Politike

Basha: Mungon akti zyrtar për sigurinë e banesave, në burg kush luan me jetët e qytetarëve

“Mungesa e seriozitetit për vlerësimin e sigurisë së banesave të dëmtuara pas tërmetit është kthyer në një nga shqetësimet kryesore në javën e tretë pas tërmetit”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Sipas Bashës, “disa banorë në Qerret të Katundit të Ri i treguan rastin e një akt-ekspertimi të një shtëpie të verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme”.

“Për të shmangur marrjen e bonusit të qirasë, herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj. I zoti i shtëpisë shprehu shqetësimin për sigurinë e jetës, pasi akt ekspertimi nuk kishte lidhje me gjendjen e vërtetë të shtëpisë së tij”, tha Basha.

Kreu i PD-së tha se “edhe në një shtëpi tjetër ka ndodhur një fenomen i ngjashëm”. “Për të mos u dhënë banorëve me shtëpi të dëmtuar rëndë bonusin e qirasë, shtëpia është shpallur e banueshme, pasi ishte verifikuar e pabanueshme më 21 Shtator dhe 26 Nëntor. Banorët ngritën shqetësimin se nuk u është dhënë asnjë akt ekspertimi zyrtar që verifikon gjendjen e sigurisë së shtëpisë, gjë që për kreun e opozitës përbën një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm penalisht”, tha ai.

Basha iu drejtua banorit duke i thënë se “më e rënda nga të gjitha është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpi ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua japin”.

“Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit”, u shpreh kreu i opozitës, /.atsh

Basha: Mungon akti zyrtar për sigurinë e banesave, në burg kush luan me jetët e qytetarëve Read More »

Ambasadori i Kosovës: T’i dalim zot njëri-tjetrit

Kryeministri Edi Rama organizoi mbrëmjen e së mërkurës në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, pritjen me ambasadorët e akredituar në Shqipëri, të cilëve i’u shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë për kontributin që po japin vendet e tyre në mbështetje të Shqipërisë, për të kapërcyer pasojat që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit.

Kryeministri Rama vlerësoi me medalje task forcën e kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ekipin e zjarrëfikësve të Republikës së Kosovës.

Medaljet iu dorëzuan ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

“Ndjehem i priviligjuar që jam përfaqësues i shtetit të Kosovës dhe këtë katrastrofë të tërmetit e kemi ndarë dhe e kemi ndjerë bashkërisht dhe e ndjejmë që si popull, si komb t’i dalim zot njëri-tjetrit. Bashkarisht mund t’ia dalim”, tha ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani./atsh

Ambasadori i Kosovës: T’i dalim zot njëri-tjetrit Read More »

Blushi: Nëse Dvorani merret si i pandehur nuk bllokohet puna e KED

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka sqaruar sot se marrja si i pandehur i Ardian Dvoranit nuk do të pengonte punën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi

I pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimin e Ardian Dvoranit se, nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të KED-së, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaroi se, “kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori”.

“Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”, theksoi Blushi.

“Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore”, tha ai.

“Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjegjshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të transparencës së ushtrimit të detyrës ashtu siç kushtetuta dhe ligji ia kërkon”, u shpreh Blushi./atsh

Blushi: Nëse Dvorani merret si i pandehur nuk bllokohet puna e KED Read More »

29 vite PD, Basha: Liri-Demokraci, oksigjeni që rikthyen në jetë një komb

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sot 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.
Basha thekson se demokracia është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve
“Liri – Demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. Liri – Demokraci është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa.Për 29 vite, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës. Kjo është arritja jonë më e madhe në këto 29 vjet. Sot shqiptarët i kanë sytë nga ne për të finalizuar misionin për të cilin u themelua Partia Demokratike si garante e lirisë, e demokracisë dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë”, shprehet ai.
Po ashtu Basha shton se “Shqiptarët meritojnë të votojnë të lirë për qeverisjen e tyre, ata meritojnë një qeveri që punon për mirëqenien e tyre, që respekton fjalën e lirë dhe të drejtën e pronës, një qeveri që bën më të mirën për të siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj! Fëmijët tanë meritojnë të rriten si shqiptarë europianë në Shqipërinë tonë të bukur, Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe së bashku do ta bëjmë realitet! Gëzuar 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”. /atsh

29 vite PD, Basha: Liri-Demokraci, oksigjeni që rikthyen në jetë një komb Read More »

Meta: Shkeljet e Ardian Dvoranit flagrante, Prokuroria të bëjë punën me profesionalizëm

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “rasti i shkeljeve të Ardian Dvoranit është tmerrësisht flagrant, ndaj shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm”.

Në një prononcim për mediet jashtë dyerve të Prokurorisë, Meta tha se “jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i Prokurorisë, pas kallëzimit penal që unë kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani, për dy vepra të qarta penale, të përmbushura plotësisht me dashje prej tij, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës dhe titullit shtetëror”.

“Kjo është një provë e madhe për të gjithë të ardhmen e Reformës në Drejtësi. Kushtetuta e thotë shumë qartë në nenin 4, pika 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë: Dispozitat kushtetuese zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, integriteti i së cilës është me interes mbarëkombëtar”, – tha Meta.

