Politike

Hajdari: Sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë

Kryetarja e e grupit parlamentar të opozitës, Rudina Hajdari, deklaroi sot se zgjedhjet në Kosovë, treguan se sistemi zgjedhor është i orientuar nga qytetarët, sistem i cili duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e lira dhe që të gjitha palët politike pranuan rezultatet me qetësi. Kosova tregoi që është një shtet me një demokraci që po rritet dita-ditës dhe duhet të jetë frymëzim edhe për vendin tonë”, – tha ajo.

Hajdari thekson se sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.

“Sistemi zgjedhor i Kosovës është një sistem i orientuar drejt qytetarëve, duke i dhënë mundësi atyre që mbjellin shpresë tek njerëzit të votohen dhe të qeverisin vendin. Ky sistem zgjedhor duhet të jetë frymëzim për vendin tonë për të çrrënjosur ata që kanë mbytur shpresën në Shqipëri. Politikanët tanë i druhen një sistemi të tillë pikërisht, sepse rrezikohet elita e vjetër politike e këtij vendi, të cilët duan të mbajnë pushtetin e tyre me çdo kusht, duke mos u interesuar interesi publik”, – tha ajo.

Po ashtu, Hajdari tha se politikanët shqiptarë që urojnë Kosovën sot, refuzojnë sistemin e ri zgjedhor.

“Është ironik fakti që janë pikërisht këta që urojnë Kosovën sot, që me “mbipushtetin” që kanë, mbajnë vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë mbrapa. Ndërkohë nga ana tjetër refuzojnë të konsiderojnë një sistem të ri më demokratik dhe më përfaqësues, vetëm e vetëm për të mbajtur karriget e tyre, duke e lënë vendin në një krizë politike dhe institucionale”, – thekson ajo.

Në fund Hajdari shprehu urimet për zgjebet në Kosovë për frymën e re që u përcoll në zgjedhje.

“Urime Kosovë për frymën e re që përçove dhe shembullin e një demokracie që kur ekziston vullneti politik, mund të forcohet dhe të jetë funksionale”, – u shpreh ajo./atsh

Hajdari: Sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë Read More »

Soreca: Gjyqtarët si mjekët, ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i krahasoi sot gjyqtarët me mjekët. Ata, tha ai, “ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”.

Duke folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të rinj të shkollës së Magjistraturës ai ka inkurajuar gjeneratën e re të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë diplomuar. Ai uroi 25 magjistratët e rinj nga Shkolla Shqiptare e Magjistraturës që morën diplomën e tyre sot.

“Diplomimi juaj është i rëndësishëm sot më shumë se kurrë. Ju përfaqësoni shpresën e ardhshme të sistemit të drejtësisë dhe pritshmëritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne flasim shumë për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, dhe këto janë me rëndësi thelbësore, por ajo që me të vërtetë ka rëndësi dhe që do të vihet vazhdimisht në provë është integriteti juaj personal. Zgjedhjet që do të duhet të bëni kur të jeni nën presion, dhe të jeni të sigurt se do të ketë presion, ato do të jenë më të vështirat në shërbimin tuaj ndaj drejtësisë”, – tha Soreca.

“Kam pasur fatin në jetë të frymëzohem nga magjistratë të mëdhenj. Individë që nuk kishin frikë nga asgjë, përveç një gjëje: se nuk do të arrinin t’i shërbenin drejtësisë! Ata frymëzuan brezat e ardhshëm, ata e bënë një komb krenar. Tani ju e keni atë detyrë, të frymëzoni brezat e ardhshëm dhe ta bëni një komb krenar dhe besimplotë në sistemin e drejtësisë. Unë, personalisht, besoj se kjo ndjenjë është motivimi më i madh me të cilin mund të punohet dhe patjetër që ka shpërblimin më të madh që mund të ëndërrosh”, – u shpreh ai.

“Urime shkollës, profesorëve të drejtësisë dhe të gjithë kolegëve tuaj më të vjetër për ndihmën, mësimdhënien dhe mbështetjen që ju kanë dhënë gjatë studimeve. Të mësuarit për një magjistrat nuk mbaron kurrë dhe ju e dini më mirë se unë, por ju e kaluat me sukses provimin e hyrjes dhe të gjitha provimet e tjera që mund të ofrojë kjo shkollë. Ne në BE jemi do të mbështesim të mësuarit tuaj të vazhdueshëm, përmes projekteve, trajnimeve dhe ekspertizës sonë ligjore. Ekzistojnë disa instrumente në nivel evropian nga të cilat mund të mësoni dhe të shkëmbeni eksperiencat me kolegë të tjerë në sistem. Shfrytëzojini ato”, – theksoi ambasadori Soreca.

“Një herë, një koleg gjyqtar më tha: “Gjyqtarët janë si mjekët. Ata ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”. Nuk ka asgjë më të keqe dhe më shkatërrimtare për shpirtin sesa padrejtësia apo drejtësia e vonuar. Pra, ndërsa jeni krenarë sot dhe me të drejtë, ju keni edhe një përgjegjësi të re të madhe për nesër. Krenohuni me arritjet tuaja dhe shërbeni me përulësi nesër. Paçi të gjithë një karrierë të shkëlqyer përpara! Gjithashtu, një urim i madh për familjet, partnerët apo miqtë tuaj që janë sot këtu dhe janë po aq krenarë për ju!” – tha Soreca./atsh

Soreca: Gjyqtarët si mjekët, ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato Read More »

Bylykbashi: Zgjedhjet në Kosovë, leksion për politikën shqiptare

“Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë një leksion i madh për politikën ‎shqiptare, por mbi të gjitha janë një këmbanë e fortë për qeverinë. Zgjedhjet demokratike kërkojnë vullnet politik”, tha sot ish-bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ndërsa thekson se zgjidhja qëndron te plani me pesë pika i opozitës.

