Politike

Koçi: Meta politikë personale me Kushtetuesen, do të mbrohet nga shkarkimi duke kapur institucionin

Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, duke skanuar veprimet më të fundit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, lidhur me dekretet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, shprehet se e gjithë ajo që tenton të krijojë nuk ka të bëjë me ngërç institucional, apo krizë juridike, por është zgjedhje personale e tij për të shtënë në dorë këtë institucion kushtetues. Kjo sipas Koçit, për arsyen e vetme se Presidenti ndihet i kërcënuar nga nisma e mazhorancës për shkarkimin e tij e për këtë arsye kërkon që në Gjykatën Kushtetuese të vendosë njerëzit e kontrolluar prej tij.

“Nëse Meta do të shkarkohet, kjo do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Meta po zgjedh që të mbrojë interesat e tij personale që të mos shkarkohet”, – tha zv/ministri Koçi, i ftuar në një studio televizive.

Duke komentuar reagimin më të fundit të Kreut të Shtetit mbi betimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, ditën e sotme në noteri, për të cilën Presidenti tha se, “nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja”, Koçi u shpreh se ishte vetë Ilir Meta që nuk e dekretoi atë.

“Duhet të bëhet betimi te Presidenti, por kur Presidenti të mbyll derën, a vlen një formulë e tillë te noteri?! Për Xhaferllarin Meta ka shkelur Kushtetutën. Mori vendim jashtë afatit dhe nuk ka zgjedhur nga lista e tre të parëve, por ka zgjedhur të katërtën. Me këto synon që Gjykata Kushtetuese të mos formohet”, – vijoi më tej Koçi.

Koçi shprehet se Presidenti Meta po bën më tepër politikë personale sesa në favor të opozitës, të cilës, sipas tij, i leverdis kjo sjellje.

“Besoj është më shumë personale e zotit Meta, sesa një aksion i ndërmarrë nga opozita për Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se opozitës i vjen mirë që Meta po bën diçka në favorin e vet. Dihet që opozita nuk ka qenë entuziaste për Reformën në Drejtësi. Asnjëherë s’kemi dëgjuar nga opozita të pranojë që sistemi i drejtësisë është i korruptuar. Nuk ka qenë në sinkron me vlerësimin e ndërkombëtarëve, por kanë bërë avokaten e drejtësisë së korruptuar”, – shprehet Koçi.

Sa i takon reformës zgjedhore, Koçi shprehet se nëse opozita do riangazhohej në mënyrë destruktive do ishte një autogol, duke pasur parasysh çfarë ka bërë në vitin e fundit./atsh

Koçi: Meta politikë personale me Kushtetuesen, do të mbrohet nga shkarkimi duke kapur institucionin Read More »

“Një anëtar, një votë”, Balla: Të shtunën, zgjidhen mbi 700 delegatë të Kongresit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ftoi sot anëtarësinë e PS-së, që në 16 nëntor të zgjedhin delegatët e rinj të Kongresit, në një proces, që sipas tij, “do të dëshmojë funksionimin e demokracisë së brendshme në PS”.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se “sapo ka përfunduar ndarja e të gjitha materialeve zgjedhore në të gjitha degët e PS-së”.

“Ky është një proces tepër i rëndësishëm që ditën e shtunë përmbyll fazën e parë, zgjedhjen e drejtpërdrejt nga anëtarësia e Partisë Socialiste përmes parimit ‘Një anëtar një votë’ të më shumë se 703 delegatëve nga të 61 bashkitë e vendit”, tha Balla.

Ai tha se në 16 nëntor socialistë do të kenë mundësinë të votojnë në më shumë se 363 qendra votimi në të gjithë vendin, ndërsa shtoi se ato do të jenë të hapura prej orës 08:00-16:00.

“Zgjedhjet për emigracionin do të vijojnë edhe gjatë muajit nëntor. Kemi autorizuar Sekretariatin tonë për Emigracionin për të testuar edhe modele të votimit online apo votimit me postë”, tha ai.

Balla ftoi më shumë se 107 800 anëtarë të PS-së të regjistruar në këtë proces zgjedhor të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm, pasi sipas tij, “PS mbetet fuqia e ndryshimit edhe në aspektin e funksionimit të demokracisë brenda një partie politike, model edhe për parti të tjera”.

Sipas Ballës, “edhe në selinë e PS-së do të hapet një qendër votimi ku rreth 800 anëtarë të PS Tiranë do të votojnë në mënyrë elektronike”.

“Janë më shumë se 1080 komisionerë që janë trajnuar. Për herë të parë kemi zhvilluar dhe një proces prezantimi të kandidatëve për delegatë dhe në këtë moment në bashki të ndryshme të vendit po vijojnë prezantimin para anëtarësisë së partisë, që në 16 nëntor çdo anëtar të ketë të qartë se kush do të jetë delegati që voton”, tha Balla.

Ai shtoi se “çdo proces forcimi të demokracisë së brendshme në PS është shenjë e forcimit të demokracisë në vend”./atsh

“Një anëtar, një votë”, Balla: Të shtunën, zgjidhen mbi 700 delegatë të Kongresit Read More »

Basha nga Saranda: Fuqizim arsimit profesional dhe aksesit në turizëm

“Në zemër të vizionit tonë për ndryshimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri, është ndalja e emigracionit, rikthimi i shpresës, fuqizimi, mëkëmbja e biznesit dhe sipërmarrjes, duke përfshirë sektorë kyç me potencialë të jashtëzakonshëm siç është sektori i turizmit”, – tha sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vijim të turit të tij në Sarandë.

