Politike

Miratohet me 100 vota pro rezoluta kundër vendimit të Metës për 30 qershorin

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë miratuan sot projektrezolutën e Kuvendit për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta.

Në seancën plenare deputetët me 100 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime dhe 1 pa votuar, miratuan projektrezolutën, pas 6 orësh debate në Kuvend.

Në këtë projektrezolutë Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Gjithashtu në projektrezolutë theksohet se “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike, që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, date 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor”.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, thuhet në projektrezolutë. /atsh

Miratohet me 100 vota pro rezoluta kundër vendimit të Metës për 30 qershorin Read More »

Presidenca: Dekreti i Metës për datën e zgjedhjeve, mbi argumente kushtetuese

Presidenca tha sot pasdite se dekreti i Presidentit Ilir Meta për anulimin e datës 30 qershor për zgjedhjet lokale, është i detyrueshëm për t’u zbatuar, pasi mbështetet në Kushtetutë.

Bledar Dervishaj, këshilltari ligjor i Presidentit Meta, në një konferencë për mediet u ka bërë thirrje palëve për të gjetur së bashku një zgjidhje për krizën.

“Në vend të një diskutimi mbi argumentet ligjorë që u mbështet Presidenti dhe në vend që të ishte një moment ku të shfaqej një reflektim apo ku mund të diskutohej për zgjidhjen e krizës, sot përkundrejt kësaj pritshmërie u lëshuan lumenj fyerjesh ndaj institucionit të Presidentit. Kjo retorikë nuk i shërben zgjidhjes së krizës dhe paqes në vend”, – tha Dervishaj.

Këshilltari ligjor i Presidentit deklaroi se dekretet e Presidentit nuk duhet të diskutohen dhe as të komentohen, por mund të ankimohen vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë tagër ligjor të votojë apo marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit të Republikës. “Askush veç Gjykatës Kushtetuese nuk shqyrton vlefshmërinë e dekretit. KQZ është i detyruar ta zbatojë dekretin”, – tha ai.

“Ky akt është marrë bazuar tërësisht në argumente kushtetues ai është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Akti i Presidentit, referuar marrëdhënieve juridike dhe argumenteve e bën dekretin e Presidentit një akt me natyrë të veçantë dhe askush përveç Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta gjykojë vlefshmërinë”, – tha ai.

“KQZ është i detyruar ta zbatojë dekretin. Presidenti ka kompetenca të qarta. I ka në Kushtetutë. Ka dërguar një dekret për zbatim. Është dërguar në Fletoren Zyrtare dhe pret çdo institucion që është i detyruar ta zbatojë. Çdo subjekt politik apo jopolitik, i cili nuk është dakord me vendimmarrjen e Presidentit apo kundërshton kompetencat është i lirë të ngrejë pretendimet në Gjykatën Kushtetuese apo çdo gjykatë tjetër”, – theksoi Dervishaj.

Presidenti i Republikës ripërsërit edhe një herë qëndrimin e Tij drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm partive politike, se ky vendim është marrë me përgjegjshmëri të plotë dhe në vlerësim të të gjithë rrethanave dhe fakteve, për të shmangur çdo mundësi që të provokohej një konflikt destabilizues me pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, sigurinë publike dhe rendin kushtetues në vend, e cila mund të kulmonte me një përplasje më datë 30 qershor.

“Për caktimin e kësaj date Presidenti ka nisur një proces konsultimit më të gjitha palët politike. Presidenti do të shprehet me dekret për caktimin e një date të re. Këshillat bashkiakë aktualë do të ushtrojë funksionet deri në krijimin e këshillave pasardhës. Kjo nuk është një zgjatje e mandatit për organet vendore, por një detyrim që e përcakton ligji për vetëqeverisjen vendore. Çdo aludim se në datën 8 gusht ndërpritet mandati i tyre është një trillim politik”, – sqaroi Dervishaj.

“Presidenti ka nisur një axhendë konsultimesh dhe s’mund të flasim gjë tjetër për momentin. Presidenti i ka të qarta detyrat sipas Kushtetutës dhe ka nxjerrë një akt, një dekret dhe institucionet që kanë për detyrë ta zbatojnë, duhet ta zbatojnë”, – vijoi Dervishaj.

“Presidenti Meta i ka bërë ftesë dhe kryetarit të PS, Edi Rama për bisedime, sikurse dhe kryetarit të PD Lulzim Basha. Ndërkaq negociatat pritet të vazhdojnë edhe sot me partitë e tjera”, – theksoi Dervishaj.

