Politike

Blushi: Presidenti, zero shkelje të Kushtetutës

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi reagoi sot pas mbledhjes së Komisionit të Venecias.

Duke kundërshtuar deklaratat e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Blushi u shpreh se “çështja është e qartë si kristali: Zero shkelje të Kushtetutës”.

Tani të gjithë të bashkuar të mbështesim kuqezinjtë në sfidën e mbrëmjes”, theksoi ai./atsh

Blushi: Presidenti, zero shkelje të Kushtetutës Read More »

U dënua për shpifje/ Reagon Vokshi: Vendimi i Gjykatës, absurd

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të dënuar për shpifje ndaj kreut të bashkisë së Tiranës, deputeten e PD Albana Vokshi. Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se ky vendim është absurd.

“Është aq absurd ky vendim, saqë nga njëra anë më bën me faj pse kam denoncuar aktivitetin e paligjshëm të Erion Velisë, nga ana tjetër rrëzon kërkesën e tij që unë të bëj përgënjeshtrim.Unë jam e qetë, sepse e di që kam mbrojtur interesin publik dhe jam bërë zëri i mijëra prindërve, të dhunuar në të drejtat e tyre nga Kryetari mashtrues i Bashkisë se Tiranës. Në ketë betejë nuk kam për të bërë asnjë hap pas”, – u shpreh Vokshi.

Disa muaj më parë Partia Demokratike publikoi disa dokumenta për të treguar se Erion Veliaj, po mblidhte të dhënat personale të prindërve nga kopshtet dhe çerdhet me synim përdorimin e tyre në fushatë elektorale.

PD disponon dokumente të tjerë zyrtarë që vërtetojnë se Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj vazhdon të shkelë ligjin duke mbledhur të dhënat personale të prindërve të fëmijëve, që regjistrohen në arsimin parashkollor. Për këtë jemi duke bërë gati denoncimin dhe padinë kundër Kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, – njoftoi deputetja Vokshi. /atsh

U dënua për shpifje/ Reagon Vokshi: Vendimi i Gjykatës, absurd Read More »

Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për sektorin minerar

Kuvendi miratoi të mërkurën me 79 vota pro ndryshimet në ligjin për sektorin minerar.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Andrea Marto, u shpreh se me anë të këtij projektligji propozohet shfuqizimi i licencës “shërbime ekspertize dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare, me kodin IV.4.A”.

“Me shfuqizimin e kësaj licence, ushtrimi i veprimtarisë së shërbimeve të ekspertizës dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare do të jetë i lirë”, tha Marto.

Sipas tij, projektligji do të sjellë reduktim të barrierave administrative, liberalizim të tregut dhe përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.

Më tej, Kuvendi miratoi me 80 vota pro, 20 kundër dhe 5 abstenim edhe ndryshimet në ligjin “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar.

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi u shpreh se që prej vitit 2015 i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë një reformë e thellë në fushën e birësimeve dhe kujdestarisë pasi siç theksoi ajo “Kodi i Familjes është tanimë i vjetëruar, edhe pse Shqipëria ka miratuar konventa ndërkombëtare dhe ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.

Projektligji tjetër i parashikuar në rendin e ditës, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9942, datë 26.6.2008, “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, të ndryshuar”, u shty për shqyrtim në seancat e tjera plenare./atsh

Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për sektorin minerar Read More »

Letra drejtuar Holandës për negociatat, Margariti: Shqipëria ka bërë hapa pozitivë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpreh besimin se Shqipërisë do t’i çelen negociatat në 18 tetor.

“Jam shpresëplotë për 18 tetorin. Po tregojmë një fytyrë të Shqipërisë së angazhuar, energjike. Mendoj se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë për të ndryshuar mendësinë dhe angazhimin e saj dhe mendoj se kjo do të shpërblehet”, tha Margariti.

