Seanca e djeshme parlamentare, ku u votuan anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë më në fund funksional këtë institucion pas kohësh pa kuorumin e nevojshëm të anëtarëve, tregoi qartë ndarjen mes atyre që i duan, apo jo institucionet kushtetuese në Shqipëri. Kështu u shpreh, i ftuar në një studio televizive mbi ngërçin për Kushtetuesen, deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.
“Deri dje, shumë aktorë artikulonin dashurinë e madhe për institucionet kushtetuese, por seanca e djeshme tregoi ndarjen e qartë mes atyre që duan institucione kushtetuese dhe thellimin e reformave dhe atyre që kanë penguar reformën në drejtësi dhe plotësimin e Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Hyseni.
Duke iu referuar Presidentit të Republikës, i cili nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij për përzgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, deputeti socialist tha se detyra e vetme e kreut të shtetit është zbatimi i Kushtetutës, por edhe këtë detyrë ai nuk e zbaton.
“Roli i vetëm i Presidentit është të bëjë Presidentin. Ftesa është të zbatojë Kushtetutën, edhe pse ka një dispozitë, që është reminishencë e kuptimit të kaluar të Kushtetutës, flas për nenin 129, besoj që është një akt ceremonial dhe Presidenti është i detyruar pikërisht të bëjë këtë akt,” deklaroi më tej Hyseni.
Institucionet, sipas tij, janë shprehur vetë për anëtarët: “Dy ditë para skadimit të afatit ngriti pretendime që s’janë as kushtetuese, as koherente me qëndrimin e artikuluar për kompletimin e Gjykatës Kushtetuese një orë e më parë. Presidenti e ushtroi të drejtën e tij në vakancën e parë, por nuk e ushtroi në vakancën e tij, automatikisht personi i parë i shpallur në atë listë u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese,” tha më tej deputeti Hyseni, duke shtuar se, “Kuvendi zgjodhi ta ushtrojë këtë kompetencë në të dy rastet më një kuorum të tillë që dha edhe mesazhin se është vullneti i shqiptarëve për të kompletuar këtë institucion të rëndësishëm”.
Nga ana tjetër, Hyseni tha se tashmë me 5 anëtarë, Gjykata Kushtetuese fillon funksionimin. “Ne do vazhdojmë me plotësimin e vakancave të tjera, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara. Ndërsa sa i takon Gjykatës së Lartë, me fillimin e vitit do të kemi plotësimin me minimunim e nevojshëm të anëtarëve”, u shpreh më tej deputeti i PS, Alket Hyseni. /atsh
Nga Italia ku po zhvillon një vizitë zyrtare, Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se “duhet të bëjmë ende shumë punë për të ecur përpara dhe sidomos për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministri italian Giuseppe Conte, Merkel tha se “më vjen shumë mirë që ndajmë të njëjtën strategji, për sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, edhe këtu, duhet të bëjmë ende shumë punë për të ecur përpara dhe sidomos për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse nëse aty hapet një boshllëk, atëherë ky boshllëk do të mbushet nga të tjerë”.
Kjo, theksoi kancelarja gjermane, nuk u përgjigjet interesave tona strategjike europiane, aq më tepër që shumë nga këto vende janë anëtare të NATO-s.
“Edhe këtu ne ndajmë të njëjtën strategji atlantike, pra në favor të NATO-s”, deklaroi Merkel.
Edhe kryeministri italian theksoi se “duhet të punojmë së bashku për arritjen e objektivit të zgjerimit të Bashkimit Europian me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një temë mjaft e rëndësishme për ne që e përballem se fundi pa zgjidhjen e duhur./atsh
Ministri i Punëve të Brendshëm, Sandër Lleshaj i ftuar në një studio televizive foli për operacionin e shpëtimi të Alvin Berishës nga kampi Al-Hol dhe për situatën e shqiptarëve të tjerë të ndodhur atje, pas vizitës së tij në Beirut.