“Presidenti i Republikës ripërsërit thirrjen ndaj të gjitha palëve politike, që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore për të reflektuar dhe t’i përgjigjen ftesës së Presidentit për dialog, për të gjetur sëbashku një zgjidhje për krizën, përfshirë edhe dakordësimin e një date të re zgjedhore. Presidenti rigaranton se është i gatshëm të marrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata në përputhje me kompetencat që Kushtetuta ja ka përcaktuar”, – nënvizoi Dervishaj. /atsh

Presidenca: Dekreti i Metës për datën e zgjedhjeve, mbi argumente kushtetuese Read More »

Hajdari: Vendim i Presidentit ngre shumë pikëpyetje, në konflikt institucional me gruan e tij

Presidenti i Republikë, Ilir Meta, ka konflikt interesi institucional, pasi gruaja e tij është Kryetare e Lëvizjes Socialiste Integrim, pra bashkë-kryetare e opozitës, duke e kthyer dhe kreun e vendit si palë politike.

Kështu u shpreh sot kryetarja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari gjatë seancës parlamentare që po zhvillohet sot, ku në rend të ditës është rezoluta mbi zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti i Republikës.

Në fjalën e saj, Hajdari nënvizoi se, Kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentit e vlerëson vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Gjykimin mbi vendimin e Presidenti të Republikës së Shqipërisë e merr vetëm Gjykata Kushtetuese, duhet të jemi të qartë me shqiptarët. Sipas nenit 90’, pika 2, mocioni për shkarkimin e presidentit vjen me 1/4 e kuvendit, pra 35 deputet dhe firmoset e i depozitohet kryetarit të kuvendit, që ka për detyrë të hap një komision hetimor për të verifikuar argumentet që kanë çuar presidentin për të marrë këtë vendim”, tha Hajdari.

“Më pas Komisioni ka për detyrë të konstatojë, të dëgjojë presidentin dhe më pas të përpilojë një raport që diskutohet në parlament dhe që i depozitohet Gjykatës Kushtetuese dhe fakti që ne se kemi këtë gjykatë (Kushtetuese) është fatkeqësi e madhe, këtu është thelbi i gjithë debatit, prandaj shqiptarët po shohin këtë tragjedi që na merr zvarrë të gjithëve. E theksoi dhe njëherë se gjykata është organi i vetëm që konstaton këtë lloj shkelje”, theksoi Hajdari.

Ajo shtoi se, pavarësisht mungesës së Gjykatës Kushtetuese vendim i Presidentit ngre shumë pikëpyetje, pasi kreu i vendit ka një konflikt institucional me gruan e tij, bashkë-kryetare të opozitës.

“Janë tre pikë-pyetje, që do doja të dija unë nga presidenti, pse mendon se ai mund të zgjidh krizën me këtë vendim? Nëse ai e vlerëson këtë si akt patriotik, duke vënë palët para përgjegjësisë, nëse palët nuk ulen bashkë e nuk arrin në kompromis, a e fusim vendin në krizë totale? A e fusim vendin në më shumë pasiguri, çfarë duhet të ndodh, nëse ne nuk gjejmë dot një zgjidhje? Nëse gruaja juaj është palë e opozitës dhe kjo palë ka ngritur këtë padi, a e bënë presidentit ky vendim pjesë të këtij konflikti? A nuk është ky, konflikt i pastër institucional? Dua përgjigje për këtë gjë?”, tha Hajdari, duke kujtuar se Kryemadhi është bashkë kryetarja e opozitës.

“Unë si qytetare dhe si deputete ngre pikë pyetje ndaj presidentit, pse merr këto vendime? Pse zhdekreton presidenti dekretin e tij, këtë se kishim parë”, tha më tej Hajdari.

“Dua t’ju sjell në vëmendje një shembull, duhet të kuptojmë thelbin e aktit për hir të kombit. Nëse e argumentojmë në mënyrë juridike, dëgjo, kriminaliteti është rritur shumë në Shqipëri, është shumë problematike, unë mendoj se duhet ta rikthejmë vendimin e vdekjes. Ne nuk duam më Shqipërinë të shkoj në destabilitet, jemi lodhur me këtë gjendje. Jemi lodhur dhe çfarë mund të ndodhi, në më të mirën e rastit zgjedhjet do shtyhen vetëm me një muaj, muajin tjetër do keni zgjedhje… A ja vlejti barra qiranë, që opozita të digjte mandatet, a ja vlejti që ne të bllokonim reformën në drejtësi, a ja vlejti të mbyllnim dyert Europës, absolutisht jo”, theksoi Hajdari. /atsh

Hajdari: Vendim i Presidentit ngre shumë pikëpyetje, në konflikt institucional me gruan e tij Read More »

