Politike

Basha me përfaqësuesit e PD-së: T’ju japim zë problemeve dhe halleve të qytetarëve

Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha sot se ne do jemi zëri i halleve the problemeve të njerëzve, gjatë bisedës me përfaqësues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë.

Basha shprehet se “sot bisedova përmes disa videokonferencave me drejtuesit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë, lidhur me situatën e rëndë që po kalon vendi”.

“E përbashkëta kudo është që qytetarët janë në vështirësi për të siguruar jetesën e përditshme. Shteti ka lënë në harresë mijëra familje në nevojë dhe biznese. Shumica nuk kanë marrë akoma asnjë ndihmë apo mbështetje nga qeveria, ndërkohë që ju duhet të paguajnë edhe faturat e rritura të dritave dhe ujit. Ne do vazhdojmë të jemi në kontakt me njerëzit për t’ju dhënë zë problemeve dhe halleve të tyre në këto ditë të vështira”, tha ai.

Po ashtu, Basha shton se “pa asnjë vonesë, qeveria duhet të shpërndajë fondet e mbijetesës dhe të përfshijë menjëherë të gjithë familjet dhe njerëzit në nevojë. Të mbështesë sipërmarrjen në vështirësi mbijetese, biznesin e vogël, fermerët, fasonët, bizneset prodhuese dhe turizimin, pa përjashtuar askënd”.

“Shqiptarët që kanë paguar këto 7 vjet taksat ndër më të lartat në rajon, kanë sot nevojë për ndihmën që ju takon nga shteti. Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë”, tha në fund ai. /atsh

Basha me përfaqësuesit e PD-së: T’ju japim zë problemeve dhe halleve të qytetarëve Read More »

Veliaj: Basha, njeriu që ka humbur shumë shanse në jetë

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha sot se “Lulzim Basha është ndoshta njeriu që ka humbur më shumë shanse në jetë se kushdo tjetër dhe mund ta shfrytëzonte shumë mirë punën në bashki dhe në qeveri”.

“Më vjen keq për humbjet e tij në jetë. Ne jemi njohur kur kemi qene 20 vjeç dhe unë jam 40 sot. Jeta ikën shumë shpejt dhe nëse Perëndia apo zgjedhësit të japin një shans duke të zgjedhur duhet ta maksimizosh. Nuk mund të jetë nofka jote gjumash, nuk mundet pasi është një shans që i jepet 1 në një milionë dhe koha ikën shpejt”, tha ai, në një intervistë televizive.

Veliaj tha se përvoja si kryetar Bashkie është ndër më të bukurat në jetë. Ai ndër të tjera theksoi se është një profesion që të jep kënaqësi dhe nuk do e ndryshonte me asgjë.

“Përvoja si kryetar bashkie është më e bukura në jetën timë, të vdisja dhe të lindja 100 herë këtë punë nuk do e ndryshoja, është një ndër më të bukurat. Nuk më vjen në mendjen një profesion tjetër që një vendim që merr në mëngjes jep shumë impakt në darkë dhe se si një aktivitet që ndërmerr transformon jetën e vendit ku je rritur dhe ku ke kujtime”,tha Veliaj.

Ai komentoi edhe shembjen e godinës së Gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet e cila u dëmtua nga tërmeti. Ai theksoi se kjo ishte një ndër vendimet që i ka ngjallur shumë kujtime për kohën e kaluar në këtë godinë.

“Nëse nuk do të kisha shumë nostalgjinë dhe melankolinë e prishjes së shkollës ‘Sami Frashëri’ nëse nuk do të isha vetë aty. Sa veta në qytet mund të thonë se rindërtuan shkollën ‘Sami Frashëri’. Nostalgjia është njerëzore kujtimet, arkiva e memories janë gjëra njerëzore por tashmë nuk mund të mbetemi peng i së kaluarës, ajo ishte një shkollë që është ndërtuar në vitin ’62. Ishte një shkollë që kanë qenë presidenti Meta, ish-kryeministri Nano, kreu i PD-së Lulzim Basha, shkollë që ka prodhuar kampionë të olimpiada të shumta. Vitet e vështira 97’-98’ i kam kaluar në atë shkollë, ku mësimi bëhej ose në distancë ose me orë të shkurtuara. Në atë shkollë nuk mësoje vetëm në klasë por dhe nga dinamikat përreth”, është shprehur kryebashkiaku./atsh

Veliaj: Basha, njeriu që ka humbur shumë shanse në jetë Read More »

Berisha: Shqiptarët duhet të përgatiten për protesta të fuqishme

Ish-Kryeministri Berisha e cilësoi dhunim të paimagjinueshëm të kushtetutës, ndryshimet e fundit në kodin penal, të dekretuara edhe nga presidenti. “Shoh një dhunim të paimagjinueshëm të kushtetuës.

