Politike

Basha: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do ta çlirojnë demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “zgjidhja e krisës politike kalon nga politikanë me pranga në duar”.

Basha thekson se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do ta çlirojnë demokracinë.

“Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një qeveri tranzitore dhe ndëshkimi i politikanëve që vodhën zgjedhjet, do ta çlirojnë demokracinë dhe drejtësinë nga kjo bandë kriminale”, shprehet ai./atsh

Basha: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do ta çlirojnë demokracinë Read More »

LSI dhe PR kërkesë në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 Tetorit

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dërguar sot në KQZ një kërkesë me qëllim regjistrimin e kësaj force në zgjedhjet e 13 Tetorit të dekretuara nga Presidenti Ilir Meta.

Kërkesa është dorëzuar sot nga ish-deputeti Endrit Braimllari i cili u shpreh se anëtarët e KQZ-së, duhet ta regjistrojnë LSI-së, pasi në këtë mënyrë zbatojnë ligjet.

“Kush nga kamikazët nuk respekton ligjet do të mbajnë vetë përgjegjësi”, tha Braimllari për anëtarët e KQZ-së.

I pyetur nëse kishte ndonjë përçarje mes tyre dhe PD, në një kohë që forca më e madhe opozitare nuk e ka dorëzuar ende një kërkesë të tillë, Braimllari i është shmangur përgjigjes.

“Unë kam ardhur në emër të LSI, ajo ç’ka ka rëndësi është se data 13 është datë e ligjshme zgjedhjesh dhe duhet të jetë e respektueshme nga të gjithë”,- tha ai.

Ndërsa pas Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe Partia Republikane ka bërë kërkesë për t’u regjistruar për zgjedhjet e 13 tetorit.

Kërkesa e republikanëve për regjistrim në KQZ mban datën e 3 gushtit, ndërsa është protokolluar sot.

Sot është afati i fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ.

PD nuk ka dërguar ende kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 13 Tetorit, sipas dekretit të ri të Presidentit Ilir Meta./atsh

LSI dhe PR kërkesë në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet e 13 Tetorit Read More »

Norvegjia mbështet Shqipërinë: Përgëzime për reformën në drejtësi, jemi pro hapjes së negociatave dhe anëtarësimit në BE

Shqipëria dhe Norvegjia, në kuadër të intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhëniet shumëplanëshe mes tyre, kanë konkretizuar arritjen e radhës duke nënshkruar një marrëveshje lidhur me financimin dhe zbatimin e projektit “Forcimi i sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri”.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka pritur ambasadorin e Norvegjisë Per Strand Sjaastad i cili vlerësoi rolin që po luan Ministrja Gjonaj në krye të Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e një sërë reformash duke përfshirë këtu dhe reformën në drejtësi.

Gjonaj dhe Sjaastad në emër të ministrisë norvegjeze të Punëve të Jashtme nënshkruan “Memorandumin e Mirëkuptimit”, me qëllim bashkimin e përpjekjeve për zbatimin e projektit ekstra-buxhetor “Forcimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.

Teksa u diskutua hollësisht situata në Shqipëri, diplomati i lartë përgëzoi Gjonajn për iniciativat e ndërmarra lidhur me rigjenerimin e sistemit të drejtësisë, duke e konsideruar si një hap përpara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sjaastat u shpreh se shteti norvegjez është i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij në raport me projekte të mundshme të cilat do të zhvillohen, sidomos në fushën e drejtësisë. “Shembull suksesi të kooperimit të dy shteteve”, u shpreh Sjasstat, “është projekti për ndërmjetësimin.

“Për sa i përket këtij projekti dhe zhvillimit e projekteve të mëtejshme ju këshillojmë që ndërmjet ministrisë dhe ekspertëve, të rritet dhe të lehtësohet komunikimi midis palëve, të përshpejtohet zhvillimi dhe miratimi i akteve nënligjore të cilat lehtësojnë zhvillimin dhe implementimin e projekteve, të forcohet sistemi referues për dhënien e alternativave të ndryshme ndaj publikut dhe të rritet niveli dhe bashkëpunimi i grupit të ekspertëve”, tha ai.

Strand Sjaastad u shpreh se “vendi i tij është pro hapjes së negociatave me Shqipërinë në Bashkimin Europian duke e konsideruar Tiranën zyrtare si një faktor kyç për stabilitetin në Ballkan”.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, vlerësoi takimin duke shprehur vlerësime për rolin e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë në zbatimin e reformës në drejtësi si edhe reformave të tjera, siç është ajo e përmirësimit të sistemit të ndërmjetësimit, me qëllim rritjen e alternativave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis palëve.

Ministrja Gjonaj i shprehu ambasadorit Sjaastad mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin në projektin e ri dy vjeçar me vlerë rreth 600000 euro, që u konkretizua me nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit në fushën e ndërmjetësimit, e cila konsiston në mbështetje me asistencë teknike dhe financiare.

Pas diskutimit të frytshëm mbi disa nga objektivat dhe sfidat kyçe të MD, Gjonaj dhe Sjaastad nënshkruan “Memorandumin e Mirëkuptimit” me qëllim bashkimin e përpjekjeve për zbatimin e projektit “Forcimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri” i cili sipas ministres Gjonaj, do të rrisë aksesin e qytetarëve në drejtësi.

Gjithashtu, përmes kësaj iniciative synohet të jepen njohuri të mjaftueshme në mënyrë që ligji i ri për ndërmjetësim të jetë i zbatueshëm dhe i kuptueshëm nga aktorët kyç, për të nxitur më tej bashkëpunimin.