I pyetur mbi nismën e këtij operacioni, ministri tha se “nisma për operacionin është ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë, na kanë ndihmuar Italia, Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna e Kuqe. Ata kanë vepruar në emër dhe për llogari të shtetit shqiptar. Kemi marrë dhe autorizimin nga babai i tij për lirimin e djalit dhe gjithashtu qeveria italianë ka punësuar ngushtësisht me ne”.
Lleshaj foli rreth vizitës së tij në Beirut ku mbështeti oficerët shqiptar në terren dhe për të vendosur kontakte me autoritetet në vend. “Kam vajtur për të ndërtuar një kanal që do të mundësoj largimin e më shumë fëmijëve që aty. Qëllimi kryesor i vizitës time ka qenë vendosja e kontakteve për të hapur një kanal që do na mundësojë dhe shpëtimin e të tjerëve”.
Sipas ministrit të Brendshëm rruga nga Beiruti ishte rruga më e përshtatshme për të mundësuar kalimin lirisht të Alvinit. Ai thotë se shteti ka dijeni për praninë e grave dhe fëmijëve shqiptar në kampin e Al-Hol ku numri total shkon rreth 70 000 veta.
“Qeveria ka ndërtuar një plan të bazuar mbi gjendjen e para disa javëve që ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Ka ndryshuar kontekstin gjeopolitik. Me largimin e amerikanëve, me futjen e turqve, na u desh të rishikonim planin. Pra ka ndryshuar situata rrënjësisht. Ky plan ka nisur para gati një viti. Plani është ndërtuar në bazë të disa premisave. Këto premisa kanë ndryshuar. Kjo ka bërë që situata të ndryshojë rrënjësish. Pozicioni i kurdëve në raport me gjithë partnerët ka ndryshuar. Kështu u desh të mendohej një zgjidhje tjetër”, – tha ministri Lleshaj duke folu për operacionin për shpëtimin e Alvinit.
Ai shton se, “vizita në Beirut vlen për të ndërtuar kontakte shumë të rëndësishme, me autoritetet fetare në Liban, me shumë titullarë të rëndësishëm, me autoritet të Gjysmë Hënës së Kuqe në Siri dhe kemi shpresë që shpejt do jemi në gjendje që do bëjmë një zgjidhje të këtij problemi. Ne besojmë që ky kanal i ri do funksionojë. Kemi marrë disa garanci. Sigurisht që nuk punojmë me një opsion. Po punojmë në disa krahë me qëllim që t’i japim udhë këtij problemi. Shpresa ime personale është që mund të përdorim këtë kanal për të tërhequr dhe të tjerë”. /atsh
“Presidenti i Republikës bën mirë të heqë maskën dhe të dalë të flasë troç, sepse ai nuk ka hallin e afatit”, – deklaroi në Kuvend kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ku në seancën e sotme u zgjodhën me 105 vota pro, dy anëtarët e rinj të Gjykatës së re Kushtetuese.
Balla tha se “këtu duhet folur troç, jo me maska. Presidenti i Republikës ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me katër vetë sepse ka parë që e katërta e renditur është një person tek i cili ai ka besim. Presidenti i Republikës kërkon të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e Enkelejd Alibeajt.
“Presidenti i Republikës nuk ka hallin e afatit kushtetues e as kriteret. Po u them të gjithë kolegëve deputetë se në aspektin kushtetues është kristal. Ky proces do t’i japë Shqipërisë Gjykatën Kushtetuese funksionale dhe është në nderin e detyrën e secilit prej deputetëve të kësaj sallë ta mbështesë. Ata që duan ta pengojnë reformën në drejtësi e kanë marrë përgjigjen”, theksoi Balla.
Sipas tij, “institucioni bazë për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është as Presidenti, as Kuvendi, as Gjykata e Lartë, por është vetëm Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në të cilin aplikojnë 700 veta dhe të sjell vetëm 3 kandidatura të rankuara. Ka dalë sot që në mëngjes Presidenti dhe thotë që Kuvendi i Shqipërisë ka shkelur afatin dhe është me vonesë”.
