Politike

Rama për Euronews: Strategjia e opozitës për zgjedhjet ishte vetëvrasëse

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, në një intervistë ekskluzive për rrjetin informativ paneuropian, Euronews.

Ai kritikoi gjithashtu vendimin e opozitës për të bojkotuar procesin e votimit.

“Në një demokraci, kur bëhet fjalë për zgjedhje nuk janë partitë që mund të vendosin t’i Zhvillojnë apo jo ato, dhe aq më pak minoranca që të mos lejojë mazhorancën të zhvillojë zgjedhje për çfarëdolloj arsyeje… partitë kryesore politike vendosën, në mënyrë të paturpësisht, të bojkotonin. Kjo ishte një strategji vetëvrasëse për ta, por e dëmshme për njerëzit dhe jo e mirë për vendin”, deklaroi Rama.

Votimi i 30 qershorit u përfshi nga polemika, ku presidenti vendosi të shtyjë datën e votimeve me arsyetimin e sigurisë kombëtare.

Partitë e opozitës bojkotuan, duke pretenduar për mareëveshje të fshehta midis qeverisë dhe rrjeteve të krimit të organizuar në fletëvotimet e mëparshme.

Mungesa e opozitës çoi në një fitore të jashtëzakonshme për partinë socialiste të Ramës, por vëzhguesit ndërkombëtarë kritikuan zgjedhjet me një parti.

“Nuk është roli ynë të themi nëse zgjedhjet e 30 qershorit ishin të ligjshme apo jo, pasi i takon sistemit shqiptar ta vlerësojë atë… Ne i kemi ndjekur këto zgjedhje nga afër dhe ajo që na shqetësoi është fakti se elektorati shqiptar është privuar nga një alternative e rëndësishme. Dhe kjo është arsyeja pse reforma zgjedhore aktualisht është më e rëndësishme se kurrë”, thotë Luigi Soreca, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri.

Në progres raportin e BE-së për Shqipërinë të majit, Komisioni tha se “mospërfshirja e partive kryesore të opozitës ka ndikuar negativisht në përpjekjet për një reformë zgjedhore” duke bërë thirrje që ato të angazhohen përsëri./ atsh

Rama për Euronews: Strategjia e opozitës për zgjedhjet ishte vetëvrasëse Read More »

Rama për Euronews: Anëtarësimi në BE pikësynimi i Shqipërisë

Europa nuk po vështron më nga Lindja. Procesi i zgjerimit të BE drejt Ballkanit duket se po pëson një goditje.

Këtë gjë e thekson kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një intervistë për rrjetin informativ paneuropian, Euronews, duke shprehur shqetësimin për precedentin që po përjeton Maqedonia e Veriut në krahasim me vendin e tij për negociatat e anëtarësimit, një fakt që sipas tij mund të destabilizojë të gjithë rajonin.

”Duhet të marrim parasysh faktin që gjithmonë e më shpesh procesi vendimtar i Këshillit nuk bazohet mbi ato që bëjmë, për ato që bëjnë vende si tonat, por mbi situatën e brendshme ose dinamikën e brendshme politike të shteteve të ndryshme anëtare”, deklaroi Rama.

Sipas rezultateve të një hetimi të Këshillit Europian, opinion publik i BE-së po bëhet gjithnjë e më kundërshtues përballë vendeve të reja pretendente për anëtare. Frika ndaj migracionit janë rritur me përfshirjen e Bullgarisë, Rumanisë dhe Kroacisë, por më tej opinioni publik ka ende shumë pengesa që Shqipëria duhet të kalojë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ka shumë fusha për të cilat institucionet shqiptare në kompleks duhet të vazhdojnë punojnë, thekson ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë. Lufta e përditshme kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiku i drogës që po ndryshon taktikë.

”Por, anëtarësimi në BE është pikësynimi i Shqipërisë”, siç e shpjegon vetë kryeministri.

”Për ne Europa nuk është thjesht një proces burokratik, një grup vendesh të zhvilluara në të cilat ëndërrojmë të përfshihemi, për ne është ajo që ishte për Etërit Themelues që e krijuan atë si një projekt paqeje dhe bashkëpunimi”, theksoi kryeministri Rama./atsh

Rama për Euronews: Anëtarësimi në BE pikësynimi i Shqipërisë Read More »

Murrizi-Bashës: Boll mashtrove dhe boll u talle prej 6 vitesh me demokratët

Deputeti i opozitës parlamentare Muslim Murrizi i drejtohet kryetarit të PD-së Lulzim Basha, duke i thënë se mjaft u tallë me demokratë, duke folur për fitoren plebishitare me 85% në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Boll u talle me demokratet zoti Basha, mos i mashtro më, duke i mbajtur me shpresë të kotë. Shqiptaret vuajnë mjerimin e keq qeverisjes, arrogancën e qeverise, presionin e pushtetit, ti tallesh me demokratet duke ju thënë se ke fituar 85 %”, shprehet ai.

