Politike

Balla: Luli për llafe, ne për punë

“Socialistët ishin në Cërrik për të filluar punët e mëdha që iu dha përgjegjësia historike e 30 qershorit, ndërsa Luli ishte për llafet dhe rrenat e radhës”, tha sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke iu referuar vizitës së kreut të PD në Cërrik.

“Fjala e dhënë mbahet, duhet vetëm dëshira për punë. Sot ishim “së bashku” me Lulezim Bashën në Cërrik. Ne për të filluar punët e mëdha që na dha përgjegjësia historike e 30 Qershorit, ndërsa Luli për llafet dhe rrenën e radhës. Siç thoshte Jozefina, Luli t’rren edhe kur e pyt sa asht ora”, tha Balla.

Ai shtoi se “për ironi të Lulezimit që kur dorëzoi Bashkinë e Tiranës Sahati s’punonte, brenda orës së parë të punës së Andis Sallës në krye të Bashkisë së Cerrikut, u vunë në lëvizje akrepat e Sahatit së Qytetit të cilat kishin mbetur prej ditës kur Iliri dhe Mona u bënë pjesë e qostekut të Saliut”.

Brenda orës së parë të punës së Andis Sallës në krye të Bashkisë së Cërrikut, vihen në lëvizje akrepat e orës së qytetit të cilat kishin mbetur prej shumë kohësh.

Lidhur me këtë Balla tha se “besoj që është një shenjë e mirë për Andin, por edhe për Bashkinë Cerrik që në mënyrë simbolike që sahati i orës ka nisur të punojë. Ka filluar të rrahë zemra për punë e kësaj bashkie e cila për 4 vite ishte peng i paaftësisë që karakterizon subjektin politik nga vjen paraardhësi. Megjithatë gjej rastin që në përfundim të mandatit të falenderoj ata që janë munduar të bëjnë punë të mira për këtë qytet, por dua të garantoj banorët e Cërrikut që akrepat e këtij sahati, të kësaj bashkie, të këtij qyteti nuk do të ndalen për asnjë moment, por do të jenë 24 orë punë intensive për transformimin total të këtij qyteti”./atsh

https://www.facebook.com/b.taulant/videos/2517753001579554/?t=0

Balla: Luli për llafe, ne për punë Read More »

Palmer: Zgjedhjet lokale të përgjegjshme e transparente, SHBA nuk mbajnë anë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Matthew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, ka theksuar se mosmarrëveshja politike duhet zgjidhur nga institucionet shqiptare dhe jo me ndërhyrje nga jashtë.

I pyetur lidhur me kritikat se SHBA kanë zgjedhur stabilitetin mbi demokracinë duke mbështetur kryeministrin Rama, Palmer tha se Uashingtoni nuk mban anë në mosmarrëveshjet politike në Shqipëri dhe as nuk po i jep mbështetje Ramës, por mbështet institucionet shqiptare.

“Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”, deklaroi Palmer.

Në intervistë, Palmer thotë se dëshiron krijimin e Gjykatës së Lartë sepse mungesa e saj përbën shqetësim. “Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respek për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin”.

I pyetur nëse duhen përsëritur zgjedhjet lokale, Palmer tha se “kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim”.

Më tej, Palmer u shpreh se ” unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote. Pra, ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet, siç artikulohen nga OSBE-ja. Përsa i përket se cilat janë përgjigjet e duhura ndaj kësaj, ne do dëshironim ta shihnim këtë të dilte nga institucionet shqiptare”.

Lidhur me ndalimin e hyrjes në SHBA të Vangjush Dakos dhe familjen e tij, Palmer u shpreh se “mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj”.

Ai tha se “ky është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”.

Gjithashtu, zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë theksoi se nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”.atsh

Palmer: Zgjedhjet lokale të përgjegjshme e transparente, SHBA nuk mbajnë anë Read More »

Basha: Zgjidhje krizës përmes parimeve, jo pazareve

Zgjidhje për krizën aktuale në vend sipas kryetarit të opozitës, Lulzim Basha do t’i jepet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe sipas tij, ato do të përsëriten.

Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Cërrik, kryetari i opozitës Lulzim Basha, u fokusua tek gjendja e rëndë ekonomike, sipas tij, një nga arsyet që krijoi shumicën refuzuese Rama ik.