“Presidenti i Republikës e ka të përcaktuar qartë që në fund të 30 ditëve institucioni bazë i emërimeve në drejtësi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi thotë: afati yt mbaroi, i pari i rankuar me pikë zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, – nënvizoi Balla në Kuvend.
“Thelbi i Reformës në Drejtësi ka qenë heqja dorë nga historia 28-vjeçare që politika zgjedh anëtarët e sistemit të drejtësisë. Për fat të mirë ja kemi hequr këtë të drejtë politikës në Gjykatën e Lartë por kemi lënë parimin check and balance (kontrollo dhe balanco) në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Tre anëtarë i zgjedh Presidenti, tre i zgjedh Kuvendi, tre i zgjedh Gjykata e Lartë. Po si? Këtë ja kemi lënë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, theksoi ai. /atsh
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar sot deputetëve të Kuvendit në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Meta është shprehur se, “sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
“Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese! Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë ! Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!”, ka theksuar presidenti Meta.
“Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij”, ka shtuar Meta.
Ndaj, ka nënvizuar ai, “ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!”
“Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!! Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!”, ka përfudnuar Meta.
Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku do të diskutohet për projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese./atsh
“Opozita kërkon të gjejë një gjuhë të përbashkët por nga ana tjetër, ne nuk mund të thyejmë rregulloren dhe ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurën që duhet të ndiqet nga Kuvendi i Shqipërisë”, tha kryetarja e grupit parlamentar të opozitës Rudina Hajdari.
Hajdari sugjeroi se të gjitha palët qoftë dhe presidenti të jenë sa më të qetë në këtë proces. “Të tregojmë vullnetin e duhur që të gjejmë një gjuhë të përbashkët për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se në lidhje me qëndrimin e drejtë të deputetes Hajdari, ka kërkuar që të thirret Këshilli i Legjislacionit për të dhënë mendim mbi kushtetutshmërinë dhe procedurat e votimit.
“Në Kuvend nuk mund të diskutohet rreth kandidaturave, kandidaturat janë diskutuar kur ato kanë aplikuar sipas ligjit, janë diskutuar kur ato janë dëgjuar dhe seleksionuar nga Komisioni i Ligjeve, kur kanë aplikuar, janë diskutuar nga organi i emërtesës që në rastin konkret është KED. Kështu, Kuvendi nuk ka kompetenca të diskutojë rreth profesionalizmit të performancës së kandidatëve, Kuvendi ka eksluzivitetin të votojë. Ajo që do të diskutojmë në Këshillin e Legjislacionit është kushtetutshmëria dhe procedura e votimit, gjë të cilën do e diskutoni atje. Prandaj, Këshilli i Legjislacionit të gjejë kohë që gjatë seancës të mblidhet dhe ta shqyrtojë kërkesën që kamë bërë”, sqaroi Ruçi. /atsh
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje gjatë konferencës së përbashkët pas samitit të Ohrit, se Kosova nuk duhet të vetëpërjashtohet nga procesi, për të cilin është dakordësuar me 6 vende të Ballkanit Perëndimor në shumë tryeza të tjera, si në Sofje, Londër, Poznan, Vjenë, Durrës Shkup apo Ulqin e Sarajevë.
Duke u ndalur tek mungesa e përfaqësimit të Kosovës në samitin e Ohrit ku u dakordësua përshpejtimi i zbatimit të marrëveshjeve për 4 Liritë e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor – Liria e Lëvizjes së Njerëzve; Mallrave; Shërbimeve; Kapitaleve, Rama deklaroi se “nuk është ky momenti për të shpjeguar pse, sipas meje, bëjnë sikur nuk kuptojnë, apo nuk duan të kuptojnë, por është momenti për të thënë që sa herë jemi takuar, jemi ulur, kemi biseduar dhe kemi dakordësuar për gjithçka që shkruhet e zeza mbi të bardhë, tanimë jo si një dokument mirëkuptimi, por si një plan veprimi në këtë nismë mes liderësh të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofie, në Londër, në Poznan, në Trieste, në Paris, në Berlin, në Bruksel, në Vjenë, në Durrës, në Shkup, në Sarajeve, në Ulqin, me sa unë kujtoj, nuk më rezulton se në gjithë këto takime, Serbia apo Bosnje Hercegovina e kishin njohur Kosovën”.