E ftuar në një nga studio televizive në vend, Margariti, një ndër 8 ministret nismëtare të një letre të dërguar ekzekutivit dhe parlamentit holandez me kërkesën për hapjen e negociatave shpjegoi se pse u ideua një letër e tillë dhe çfarë kërkohet me të.

“Shqipëria ka bërë goxha punë të mirë edhe pse nuk mund të themi se kemi arritur perfeksionin, ka ende punë për të bërë. Me atë letër është ndërgjegjësimi që ne i kërkojmë Europës të përfshihemi në një proces negociatash. Kemi ndërmarrë shumë punë, kemi arritur rezultate edhe në nivelin e qeverisë dhe i jemi drejtuar një shteti që ka krijuar një shëmbëlltyrë të tolerancës, të mirëqenies. Jemi drejtuar si gra sepse besojmë në forcën e gruas në Shqipëri. Zëri i gruas po i kthen fytyrën Shqipërisë. Ne jemi rikthyer në vendin tonë për të bërë më të mirën në vendin tonë. Jemi gati për t’u angazhuar edhe më tepër. Thjesht po kërkojmë që punën dhe entuziazmin e deritanishëm ta çojmë më tej, me një çelje negociatash. Edhe raporti i Kombeve të Bashkuara na ka inkurajuar akoma më tepër të jemi një zë i fortë”, theksoi ministrja.

Ne po kërkojmë, vijoi ajo, që puna e bërë të mos shumëzohet me zero dhe të mos kanalizohet në një aspekt zhgënjimi.

“Duam t’i tregojmë jo vetëm Holandës, por edhe vendeve të tjera se Shqipëria ka ecur mirë dhe ka mundësinë të ecë akoma më mirë. Lufta kundër korrupsionit është një betejë që zhvillohet në të përditshmen tonë dhe ka pasur hapa pozitivë. Kemi gjithmonë e më tepër në administratë persona profesionistë. Kemi persona që kanë studiuar jashtë, që kthehen në vendin e tyre dhe sjellin një frymë të re dhe me ta po çojmë përpara gjëra të mëdha”, deklaroi ministrja./atsh

Letra drejtuar Holandës për negociatat, Margariti: Shqipëria ka bërë hapa pozitivë Read More »

Çelja e negociatave, Meta: Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë”

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë” për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një bashkëbisedim me studentët ekselentë të Universitetit Europian të Tiranës, Meta tha se “jo çdo gjë mund të zgjidhet me lobingje”.

“Sa kohë ka Bundestagu që ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjen e hetimit të dosjeve të zgjedhjeve në prokurori? Sa herë kanë folur përfaqësuesit e CDU/CSU për këtë çështje, sepse në fund fare çështja e zgjedhjeve është themelore, sepse nga zgjedhjet varet gjithë funksionimi i së drejtës, i demokracisë, ligjit e me radhë. Kjo është bazike, jo një gjë që mund të anashkalohet. Po mesazhi që dhanë para krizës sonë, kur thanë se shikoni mundësinë për dialog dhe bëni zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore se kjo do t’ju ndihmojë për rrugën europiane të Shqipërisë”, – tha Meta.

Presidenti tha se “ata flasin si europianë, pastaj nëse ne nuk duam t’i dëgjojmë do të thotë se ne nuk jemi në atë standard që ata janë dhe këto deficite që ne i shtojmë hap pas hapi ata i mbajnë shënim dhe kur vjen dita e llogarisë t’i vendosin në tavolinë”.

“Shqipëria sot për fat të keq ka një lidership në tërësi që nuk do të mbajë përgjegjësi për asgjë. Ne nuk jemi në rregull me ‘detyrat e shtëpisë’. Kemi detyrime që janë mbartur nga viti në vit. Ne vetëm i kemi shtuar këto detyrime në vend që t’i realizonim. Sepse gjëra të thjeshta janë këto, me vullnet politik ato janë gjëra të thjeshta, por nëse ti do të futësh hundët te drejtësia, kuptohet që kjo nuk është rruga për të krijuar atë besim që ata të shohin si partner kaq të qëndrueshëm e serioz”, – tha Meta.

