Politike

Basha: Shengeni Ballkanik, rrezik i heqjes dorë nga anëtarësimi me të drejta të plota në BE

Kryetari i PD, Basha e konsideroi Shengenin Ballkanik, si rrezik i heqjes dorë nga anëtarësimi me të drejta të plota në BE.

“Kjo nismë mund të bëhet pjesë e një skenari të “anëtarësimit minus” për vendet e Ballkanit Perëndimor, shpreh bindjen e thellë se Shqipëria nuk meriton të penalizohet për dështimet, abuzimet dhe paaftësitë e kësaj qeverie që kanë çuar në errësimin e perspektivës europiane për shqiptarët. Ne besojmë se Shqipëria nuk duhet të pranojë një ofertë alternative degraduese të integrimit por duhet të vazhdojë të synojë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian”, shprehet ai.

Kryetari i PD-së Basha deklaroi se nuk mund të ketë fqinjësi të mirë duke përjashtuar Kosovën.

“Por ne gjykojmë se fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Republikën e Kosovës. Prandaj e konsideroj të papranueshëm mos konsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës. Këto qëndrime bien ndesh me parimet e partneritetit strategjik për të cilat qeveria e Shqipërisë është zotuar disa herë gjatë mbledhjeve me qeverinë e Kosovës. Ato shkelin hapur marrëveshjen dy shtetërore për unifikimin dhe koordinimin e politikës së jashtme të dy vendeve tona”, shprehet ai.

Basha shtoi se “samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut”.

“Theksoj se i ashtuquajturi samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut, në vijim të përpjekjeve për të revizionuar historinë e krimit të saj shtetëror. Kjo fyerje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar do duhej të ishte mjaftueshëm argument për të mos ta mbajtur atë aktivitet deri në kërkesën e ndjesës nga Serbia”, shprehet ai.

Po ashtu, Basha shtoi se nisma e minishengenit Ballkanik u propozua pas refuzimit të hapjes së negociatave në BE

“Po kaq shqetësues është fakti se kjo nismë u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian”, shprehet ai. /atsh

Basha: Shengeni Ballkanik, rrezik i heqjes dorë nga anëtarësimi me të drejta të plota në BE Read More »

Sulmi ndaj prokurorit/ Meta: Dënim për autorët, askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit

Presidenti Ilir Meta ka dënuar me forcë sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi. Presidenti Meta shprehet se duhet një hetim dhe ndëshkim për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, për të shmangur përsëritjen e akteve të tilla ndaj njerëzve të drejtësisë.

“Dënoj me forcë sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi! Kërkohet hetim dhe ndëshkim për autorët! Askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit”, shprehet Presidenti Meta.

Mëngjesin e sotëm, prokurorit të Gjykatës së Vlorës, Albert Kuliçi iu vu tritol në makinë. Nga shpërthimi nuk ka patur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. /atsh

Sulmi ndaj prokurorit/ Meta: Dënim për autorët, askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit Read More »

Basha reagon pas deklaratës së Ramës: Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se “Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”.

Në reagim të deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për mungesën e Kosovës në tryezën e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Shengenin Ballkanik, “jo se nuk është e ftuar, por mungon se ka hyrë në një rrugë pa dalje”, Basha e konsideroi si sulm kundër liderëve politikë të Kosovës.

“Dënoj sulmin e Edi Ramës kundër liderëve politikë të Kosovës dhe shpreh ndjesë në emër të çdo shqiptari për këtë akt të papranueshëm”, tha Basha duke shtuar se “gjuha e urrejtjes ndaj institucioneve të Kosovës është akt i denjë vetëm për një peng të antishqiptarizmit si Edi Rama”.

“Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Koha e vasalitetit të autokratit të korruptuar të Tiranës ndaj armiqve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës do të marrë fund shumë shpejt”, tha kreu i PD-së.

Më herët, gjatë konferencës për shtyp pas takimit të 3-të rajonal të liderëve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “kam arritur atë që të tjerët nuk e kanë arritur, që Serbia të vijë pa kushte në tryezë me Kosovën. SHBA, vendet më të mëdha të BE-së i kërkojnë Serbisë të njëjtën gjë, të njohë Kosovën, por janë në tryezë me Serbinë, e mbështesin këtë nismë dhe i kërkojnë Kosovës që të mos braktisë tryezën, por të jetë pjesë e nismës”.