Kushteta është prek në nënet më kryesore të saj. Ka një nen 17, i cili thotë: Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e konventës europiane të të drejtave të njeriut.

Pasi i tejkaluan si deshën, pasi u denoncuan nga Këshilli i Europës, pastaj kërkuan tërheqjen nga Konventa Europiane.

Unë nuk jam kundër masave, por të siguroj unë ty që në kodin sanitar të Enver Hoxhës ky ligj ka qenë i njëjtë”, u shpreh Berisha.

I pyetur në studion e Opinion, lidhur me vendimim e presidentit për t’i firmosur këto ndryshime, Berisha tha:

“ Presidenti e ka firmos paketën, nuk jam dakord”. Ndërkohë lidhur me rolin e opozitës në këtë situatë, Berisha u shpreh: “Mendoj se detyra e opozitës është mbrojtja e të drejtave të njeriut. Në velrësimin tim duhet të jetë shumë më aktive, pasi ka një abuzim të paimagjinueshëm të të drejtave të njeriut. Shqiptarët duhet të përgatiten për protesta të fuqishme në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre. Ska asgjë më të shenjtë dhe më themelore për një opoiztë se mbrojtja e lirve të qytetarëve që sot po dhunohen barbarisht nga një skizoid që ska as ligj, as moral”.

Berisha: Shqiptarët duhet të përgatiten për protesta të fuqishme Read More »

Balla: Veç luftës me armikun e padukshëm, ka edhe një betejë me panikun që përhapin politikanë tipikë të së keqes

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “gjatë këtyre 6 javëve në Shqipëri përveç luftës me armikun e padukshëm, ka edhe një betejë me panikun që tentuan të përhapin përfaqësues politikanë tipikë të së keqes”.

“Në fillim kundërshtonin përdorimin e mjeteve të komunikimit në apelin për të qëndruar në shtëpi e ruajtur higjienën. Konferenca për shtyp nga divani e postime pa fund pse Kryeministri u kërkon njerëzve qëndroni në shtëpi e pse u thotë lani duart. Më pas filloi histeria e testeve masive, e që u rrëzua nga OBSH”, tha Balla.

Ai theksoi se “vetëasgjesimi i çdo norme njerëzore brenda opozitës rrugore degradoi në akuza për “fshehjen” e vdekjeve dhe pasojave të epidemisë”.

“Një betejë e palogjikshme dhe pa asnjë argument, por vetëm si një alternativë kundër stabilizimit të kurbës”, tha Balla.

Tani mesa duket, vijoi ai, “vetë kasandrat e opozitës, kanë pranuar që dështuan në fazën e parë dhe kanë nisur një betejë të re, atë të përhapjes së panikut ekonomik dhe social me të cilin do të përballemi”.

“Eshtë një ish-deputete e Partisë Demokratike që është bërë e njohur në publik vetëm si “kasandër”. E ka nisur tek Unaza e Re, kur shpikte të vdekur nga ndërhyrja e policisë, ka vazhduar në Durrës me tërmetin dhe është shfaqur rregullisht gjatë epidemisë, si lajmëtare vdekjesh dhe vuajtesh të mëdha. Për turp mundohen të përdorin këtë flamë të paparë si koronavirusi, par të shpërndarë panik, nxitur ankth, kërkuar rrëmujë, apo demoralizuar mjekët dhe infermieret”, deklaroi Balla, duke iu referuar deklaratave të ish deputetes demokrate Orjola Pampuri./atsh

Balla: Veç luftës me armikun e padukshëm, ka edhe një betejë me panikun që përhapin politikanë tipikë të së keqes Read More »

“Para epidemisë kishim vetëm të papunë, tani kemi punëtorë e të varfër që duhen paguar”/ Vaj medet PD 7X7

“Para epidemisë kishim vetëm të papunë e të gjithë kishin ikur nga Shqipëria! Tani paskemi vetëm punëtorë e të varfër që duhen paguar”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama.

Duke reaguar ndaj deklaratave të PD-së, Rama tha se “po t’i mbledhësh siç i numëron PD bëhen 2 milionë”.