“Shqiptarët janë të papunë për shkak të vjedhjes dhe të hajdutërisë së Edi Ramës të cilën nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur Ballkani. Shikoni Milot Balldrenin, 7-fish koston e rrugës, shikoni Orikum Vlorën. Vetëm këtë javë shikoni vjedhjet që bëjnë me tenderin e uniformës së policisë, dyfish i çmimit, nga 15 milionë në 30 milionë. Shikoni aferën tjetër me kasat fiskale siç e paralajmëruam para disa muajsh, çdo biznes do të paguajë tarifë shtesë” -tha Basha.

Më tej, ai shprehu vendosmërinë e opozitës se kriza nuk do të marrë fund përmes një marrëveshjeje politike – pazar, sikurse ai vetë e cilësoi.

“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar”- tha lideri i opozitës./atsh

Basha: Zgjidhje krizës përmes parimeve, jo pazareve Read More »

Meta letër institucioneve për tërmet apokaliptik në Ballkan

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Presidenti i Republikës Ilir Meta paralajmëron se një tërmet apokaliptik do të godasë Ballkanin.

Siç raportojnë mediet, Presidenti Meta në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare kërkon informacion nga institucionet përkatëse rreth kësaj dukurie natyrore, nisur nga deklaratat e sizmiologut grek Akis Tselentis.

“Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Observatori Kombëtar i Athinës. Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës. Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore”, thuhet në letrën e Metës, publikuar nga mediet.

Sipas medieve, presidenti Meta kërkon informacion për paralajmërimin dhe për masat e mundshme, ndërsa thotë se është i gatshëm të mbledhë edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi: Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla? Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj, nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qendror dhe vendor? Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë”, përfundon letra e Presidentit Meta publikuar nga media të ndryshme në vend./atsh

Meta letër institucioneve për tërmet apokaliptik në Ballkan Read More »

Rama në Salzburg: Ne jemi europianë dhe duam t’i përkasim Europës

Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Salzburg, ku ka marrë pjesë në Forumin Convoco, në një komunikim me moderatorin Hans Ulrich Obrist, Drejtori i Galerisë “Serpentine” në Londër, ka folur gjerësisht mbi disa prej çështjeve kryesore të aktualitetit politik në Shqipëri, perspektivën e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, por edhe mbi artin e kulturën.

Në këtë bashkëbisedim, Kryeministri ka rrëfyer ndër të tjera përjetimet e tij të para në politikë duke u ndalur edhe në eksperiencën e gjatë të drejtimit të bashkisë së Tiranës.

“Mund të them se ndodhi pasi ndryshimi i regjimit filloi në Akademinë e Arteve. U desh vetëm një vit, nga ’89 në ’90 e në atë vit, në Akademinë e Arteve, gjërat lëvizën dhe krijuan mjedisin nga ku nisi shpërthimi. Ditën kur ndodhi shpërthimi ishte përvjetori i 10-të i vdekjes së Xhon Lenonit, që ishte arsyeja për mbrëmjen e parë muzikore, në një hapësirë publike, ku njerëzit shijonin muzikë të ndaluar së bashku. Pas kësaj, vazhdova të jetoja midis artit dhe politikës, jo si politikan, por si qytetar që donte të ngrinte zërin, në ’98 mu dha puna e ministrit të kulturës. S’kisha menduar kurrë të bëhesha ministër dhe ministria e kulturës ishte ndërtesa e parë qeveritare ku kam hyrë, si ministër. S’kisha hyrë më parë në asnjë ndërtesë qeveritare”, – u shpreh Rama.

