Politike

Basha: E ardhmja europiane e Shqipërisë varet nga zbatimi i kushteve

Partia Demokratike është e angazhuar për procesin jetik të integrimit europian.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, shpërndau një postim të Kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen për prioritetet kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor: sundim i ligjit, vlera demokratike, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e Bashkimit Europian kundër COVID-19 dhe për solidaritetin për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, Basha theksoi rëndësinë që kanë për vendin zbatimi i prioriteteve kyçe të Samitit të Zagrebit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë Samitit të EPP në Zagreb rikonfirmova angazhimin e PD për procesin jetik të integrimit europian dhe udhërrëfyesit të qartë prej 15 kushtesh. E ardhmja jonë europiane varet nga zbatimi i këtyre kushteve”, u shpreh kreu i opozitës.

Në njoftimin e PD thuhet se, qëllimi kryesor i PD dhe i opozitës në Shqipëri janë zgjedhjet e lira e të ndershme, të pandikuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar me mbështetjen e qeverisë aktuale./atsh

Basha: E ardhmja europiane e Shqipërisë varet nga zbatimi i kushteve Read More »

Kur e bardha bëhet e zezë dhe s’ka asgjë në mes, mbetet vetëm një “merr e jep” shterpë mbi lirinë e medias

“Shqipëria është vendi me indeksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama duke iu referuar Raportit të “Freedom House”.

“Kur e bardha bëhet e zezë dhe s’ka asgjë në mes, mbetet vetëm një “merr e jep” shterpë mbi lirinë e medias, që ka pa diskutim të gjithë lirinë e të drejtat të thotë ç’i vjen për mbarë dhe ankohet gjithnjë për mungesë lirie, sa herë të tjerët, përfshirë edhe mua, ushtrojnë të drejtën e tyre të kundërshtimit ndaj të pavërtetave apo gjysmë të vërtetave të saj, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”, thekson Rama.

“Sot një gazetar i dëshpëruar për Shqipërinë që paskej rënë teposhtë, e fundit në Ballkan sipas tij, në Raportin e “Freedom House” për lirinë, donte të dinte sa më vriste mua ndërgjegjja për këtë lajm të zi! Mirëpo ja çfarë del në fakt nga raporti që mat lirinë demokratike në 195 shtete të botës qysh prej vitit 1973: Shqipëria është vendi me indeksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor”, nënvizon Kryeministri.

Duke iu referuar raportit, Rama thekson se Shqipëria ka një indeks të lirisë prej 67 pikësh.

“Në krahasim me një vit më parë, Shqipëria ka një indeks të lirisë demokratike prej 67 pikësh. Serbia, vendi i dytë në klasifikimin rajonal, ka shënuar një regres të lehtë duke kaluar nga 67 në 66, një pikë poshtë Shqipërisë. Maqedonia e Veriut renditet e treta, me 63 pikë, ndërsa Mali i Zi ka pësuar rënien më të madhe në rajon, duke zbritur në 62 pikë nga 65 që kishte vitin e shkuar. Kosova mbetet e parafundit në listë, por me një progres prej dy pikësh (56 pikë nga 54 të vitit të kaluar), ndërsa Bosnja është në një stanjacion të plotë, duke qëndruar në vendnumëro, e fundit për sa i përket lirive demokratike në rajon. Në 2013-n, Serbia dhe Mali i Zi konsideroheshin vende të lira dhe jo pjesërisht të lira si tani, ndërsa Shqipëria me Bosnjë-Hercegovinën ishin vendet me renditjen më të ulët në rajon”, shprehet ai.

Kryeministri shton se “po, e vërtetë, kemi rënë me një pikë krahasuar me vjet dhe mund të kishim rënë edhe më shumë nëse klima e zjarrtë politike do të kishte djegur, largqoftë, vendin, siç ishte plani i dështuar i trazirave të vjetshme, të cilat u projektuan për t’i vënë zjarrin Shqipërisë dhe dogjën opozitën”. /atsh

Kur e bardha bëhet e zezë dhe s’ka asgjë në mes, mbetet vetëm një “merr e jep” shterpë mbi lirinë e medias Read More »

“BE gati të hapë negociatat me Shqipërinë”/ Varhelyi: “Korsitë e gjelbra” për lëvizjen e lirë të mallrave në rajon, sinjal pozitiv shumë premtues

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi deklaron se “në samitin virtual të BE me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do duhet të dërgohet një sinjal i qartë: BE kërkon të investojë në mënyrë strategjike me gjithë krizën e Coronës”.

