Politike

Ambasadorja Yuri Kim: E nderuar që jam në Shqipëri, gati t’i përvishem punës

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, shprehet se ndihet e nderuar që ndodhet në Shqipëri dhe është gati ti përvishet punës.

Ambasadorja Kim, në ditën e saj të parë të punës ka dhënë dhe mesazhin e parë. “Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”, -, ka theksuar Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim në ditën e saj të parë në Ambasadë.

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020. Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.

Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Më parë ka qenë Shefe e Kabinetit e Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë. /atsh

Ambasadorja Yuri Kim: E nderuar që jam në Shqipëri, gati t’i përvishem punës Read More »

Meta: Opozita gaboi me dorëzimin e mandateve dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhje

“Opozita ka bërë veprime të mëparshme të gabuara siç është dorëzimi i mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhje vendore. Rruga që opozita ndoqi nuk ishte një rrugë që i shërbeu vendit”, tha sot Presidenti Meta në një intervistë televizive.

Duke folur për 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës, Meta tha se “21 janari është një datë shumë e rëndësishme, sepse është dita e Kongresit të Lushnjës. Ne sot kemi 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje, më e rëndësishmja pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, pasi në vetvete është një rivendosje e pavarësisë dhe e organizimit të shtetit shqiptar dhe e të gjitha institucioneve, por edhe një fillim i parlamentarizmit në Shqipëri. Në këtë drejtim është një nga ditët më të rëndësishme të shtetformimit tonë dhe që na kujton se sa e rëndësishme është që të forcojmë institucionet”.

Duke folur për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm në bulevard, Meta tha se duhet hequr përgjithmonë dorë nga dhuna.

“Sa i takon 21 janarit tjetër, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme. Dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike”-tha ai.

Për sa i përket procedurës së shkarkimit, Meta tha se “është një absurditet vazhdimi në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese i këtij komisioni hetimor. Por për mua nuk përbën një shqetësim. E kam thënë edhe më parë që e mira është ta zgjasin afatin deri në 24 korrik të vitit 2022. Presidenti mund të shkarkohet apo të hetohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të cilat janë të atij karakteri që mund të cenojnë sovranitetin apo integritetin e Republikës së Shqipërisë”,.

Në vijim Meta shtoi se “Presidenti nuk mundet të hetohet kurrsesi apo të shkarkohet për shkak të akteve që ai nxjerr dhe të dekreteve të tij, sepse Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve. Sa ligje dhe sa vendime qeverie, Gjykata Kushtetuese, përpara se të paralizohej, i ka rrëzuar parlamentit apo qeverisë së Ramës?! Me dhjetëra! Nuk kemi parë që parlamenti të jetë rrëzuar apo qeveria të jetë shkarkuar.Kjo është një lojë politike që tregon shqetësimin e madh që ka mazhoranca aktuale për qëndrimet mjaft të qarta, kushtetuese, parimore dhe transparente të Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim kjo gjë mua më bën nder”.

Në lidhje me dialogun e palëve për reformën zgjedhore, Meta tha se “jemi në kuadër të përpjekje të palëve për t’u shfajësuar përpara dështimeve të mundshme përsëri në të ardhmen në raport me integrimin evropian, se se një reflektim për të marrë përgjegjësi dhe për të vendosur një dialog të besueshëm dhe të mirë strukturuar në interes të heshtjeve më të mëdha që ka vendi dhe për të cilat të dy palët duhet të bashkëpunonin prej vitesh”.

“Megjithatë është një hap pozitiv sepse përfundimi i reformës zgjedhore dhe miratimi me konsensus është nga rekomandimet e Bundestagut për hapjen mundshme e negociatave. Le të shpresojmë të mos ketë ndonjë surprizë rrugës, por sidoqoftë edhe sikur ky jap të jetë pozitiv është fare pak dhe tepër vonë dhe kërkohet një tryezë tjetër shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar ato detyrime që tashmë janë të qarta në rezolutën e Bundestagut. Reforma nuk do të zgjidh ndonjë gjë të jashtëzakonshëm, por mund të jetë mënyra me e thjeshtë”, tha ai./atsh

Meta: Opozita gaboi me dorëzimin e mandateve dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhje Read More »

Përkujtohet presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta

Përkujtohet sot në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta presidenti i parë i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova (1944-2006)

Ibrahim Rugova është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues.