“Ndërkohë, qëndrimi pro hapjes së negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian, ftesat për bashkëpunim, gatishmëria për të investuar, janë të tjera sinjale pozitive të takimit që intensifikojnë më tej marrëdhëniet tona me Norvegjinë”, u shpreh Gjonaj.

Ky Memorandum synon lehtësimin e bashkëpunimit, mbështetjes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis Ministrisë shqiptare të Drejtësisë si përfituese, Qendrës së Berlinit për Ndërmjetësimin Integrues si aktori kryesor zbatues dhe Ministrisë norvegjeze të Punëve të Jashtme si financuese.

Fokusi i veçantë i projektit është mbështetja e sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri, kryesisht e Ministrisë së Drejtësisë me qëllim forcimin e shtetit ligjor dhe aksesit në drejtësi për qytetarët.

Projekti pritet të ofrojë një sërë ndërhyrjesh të synuara për sigurimin e ekspertizës për MD-në, me qëllim lehtësimin e zbatimit të Ligjit të sapo ndryshuar për Ndërmjetësimin dhe rritjen e kapaciteteve të sistemit të ndërmjetësimit për ofrimin e shërbimit cilësor për qytetarët. /atsh

Norvegjia mbështet Shqipërinë: Përgëzime për reformën në drejtësi, jemi pro hapjes së negociatave dhe anëtarësimit në BE Read More »

“Plagosi me thikë një qytetar, u emërua administrator”, Erion Isai reagon ndaj lajmeve në medie: Gjyq për shpifje për këtë thertore virtuale

Kryetari i bashkisë Kolonjë, Erion Isai ka përgënjeshtruar sot lajmin e botuar në disa medie, sipas të cilave kryetari i FRESSH, Pandi Cunge, ka plagosur një qytetar me thikë pasi po sipas tyre, kishte fyer në rrjetet sociale, Isain gjatë fushatës.

Sipas lajmeve të publikuara në medie të ndryshme, por edhe deklaratave të opozitës, Cunge u emërua administrator i njësisë administrative Qendër nga Isai pavarësisht ngjarjes së pretenduar.

Isai deklaron se kjo është totalisht e pavërtetë, pasi nuk ka patur as plagosje, as thikë për asnjë arsye.

“As thikë, as plagosje, as për arsye banale, as për politikë, aq më pak për mua… apo më banale akoma, për fb, insta, snap… etj etj. E vetmja plagosje e ndodhur në fakt, është ajo virutale, që nga gojët e shqyera të politikës përhapet nëpër gazeta dhe portale pa asnjë kujdes për të vërtetën që mund të gjendet lehtësisht në raportet e policisë”, deklaron kryebashkiaku i Kolonjës.

Gjithashtu, Isai shprehet se Pandi Cunge, duhet dhe do të ndjekë me gjyq për shpifje, gjithë këtë “thertore” virtuale.

“Pandi Cunge, duhet dhe do të ndjekë me gjyq për shpifje, gjithë këtë “thertore” virtuale. Ndërsa s’duhet të ulë vrullin e punës në hapësirën e provës, që detyra kërkon”, përfundon kryetari i bashkisë Kolonjë./atsh

“Plagosi me thikë një qytetar, u emërua administrator”, Erion Isai reagon ndaj lajmeve në medie: Gjyq për shpifje për këtë thertore virtuale Read More »

Meta: Zgjidhjen e krizës e ka dhënë një institucion që ekziston

Presidenti Ilir Meta deklaron se pas një terapie me ujë bore i ka lindur pyetja që sipas tij, iu drejtohet atyre që bëjnë si të paanshëm, lidhur me zgjidhjen e krizës politike.

Meta shprehet se “pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar?”.

Po ashtu, Meta thekson se “kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?”./atsh

Meta: Zgjidhjen e krizës e ka dhënë një institucion që ekziston Read More »

Basha: Rama bën sikur nuk e di atë që sheh gjithë Shqipëria

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon kryeministrin se po mbron Vangjush Dakon duke heshtur, pas shpalljes non grada nga SHBA.

Sipas Bashës, “kryeministri bën sikur nuk e di, nuk e sheh, nuk e dëgjon atë që sheh gjithë Shqipëria”, duke shtuar se ish-kryebashkiaku ka vjedhur zgjedhjet.

Prandaj, shton Basha largimi i kryeministrit është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin, për të vënë qeverinë në interes të qytetarëve, jo të krimit dhe të oligarkëve me të cilët grabit çdo ditë shqiptarët./atsh

Basha: Rama bën sikur nuk e di atë që sheh gjithë Shqipëria Read More »

Lleshaj: PD në krizë të thellë, parashikon vjedhje pasi është ajo që kanë bërë vetë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar sot lidhur ndaj akuzave të PD për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Sipas Lleshajt, “drejtuesit e PD-së vuajnë një krizë të thellë. Ata besojnë sinqerisht se kushdo që ka një pushtet vjedh, pasi ata vetë kanë vjedhur sa herë kanë pasur një mundësi për ta bërë këtë. Në vijim të kësaj logjike mjerane, përmes një deklarate dje, ata kanë parashikuar një vjedhje që do të ndodhë në të ardhmen, kur të përzgjidhet fituesi i një procedure prokurimi për uniformat e Policisë së Shtetit”, sqaron Lleshaj.

“Duke hedhur poshtë me neveri gënjeshtrat e turpshme që mbajnë logon e PD-së, më mbetet t’ ju them autorëve të tyre: Sandër Lleshaj nuk i përket farës tuaj. Sandër Lleshaj ka dhe do të ketë vetëm një pasuri në jetën e tij: Nderin e tij, të familjes, të të parëve të tij dhe të Atdheut të tij. Sado të ëndërroni, Sandër Lleshajn nuk do ta keni kurrë të ngjashëm me ju, as në vjedhje, as në vrasje dhe as në turpe të tjera”, thekson Lleshaj.