“Autoritetet në Kosovë nuk i urdhëroj unë, por kam thjesht detyrën t’u them: jeni gabim vëllezër. Kosova nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush refuzon dhe mbyllet më shumë apo për formula zhvillimi ekonomik që nuk qëndrojnë as në qiell, as në tokë. Kosova ka nevojë të qëndrojë afër, në krah me Shqipërinë dhe miqtë e vet të ditës së parë që janë SHBA dhe BE dhe të mos kthejë vizionin e së ardhmes dhe strategjinë e së ardhmes në një luftë politike të ditës dhe taktikë dritëshkurtër që nuk çon asgjëkundi “, ka theksuar Rama./atsh

Basha reagon pas deklaratës së Ramës: Shqipëria ka detyrimin të promovojë dhe respektojë pavarësinë e Kosovës Read More »

Meta pret Aleksandër Soros: Domosdoshmëri gjallërimi i shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në një takim me kërkesë të tyre zëvendëspresidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, Aleksandër Soros dhe Drejtorin Ekzekutiv të zyrës së Fondacionit në Shqipëri, Andi Dobrushi.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Meta i njohu me shqetësimet e tij, të bëra edhe publike, për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. /atsh

Meta pret Aleksandër Soros: Domosdoshmëri gjallërimi i shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike Read More »

Takimi në Zadar/ Cakaj: Rritje bashkëpunimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar sot në Zadar mbledhjen trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë e Malit të Zi.

Cakaj thekson se në thelb të takimit është bashkëpunimi trepalësh, Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci.

“Kjo platformë synon rritjen e bashkëpunimit mes tre vendeve në fushat e interesave të zhvillimit dhe mbrojtjes së objektivave të përbashkëta strategjike! Kësaj radhe diskutuam për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjetikës dhe turizmit. Për më shumë, ramë dakord edhe për rritjen e angazhimeve të përbashkëta në shërbim të integrimit në BE dhe në kuadër të NATO-s”, tha ai.

Po ashtu Cakaj tha se “Vlen të theksohet se u pajtuam për të filluar me mbledhjen trepalëshe Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci e cila do të thirret në vitin e ardhshëm”./atsh

Takimi në Zadar/ Cakaj: Rritje bashkëpunimi trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci Read More »

Takimi i tretë për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”/ Rama pret Vuçiç dhe Zaev në Tiranë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbërritën pasditen e sotme në Tiranë, pasi do të marrin pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së” që zhvillohet në datat 20-21 dhjetor 2019 në vendin tonë.

Vuçiç dhe Zaev u pritën nga kryeministri Edi Rama, ndërsa më pas zhvilluan një takim jozyrtar në Hotel “Rogner”, Tiranë.

Pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli, të zhvilluara në Novi Sad, Serbi dhe në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane, takimi i tretë rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor do zhvillohet në Shqipëri në datat 20-21 dhjetor 2019.

Më pas, në orën 19.00, Kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionet pjesëmarrëse do të jenë të pranishëm në Parkun Olimpik, në eventin e veçantë të bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, dedikuar procesit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndërsa të shtunën, më 21 dhjetor, ora 08.45, të ftuarit do të vizitojnë disa nga zonat e prekura nga tërmeti, në Durrës.

Më pas, në orën 10.00, në hotel “Rogner” do të zhvillohet “Sesioni i liderëve”. Në orën 12.00 do të vijohet me Seancën Plenare me pjesëmarrjen e delegacioneve.

Në orën 13.15, të ditës së shtunë, aktivitetet do të përmbyllen me konferencën e përbashkët për shtyp. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1034948883532078/?t=0

Takimi i tretë për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”/ Rama pret Vuçiç dhe Zaev në Tiranë Read More »

Zgjerimi i BE, Rama: Macron e ka një argument, por problemi nuk është as tek ne dhe as me Ballkanin

Kryeministri Edi Rama tha sot nga Roma se presidenti francez, Emmanuel Macron ka një argument kur thotë se BE nuk funksionon me 27 apo 28, jo më me 34, por sipas tij, ajo që duhet të kuptohet më mirë është që problemi me zgjerimin nuk është as tek ne dhe as me Ballkanin.

Këto komente, kryeministri i bëri nga Roma pas samitit të Nismës së Europës Qendrore (CEI), që u mbajt në Itali i pyetur nga gazetarët sesa mund të presë Shqipëria për integrimin dhe për një mesazh ndaj Macron.

“Macron ka një argument. Unë besoj se është e domosdoshme që të jemi të hapur dhe duhet të kuptojmë që ai ka një argument. Sepse nuk është se ai nuk ka të drejtë kur thotë nuk funksionon me 27 apo 28, imagjino më shumë, me 34. Ka të drejtë, duhet ta bëjmë të funksionojë, por ajo që duhet të kuptohet më mirë është që problemi nuk është as tek ne dhe as me Ballkanin. Problemi është tek mënyra si funksionon Europa dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjmë në këtë pikë sepse nuk jemi pjesë”, theksoi kryeministri Rama.

