Politike

Prezantohet nesër Paketa Speciale anti KÇK, mekanizëm që shkatërron themelin e foleve të krimit

Kryeministri Edi Rama tha se do të prezantohet nesër Paketa Speciale AntiKÇK, një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit.

Kryeministri deklaroi sot se “falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafias e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”.

“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi”, theksoi Rama.

Ai tha se “pa mbështetjen e SHBA/BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit”.

“Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre”, shtoi Kryeministri./atsh

Prezantohet nesër Paketa Speciale anti KÇK, mekanizëm që shkatërron themelin e foleve të krimit Read More »

Meta: Tubim mbarëpopullor për nisjen e dialogut me Shqipërinë

Presidenti Ilir Meta do të organizojë në 8 dhjetor, në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti, një tubim mbarëpopullor që synon nisjen e një dialogu me Shqipërinë.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi tha se, tubimi do të organizohet në Ditën e Rinisë, atje ku dhe nisi Lëvizja Studentore e viteve ’90.

“Nisja e dialogut të Presidentit Meta me Shqipërinë ka për qëllim mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës. Dialogun e Presidentit Meta me shqiptarët nuk mund ta ndalë askush, deri në zbatimin e detyrimit kushtetues për referendumet”, u shpreh Blushi.

Ai tha se “jemi të vendosur deri në fund, demokracinë nuk e japim me koncesion”.

“Tani vetëm demokraci direkte. Tani vetëm referendum. Shqipëria e para. Shqiptarët mbi çdo gjë”, tha zëdhënësi i Presidentit Meta./atsh

Meta: Tubim mbarëpopullor për nisjen e dialogut me Shqipërinë Read More »

Basha: Në fillim të dhjetorit gati propozimet për Reformën Zgjedhore

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “në fillim të dhjetorit do të kemi gati propozimet ligjore për Reformën Zgjedhore dhe nuk do të pranojmë zvarritjen e saj por do ta miratojmë sa më shpejt, mundësisht brenda këtij viti”.

Në një konferencë për shtyp, pasditen e sotme, Basha tha se “kjo do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë artikuluar si kusht për negociata dhe daljen e vendit nga kriza”.

Basha reagoi ndaj atyre që i quajti “tentativa për të kapur Gjykatën Kushtetuese apo përmendjen e iniciativave skandaloze për ndryshime kushtetuese për t’i dhënë një partie kompetencat e institucioneve të tjera kushtetuese”.

“Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën dhe demokracinë e vendit”, tha Basha.

Ai tha se “PD mbështet referendumin dhe një nga 5 pikat e platformës sonë është referendumi si mekanizëm i demokracisë direkte”.

Po ashtu, Basha u shpreh në mbështetje totale të ngritjes së SPAK dhe BKH-së, ndërsa shtoi se “Edi Rama ka vonuar pa asnjë shkak ngritjen e këtyre institucioneve”.

“Edi Rama po përpiqet ta sabotoj SPAK dhe BKH me atë që do të shpallë nesër. Nesër do të shpallë një SPAK dhe BKH paralele që e kontrollon ai. Rikthimi i këtij modeli është i papranueshëm. Ne kërkojmë ngritjen me shpejtësi të SPAK dhe BKH-së”, tha Basha. /atsh

Basha: Në fillim të dhjetorit gati propozimet për Reformën Zgjedhore Read More »

Basha: Gjermania, mbështetje pa kushte për Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Lajpcig të Gjermanisë ku po merr pjesë në kongresin e CDU-së.

Basha thotë se ka patur rastin të takohet me disa nga figurat drejtuese të CDU-së, si dr. Johann Wadephul, dr. Gunther Krichbaum ndërsa sot pret të takohet me kryetaren e partisë dhe ministren e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer. Në fokus të bisedave sipas Bashës ka qenë integrimi europian i Shqipërisë.

“Kam falënderuar CDU-në gjermane për qëndrimin, për hapjen rrugë të mocionit të Bundestagut, planit me 9 pika dhe udhërrëfyesit për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza. Kam kërkuar vazhdimin e kësaj mbështetje, çka më është konfirmuar këtu nga të gjitha takimet që kam patur në Lajpcig me përfaqësuesit më të lartë të politikës gjermane në Berlin, por edhe me përfaqësuesit në Bruksel. Ata kanë ritheksuar mbështetjen pa kushte për Shqipërinë, për shqiptarët në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe për planin e Bundestagut dhe natyrisht mbështetjen për opozitën, për Partinë Demokratike, partinë e tyre simotër, për të cilën u kam shprehur mirënjohjen time më të thellë”. – thotë Basha nga Lajpcigu.

