“Zgjedhjet parlamentare do të bëhen në 2021 dhe parlamenti nuk mund të paragjykohet, pasi janë të njëjtat parti që kanë plotësuar vendet në Kuvend”.
Kështu deklaroi sot në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama duke theksuar se “zgjedhje të parakohshme mund të ndodhin në dy raste: ose kur humbet mbështetjen, ose motivin e brendshëm për të vazhduar të qeverisësh”. “Ose kur taktikisht vendos t’i bësh për ta kapur kundërshtarin në befasi”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk mund të bëhen zgjedhje të parakohshme për të ngushëlluar këta”. “Zgjidhja është e vështirë, por është koha për këtë zgjedhje, pasi zgjidhjet e lehta kanë treguar se nuk na çojnë kërrkund, si në 2017”, tha Rama.
Sa i takon parlamentit, Rama tha se “nuk e kontrolloj parlamentin unë”. “Ne kemi shumicën, ndërsa ata deputetë që kanë ardhur nuk i kam sjellë unë”, – tha Rama. /atsh
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk kam frikë nga Reforma në Drejtësia. Le të thonë çfarë të duan e si të duan, nuk kam frikë. E kam thënë… pse nuk kam frikë? Sepse asnjëherë nuk kam bërë asgjë që të kem frikë”.
Në një intervistë televizive për emisionin “Përballë” në Radio Televizionin Publik Shqiptar, Kryeministri Rama theksoi se “si shpjegohet që unë që në sekondën e parë e kam vënë në program Reformën në Drejtësi, kur ekspertët thoshin mos e vërë në program, sepse do shumicë të cilësuar, do shumicë kushtetuese etj., etj. Dhe si shpjegohet që nga dita e parë deri më sot unë jam absolutisht i vendosur dhe s’kam asnjë lëkundje për këtë punë?!”
“Unë s’kam frikë! S’kam frikë. Le të thonë çfarë të duan e si të duan, nuk kam frikë. E kam thënë… pse nuk kam frikë? Sepse asnjëherë nuk kam bërë asgjë që të kem frikë. Kaq. Ndërkohë që të gjithë e dinë, të gjithë ata që punojnë me mua e dinë. Unë jam mbrojtësi më i flaktë i punës së kujtdo, unë i vë gjoksin kur vjen puna te puna apo për të mbrojtur nga akuzat e padrejta. Në momentin që ka diçka që lidhet me drejtësinë, nëse është në rregull është i mirëseardhur, nëse nuk është rregull, lamtumirë. Është shumë e thjeshtë”, – – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “e kam thënë gjithmonë, një familje në kuptimin e thjeshtë të fjalës, një organizatë, një parti, një ndërmarrje, një shtet, një anëtar i familjes së vogël, një djalë, një xhaxha, një vëlla, një motër, nuk gjykohet nga kjo, nga ajo që bën një pjesë e organizatës, gjykohet nga mënyra se si reagon. A pajtohet apo nuk pajtohet me këtë? A distancohet apo nuk distancohet nga kjo? A mban apo s’mban qëndrim? Ky është ndryshimi i madh mes meje dhe atyre që sonte janë bërë bashkë për t’i dalë për ndesh drejtësisë. Pse? Sepse këtu kemi qenë kur drejtori i përgjithshëm i tatimeve ishte me arrest shtëpie nga gjykata dhe e mbanin akoma drejtor dhe kryeministri thoshte, përderisa nuk ka vendim të formës së prerë “është i pafajshëm”, dhe këtu kemi qenë kur unë i thashë një ish-ministri të brendshëm “unë dua të të besoj, por nuk mjafton fjala jote. Dil jashtë nga kjo shtëpi, shko përballu me drejtësinë, avokatët gjeji, janë të tutë, ne nuk jemi avokatët e tu dhe kaq”. Këto janë standardet, nuk ka të tjera”.
I pyetur se me ngritjen së shpejti të BKH dhe SPAK, a do të duhet të mbajë qëndrim ndaj shumë anëtarëve të familjes së tij politike, Rama theksoi se “unë mbaj qëndrime politike dhe morale ndërsa qëndrimet ligjore i mbajnë institucionet dhe të jeni i sigurt që me krijimin e SPAK-ut dhe të BKH-së kurrë nuk do të dëgjoni Edi Ramën që të thotë: kjo është e padrejtë, kjo s’është e padrejtë. Ata do të jenë të lirë të bëjnë punën e tyre dhe gjithkush që do të ketë probleme me ta duhet t’i zgjidhë vetë, jo nëpërmjet meje”.
