Politike

Basha falënderon kryeministrin italian Giuseppe Conte për kontributin ndaj Shqipërisë

“Koha për ndryshim. Nuk mund te lejojmë më të na sundojë krimi dhe paligjshmëria”, është shprehur kryetari i PD-së, Lulzim Basha në takimin sot me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte.

Kryetari i PD-së Basha shprehet se në takimin me kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte, e falënderoi për kontributin që vendi i tij ka dhënë veçanërisht në luftën ndaj krimit, lëndëve narkotike dhe sigurisë për vendin tonë.

“Nuk mund të lejojmë më që të na sundojë krimi dhe paligjshmëria. Nuk mund të lejojmë më që për shkak të një njeriu, të izolohet një vend i tërë! Koha për ndryshim!”, shprehet ai. /atsh

Basha falënderon kryeministrin italian Giuseppe Conte për kontributin ndaj Shqipërisë Read More »

Haradinaj lë mandatin e deputetit: Do të vazhdoj punën në mbrojtje të interesave të Kosovës

Kryetari i AAK-së dhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj deklaron se nuk do të jetë deputet në legjislaturën e re.

Haradinaj shprehet se vendin e tij në Kuvendin e Kosovës do ta lërë për kolegët ndërsa do të vazhdojë të jetë në krye të AAK-së. Sipas tij, partia që ai drejton ka nevojë për reformë të nevojshme.

“Tani që po përmbyllet ky cikël zgjedhor, dua që të shprehë mirënjohjen time të thellë për secilën nga mbi 100,000 votat e besuara nga Ju, për mua si kandidat për Kryeministër. Përjetësisht falënderues! Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi. Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës”, shprehet Haradinaj.

Në secilin rast, thekson ai, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës.

“Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njëjtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor.Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis. Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës.Përgjithmonë i juaji, sa herë kërkon vendi e populli”, deklaron Haradinaj. /KosovaPress/

Haradinaj lë mandatin e deputetit: Do të vazhdoj punën në mbrojtje të interesave të Kosovës Read More »

Grupi Demokrat/ Lita: Hajdari ka dhënë dorëheqjen

“Rudina Hajdari ka dhënë dorëheqjen nga kryesimi i grupit Parlamentarë të opozitës dhe me procedurë të rregullt jam zgjedhur kryetar i grupit të opozitës parlamentare”, tha sot në një konferencë për shtyp nga kryesia e Kuvendit, deputeti Korab Lita.

Deputeti i opozitës, Korab Lita tha se zonja Hajdari në mënyrë verbale kërkoi dorëheqjen e saj nga kryesimi i grupit parlamentar të opozitës.

Ai sqaroi se deputeti Valteri pasi humbi garën për të qenë kryetar i grupit, deklaroi se nuk është kundër procedurës.

“Pas dorëheqjes së Rudina Hajdarit, grupi kaloi në procesin e zgjedhjes së kryetarit. U propozuan tre kandidatura Alban Zeneli, Halit Valteri dhe Korab Lita. Zeneli u tërhoq nga gara dhe gara vazhdoi me dy kandidatë. Edhe Valteri kërkoi kohë për të lobuar me kolegët dhe në unanimitet grupi vendosi t’i jepet kohë Valterit deri të nesërmen e 11 tetorit. Pasi, Valteri nuk gjeti mbështetje për këtë detyrë, deklaroi se tërhiqet. Për këtë u votua në mënyrë të hapur dhe u hartua procesverbali i mbledhjes dhe u vendos nga të gjithë të pranishmit”, sqaroi ai.

Më tej Lita tha se i kemi dërguar shkresë kryetari të Kuvendit për të bërë ndryshimet e duhura në bazë të procedurës.

“Pas këtij momenti në mbështetje të rregullores së Kuvendit neni 16, pika dy është bërë procedura për njoftimin e kryetarit të Kuvendit për ndryshimet e bëra. Shkresa është firmosur nga shtatë anëtarët e grupit, përfshirë dhe zotin Valteri”, tha Lita.