Në një intervistë për DW, Varhelyi tha se “samiti trajton të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju e dini, që Ballkani është një rajon me diversitet. Kemi dy shtete, me të cilat ne negociojmë për anëtarësimin. Po ashtu kemi dy shtete, me të cilat kemi vendosur të fillojmë negociatat. Kemi edhe dy shtete të tjera, që as nuk janë kandidatë. Zgjerimi pra është vetëm një element. Natyrisht që do të jetë temë. Bëhet fjalë për perspektivën europiane, që është një fjalë tjetër për zgjerimin. Por edhe për vendime strategjike, që duhet të marrim për Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Varhelyi tha se, “BE është gati. Në mars pati një përkushtim të qartë, kur të gjithë miratuan fillimin e negociatave. Jam shumë optimist, se do ta bëjmë këtë. Mendoj, se këto gjëra janë pjesë e kulturës europiane të negociimit, që herë pas here ka si hapa mbrapa edhe progres. Por në fund vlen rezultati. Nëse i shikoni arritjet e këtij Komisioni Europian, atëherë do të dalloni, që ne e kemi vënë Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin sërish në axhendën e ditës. Krerët në BE do të merren me këtë, madje në mesin e krizës së Coronës. Mendoj, se ky është një konfirmim i qartë nga ana e BE”.

I pyetur nëse ka një datë konkrete për fillimin e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, Komisioneri për Zgjerimin tha se, “më kuptoni, me krizën e Coronës në rend të ditës është shumë e vështirë që t‘ju japim tani një datë. Por mund t’ju siguroj, se ne nga ana jonë punojmë fort, shumë fort që të përgatisim raportin vjetor të zgjerimit. Aty ne do të bëjmë një propozim për kuadër konkret të negociatave. Ky është hapi i parë drejt negociatave të vërteta. Komisioni Europian nuk humbet kohë, për të çuar përpara sa më shpejt të jetë e mundur procesin”.

I pyetur sesi po e ndryshon pandemia e Coronës strategjinë dhe politikën në drejtim të Ballkanit, Varhelyi tha se, “besoj, se pandemia e ka përforcuar angazhimin tonë për Ballkanin Perëndimor. Nëse shikoni, se çfarë po bëjmë aty, e kuptoni që kemi nisur ndihmë konkrete në të gjashtë shtetet. Kemi kërkuar që nga dita e parë kontakt për të ndihmuar në këtë krizë. Elementi i dytë i rëndësishëm është natyrisht nevoja që të investojmë në rajon në mënyrë strategjike. Kjo vlen si për politikën edhe për ekonominë. Nga ana ekonomike ne mundemi e duhet të bëjmë më shumë. Shpresoj, që në këtë drejtim nga samiti mundësisht të vijnë mesazhe të qarta të krerëve të shteteve e qeverive”.

I pyetur se kur do të marrë një zgjidhje konflikti mes Kosovës dhe Serbisë për kufijtë dhe shtetin, Varhelyi tha se, “besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi. Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. “Korsitë e gjelbra” që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë”.

I pyetur nëse është SHBA konkurrencë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Varhelyi tha se, “shikoni këtu nuk bëhet fjalë për një garë. Ky problem është shumë më i rëndësishëm, se pyetja, se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negociimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Për sa i përket kontributit tim, jam më se i gatshëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem sa më shumë të jetë e mundur”.

I pyetur se çfarë perspektive shikon për Bosnje-Hercegovinën sa i përket zgjerimit, Varhelyi tha se, “qeveria e re ka marrë vendime serioze, që me ardhjen e saj. Para disa ditësh qeveria ia ka dalë, të bjerë në ujdi për 14 detyra prioritare, që duhet të përmbushen, para se Bosnja të jetë një vend kandidat. Ne kishim ofruar një listë me 14 kërkesa, që duhen plotësuar në rrugën e anëtarësimit, kemi miratuar edhe një plan kohor. Kjo më jep shpresë, që po ecet përpara dhe se me qeverinë ne Bosnje-Hercegovinë shpejt do të futem në bisedime”.

I pyetur nëse do të përsëritet Samiti i Zagrebit në një takim të vërtetë, Varhelyi tha se, “e rëndësishme tani është që krerët e shteteve dhe qeverive kanë vendosur të mbajnë takimin, me gjithë situatën, edhe pse është një takim virtual. Ky është një sinjal për të gjithë, jo vetëm për rajonin, që ne e kemi vërtet seriozisht, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ne e shohim atë si një prioritet europian. Natyrisht, do të ishte shumë e rëndësishme të ulemi në një tavolinë, nëse flasim për planin për investime ekonomike pas krizës. Shpresoj që këtë ta bëjmë së shpejti”./atsh

“BE gati të hapë negociatat me Shqipërinë”/ Varhelyi: “Korsitë e gjelbra” për lëvizjen e lirë të mallrave në rajon, sinjal pozitiv shumë premtues Read More »

Krerët e lartë të shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit, vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”

Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama, vendosën sot kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.