Në një deklaratë për mediet, Bylykbashi tha se “Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokratike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurrojnë të lirë e pa presion”.

Po ashtu Bylykbashi tha se Partia Demokratike është e angazhuar për të gjitha këto, në mënyrë që t’u sigurojë shqiptarëve zgjedhje demokratike dhe rotacion demokratik me votë.‎

“Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozuar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qëndron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme”, – thekson ai./atsh

Bylykbashi: Zgjedhjet në Kosovë, leksion për politikën shqiptare Read More »

Thaçi për zgjedhjet: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi uroi qytetarët e Kosovës për zgjedhjet që ai i ka quajtur shembullore.

Sipas tij Kosova dëshmoi edhe njëherë pjekuri të lartë politike dhe demokratike.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tani të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”. /KosovaPress/

Thaçi për zgjedhjet: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike Read More »

Albin Kurti shpall fitoren e Vetëvendosjes

Albin Kurti, kandidat për kryeministër nga partia fituese e zgjedhjeve ka folur para mediave pas rezultateve të votimit.

Ka shpallur fitoren e partisë së tij, teksa ka thënë se i gjithë angazhimi ja ka vlejtur, shkruan lajmi.net.

“Unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës e shpall fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka thënë ai.

“Kemi punuar shumë, jemi angazhuar gjatë mirëpo gjithçka ja ka vlejtur sepse për popullin tonë çka kemi bërë e kemi konsideruar si detyrë tonën”, ka shtuar ai.

“Qeveria e re duhet të kompensojë kohën e humbur dhe mundësitë e çuara dëm”, tha ai.

Teksa tha se që nga nesër do të fillojnë me angazhimet për formimin e Qeverisë së re.

Foli edhe për koalicionin e mundshëm me LDK-në.

“Sot, nuk do t’i kontaktoj, por qysh nesër do të vendos kontakt me LDK-në, që me subjektin që ishim në opozitë që ta kurorëzojmë ndryshimin”, tha ai.

Albin Kurti shpall fitoren e Vetëvendosjes Read More »

Bashkimi që s’bëri fuqinë, Limaj e Pacolli

Nisma-AKR po del se përformuan shumë dobët në këto zgjedhje.

Nga rezultatet e deritanishme, këto dy subjekte kanë edhe më pak vota se Lista Serbe, shkruan lajmi.net.

Lista Serbe aktualisht ka 25 mijë e 508 vota në tërë Kosovën, teksa NISMA-AKR, 28 mijë e 211 vota.

Vlen të theksohet që ende s’janë numëruar të gjitha votat nga vendvotimet.

Bashkimi që s’bëri fuqinë, Limaj e Pacolli Read More »

Haradinaj: Zgjedhjet, proces i rëndësishëm për vendin

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj deklaroi se qytetarët e Kosovës sot e kanë mundësinë të vendosin për fatin e vendit me votën e tyre.

Pasi votoi, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Haradinaj theksoi rëndësinë e kësaj dite qe sipas tij ata që nuk votojnë sot, për ta vendosin të tjerët.

Haradinaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës që sot të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“I lus krejt qytetarët e vendit, të gjithë, pa marrë parasysh bindjet politike ose cilësdo përkatësi të votojnë, vetëm me votë vendosim vetë, pra ata qe nuk votojnë të tjerët vendosin për ta pra i ftoj të gjithë të votojnë, është sukses për Kosovën një demokraci kaq e mirë pra çdo gjë ka shkuar si duhet deri tash, edhe sot procesi i votimit po shkon me rregull në te gjithë vendin pra në të gjitha pjesët e Kosovës”, tha Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj tha se zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm për vendin.

“Jemi në proces të rëndësishëm për vendin. Besoj vetëdija jonë sot do të vjen në shprehje. Të gjithë do të vendosim ashtu siç është e drejta e vendit tonë”, shtoi ai.KosovaPress/

Haradinaj: Zgjedhjet, proces i rëndësishëm për vendin Read More »

Veseli pas votimit: Ditë e jashtëzakonshme për Kosovën e shenjtë

Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli në ditën e zgjedhjeve ka votuar në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Me këtë rast, ai tha se përmes këtyre zgjedhjeve duhet t’i japin perspektivë të ardhmes dhe Kosovës siç tha perëndimore.

Veseli i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, pas votimit, para mediave u shpreh se kjo ditë është e jashtëzakonshme për vendin tonë.

“Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj gjithë qytetarët e vendit tim , i japim perspektiv vetvetes, Kosovës sonë perëndimore. I japim perspektivë të ardhmes sonë më shumti”, tha Veseli.

Ndryshe në këtë qendër të votimit në orët në vazhdim pritët të votojnë dhe liderë të tjerë partiak dhe presidenti Hashim Thaçi./KosovaPress/

Veseli pas votimit: Ditë e jashtëzakonshme për Kosovën e shenjtë Read More »