“Mund të duket naivitet nxitimi juaj për të parashikuar një vjedhje në të ardhmen. Por, në të vërtetë, kjo është një përpjekje djallëzore për të ndërhyrë dhe ndikuar në një procedure publike dhe të hapur ndërkombëtare”, vijon Lleshaj.

“Dhe, pa dashur të parashikoj të ardhmen, më duhet të garantoj drejtuesit e PD, se: Vjedhja e dëshiruar dëshpërimisht prej jush nuk do të ndodhë. Tentativa juaj për të ndërhyrë në procesin e prokurimit të uniformave të Policisë së Shtetit nuk do të ketë sukses. PD do të duhet të mbrojë përpara një gjykate poshtërsitë me të cilat ka ndotur opinionin publik. Çdo shumë financiare, që do të rezultojë si zhdëmtim pas procesit gjyqësor, do të shkojë në favor të familjeve të policëve të rënë në detyrë”, përfundon Lleshaj./atsh

Lleshaj: PD në krizë të thellë, parashikon vjedhje pasi është ajo që kanë bërë vetë Read More »

Meta letër Kuvendit: Vendimi i Kushtetueses do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen

Presidenti Ilir Meta përmes një shkrese drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ri-thekson argumentet e tij, se vendimi për ndryshimin e datës së zgjedhjeve lokale erdhi për shkak të klimës politike në vend.

Sipas Presidentit, vendimi kishte si synim për t’i mundësuar palëve politike gjetjen e një marrëveshje për realizimin e zgjedhjeve lokale në një klimë më paqësore.

Pas dekretit të Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve në tetor, Kuvendi i Shqipërisë nisi procedurat për shkarkimin e tij dhe sipas ligjit, parlamenti ka ngritur një komision hetimor për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të Presidentit. Ky i fundit është thirrur në komisionin parlamentar për të sqaruar pozicionin e tij, por kjo ftesë është refuzuar nga Presidenti, i cili nënvizon se vendimet e tij i merr në shqyrtim vetëm Gjykata Kushtetuese.

Meta shprehet se “e bëj publike këtë letër pasi çështjet e ngritura janë publike dhe natyrisht që kërkojnë zgjidhje të përgjegjshme nga të gjithë ne, gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe respektimit të ligjshmërisë në vend, në respekt të parimit të ndarjes dhe balancës të pushteteve, por dhe detyrimit të pashmangshëm për bashkëpunim ndërinstitucional vetëm në interes të vendit dhe qytetarëve tanë”.

“Unë e di nga përvoja e mëparshme se sa e vështirë është të jesh Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, aty ku konfliktualiteti i dy palëve prej dekadash është konsoliduar si sporti më argëtues për tifozët e udhëheqësve respektivë, të cilët prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 filluan të zbresin edhe nga lozhat e spektatorëve direkt në karriget e deputetëve, madje edhe të boksojnë herë pas here për të garantuar vendin në listat e radhës e duke e bërë të pamundur përmbushjen efektive, të përgjegjshme dhe atdhetare të përgjegjësive të institucionit më të rëndësishëm të vendit që zgjedhin e besojnë qytetarët, të cilët po rrallohen çdo ditë pikërisht se ky konflikt i orkestruar dhe mbështetur nga një pakicë që përfiton me të gjitha qeveritë e radhës, si dhe garanton përmes zhurmës dhe tymit të sherrnajës së përhershme atje miratimin e ligjeve preferenciale e selektive që dëmtojnë interesin e përgjithshëm, buxhetin e shtetit dhe familjet shqiptare”, tha Meta.

Sipas tij, vetëm kësaj pakice, që nuk njeh rotacion por njeh vetëm PPP me të gjitha qeveritë, i intereson kjo krize e përgjithshme që ka rrëzuar të gjithë sistemin e llogaridhënies në vend si në nivel qendror edhe vendor.

“Kësaj pakice, që nuk ka asnjë lloj ideologjie i intereson vetëm shpikja e konflikteve të pafund në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë të zhvishen çdo ditë nga të drejtat e tyre të fituara me aq sakrifica çdo ditë dhe të kthehen skllevër në atdheun e tyre. Dhe kjo po ndodh se shumë prej përfaqësuesve të tyre që duhet të mbrojnë çdo ditë qytetarët e tyre u janë mbyllur sytë për të parë dhe veshët për të dëgjuar hallet e shqiptarëve. Por jo goja për të argëtuar liderët e tyre. Sepse kjo është e vetmja rrugë për të marrë firmën e tyre për në listën e radhës”, thotë Meta.

Ndaj është koha tani e jo më vonë, vijon ai, për t’i hequr pushtetin e paligjshëm kësaj pakice dhe për t’i rikthyer sovranitetin e marrë tinëzisht qytetarëve shqiptarë dhe rivendosur parlamentarizmin në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se në Kuvend nuk ka deputetë të përgjegjshëm dhe të shqetësuar për çfarë po ndodh, ashtu siç dihet se kontributi i tyre është bërë dhe më i vështirë pas djegies në bllok të mandateve nga opozita, një akt për të cilin Kryetari i Kuvendit, zoti Ruçi, e di si askush tjetër mendimin tim, ashtu siç i di më mirë se kushdo përpjekjet e mia për rikthimin e saj në Kuvend në fillim të dhjetorit të kaluar”.