“Kur u bëra Kryetar bashkie gjeta një qytet pa hapësirë publike, cdo gjë ishte e zënë, njerëzit nëpër apartamente mundoheshin të krijonin më shumë hapësirë, duke shndërruar ballkonet në anekse kuzhine, katet e para i kthenin dritaret në dyer dhe dhomat e gjumit ktheheshin në dyqane. Njerëzit në atë kohë jetonim në hapësira shumë të vogla. E në vend që të ngrinte shtëpi sociale, regjimi ndërtoi 600 000 bunkerë për të mbrojtur Shqipërinë nga sulmi hipotetik nga imperialistët amerikanë. Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur po të kishin ndërtuar shtëpi në vend të bunkereve. Kjo ishte gjendja kur unë u bëra kryetar bashkie. Askush nuk donte t’ia dinte për pamjen e jashtme të ndërtesës. Çfarë të bënim me një buxhet që s’ishte pothuajse fare. E nisëm me lyerjen e ndërtesave, filloi nga nevoja. Shpesh është përshkruar si operacion estetik, por ishte një operacion politik me ngjyra, kishte njëkohësisht edhe një minoritet të zhurmshëm që e kundërshtonte. Mendova se po bëja gabim, se duhet të ndaloja. Bëra një anketë, që mbetet anketa ime e preferuar në 20 vjet në politikë “A të pëlqen ajo që po ndodh në qytet me ngjyrat dhe do të doje të ndalonte apo të vazhdonte?” Ata që e pëlqenin ishin 67% dhe ata që donin të vazhdonte ishin 85%. Pra gjysma e atyre që nuk u pëlqente, nuk donin që të ndalonte”, – shtoi ai.

Në lidhje me proceset integruese të Shqipërisë në BE, kryeministri u shpreh se “për ne në rajon, Europa është së pari dhe më e rëndësishmja ajo që u nis si projekt paqeje dhe bashkëpunimi për të mirën e gjeneratave të reja. Prandaj s’mund të heqim dorë nga ajo. Megjithëse Europa nuk po shkon mirë, ne përsëri e duam. Nuk është se duam të bashkohemi me Europën e t’i shtojmë kokëçarje drejtuesve të saj që mesa duket janë lodhur me disa vende që kanë ardhur së fundmi, por duam të ndërtojmë një vend Europian dhe një rajon Europian me institucione dhe shtet të së drejtës dhe me demokraci funksionale, e ka vetëm një mënyrë për ta arritur këtë, me Europën”.

‘Më lejoni të them një gjë, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara luftës. I vetmi vend në Europë ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve. Ajo që i çudit nazistët është që familje myslimane mbrojtën hebrenjtë dhe Kardinali Katolik shqiptar realizoi shumë kungime falso për t’i dhënë hebrenjve një identitet katolik. Kur nazistët u bënë thirrje drejtuesve fetarë, që ishin të vetmet figura udhëheqëse pas pushtimit, dhe ata kërkuan të nënshkruanin një marrëveshje, ku të pranonim që ari që u dërgua në Romë të merrej nga nazistët dhe të dorëzonim listën e herbrenjeve. Ata nënshkruan për arin, por jo për hebrenjtë. Merrni arin, harrojini hebrenjtë. A është vlerë? Mendoj se është vlerë e madhe. Mendoj se fakti që në vendin tone të vogël e të varfër, të hapësh dyert e të strehosh njerëz nuk është dicka që e vë në dyshim, thjesht e bën. Mendoj se është vlerë Europiane, apo jo? Ç’kuptim ka të lësh jashtë këtë hapësirë brenda, këtë zone ku njerëzit ende besojnë shumë tek ideja e bashkimit në një familje të madhe, por nëse kjo ide shuhet… C’ndryshim ka nga një i ri mysliman në rajonin tone dhe një i ri mysliman në Irak? Ndryshimi është se myslimani ynë ka Europën, ëndrrën, prespektivën, një mënyrë për të jetuar e kontribuar në botë që shtrihet mbi vlera e tradita. Një mysliman i ri në Irak nuk ka prespektivë. Pra është me rëndësi të kuptohet se ne jemi Europianë, por të qënit pjesë e Bashkimit për ne është çështje përkatësie tani e përgjithmonë te një hapësirë vlerash e njerëzish që është më i miri në botë,’ nënvizoi Kryeministri.

I pyetur mbi aktualitetin politik në Shqipëri dhe zgjedhjet e 30 Qershorit, Kryeministri deklaroi ndër të tjera se, ‘ne kemi një jetë shumë të vështirë politike. Besoj fort se cilësia e demokracisë, e të bashkëjetuarit nuk varet nga sa shumë biem dakort, por nga mënyra sesi nuk biem dakort. Ne nuk biem dot dakort as për kohën. Duhet të piqemi sepse demokracia nuk është e thjeshtë”.