Basha tha se koha politike në Shqipëri nuk aspak e mirë dhe për këtë arsye ekonomia po vuan. Rritja e taksave dhe e kostos së shërbimit, korrupsioni sipas tij, janë tre arsyet për situatën.

Kryetari i PD-së Basha, tregoi hapat e daljes, sipas tij, nga kriza.

“Rritja dhe shtimi i taksave, rritja e kostos së prodhimit dhe të shërbimit dhe korrupsioni i administratës dhe i qeverisë, janë tre arsyet kryesore për gjendjen ku ndodhet sot biznesi, ju dhe ekonomia e Sarandës dhe e gjithë Shqipërisë. Biznesi dhe politikat ndaj biznesit janë dështim spektakolar i një qeverie e cila e konsideron biznesin privilegj dhe jo të drejtë dhe këtë privilegj ia ka dhuruar kalçetos së oligarkëve në vend që të respektojë të drejtën dhe lirinë e çdokujt për të ndjekur përmes iniciativës më të mirë, për të krijuar mirëqenie për veten, familjen dhe komunitetin”, shprehet ai.

“Ne kemi një platformë të cilën duam ta pasurojmë pasi të dëgjojmë biznesin, sipërmarrjen dhe t’i kthejmë nga probleme dhe halle të përbashkëta, në zgjidhje të përbashkëta, sepse vendit nuk i mungon as potenciali dhe as rruga për të dalë nga kjo krizë”- tha ai.

Basha tha se Saranda duhet të tërheqë krahë pune e jo të largohet krahu i punës.

“Hapat të cilat do të ndiqen: Fuqizimi i arsimit profesional dhe të lartë, ndërkohë që po shkon drejt mbylljes universiteti i Sarandës. Fuqizimi i degëve për të cilat ka nevojë ekonomia e Sarandës dhe e rajonit. Fuqizimi i aksesit në turizëm me infrastrukturë të plotë dhe jo shkel e shko. Bëhen fasadat, s’bëhen kanalizimet. Përmbytet Himara ka një stuhi në det. Mbrojtjet që janë ndërtuar para 50 vitesh i kanë prishur për dukje, por dukja nuk të çon gjatë, fasada nuk të mbron nga deti 9 ballësh. Në qoftë se nuk bën kanalin e ujërave të zeza, të të rrojnë pllakat e bukura në bulevard, sepse dalin ujërat e zeza sipër. Me një shi përmbytet Saranda qytet i vendosur në shpat mali”, tha ai. /atsh

Basha nga Saranda: Fuqizim arsimit profesional dhe aksesit në turizëm Read More »

Meta: Momenti i krijimit të Kushtetueses historik, ua kam thënë disa diplomatëve të korruptuar që Shqipëria mos të ngelej pa gjykatë funksionale

Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për shtyp iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi dekretin për përzgjedhje e Marsida Xhaferllarit si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese si dhe procedurën e ndjekur për plotësimin e kësaj vakance.

I pyetur mbi afatin prej 30 ditësh, Meta tha se “nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. Ka afat për parlamentin, për arsye se dihet që parlamenti është një institucion kolegjial, por nuk kemi një afat të përcaktuar në Kushtetutë për presidentin. E dyta, Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetua është zero pa Gjykatë Kushtetuese dhe ne jemi pa Kushtetutë përderisa jemi pa Gjykatë Kushtetuese. Momenti i krijimit të Gjykatës Kushtetuese është historik sepse për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës që u bë në Kushtetutë për reformën në drejtësi dhe është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta për këtë çështje sepse Gjykata Kushtetuese është garancia për mbrojtjen e Kushtetutës, në interes të popullit shqiptar dhe çdo qytetari të Shqipërisë”.

Çdo akt në këtë proces i presidentit, i parlamentit dhe gjithë institucioneve që janë të përfshira në ndërtimin Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është historik, tha Meta, sepse do ngelet si referencë në të ardhmen. “Çdo veprim i presidentit aktual është një veprim që mbetet si precedent në të ardhmen për presidentët e ardhshëm. Duhet të kemi të qartë që Komisioni i Emërimeve në Drejtësi është një institucion që merret vetëm me menaxhimin administrativ për të garantuar zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit për krijimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi ai.

Meta shtoi se “Presidenti ka të drejtën e parë për të plotësuar vakancën e parë të Gjykatës Kushtetuese, pastaj është parlamenti, dhe në këtë mënyrë përsëritet e njëjta renditje dhe në këtë plan, është detyra e KED-së të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve, të kritereve dhe të afateve që të respektohet Kushtetuta për mënyrën e ndërtimin të Gjykatës Kushtetuese, të respektohet ligji për Gjykatën Kushtetuese e të mos kemi përplasje midis institucioneve dhe nuk është e kundërta që KED është një institucion kolegjial apo akoma më keq, jo KED por kryetari i KED, të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat për vakancat që krijohen midis Presidentit dhe Parlamentit, ku kishim katër vakanca nga dy për secilin institucion, në mënyrë të tillë, tepër të dyshimtë për të mos thënë pa e tepruar, mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë, pra kreun e shtetit, që ose të shkelë detyrimisht Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e cila thotë qartë që presidenti plotëson vakancën e parë dhe pastaj është parlamenti që plotëson vakancën e dytë. Duke dërguar të dyja listat që ai ka, për vakancën e parë dhe për vakancën e tretë, presidenti praktikisht shkel Kushtetutën e pastaj parlamenti me të drejtë do ta anatemonte presidentin si shkelës i Kushtetutës dhe pastaj për zgjedhjen e vakancës së dytë që i takonte presidentit si antikushtetuese. Ose me interpretime qesharake, thotë që i ka mbaruar afati presidentit. Kjo është absurde, është e turpshme, është mafioze”, – u shpreh Meta para gazetarëve.