Po ashtu, Murrizi akuzon Bashën se xhirimet e demokratëve i shfaq në ekrane, ndërsa pushon në plazhet e europës.

“I trajton demokratët si figurantë në “ filmat”, duke i xhiruar para 7 ditësh dhe i shfaq me radhë që ti shohësh nga plazhet e europës. Ke 7 ditë që ke qenë ne takim tek lokali i Prof Malit në Divjakë, dhe e shfaq dje si film, për të treguar se po bën namin me takime edhe në sezon pushimesh”, shprehet ai.

Duke folur për regjistrimin e disa partive të opozitës në zgjedhjet imagjinare të 13 tetori, Murrizi shprehet se “Fakti që disa “ lider” të opozitës së bashkuar kërkojnë të regjistrohen për zgjedhjet lokale imagjinare të datës 13 tetor, pa ndryshuar asgjë nga ajo çfarë nga data 19 shkurt mashtruat demokratët, tregon me së miri se mos futja në zgjedhje me date 30 qershor, nuk paska qenë për arsye politike, por për arsye klimaterike”.

Në vijim, Murrizi i rendit Bashës disfatat, si lideri prej 6 vitesh në PD, që nga reforma në drejtësi, djegia e mandateve, zgjedhjet e 30 qershori.

“Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, ku të gjitha kandidaturat i vendose ti, fillove te prishesh degët duke shkarkuar kryetarët. Fillove të mashtrosh demokratet me reformën në drejtësi nga viti 2014-2016, duke bërë njëherë faktorin e njëherë kundërshtuesin. Pastaj në korrik 2016, pasi jua futi dy këmbët në një këpucë Amerika, votuat si lepuj me 140 me zero. Braktise kuvendin qysh ne korrik 2018 dhe fillove ta “ zëvendësosh” me konferenca shtypi. Pastaj nuk e di çfarë ndodhi qe me date 23 dhjetor 2018, pikërisht ditën e fundit që na digjeshin mandatet vetë, u futem në kuvend për të regjistruar rrogën. Pastaj si rrufe ne qiell te hapur pas pushimeve dimërore vjen vendimi “ bombë” per djegien e mandateve. Kaloi 16 shkurti, 16 marsi, 13 prilli, 11 maj, 8 qershori, 15 qershori me kapsolle e molotov dhe 23 qershori i protestës “ silencioze moderne”, dhe Rama nuk ra as nga krevati jo nga pushteti”, shprehet ai.

Gjithashtu Murrizi shton se “pastaj krijove aleancën qytetare qe nuk do te lejonin “kurrë” të bëheshin zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk do të njohim. Pastaj dole të shtunën vone, me datë 29 qershor duke thyer edhe heshtjen zgjedhore dhe deklarove qe nuk do bëjmë “ lufte” nesër, por nuk i njohim zgjedhjet. Pastaj thirre kryetarët e bashkive në detyrë dhe deklarove qe nuk do i lëshojmë zyrat. Ne fakt ajo që po shohim është krejt ndryshe. Po për çfarë mund te protestojë një “ fitues” plebishitare me 85%. Prandaj boll mashtrove dhe boll u talle prej 6 vitesh me demokratët”./atsh

Murrizi-Bashës: Boll mashtrove dhe boll u talle prej 6 vitesh me demokratët Read More »

Bashkitë i rikthehen punës intensivisht pas konstituimeve, Balla: Nuk ka pushime

Lagja “5 Maji” e Elbasanit, një nga lagjet më të mëdha të qytetit po i nënshtrohet investimeve.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja, inspektuan punimet që po kryhen për sistemimin e shesheve të pallateve dhe rikonstruksionin e rrugës “Mustafa Demiri”.

“Menjëherë pas konstituimeve, bashkitë i janë rikthyer punës intensivisht. Është thjeshtë e qartë: nuk ka pushime këtë vit për kryetarët e sapozgjedhur. Lagja “5 Maji” e Elbasanit është një nga lagjet më të mëdha, por edhe më problematike përsa i përket informalitetit. Pasi kanë përfunduar rrugët kryesore, tashmë investimet në këtë zonë janë përqëndruar në sheshet e pallateve”, shprehet Balla.

“Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja inspektuam punimet që po kryhen për sistemimin e shesheve të pallateve dhe rikonstruksionin e rrugës “Mustafa Demiri”. Investimi ishte e domosdoshëm, pasi ndërhyrjet informale kishin shkaktuar bllokim të kanaleve dhe për pasojë, përmbytje”, thekson Balla.

“Fiks 2 muaj më parë, në 2 Qershor, kjo ishte një prej lagjeve që u përmbyt nga shirat e shumtë që ranë dhe konfirmoi domosdoshmërinë për një ndërhyrje të thellë e të shpejtë”, shton Balla.