Një ditë më parë, deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari deklaroi se është në krye të grupit të opozitës. /atsh

Grupi Demokrat/ Lita: Hajdari ka dhënë dorëheqjen Read More »

Opinioni i Komisionit të Venecias, Opozita e Bashkuar: Meta nuk ka shkelur Kushtetutën

“Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën”, deklaroi sot Opozita e Bashkuar në një deklaratë për shtyp.

Në deklaratë thuhet se “Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend.

“Komisioni i Venecias pohon se qeveria nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi. Votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Ky akt është një hap i madh prapa, që bie ndesh me vlerat dhe strandardet evropiane”, thuhet në deklaratë.

“Opinioni Final i Komisionit të Venecias rrëzon propagandën e Edi Ramës për shkarkimin e Presidentit, propagandë e cila mbahet në këmbë nga një komision parlamentar me mision të dështuar antikushtetues”, thuhet në deklaratë. /atsh

Opinioni i Komisionit të Venecias, Opozita e Bashkuar: Meta nuk ka shkelur Kushtetutën Read More »

Basha: Nuk mund të ketë Shqipëri Europiane pa çuar para drejtësisë ata që vodhën zgjedhjet

Kreu i PD Lulzim Basha iu bashkua pasditen e sotme protestës së banorëve të Unazës së Re duke bllokuar qarkullimin.

Basha tha se “Europa e do Shqipërinë dhe shqiptarët. Dështimi i sotëm nuk është dështimi i asnjë shqiptari të ndershëm, nuk është dështimi i Shqipërisë. Është dështimi i një njeriu që ka marrë peng Shqipërinë. Ky dështim mban vulën dhe firmën e të njëjtit njeriu që firmosi dhe vulosi aferrën korruptive tek Unaza e Re, që firmosi dhe vulosi vjedhjen e zgjedhjeve. Pa u hetuar dhe pa u çuar para drejtësisë Edi Rama dhe gjithsecili prej bashkëpunëtorëve të tij nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri europiane”.

Ai tha se “kjo nuk është një betejë për pushtet dhe për veten tonë, por për t’i dhënë fund një herë e mirë jo vetëm këtij regjimi hajdutësh pa drejtësi, pa gjykata, një regjimi i cili ka asgjësuar bazën e bashkëjetesës demokratike, votën e lirë.”.

Basha tha se “beteja jonë është që t’i japim fund këtij tranzicioni me vuajtje dhe padrejtësi dhe të hapim për të gjithë shqiptarët, pa dallim bindje politike, një kapitull ku politikanët të mbahen përgjegjës para ligjit njësoj si çdo qytetar i thjeshtë dhe sa herë që ta shkelin ligjin, të marrin dënimin e merituar nga një drejtësi e pavarur”.

“Sot Europa flet me gjuhën e qytetarëve të bashkuar që duan ndryshim, duan transformim të thellë politik dhe ekonomik që besojnë tek Shqipëria, tek demokracia, tek liria, që besojnë tek familja, atdheu dhe tek Europa”, tha Basha./atsh

Basha: Nuk mund të ketë Shqipëri Europiane pa çuar para drejtësisë ata që vodhën zgjedhjet Read More »

Basha: Asnjë nga taksat e premtuara as nuk u ul, as nuk u hoq

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaron se Kryeministri Edi Rama nuk mbajti premtimet, me të cilat erdhi në pushtet.

Basha shprehet se taksat u rritën për 95 % të shqiptarëve dhe se sot paguajmë më shumë, plot 1.9 miliardë euro taksa.

“Rama mashtroi. Asnjë nga taksat e premtuara as nuk u ul, as nuk u hoq. Borxhi zyrtar u rrit nga 63% në 71% ndërkohë që 2.2 miliardë euro PPP janë borxh i fshehur”, tha ai.