“Unë vazhdoj të besoj se përvoja e zotit Ruçi, por edhe e deputetëve të tjerë, do e ndihmojë Kuvendin aktual të orientohet sa më drejtë në këtë kohë kritike për vendin dhe të ardhmen e tij europiane”, deklaron Meta duke publikuar letrën plotë drejtuar Kuvendit.

Letra e plotë e Metës për Kuvendin:

“Në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës ka ardhur shkresë-kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë nr. 2502/13 protokolluar datë 19.07.2019. Në vijim, Presidenti i Republikës bën sërish me dije se qëndrimi i Presidentit të Republikës mbi veprimtarinë e nisur nga Kuvendi për dekretet e Kreut të Shtetit, është përcjellë me shkresën tonë nr.1956/1 prot., datë 19.06.2019”.

“Presidenti i Republikës vlerëson t’i risjellë në kujtesë Kuvendit të Shqipërisë se lidhur me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2019, Presidenti i Republikës, si autoriteti i vetëm kushtetues që ka për kompetencë ekskluzive caktimin e datës, ka nxjerrë këto dekrete: Dekret nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës 30 qershor 2019 si ditë për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”. Dekret nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Dekret nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Këto dekrete i janë përcjellë menjëherë autoritetit përkatës për zbatim sipas ligjit”, sqaron Presidenti.

“Kuvendi i Shqipërisë dhe jo vetëm, është i mirëpritur të gjejë të gjithë informacionin për të cilin ka interes, përfshi edhe traditën institucionale të Presidentit të Republikës, takimet, aktet ligjore, deklaratat, veprimtaritë, vizitat, konsultat, qëndrimet e Kreut të Shtetit apo Institucionit të Presidentit të Republikës, të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës http://president.al/. Ato janë publike dhe gjithkush mund t’i lexojë, të njihet e t’i përdorë ato”.

“Megjithatë është me rëndësi dhe shumë e nevojshme të rikujtojmë së bashku se data 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, është caktuar me Dekret nr. 10928, datë 05.11.2018, të Presidentit të Republikës, në kushtet e një klime normale politike në vend dhe pas zhvillimit të konsultimeve me përfaqësuesit e tre grupeve parlamentare një praktikë kjo e konsoliduar nga kryetarët e shtetit shqiptar ndër vite”, vijon sqarimi i Presidencës.

“Ndërkohë që anulimi i datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe shtyrja e tyre për t’u zhvilluar ditë të djelë në datë 13 tetor 2019 është realizuar respektivisht me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018” dhe Dekretin nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në kushtet e një krize të rëndë politike, kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit, ku pas vlerësimit të situatës që po kalonte vendi, referuar dhe gjuhës së urrejtjes së palëve politike dhe veprimeve të tyre dhe shprehjes së vullnetit të tyre për të mos eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik, ekzistonte rreziku që Shqipëria të shkonte drejt një përshkallëzimi të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktonte pasoja të pakontrollueshme me rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen sociale në vend”, thuhet në qëndrimin e Presidencës.

“Pikërisht për këto e shumë arsye të tjera, Presidenti vlerësoi dhe vendosi se ishte e domosdoshme ndërhyrja e Kreut të Shtetit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për të garantuar unitetin e popullit; për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; për të ulur tensionin social; për të garantuar rendin kushtetues dhe demokracinë në vend; dhe për t’u dhënë kohë palëve politike për dialog gjithëpërfshirës dhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike, që bëjnë pjesë themelore të detyrave dhe rolit të Presidentit të Republikës në një Republikë Parlamentare, veçanërisht në kohë krize”, lexohet te shkresa drejtuar Kuvendit nga ana e Presidentit.

“I nderuar Kryetar i Kuvendit, Ju dhe unë kemi eksperiencë të gjatë politike dhe kemi përjetuar zhvillimet politikë në vend që prej viteve 1990-të e deri aktualisht. Është e nevojshme të risjellim në vëmendje se zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin ashtu dhe për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë aspak rastet e precedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm dhe për konsolidimin e demokracisë së brishtë shqiptare”.

“Precedenti i parë i shtyrjes së procesit zgjedhor në Shqipëri ka filluar pikërisht që në hapat e parë të ndryshimeve thelbësore të sistemit qeverisës në vitet 1990-1991, momenti i parë ky, që i hapi rrugë demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut në vendin tonë. Ish-Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Ramiz Alia me Dekretin nr.7433, datë 01.12.1990 kishte përcaktuar se “Zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit Popullor për Legjislaturën e 12-të të bëhen më datën 10 shkurt 1991, ditën e diel”. Ky dekret është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 8, datë 20.12.1990”.

“Ish-Presidenti Ramiz Alia, i cili ishte dhe udhëheqësi i fundit i sistemit komunist në Shqipëri, reflektoi me përgjegjësi të lartë shtetërore në koherencë me ndryshimet e mëdha politike që po ndodhnin në gjithë Europën Lindore dhe më datë 17.01.1991 ndërmori vendimmarrjen për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për tu mbajtur më datë 10 shkurt 1991, duke e shtyrë zhvillimin e tyre për tu mbajtur më datë 31 mars 1991. Kjo u pasua edhe me vendimmarrjen e tij me dekret nr.7468, datë 22.02.1991, për krijimin e Këshillit Presidencial një hap tjetër ky drejt hapjes së një rendi të ri dhe demokratik shoqëror”.