Presidenti krim të madh kushtetues, pushtet pa zgjedhje nuk do të ketë

Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se “30 qershori është rrugë e nisur kushtetueshmërisht, ligjërisht, nuk ndalet nuk shfuqizohet, është e drejtë themelore, pushtet pa zgjedhje nuk ka më, ka vdekur që në 2017 kërkush nuk mund ti imponojë maxhorancës një krim kushtetues dhe kjo duhet të marrë fund në 30 qershor”.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet projekt-rezoluta e Kuvendit për shfuqizimin e e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta, zv/kryeministri Braçe u shpreh se “në këtë vend, ka pak ditë që është bërë e modës të kërkosh në rafte e dollape, në ato që deri dje, ose ishin bosh, ose mbaheshin verë, shampanjë, pije alkoolike, uiski, xhin, e madje edhe para të pista të kërkosh Kushtetutën. Ta mbash në dorë Kushtetutën, të komentosh Kushtetutën, të bësh poza me Kushtetutën, t’i bësh këto me pasion e forcë, të dukesh si i ndershëm në atë që bën, por vetëm një gjë nuk e bën: Të lexosh Kushtetutën. Sikur kaq të kishte lexuar do kishte më shumë përgjegjshmëri në njoftimet e lëshuara publikisht”.

Duke lexuar disa nene të Kushtetutës, Braçe u shpreh se “sikur Presidenti Ilir Meta të kishte lexuar Kushtetutën do të kishte shumë më tepër përgjegjësi dhe përgjegjshmëri në njoftimet, se nuk janë as vendime të lëshuara publikisht. Referuar këtyre neneve dua të ndalem në dy çështje , e para e drejta themelore për të votuar, zgjedhur e për tu zgjedhur pushtet pa zgjedhje nuk ka, pushtetet sa të duash e më të duash nuk ka dhe nuk do të ketë”.

“E drejta për të zgjedhur me votë përfaqësuesit në Kuvend, qeverisjen vendore dhe qendrore nuk mund të pezullohet, të shfuqizohet jo e jo, nga kërkush pavarësisht ofiqit dhe madhësisë së zyrës që ka . Kjo është risia kushtetuese që kërciti 5 ditë më parë direkt nga selia e Presidentit, krim më të madh kushtetues se ky nuk ka, deformim më të rëndë të demokracisë se ky nuk ka tentuar askush të bëjë”, – nënvizoi Braçe.

Sipas tij, zgjedhjet në 1996 u dhunuan, manipuluan e shkatërruar, por e drejta themelore e shtetasve për të votuar nuk është pezulluar apo shfuqizuar as atëherë.

“Në 2021 imagjinoni që PS të dalë e të thotë nuk dua këtë datë të zgjedhjeve, i bie të rrijë pa fund në pushtet ose deri kur të gjithë të binden e të bëjnë zgjedhjet siç i do PS.
Precedenti i rëndë i krijuar nga presidenti nuk duhet legjitimuar. Khehuni në 2013, PS hyri në zgjedhje, pasi e vodhën këta që duan të krijojnë këtë precedent, PS hyri në zgjedhje pa pasur kërkënd në KQZ, ne nuk duam pushtet pa zgjedhje ne kurrë nuk e kemi bërë dhe nuk ndodh t’i shfuqizojmë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur”-, theksoi Braçe./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/367231930598833/?t=0

Presidenti krim të madh kushtetues, pushtet pa zgjedhje nuk do të ketë Read More »

Akti i Metës, plan politik për të minuar rrugën e negociatave dhe provë e frikës nga drejtësia

“E vërteta e dalë cullak nga ky akt marrëzie befasuese është se veprimi i Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, por një hap spektakolar në vazhdën e një plani politik për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe minuar rrugën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend , po diskutohet për projekt-rezolutën për shfuqizimin e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta.

“Kush kujton vërtet se në aventurën e tyre mendore, e cila ka patjetër shumë elementë që ngjajnë si ndërthurje e klubit të Selanikut të Çajupit me me pavionin numër 6 të Çehovit, dy frymëzuesit dhe orkestruesit e këtij plani Sali Berisha dhe Ilir Meta kujtojnë vërtet se mund të largojnë mua me moltovët e Lulit dhe mallkimet e Monikës e kanë gabim. Këta të dy, që i kanë hyrë detit në këmbë, janë instrumente në duart e dy të parëve, këta besojnë se mund të marrin pushtetin me kapsolla e me magjira, ndërsa dy ustallarët e rrëmujave e të intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që duket, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar dhe sjellë të ndërkryer në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores për të qenë të motivuar e të palodhur në orvatjen e tyre qorre”-, nënvizoi Rama.

