë zgjedhje.

“Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, tha ai.

I pyetur nëse ka shkelur Kushtetutën dhe për mocionin e Largimit nga zyra, të votuar në Parlament, Kreu i Shtetit u shpreh se “unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht”.

“Duhet t’jua bëj me dije se nuk është kryer asnjë shkelje e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës dhe dua gjithashtu t’ju siguroj gjithashtu se rendi kushtetues i Shqipërisë është i bazuar mbi pluralizmin politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe ajo që ka bërë Presidenti ekzaktësisht është që të tregojë përkushtimin e tij për të mbrojtur pluralizmin politik në vend, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, sepse Shqipëria ka pasur për 45 vjet votime gjatë regjimit komunist, por të gjithë e dinë se ka një ndryshim të madh mes zgjedhjeve dhe votimeve”, tha ai.

“ Por që nga momenti që u zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikë, tha Meta, unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve”.

Presidenti shprehet se vendimi për anulimin e zgjedhjeve “i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Jam shumë i vendosur për të bërë më të mirën për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe për një zgjidhje të besueshme, sepse kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit dhe për bashkëjetesën demokratike të qytetarëve tanë, por kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike. Gjithashtu, pas 4-5 muajve të mbushur me konfrontime dhe tensione, që ju i keni raportuar si e gjithë media botërore, zgjidhja nuk mund të gjendet brenda 2-3 ditëve”, tha ai.

Lidhur me deklaratën e Presidentit të KE, Juncker i cili është shprehur pro zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor, Meta tha se “jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë”.

I pyetur nëse do të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, Meta tha se “unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar atë”

I pyetur nëse kryeministri Rama gëzon mbështetjen dhe besimin e Presidentit si kreu i Qeverisë, Meta tha se “kjo është një pyetje të cilës i jam përgjigjur më parë, kur e kam dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë. Prisja që ai me kalimin e kohës në atë detyrë të ishte me fleksibël dhe bashkëpunues me opozitën, sepse para së gjithash, sfidat me të cilat përballet vendi mund të adresohen me sukses vetëm duke u bazuar në bashkëpunim më të gjerë. Dhe pres që ai ta lërë pas këtë retorikë përçarëse që e përdor aq shumë dhe që nuk po ndihmon mundësinë e një konsensus më të gjerë, por edhe politikat më gjithëpërfshirëse që vendi të jetë më i bashkuar”. /atsh

Meta për “Al Jazeera-n”: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, të gjithë të zbatojnë dekretin Read More »

Murrizi: Të hetohet pasuria e politikanëve

Deputeti i PD-së Myslym Murrizi ka kërkuar sot që të hetohet pasuria e politikanëve.

Duke folur në seancën plenare ku është paraqitur raporti vjetor i ILDKPI-së, Murrizi ka thënë se tashmë vendi ynë ka nevojë për një ligj më të strukturuar.

Duke komentuar pjesë nga raporti i ILDKPI-së për sa u përket spiunëve të Shtetit, Murrizi ka thënë se shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundë me spiunët.

Ndër të tjera Murrizi ka deklaruar se duhet të fillojnë hetimet për politikanët pasi sipas tij nuk janë më shumë se 500 prej tyre që kanë marrë në qafë Shqipërinë.

“10 faqe për spiunët e shtetit dhe privatit që nuk kanë funksionuar. 126 njësi sinjalizues tek sektori publik dhe 426 për sektorin privat. Quani arritje që janë gjobitur disa subjekte. Shqiptarët janë ngopur me spiunë dhe bilbilfryrës. Shqiptarëve u ka ardhur në majën e hundës me spiunët. Vini për të raportuar po ishte krahasimi me 2003 dhe 2013 ajo që nuk më pëlqeu. Kjo është një llojë me regjimin komunist që e krahasonte me 38’”, tha Murrizi.

“Do të doja që të përgatisim një ligj për objektin e punës. Miliona pasuri kanë banorët e kësaj salle. Unë prap shoh se ata që kanë marrë vendin në qafë nuk i kalojnë 500. Këto që kanë qenë këtu dhe këta që janë këtu. Ata nuk i justifikojnë. A ka verifikim. Ka zyrtarë që kanë aksione në supermarketet e Serbisë dhe që blejnë vila në Firenze”, u shpreh Murrizi./atsh

Murrizi: Të hetohet pasuria e politikanëve Read More »

PS e vendosur t’i japë Shqipërisë shansin për anëtarësim në BE

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ikonomi, theksoi sot se “Partia Socialiste është e denjë për ti dhënë çdo bashkie në vend kryetarin e duhur për të çuar përpara transformimet në atë zonë gjeografike duke shërbyer njerëzve dhe mirëqenies, së familjeve të tyre.