Meta vijon duke thënë se, “Marrëdhënia e Presidentit me KED nuk është një marrëdhënie e re. Kemi qenë në një marrëdhënie të përhershme institucionale, zyrtare. Shqetësimet tona nuk i kemi bërë publike se nuk kemi dashur ta dëmtojmë më tej këtë proces se sa ata që e lanë Shqipërinë dy vjet qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese. Ata që bllokuan dy herë KED në mënyrë që të gjenin një kryetar KED-je si ky që bën këto lojëra e këto filma që nuk ka ngelur budalla më pa i kuptuar këtu, përveç të korruptuarve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë tashmë shumë të evidentuar. Gjithmonë i është kërkuar KED në kohë që të marrë të gjitha masat që mos vijmë në një situatë të tillë, pra të marrë masat administrative të garantimit të listave që për çdo vend, për çdo vakancë të kemi 3 kandidatë të paktën, jo të jemi në një situatë ku është e qartë që pothuajse të gjithë kandidatët janë të paracaktuar dhe ku mundësia e zgjedhjes është pranë 0 se kjo do të thotë që cenohet parimi kushtetues i përzgjedhjes nga institucionet që ngarkon Kushtetua për këtë çështje”.

Duke u ndalur te dekreti për Marsida Xhaferllarin, Meta tha se “veprimet e mia kanë qenë të ligjshme. Ju përmendët një emër, unë ju them, është emri me CV më të shkëlqyer nga të gjithë kandidatët e zgjedhur nga KED dhe një person tërësisht i diskriminuar, duket për çfarë arsyesh, dhe është një person që nga dy persona të shfaqur politikisht si anëtarë të KED ka marrë vlerësimin zero dhe ko është arsyeja pse jemi këtu ndërkohë që ka pasur kualifikimet më të larta nga kushdo tjetër”.

“Presidenti nuk merret me asnjë individ. Nëse Presidenti nuk do kishte besimin tek asnjë individ do thoshte që s’kam besim tek askush dhe s’kam detyrim të përzgjedh dhe veproni si të dëshironi. Të ndërtosh një proces me kaq shumë probleme që janë evidentuar qartë jo për fajin tim, por për faj të mungesës së bashkëpunimit dhe të përpiqesh ta banalizosh në histori të tilla kur bëhet fjalë për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese e cila asnjë ditë nuk duhet të kishte qenë e mbyllur dhe bosh dhe kjo ka ndodhur qëllimisht. Ua kam thënë 1000 herë, edhe disa diplomatëve të korruptuar që thonin më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Ua kam thënë se ne kemi bërë një marrëveshje ku kemi vendosur që dhe Gjykata Kushtetuese të vendoset në vetting dhe marrëveshja ka qenë që asnjë ditë Shqipëria nuk do ngelet pa gjykatë funksionale. Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë”, deklaroi presidenti Meta.

“Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë. Nuk ka ndodhur kjo situatë prej vetingut, por se në krye të KED erdhi një ushtar i verbër i partisë. KED e parë u bllokua se nuk iu pëlqyen emrat, pastaj u vendos një ushtar i partisë, që vë në pozitë Presidentin, që ose të shkelë Kushtetutën me pahir, ose me lojëra të tillë të turpshme, që as ca fëmijë rrugeçër nuk i bëjnë. Kjo është e vërteta”, deklaroi presidenti Meta./atsh

Meta: Momenti i krijimit të Kushtetueses historik, ua kam thënë disa diplomatëve të korruptuar që Shqipëria mos të ngelej pa gjykatë funksionale Read More »

Basha nga Fieri: Do ndryshojmë sjelljen me biznesin

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi sot pasdite një takim në Fier me biznesin e vogël në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”.

Basha tha se me ardhjen e PD-së në pushtet do të ndryshojë rrënjësisht sjellja me biznesin, ndërsa prezantoi edhe një program me 5 pika.

“Hapi i parë do të jetë eliminimi i taksës mbi karburantin, 240 lekë/litër i shtuar në 2014 – 2015 masë e cila lehtëson biznesin e vogël dhe të madh rrjedhimisht edhe konsumatorin. Çmimi i energjisë elektrike sot për biznesin dhe për konsumatorin është më i larti në Ballkan. Çmimi i naftës sot është më i larti në Ballkan. Do të jetë një çmim favorizues për këto kategori. Do të konsiderohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro vjetore nën 14 milionë lekë të reja në vit. Që do të thotë nën 140 milionë leke të vjetra në vit dhe do të përjashtohen nga detyrimi absurd i TVSH”, tha ai.