Ndërsa, vijoi ai, preja e kërkuar në këtë gjah politik, nuk jam unë është Shqipëria që duhet ndaluar përpara sesa të kapërcejë pragun e negociatave me BE-në dhe të hap sapo kapërcen pragun dy kapitujt e parë të bisedimeve të cilat për dreqin e mallkuar janë kapitujt e drejtësisë.

“Duke hapur kapitujt e drejtësisë Shqipëria duhet ti tregojë BE-së, se reforma në drejtësi nuk është vetëm një maket arkitektonik me letrat e Kushtetutës dhe ligjeve të sistemit të ri të drejtësisë , nuk është vetëm një mekanizëm pastrimi i një sistemi të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar, por është shtet i të drejtës ku gjykatësit e prokurorët e kapur me presh në duar nga vetingu, qoftë politikanët e korruptuar dhe të paprekshëm prej 30 vitesh mund të këputen si pras nga goditjet ndëshkimore të drejtësisë së çliruar nga kthetrat e tyre”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “plani është i qartë nuk është aspak budalla për mbijetesën politike, të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë duke goditur pa asnjë mëshirë jo mua, jo ne që jemi mbështetësit e palëkundur të reformës në drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë”.

“Plani është i qartë, nuk është aspak budalla, për mbijetesën politike, por jo vetëm të mbijetesës politike, të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë duke goditur pa asnjë mëshirë jo mua, jo ne që jemi mbështetësit e palëkundur të reformës në drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë dhe shpresat e shqiptarëve përfshirë edhe ata që iu shkojnë pas këtyre të paudhëve, duke kujtuar komplet gabimisht se do rrëzojnë qeverinë dhe Luli e Mona do të ndëshkojnë krimin, do të shfarosin korrupsionin do të shpartallojnë padrejtësinë, ndaj të cilave deklarojnë se janë ngritur në një luftë pa kthim”-, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi i përgjimeve në tabloidin gjerman, të cilat mbaheshin nga një shërbëtor famëkeq i mirënjohur i Saliut në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Luli dhe Mona kanë marrë përsipër shpëtimin e vendit me doçkat e tyre të pastra dëborë. Meta dhe Berisha duan ta nxjerrin vendin jashtë procesit demokratik. Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, por ata duan që në vend që Shqipëria të luftojë për të kapur trenin e 2025, të rrijë të sfilitet dhe të mendojë për makthin e ’97”. /atsh

Akti i Metës, plan politik për të minuar rrugën e negociatave dhe provë e frikës nga drejtësia Read More »

Meta tejkaloi kompetencat kushtetuese, akti i tij i pavlefshëm

“Akti i Presidentit konsiderohet si tejkalim i kompetencave të tij dhe për rrjedhojë një akt administrative absolutisht i pavlefshëm që nuk prodhon efekte mbi procesin zgjedhor tashmë në fazën e tij vendimtare”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj gjatë seancës parlamentare për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti i Republikës.

“Në vlerësimin tim Presidenti ka gabuar në rrugën e zgjedhur jo vetëm se mekanizmi i zbatuar prej tij është në tejkalim kushtetues por dhe sepse nuk i shërben realisht zgjidhjes së krizës por acarimit të saj duke i dhënë një alibi më shumë krijuesve të kësaj krize”, tha Xhafaj.

Ai vijoi se, “Presidenti imponoj mekanizma juridik në një krizë politike, në një kohë që duhej të përdorte autoritetin e tij kushtetues për të ndërtuar ura dialogu dhe për të mundësuar kompromise politike gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Kur kemi vepruar kështu kemi patur kompromise të shëndetshme edhe zgjidhje të mençura”.

“Ka një krizë politike të sajuar e cila ka në thelb të saj një përplasje midis standardeve demokratike dhe anarkisë politike. Problemi i vërtetë nuk është data e zgjedhjeve në vetvete por mënyra e sjelljes së lidershipit politik”, u shpreh Xhafaj.

“Prej muajsh opozita jashtë parlamentare e frymëzuar dhe e dhunuar nga Sali Berisha dhe e veshur me autoritetin fals të Lulzim Bashës po sillet si një forcë antikushtetuese. Kjo sepse ka dal së funksionuari jashtë sistemit demokratik parlamentar dhe me presionin e rrugës po i shërben destabilitetit dhe cenimit të rendit kushtetues. Opozita ka një krizë të brendshme që kërkon imponoj si një krizë të shoqërisë shqiptare. Kriza e opozitës është kriza e lidershipit të saj politik”, përfundoi deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj.//atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2807743779241418/?t=0

Meta tejkaloi kompetencat kushtetuese, akti i tij i pavlefshëm Read More »

Për ne shteti është para pushtetit, 30 qershori ndan të shkuarën nga e ardhmja

“Për ne shteti është para pushtetit dhe beteja për të bërë shtet vjen para betejës për të mbajtur pushtetin me çdo kusht”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim elektoral nga Lushnja, Rama solli në vëmendje situatën e para dy viteve kur opozita ngriti çadrën në bulevard.