“Kjo vendimmarrje për shtyrjen e datës së zgjedhjeve u bë pikërisht për t’u dhënë mundësi forcave politike opozitare që ishin krijuar ndërkohë të merrnin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme edhe pse ato kërkonin ndryshimin dhe përmbysjen e lidershipit komunist në Shqipëri. Këto zgjedhje të shtyra në kohë dhe të zhvilluara në datë 31 mars 1991, prodhuan dhe parlamentin e parë pluralist”, sqaron Presidenti Meta.

“Ky akt i ndërmarrë nga ish-Presidenti Alia, aq më tepër duhet të rivlerësohet sot për përgjegjshmërinë e tij, pasi aktualisht vërehet një degradim i klasës drejtuese në vend në konceptimin e demokracisë, zgjedhjeve dhe pluralizmit politik që janë themelet e gjithë sistemit kushtetues e juridik në vend”.

“Rikthimi i konceptit të sundimit të shumicës dhe legjitimimi i këtij koncepti në diskursin publik të Kryeministrit apo dhe drejtuesve të tjerë në mazhorancë është i papranueshëm për një vend si i yni, që përjetoi izolimin më tragjik nga sistemi një partiak që në themel kishte sundimin e shumicës ndaj pakicës”, vijon Presidenti.

“Dallimi themelor midis shtetit të shumicës dhe shtetit të së drejtës është se tek ky i fundit janë parësore garantimi i të drejtave të pakicave dhe opozitës në veçanti, si dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ku e drejta për të zgjedhur dhe jo për të votuar është jetike për demokracinë dhe shtetin ligjor. Ndaj është e rëndësishme që të përkushtohemi të gjithë vetëm për sundimin e ligjit në vend dhe respektimin e shtetit të së drejtës”, vijon shkresa e Presidentit.

“Pikërisht keqkuptimi i rëndë dhe i papranueshëm në mos dallimin midis sundimit të shumicës dhe sundimit të ligjit, na ka sjellë këtu ku jemi sot, në krizën edhe më të thellë kushtetuese, institucionale, dhe të përfaqësimit në vend. Një tjetër rast i shtyrjes së zgjedhjeve evidentohet në vitin 2006, ku Presidenti i Republikës me Dekret nr.5131, datë 02.12.2006, vendosi që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të zhvilloheshin ditën e shtunë datë 20 janar 2007”.

“Për shkak të pretendimeve të forcave politike dhe vlerësimit të pamundësisë së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve në datën e caktuar (20 janar 2007) që lindi nga një konflikt politik i cili u zgjidh me një marrëveshje të vonuar më 12 janar 2007, Presidenti i Republikës miratoi sërish një akt të ri Dekretin nr. 5194, datë 14.01.2007, nëpërmjet të cilit vendosi që: “Dekreti nr.5131, datë 02.12.2006 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, shfuqizohet dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen ditën e dielë më datë 18 shkurt 2007”. Ndërkohë në vitin 2017 pikërisht përpara dy vjetësh, Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 24, datë 23.03.2017, vendosi: “Rrëzimin e kërkesës së z. Elvis Roshi, ish-Kryetar i bashkisë Kavajë” i shkarkuar nga Këshilli i Ministrave për shkak të ndërprerjes së mandatit të tij në zbatim të ligjit për dekriminalizimin. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese iu njoftua Presidentit të Republikës, me shkresë nr.4 akti, datë 23.03.2017″, vijon shkresa e Presidentit.

“Presidenti i Republikës, me Dekretin nr. 10098, datë 24.03.2017, vendosi: “Caktimin e datës 7 maj 2017, si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të bashkisë Kavajë”. Për shkak të krizës politike të vitit 2017 opozita nuk u regjistrua si pjesëmarrëse në këto zgjedhje e po ashtu edhe dy kandidatët e regjistruar u tërhoqën nga kandidimi. Më datë 20 maj 2017, z. Edi Rama, Kryetar i mazhorancës dhe z. Lulzim Basha, Kryetar i opozitës, i’u drejtuan me një letër Presidentit të Republikës, duke e njoftuar atë se më datë 18 maj 2017, ata kishin arritur një marrëveshje politike që mundëson përfshirjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, si dhe në zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar të bashkisë Kavajë”.

“Sipas tyre, pjesë e marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës është edhe kërkesa drejtuar Presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare për garantimin e pjesëmarrjes së opozitës në to. Në këto kushte, Presidenti i Republikës me Dekret të Presidentit të Republikës nr. 10352, datë 21.05.2017, vendosi që data e zhvillimit të zgjedhjeve për këtë njësi të qeverisjes vendore, të shtyhej dhe të caktoheshin për t’u zhvilluar në datë 25 qershor 2017, datë kjo e cila përkonte me të njëjtën ditë me datën për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë”, vijon shkresa e Presidentit.

“Kjo datë e re, pra data 25 qershor 2017, ishte një datë përtej afateve të parashikuara në pikën 3 të nenit 10 të Kodin Zgjedhor, të cilat përcaktonin se zgjedhjet duhej të zhvilloheshin maksimalisht në një afat ligjor që përkonte më datën 7 maj 2017. Ndërkohë me Dekretin nr. 9883, datë 05.12.2016, Presidenti i Republikës, caktoi datën 18 qershor 2017, si ditë për zhvillim e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak të krizës politike të vitit 2017 dhe mospjesëmarrjes dhe regjistrimit të opozitës në këtë process zgjedhor, realizimi i zgjedhjeve në datën 18 qershor 2017, bëhej i pamundur”, vijon shkresa.