Në fjalën e saj në kuvend, deputetja Ikonomi theksoi se “për ne socialistët ka nisur një betejë mes të shkuarës dhe të ardhmes mes asaj që ne duam të çojmë përpara Shqipërinë me ide programe, punën në çdo drejtim dhe atyre që duan të kthejnë mbrapa këtë vend me baltë, sherr, konflikt në çdo ballafaqim mes nesh që duam një vend normal demokratik për fëmijët tanë dhe atyre që duan vetëm pushtet përmes dhunimit të demokracisë”.

“Problemi që ata kanë sot përveç se janë më të dobët politikisht se më parë tentojnë që me një grup ish-deputetësh shëtitës të krijojnë imazhin e një partie që mund të përdorë dhunë.

Planet e tyre për të sulmuar KZAZ-të me dhunë para se ato të fillojnë punë, apo për betimin se nuk do të lejojnë qytetarët të votojnë janë banalitete që nuk përbëjnë gjë tjetër veçse shpejtojnë dështimin e skemës për të bllokuar zgjedhjet”, nënvizoi Ikonomi.

Sipas saj, PS është e vendosur t’i japë Shqipërisë shansin për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ne e dimë që ky rrugëtim nuk bëhet vetëm nga PS, duhet konsensus i forcave politike , i atyre forcave që besojnë dhe kërkojnë para aleatëve tanë se anëtarësimi në BE është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar”, tha Ikonomi.

Deputetja Ikonomi u shpreh se “për këtë çështje partitë e opozitës nuk mund të dalin jashtë interesit të ngushtë të liderëve të tyre politikë, reforma në drejtësi u rri mbi krye dhe ndëshkimin për veten duan ta kthejnë në një kundër axhendë për një vend të tërë”./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1132474860289905/?t=0

PS e vendosur t’i japë Shqipërisë shansin për anëtarësim në BE Read More »

Rama, kryebashkiakëve opozitarë: Nëse shkelni ligjin nuk bëheni dot as kryepleq

Kryeministri Edi Rama u kujtoi sot kryebashkiakëve të opozitës se ka kaluar një ligj për dekriminalizimin dhe nëse shkelin ligjin nuk bëhen më gjithë jetën as kryepleq, jo më kryetarë bashkish.

Në një takim elektoral nga Roskoveci, Rama iu drejtua kryebashkiakëve opozitarë që drejtojnë letra për heqjen e KZAZ-ve.

“Sot disa kryetarë bashkish që i gënjeu Luli, bënë shkresa për KZAZ-të. Unë ju them atyre, nuk jua ka fajin PS që nuk hytë në garë. Ne ndjehemi keq që bëhet një garë e çuditshme ku jemi vetëm, por mos u bëni mish për top. Llogarinë kërkojuani atyre që ju lanë rrugëve, lanë rrugëve një parti të tërë dhe e kthyen në një federatë grupesh të çingijeve”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “ka ardhur momenti që zullumi i stërzgjatur i tyre të këputet në 30 qershor nga populli”.

Kush kërkon të na kthejë në të shkuarën do të mbetet gjithmonë në të shkuarën, tha Rama, duke shtuar se “ne do të vazhdojmë përpara drejt të ardhmes”.

“Ata u futën në mes të turmës duke thënë jemi popull, por i vunë para dhe i hodhën në zjarr, i përplasën me ligjin dhe tani janë ca të shkretë që duhet të paguajnë në burg. Cili është ai shqiptar që meriton të bëjë burg për Monika Kryemadhin, Ilir Metën dhe Sali Berishën?” – tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “kur ne pranuam marrëveshjen dhe u shtynë zgjedhjet me 1 javë, Presidenti i atëhershëm Bujar Nishani ua kërkoi palëve me shkrim miratimin. U desh të vinte Ilir Meta që të na dukej Bujar Nishani si burrë shteti. Meta thotë firma ime nuk vlen dhe këtë e kam vendosur me firmën time. Por kështu shteti nuk është shtet, por është rrumpallë. Del Ilir Meta dhe ja fut me shkelm Kushtetutës dhe thotë kështu siç them unë, se jam Komandant i Përgjithshëm”, – tha Rama.atsh

Rama, kryebashkiakëve opozitarë: Nëse shkelni ligjin nuk bëheni dot as kryepleq Read More »

Shtyrja e zgjedhjeve e çon Shqipërinë në drejtim të paditur

Kryeministri Edi Rama tha sot nga takimi elektoral në Librazhd për fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit, se zgjedhjet nuk mund të shtyhen dhe kjo jo për shkak të kokëfortësisë, por për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin dhe për të mos krijuar precedent për vitet që vijnë.