Presidenti siguroi edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë se presidenti i tyre “ka zbatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dispozitat kushtetuese dhe parashikimet e qarta kushtetuese për çështjen në fjalë”.

“Të gjitha provat e depozituara deri tani janë të mjaftueshme që Prokuroria të veprojë ndaj shtetasit Ardian Dvorani. Ne nuk bëjmë presione. Çështja është shumë e rëndë, sepse ka vënë në pikëpyetje gjithë seriozitetin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, – tha Meta.

Sipas tij, “kjo është një çështje që askush nuk mund t’i shmanget, ndaj ne jemi të qetë e të duruar dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë, pasi ky është një rast tepër flagrant”.

Presidenti iu përgjigj edhe pyetjes lidhur me propozimet e PS-së që shmangin rolin e tij bllokues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Presidenti i Republikës nuk është në punë, as në detyrë, është në mision dhe nuk provokohet nga ‘cic mice’ të tilla, nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti i Republikës ka qenë, është dhe do të jetë garant i Kushtetutës dhe i fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në mënyrë më të përgjegjshme. Kush gjen kohë në këto momente për të provokuar Presidentin dhe popullin, ta ketë të qartë se Presidenti është i ndërgjegjshëm edhe për misionin e tij dhe e di mirë detyrën e tij”, – tha Meta. /atsh

Meta: Shkeljet e Ardian Dvoranit flagrante, Prokuroria të bëjë punën me profesionalizëm Read More »

Pretenca për Salianjin, Basha: Rikthehen gjyqet politike kundër opozitës

“30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës”. Ky ka qenë reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi Prokuroria e Tiranës kërkoi 1 vit e gjysmë burg për ish-deputetin e kësaj partie, Ervin Salianji nën akuzën e kallëzimit të rremë për të ashtuquajturën “Çështja Babale”.

“Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit”, tha Basha.

“Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit, dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike”, përfundoi kryetari i PD-së, Lulzim Basha. /atsh

Pretenca për Salianjin, Basha: Rikthehen gjyqet politike kundër opozitës Read More »

Basha anulon aktivitetet për themelimin e PD-së: Fondet në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, PD deklaron se aktivitetet e planifikuara për 11 dhjetorin, ditën e themelimit të Partisë Demokratike janë anuluar, dhe të gjitha fondet e përcaktuara për këto aktivitete se bashku me kontribute të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj do të shkojnë në ndihmë të personave të goditur nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Solidariteti me të dëmtuarit nga tërmeti dhe mbështetja maksimale për ta është mënyra më e mirë për të përkujtuar data të rëndësishme që shënojnë ngjarjet e Dhjetorit 1990, nga Lëvizja Studentore tek shpallja e pluralizmit dhe lindja e Partisë Demokratike. Që prej tërmetit të 26 nëntorit Partia Demokratike ka anuluar disa aktivitete kombëtare per t’ju përkushtuar me të gjitha mundësitë dhe burimet e saj njerëzore situatës pas tërmetit në terren pranë njerëzve në emergjencë”, thuhet në njoftim.

“Më herët Partia Demokratike anuloi aktivitetet për 28 nëntorin, kreu i demokratëve anuloi vizita te parashikuara jashtë vendit ndërsa në Ditën e Rinisë me 8 dhjetor, të rinjtë e Forumit Rinor e kthyen në ditë solidariteti duke mbledhur dhe shpërndarë ndihma për familjet e goditura nga tërmeti”, përfundon njoftimi i zyrës së shtypit të PD-së./atsh

Basha anulon aktivitetet për themelimin e PD-së: Fondet në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti Read More »

Conte: E pamendueshme që Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu ofrua mundësia e dialogut, e ardhmja e rajonit në lojë

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte deklaroi se është e pamendueshme që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk iu ofrua mundësia e nisjes së një rruge dialogu.

Në fjaëln e tij gjatë edicionit të 5-të të konferencës “Mediterranean dialogues” të mbajtur në Romë, Conte nënvizoi se Europa ka një përgjegjësi të veçantë pasi aktualisht është në lojë jo vetëm e ardhmja e rajonit, por dhe e ardhmja, stabiliteti i sigurisë së kontinentit të vjetër.

“Europa ka një përgjegjësi të veçantë pasi aktualisht është në lojë jo vetëm e ardhmja e rajonit, por dhe e ardhmja, stabiliteti i sigurisë së kontinentit të vjetër. Dua t’ju them duke pretenduar se sot NATO vështron me vëmendje sfidat që vijnë nga Jugu, siç u konfirmua në samitin e fundit të NATO-s në Londër, falë edhe këmbënguljes italiane. E nga NATO na vjen edhe një tjetër tregues.

Në samitin e fundit rreth tavolinës së punës u ulën dhe përfaqësuesit e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. E unë shpresoj që dhe BE të kuptojë rëndësinë e përfshirjes strategjike me këto vende, të rolit strategjik të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë dalje pikërisht në Mesdhe.

E pra hyjnë në perspektivën e arsyetimit tonë. Është e pamendueshme që Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu ofrua mundësia e nisjes së një rruge dialogu me perspektivën e përfshirjes së tyre në BE”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Italian.

Conte: E pamendueshme që Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu ofrua mundësia e dialogut, e ardhmja e rajonit në lojë Read More »