Kreu i PD shton se në fokus të takimeve të tij në Gjermani ka qenë edhe plani ekonomik i Partisë Demokratike.

“Ne vazhdojmë bashkëpunimin me ta, në veçanti, përsa i përket investimeve gjermane në fushën e teknologjisë, investimeve gjermane në Shqipëri, ku ambicia jonë është që, përmes ofertës së qeverisë së ardhshme të demokratëve dhe fuqisë së kapitalit dhe inovacionit të fuqisë gjermane, edhe Shqipëria të përfitojë dhjetëra mijëra vende pune të sektorit të teknologjisë dhe informacionit”, – u shpreh Basha./atsh

Basha: Gjermania, mbështetje pa kushte për Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE Read More »

Plotësimi i Kushtetueses, Presidenca: Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak

Zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi ka reaguar përsëri lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese duke thënë se “Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese”.

Zëdhënësi Blushi tha pasditen e sotme se “Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë”. Ai gjithashtu shton se “Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë?”

Blushi thotë se Presidenti ka një pyetje për ambasadorët, të cilët i quan dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente. “A i keni marrë leje Kryetarit të Shtetit tuaj kur hyni në lojërat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e Kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912?!” – përfundon reagimi i Tedi Blushit. /atsh

Plotësimi i Kushtetueses, Presidenca: Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak Read More »

Shkarkimi i Muçit/ Meta shpall dekretin për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti i Republikës Ilir Meta shpalli dekretin për plotësimin e vakancës së parakohshme të krijuar, për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese pas shkarkimit një ditë më parë të anëtarit të kësaj Gjykate Besnik Muçi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Më herët ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka hequr emrin e Besnik Muçit nga anëtarët e kësaj gjykate duke e lënë atë me vetëm 4 anëtarë.

Meta e konsideron këtë vakancë të parakohshme, të krijuar për shkak të përfundimit para kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, ndërkohë që dekreti i Metës hyn në fuqi menjëherë.

Vetëm një ditë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra Besnik Muçin, Gjykata Kushtetuese ka hequr emrin e tij nga faqja zyrtare.

Gjithashtu, Gjykata kushtetuese mësohet se ka njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar pas hapësirës së krijuar nga largimi i Muçit.

Tashmë, procedura për zgjedhjen e anëtarit të ri që do të zëvendësojë Muçin nis sërish duke parë se Gjykata aktualisht është me 4 anëtarë. /atsh

Shkarkimi i Muçit/ Meta shpall dekretin për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese Read More »

Vazhdon procesi i riorganizimit të PS-së

Koordinatorja e Partisë Socialiste për Tiranën, Elisa Spiropali tha sot se vazhdon puna për procesin e riorganizimit të strukturave të PS-së.

Koordinatorja Elisa Spiropali dhe deputeti i PS-së Ervin Bushati kanë zhvilluar një takim me 24 kryetarët e Këshillave Socialiste në 24 njësitë e Tiranës.

Spiropali shprehet se “vazhdojmë me hapin e Riorganizimit të strukturave të PS-së. Sot me Ervinin dhe 24 kryetarët e Këshillave Socialiste në 24 njësitë e Tiranës”.

“Mbas zgjedhjeve fantastike, ku mbi 80% e anëtarësisë u angazhuan në mënyrë aktive në forcimin e demokracisë në familjen tonë progresiste, vazhdojmë procesin e rigjenerimit të strukturës organizative dhe digjitale në çdo qelizë të PS-së në Tiranë”, tha ajo./atsh

Vazhdon procesi i riorganizimit të PS-së Read More »

Meta: Kushtetuta shkelet hapur, zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm

“Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve”, tha sot në një konferencë të jashtëzakonshme për mediet, Presidenti i Republikës Ilir Meta ndërsa solli në vëmendje 22 Nëntorin që përmes referendumit popullor solli Kushtetutën e re.

Në 21-vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti Meta e konsideron Kushtetutën e miratuar në vitin 1998 si Kushtetuta më demokratike që ka parë vendi.

