Politike

Hajdari: Reforma zgjedhore duhet të kthejë besimin tek vota

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, njëherazi bashkëkryetare e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari deklaroi sot se reforma zgjedhore duhet të kthejë besimin tek vota.

Duke folur në seancën plenare sot ajo tha se, “në këtë Kuvend janë marrë vendime të rëndësishme politike si dhe një vendim që kishte të bënte me të ardhmen e vendit tonë, për të ndaluar copëtimin e tij. Kjo ngjarje e rëndësishme na bën të reflektojmë për vitin që kaluam, një vit mjaft i vështirë për politikën në vend. Angazhimi ynë në parlament ka qenë kyç dhe i ka shërbyer vendit”.

“Pavarësisht përbaltjes për të delegjitimuar këtë Kuvend, puna jonë po vijon të japë frytet e saj. Besoj se i kemi shërbyer vendit tonë. Disa cinikë vazhdojnë ta paragjykojnë këtë vendim tonin. Mendoj se dalja nga kjo krizë duhet të vijë përmes reformave, si ajo në drejtësi si dhe ajo zgjedhore. Angazhimi ynë si deputetë në Kuvend dhe Komisione ka qenë pikërisht që ne të hapim debatin e madh për ndryshimin e sistemit. Unë dua të falenderoj të gjithë, përfshijë këtu edhe opozitën parlamentare”, tha Hajdari.

“Kjo reformë nëse mbështet nga SHBA dhe BE, nuk duhet të mbetet peng në retorikë dhe të kthehet në alibi për një pazar të radhës. Ajo duhet të kthejë besimin te vota”, theksoi Hajdari.

Hajdari ka shpjeguar edhe uljen ne tryezën për reformën zgjedhore.

“Dua të shpjegoj pse u ula në atë tryezë. Dua të garantoj që ajo reformë të mos abuzojë me besimin e shqiptarëve që ata të jenë në gjendje të zgjedhin dhe jo të votojnë. Ne nuk do bëhem bllokues për integrimin e vendit por nuk do lejojmë që kjo reformë të kthehet në pazar. Angazhimi ynë do të jetë në funksion të kësaj axhende dhe në bashkëpunim me BE dhe SHBA do i japim formën e duhur. Shqiptarët po përjetojnë një krizë të thellë mendimi dhe besimi. Zhvillimi ekonomik vijon të mbetet peng i krizës politike”, tha Hajdari.

“Reforma Zgjedhore duhet të bazohet tek vullneti për t’i dhënë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur, duke e theksuar ndoshta edhe përmes një referendumi”, u shpreh Hajdari.

“Shqiptarët kanë pritshmëri të larta dhe duhet t’i japim besimin institucioneve ashtu si shqiptarët e meritojnë, që të ndalim njëherë e mirë emigracionin. Dua t’i kujtoj shqiptarëve që e drejta e tyre në parlament të rikthejë besimin”, tha Hajdari./atsh

Hajdari: Reforma zgjedhore duhet të kthejë besimin tek vota Read More »

Vetëvendosje propozon Kurtin si mandatar për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Kjo i është konfirmuar KosovaPress-it nga Zyra për Informim e Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka dërguar propozimin zyrtar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt i parë i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, gëzon të drejtën e të nominuarit të mandatarit të kryeministrit të vendit.

Në momentin që Thaçi pranon propozimin dhe e dekreton atë, e që e gjithë kjo pritet të ndodhë brenda ditës së sotme, rrjedh afati kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re.Propozimi është bërë nga Sekretarja e Përgjithshme e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi./KosovaPress/

Vetëvendosje propozon Kurtin si mandatar për kryeministër Read More »

Presidenca shqiptare e OSBE-së/ Rama mund të vizitojë Ukrainën Lindore, në varësi të motit

“Shpresoj shumë të mbajë koha e të na lejojë ta përfundojmë këtë vizitë me një udhëtim drejt Ukrainës Lindore, ku dua të shoh me sytë e mi situatën e sigurisë dhe atë humanitare në zonat e ndikuara nga konflikti”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Ukrainë, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vadym Prystaiko, Rama deklaroi se në udhëtimin drejt Ukrainës Lindore do të shikojë po ashtu dhe ndikimin praktik në terren të Misionit Special të Monitorimit”.

Vizitën e tij të parë zyrtare si President i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama e zhvilloi sot në Ukrainë, dhe kjo sipas tij, “reflekton rëndësinë e madhe që i jep adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës”./atsh

Presidenca shqiptare e OSBE-së/ Rama mund të vizitojë Ukrainën Lindore, në varësi të motit Read More »

Rama: Çerek shekulli nuk mendoi njeri të bëhet reformë në drejtësi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me “KÇK”-në kemi punë jo të lehtë, sepse çerek shekulli nuk mendoi njeri të bëhet reformë në drejtësi”.