Sipas Bashës, në 6 vjet, Rama vodhi dhe shpërdoroi 4.6 miliardë euro ose sa buxheti në 1 vit. /atsh

Basha: Asnjë nga taksat e premtuara as nuk u ul, as nuk u hoq Read More »

Rama: “Optimist për të ardhmen e vendit tim, por jo për vendimin e BE”

Format psikedelike gjallërojnë mbi muret e zyrës së Edi Ramës dhe lapsat me ngjyra dhe bojërat mbulojnë tryezën e tij, por ato nuk mund të shkëlqejnë gjendjen shpirtërore të kryeministrit shqiptar të apasionuar pas artit, ndërsa ai pret verdiktin e Bashkimit Europian lidhur me reformat e tij.

Ndërsa Britania e Madhe drejtohet për në derën dalëse të BE-së, vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit presin me padurim për t’iu bashkuar asaj, vendet anëtare do të njoftojnë javën e ardhshme nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për të filluar bisedimet e pranimit.

Maqedonia e Veriut mund të marrë një dritë jeshile pas ndryshimit të emrit të saj për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje disa vjeçare me vendin fqinjë, Greqinë, por Shqipëria po përballet me një vonesë tjetër për shkak të shqetësimeve që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe gjendjen e sistemit të saj gjyqësor.

“A jam optimist? Jo”, deklaroi Rama për të përditshmen britanike “The Irish Times”.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një mbështetje të fortë nga Brukseli, i cili dëshiron t’i shpërblejë ata për fillimin e reformave të shumëpritura.

“Nuk ka shumë për të qenë optimistë me atë që po ndodh sot në Europë. Unë jam optimist për të ardhmen e vendit, por jo për atë që do të ndodhë javën e ardhshme”.

Ndërsa Holanda, Danimarka dhe disa vende të tjerë dëshirojnë që Shqipëria të bëjë më shumë për të luftuar grupet e korrupsionit dhe mafies, Rama pikturon kombin e tij si viktimë e mosmarrëveshjeve të BE-së dhe një debati të udhëhequr nga francezët se si duhet të reformojë veten përpara se të zgjerohet më tej.

“Ne jemi dëm kolateral”, argumenton Rama. “Ku diku ka bombardime dhe një kopsht goditet – ne jemi kopshti.”

Sondazhet tregojnë se shqiptarët presin me padurim anëtarësimin në BE, nga e cila shpresojnë se do t’u rritet paga mesatare mujore prej rreth 400 € dhe pensionet nga rreth 100 €. Por shumë prej tyre nuk mund të presin që jeta këtu të përmirësohet. Që nga koha kur Shqipëria rrëzoi komunizmin në 1991, rreth 1.4 milion shqiptarë janë larguar nga vendi, kryesisht në Itali dhe Greqi.

Pasi u njoh si vend kandidat i BE-së në vitin 2014, Shqipëria rriti bashkëpunimin me unionin në fusha që variojnë nga siguria e kufijve deri në luftimin e tregtisë së drogës dhe filloi një proces të vetting-ut të mbështetur nga Brukseli për të pastruar gjykatat e saj të korruptuara.

Një numër i madh gjykatësish dhe prokurorësh kanë dhënë dorëheqjen ose janë pushuar nga puna për shkak të këtyre kontrolleve të gjendjes së pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit të tyre, por ky proces ristrukturimi si asnjëherë tjetër ka paralizuar edhe sistemin juridik, duke lënë mijëra raste në pritje.

“Ne pastruam aq shumë sa, Gjykata Kushtetuese është eleminuar praktikisht. Dhe tani ata [BE-ja] thonë: “Mirë, ju pastruat, por nuk keni Gjykatë Kushtetuese”, “ankohet Rama, i cili ka qenë kryeministër që nga 2013.

Salla e operacionit

“Ata thonë që ju duhet të operoni në këtë trup dhe ne themi po, sepse ky djalë ka kancer dhe pastaj ata pyesin gjatë operacionit pse nuk po vrapon. Epo, së pari ai duhet të dalë nga salla e operacionit të shërohet dhe më pas të vrapojë.”