Balla falenderoi kryebashkiakun Llatja për planifikimin brenda këtij viti të një prej lagjeve me shumë informalitet.

“Dua ta falenderoj Gledin, bashkinë për planifikimin brenda këtij viti të një prej lagjeve me shumë informalitet, por që informaliteti kishte shkaktuar edhe bllokim të kanalizimeve dhe rrugëve.

Ai garantoi banorët se “kjo punë intensive që ka nisur prej ditës së parë të punës së Gledit, do të vijojë në çdo cep të Elbasanit, për të zëvendësuar informalitetin me blloqe banimi komode, hapësira të gjelbra, dhe kënde lojërash për fëmijë. Punimet në këtë lagje do të përfundojnë brenda dy muajsh dhe vjeshta nuk do t’i gjejë më banorët mes baltës e tymit. Fokusi i bashkive tashmë është zhvendosur në lagjet periferike”./atsh

Bashkitë i rikthehen punës intensivisht pas konstituimeve, Balla: Nuk ka pushime Read More »

Braçe-Bashës: Nëse kriza zgjidhet me arrestime ti je i pari në radhë, po hetohesh paralelisht në SHBA e Shqipëri

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar lidhur me deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha nga Divjaka, i cili tha se kriza politike zgjidhet vetëm me arrestime politikanësh.

Braçe thekson se kreu i PD është një nga personat e parë në listë që do i përgjigjet ligjit, jo vetëm për pasuritë e pajustifikuara, shitjen e territorit shqiptarë, vrasjet e 21 janarit, por dhe për hetimin e fundit në SHBA dhe Shqipëri.

“Po në këtë vend duhet të marrë fund pandëshkueshmëria për politikanë, kriminelë me e pa organizim, biznesmenë të paligjshëm. Por ti je i pari në radhë; Jo se dua unë kështu, por se ti ke vendosur cv-në tënde të parën në atë radhë”, shprehet zv.kryeministri.

Në vijim, Braçe shton se “ke vjedhur si kërkush aq sa nuk justifikon dot asgjë nga plaçka jote e pamatë, shpenzimet e tua te luksit; Ke vrarë si dikush tjetër mu në mes të bulevardit dhe për shkak moshe ai ta lëshon vendin me qejf; Ke shitur këtë vend duke qeshur e pa t’u skuqur surrati na i shite shitjen për blerje territoresh edhe pse në humbëm territor e zeza në të bardhe; Je i vetmi tani që hetohesh paralelisht në SHBA e në Shqipëri për një krim që është me i rëndë se pastrimi i parave!”.

Po ashtu, Braçe thotë Basha nuk ka qenë në Divjakë, po ka montuar kronikën ndërsa vazhdon pushimet.

“Lulzim Basha dje në Divjakë? Epo mirë, po përgjigjem për të dyja edhe pse këtë është gabim ta marrësh seriozisht. E para, Lulzim Basha nuk ka qenë dje në Divjakë siç thanë të gjithë mediat vizive e portalet dje, gazetat sot! Ju thashë, Lulzim Basha e ka rrenën në ADN! Lulzim Basha ka qenë në Divjakë të enjten që shkoi.U habita që mediet e PD-së dhe mediave vendore i kish kërkuar të mos e bënin publike vizitën! Dje e kuptova, ky bën kronika televizive me shumicë për t’i gënjyer të gjithë me punën e palodhur në ditët kur nuk është fare! Lulzim, unë nuk e kuptoj pse të vjen turp të thuash që po pushon! Ja ku e ke rivalin për të drejtuar opozitën që po pushon dhe jo vetëm ja tregon ngjyra por edhe e thotë publikisht çdo ditë!”, shprehet ai

Po ashtu, Braçe shton se “është krejt njerëzore të pushosh! Është krejt njerëzore edhe të gënjesh siç bën ti! Po arsyen se gjej! Pse duhet të gënjesh kur pushon! Dhe nuk me plas hiç pse gënjen mediat më të mëdha në vend që të kane ty krye lajm me rrena, por pse gënjen njerëzit, ata të opozitës se pari për një gjë krejt normale siç pushimet!”

“Ti gjithë jetën ke shitur atë që s’je, po pse nuk zë mend tani që të gjithë kanë kuptuar tamam se cili je?! Në anë tjetër, kur thërret njerëzit për mbledhje në vakt dreke, bëj atë që është njerëzore, merri për drekë; Mos ha veç ti e shpura e vogël e jotja, merri dhe ata, pak janë! Mos i lerë pa bukë herë tjetër!”, shprehet ai./atsh

Braçe-Bashës: Nëse kriza zgjidhet me arrestime ti je i pari në radhë, po hetohesh paralelisht në SHBA e Shqipëri Read More »

Spiropali: Në vend të presidentit ka mbetur karikatura e vetë Ilir Metës

“Në vend të presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës, deklaroi sot, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënëse e Qeverise, Elisa Spiropali, ndërsa i përgjigjet Metës për kthimin e ligjit për Kodin Penal.