Ai lindi në 9 dhjetor 1944 në Cerrë të Istogut. Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Në vitet 1976-1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris.

Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 1988-1990 shërbeu si sekretar shkencor, në Institucionin Albanalogjik të Prishtinës.

Ai botoi disa libra, ku më kryesorët janë: “Vepra e Bogdanit 1675-1685” (Prishtinë 1982), “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” (Prishtinë 1986), “Refuzim estetik” (Prishtinë 1987) dhe një varg studimesh në fushën e teorisë së letërsisë, të kritikës dhe kulturës shqiptare. Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005. Me formimin e partive të tjera politike shqiptare ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991). Gjatë zgjedhjeve të drejtpërdrejta parlamentare dhe presidenciale të majit 1992 dhe qershorit 1998, të organizuara nga partitë politike dhe institucionet shqiptare të Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës.

Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004. Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: çmimi për Paqen i Fondacionit Paul Litzer, në Danimarkë (1995); çmimi për paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”.

Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Famurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006. /atsh

Përkujtohet presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta Read More »

Braçe: 6 vite në pushtet jam torturuar kokëulur çdo 21 janar, asnjë prokuror nuk hetoi Berishën

Zëvendëskryeministri Erion Braçe duke përkujtuar 21 janarin e 2011, theksoi se “sistemi kriminal gjyqësor i emëruar e nën sundimin e Sali Berishës edhe sot bëri që pushkatimet e Ziver Veizit, Hekuran Dedes, Faik Myrtajt, t’i cilësojë “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa pushkatimin e Aleks Nikës, ta shpallë edhe pas 9 vitesh “vrasje pa autor”.

Në një reagim, Braçe shprehet se “Sali Berisha i ka dalë për zot pushkatimeve me zë e me figurë, fill pas dëshmisë televizive të pushkatimeve në mes të ditës e në mes të bulevardit, ai tha troç se i kishte urdhëruar vetë. Asnjë prokuror nuk e hetoi në cilësinë e kryeministrit që ka urdhëruar pushkatimet; Katër prokurorë të përgjithshëm janë ndërruar ne 9 vite, Sali Berisha vijon të marrë përsipër pushkatimet dhe asnjë nuk guxoi dhe nuk guxon as tani, ta vërë nën hetim për krimin e rëndë”.

Braçe shprehet se “as atë tjetrin, ish ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, i cili kishte nën komande pushkatarët e Gardës së qeverisë. Këta që emëronin prokurorët e gjykatësit e kishin në xhep imunitetin, por kriminalisht i dhanë imunitet, shpëtuan, nxorën nga burgu dhe sot janë të lirë, dy pushkatarët plumbat e të cilëve, qitur nga armët e qeverisë, u gjetën në trupat e pa jetë të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt. Edhe Aleks Nika nga ata është pushkatuar. Padrejtësi më të madhe se kjo, në këtë vend nuk ka! Kjo padrejtësi rrënon, themelet e shtetit, bën të pavlerë çdo akt rutinë drejtësie. Në 9 vite e gjysmë, kjo padrejtësi është tortura më e rëndë për familjarët e tyre. Në 6 vite e gjysmë në pushtet, torturë është edhe për mua”.

“Çdo 21 janar, me turp e kokë ulur shkruaj radhë si këto, një akt pafuqie që nuk shtyn për drejtësi, nuk bën drejtësi. Reforma në Drejtësi, ka nxjerrë jashtë nga sistemi 8 gjyqtarë të vegjël e të lartë, të cilët dhanë vendimet kriminale e shfajësuan pushkatarët e 21 janarit. Por kjo nuk është drejtësi! Drejtësi është hetimi i plotë, gjithëpërfshirës i gjithë zinxhirit të krimit, nga urdhri e urdhërdhënësi deri tek pushkatarët e pushkatimi”, – nënvizon Braçe.