“Shqipëria është këtu, pret prej mijëra vitesh, mund të presë ende, por nuk është ky problemi. Ajo që duhet kuptuar është se Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, në të njëjtën mënyrë që Ballkani Perëndimor ka nevojë për Europën. Këtë Italia e ka kuptuar, shumë të tjerë e kanë kuptuar, por jo të gjithë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bëjmë durim”, theksoi Rama.

Në lidhje me pyetjen nëse presidenca kroate do të jetë e rëndësishme për afrimin dhe integrimin në BE, Rama theksoi se “Presidenca kroate përfaqëson një shoqëri dhe një shtet të ri të dedikuar tërësisht ndaj të ardhmes, europianizmit dhe në këtë pa dyshim që do të jetë një ndihmë”. /atsh

Zgjerimi i BE, Rama: Macron e ka një argument, por problemi nuk është as tek ne dhe as me Ballkanin Read More »

Shengeni Ballkanik, Rama: SHBA në mbështetje të procesit, samiti i hapur për të gjithë

Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e sotme në një intervistë televizive në sallën e Hartave në Kryeministri të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, se tryeza e radhës për projektin e Shengenit Ballkanik është pjesë e një procesi ku veç ëndrrës ka dhe një plan konkret pune të mirëstudiuar. Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se mospjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë, e cila pranohet dhe nga SHBA dhe Europa, e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e vëllezërve amerikanë.

“Ne kishim rënë dakord që do bënim këtë samit në Durrës dhe përkon koncerti me një ditë përpara samitit, ku s’do jenë vetëm Presidenti i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të jenë dhe të tjerë. Do vijë nga SHBA, nuk e di nga Kosova. I dërguari special, Palmer, më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do dërgojë dy persona të posaçëm nga DASH në mbështetje të këtij procesi”-, tha Rama.

“Do vijnë nga Komisioni Europian, do vijnë nga BERZH, do vijnë nga Banka Botërore. Pra do vijnë të gjithë. Pse? Sepse ky është një proces që e mbështesin të gjithë”-, vijoi Rama.

Rama duke iu referuar politikës që po ndjek Kosova theksoi se, “s’ka gjë më të gabuar sesa fitimtari (Kosova është fitimtare e luftës) ta kthejë veten në humbës dhe të izolohet dhe të kërkojë edhe nga ne, që jemi me mish e me shpirt bashkë, që të izolohemi nga procese që janë dhe rruga për zgjidhjen përfundimtare të problemeve”. “Dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhet përmes konflikteve, përmes taksave, por përmes dialogut”-, theksoi Kryeministri

“Takimi është një iniciative trilaterale, jo ekskluzive, jo përjashtuese, por është e hapur për të gjithë. Unë nuk bëj asnjëherë gjëra që nuk besoj, nuk them gjëra që s’i besojë. Unë besoj shumë se kjo është rruga, dhe e di dhe këtë, që kur udhëheq ke dhe koston që ata që duhet të ndjekin pas, mund të mos e pëlqejnë atë që po bën, por di një gjë që nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe më bënë hero më pas, dhe nuk jam tradhtar sot që po bëj këtë”, tha Rama.

“Isha dhe jam unë që bëjë gjërat që besoj dhe i bëj me bindje. Unë i kuptoj shumë mirë emocionet e Kosovës me Serbinë dhe ato që janë objektivisht probleme të krijuara dhe të pazgjidhura dhe nga Serbia, me të cilat mund të bëhen politikë në Kosovë për të marrë votat, mund të bëhet politikë edhe me mua me sytë e Kosovës. Dhe me këtë mund t’i them që sytë e Kosovës mund t’i shikoni duke hapur horizontin e shikimit tuaj, pasi horizonti juaj i shikimit është sa niveli i një partie politike”-, tha Rama.

“SHBA është nxitëse e këtij procesi deri në nivelin më të lartë, se s’dua të flas më shumë. Kosova e pagoi më shtrenjtë tarifën 100% të vënë në drejtim të Serbisë. Serbia u shit si viktimë e e saj, duke pasur vetëm kosto financiare, por nga ana politike fitoi Beogradi. Ishte një mundësi e artë në Berlin, kur Macron i tha Ramushit, më jep katër muaj, ma jep mundësinë mua dhe kësaj, për Merkelin, suspendoje katër muaj taksën dhe unë sot deklaroj se heq veton për liberalizimin e vizave. Sot pra, do lëviznit të lirë në të gjithë Europën, duke e përdorur si instrument taksën, e jo si qëllim, por sot fitoi Serbia dhe jo Kosova”-, shtoi Rama.

