Politike

Thaçi: Partitë politike të lënë mospajtimet, të krijojnë sa më shpejt institucionet e reja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Thaçi ka thënë se, Kosovën e presin shumë sfida përpara të cilët kërkojnë unitet për t’i tejkaluar.

Sipas presidentit Thaçi partitë politike duhet të lënë mospajtimet dhe të krijojnë sa më shpejt institucionet e reja të Republikës së Kosovës.

“I uroj të gjithë deputetët e Legjislaturës së Shtatë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke iu dëshiruar punë të mbarë në detyrat e tyre. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar, prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Në seancën e sotme Glauk Konjufca është zgjedhur kreytar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa nënkryetarë, Arbërie Nagavci, Kujtim Shala e Memli Krasniqi./atsh

Thaçi: Partitë politike të lënë mospajtimet, të krijojnë sa më shpejt institucionet e reja Read More »

Kurti: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës tregon qytetërim demokratik

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës tregon qytetërim demokratik.

Në një prononcim për mediet ai ka thënë se, shpreson që do të tejkalohen të gjitha pengesat dhe do të krijohet edhe Qeveria.

“Kuvendi është tempulli i demokracisë dhe ligjvënies. Prandaj, jam i bindur që me këtë hap kemi treguar një lloj qytetërimi demokratik sepse për dallim nga legjislatura e gjashtë, ne nuk kemi bllokuar konstituimin e institucioneve”, është shprehur Kurti.

“Me dashamirësinë dhe me interesin e përgjithshëm para çfarëdo interesi tjetër besoj që do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat dhe të kemi edhe qeveri të re ashtu siç patëm edhe Kuvend të ri”, ka shtuar ai.

Ai nuk ka treguar nëse do të takohet me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën së shpejti, por ka thënë se kontaktet me të i ka të rregullta.

“Ne jemi në kontakt të rregullt. Me siguri që do të kemi komunikim, bashkëpunim dhe takime”, ka theksuar Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se nuk është befasi zgjedhja e Glauk Konjufcës në postin e kryetarit të Kuvendit./atsh

Kurti: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës tregon qytetërim demokratik Read More »

Ruçi uron Kryeparlamentarin e ri të Kosovës: Përvoja dhe urtësia juaj, garanci për sukses

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të lartë.

“I dashur Glauk, me rastin e zgjedhjes tuaj Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju uroj nga zemra suksese në këtë detyrë të lartë dhe fisnike. Kam besim të plotë se nën drejtimin tuaj të urtë, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si edhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj”, shkruan Ruçi në urimin e tij.

“Përvoja juaj e gjatë si deputet, kompetenca dhe përkushtimi me të cilin kini shërbyer si Zëvendëskryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimi i gjatë ne media si edhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut janë garanci se ju do t’i përmbushni me sukses të gjitha objektivat për rritjen e kontributit të Kuvendit si dega legjislative e qeverisjes në konsolidimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen, integrimet euroatlantike, shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin, stabilitetin, fqinjësinë dhe paqen në rajon”, thekson Ruçi.

“Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin dhe gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se, ashtu si deri më sot, bashkëpunimi midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të rritet e zgjerohet, si një nga aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë dypalësh”, nënvizon Ruçi.

“Për të diskutuar nga afër çështje konkrete të bashkëpunimin tonë të ardhshëm, kam kënaqësinë t’ju ftoj për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të afërt”, shkruan në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi./atsh

Ruçi uron Kryeparlamentarin e ri të Kosovës: Përvoja dhe urtësia juaj, garanci për sukses Read More »

Shengeni Ballkanik / RCC:Domosdoshmëri çdo iniciativë që çon në heqjen e barrierave brenda rajonit tonë

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) ishte i ftuar në takimet për mini-shengenin së bashku me Bashkimin Europian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bankën Botërore (BB), Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Europiane e Investimeve (BEI) për të dëgjuar propozimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Ditët e fundit ka pasur shumë paqartësi dhe mungesë informacioni të saktë lidhur me rolin e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal në takimet në kuadër të të ashtuquajturit “Mini-Shengen”. RCC-ja ka qenë e ftuar në takimet për mini-shengenin së bashku me BE-në, SHBA-në, Bankën Botërore (BB), BERZH-in dhe BEI-n për të dëgjuar propozimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor.”-, njofton RCC.

“RCC-ja është tërësisht e angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Me krenari ne po bashkërendojmë dhe mbikëqyrim zbatimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, siç jemi ngarkuar në dakordësi nga udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor tre vjet më parë në samitin e Procesit të Berlinit në Trieste”.

“Të gjashta ekonomitë, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë në këtë proces, që u prezantua me kërkesë të të gjashtë udhëheqësve të sipërpërmendur, një projekt që ka për synim të çojë përpara bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor, duke eliminuar pengesat sociale sa i takon lëvizjes së lirë të të rinjve, profesionistëve, aftësive dhe novacionit.