Rritja, maturimi janë pjesë e këtij tranzicioni të dhimbshëm, theksoi Rama duke shtuar se “dhe Europa është shumë e rëndësishme dhe integrimi europian është unik sepse na jep mjetet për tu modernizuar, na jep mënyrat dhe njohuritë për të ndërtuar institucione, për të ndërtuar një sistem drejtësie të besueshëm, e duke bashkuar njohuritë e Europës me fuqinë shumë tërheqëse që ka Europa mbi shqiptarët mund të bësh reforma që nuk janë shumë popullore, por që kanë mbështetje të madhe, sepse njerëzit thonë, po, nuk është e këndshme, por duhet ta bëjmë sepse jemi europianë dhe duam t’i përkasim Europës”.

“Në të njëjtën kohë, s’e kuptoj kur njerëzit në Europë, shtete apo udhëheqës nuk e kuptojnë që për ne, procesi, rrugëtimi ka shumë më shumë rëndësi se mbërritja, sepse përmes procesit ne mund të zhvillohemi. Mund të ndërtojmë shtetet që nuk i kemi pasur kurrë. Mund të fitojmë aftësitë që ka Europa’.

Në fund, kryeministri ka folur edhe mbi artin, letërsinë dhe kulturën.

“Para se të bëhesha kryeministër, gjithmonë thoja, nëse bëhem ndonjëherë kryeministër, kjo ndërtesa nuk do ketë gardhe, sepse ishte e rrethuar, dukej si burg, me gardh me ushtarë. Gjithmonë kam besuar se ndërtesat mbrohen me anë të bukurisë, jo gardheve. Hoqa gardhin dhe e hapa tërë katin e parë për popullin, e u bë ajo që sot është COD-i, kemi ekspozita, biblotekë publike, një sallë të vogël kinemaje ku fëmijët mund të vijnë, të shohin filmat e tyre, të diskutojnë, zhvillojmë edhe diskutime aty. Kam thënë që edhe protestuesit mund të vijnë ta përdorin atë pjesë falas, për të shtruar çështjen e tyre, e nëse duan, unë mund të shkoj, apo ministrat, për të folur me ta. Por protestuesit kanë një problem me diskutimin, sepse nëse debatojnë, nuk janë më protestues. Nuk është e thjeshtë, por është aty edhe për këtë qëllim”, theksoi Rama.

Kryeministri shtoi se “kemi pasur edhe kontribute shumë bujare nga Thomas Demand, që ishte artisti që e hapi qendrën. Kemi një shfaqje shumë të bukur të punëve të tij, kishim një dhuratë nga Philippe Parreno në hyrje të Kryeministrisë, që ngjalli shumë diskutim. Ende. Miqtë e mi në opozitë duan ta thyejnë, por deri tani ka mbijetuar. Por kërpudha e … që ishte në kopësht nuk i mbijetoi sulmit të protestuesve, sepse e thyen. E thyen dhe ishte e trishtë, por ishte edhe e vështirë t’i shpjegoje … që nuk ishte një protestë estetike, ishte politike. Ishte kundër meje, jo kundër kërpudhës. Nuk më kapën dot mua dhe kapën kërpudhën. Kërpudha u thye. Isha shumë i lumtur kur … më mori në telefon pas një muaji dhe më tha ‘kam një ide fantastike’. Sepse i thashë ‘duhet ta bëjmë prap. Do e bëjmë prap, por duhet ta ngremë 25% më lart, që kushdo që e prek ta dijë se do kthehet më e lartë. Kjo do i pengojë njerëzit që ta prishin kërpudhën, por nëse ia dalin, kërpudha do rritet. Më duket shumë e bukur, të mbijetosh me rritje e të reagosh duke u rikthyer, mezi pres kërpudhën që do jetë më e madhe tani, gjë që mund të nxisë protesta të tjera, por pastaj do e zmadhojmë më shumë, sepse jeta vazhdon”./atsh

Rama në Salzburg: Ne jemi europianë dhe duam t’i përkasim Europës Read More »

Basha në Përmet: Përgjegjësit e 30 qershorit para drejtësisë

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, gjatë një takimi të shtunën me strukturat e Partisë Demokratike në Përmet, tha se “farsa e 30 Qershorit është një grusht kriminal institucional për të pushtuar pushtetin vendor, për të shkatërruar KQZ-në dhe gjithë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, përfshi Kolegjin Zgjedhor”.