“Para epidemisë kishim vetëm të papunë e të gjithë kishin ikur nga Shqipëria! Tani paskemi vetëm punëtorë e të varfër që duhen paguar, po t’i mbledhësh siç i numëron PD bëhen 2 milionë! Plus fëmijë, studentë, pensionistë, shtëpiake, s’paska ikur kush nga Shqipëria. Vaj medet PD 7X7?”, tha Rama./atsh

“Para epidemisë kishim vetëm të papunë, tani kemi punëtorë e të varfër që duhen paguar”/ Vaj medet PD 7X7 Read More »

Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Spiropali: Garanci për jetën e qytetarëve, në dy javët e ardhshme lehtësim i masave

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit dhe Zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali, tha se shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore ishte e rëndësishme për garantimin e jetës së qytetarëve, aq sa është e rëndësishme marrja e masave lehtësuese për të patur një dëm sa më të vogël në ekonomi.

Në një komunikim në TV, Spiropali tha se “pikërisht për të ruajtur jetën e qytetarëve dhe për të garantuar që ekonomia të vazhdojë punë të ndizet e funksionojë normalisht, për të patur një dëm ekonomik sa më të vogël, ne duhet patjetër ta votonim shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe duhet patjetër të respektojmë ligjet sipas Kodit të ri Penal”.

“Shqipëria do jetë në gjendje të fatkeqësisë natyrore, që do të thotë se do të funksionojë me një set rregullash, masash, ligjesh që janë të posaçme për gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më tani. Pra qeveria mund të kufizojë daljen e qytetarëve me fasho siç është bërë më tani, mund të mbyllë biznese të caktuara nëse kanë rrezikshmëri. Pra gjendja që kemi qenë deri më tani, ama nuk do jemi siç kemi qenë në mbyllje totale dhe karantinim, sepse ne kemi një plan të hapjes së mëtejshme me radhë me përshkallëzim të bizneseve të vogla që ndihmojnë ekonominë familjare, të rritjes së fashës së lëvizjes me dy orë e gjysmë e në vazhdim, pra dy javët e ardhshme do jetë një hapje e ngadalësuar e masave dhe lirimit të tyre”, u shpreh Spiropali.

Në lidhje me qëndrimet kundër shtyrjes sot në Kuvend të gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga opozita e re, dhe deklarimet e deputetit Murrizi, Spiropali tha se “opozita e re foli shumë për dashurinë mes liderëve, Presidentit dhe Kryeministrit, por harroi se ne nuk jemi në kohë dashurie, por ne jemi në kohë kolere, në kohë flame dhe nuk e kemi mendjen për të tilla histori”.

“Ajo që ata kritikojnë është në fakt një vendim krejt normal i Presidentit të Republikës për të bashkëpunuar për ndryshimet në Kodin e ri Penal, një domosdoshmëri e plotësimit të së drejtës tonë penale që kishte mangësi të theksuara për sa i përket gjendjes së epidemisë apo gjendjes të fatkeqësisë natyrore. Do kemi kohë për t’u kthyer nga lufta te dashuria e te paqja. Kjo nuk është koha. Presidenti ka bërë një akt normal të kreut të shtetit, pra ka dekretuar një ndryshim në Kod Penal që është i domosdoshëm në një kohë të tillë”, tha Spiropali.

Në lidhje me riatdhesimin e shqiptarëve, Spiropali tha se “të gjithë japin mend se si duhet trajtuar virusi. Ca flasin për teste, ca flasin të mbyllen nëpër shtëpi dhe ne nuk kemi ndërmend të dëgjojmë njerëz që nuk marrin vesh për ketë punë sepse ne këshillat i marrim me Komitetin Teknik të Ekspertëve dhe nuk kemi ndërmend të dëgjojmë amatorë, kur kemi shkencëtarë dhe doktorët që marrin këto vendime”.

“Virusi ka një fazë inkubacioni, nuk është e lehtë të përcaktohet, duhet të rrinë 14 ditë të mbyllur. Ne nuk mund të shkojmë shtëpi në shtëpi për të ruajtur qytetarët sepse janë me mijëra që po riatdhesohen, kjo është gjetja më e mirë, por dhe një praktikë që po e bëjnë edhe vendet e tjera”, tha ajo.

Po ashtu, Spiropali tha se “ne i mirëpresim shqiptarët, kushtet janë të mira, hotelet janë negociouar nga qeveria dhe ministri i Turizmit. Duhet të rrinë aty 14 ditë dhe më pas mund të dalin për të takuar familjarët e tyre”. /atsh

Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Spiropali: Garanci për jetën e qytetarëve, në dy javët e ardhshme lehtësim i masave Read More »

Basha: Qeveria e paaftë për t’u përballur me krizën

Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha sot se qeveria është e paaftë për t’u përballur me krizën.

