Politike

Balla: Meta të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në emër të Kuvendit i ka bërë sërish thirrje presidentit për reflektim duke kthyer institucionin që ai drejton në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

“Prioriteti i Shqipërisë për vitin 2020 mbetet fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kuvendi vijon normalisht diskutimin e buxhetit 2020, i cili mbështet fuqimisht reformat e ndërmarra që promovojnë rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Buxheti 2020 garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për thellimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë. Reforma në drejtësi, e cila do të vijojë të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, së bashku me reformën në administratën publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike do të jenë instrumente të rëndësishëm të realizimit të prioriteteve të programit të Qeverisë në përputhje me interesat e qytetarëve për përmirësimin e nivelit të jetesës së tyre.

Në Buxhetin 2020 është parashikuar edhe kostoja shtesë për mbështetjen e institucioneve të krijuara në zbatim të reformës në drejtësi. Në planifikimin e investimeve publike për vitin 2020 janë mbajtur gjithashtu në konsideratë prioritetet e integrimit europian”, -thuhet në reagimin e Ballës.

Më tej, Balla thotë se “në Rezolutën e miratuar 7 ditë më parë “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”. /atsh

Balla: Meta të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës Read More »

Meta: Zëdhënësi Blushi është shantazhuar, kam kërkuar hetim

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot së zëdhënësi i tij, Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një ambasade të huaj.

“Po zëdhënësi im, Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një ambasade të huaj në Tiranë, që të tërheqë një postim të bërë sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash”, shprehet Meta.

Presidenti Meta kërkoi hetim të menjëhershëm, ndërsa paralajmëroi diplomatët e huaj për kërcënimin.

“Kam kërkuar hetim të menjëhershëm. Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes, por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, thekson ai. /atsh

Meta: Zëdhënësi Blushi është shantazhuar, kam kërkuar hetim Read More »

Kushtetuesja, Bardhi: Komisioni i Venecias nuk jep vendime, Shqipëria nuk mund të mbetet peng

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka reaguar në emër të kësaj të fundit lidhur me çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi rikonfirmon edhe njëherë qëndrimin e PD se Edi Rama po tenton të kapë e kontrollojë politikisht Gjykatën Kushtetuese. Kjo sipas tij, “cenon besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi. Kjo është në kundërshtim me qëllimin madhor që kishte dhe duhet të ketë Reforma në Drejtësi, që të shkëpuste drejtësinë nga politika. Kjo bie ndesh me kërkesën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për drejtësi të pavarur”.

Sekretari i PD thotë se mbështesin plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetues të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Lidhur me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, Partia Demokratike shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime, por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i këtyre debateve. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten për muaj të tjerë pa Gjykatë Kushtetuese”, – shprehet Bardhi.

Ky debat, sipas reagimit të sekretarit të PD, vetëm sa shtyn bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e zvarrit atë dhe pamundëson që Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit.

Sakaq lidhur me çështjen e Besnik Muçit pas vendimit të KPA-së, Bardhi thotë se “Partia Demokratike nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të Vetingut për përjashtim nga sistemi i drejtësisë, me të drejtë, ose me të padrejtë. Ka një numër vendimesh për përjashtim të cilat, në pamje të parë, të japin perceptimin e një padrejtësie, por detyra jonë nuk është t’i komentojmë ato”.atsh

Kushtetuesja, Bardhi: Komisioni i Venecias nuk jep vendime, Shqipëria nuk mund të mbetet peng Read More »

Kushtetuesja, Kumbaro: Shkelje të njëpasnjëshme nga presidenti

E ftuar në një studio televizive, Mirela Kumbaro deputete e Partisë Socialiste, foli për qëndrimin e Presidentit lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe për situatën politike të ditëve të fundit në vend.

“Qëndrimi i Presidentit lë pak vend për interpretim, sepse ka qenë mjaftueshëm prezent në media në 24 orët apo ditët e fundit por dhe sot. Besoj ka pak hapësirë për të interpretuar diçka që është evidente dhe që me keqardhje na bën të konstatojmë se kemi disa shkelje të njëpasnjëshme të Kushtetutës nga Presidenti. Unë besoj që janë kaq të qarta qëndrimet që jo vetëm na surprizojnë, por i bëjnë të mundur dhe opinionit publik t’i interpretojë vetë ato”.