“Të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij grushti kriminal institucional, me në krye ikonat e hajdutërisë dhe paligjshmërisë si Denarbibat që i shërbyen Edi Ramës për të dhunuar Kushtetutën dhe ligjin më 30 qershor, do të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre kriminale. Burgu i pret dhe nuk ka bandit e Bablok t’i shpëtojë”, – u shpreh Basha.

Kreu i opozitës tha se detyra kryesore e Partisë Demokratike është t’i përgjigjet mesazhit të 30 Qershorit, refuzimit të Edi Ramës, sipas tij, nga 85 për qind e shqiptarëve dhe thirrjes së tyre për ndryshim. /atsh

Basha në Përmet: Përgjegjësit e 30 qershorit para drejtësisë Read More »

Haradinaj: Qeveria nuk merr vendime derisa të shprehet Kushtetuesja

-Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse Qeveria mund të marrë vendime pas dorëheqjes së tij.

“Për takime të qeverisë dhe për marrje të vendimeve nuk do të marrim vendime si qeveri, ndërsa ministrat detyrat rutinë që i kanë i vazhdojnë”, tha ai.

Ai tha se është kryeministër në dorëheqje.

“Unë jam kryeministër në dorëheqje. E vetmja gjë në dorëheqje kam treguar se nuk do të lejoj vakuum në qeveri. Jam një ish-kryeministër dhe sikur të mos kishte qenë kështu ndryshe do të kishte qenë rutina”, tha ai.

Sipas tij, presidenti e ka të lehtë të shpallë zgjedhjet pasi të gjitha partitë janë deklaruar se duan zgjedhje.

“Nëse ka bërë përgatitje paraprake, nuk kam arsye ta paragjykoj. Mendon se presidenti e ka të lehtë punën, çdo parti ka thënë se duam zgjedhje. Kur të gjithë e nënshkruajmë deklaratën për shpërbërjen e Kuvendit”, tha ai.

Ai dha edhe detaje nga intervistimi që i është bërë nga Gjykata Speciale.

“Dje jam kthyer, kam qenë në Hagë, intervista ka qenë procedurë ligjore, nuk kam pasur ndonjë temë të caktuar. Nuk është bërë e ditur se kanë pushuar hetimet, nuk do të më ftojnë më. Vazhdoj të punoj në Kosovë pa ndryshim të temave, por unë nuk e shoh zgjidhjen e marrëveshjes me Serbinë me hapjen e territoreve. Kosova nuk e përballon një Dodik Republikë, taksa mbetet deri në njohje”, tha ai. /KosovaPress

Haradinaj: Qeveria nuk merr vendime derisa të shprehet Kushtetuesja Read More »

KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga sot, të gjithë kandidatët e zgjedhur në 30 qershor, brenda datës 10 gusht, do të kenë mundësi të marrin zyrtarisht mandatin duke u betuar para këshillave.

Nga ana tjetër, Kolegji Zgjedhor Zgjedhjeve ka nisur punën duke bërë shpërndarjen e këshilltarëve për bashkitë e vendit.

Vendimi u shpall nga kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Klement Zguri. Tabela përmbledhëse përfshin rezultatin e votimit për kandidatët për kryetar bashkie që janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë në zonën zgjedhore përkatëse, numrin e votave të fituar nga çdo subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e votave të fituar në çdo subjekt zgjedhor për Këshillat Bashkiak.

“Me katër vota pro një kundër miratohet, vendimi hyn në fuqi”, theksoi Zguri.

Duke argumentur votën e tij kundër, Zguri tha se KQZ ka pasur një performancë të dobët dhe nuk mund të japë një notë kaluese. “Kjo performancë nuk duhet të kthehet në standard në të ardhmen dhe një nga arsyet e votës kundër është pikërisht kjo”, tha Zguri.

“Është qartësisht e dukshme, unë nuk bie dakord me shumicën dhe u kërkoj të reflektojnë”, tha ai./atsh

KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit Read More »