Gjithashtu, Basha tha se “do të eleminohen të gjitha tarifat lokale dhe qendrore, kryesisht lokale dhe përqendrimi i tyre në një taksë të vetme prej 0.5% e xhiros vjetore. Një taksë 0.5% e xhiros vjetore për biznesin e vogël. Ngjitja e pullës fiskale në hyrje të biznesit të vogël si mesazhi i ndalimit të pranisë së çdo inspektori tatimor dhe çdo lloj tatimori, për t’i dhënë fund terrorit nën të cilin gjendet sot i gjithë biznesi dhe sidomos i vogli”.

Më tej, kreu i PD, tha se do të vendoset moratorium për inspektoriatin tatimor i cili po terrorizon biznesin.

“Nuk do të shikoni tatimor me sy. Ne do të nisim me shkrirjen e këtyre inspektoriateve brenda gjashtë muajve”, tha Basha”. /atsh

Basha nga Fieri: Do ndryshojmë sjelljen me biznesin Read More »

Rama: Ja përse Shqipëria mund ta ndihmojë Italinë

Edi Rama sapo ka mbaruar një takim me kryeministrin Giuseppe Conte. Duket i lodhur, por mjaftueshëm i kënaqur: “E di se ku do të dalësh duke më pyetur se si m’u duk kryeministri juaj… Por, nuk folëm për politikën italiane. Megjithatë, Conte nuk m’u duk në vështirësi, ishte shumë mirë”, konfirmon Rama në mënyrë diplomatike, shkruajnë Stefano Piazza dhe Luciano Tirinnanzi për revistën e njohur italiane “Panorama”.

Dhe pastaj futet menjëherë në temë.

“Çështja e Shqipërisë në Këshillin Europian ishte një goditje e rëndë. Këshilli nuk i mbajti premtimet e bëra. Kurse Conte ishte fantastik në mbrojtjen e interesave strategjike të Europës në Ballkanin Perëndimor dhe në mbrojtjen e vetë Europës nga indiferenca që ndonjëherë e dallon”.

Në një verandë romane, “Panorama” takon kryeministrin e Shqipërisë. I disponueshëm, me një fizik mbresëlënës, me një të kaluar si basketbollist, por edhe një artist shumëplanësh dhe ish-kryetar i bashkisë së Tiranës (2000-2011). Përveç se rikonfirmon – me një italishte të përkryer – një raport “të shkëlqyer” me vendin tonë, del në pah zhgënjimi i Ramës për vendimin e Këshillit Europian për bllokimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Javët e kaluara në Tiranë kanë qenë shumë të vështira për shkak të protestave në sheshe. Ai kundërpërgjigjet edhe për akuzat e rënda që Sali Berisha, presidenti historik dhe kryeministër i së djathtës së qendrës, ka bërë ndaj qeverisë së tij socialiste. Dhe përgjigjet më pas për tema të tjera “të nxehta” si migracioni në Mesdhe, roli i Turqisë dhe i islamit politik në Shqipëri.

Zoti kryeministër, gjatë takimit të kaluar të tetorit të Këshillit të BE-së, për herë të tretë gjatë një viti e gjysmë në Bruksel nuk arritët të binit dakord se si do të vijonin përpjekjet për një anëtarësim të mundshëm të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në BE. Përse? Duket që problemi nuk është Brukseli.

Komisioni kishte mbështetur me forcë domosdoshmërinë e hapjes (së negociatave – shën. i përkth.) për vendin tonë, dhe i kishte dhënë një mandat pa kushte Këshillit të BE-së. Thelbi i çështjes qëndron në atë pjesë të Europës që është futur në pistën e rrezikshme të luftrave të brendshme dhe kundërshtive. Franca, por mbi të gjitha Holanda dhe Danimarka, na bllokuan. Unë e di se Parisi është një aksioner i shumicës në BE, por pozicioni i tij, megjithëse i ligjshëm, ishte në lidhje me një rithemelim të përgjithshëm të Unionit dhe një rishikim të procesit të zgjerimit, që nuk ishte objekt i samitit. Këtu flitet vetëm për transferimin e njohurive gjatë një procesi negociues. Edhe pse negociatat do të zgjasin më shumë nga liderët që sot janë ulur në atë Këshill. Zhgënjimi i tij është i dukshëm.

Nuk është se nuk e kisha menduar këtë pengesë. Pjesërisht, e prisja. Por, nuk është asnjëherë, as e bukur dhe as e thjeshtë, të jetosh me ndjesinë e plotë se je tallur. Në çdo rast, siç e përsëris gjithmonë, duhet të vazhdojmë në të nëjtin drejtim, pasi nuk ka alternative të tjera përveç se një Shqipërie europiane. Mbetet detyra jonë përballë brezave që do të vijnë.

Për çfarë diskutuat me homologun tuaj Conte?

Folëm për të ardhmen, rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, nevojat e 31 000 sipërmarrësve shqiptarë aktivë në vendin tuaj. Folëm gjithashtu se si të harmonizojmë sigurimet shoqërore për ata 100 mijë shqiptarë që kontribuojnë në buxhetin e Italisë.

Folëm gjithashtu për sigurinë, interesin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe marrjen e disa masave ndaj mbipopullimit në burgjet italiane që çojnë në transferimin e të arrestuarve drejt Shqipërisë, dhe gjithashtu mbi koordinimin për të përmirësuar sistemin tonë të burgjeve.