“Kështu është kur bëhet politikë në emër të syve të Kosovës e duke i patur sytë miop. Duke bërë politik te katundi jonë me emocione patriotike”-, vijoi Rama.

“Vuçiç ishte skandaloz në drejtim të deklaratave për “Kaçakun”, unë e thashë me zë të lartë. Kjo ishte vërtet një simptomë e faktit se Serbia nuk është shkëputur deri në fund nga e shkuara e saj. E dyta, unë se dua paqen, dhe nuk e dua Shengenin rajonal dhe nuk e dua transformimin historik për t’i bërë Serbisë ndonjë nder apo për të mirë të Serbisë. Unë e dua për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”.

“De Gol nuk shkoi të bëjë marrëveshje pas luftës për interesin e Gjermanisë, por për interes të Francës pasi kuptoi se interesi i Francës ishte paqja, dhe e ardhmja e Francës ishte e përbashkët me atë të Gjermanisë”.

Duke iu rikthyer Shengenit Rajonal, Rama tha se “unë e kam kërkuar këtë i pari në funksion të njerëzve. Nga izolimi, nga barrierat tarifore dhe jo tarifore, humbasim të gjithë dhe humbet më shumë ai që është më i dobët. Nga liria e lëvizjes, nga liria fitojnë të gjithë dhe fiton më shumë ai që ka nevojë më shumë, kjo nuk diskutohet. Ne kufirin për shembull nuk e heqim dot se nuk na lejon askush, jo Serbia, por s’na lë as BE, s’na lë as SHBA. Sa herë ka dalë një deklaratë për heqjen e kufirit kanë dalë deklarata në Bruksel, Uashington, kanë ardhur dhe te unë se kjo është vija e kuqe, se shihet si një provokacja e Shqipërisë së madhe”.

“Ndërsa marrëveshja rajonale e heq kufirin. Për të bërë këtë duhet bërë pjesë e marrëveshjes. Kosova luftonte për t’u ulur në tryeze, kur serbët vraponin të largoheshin nga tryeza kur shikonin një kosovar në korridor. Sot që janë në tryezë serbët, Kosova nuk ulet”-, tha Rama.

“Këtu s’ka asgjë të re, unë se ndaloj këtë iniciativë se ka ardhur dikush në drejtim të Kosovës dhe më thotë mua mos u ngut. Jo kjo do vijojë sepse janë të gjithë në tryezë, Ramushi ka qenë në tryezë… Albinin e dua të jetë bashkëpunues për Kosovën…”-, tha Rama

“Unë debatoj me Vuçiçin sa herë takohem për Kosovën dhe debati është i fortë, por kemi rënë dakord të mos jemi dakord. Në këtë proces ka shumë progres, këtu kemi Presidentin e Serbisë për Shengenin rajonal, nëse Kosova ulet në tryezë, ta bëjë marrëveshjen dhe hapet kufiri. Si bëhet kjo duke i tundur dhëmbët me portale, jo duhet proces, duhet menduar për fëmijët tanë. Në momentin që kemi nga Kosova dakordësinë për t’u ulur dhe për të bërë këtë proçes, atëherë hapen kufijtë”-, tha Rama.

“Ne kemi plot produkte bujqësore, materialet e ndërtimit të cilat janë në ekspansion, që mund të kërkohen nga Serbia, Turizmi po ashtu është një mundësi, pra Kosova ka vetëm përfitime. Për Kosovën është transformuese, pasi nuk ka nevojë të kontrollohen në kufi , është transformues për mallrat, Kosova e ka në dorë të vetë ta heqë apo jo me Serbinë kufirin, nuk është detyruese. Këta se kanë lexuar çfarë kemi shkruar, se çfarë kemi menduar. Këto duan të fitojnë kapitale politike duke i rënë politikës së Shqipërisë dhe Edi Rama, duke iu bashkuar opozitës në Shqipëri”-, tha Rama.

“Më vjen keq për Hashim Thaçin, që bëri një piruetë 360 gradë, por bie në të njëjtin pozicion. Nga cila tavolinë po ikën Thaçi. Ishte i ftuar, siç ishin dhe të tjerët, nga cilat tavolinë po ikën… Të gjithë pra në Kosovë po luftojnë se kush është më patritot e kush tradhtar, pse këta do të më marrin peng mua duke më shpallur tradhtar?. Kjo kurrë nuk ndodh!”-, nënvizoi Rama. /atsh

Shengeni Ballkanik, Rama: SHBA në mbështetje të procesit, samiti i hapur për të gjithë Read More »