Kumbaro, duke folur për përplasjen në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese tha se akti i betimit është një akt që ka nevojë të notifikohet diku. “Me kushtetutë ky notifikim bëhet tek presidenti. Ishte detyrimi i presidentit që ta thërriste Vorpsin për të bërë këtë betim. Ne jemi në marxhin e interpretimit të ligjit. Në rastin konkret nuk është zonja Vorpsi që nuk shkoi, por është presidenti që nuk plotësoi detyrimin kushtetues që ta thërriste për të bërë betimin para tij. Pa harruar këtu që kemi disa hapa të tjera të moszbatimit të Kushtetutës, lidhur me afatin 30-ditor që i jepet Presidentit që u tejkalua. Argumenti është që nëse ju më thatë që duhet të lexoj ligjin, ligji thotë se Presidenti ka një afat 30-ditor për të shprehur kandidaturën e vetë”.

E pyetur se pse duhet t’i drejtohet klasa politike Komisionit të Venecias për një interpretim, Kumbaro thotë se partnerët ndërkombëtarë vijojnë të mbeten shumë të rëndësishëm për shqiptarinë.

“Në një pikë kur flitet për afate, 30 ditë janë 30 ditë. Duke qenë se ky afat nuk u respektua. Duke qenë se lista e radhitur sipas pikëve nuk u respektua, kemi një përplasje. Unë nuk e pranoj faktin se kemi krizë politike. Kemi përplasej të institucioneve që është institucioni i presidentit me vënien në funksion të gjykatës kushtetuese dhe në rastin konkret, duke qenë se kemi përballje të interpretimeve të ndryshme të opinionit të juristëve, sic ka ndodhur dhe herë të tjera, partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët vazhdojnë të mbeten shumë të rëndësishme për Shqipërinë, Komisioni i Venecias ka qenë gjithmonë i gatshëm për të na ndihmuar në interpretime për tilla, pse jo për të krijuar precedent pozitiv ose për të mos i dhënë vazhdim precedentëve negativ, përfshi dhe refuzimin e mandateve që bëri PD në shkurt të këtij viti”.

Duke iu përgjigjur akuzave të presidentit se mazhoranca kërkon të kapë sistemin e drejtësisë, Kumbaro thotë se “është një plumb i shtënë në ajër që nuk e shoh të bazuar askund sepse po ta kishim kapur procesin do të ishim përpjekur që të koordinonim kalendarët. Fakti që kalendarët veprojnë veprojnë, i Vetingut dhe i KED dhe ecin në rrugën e tyre të parashikuar nga ligji dhe pa asnjë orientim politik sjell që të ketë të tilla përplasje. Kështu që e hedh poshtë si të paargumentuar e të pabazuar”. /atsh

Kushtetuesja, Kumbaro: Shkelje të njëpasnjëshme nga presidenti Read More »

Spiropali: Më 30 qershor u dhamë goditje forcave që donin të shkatërronin shtetin

“Në 30 qershor ne nuk u dhamë një goditje të fortë të gjitha forcave që donin të shkatërronin shtetin duke shkatërruar zgjedhjet, por i dhamë dhe një goditje përfundimtare papërgjegjshmërisë totale në qeverisjen vendore të atyre që mendonin se mund t’i përdornin njerëzit si mish për top dhe shembulli më i qartë është Kamza”, tha sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e 100 ditëve të para të punës të bashkisë Kamëz.

Spiropali tha se ne do ta transformojmë Kamzën në një qytet modern për të gjithë.

“Ajo që pamë këtu në ekran është vetëm fillimi, janë 100 ditë. Është domethënëse se nga buxheti i bashkisë Kamzë janë shpenzuar vetëm 50 mijë euro dhe janë bërë punë sa për pesë vite. Ne kemi një ëndërr dhe një vizion për Kamzën, që asnjë i ri apo e re të mos ndihet si qytetar i dorës së dytë. Dhe kjo do planifikim, do punë, duke nisur me kanalet e ujërave të zeza, rrugë, infrastrukturë, shkolla, kopshte, çerdhe, qendra e qytetit, pallatet, fasadat të gjitha janë pjesë e një vizioni të qytetit të fundit të rilindjes urbane, por jo më pak të rëndësishme Rilindja Urbane do vijë në Kamëz më forcën e kësaj mazhorance dhe kryetarin e bashkisë, Rakip Sulin. Ne do ta transformojmë Kamzën dhe unë jam e sigurt që në katër vite, Kamza do të jetë një qytet krejtësisht tjetër, një hapësirë urbane, një hapësirë për pleqtë, për të rinjtë, për të rejat, për fëmijët, për qytetarët, dhe unë besoj se diferenca e madhe që e ndan Kamzën nga Tirana për shkak të keqqeverisjes do sheshohet dhe çdo qytetar i Kamzës do të ndihet si pjesë e një hapësire më të madhe, hapësirës së përbashkët të Tiranës dhe Kamzës. Ky është vizioni ynë”, – tha ajo.