Kemi shumë memorandume dhe bashkëpunime të filluara me Romën, që thjesht presin të nënshkruhen dhe të zbatohen. Ne gjithmonë shohim drejt Italisë, sepse gjithmonë ndihemi pjesë e kësaj toke dhe vërejmë se përtej Adriatikut ka një lëvizje interesante që kërkon të shkojë shpejt drejt inovacionit. Kjo është shumë pozitive për ne.

Më 24 tetor, në Tiranë, ju morët pjesë në një tryezë të organizuar nga Consulcesi Tech, ku shpallët një propozim për një ligj kombëtar për rregullimin e tregjeve financiare që funksionojnë me teknologjinë blockchain.

Ne dëshirojmë të sjellim gjithnjë e më shumë teknologji në proceset tona të qeverisjes, po ashtu edhe në shërbime.

Për shembull, sapo kemi nisur rrjetin 5G me Vodafone Albania, një investim masiv për integrimin e kësaj teknologjie. Ndërsa mbi blockchain dhe kriptovalutat korniza jonë rregullatore shkon nga a-ja te zh-ja. E kemi bërë sepse besojmë dhe se mendojmë se do të sjellin risi dhe investime.

Emigracioni është një temë që Tirana e njeh shumë mirë, që kur migrantët drejt Italisë ishin pikërisht shqiptarët. Si e gjykoni fenomenin e sotëm?

Di që ju po i përjetoni me shqetësim flukset migratore. Qasja jonë është e ndryshme. Për ne nuk ka qenë asnjëherë problem. Në fund të fundit, ne nuk kemi barrën tuaj, por e kuptoj shumë mirë zhgënjimin ndaj Europës që ju ka lënë vetëm.

Emigracioni shqiptar në Itali është pjesë e një historie me një fund të lumtur, që ka shndërruar një popull “pushtues pa këpucë dhe me stomakun bosh” në një masë të rëndësishme kontribuesish për ekonominë italiane, që më pas solli zhvillim edhe në Shqipëri.

Turqia, megjithatë, kërcënon Europën se do të rihapë flukset e migracionit nga Lindja e Mesme, pikërisht përmes rrugës ballkanike.

Ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mira me këtë vend. Në përgjithësi, unë do të tregoja kujdes ndaj paragjykimeve ndaj Ankarasë. Ata ndihmuan Bashkimin Europian në një moment dramatik gjatë krizës së refugjatëve dhe kanë të drejtë të kërkojnë të respektohen për këtë. Roli i Turqisë mbetet shumë i rëndësishëm nga këndvështrime të ndryshme për tërë Europën, do të thosha themelor.

Ashtu si Turqia, edhe Shqipëria është tradicionalisht një vend me shumicë myslimane dhe është pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. A nuk është Islami politik për ju një problem social?

Duke bërë përjashtimet e çështjes, ne ndihemi mjaft mirë dhe pothuajse nuk e njohim fenomenin me konfliktet që janë regjistruar në Itali. Në Shqipëri jetojmë në paqe midis bashkësive të ndryshme fetare. Mjafton të them që unë jam katolik, gruaja ime është myslimane dhe paraardhësit e mi janë ortodoksë. Ndërsa, për të lindurin e fundit (djalin – shën. i përkth.), unë do të ndjek udhëzimet e papa Françeskut, i cili gjatë një interviste private më sugjeroi që t’ia linte zgjedhjen atij se cilën fe do të përqafonte.

Megjithatë, nuk ka mungesë të problemeve sociale. Dhe opozita e udhëhequr nga Sali Berisha e ka theksuar gjithmonë këtë fakt. Për shembull, kur thotë se me ju socialistët në pushtet, Shqipëria është bërë një narkoshtet, ku zgjedhjet nuk janë të lira.

Unë kurrë nuk i komentoj kundërshtarët në një gjuhë të huaj, përfshirë italishten… por duke iu referuar burimeve të besueshme si “Guardia di Finanza”-s ose Komisionit Europian, ata mund të konfirmojnë përparimin e bërë në këtë drejtim, pasi të dhënat e tyre e konfirmojnë këtë progres.

Më vjen shumë keq që dikush na pikturon kështu, por, duke qenë vetë piktor, di që ne mund të marrim vetëm përgjegjësinë për pikturën tonë. Nga ana tjetër, duket më e rëndësishme të flasim për ato që në të vërtetë kanë rëndësi për qeverinë e Tiranës: sot duam të tërheqim individë dhe kompani italiane në Shqipëri për të jetuar mirë dhe për të shijuar një vend fantastik, duke paguar shumë më pak taksa. Kjo është një pikë që ne krenohemi.

Ndërsa protestat në rrugë janë pika e dobët?

Ne jemi një demokraci e re, por vuajmë edhe nga një kulturë e vjetër politike. Dobësia jonë konsiston në të kaluarën tonë të mbrapshtë, që vazhdon ende të frenojë zhvillimin në pothuaj çdo sektor. Për këtë arsye, modernizimi i shtetit për mua është një përparësi absolute./atsh

Rama: Ja përse Shqipëria mund ta ndihmojë Italinë Read More »

Meta: Shqipëria, e vendosur të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan

“Shqipëria është e vendosur dhe dëshiron të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë për “Radio France International” është shprehur se kjo është në interes të rajonit dhe përgjithësisht të Europës.