“Nga lartësia e maleve ku thotë se po ngjitet me Çelebiun e tij, Baba Xhikja lëshoi dje një tjetër krisëm nga dyfeku presidencial. Me një fjalor të katandisur si mos më keq ai qëlloi mbi shumicën dhe opozitën parlamentare, ai na rikujtoi se nuk kemi më President, po në vend të Presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës”, shprehet ajo.

Po ashtu Sipiropali shprehet se për kthimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Penal nuk habitemi.

“Nuk kemi si presim ndjeshmëri nga Baba Xhikja për hurin në stadiume, sigurinë ushqimore, bllokimin e akseve rrugore e të veprave, vjedhjen e pronësisë intelektuale, dëmtimin e zonave të mbrojtura, për mjekët, policët apo zyrtarët e goditur për shkak në detyrës. Kur votojmë shtrëngimin e litarit të ligjit kundër dhunës në sport apo dhunuesve në tërësi, nuk kemi ç’presim tjetër nga Baba Xhikja i zjarrit të kërcënimeve ndaj zgjedhjeve, i dekreteve molotov për destabilizimin e vendit, i fjalimeve halucinante kundër ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE-së në Shqipëri”, shprehet Spiropali.

Më tej, Spiropali shton se “Qeni i kthyer në manar në krahët e tij, tifozët skocezë të kthyer në elektorat në sytë e tij, tërmeti apokaliptik i kthyer në qëndrim zyrtar me vulën e tij dhe ngjitja majë maleve e projektuar si karshillëk kreshnikësh ndaj botës mbarë, në mendjen e tij, flasin qartë që presidenti na ka lënë”.

“Ka mbetur vetëm hija dhe vula e Baba Xhikes në presidencë, prej ku çeta e tij e mbledhur grusht nën dritën e hënës, pret tërmetin dhe urdhrat nga mali për të shkrepur dyfekun”, shprehet Spiropali./atsh

Spiropali: Në vend të presidentit ka mbetur karikatura e vetë Ilir Metës Read More »

Meta: E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet.

Sipas Kreut të Shtetit, moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pa zgjedhje nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët”, është shprehur presidenti Meta.

Moszgjidhja, ka nënvizuar Meta, “i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi ka për të humbur gradualisht pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik”.

“18 tetori po afron”, ka theksuar presidenti Meta./atsh

Meta: E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet Read More »

Betohet kryebashkiaku i Selenicës, Gjiknuri: Rruga e Lumit të Vlorës, konfirmon fuqinë transformuese të PS

Gjatë ditës së sotme është konstituuar Këshilli Bashkiak i Selenicës dhe u betua kryetari i bashkisë, Pëllumb Binaj.

Ish-kryetari i Bashkisë Selenicë, Përparim Shametaj (njëkohësisht edhe kryetar i PD-së) është larguar duke i lënë zyrën kryebashkiakut të zgjedhur në 30 qershor.

Pas marrjes së detyrës së kryetarit të ri, Damian Gjiknuri, koordinator politik i PS-së në qarkun e Vlorës vlerësoi ish-kryetarin.

“Ka qenë një proces politik i rëndësishëm me vështirësitë e tij. Në Selenicë patëm disa kandidatë dhe këtu u bë një garë e vërtetë, reale dhe ku doli përfaqësuesi i zgjedhur nga populli. Tani i takon Kryetarit të Bashkisë për të krijuar urat e komunikimit, për të qenë pranë dhe atyre qytetarëve që votuan kundër apo që nuk morën pjesë në votim”, tha Gjiknuri.

“Rikthimi i kësaj njësie vendore në drejtimin e Partisë Socialiste është garancia më e mirë për të ecur në drejtimin e duhur për Selenicën që duam. Rruga e Lumit të Vlorës si një premtim që po realizohet e konfirmon më së miri fuqinë transformuese të PS në qeverisje”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Binaj i falënderoi të gjithë për këtë kurorëzim të suksesshëm të këtij aksioni politik për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Unë që nesër nis punën për të përballuar sfidat që janë në këtë bashki. Bashkë me Këshillin Bashkiak, bashkë me të gjithë përfaqësuesit e forcës që unë përfaqësojë, do të nisim punën për të përballuar katërcipërisht punët e mëdha që na presin përpara”, tha Binaj në fjalën e tij./atsh

Betohet kryebashkiaku i Selenicës, Gjiknuri: Rruga e Lumit të Vlorës, konfirmon fuqinë transformuese të PS Read More »