“Ikën nga parlamenti dhe ngritën çadrën në bulevard se nuk donin të votonin Vetingun, me të njëjtën muzikë që thonë sot nuk duam zgjedhje dhe këtë kryeministër. Dy vjet më parë, në momentin e fundit u arrit një marrëveshje që tregoi qartësisht se për ne shteti është para pushtetit. Ata u mësuan keq dhe frika erdhi duke u rritur, sepse tani Vetingu po pastron pallatin e Drejtësisë“, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se Reforma në Drejtësi po ecën dhe dera e negociatave është gati të hapet, por ata duan ta mbyllin me çdo kusht atë derë.

“Me këto veprime dhe falë atij që është në zyrën e Presidentit sot, mund ta arrijnë përkohësisht, por kurrë nuk do të arrijnë ta zmbrapsin Drejtësinë për një kohë të gjatë”, – tha Kryeministri.

Rama tha se insiston që zgjedhjet të zhvillohen në 30 qershor, pasi 30 qershori është vija ku ndahet rruga e së shkuarës me rrugën e së ardhmes.

Nëse lëmë 30 qershorin kemi lënë të ardhmen, tha Rama duke shtuar se “nëse ndodh kjo, kemi pranuar se zgjedhjet nuk janë më çështje e popullit, por janë lojë e politikanëve”.

“Ne kemi një shumicë qeverisëse shumë solide, me pushtetin vendor kemi sot drejtimin e 75% të territorit të vendit, pothuaj të gjitha bashkitë kryesore të vendit. Po të ishte për mua, thjesht për një zgjidhje politike mund të thosha: zgjedhjet kur të doni ju. Dy vjet më parë ne mund të hynim në zgjedhje e të merrnim gjithë parlamentin, po të ishte se do të doja një pushtet me një ngjyrë dhe një parlament me një ngjyrë, kishim hyrë në zgjedhje atëherë“, – tha Rama. /atsh

Për ne shteti është para pushtetit, 30 qershori ndan të shkuarën nga e ardhmja Read More »

28-vjetori i PS-së/ Balla: Na gjen në një moment të rëndësishëm, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE

Sot jemi në një nga momentet më të rëndësishme, brenda 5 vite e gjysmë të qeverisjes sonë jo vetëm morëm statusin e vendit kandidat, por Partia Socialiste sot teksa qeveris e vetme është në momentin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në aktivitetin e organizuar me rastin e 28-vjetorit të krijimit së Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Kjo është festa më e bukur qe kemi organizuar për ditëlindjen e PS-së. Kjo ditëlindje e 28 e ka gjetur PS në një moment shumë të rëndësishëm, që do të jetë pikë reference për mënyrën se si do të jetë Shqipëria në 30 vitet e ardhshme”, – theksoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, u shpreh se “në gjithë 28 vitet e ekzistencës së partisë më të madhe jo vetëm brenda Shqipërisë, por në të gjitha trojet shqiptare festimi dhe udhëheqësia, qeverisja dhe kontributi i PS-së ka qenë pikësëpari përpjekja jonë për ta bërë vendin tonë me një shtet të fortë, me institucione të forta dhe demokraci institucionale”.

“Sa herë që PS ka marrë detyrën për të qeverisur vendin e ka nisur nga një pikë e vështirë, e ka marrë Shqipërinë nga një humnerë e lënë gjithmonë nga Saliu dhe e ka ngritur atë”, – tha Balla.

Ky 28-vjetor, vijoi Balla, e gjen Shqipërinë në një moment të rëndësishëm që lidhet me zgjedhjet. Këto nuk janë si të tjerat, këto janë më të rëndësishmet. Kush thotë se në këto zgjedhje nuk kemi kundërshtarë e ka gabim, kundërshtari jonë në këto zgjedhje ndoshta është edhe më i vështirë, sepse janë ata kundërshtarë që nuk duan që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje.

“Ne do ta kalojmë këtë moment të rëndësishëm për vendin dhe shumë deciziv për mënyrën si do duket Shqipëria pas 30 qershorit”, – përfundoi Balla./atsh

28-vjetori i PS-së/ Balla: Na gjen në një moment të rëndësishëm, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE Read More »