“Por kjo nuk e ka penguar as Presidentin e Kosovës, as Kryeministrin e Kosovës të marrin pjesë dhe të flasin në emër të Kosovës, si të barabartë me të tjerët dhe të dakordësohen për të gjithë elementët e kësaj nisme, në dokumente të bashkëmiratuar me partnerët tanë europianë”, theksoi kryeministri.
“Në kujtesën time, pas luftës për pavarësinë e Kosovës u desh një kohë jo e shkurtër që përfaqësuesit e shtetit të ri të Kosovës të pranoheshin në tavolinë, qoftë nga autoritetet e atëhershme të Serbisë, qoftë nga autoritetet e atëhershme të Bosnjë-Hercegovinës, kur bëhej fjala për takime ndërkombëtare, sepse asnjëra nga të dyja palët nuk pranonte të ulej me ta në tavolinë.
Tani, prej të paktën prej 5 vjetësh nga nisja e Procesit të Berlinit, pjesëmarrja e Kosovës as është vënë kurrë në diskutim dhe nuk di, mbase nuk arrij dot ta kuptoj, por as e gjej dot interesin, as e gjej dot përfitimin nga rikthimi vite e vite të largëta më parë, kësaj radhe, jo me mospranim, por me vetëpërjashtim”, tha Rama.
“Bashkëpunimi rajonal dhe njehsimi i katër lirive të Bashkimit Europian në bashkëpunim me vendet e rajonit, përfshi edhe Serbinë, edhe Bosnje Hercegovinën, të cilat nuk e njohin Kosovën, nuk do të thotë as se Shqipëria ka ndryshuar qëndrim ndaj Serbisë lidhur me njohjen e Kosovës, as se kam ndryshuar mendimin tim, që unë publikisht e kam thënë në vizitën time të parë në Beograd, se Serbia duhet të njohë Kosovën. Por, në ndërkohë, moszgjidhja ende e kësaj çështje nuk është absolutisht një arsye që Kosova papritur të vetëpërjashtohet, apo aq më tepër nuk është një arsye që Shqipëria dhe Kosova të mos mbrojnë interesat e zhvillimit ekonomik dhe social të qytetarëve të tyre, të cilat kalojnë përmes integrimit, kalojnë përmes bashkëpunimit, kalojnë përmes gjithëpërfshirjes dhe jo përmes vetëpërjashtimit dhe izolimit”, theksoi ai.
“Pyetja e thjeshtë që do ndihmonte qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë që kanë kaq vite që heqin të zitë e ullrit në kufi është nëse do të donin të vazhdonin me mallrat që presim me orë e ditë, me njerëzit që mbajnë radhë kilometrike në kufi apo do donin që njësoj si në gjithë Ballkanin Perëndimor edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës të çelet plotësisht kufiri për 4 liritë e BE”, tha Rama.
“Një pyetje e thjeshtë do të ndihmonte qytetarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë, që kanë kaq vite që heqin të zitë e ullirit në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës; A do të donin të vazhdonte njësoj historia me mallrat që rrinë presin me orë dhe ndonjëherë edhe me ditë dhe me njerëzit që mbajnë radhë kilometrike për të hyrë në krahun tjetër, apo do të donin që njësoj si në të gjithë Ballkanin Perëndimor, edhe mes Shqipërisë dhe Kosovës të çelej plotësisht kufiri për të katër liritë e lëvizjes së Bashkimit Europian; liria e lëvizjes së njerëzve; liria e lëvizjes së mallrave; liria e lëvizjes së kapitaleve; liria e lëvizjes së shërbimeve”, nënvizoi Rama.
“Unë besoj se heqja e kufirit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është një “Minishengen”. Nuk e di kush e gjeti këtë fjalën “mini”. Të paktën mua personalisht, kjo “mini” nuk më konvenon. Sepse duke qenë edhe 198 centimetra, s’jam ndjerë kurrë pjesë e ndonjë “mini”, tha ai.