Lidhur me akuzat për përdorimin e administratës për fushatë zgjedhore, Rama u shpreh se “përdorimi i administratës është një histori që nuk ka lidhje fare me çfarë ndodhte më para, mund të ketë elementë të caktuar që nga ana e tyre mund të bëjnë këtë apo atë, por nuk bëhet fjalë që të ketë presion sot të organizuar mbi mësuesit, mjekët, infermierët, nuk ekziston sepse sot janë mësuesit janë ata autonomë, hyjnë e dalin në proces në mënyrë transparente përmes një mekanizmi dixhital”.
Ndërsa i pyetur sesi e shikon rezultatin e 30 qershorit, Rama tha se “në këtë rast kundërshtarët kanë ikur e kemi fituar garën pa e filluar, se na i kanë falur”./atsh
Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në shkollën “Shejnaze Juka”, ku një grup personash i vunë flakën KZAZ-së, duke dëmtuar materialet zgjedhore.
Braçe shprehet se kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka shkelur ligjin dhe është njeriu që i ka bërë më shumë dëm Shkodrës në këto 30 vitet e fundit.
Duke publikuar një urdhër të firmosur nga kryebashkiakja e PD, Braçe thekson se ajo e ka shpallur veten pronare të shkollave në Shkodër, ndaj dhe sipas tij, duhet të përballet me ligjin.
“Voltana Ademi është një keqbërëse! Voltana Ademi është një shkelëse e ligjit! Voltana Ademi është njeriu që i ka bërë dëm më shumë se kushdo tjetër Shkodrës në 30 vitet e fundit! Voltana Ademi po i vë zjarrin shkollave të Shkodrës!”, thekson Braçe.
“Shiheni urdhrin e saj! Lexojeni! Ka shpallur veten pronare të shkollave në Shkodër dhe kërkon që aty të mos shkelin administratorët e zgjedhjeve, emëruar në detyrë në përputhje me ligjin e Kushtetutën! Pas këtij akti të saj, pason djegia e shkollave, e para shkolla “Shejnaze Juka”!”, shprehet Braçe.
Braçe shton se, “Voltana Ademi duhet të përballet me ligjin, bashkë me çdo barbar zjarrvënës, punonjës i saj apo i partisë së saj! Kurrë, kush nuk ka djegur shkolla në Shkodër, veç pushtuesit! Prej asaj kohe, e dyta që e bën këtë është Voltana Ademi dhe barbarët e saj”.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të vendoset në Kod Penal që të gjithë ata që dënohen për krime elektorale, 5-10 vjet do të ndalohen të dalin jashtë shtetit.
Në një bashkëbisedim me banorët e Njësisë Administrative Nr.1 në Tiranë, duke folur për ata që pengojnë zgjedhjet, Rama tha se, “do kalojmë Kodin Penal nesër në parlament. 5-10 vjet do të ndalojmë daljen jashtë shtetit atyre që dënohen për krime elektorale me kod penal nesër”.
Kryeministri shtoi se të gjithë ata që kryejnë krime elektorale nuk do të shkelin në SHBA dhe BE.
“Plus që jemi në kontakte dhe jam i bindur që jo vetëm SHBA-të që e kanë të prerë dhe s’ka për të shkelë njeri në SHBA nga këta, por dhe në BE i kemi indikacionet që do vendosen të gjithë këta në listat e zeza dhe le të japin lirinë e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre për Lulin, Fallxhoren dhe këtë Spahiun”, tha Rama.
“5-10 vjet do ta vëmë në Kodin Penal, pasi dënohesh, del nga burgu, nuk shkon më jashtë shtetit. Ky është skandal. Duan të merren me përgjime le të bëjnë ç’të duan. Kushdo që bën blerje votash jo vetëm që dënohet, por le të rrijë dhe 10 vjet pa dalë jashtë shtetit”, tha kryeministri Rama./atsh
Fushata elektorale në Elbasan vijon normalisht për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit dhe takimi i radhës ishte me banorët e lagjes “Vullnetari” në Elbasan.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe Drejtues Politik i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla edhe një herë theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit, për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe për ndëshkimin me votë të atyre që punojnë kundër integrimit.