I pyetur se cilat janë pritshmëritë e Shqipërisë me rastin e këtij Forumi të Paqes në Paris, Meta ka theksuar se, “ne kemi besim te partnerët tanë europianë, veçanërisht tek Franca dhe Gjermania. Për të pasur një Europë të sigurt dhe të zhvilluar, Ballkani, në të njëjtën kohë, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe paqësor. Historia na e ka treguar gjithmonë këtë. Të gjithë e dimë se në Ballkan filloi Lufta e Parë Botërore”.

“Pjesëmarrja në Forumin e Paqes në Paris është një kënaqësi, por edhe një detyrim. Ky është një moment i rëndësishëm reflektimi për të përshpejtuar bashkëpunimin në nivelin ndërkombëtar. Ky Forum vjen në një moment të rëndësishëm për shkak të gjendjes aktuale të botës, Evropës dhe natyrisht të Ballkanit”, ka shtuar Meta.

I pyetur se çfarë mbetet për t’u bërë nga pala shqiptare, pasi në tetor, Franca e deklaroi veten “jo në favor” për hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, Meta është shprehur se, “Franca dhe Gjermania kanë qenë shtyllat kryesore të BE që nga krijimi i saj. Këto dy vende kanë marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe tani janë duke hedhur themelet për të ardhmen e Europës përballë shumë sfidave”.

Kjo, ka theksuar ai, “nuk është hera e parë që Franca u ka kërkuar vendeve që aspirojnë për t’u bërë anëtare të BE-së të jenë më efikase dhe më të qëndrueshme në plotësimin e reformave. Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj. Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj”.

“Ju e dini, gjeografikisht, Shqipëria dhe Ballkani janë në qendër të Europës. Ndaj, politikisht duhet të jemi pjesë e plotë e BE-së. Edhe pse në tetor, Franca e deklaroi veten “jo në favor” për nisjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, ne e dimë se Parisi na inkurajon dhe na mbështet në realizimin e përpjekjeve tona për t’u integruar me BE. Përpjekje të bazuara në demokraci, zhvillim, stabilitet dhe bashkëpunim”, ka vijuar Meta.

I pyetur mbi deklaratën e Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili u shpreh kohët e fundit se NATO është në një gjendje të “vdekjes së trurit”, Meta ka thënë se, “NATO është organizata më serioze, më e besueshmja. Punon shumë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat themelore: lirinë dhe paqen në Evropë dhe në botë. Aleanca Atlantike përballet me sfida të mëdha për të rifituar vendin e saj në një kontekst të vështirë global. Të gjithë duhet të kontribuojnë në mënyrë më inteligjente për ta bërë NATO-n më të sukseshme në misionin e saj”./atsh

Meta: Shqipëria, e vendosur të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan Read More »

Shengeni Ballkanik/ Rama: Unë do heq kufirin e Shqipërisë me Kosovën, Albini të shohë se kush e pengoi bashkimin doganor

Kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të takimit të Ohrit, ndërsa theksoi se është i vendosur ta heqë kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një intervistë televizive Kryeministri Rama foli mbi takimin e Ohrit, i cili sipas tij, “është vijimi i atij të Novi Sadit dhe i ka paraprirë takimit të Durrësit, për të nxitur dhe mundësuar zbatimin e gjërave për të cilat jemi dakordësuar më parë, për 5 vite rresht, me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

I pyetur nëse është konsultuar kjo iniciativë me Kosovën, Rama tha se “ka 5 vjet kjo iniciativë dhe marrja përsipër e nismës mes të tre vendeve për ta shtyrë iniciativën përpara, duke mos shtuar asgjë tjetër të re nga dokumentet përmbajtësorë të iniciativës, përveç lëvizjes së lirë të njerëzve që ka qenë një betejë e gjatë e imja me Presidentin e Serbisë dhe ku më në fund, ai është dakordësuar, gjë që na jep mundësinë të heqim kufirin me Kosovën. “Nuk ka absolutisht asgjë tjetër, pra, çfarë nxitimi ka këtu? – tha ai.

Për sa i përket konsultimit, Rama tha se “në 5 vjet rresht, Kosova ka qenë e pranishme në tryezë”. “Në 5 vjet rresht, kryeministrat dhe Presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka që sot ne duam të implementojmë, të zbatojmë, të konkretizojmë, jo për vete, por për njerëzit tanë. Besoj që, nëse ka vend për fjalën konsultë këtu, konsultohet ai që merr përsipër, ose vendos të mos vijë, jo ai që do shkojë, siç të gjithë kanë shkuar. Pra, nëse në një moment të caktuar, dikush vendos që “unë nuk do shkoj”, atëherë merr në telefon dhe thotë “unë nuk do shkoj”, tregon arsyet dhe nëse arsyet janë bindëse, atëherë sigurisht që JO-ja mund të bëhet e përbashkët. Nëse nuk janë bindëse, ai që thotë JO, rri me JO-në, ai që thotë PO, vazhdon me PO-në”, – tha Rama.

Rama tha se “pas Samitit të Ohrit, nuk ka patur kontakte me Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti, sepse nuk ka asgjë për të shpjeguar”.