“Ashtu sikundër, nëse duam ta quajmë ashtu siç është, është WB Shengen, (Western Balkan Schengen) që do të thotë që të gjithë qytetarët, jo vetëm ata të BE-së, por dhe ata të këtij rajoni, kanë të drejtë të lëvizin lirisht në të gjithë rajonin, kur të duan, ku të duan, pa patur pengesat absurde që kanë sot. Pengesa, të cilat përkthehen në kosto marramendëse. Janë miliarda euro që rajoni i ka humbur dhe i humb, që do të thotë ne i kemi humbur dhe i humbim si vende nga ky lloj barrikadimi pas kufijsh, të cilëve u ka dalë përfundimisht koha dhe funksioni”, vijoi kryeministri.
“Unë e konsideroj me rendësi të veçantë në këtë nismë që kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës, njësoj si të gjithë kufijtë e tjerë, të zhduken dhe që kjo e ka dakordësinë edhe të palëve të tjera, përfshirë edhe Serbinë. Kush flet për Jugosllavi mbase ka jetuar shumë gjatë në Jugosllavi. Unë nuk kam jetuar asnjë ditë në Jugosllavi dhe kush flet për rilindjen e Jugosllavisë mbase është ende i lidhur me kujtimet e Jugosllavisë. Unë nuk kam asnjë kujtim nga Jugosllavia.
Ndërsa kush flet për Shqipëri të madhe, kur unë flas për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, tani do duhet thjeshtë të heshtë. Nuk ka mundësi që unë të jem edhe “mini-jugosllav”, edhe “shqiptaro-madh”. Unë jam thjesht një qytetar europian, që s’po bëj asgjë të re, por thjesht po marr pjesë në një proces që e kam kërkuar vetë prej vitesh, që të mos mbetemi thjeshtë e vetëm pjesëtarë të nismave që organizohen në Bruksel dhe thjesht e vetëm pre e proceseve burokratike që nuk përkthen në të mira për qytetarët”, përfundoi Rama. /atsh
“Të gjithë duhet të biem dakord se Ballkani po ndryshon. Plani parashikon lëvizjen e lirshëm, me kartë identiteti të qytetarëve të këtij rajoni”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët për shtyp bashkë me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas punimeve të samitit të Ohrit, ku ndër të tjera theksoi se, “Serbia , Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hapën një nismë ku ftojnë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të bëjnë më shumë nga ajo që jemi duke bërë përmes procesit të Berlinit dhe agjendës Europiane ekonomike. Të gjithë duhet të pajtohen se Ballkani po ndryshon në një vend më të mirë dhe faktor më i rëndësishëm në Europë”.
“Nisma që paraqesim, flet për një ëndërr të qytetarëve dhe ky është Ballkani i ri modern i shekullit të 21, ku qytetarët nga gjithë rajoni kërkojnë të avancojnë për kushte më të mira për gjeneratat e reja, si ti motivojmë të rinjtë për të kontribuar më shumë në vendet tona përmes potencialeve të përbashkëta dhe nxitje të investimeve të huaja, por dhe të nxisim vëmendjen e partnerëve tanë”- tha ai.
“Plani parashikon lëvizjen e lirshëm, me kartë ID të qytetarëve të këtij rajoni. Paraqesim një ëndërr për qytetarët e vendeve tona, një Ballkan të ri Perëndimor, me më shumë investime për të rinjtë. Nisma parashikon në të gjithë ditët e javës mundësinë e lëvizjes së qytetarëve me kartë ID, qarkullim të shpejtë të kamionëve, mundëson kushte për planveprimi me qëllim njohjen e ndërsjelltë të dokumenteve nga agjencitë e ushqimit të veterinarisë, me qëllim që të jepet mobilitet kapitalit dhe shërbimeve që paraqesin 4 liritë europiane. Sjell të mira për të gjithë Ballkanin dhe na faktorizon më shumë në Europë” -u shpreh Zaev./atsh