Më tej, Spiropali tha se është e rëndësishme të kuptojmë nga vijnë të gjitha ato problematika me të ardhurat në buxhet se nuk janë të rastësishme, por janë për shkak të keqmenaxhimit ekstrem ndonjëherë kriminal, banal të pushtetit.

“Ideja që njerëzit i ke ushtarë, se i ke nga një krahinë, apo i ke të një partie, apo mund t’i përdorësh për të ardhur në Tiranë. S’ke nevojë të japësh llogari, s’ke nevojë të kthesh përgjigje, silli aty të protestojnë, e ke bastionin tëndin e me radhë. Kjo mendësi ka lënë vendin pas, si Kamza apo qytete të tjera. Ne këtë mendësi e kemi thyer në 30 qershor dhe do të vazhdojmë të tregojmë se kemi bërë gjënë më të mirë, duke i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të ndihen të barabartë, të përfaqësuar dhe punët e tyre, buxheti i tyre të menaxhohen në mënyrën më të mirë”, tha ajo.

Po ashtu Spiropali tha se ne nuk bëjmë politikë vetëm për të majtët, por për të gjithë shqiptarët.

“Ne nuk bëjmë politikë vetëm për socialistët, apo për të majtët, ne bëjmë politika për shqiptarët dhe kjo na dallon, se ne nuk i ndajmë njerëzit në të kuq dhe blu, por ne shohim të ardhmen e fëmijëve tanë të përbashkët. Kjo na dallon nga kundërshtarët tanë ata ende nuk e kanë kuptuar se asaj politike i ka ardhur fundi”, – tha ajo.

Po ashtu Spiropali e konsideroi takimin Berisha-Meta si pjesë të politikës së vjetër.

“E patë sot besoj? U mblodhën aty në Presidencë, lideri historik i Partisë Demokratike dhe Presidenti pretendent për kryetar opozite dhe vazhduan me historinë e vjetër të sharjes, të përbaltjes, duan të mbajnë peng një sistem të tërë. 30 vjet kanë mbajtur në këmbë një sistem drejtësie dhe një mendësi në politike, e cila do të shkatërrojë kundërshtarin të përçajë njerëzit, t’u thotë se ju jeni tanët, ata janë të atyre, hajde përballemi në mënyrë që të vazhdojnë ata të bëjnë punët e tyre të pandëshkuar në kontroll absolut jo vetëm pushtetin, por dhe drejtësinë”, – tha ajo.

Spiropali theksoi se “kjo kohë ka marrë fund, është në qeverisjen qendrore edhe në shtet, edhe këtu në pushtetin lokal siç po e shihni në bashkinë Kamëz. Bashkia nuk është pronare e jetës së njerëzve, pro shërbëtore e tyre dhe besoj se këtë vizion e mishëron Rakip Suli, ekipi i tij në bashkisë dhe jam e sigurt së bashku me energjinë e njerëzve që nuk i ndan ngjyra politike, por i bashkon dëshira për të jetuar në një vend më të mirë dhe për të bërë punë për të gjithë fëmijët e këtij vendi. Jam e sigurt që kur të vijmë pas një viti do shohim më shumë punë dhe kur të vijmë pas katër vitesh, do krenohemi me qytetin e Kamzës dhe në gjitha rrethinat e saj. Mbështetja që qeveria do t’i japë Kamzës sigurisht do jetë një mbështetje të posaçme edhe për shkak të kësaj diference keqmenaxhimi të burimeve. Qendra e Kamzës e meriton një projekt të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimi dhe ne do bëjmë të pamundur ta ketë, ashtu siç e meriton, dhe projekte të tjera i mirëpresim nga bashkia”, – tha ajo./atsh

Spiropali: Më 30 qershor u dhamë goditje forcave që donin të shkatërronin shtetin Read More »

PD kallëzim penal në prokurori për projektin e Unazës së Re

Partia Demokratike depozitoi sot në prokurori një kallëzimin penal për projektin e Unazës se Re si dhe ka kërkuar pezullim të punimeve.