Gjatë inspektimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për shërbimet online, duke iu përgjigjur interesimit të një qytetari lidhur me shqetësimin për pezullimin e gjyqeve që kanë lidhje me pensionet, Kryeministri Rama theksoi se “tani reforma në drejtësi po bëhet, por do kohën e vet sepse gjithë ai pastrim i madh nuk bëhet dot sa hap e mbyll sytë e para, e dyta nuk jemi në komunizëm, jemi në demokraci”.

“Pavarësisht gjithë poshtërsive që bëjnë ata, ne nuk e kemi të drejtën të ndërhyjmë më forcë në punën e tyre. Është reforma, pastrimi, ndërtimi i institucioneve të reja, garantimi që ata që do të mbeten aty do të jenë njerëz me integritet që do të sjellë këto që kërkojmë ne, ndryshe nuk bëhet”,- nënvizoi Rama. /atsh

Rama: Çerek shekulli nuk mendoi njeri të bëhet reformë në drejtësi Read More »

Hapja e negociatave/ Spiropali: Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, Komisioni e Këshilli të mbajnë premtimet e tyre

“Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe Komisioni e Këshilli duhet të mbajnë premtimet e tyre. Ky ishte mesazhi i Komisionerit për zgjerimin të BE-së, që është një mesazh i ngrohtë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Kështu deklaroi Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e ftuar në një studio televizive ku foli për rrugën europiane të Shqipërisë.

Duke komentuar vizitën në Shqipëri të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, Spiropali pohoi se, ky akt është në vetvete një mesazh i ngrohtë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për rrugën e tyre europiane.

“Jemi përpara një situate të re. Komisioneri tha se është duke negociuar, duke u ulur, duke folur për vendet që janë skeptike për procesin e integrimit në tërësi dhe shpreson se shumë shpejt Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të çelin negociatat”, tha Spiropali.

E pyetur sesa shanse ka që kjo metodologji e re për zgjerimin e BE do ta afrojë më tepër Shqipërinë me hapjen e negociatave, Spiropali tha se, “ne atë nuk mund ta dimë. Franca është një vend që ka propozuar një ndryshim sesi vendet e reja i qasen BE dhe metodologjinë e vlerësimit të tyre, por nuk kemi ende një dokument që të jetë i hapur dhe publik për diskutim. Posaçërisht Macron ka idetë e veta mbi integrimin. Kokën e tij nuk e lexojmë dot, por ne bëjmë punët që duhen bërë. Dhe besoj që kemi bërë një punë të mirë. Presidenti Macron pastaj marrëdhëniet i ka me Gjermaninë me vendet e tjera dhe kjo nuk ka të bëjë me ne, është jashtë mundësisë tonë për të ndikuar”.

“Unë mendoj se shumë nga qëndrimet janë afruar dhe besoj se Gjermania, e cila ka qenë një një promotore e fortë dhe një mbështetëse e madhe e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është afruar në qëndrim me Francën dhe me vende të tjera”, tha Spiropali.

Duke folur për marrëveshjen e arritur me opozitën jashtëparlamentare për miratimin e Reformës Zgjedhore ministrja Spiropali theksoi se, “ne si mazhorancë jemi aty ku kemi qenë, nuk kemi lëvizur nga kjo tryezë. Kemi qenë të hapur”.

Ajo theksoi se, “është një lajm i mirë që opozita jashtëparlamentare ka braktisur rrugën e dhunës, molotovit, të përjashtimit dhe heqjes dorë nga institucionet. Ky opsion ka qenë gjithmonë i hapur. Ne i kemi lënë një vend opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore”.

“Ne shpresojmë se 15 marsi të jetë data e fundit për të bërë ndryshimet dhe të adresohen rekomandimet e OSBE-ODIHR”, tha Spiropali.

E pyetur nëse do përmbushet ky afat, Spiropali tha se, “jemi në rrugë të mbarë, sepse është bërë një punë e madhe përgatitore”.

Sa i përket diskutimit të sistemit zgjedhor, Spiropali theksoi se, “nuk ka qenë asnjëherë diskutim që kërkohet nga partneret tanë. Kjo është një çështje kushtetuese. Pra duhet ndryshuar Kushtetuta për të ndryshuar sistemin. Është një diskutim që ne jemi pa asnjë kompleks për ta bërë, por primare kemi rekomandimet e OSBE-ODIHR”./atsh

Hapja e negociatave/ Spiropali: Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, Komisioni e Këshilli të mbajnë premtimet e tyre Read More »

Reforma Zgjedhore/ Përfundon mbledhja e dytë e Këshillit Politik, tashmë nisin punën ekspertët

Ka përfunduar takimi i dytë i tryezës së palëve politike për Reformën Zgjedhore ku është rënë dakord për të vijuar me hartimin e draftit të Reformës Zgjedhore, duke ftuar si të pranishëm përfaqësues të ODIHR.

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri tha se “ne shprehëm vullnetin tonë e mirëpresim të fillojmë menjëherë nga puna”.