Zv/kryeministri Braçe u shpreh se “gjykimi i drejtë dhe i shpejtë gjithashtu. E di, e kam dëgjuar edhe unë atë kërcënimin e përjetshëm që na përplasin në fytyrë se nëse hetohet e gjykohet urdhri e pushkatimi, urdhërdhënësi e pushkatarët, këtij vendi do i vënë zjarrin”.
“Por kjo është edhe një herë më shumë padrejtësi! Ekuilibri politik dhe stabiliteti social, ekonomik, politik, i vendosur prej dhunës së padrejtësisë është zjarr edhe më i madh se ai i katër muajve të vitit që shkoi, është zjarr mbi liritë kushtetuese, atë bazë-të drejtën për të jetuar, mbi ligj e çdo rregull është zjarr mbi drejtësinë e barazinë, mbi shtetin e bashkëjetesën në të. Dhjetë ditë më parë, presidenti i SHBA i bëri veç një thirrje regjimit të pushkatarëve të Gardës së qeverisë në Teheran/Iran: Mos i vrisni protestuesit! Në Tiranë protestuesit u vranë njësoj, me pushkë, të njëjtat si atje. Në Teheran, drejtësinë e bëjnë po ata, me pushkë, këtu jo më, asnjëherë më; është e padurueshme, ta shpif bashkëjetesa me dhunën sfiduese të një krimi të zbardhur e të pandëshkuar, si pafuqi, si stabilitet apo standard drejtësie, por që nuk arrin tek pushkatarët e udhëheqësit e tyre. Jo sepse unë e dua kundërshtarin në burg, siç Sali Berisha donte dhe e çoi në burg, mbajti kyçur atje politikisht kundërshtarin e tij; Jo! por si akt i pastër, moral, ligjor drejtësie”, – theksoi Braçe duke shtuar se atë që nuk duhet e nuk e bën partia, por ligjërisht drejtësia.

“Provat janë aty, në dritë të diellit! Duhet veç kurajo! Katër burra, një jetë, pushkatimi dhe padrejtësia që rrënon themelet e shtetit. Në 21 janar 2011, katër qytetarë të zakonshëm, pjesëmarrës në një demonstratë të opozitës së kohës, të pa armatosur e paqësore u pushkatuan në mes të bulevardit Dëshmorët e Kombit. Mbi 12 të tjerë u plagosën me të njëjtat armë zjarri, për fat edhe sot në jetë”, – tha Braçe./atsh

Braçe: 6 vite në pushtet jam torturuar kokëulur çdo 21 janar, asnjë prokuror nuk hetoi Berishën Read More »

Cakaj kujton Rugovën: Përulemi me nderim përpara politikanit më të madh

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, përkujtoi sot Presidentin Ibrahim Rugova, në 14 vjetorin e vdekjes.

“Ibrahim Rugova ka qenë intelektuali më i madh në politikë dhe politikani më i madh ndër intelektualë gjatë viteve të veprimtarisë së tij” – thekson Cakaj.

Ministri Cakaj shprehet se “pa angazhimin e drejtpërdrejtë të Rugovës, mendimet e baraspeshuara dhe vizionin afatgjatë, nuk mund të kuptohet drejt, as orientimi euroatlantik i Kosovës, as ngritja e strukturave paralele, as përpjekja për zhvillimin e demokracisë në Kosovë”.

“Sot kujtojmë jo vetëm Presidentin e Parë të Kosovës me kontribut të pashlyeshëm në historinë e saj, por edhe historinë dekadëshe të shtetndërtimit të Kosovës që s’mund të mendohet pa të”, – tha Cakaj./atsh

Cakaj kujton Rugovën: Përulemi me nderim përpara politikanit më të madh Read More »

Kryemadhi: Tryeza për reformën zgjedhore nuk është marrëveshje politike

Ulja në një tryezë për reformën zgjedhore nuk është marrëveshje politike, por një dakordësi për të krijuar rregullat e lojës, që sipas saj janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi sot Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Në një intervistë televizive, Kryemadhi u shpreh se, “dakordësia u arrit pas ndihmës nga ndërkombëtarët, veçanërisht rolit të ambasadorit britanik në vendin tonë, Duncan Norman”.

Kryemadhi u shpreh se ambasadori Norman “krijoi infrastrukturën e takimit”.

Kryemadhi gjithashtu falenderoi edhe përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se mazhoranca u ul pas presionit nga SHBA dhe BE.