I ftuar në një emision televiziv për situatën e pandemisë, Basha tha se “ka një paradoks të jashtëzakonshëm me atë që ka ndodhur sot. Sot ka zyrtarisht ka 29 të infektuar kaq sa ishin edhe në 4 prill. Pra, ndërkohë që 6 javë i është kërkuar shqiptarëve sakrificë duket se kurba e infeksioneve jo vetëm që është po aq e destabilizuar sa gjuha dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit, por karantina dhe vetizolimi, distancimi social që qytetarët ç’është e vërteta e kanë respektuar me rigorozitet të lartë nuk po jep frytet. Pse?! Sepse qeveria nuk po bën detyrat”.

“Sepse nga njëra anë lihen bombat me sahat që kemi 1 muaj që i paralajmërojmë, si fasoneritë të cilët shpërthejnë dhe pastaj përhapin infeksione në territore të tëra. Kruja, Kurbini, janë dy territore që janë shtuar në numra të frikshëm të infektuarish, pse? Sepse qeveria nuk e zgjidhi qesen për të paguar një minimum jetik për punonjëset, për nënat, për vajzat e këtyre fasonerive. Sepse e ka mendjen që këto para të vazhdojë të ja japë oligarkëve. Ku janë lekët e shqiptarëve? Se këto nuk janë lekët e Edi Ramës, këto janë lekët e taksave të shqiptarëve. Si asnjë popull tjetër në Ballkan, shqiptarët në 7 vite të qeverisjes së Edi Ramës kanë parë t’u rriten taksat nga viti në vit, kanë parë faturat t’u rriten nga viti në vit. Tani që kanë nevojë për këto para që janë paratë e tyre, tani që kanë nevojë për ndihmën e shtetit, tani shteti zhduket apo bën vetëm propagandë dhe pastaj bëjnë zgjatje të gjendjes së emergjencës”, tha ai.

Basha tha se qeveria nuk bën mjaftueshëm testime dhe s’ka marrë asnjë masë.

“Shqipëria bën 5 herë më pak teste se Maqedonia, pasi nuk u përgatit në kohë për situatën. Pse rekomandimet e OBSH-së në Shqipëri u zbatokan 5 herë më pak se në Maqedoninë e Veriut?! Jo, jo. E para e punës kjo ndodh, sepse këta nuk kanë mjaftueshëm kite testimi dhe kjo është arsyeja përse prej 2-3 javësh unë i kam kërkuar ndërkombëtarëve dhe në veçanti SHBA, BE, por edhe OBSH – që të na ndihmojnë në këto sektorë prioritarë, në veçanti tek testimi. Këta akoma nuk mjaftueshëm kite testime. Shpresoj se me ndihmën e partnereve tanë të arrijmë, por këta s’kanë bërë asgjë në këtë drejtim. Kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë masë dhe ka gënjyer se tha ‘i kam ndërmarrë masat’”, tha ai.

Basha shton se “në qoftë se do të bëhej testim i mjaftueshëm, sa më shumë testohet, aq më shumë të infektuar dalin. Aty ku rritet testimi, rritet edhe numri i zbulimeve. Por kjo do të tregonte, do të nxirrte në pah atë që çdo shqiptar Shqipëria është vendi ku qeveria nuk ka ngritur as gishtin më të vogël për të ndihmuar familjet, për të ndihmuar bizneset, por i ushqen me lugë bosh dhe i ushqen me të dhëna të rreme. Pse? Pikërisht për të fshehur dështimin e saj total në përballimin e kësaj krize”, tha ai. /atsh

Basha: Qeveria e paaftë për t’u përballur me krizën Read More »

Presidenti Thaçi i nënshtrohet një operacioni

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është operuar sot në Klinikën e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Presidenca njofton se operacioni ka kaluar me sukses dhe Thaçi është në kujdesin e personelit mjekësor.

Në njoftimin e presidencës thuhet se Thaçi i është nënshtruar sot një intervenimi endourologjik.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës.

Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional.

Pas përfundimit të këtij intervenimi, presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për profesionalizmin dhe kujdesin e stafit profesional në Klinikën e Urologjisë dhe në tërë SHSKUK-në, thuhet në njoftim./KosovaPress/

Presidenti Thaçi i nënshtrohet një operacioni Read More »