“Ne nuk po kërkojmë të jemi anëtar i BE-së javën tjetër. Ne e dimë që nuk mund ta bëjmë këtë pa një Gjykatë Kushtetuese. Ne po kërkojmë të fillojnë bisedimet e pranimit. . . e cila mund të vazhdojë mbase 10 vjet. Pra, atëherë na gjykoni në 10 vjet. ”

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një mbështetje të fortë nga Brukseli, i cili dëshiron t’i shpërblejë ata për fillimin e reformave të shumëpritura dhe të lidhin Ballkanin me BE-në përballë konkurrencës nga Kina, Rusia dhe Turqia.

“Bashkimi Europian qëndron përpara një zgjedhjeje strategjike,” zyrtarët e lartë të BE-së përfshirë presidentët aktual dhe të ardhshëm të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe Ursula von der Leyen”, shkruan për vendet anëtare këtë muaj.

“Nëse BE-ja do të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve europiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e kësaj. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria bënë atë që u kërkuam të bënin”.

Bundestagu gjerman votoi dy javë më parë për t’i dhënë të dyja shteteve një datë fillimi për negociatat e anëtarësimit, por për të lidhur bisedimet e Shqipërisë me përfundimin e detyrave që nga reforma zgjedhore e deri në hapjen e një agjencie speciale antikorrupsion.

Shpresa është se ato masa jo vetëm që do të forcojnë ligjin e së drejtës në Shqipëri, por do të ndihmojnë për të nxjerrë vendin prej 2.8 milion banorësh nga një krizë politike, ku demokratët e opozitës janë larguar nga parlamenti, kanë bojkotuar zgjedhjet lokale në qershor dhe kanë drejtuar protesta në rrugët e Tiranës që shkaktuan përleshje rastësore me policinë.

Lulzim Basha, lideri i demokratëve, shpreson që shtetet e BE-së të pranojnë të fillojnë bisedimet menjëherë, por beson që qasja e Bundestag-ut mund të qetësojë skeptikët e zgjerimit duke e detyruar Shqipërinë për një plan veprimi për zbatimin e reformave.

43 deputetët demokrat hoqën dorë nga mandatet e tyre në parlamentin me 140 vende në shkurt, pasi zbuluan ato që ata quajnë prova të qarta se socialistët e Ramës “vodhën” zgjedhjet e vitit 2017 me ndihmën e grupeve kriminale.

“Shqipëria është ndoshta vendi i parë në historinë moderne pa një gjykatë supreme, pa një Gjykatë Kushtetuese, pa një prokuror të përgjithshëm, me një parlament me vende të paplotësuara dhe një kryeministër që vendos me dekret pa ndonjë kufi institucional të pushtetit të tij,” ka deklaruar Basha për “ The Irish Times”.

Akuza të rënda

Demokratët mbështesin reformën radikale në drejtësi, por Basha thotë se qeveria ka “minuar, shkelur dhe abuzuar” procesin.

“Si rezultat kemi një gjyqësor të paralizuar. . . dhe asnjë politikan apo figurë e krimit të organizuar nuk është përballur me drejtësinë. Përkundrazi, një numër i çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit janë anashkaluar nën ndikimin e qeverisë, duke siguruar pandëshkueshmëri për të akuzuarit. ”

Rama dhe aleatët e tij akuzohen gjithashtu për presion ndaj mediave kritike, për kufizimin e qasjes në informacion dhe për përgjegjësinë e shmangies, me kanalin e tij në internet ERTV – Edi Rama TV – duke u bërë një nga dritaret kryesore të veprimtarisë së qeverisë.

“Nuk është fjala për kritika,” tha Rama lidhur me paditë që ka ngritur ndaj gazetarëve.

“Bëhet fjalë për akuza shumë të rënda: vjedhje miliardash, miliarda të ardhura, bashkëpunim me forca të errëta, sende konkrete, jo opinione.. . Unë thjesht dua që njerëzit të dinë se të gjitha këto gjëra janë të pabaza”, deklaroi Rama.