Kryemadhi theksoi se, dakordësia për miratimin me konsensus të reformës zgjedhore, si një nga kushtet e Bundestagut për integrimin e Shqipërisë në BE, është bërë shumë më herët.

Ajo tha se ishte vendosur që zgjedhorja të miratohej në Kuvend në dhjetor, në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar.

Ajo tha se miratimi i reformës zgjedhore u shty me argumentin nga ana e mazhorancës se Kuvendi nuk mund të votojë një reformë të tillë në kushtet kur vendi është në gjendje të jashtëzakonshme.

“Mos harroni që Rama mjafton të shtyjë dhe të fitojë sekonda: Shpalli gjendjen e emergjencës deri në mars. Reforma zgjedhore duhej të ishte miratuar në dhjetor, sepse kështu ishte dakordësimi edhe me SHBA, edhe me BE, por duke shpallur gjendjen e emergjencës parlamenti nuk mund të miratojë kod zgjedhor, ky ka qenë justifikimi nga ta. Ne si opozitë mbarojmë të gjitha detyrimet tona, sepse deri tani ky njeri mbante peng vendin me justifikimet që opozita nuk bëhet pjesë”, tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi: Tryeza për reformën zgjedhore nuk është marrëveshje politike Read More »

Marrja e Presidencës së BE/ Basha letër kryeministrit të Kroacisë: Do bëjmë çdo gjë për integrimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka garantuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç se ai dhe opozita në Shqipëri do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar procesin e integrimit europian.

Basha ka publikuar një letër të 14 janarit, ku ai përshëndet kryeministrin kroat për marrjen e drejtimit të Presidencës së Bashkimit Europian, një ngjarje që kreu i opozitës e cilëson si historike për shkak se kjo është hera e parë që Kroacia drejton presidencën e BE-së që kur u bë anëtar i Unionit në vitin 2013.

“Presidenca kroate e BE, është një arritje të cilën ne, në Shqipëri, e vlerësojmë shumë, ashtu si edhe rajoni. Kam bindjen e plotë se nën drejtimin tuaj të Presidencës, proceset integruese për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, do të avancojnë edhe më tej“, ka theksuar Basha në letrën e tij.

“Ju jam shumë mirënjohës për mbështetjen që më keni shprehur për Shqipërinë gjatë takimit që patëm Nëntorin e shkuar”, vë në dukje kreu i opozitës, duke e garantuar Kryeministrin e Kroacisë për rolin e PD dhe opozitës në integrimin e vendit.

“Prioritetet tuaja në krye të BE-së janë shpresëdhënëse dhe shtysë për mua që të bëj çdo gjë që mundem në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, që të avancojmë procesin e integrimit në BE, pa vonesa të mëtejshme, siç përcaktohet edhe në kushtet e Bundestagut. Edhe pse marrja e Presidencës Kroate po ndodh në momente sfiduese, jam i bindur se ju do t’i përmbushni prioritetet duke qenë edhe njëherë një shembull i shkëlqyer për ne”, është mbyllur letra e kreut të opozitës Lulzim Basha, duke i uruar Kroacisë një presidencë të suksesshme dhe duke mirëpritur drejtimin dhe mbështetjen e mëtejshme të kryeministrit kroat.

Marrja e Presidencës së BE/ Basha letër kryeministrit të Kroacisë: Do bëjmë çdo gjë për integrimin Read More »

Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Hap i rëndësishëm, ka ende shumë për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd.

Duke cituar Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg Kryeministri Rama ka theksuar se ky është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”.

Rama ka shtuar se ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë.

“E përshëndes me kënaqësi marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd, që siç tha Sekretari i NATO-s është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”. Ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë!”, është shprehur Rama.

Kryeministri gjithashtu ka theksuar se shumë mirë ka bërë dhe kryeminstri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj që e përshëndeti këtë hap.

“Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap. Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, tha Rama.

Një delegacion nga Ministria e Ekonomisë e Serbisë nënshkroi sot një letër synimi me kompaninë Lufthansa në Berlin për nisjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë.

Me nënshkrimin e kësaj letër synimi ekskluzivisht, Serbia njofton se do të njoftojë UNMIK-un dhe KFOR-in për qëllimin e saj për të rivendosur linjën ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të Kumanovës./atsh

Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Hap i rëndësishëm, ka ende shumë për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë Read More »