Për RCC-në, bashkëpunimi rajonal është një histori në zhvillim. Bashkëpunimi rajonal merr kuptim në momentin që rezultati përfundimtar është integrimi në BE. Meqë zgjerimi ka të bëjë me lidhjen e tregjeve dhe të njerëzve, ne besojmë që çdo iniciativë që çon në heqjen përfundimtare të barrierave brenda rajonit tonë është një domosdoshmëri dhe si e tillë duhet të merret parasysh. Për këtë arsye, ne jemi të vëmendshëm qoftë edhe ndaj një propozimi të vetëm nga çdo ekonomi e rajonit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe të ardhmen”-, përfundon njoftimi i RCC./atsh

Shengeni Ballkanik / RCC:Domosdoshmëri çdo iniciativë që çon në heqjen e barrierave brenda rajonit tonë Read More »

Basha uron Krishtlindjen nga Durrësi: Lutjet e mia janë për të prekurit nga tërmeti

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli sot mesazhin e tij të urimit për shqiptarët nga Kisha Ortodokse në Durrës.

Duke uruar festën e Krishtlindjes, Basha bëri thirrje për një bashkim të fuqishëm ‘si një familje’, për të përballuar çdo të keqe.

“Dua të uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë. Mendimet dhe lutjet e mia janë me ata më shumë në nevojë, në veçanti me të goditurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Qoftë kjo festë, kjo ditë e shenjtë e lindjes së Krishtit edhe një thirrje për një bashkim më të madh, më të fuqishëm si një familje për të përballuar çdo të keqe dhe për të dalë në dritën e begatisë dhe bekimit të Zotit. Gëzuar dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Basha./atsh

Basha uron Krishtlindjen nga Durrësi: Lutjet e mia janë për të prekurit nga tërmeti Read More »

Kryesia miraton kandidaturat për kryetarët e PS-së në 61 bashki/ Zbatohet parimi i bashkëkryesimit

Partia Socialiste ka hyrë në procesin e garës për zgjedhjen e kryetarëve në 61 bashkitë e vendit, pas miratimit sot në Kryesi të kandidaturave për këto poste partiake.

Kryeministri Edi Rama informoi pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste se, “në mbledhjen e sotme u bë miratimi i kandidaturave për kryetar partie”.

“Siç e dini, prej disa muajsh jemi në proces organizimi, ripërtëritje dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme. Pasi kemi zgjedhut kryetarët e organizatave, pasi kemi përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kryetarëve edhe gratë, duke vendosur të fillojmë të zbatojmë një normë të re të organizimit ku drejtimi i organizatave i besohet një burri dhe një gruaje, kemi bërë dhe një zgjedhje me parimin ‘1 anëtarë, një votë’ të gjithë anëtarëve të Kongresit, ka ardhur koha që të përmbyllim procesin me kryetarët e partisë”, tha Rama.

Ai tha se “ndërkohë, vazhdojmë procesin e garës dhe zgjedhjen e kryetarëve të partisë në 61 bashkitë e vendit”.

Kryeminstri tha se “kudo procesi po ecën sipas normave të paracaktuara, diku më shpejt, diku më ngadalë, por në përgjithësi mendoj se ky proces na ka dhënë atë që kemi pritur, një energji të re ripërtëritje të dosmosdoshme në një fazë të ndërmjetme”.

Rama tha se “edhe pse zgjedhjet duken larg, ato janë ‘nesër’ praktikisht sepse qershori 2021 është shumë afër”.

I pyetur nëse ka një komunikim me Presidentin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në 3 bashkitë e mbetura pa kryetar, Rama tha se “nuk kemi asnjë komunikim”. “Situata post zgjedhore karakterizohet nga një inerci që lidhet me historinë e dekrete-zhdekreteve, ndaj ne kemi për detyrë të garantojmë vazhdimësi normale të qeverisjes, aty ku ne kemi fituar bashkitë. Kemi dy vakanca. Sa i takon Shkodrës nuk ka një vendim. Shkodra është në situatën më të rëndë nga kjo pikëpamje, se ka një kryetare që është dhe nuk është kryetare dhe ka një vakum në këtë aspekt por kjo nuk është në dorën tonë, thjesht ne presim të marrim një zgjidhje”, tha Rama./atsh

Kryesia miraton kandidaturat për kryetarët e PS-së në 61 bashki/ Zbatohet parimi i bashkëkryesimit Read More »

Bregu: Shengeni Ballkanik do të përkthehet në rritje ekonomike deri në 7%

Shengeni Ballkani do të përkthehet në rritje ekonomike deri në 7%. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu shprehet e bindur gjatë një interviste televizive se, në rast se ecuria do të jetë e ngjashme me atë të Bashkimit Europian, GDP e vendeve tona do ketë rritje deri në 7%.

“Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal mbështet nismat që kontribuojnë drejt një axhende për krijimin e një tregu të përbashkët për rajonin tonë”, u shpreh Bregu, e cila shtoi se këto nisma duhet të zhvillohen në nivel gjithëpërfshirës, sepse sipas saj, është e pamundur t’i mbijetosh sfidave, kur Ballkani sot nuk dallohet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

“Ne nuk kemi detyrë tjetër vetëm të nxisim dhe të mbështesim ide të cilat çojnë përpara bashkëpunimin rajonal. Ky është mandati që kemi. Çdo bashkëpunim dhe çuarja përpara e marrëdhënieve të mira, përmirësimi i nivelit të tregtisë rajonale apo dhe projekte të tjera rajonale të bëhen në nivel gjithëpërfshirës. Është e pamundur t’i mbijetosh sfidave në një kohë kur Ballkani sot nuk dallohet për nivel ekonomik të qëndrueshëm për të përballuar sfidat globale. ‘’- tha Bregu.

Sipas Majlinda Bregut, ky bashkëpunim rajonal, i ashtuquajtur Minishengen Ballkanik do të përkthehet në rritje ekonomike për këto vende, dhe konkretisht sipas saj parashikohet një rritje prej 7% të GDP. Takimi i kësaj të shtune i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ishte i treti pas atij në Novi Sad të Serbisë dhe Ohër të Maqedonisë.

“Të gjitha vendet e Ballkanit kanë mbi 70% të shkëmbimeve tregtare me BE. Por ka vetëm rritje të GDP 1.3%. Në rast se ne kemi ecurinë si të BE dhe vendeve tona GDP rritjet me 7%. Europa nuk lindi se ishte në ADN-në e qytetarëve që sot jetojnë në Europë por lindi nga nevoja për të bashkëpunuar, për të qenë më të fortë, për një treg të përbashkët dhe për të përballuar sfidat globale’’- shtoi Bregu. /atsh

Bregu: Shengeni Ballkanik do të përkthehet në rritje ekonomike deri në 7% Read More »

Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës

Presidenti Ilir Meta në një intervistë për televizionin boshnjak “O Kanal” ka deklaruar se Serbia duhet të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale e institucionet ndërkombëtare.

“Serbia duhet të ndalojë këtë fushatë kundër integrimit të Kosovës në nismat rajonale ose institucionet ndërkombëtare. Siç është edhe për shembull anëtarësimi në Interpol. Të gjithë në rajon janë të vetëdijshëm se krimi i organizuar është një nga problemet kryesore në të gjitha vendet tona dhe anëtarësimi i Kosovës në Interpol ndihmon bashkëpunimin, jo vetëm të Kosovës me Interpolin, por për të gjithë rajonin është një kontribut për të luftuar krimin e organizuar nga ky rajon. Nuk e kuptoj pse Serbia do të merrte një pozicion të tillë, sipas meje, jo shumë të arsyeshëm dhe aspak konstruktive. Sidoqoftë, unë besoj në dialog, në partneritet dhe shpresoj që së shpejti palët të ulen në tryezën e dialogut dhe ne jemi fuqishëm pro normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Meta.

Në lidhje me nism e Shengenit Ballkanik, Meta tha se “ne kemi kaq shumë platforma rajonale bashkëpunimi”.

“Çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse, është e mirëpritur. Kjo duhet të ishte një parakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme. Iniciativa që ndihmojnë bashkëpunimin tonë janë gjithmonë të mirëpritura, por jo duke provokuar debate të panevojshme, duke u përpjekur për të margjinalizuar dikë ose një vend, apo t’i japësh protagonizëm dikujt tjetër. Vetëm partneriteti dhe gjithëpërfshirja mund të rrisë besimin mes vendeve, mes njerëzve dhe mund të reduktojë dhe eliminojë të gjitha barrierat, qofshin ato legale, administrative apo burokratike në rajonin tonë”-tha ai.

Presidenti Meta ka vlerësuar punën e qeverisë dhe të institucioneve shtetërore për përballimin e situatës së tërmetit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë.

“Të gjitha institucionet janë angazhuar menjëherë të përballen me pasojat dhe ato vazhdojnë të përmirësojnë mekanizmat e përballimit të këtyre pasojave. Ne jemi shumë të kënaqur me reagimin ndërkombëtar. Me reagimin e Kosovës, Maqedonisë Veriore, Serbisë, vendit tuaj, Malit të Zi, Kroacisë dhe vendeve të tjera të rajonit që u përgjigjën menjëherë, erdhën këtu dhe ofruan ekspertizën e tyre”, tha ai. /atsh

Meta: Serbia të ndalojë fushatat kundër integrimit të Kosovës Read More »