“Në këtë mënyrë, pasi palët politike dialoguan dhe dakordësuan një mirëkuptim të shprehur me shkrim, Presidenti i Republikës, nxori Dekretin nr. 10 351, datë 21.05.2017, nëpërmjet të cilit neni 1, i dekretit nr.9883, dt. 05.12.2016 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”, u ndryshua dhe u caktua se zgjedhjet për Kuvendin të shtyhen dhe të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 qershor 2017”, lexohet në letrën e Presidentit drejtuar kuvendit.

“Si konkluzion, i shqyrtimit të këtyre precedentëve të mëparshëm ndër vite, shtyrjet e proceseve zgjedhore të përgjithshme apo vendore në Republikën e Shqipërisë, janë diktuar si pasojë e rrethanave të veçanta politike, të klimës së mosbesimit midis palëve, konfliktit politik, dhe situatave të tensionuara sociale, që në të gjitha rastet kanë bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e autoritetit të vetëm kushtetues që është Presidenti i Republikës, për të nxjerrë një Dekret të ri, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve”.

“Ndërkohë në kushtet aktuale mungesa e marrëveshjes politike midis palëve nuk mund të kufizonte kompetencat e Presidentit të Republikës që me autoritetin dhe me kompetencat e tij ekskluzive kushtetuese, të ndërhynte për të caktuar një datë të re zgjedhjesh për pushtetin vendor, duke garantuar kështu që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfliktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social”.

“Në një situatë normale tejkalimi i krizës me marrëveshje do të pasonte edhe me ndryshime të mundshme në Kodin Zgjedhor, por në një situatë krize ku shumica parlamentare zotërohet nga Partia Socialiste, e cila nëpërmjet lidershipit të saj jo vetëm që nuk shfaqi asnjë shenjë për zgjidhjen e krizës, por përkundrazi u tregua agresive ndaj opozitës, por dhe ndaj Presidentit të Republikës për shkak se ndërmori një nismë për zgjidhjen e krizës, e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen e Kreut të Shtetit për të krijuar një mundësi kohore për zgjidhjen e kësaj situate paradoksale dhe për më tepër të patrajtueshme me ligj sipas Kodit Zgjedhor”, thekson Presidenti.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i rikujton Kuvendit të Shqipërisë se dekreti nr. 11199, datë 10.06.2019 për “Shfuqizimin e dekretit të Presidentit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, është një akt i ndërmarrë dhe i mbështetur tërësisht në dispozitat e Kushtetutës; i bazuar plotësisht në argumente kushtetues dhe në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe demokracisë në vend”.

“Konkretisht ky akt i rëndësishëm i Kreut të Shtetit, synonte ndërprerjen e një procesi zgjedhor fiktiv dhe në kundërshtim me parimet demokratike, i transformuar praktikisht në një proces votimi, pa garë dhe pa alternativa, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë përsipër me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, me hyrjen në fuqi më 29 gusht 2006”.

“Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019, për anulimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor dhe dekreti nr. 11211, datë 27.06.2019 për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj”.

“Referuar dispozitave kushtetuese, mbi të cilat është bazuar nxjerrja e dekreteve të Presidentit të Republikës, veprimtarisë tërësisht kushtetuese të Kreut të Shtetit, parimeve kushtetuese, të drejtave dhe lirive themelore për mbrojtjen e të cilave këto akte janë nxjerrë, marrëdhënieve juridiko-shoqërore që këto akte rregullojnë, si dhe referuar argumenteve tërësisht kushtetuese mbi bazën e të cilave këto akte janë marrë, i bëjnë ato (dekretet), akte me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si të tilla, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tyre”.

“Edhe Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Vendore 2019, në raportin e gjetjeve paraprake të publikuar prej saj në datë 1 korrik 2019, evidentoi se: “…. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para (Gjykata Kushtetuese) është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”.

“Dekretet e mësipërme të Presidentit si akte të rëndësishme me natyrë kushtetuese, janë marrë gjithashtu në respekt edhe të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë që burojnë nga aderimi i saj në aktet ndërkombëtare dhe angazhimi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian”.

“Dekretet për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, dhe për caktimin e datës 13 tetor 2019 si ditë e zhvillimit të tyre, deri në ditën e sotme, nuk janë kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jopolitik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor, si dhe nuk janë ndryshuar, nuk janë anuluar dhe nuk janë shfuqizuar nga asnjë gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë e as nga Kolegji Zgjedhor”, vijon shkresa e Presidentit.

“Për këto arsye, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, këto akte janë në fuqi dhe të detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshi këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë. Për pasojë, i gjithë procesi i votimeve i zhvilluar në datën 30 qershor 2019, është një proces antikushtetues, fiktiv dhe jo demokratik, që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave, data 30 qershor 2019 nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

“Vlerësimet e Presidentit të Republikës, përkuan edhe me qëndrimin e qartë të raportit paraprak të datës 1 korrik 2019 të misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it nën drejtimin e Ambasadores Audrey Glover, si dhe me vendimin refuzues të Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri”.

“Ndërkohë Rezoluta e datës 13 qershor 2019 e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe inicimi i një procesi për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, në fakt kanë ofruar mbështetjen e Kuvendit ndaj KQZ-së për të realizuar një proces antikushtetues votimesh, duke zgjedhur kështu një rrugë të gabuar, që nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e krizës politike dhe situatën e rëndë të krijuar, veçanërisht pas realizimit të votimeve partiake më 30 qershor 2019”.