E gjithë kjo është larguar nga imazhi ndërkombëtar i ish-studentit të arteve dhe basketbollistit, si një frymë e lirë dhe ekstravagancë që skalit në kohën e tij të lirë, zotëron një galeri në Berlin dhe vesh atlete tërheqëse për të takuar drejtuesit e tjerë.

Pothuajse dy dekada pasi ai u bë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe filloi të vishte blloqet e ndërtesave të saj të vjetëruara me ngjyra të ndezura dhe murale të guximshme, disa drejtues të BE-së mbeten të bindur se shenjat e ndryshimit pozitiv në Shqipëri janë më shumë sesa sipërfaqësore.

“Nuk pendohem për asgjë, sepse kjo është mirë për ne”, deklaroi Rama lidhur me kërkesën e BE-së për ndërmarrjen e reformave të vështira.

“Kjo është ajo që na duhet për vendin tonë dhe brezat tanë të ardhshëm. . . Në 10 vjet do të jetë një vend tjetër dhe do të kemi një shtet që funksionon krejtësisht ndryshe. Unë jam shumë i sigurt për këtë. ” /atsh

Rama: “Optimist për të ardhmen e vendit tim, por jo për vendimin e BE” Read More »

Çelja e negociatave, ministri Lleshaj: Shumica e vendeve të Europës, pro progresit të Shqipërisë

Shumica dërmuese e vendeve të Europës janë shprehur në mënyrë të paekuivok në mbështetje të progresit që Shqipëria ka bërë në rrugën drejt çeljes së negociatave.

Kështu, është shprehur, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një prononcimi për media pas ceremonisë së përurimit të zyrës së Zyrës së Shërbimit ndaj Qytetarëve në Komisariatin e Malësisë së Madhe.

Duke folur për çeljen e negociatave, Lleshaj theksoi se është tejet optimist për rrugëtimin e vendit tonë. “Kam pasur mundësinë gjatë këtyre ditëve, të cilat kanë qenë ditë intensive me vizita në Gjermani, në Bruksel, në vende të tjera, për të parë ecurinë e punës që po bëhet për hapjen e negociatave. Sigurisht që procesi është në rrugë të mbarë”, – tha ai.

“Shumica dërrmuese e vendeve të Europës janë shprehur në mënyrë të paekuivok në mbështetje të progresit që Shqipëria ka bërë në këtë fushë. Sigurisht ka patur një farë skepticizmi nga Holanda, Franca, skepticizëm të cilin ne përpiqemi ta kuptojmë”, – vijoi Lleshaj.

“Megjithatë më duhet të them atë që ja kam thënë edhe kolegut tim holandez, edhe me atij francez që Shqipëria për hir të së vërtetës i ka bërë të gjitha ato që Europa ka kërkuar ndaj saj. Ne sigurisht nuk mund ta ndërrojmë veten tonë, por ne kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për plotësuar ato kritere për integrimin e vendit tonë në BE”-, theksoi Ministri i Brendshëm.

“Dua t’ju them këtë, që në Holandë ka një nivel të caktuar kriminaliteti që buron nga disa qytetarë që mbajnë pasaportë shqiptare, por edhe në këto kushte niveli i kriminalitetit që po ushtrohet nga këta qytetarë është shumë herë më i ulet nga niveli i kriminalitetit që ushtrohet nga qytetarët e vendeve të tjera anëtare të BE, që jetojnë në Holandë të cilët janë nga pikëpamja numerike më të vegjël sesa Shqipëria”, – vijoi Lleshaj.

“Pra nuk është se shqiptarët përfaqësojnë një gogol të rrezikshëm për vetë Holandën, dhe këtë e dinë edhe politikanët holandezë dhe besoj që edhe në vendimin e tyre të ardhshëm do të reflektohet ky fakt”, – tha Lleshaj. /atsh

Çelja e negociatave, ministri Lleshaj: Shumica e vendeve të Europës, pro progresit të Shqipërisë Read More »