“60% e shqiptarëve mendojnë sot se protesta e opozitës nuk i bën mirë rrugës europiane të Shqipërisë sepse protesta e opozitës nuk është protestë e popullit. Sa më shumë do afrojë dita për ngritjen e Prokurorisë speciale Antikorrupsion, për ngritjen e Gjykatës së re Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë aq më keq do bëhet Saliu e Luli, Iliri e Monika. Për fat të mirë, tashmë të katërt janë bërë bashkë. Ky është një moment historik për shqiptarët, në 30 Qershor të ndëshkojnë me votë këta politikanë që kanë kaq shumë vite që pengojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Iliri duhet t’i bërtasë pak Monikës, t’i thotë të mos bëjë më rrëmuja dhe u zgjidh halli. Se thotë, do bëhen rrëmuja. Po kush do t’i bëjë rrëmujat? Gruaja. Po mirë, thuaj gruas mos bëj rrëmuja dhe rregullohet kjo punë, se pastaj Monika do t’i thotë Lulit dhe u zgjidh. Kështu që, motra dhe vëllezër, 30 Qershori është një ditë shumë e rëndësishme”, – deklaroi Balla.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Balla preku një nga problemet më të ndjeshme të kësaj zone, atë të përroit të Zaranikës. Ky përrua ka qenë shqetësim i madh, sidomos për këtë lagje, pasi rrezikonte përmbytjen e saj. Më në fund, Ministria e Bujqësisë miratoi fondin për rikonstruksionin e këtij përroi dhe pritet të nisë puna.
“Dua ta them që në fillim, se për ne ishte shumë e vështirë të vinim, të kërkonim mbështetjen tuaj, nëse sot nuk do të ishim në fazën e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e plotë të Zaranikës. Gjatë gjithë takimeve që kemi zhvilluar me banorët, ky ka qenë problemi kryesor që është sjellë në vëmendje. Elbasani, sot në drejtimin e Qazim Sejdinit ka bërë një ndryshim spektakolar. Ky ndryshim patjetër që ka filluar nga qendra, por detyra e Gledit tashmë është ta përfundojë këtë ndryshim në çdo cep të qytetit tonë”, – tha Balla.
Edhe kandidati Gledian Llatja foli për projektet e tij për zhvillimin e mëtejshëm të Elbasanit dhe veçanërisht të lagjes “Vullnetari”.
“Ne kemi projekte shumë të mira për të gjithë Bashkinë e Elbasanit, projekte të cilat konsistojnë në infrastrukturën rrugore, këndet e lojërave, shkollat për qytetin në përgjithësi dhe për çdo lagje.
Por ne kemi një sfidë në 30 Qershor, është sfida jonë që të dalim të votojmë PS, të lidhim kontratën mes qytetarëve dhe kryetarit të bashkisë dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak”, – u shpreh Llatja. /atsh
Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj sulmit ndaj disa KZAZ-ve, që ndodhen në bashkitë e drejtuara nga opozita.
“Fatkeqësisht asgjë e paparashikuar! Vijon revolucioni imagjinar me punonjësit e bashkive blu. I pyes:
A ia vlen të kryeni krime zgjedhore e të përballeni me ligjin për ata që e katandisën PD-LSI në këtë derexhe dhe duan ta bëjnë hallin e tyre me drejtësinë hall të Shqipërisë? Zero”, tha Rama./atsh
Deputetja Rudina Hajdari ka dënuar djegien e shkollës mbrëmë në Shkodër.
Ajo ka vendosur që pagën mujore t’a dhurojë për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj.
“Të dashur demokratë, djegia e shkollave në Shkodrën e kulturës dhe traditave ishte një traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare”, është shprehur ajo, duke iu drejtuar demokratëve.
“Për këto arsye vendosa sot që pagën (rrogën) mujore t’a dhuroj për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj dje në këtë qytet nga ata që nuk janë as demokratë dhe as socialistë por thjesht servila të kryetarit dhe shpresojnë që në të ardhmen të shpërblehen me parimin: “Kush djeg dhe shkatërron më shumë bëhet drejtor ose doganier”, ka theksuar Hajdari
“Le të jetë paga ime fillimi i një fushate ndërgjegjësimi nga çdo shqiptar që kërkon një Shqipëri si Europa”, ka shtuar ajo.atsh
Ish-nënkryetarja e Kuvendit dhe e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, një nga figurat më të spikatura të kësaj partie, reagoi sot pas ngjarjes në Shkodër, ku pati zjarr në një klasë të një shkolle që do të shërbejë si KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës. E kundërta është historia e këtij qyteti. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada”, tha Topalli.
“Një demokrat nuk djeg as mandate, as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë patur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat”, vijoi Topalli.“Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e së drejtës me votu.
Ai që mendon se do pengojë të drejtën e votës nuk është demokrat. Shqiptaret duan paqe. 3 milion shqiptarë nuk mund të mbeten gjatë peng të 4-5 vetëve”, tha Topalli. /atsh