“Ka njerëz që nuk kanë sesi ta pëlqejnë sherrin, zhurmën, përplasjet dhe që thonë po ç’na duhet gjithë ky sherr, pse nuk shtyhen zgjedhjet për të shtensionuar situatën.

Nëse ka një njeri që do ishte më i interesuari për shtyrjen e zgjedhjeve, po të ishte për interesin e ngushtë personal e pragmatist, do isha unë. Pse duhet të qëndroj kokëfortësisht në këtë pozicion, kur ne kemi qeverinë e plot punë për të bërë, shumicën në parlament e kemi solide dhe prej katër vjetësh qeverisim 75% të territorit, kemi thuajse gjithë bashkitë e mëdha që qeverisen nga socialistët. Atëherë pse të mos shtyhen zgjedhjet?“ – tha Rama.

“Arsyeja e parë që është e domosdoshme për t’u kuptuar deri në fund nga ata që u shkon nëpër mendje kjo rrugë e shkurtër, është se kjo rrugë e çon Shqipërinë në drejtim të paditur.

Nëse shtyhen zgjedhjet, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet vetëm se njëra palë ka dalë nga binarët, nëse do e bëjë një palë sot do e bëjë pala tjetër nesër e kështu për shumë e shumë vite nuk do të kemi dot një proces ku politikanët të shkojnë tek populli dhe ky të vendosë nëse do i zgjedhë ose jo”, – tha Rama. /atsh

Shtyrja e zgjedhjeve e çon Shqipërinë në drejtim të paditur Read More »

Braçe: Basha, i vetmi njeri politik me akuza penale në kurriz

Zv.kryeministri Erion Braçe, gjatë një interviste televizive foli për vendimin e prokurorisë për thirrjen e kreut të PD-së, Lulzim Basha si i pandehur nga prokuroria për financimin e fshehur për lobim në SHBA. Gjithashtu Braçe komentoi mocionin për shkarkimin e Presidentit Meta pas zhdekretimit të datës së zgjedhjeve vendore ku më tej theksoi se për zgjedhjet vendore nuk ka asnjë rrezik për përplasje civile dhe se do të garantohen zgjedhje me standarde sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR.

“Unë mendoj që veprimet dhe vendimet e prokurorisë mos të jetë pjesë e komenteve të politikës. Do të preferoja të mos komentoj këtë çështje. Në momentin që merresh i pandehur nga prokuroria ka çështje që çohet në gjykim, deri në një vendim i formës së prerë je i pandehur. Përpara një jave, Basha mendonte se Prokuroria ishte në rregull në raport me ligjin. Në harkun kohor të një jave, 2 qëndrime të ndryshme nga Basha, s’më duken në rregull. Hetimi duhet të ecë sipas ligjit për këdo qoftë edhe për kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe gjithë të tjerëve. Është i vetmi njeri politik që ka akuza penale në kurriz dhe refuzon të gjykohet madje mundohet të pengojë organet e drejtësisë. Është i vetmi në Shqipëri që po hetohet në 3 shtete. Institucionet kushtetuese ose janë të drejta dhe veprojnë në përputhje me ligjin ose nuk janë të tilla. Nuk mund të jenë 1 javë të drejta dhe në përputhje me ligjin dhe pas një jave të jenë politike. Situata politike që po kalon vendi nuk ka asnjë lidhje me hetimet e prokurorisë. Prokuroria duhet të mësohet që të jetë jashtë çdo lloj ndikimi politik dhe prokuroria duhet të bëjë detyrën e saj në përputhje me ligjin”, tha Braçe

I pyetur se a po shkojnë drejt një regjimi për shkak të qeverisjes nga shumica e institucioneve qendrore dhe vendore, zv/kryeministri u shpreh se “ne jemi në qeveri pa aleatë sepse kështu vendosën shqiptarët në 2017”.

“Për sa kohë njerëzit votuan që ne të qeverisim të vetëm, pa diskutim që ne nuk i themi njerëzve JO. Ne njerëzve do u themi PO. Ne nuk kemi kërkuar të fitojmë 61 bashki, ne thamë që po shkojmë në një palë zgjedhje me kundërshtarë ata që kemi, madje të ashpër dhe të përgatitur. Gjatë gjithë kësaj kohe zoti Basha fushatë ka bërë por në momentin që vendosin të tërhiqen nga gara zgjedhore, kjo nuk është më përgjegjësia jonë, përgjegjësi e jona është standardi i zgjedhjeve”, tha Braçe. /atsh

Braçe: Basha, i vetmi njeri politik me akuza penale në kurriz Read More »