“Ata e dinë shumë mirë për çfarë bëhet fjalë dhe e dinë shumë mirë edhe të gjithë arsyetimin tim. Albinit ia kam arsyetuar gjerë e gjatë Pse-në e rëndësisë madhore të këtij procesi. Tani, nëse ai nuk e kupton, do çuditesha shumë, sepse është mjaftueshëm inteligjent. Nëse bën sikur nuk e kupton, apo nuk do ta kuptojë, pastaj kjo është zgjedhja e tij. Por duket si politikë e jashtme, në raport me Shqipërinë, për punë të brendshme dhe nuk besoj që kjo është më e mira. Megjithatë do kemi kohë dhe mundësi të tjera për t’i diskutuar dhe për t’i thelluar diskutimet”, – tha Rama.

Po ashtu, Rama konfirmoi se në takimin e ardhshëm të 21 dhjetorit në Durrës, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti do të jetë absolutisht i ftuar, nëse do të jetë i betuar dhe do të jetë në detyrë.

“Padiskutim, sepse ne kemi qenë më parë dhe në Durrës dhe kujtoj që kemi qenë gjithë së bashku, Kryeministri i Kosovës, Kryeministrja e Serbisë dhe nuk më rezulton që në atë kohë, Serbia e kishte njohur Kosovën dhe papritur tërhoqi njohjen dhe tani, Kosova duhet të ikë nga tryeza, meqë Serbia nuk njeh Kosovën. Ka qenë një kohë mbas luftës, kur Kosovën nuk e pranonin nëpër tavolina, sepse nuk donte Serbia dhe Kosova bëri luftë për t’u ulur në tavolinë. Të ikësh nga tavolina, mbase ka arsye që unë nuk i di dhe jam i gatshëm t’i dëgjoj dhe nëse janë bindëse, jam shumë ‘Ok’ që të dakordësohem. Por më duket vërtetë politikë e jashtme me Shqipërinë për punë të brendshme në Kosovë”, – tha ai.

Rama iu përgjigj edhe Albin Kurtit, sipas të cilit “Shqipëria fillimisht duhet të heqë kufijtë me Kosovën dhe më pas të shikojë në një tablo më të madhe rajonale për këtë proces”.

I pyetur nëse është i drejtë ky qëndrim, Rama tha se “nuk dua të them që është i shtrembër, dua të them që do drejtohet kur Albin Kurti të bëhet kryeministër me orë të plota dhe të jetë më i vëmendshëm për këtë proces”.

“Sepse nga njëra anë, kufiri nuk hiqet përveçse me këtë mënyrë me marrëveshje me të tjerët. Si e heq kufirin Albin Kurti, nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi, apo do hapë luftë?! E kush, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian apo Kuba do japin pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët?! Do të ishte vetëm një marrëzi. Aq më tepër që ne e kemi parë, jo duke hequr, por duke thënë se do hiqet, kemi ndezur gjithë llambat e kuqe dhe është ngritur alarm gjithandej”, – tha Rama.

Ndërsa për sa i përket asaj që duhet të bëjë njëherë me Kosovën, Rama tha se “të gjitha pikat që ne kemi në këtë nismë janë pika që duhet të ishin bërë me Kosovën, përveç kësaj të lëvizjes së lirë që tani është e mundur, më parë ishte e pamundur”.

“Pse nuk janë bërë, le të hapi letrat Albini e të shikojë dosjet, të shikojë protokollet dhe ta fillojë nga dosja e Bashkimit Doganor që Shqipëria e miratoi nën drejtimin e ministrit tonë të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj është bërë goxha punë me palën kosovare dhe në momentin e fundit pala kosovare tha ‘JO’ në qeverinë e Isa Mustafës. Erdhi Ramush Haradinaj në Tiranë dhe tha këtë do ta bëjmë të parën dhe më pas tha se, dëgjo, ashtu është puna, do shohim më vonë. Unë nuk po e fajësoj, thjeshtë po them që predikimet janë të nevojshme për politikë, por faktet janë të domosdoshme kur bëhesh kryeministër”, – shtoi Rama.

Lidhur me deklaratën e Albin Kurtit, që thotë se politika e jashtme e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të jetë e unifikuar, Rama tha se “ky nuk është qëndrimi i Albin Kurtit, por është një aksiomë që e ka karakterizuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, denbabaden”.

“E unifikuar ka qenë politika e jashtme e Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk e di për çfarë bëhet fjalë, mbase duhet shpjeguar që politika është strategji dhe taktikë. Për shembull, meqë ra fjala më parë për konsultimin apo për unifikimin. Unë nuk jam pyetur dhe s’kisha pse të pyetesha për vendosjen e tarifës 100%. As nuk kam thënë është e pakonsultuar, as nuk kam thënë pse nuk më pyetët mua, por e kam mbështetur fuqimisht. Ama e kam mbështetur si një veprim që duhet të prodhonte rezultat politik dhe jo si një tarifë ekonomike. E kam thënë që ditën e parë, ky është një vendim politik, është një veprim politik, është një qasje brutale për gjithë ata që e shohin si politikë ekonomike, por tërësisht legjitime për atë që është në të vërtetë. Është politikë e jashtme”, – tha ai.

“Ama, kur erdhi puna që tarifa u kthye në mjet të politikës së brendshme, e rrethoi Kosovën me zhgënjim dhe deri me mospërfillje nga partnerët strategjikë të Kosovës dhe nuk u përdor si një mekanizëm, kur i erdhi momenti të përdorej si mekanizëm, për të hequr vizat për Kosovën. Atëherë pa diskutim që kjo u kthye nga një vënie e pasqyrës përpara botës për një shqetësim të madh të Kosovës, në një litar në këmbët e Kosovës”, – tha Rama.