“Dikush mund të thotë se, pse na i vënë këto kushte Bundestagu? Ata kanë 3 vite që na i thonë këto gjëra. Europa ka disa standarde”, – tha Meta.

Presidenti shtoi se “ne këto gjëra i kemi ditur por interesi politik afatshkurtër ka dominuar mbi një interes më të madh të vendit dhe të gjithë shoqërisë”. “Por edhe një iluzion i gabuar se ndonjëherë gjërat mund të zgjidhen me lobingje. Jo çdo gjë zgjidhet me lobing. Janë disa standarde të cilat në fund të ditës ka disa vende që nuk i tolerojnë, sepse mbrojnë veten e tyre nuk është se kanë diçka me ne”, – tha Meta.

I pyetur se sa ndikon euroskepticizmi në këtë proces, Meta tha se “nuk është ndihmues, por të mos harrojmë liberalizimin e vizave se si ndodhi, u plotësuan mijëra kritere në kohë rekord dhe pasi u plotësuan të gjitha, ato u bënë”.

Duke bërë një retrospektivë pas, Meta tha se “kemi humbur shumë kohë, pasi në vitin 2001-2002 ne kemi qenë sa i takon BE-së, me të njëjtin ritëm si Kroacia dhe kemi qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi”. “Ne kishim nisur procesin e MSA-së ata se kishin nisur akoma. Tani ku jemi? Ata janë shumë më përpara me kapitujt e negociatave dhe ne ende po rikthehemi për të marrë një autorizim, sepse data nuk është dhe kaq e thjesht”, – tha Meta.

Presidenti tha se “kjo nuk është përgjegjësi e popullit shqiptar që është proeuropian, por politika në nivelet e larta është mjaft toksike, mjaft konfliktuale dhe është artificiale çdo gjë”./atsh

Çelja e negociatave, Meta: Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë” Read More »

Kosovë/ Përfundon numërimi i votave të rregullta

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, ka numëruar 100% të votave të rregullta për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 202.968, vota apo 25,48%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 197.702 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 169.211, apo 21.24%.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 92.149 vota apo 11,57%; Lista Serbe ka marrë 6.61 për qind ose 52.620 vota.

Koalicioni Nisma-AKR-PD mbetet nën pragun zgjedhor, pasi ka marrë 39.495 vota apo 4.96%.

Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta, të cilat pritet në numërohen gjatë ditëve të ardhshme.

Nga numërimi i 100% të votave, 40.732 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.

Në zgjedhjet për nivelin qendror në qershor 2017, mbi 42 mijë fletëvotimi të qytetarëve u shpallën të pavlefshme.

Shifra e votave të pavlefshme pothuajse u dyfishua në tetor të po atij viti kur vendi shkoi në zgjedhje lokale. Ishin rreth 80 mijë vota, të cilat KQZ-ja i shpalli të pavlefshme. /KosovaPress/

Kosovë/ Përfundon numërimi i votave të rregullta Read More »

Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim, detyrat e shtëpisë janë përmbushur

Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim dhe Austria është një prej shteteve që po e ndihmon Shqipërinë që këtë vlerësim teknik të komisionit ta përkthejë në një vendim pozitiv politik të Këshillit Europian javën e ardhshme.

Kështu deklaroi sot Ministri në Detyrë për Europën dhe punët e Jashtme, Gent Cakaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin Federal për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.

“Me ministrin Schallenberg diskutuam hollësisht për mbështetjen që Austria do ti japë Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe po ashtu diskutuam për format e ndryshme të asistencës teknike të shtetit austriak për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë për të përballuar presionin dhe sifdat që vijnë nga ky proces”, – nënvizoi Cakaj.

Ministri Cakaj u shpreh se “Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim duke pasur parasysh që në konkluzionet e Këshillit të vitit 2018 Shqipëria ka qenë e detyruar të performojë në tre kushte për të hapur negociatat sot u dakorduam me homologun austriak se të gjitha detyrat e shtëpisë janë përmbushur”.