“Kushtetuta mbetet e para dhe e fundit vijë e kuqe, e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron prej popullit. 22 Nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët. Për herë të parë populli shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejt miratoi përmes referendumit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë postkomuniste. Falë urtësisë politike dhe një procesi gjithëpërfshirës të udhëhequr nga i ndjeri Sabri Godo dhe zoti Arben Imami, si dhe në bashkëpunim të shkëlqyer me Komisionin e Venecias, u zhvillua një debat dinjitoz kushtetues dhe një referendum shembullor, duke na dhuruar Kushtetutën më demokratike që ka patur Shqipëria deri më sot.

Meta tha se Kushtetuta e ‘98-ës mundësoi rivendosjen e paqes sociale dhe rotacionin normal politik në vend.

“Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive. Ndryshimet thelbësore që u bënë në Kushtetutë në vitin 2016 kanë nxjerrë sot në pah dhe tri probleme të tjera akute, të cilat, për të qenë të vërtetë, u paralajmëruan se do të ndodhnin. Së pari, Kushtetuta, nga dokumenti themeltar i shtetit që lartëson parimet, u kthye në një rregullore me data dhe afate, të cilat për fat të keq janë shkelur që të gjitha. Ky tejkalim afatesh ka shkaktuar një kaos kushtetues dhe ligjor që po çon në paralizimin dhe destabilizimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend. Së dyti, siç Komisioni i Venecias pati paralajmëruar, zbatimi i këtij procesi drastik dhe të pashembullt, do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke patur parasysh burimet njerëzore në dispozicion”, tha ai.

Meta tha se zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe jo trasparent.

“Qëllimi i reformës nuk ishte falimentimi i sistemit gjyqësor, por reformimi i thellë i tij dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve te drejtësia shqiptare. Organet e reja të gjyqësorit do të duhet të kenë në radhët e tyre një trupë profesionistësh me integritet dhe jo thjesht disa emra që duhet të mbushin vakancat që po kolapsojnë të gjithë sistemin e drejtësisë. Së treti, përsëri paralajmëruar nga Komisioni i Venecias, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella kushtetuese do të duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet. Ndryshe nga çfarë këshilloi Komisioni i Venecias, zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe larg transparencës”.

Në vijim Presidenti tha se kushtetuta shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e kryeministrit aktual.

“Në fakt, Komisioni i Venecias i ka thënë të gjitha, për ata që kanë veshë për ta dëgjuar dhe vullnet për ta zbatuar! Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual. Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë; Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ; Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës; Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh; Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore”, – tha ai.

Meta thekson se vendi është lënë qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë

“Ku vendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta; Ku vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot; pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon. Ku Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë; Ku dhunohen të drejtat e qytetarëve në mënyrë arbitrare, duke u rrëmbyer pronën, shtëpitë e bizneset në mes të ditës;Ku kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë hapur interesin publik; Ku qeveria për të pasuruar një kastë oligarkësh, që i shërben asaj verbërisht, ka krijuar një borxh që qytetarët shqiptarë do të duhet ta shlyejnë në 20 vitet e ardhshme; Ku fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura në shërbim të propagandës; Ku Shqipëria zhytet poshtë e më poshtë në të gjithë treguesit politikë, ekonomikë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut; Ku vendi po shpopullohet pa ndalim; Ku si rezultat i sukseseve imagjinare në Shqipëri nuk ka më asnjë investim serioz as nga SHBA, as nga Gjermania, as nga Franca, as nga Italia, e as nga Britania”, – tha ai.

Gjithashtu Meta apelon, është koha për t’i thënë ndal këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë!

“Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është përbetuar kombëtarisht në Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, se kurrë më Diktatura nuk do të përsëritet, as de Facto dhe as de Jure!”Unë, si President i Republikës, do të qëndroj si krye garant i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia, përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare. Shqipëria nuk mund të drejtohet me Rezolutë, por vetëm me Kushtetutë!Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre!” – shprehet Meta.

Po ashtu Meta tha se Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtpërdrejt të Lirive dhe të drejtave themelore të popullit shqiptar.

“Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën. Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore. Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm, është mbi të gjithë. Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë. Kjo është Detyra ime, për të cilën jam betuar solemnisht dhe me gjithë zemër me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe do ta mbroj, ashtu sikundër dhe jam betuar, deri në fund! Të mbrojmë sot Kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë! Shqipëria e Para!” – tha ai. //atsh

Meta: Kushtetuta shkelet hapur, zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm Read More »