“I gjithë ky proces i nisur nga Kuvendi është fiktiv, i palegjitimuar, i gabuar dhe për më tepër, pa asnjë objekt konkret të veprimtarisë së tij. Presidenti i Republikës është i bindur se interpretimi përfundimtar i dispozitave Kushtetuese apo i rolit të Presidentit në kohë krizash të rënda politike që lidhen me proceset zgjedhore, pikërisht siç dhe vendi ynë po kalon prej një kohe të gjatë, nuk mund të realizohet kurrsesi nëpërmjet komisioneve hetimore të ngritura nga Kuvendi, por vetëm nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila prej gati një viti e gjysëm (17 muajsh) nuk është funksionale”.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale përgjatë vitit 2018 e në vijim, atëherë çdo palë do të kishte mundësinë t’i drejtohej kësaj gjykate dhe kjo e fundit do të shprehej mbi çdo pretendim të mundshëm të natyrës kushtetuese. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shprehet për dekretet e Presidentit dhe përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën”.

“Dua t’ju theksoj personalisht Ju, por dhe Kuvendit të Shqipërisë, se cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen dhe mund të ndikojë për sjelljen e Presidentit në situata të ngjashme, por kurrsesi ky vendim nuk mund të ketë efekt prapaveprues për të legjitimuar procesin e votimeve jo shtetërore, vetëm me një konkurrent tashmë siç është realizuar më 30 qershor 2019, kjo sepse Dekreti i Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe Dekreti nr. 11211, datë 27.06.2019 për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë në fuqi dhe tashmë 30 qershori si datë kalendarike për zgjedhje, është djegur të paktën për këtë vit”.

“Gjithashtu nëse do të kishim patur në vijimësi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, ajo do të mund të shqyrtonte disa prej ligjeve të miratuara nga Kuvendi, të cilët në vlerësim të Presidentit të Republikës janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe cenojnë rëndë interesin publik në vend”.

“Presidenti i Republikës, ndërmjet këtyre ligjeve, vlerëson t’ju shprehë ju si Kryetar i Kuvendit se është shumë e nevojshme të verifikohet dhe të hetohet se si u propozua apo si u formalizua vullneti i qeverisë dhe i organeve të Kuvendit në miratimin e ligjit nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar (Dividentin)”.

“Në kundërshtim flagrant me nenin 155 të Kushtetutës, i cili ndalon trajtimin e lehtësuar fiskal preferencial me efekt prapaveprues, Kuvendi miratoi ligjin nr. 94/2018, duke i dhënë fuqi prapavepruese lehtësimit fiskal mbi dividentin e pashpërndarë për kategori të caktuara subjektesh dhe me efekt prapaveprues të pakufizuar në kohë”, vijon shkresa.

“Konkretisht me ligjin nr.94/2018, Kuvendi përcaktoi se norma e tatimit mbi dividendin do të reduktohej nga 15 % në shkallën 8 %, dhe kjo shkallë tatimi do aplikohet jo vetëm për të ardhmen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, pa kufizim kohor, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara”.

“Pikërisht efekti prapaveprues i këtij ligji bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, ku citohet shprehimisht se: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese””, vijon shkresa.

“Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11015, datë 20.12.2018, konstatoi anti-kushtetshmërinë e këtij ligji dhe e riktheu ligjin për rishqyrtim, me qëllim që Kuvendi të përmirësonte dispozitat e tij ku përfitues real sipas këtij ligji të ishin qytetarët shqiptarë, pa diferencime dhe me trajtim të barabartë, në respekt të parashikimeve kushtetuese dhe pa cenuar buxhetin e shtetit”.

“Presidenti i Republikës konstatoi se ky ligj, veçanërisht neni 9 i tij, favorizon shtresa të caktuara të biznesit në mënyrë flagrante antikushtetuese; binte në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit”; krijonte pasiguri të theksuar juridike për aplikimin e tij në praktikë; kishte efekt prapaveprues, në trajtën e një “amnistie fiskale” abuzive; krijonte pabarazi fiskale mes bizneseve dhe një shteg të madh për abuzim duke përmbysur sistemin dhe barazinë fiskale”.

“Kuvendi e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, në mënyrë të menjëhershme dhe të pashpjegueshme brenda së njëjtës ditë 20.12.2018. Ndërkohë që Kuvendi po zhvillonte seancën plenare në orën 18.00, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi në mënyrë të fshehtë Dekretin e Presidentit, pa praninë e opozitës vetëm me pjesëmarrjen e Ministrit të Financave dhe pa thirrur për të qenë të pranishëm përfaqësuesit e institucionit të Presidentit të Republikës për të dhënë më parë shpjegimet institucionale sipas praktikës solide të deritanishme parlamentare. Në kundërshtim me rregullat dhe brenda së njëjtës ditë po më datë 20.12.2018, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në mënyrë urgjente ia përcolli seancës plenare, e cila e përfshiu menjëherë në rendin e ditës, duke votuar Vendimin nr.125, datë 20.12.2018 për “Rrëzimin e Dekretit nr.11015, datë 20.12.2018””, thekson Presidenti.

“Është e pashpjegueshme mënyra e shqyrtimit të këtij ligji dhe i Dekretit të Presidentit në kushte të tilla dhe sidomos kur bëhet fjalë për një ligj për të cilin Presidenti ka ngritur pretendimin se ai është antikushtetues, sjell trajtim selektiv dhe diskriminues të subjekteve në treg dhe humbje të mëdha për buxhetin e shtetit”, shton Presidenti.

“Presidenti i Republikës vlerëson se, në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë, kjo sjellje e Kuvendit është rasti më flagrant i shkeljes, jo vetëm të procedurës dhe Rregullores së Parlamentit, të miratuar me konsensus, por edhe shfaqje e hapur e një arrogance të rrezikshme dhe shprehje e pakundërshtueshme e një krize të thellë parlamentare, kushtetuese, institucionale dhe ndërinstitucionale”, vijon shkresa.