Rama komentoi edhe lajmin që Vetëvendosja ka hapur një degë të saj edhe në Tiranë dhe se ka paralajmëruar dhe një protestë, një marshim në 28 nëntor me tematikë bashkimin kombëtar.

“Së pari, njëherë parafytyroni një moment, jo ju, po ta përfytyrojnë qytetarët e Kosovës që një degë e Partisë Socialiste natyrisht me miratim nga kryesia dhe nga unë të bëjë protestë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe të thotë “nuk është koha për të festuar, është koha për të reflektuar” dhe të bëjë një fletë-rrufe që duket sikur është nxjerrë nga printerat e opozitës me qeverinë e Kosovës, çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë? Çfarë do të ishte kjo, në raport me pretendimin për politikë të jashtme të unifikuar dhe për strategji të përbashkët dhe për bashkëpunim? Megjithatë unë e konsideroj një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje, në një vakum ku kam qenë dhe vetë dhe e kam shumë mirë parasysh, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin, sepse kryeministër zgjidhesh ditën kur të votojnë, por fillon dhe bëhesh jo menjëherë pasi ke hyrë në zyrë”, – tha ai.

Rama iu përgjigj edhe pyetjes nëse Shengeni Ballkanik mbështetet nga BE, duke marrë në konsideratë dhe faktin se Matthew Palmer i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, dha pëlqimin e Shteteve të Bashkuara për këtë iniciativë.

“Shengeni Ballkanik ka qenë dhe dua ta them, sepse është historia, një term që për herë të parë e ka përdorur Fatos Nano, kuptohet në një kohë kur u mor si një çmenduri dhe kur mund të konsiderohej jashtë komplet kontekstit të kohës. Kur unë kam folur për Shengenin Ballkanik në fillim kam ngritur gjithë valët e shqetësimeve dhe gjithë zërat kundër, nga Beogradi, deri në Bruksel dhe deri në Uashington dhe ato që janë dëgjuar në publik janë shumë më pak se ato që kam dëgjuar unë drejtpërdrejt nga Brukseli dhe Uashingtoni, edhe nga partnerët e tjerë, sepse shikohej si një provokim për të hapur kufirin me Kosovën.
Tani nuk ka askush kundërshtim që të flitet dhe për këtë. Ju thashë, dhe presidenti i Serbisë e ka hedhur hapin e madh dhe të vështirë në raport me të, dhe e ka hequr veton për kufirin për lëvizjen e njerëzve. Tani këta e duan ta heqin atë kufi, apo jo? Apo do vazhdojnë ta heqin duke e thënë dhe duke mos e hequr? Apo do ta heqin me valle shpatash?” – tha Rama.

“Unë do heq kufirin e Shqipërisë me Kosovën dhe do u jap mundësi shqiptarëve nga dy anët e kufirit që kur të kalojnë Morinën t’ju duket sikur shkojnë nga Prishtina në Gjakovë apo nga Lezha në Durrës, të mos shikojnë aty asgjë dhe mos të rrinë të presin me kilometra e kilometra të tëra. Kjo është shumë e thjeshtë. Nëse do të merremi me përmbajtjen, gjithë përmbajtja e kësaj nisme bazohet jo vetëm në dakordësi, por dhe në interesin e njerëzve të zakonshëm të të gjitha vendeve”, – shtoi ai.

Rama tha se “nëse do përdorim simbolet, mitet dhe do të ushqejmë ata që janë të gatshëm që menjëherë të bëhen patriotë në facebook duke ju thënë si u takuam, kush u takua, pse u takuan dhe duke thënë të gjitha arsyet e gabuara, kjo është përsëri të bësh politikë të jashtme për politikë të brendshme dhe ta bësh politikën e brendshme pre të historive që nuk çojnë asgjëkund. Kjo është ajo që mendoj unë”.

Sa për bashkimin kombëtar, Kryeministri tha se “bashkimi kombëtar, sipas meje, vjen ashtu siç e kam thënë dhe vjen vetëm përmes integrimit të rajonit, të rajonit me BE-në, të vendeve tona me BE-në dhe të përfshirjes të një familje të madhe europiane dhe jo si një akt, apo si një çuarje përpara e një procesi që bëhet gjithmonë e më dritëshkurtër, dhe gjithmonë e më i vjetër, dhe gjithmonë e më i kotë”.

“Shqiptarët duhet dhe do të bashkohen si pjesë e proceseve që do të na bashkojnë të gjithëve me njëri-tjetrin si njerëz dhe si qytetarë të këtij kontinenti. Rrugë tjetër nuk ka, nëse duam që ndërkohë njerëzit të rrisin ekonominë e tyre, njerëzit t’i paguajmë shumë më mirë, falë rritjes ekonomike, kushtet për të gjitha shërbimet të përmirësohen duke pasur mundësi të investojmë më shumë. Këto janë gjërat për të cilat unë do ta shtyj këtë nismë përpara me gjithë fuqinë time dhe këto janë gjërat për të cilat jam i bindur që të gjitha vendet kush më shpejt, kush më vonë, por jo me vite, me muaj do t’i bashkohen kësaj nisme”, – tha ai./atsh

Shengeni Ballkanik/ Rama: Unë do heq kufirin e Shqipërisë me Kosovën, Albini të shohë se kush e pengoi bashkimin doganor Read More »