Në një prononcim për mediat, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu dhe Sekretari i Çështjeve Ligjore në PD, Çlirim Gjata thanë se PD i kërkon prokurorisë nisjen e hetimeve dhe pezullimin e punimeve deri ne përfundimin e hetimeve.

“Ne kemi prova dhe fakte se ku projekt ka qëllim kullat dhe jo rrugën, vjedhjen dhe jo rrugën. Si ka mundësi që kompania Salillari që është aktualisht nën hetim te loti numër 2 ka fituar tenderin tek loti numër 1, i të njëjtit projekt dhe këto prova ia kemi dërguar prokurorisë. Të gjitha aferat korruptive, të gjitha dokumentet e falsifikuara, shkeljet ligjore, shkeljet e VKM-ve, sot janë faktuar dhe janë provuar dhe kjo prokurori të nis hetimet dhe të pezullojë punimet te unaza e re”, tha ai.

Sekretari i Çështjeve Ligjore në PD, Çlirim Gjata u shpreh se “shkeljet janë kaq të rënda dhe kaq shumë ka që kanë futur duart në këtë korrupsion, vetëm vullneti vullneti politik i qeverisë mund ta bëjë këtë prokurori të mos nis hetimet, kaq flagrante janë shkeljet”. /atsh

PD kallëzim penal në prokurori për projektin e Unazës së Re Read More »

Balla: Meta nuk e ka kompetencën të shpërndajë parlamentin, sheh ëndrra me sy hapur

“Presidenti i Republikës nuk e ka kompetencën të shpërndajë parlamentin, ndërsa Kuvendi e ka kompetencën për ta shkarkuar Presidentin”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një konferencë për shtyp, Balla iu përgjigj pyetjes mbi mundësinë që ekziston që Presidenti të shpërndajë parlamentin.

“Më gjeni nenin në Kushtetutë ku thuhet kjo kompetencë. Unë di që në Republikën e Shqipërisë Presidenti zgjidhet nga Parlamenti dhe parlamenti nuk zgjidhet nga Presidenti. Kush kupton sadopak jurisprudencë në këtë vend e di që Kuvendi e ka të drejtën ta shkarkoj Presidentin e Republikës sipas një procesi rigoroz Kushtetues, që buron nga një raport i komisionit hetimor”, tha Balla.

Balla tha se “Presidenti i Republikës sheh ëndrra me sy hapur kur flet edhe për dekret që mund të shpërndajë parlamentin”.

“Të mos harrojmë që të vetmen lidhje që ka Presidenti me Kuvendin, është thirrja e seancës së parë të Kuvendit, pas procesit zgjedhor”, tha Balla. /atsh

Balla: Meta nuk e ka kompetencën të shpërndajë parlamentin, sheh ëndrra me sy hapur Read More »

Thaçi: Kosova e përkushtuar për paqe në rajon

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it u vlerësua kontributi i këtij misioni si një forcë e besueshme për ruajtjen e sigurisë në Kosovë, teksa u tha se falë bashkëpunimit të ndërsjellë u formua Ushtria e Kosovës dhe zhvillimi i saj do të bëjë që në të ardhmen e afërt të jetë pjesë e NATO-s.

Presidenti Hashim Thaçi, duke folur për kontributin e NATO-s në Kosovë, tha se sukseset e përbashkëta po i bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshme trupat e KFOR-it në Kosovë, ku u shpreh optimist se vendi ynë do të përfshihet nën ‘ombrellën’ e NATO-s. I pari i shtetit po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për të arritur paqe në rajon.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario foli për kontributin e tij që KFOR-i të njihet si një forcë e besueshme, e paanshme dhe e aftë për të dhënë siguri jo vetëm në Kosovë.

Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi u shpreh falënderues dhe tha se shtetet aleate të NATO-s po i kontribuojnë sigurisë së tërë popullatës së Kosovës për ruajtje të stabilitetit të Kosovës, Ballkanin dhe tërë Europës.

Pas përfundimit të ceremonisë në një konferencë për media, admirali James Foggo i bëri thirrje partive fituese të zgjedhjeve që të formojnë qeverinë e re që të shtyjnë Kosovën drejt stabilitetit dhe prosperitetit, teksa tha se nuk planifikojnë për reduktim të trupave të KFOR-it në Kosovë.

Ish-komandanti i KFOR-it Lorenzo D’Addario ka shërbyer edhe më herët në Kosovë në vitet 1999 dhe 2003-2004, derisa detyrën e komandantit e kishte marrë në vitin 2018./KosovaPress/

Thaçi: Kosova e përkushtuar për paqe në rajon Read More »