“Jam i sigurt që kjo ka ndodhur pa dijeninë Tuaj, dhe për këtë kërkoj investimin tuaj si Kryetar i Kuvendit për verifikimin dhe rikthimin e normalitetit në veprimtarinë parlamentare dhe në strukturat e saj”.

“Pamundësia e shqyrtimit në kohën e duhur në Gjykatën Kushtetuese të këtij ligji, bën të pamundur pezullimin e ekzekutimit të këtij ligji deri në këto momente e kjo gjendje duket se do të vijojë derisa kjo gjykatë të bëhet funksionale për të marrë vendime të kësaj natyre. Pra në këtë mënyrë edhe sikur Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim më vonë, bëhet i pamundur rikthimi i plotë i pasojave negative financiare që zbatimi i këtij ka sjellë tashmë në praktikë për buxhetin e shtetit dhe qytetarëve tanë”.

“Kjo ka qenë në vijimësi të përpjekjes së Kryeministrit për të nxjerr nga kontrolli kushtetues qeverinë dhe Kuvendin, por edhe për të garantuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes presionit të procesit vetting, i cili realizohet nëpërmjet informacionit që sigurohet nga instrumente dhe institucione nën kontrollin e qeverisë dhe të shumicës aktuale”.

“Dua t’ju kujtoj përgjegjësinë e Kuvendit dhe sidomos të disa përfaqësueve të mazhorancës për bllokimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për 2 (dy vite) radhazi (2017-2018) dhe mosreagimin ndaj përpjekjes sime si President për realizimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, për të bërë të mundur mirëfunsionimin e KED-së, ndryshime këto të cilat u miratuan nga Kuvendi vetëm më datë 18.07.2019 dhe dy ditë më parë në datë 30.07.2019 u dekretuan me shpallje edhe nga unë si President i Republikës”, shton Presidenti.

“Askush nuk duhet të harrojë se mbi Gjykatën Kushtetuese janë dhe Gjykatat Europiane dhe Ndërkombëtare të cilat kanë juridiksion vendimmarrës mbi vendin tonë. Ndaj çdo akt i nxituar me qëllim afatshkurtër shantazhi, kapjeje, apo mllef-nxjerrjeje do të ketë pashmangshmërisht mundësinë e afërme për një gjykim objektiv dhe të pavarur ndërkombëtar në mënyrë të pashmangshme”.

“Shpreh vlerësimin tim se këtij Kuvendi i mjaftojnë rekordet e deritanishme problematike në raport me Kushtetutën dhe nuk i duhen tejkalime të tjera që do të mbyllnin rrugën europiane të vendit tonë për një kohë të pacaktuar”.

“Ndërkohë, Presidenti i Republikës i qëndron bindjes se e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, rikthimit të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe rivendosjen e tij në shinat kushtetuese mbetet vetëm dialogu i sinqertë politik, respektimi i ligjit nga të gjithë, duke organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike në datën 13 tetor 2019, në respekt të dekretit nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

“Presidenti i Republikës, duke i ftuar të gjithë të largohen nga rruga e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit, është i bindur se 13 tetori është jo vetëm një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, por edhe një provë e qartë e vullnetit politik për të ardhmen europiane të Shqipërisë, përpara se Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit, më 17-18 tetor 2019”, vijon shkresa.

“Është koha për t’u rikthyer të gjithë qytetarëve të Shqipërisë sovranitetin, ndaj për këtë, duhet të angazhohen të gjithë në mënyrë të sinqertë dhe larg qëllimeve politike afatshkurtra. I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, Për 45 vite vendi ynë përjetoi një regjim të sundimit të shumicës të pashembullt në kontinentin tonë dhe të krahasueshëm vetëm me atë të Koresë së Veriut”.

“Nuk është mirë që sot, kur bota mezi pret që edhe Korea e Veriut të hapet e të ndryshojë, përfaqësues të shumicës parlamentare këtu në Shqipëri të hyjnizojnë regjimin e sundimit të shumicës dhe të bëjnë çdo përpjekje për asgjësimin e opozitës reale dhe demokratike në vend dhe të synojnë dhe kapjen e të vetmit institucion të pavarur siç është aktualisht Institucioni i Presidentit të Republikës”.

“Ju e dini si askush tjetër se sa kundër djegies të mandateve ka qenë dhe është Presidenti i Republikës. Një veprim i pajustifikueshëm i opozitës, i cili ka sjellë vërtet një precedent mjaft negativ”, lexohet në shkresën e presidentit.

“Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë”.

“Duke mirëkuptuar edhe pozitën ku ju ndodheni për shkak të detyrës shumë të lartë që përfaqësoni, dhe situatës jo më të mirë dhe përfaqësuese në të cilën gjendet sot Institucioni më i rëndësishëm i vendit për shkak të përgjegjësisë të të gjithë aktorëve politikë në vend, vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike”, vijon presidenti.

“Në kushtet aktuale, Kuvendi i Shqipërisë e ka kaq të nevojshme përvojën dhe largpamësinë për zgjidhje të mençura dhe kontribuese, që t’i shërbejnë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në 18 tetorin që po afron dhe në këtë mënyrë çdo ditë ai duhet të mendojë dhe veprojë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe aspiratës mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian. Besoj se ju me përvojën Tuaj do ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet”.

“Së fundmi, Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm, bashkëpunues dhe me vetëdije të plotë, për të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar”, përfundon shkresa e Presidentit drejtuar Kuvendit të Republikës./atsh

Meta letër Kuvendit: Vendimi i Kushtetueses do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen Read More »