Sipas tij, njëkohësisht ka vazhduar me sukses procesi i Vetingut.

“Ka vazhduar sipas përcaktimeve kohore ngritja e trupave të reja të gjyqësorit dhe ka vazhduar përmirësimi i historikut të qëndrueshëm të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, – theksoi Cakaj.

Cakaj u shpreh se “Shqipëria dhe Austria kanë raporte të shkëlqyera diplomatike dhe politike, të cilat datojnë që nga themelimi i shtetit shqiptar dhe janë të mbështetura në një traditë të veçnatë , histori të pasur në interesa institucionale që janë në rritje e sipër dhe natyrisht të mbështetura në kursin e vlerave euroatlantike që karakterizojnë të dy vendet.

Duke e cilësuar një ndër katër partnerët strategjikë, Cakaj tha se “Austria është prej mbështetëseve kryesore të rrugëtimit europian në përgjithësi dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në veçanti”.

Ai bëri të ditur se me ministrin austriak diskutuan hollësisht për mbështetjen që Austria do ti japë Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe po ashtu diskutuam për format e ndryshme të asistencës teknike të shtetit austriak për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë për të përballuar presionin dhe sfidat që vijnë nga ky proces.

Cakaj shtoi se biseda u përqendrua edhe në çështjet bilaterale mes dy vendeve.

“Trendi i jnvestimeve austriake në Shqipëri është rritur dhe po bashkëpunimi ynë ën fusha të ndryshme po vazhdon”, – tha Cakaj.

Cakaj falënderoi ministrin dhe shtetin austriak për mbështetjen e kryesisë shqiptare të OSBE.

I pyetur për ankesat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, për konsullatën shqiptare në Selanik, Cakaj u shpreh se “ne kemi filluar një fushatë të komunikimit me qytetarët dhe kemi krijuar një platformë për ankesa . Numri i ankesave është prezent dhe ne po punojmë në adresimin e tyre. Për këtë na nevojitet edhe bashkëpunimi i qytetarëve, nuk do të ketë asnjë ankesë apo asnjë shqetësim që nuk do të trajtohet.

“Jemi të vetëdijshëm për problemet ekzistuese, por ato nuk mund të zgjidhen brenda ditës”, – shtoi Cakaj.

Në lidhje me zgjedhjet në Kosovë Cakaj u shpreh se “Kosova i ka dhënë shembull rajonit se si organizohen zgjedhjet dhe me çfarë standardi të lartë ndodh edhe ndryshimi i pushtetit. Kosova ka dëshmuar se ka një elektorat të pjekur dhe të ndërgjegjshëm” .

“Ne mezi po presim të nisim bashkëpunimin me qeverinë e re te Kosovës pë rtë thelluar më tej bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë”-, tha Cakaj.

Ndërsa i pyetur nëse i druhet një vote kundër në 18 tetor të Holandës, Cakaj tha se “jemi në një përpjekje intensive për të siguruar votat pro. Nuk kam frikë votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për të siguruar vota pro”./atsh

Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim, detyrat e shtëpisë janë përmbushur Read More »

BE: Qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç tha se 6 tetori ishte një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë. Në reagimin e saj fillestar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kocijançiç theksoi se ishte shumë pozitiv fakti, se në këto zgjedhje, votuan më shumë qytetarë se në ato të mëparshmet në vitin 2017.

Ajo potencoi se qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme, duke përmendur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit dhe angazhimin për rifillimin e dialogut me Beogradin.

“Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe tërë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor”, tha Kocijançiç.

BE dërgoi një mision monitorimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, më 6 tetor.

Misioni do të paraqesë një vlerësim paraprak më 8 tetor dhe do të publikojë një raport përfundimtar në muajt e ardhshëm. /atsh

BE: Qeverinë e re të Kosovës e presin detyra të rëndësishme Read More »