“Ditën e hënë Komisioni i Reformës Zgjedhore do t’i dërgojë letër ODIHR për të kërkuar ekspertin ndërkombëtar i cili mund të vijë në Shqipëri në qoftë se është e mundur për të motivuar dhe për të punuar me palët. Nga ana tjetër kërkojmë që nga e hëna e tutje pse jo përditë të fillojmë punë me opozitën dhe ekspertët e tyre bashkuar ekipit politik që të të punojmë me përfaqësuesit e komisionit të Reformës Zgjedhore me qëllim që këtë periudhë dymujore ta shfrytëzojmë në mënyrë maksimale që të japim Kod të ri Zgjedhor. Ky është qëllimi i kësaj tavoline që është një tavolinë informale, dha besimin e saj politik dhe tani roli i mbetet përfaqësuesve politikë të opozitës dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore për ta çuar përpara këtë proces”, – tha ai.

Gjiknuri tha se secila palë vendos prioritetet e saj.

Ndërsa, Bylykbashi tha se dokumenti i kompromisit për fillimin e Reformës Zgjedhore është dokumenti i cili përcakton procedurën për mënyrën sesi eci kjo Reformë Zgjedhore e cila do mbyllet brenda 15 marsit. “Ky këshill i autorizoi përfaqësuesit politik dhe ekspertët që të operojnë me konsensus. Ky konsensus duhet të qëndrojë deri në momentit e miratimit siç është dakordësuar në dokumentin e kompromisit dhe ajo që ne bëmë të ditur qëndrimin e opozitës së bashkuar i cili do të bëhet publik për të gjithë është prioriteti i çështjeve që përputhet 100% me prioritetet që përcakton OSBE/ODIHR”, – tha ai.

“Lufta kundër shitblerjes së votës, presioni mbi zgjedhësit që janë punonjës të administratës, abuzimi i burimeve shtetërore, manipulimi i listave, keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, cenimi i sekretit të votës, apo i lirisë së votës. Këto janë ato çështje që reforma duhet t’i trajtojë me prioritet dhe sigurisht do të trajtojë të gjitha çështjet e tjera pa asgjë përjashtim duke patur parasysh rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ky dokument do bëhet publik prandaj detyra e e përfaqësuesve politik dhe ekspertëve është të ecin shpejt me gatimin e reformës zgjedhore”, – tha ai.

Në fund të mbledhjes, deputetja dhe bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore Rudina Hajdari, tha se në tryezë nuk është përjashtuar mundësia e ndryshimit të sistemit zgjedhor.

“U diskutua fakti që roli ynë kyç në këtë tryezë tregon se ne do vazhdojmë të japim kontributin tonë dhe komisioni do vazhdojë e do ketë rolin e saj lidhur me rolin që çdo përfaqësues ka në atë komision. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese, mundësinë e vetos në produktin final, që do kalohet në parlament. Për ne është e rëndësishme që produkti final duhet të jetë një produkt që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të përfshijë sa më shumë aktorë politikë”, – tha ajo.

Në vijim Hajdari shtoi se “për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus dhe me sa shoh edhe palët tjera kanë filluar të flasin për ndryshim të sistemit, pra nuk është përjashtuar nga tavolina, por po gjithëpranohet nga palët e tjera”.

“Është një gjë për t’u parë. Ne duhet të kemi një produkt që të jetë dakordësuar nga të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, duke iu dhënë shans shqiptarëve të kenë lista të hapura, që ata të votojnë ata që duan, dhe për t’u hequr pak pushtetin krerëve të partive. Mendoj që hapja e listave do të ishte një gjë shumë pozitive. Takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë. Ju garantoj që tani e tutje do vazhdojmë të takohemi, mbase edhe përditë, pasi duhet bërë një punë shumë intensive”, – tha Hajdari. /atsh

Reforma Zgjedhore/ Përfundon mbledhja e dytë e Këshillit Politik, tashmë nisin punën ekspertët Read More »

SHBA përshëndet arritjen e konsensusit mes palëve politike për reformën zgjedhore

Ambasada e SHBA-së në Tiranë përshëndeti sot konsensusin e arritur mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore.

Në një deklaratë për shtyp, ambasada e SHBA-së në Tiranë shprehet se “ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it”.

“Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, thuhet në deklaratë e Ambasadës së SHBA-së./atsh

SHBA përshëndet arritjen e konsensusit mes palëve politike për reformën zgjedhore Read More »

Reforma Zgjedhore/Rama: Përgëzoj rikthimin e arsyeshëm të opozitës në tryezën e dialogut

Kryeministri Edi Rama përgëzoi sot rikthimin e arsyeshëm në tryezën e dialogut të opozitës jashtëparlamentare për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore.

“Përtej më shumë se një viti të humbur në rrugën e konfliktit të çuar deri në ekstremin e mosarsyes, duhet përgëzuar ky rikthim i arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do integrohen në Ligjin Zgjedhor”, u shpreh Rama.

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Oerd Bylykbashi (PD) dhe Petrit Vasili (LSI).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 marsi 2020./atsh

Reforma Zgjedhore/Rama: Përgëzoj rikthimin e arsyeshëm të opozitës në tryezën e dialogut Read More »