Në ceremoninë e nderimit, krerët e lartë të shtetit në tingujt e himnit kombëtar përkujtuan Dëshmorët e Kombit në “Varrezat e Dëshmorëve”.

Në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, në Varrezat e Dëshmorëve këtë vit nuk ishin të pranishëm autoritete të tjera shtetërore apo familjarë të Dëshmorëve, por vetëm u vendosën kurora nga personalitetet e larta shtetërore.

Më herët, edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, në nderim të kapiten Feti Voglit, të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish-ambasadën sovjetike, ne varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ishte në “Varrezat e Dëshmorëve” në qytetin e Elbasanit për të kujtuar në këtë 5 maj Dëshmorët e Atdheut. Balla tha se “sot kujtojmë gjithashtu edhe dëshmorët e rënë nga radhët e Forcave tona të Armatosura në misionet ndërkombëtare, dëshmorët nga radhët e Policisë së Shtetit”./atsh

Krerët e lartë të shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit, vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” Read More »

5 Maj/Ruçi: Dëshmorët, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi me rastin 5 Majit, i ka konsideruar Dëshmorët e Atdheut, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror.

Në mesazhin e tij, Ruçi shprehet se Dita e Dëshmorëve të Atdheut është ndër ditët më të shënuara të kombit, vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë .

“Është dita kur Shqipëria përkujton vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që janë flijuar për lirinë dhe mbrojtjen e saj. Çdo komb krenohet me të rënët për lirinë. Nuk ka virtyt më të lartë për një shoqëri se sa nderimi për dëshmorët. Dëshmorët nuk janë thjesht krenaria e të kaluarës, ata janë mesagjerët e të ardhmes. Qëndrimi ndaj dëshmorëve është shenjë e emancipimit dhe qytetërimit të shoqërisë. Çdo kohë ka pasur luftëtarët, vetëmohuesit dhe dëshmorët e saj. Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është kujtesë e luftërave çlirimtare të popullit shqiptar dhe dëshmorët e saj janë legjionarët e legjonarëve të lirisë dhe progresit shoqëror. Jeta e tyre është shkrirë në jetën e Shqipërisë. Heroizmi i tyre e fisnikëroi më tepër Shqipërinë. Sot buqeta me lule të freskëta në Monumentin “Nënë Shqipëri” është përbetimi se Shqipëria meriton gjithçka dhe është mbi gjithçka”, shprehet ai.

Po ashtu, Ruçi tha se vite më parë e kujtonim këtë ditë me me nënat e tyre, sot me nipat dhe stërnipat.

“Vite më parë, i përkujtonim dëshmorët bashkë me nënat e tyre. Sot kemi midis nesh mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Kjo është dialektika e jetës. Familjet shqiptare do të ruajnë përjetësisht kujtimin dhe nderimin për të rënët për atdheun dhe lirinë. Unë jam krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, familjet dhe organizatat e tyre”, tha ai.

“Sot shërbimi për atdheun kërkon mbrojtjen e jetëve njerëzore dhe ne i jemi kushtuar me gjithçka”, shprehet kryeparlamentari Ruçi, në mesazhin e tij me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut. /atsh

5 Maj/Ruçi: Dëshmorët, legjionarët e lirisë dhe progresit shoqëror Read More »

Meta dekreton 4 ligje

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dekretuar sot 4 ligje të miratuara së fundmi në parlament.

Presidenti Meta dekretoi sot shpalljen e ligjin për mbrojtjen e biodiversitetit si dhe ligjin për ndryshimet dhe shtesat në ligjin për standardizimin.

Konkretisht presidenti Meta dekretoj shpalljen e ligjit për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, ligjin “Për ratifikimin e protokollit shtesë 6 mbi tregtinë e shërbimeve të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Europës Qendrore” si dhe ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për një hua shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për zhvillimin ekonomik arab për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës.

Gjithashtu, Presidenti dekretoi shpalljen e ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. “Për standardizimin”, të ndryshuar”. /atsh

Meta dekreton 4 ligje Read More »

Meta: Beteja e parë dhe e fundit e çdo presidenti është mbrojtja e Kushtetutës

“Beteja e parë dhe e fundit e çdo presidenti është mbrojtja e Kushtetutës”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta.

Në një intervistë, Meta u shpreh se, “unë në çdo kohë përpiqem të bëj gjënë e duhur. T’i qëndroj fort bindjeve të mia dhe detyrës sime, pavarësisht se cila është ajo në kuptimin e institucionit që përfaqësoj. Por është e padiskutueshme që në të gjitha kohët, edhe nëse ka pasur luftë apo jo, nuk i kam zgjedhur unë: – ato kanë qenë të imponuara, – kanë vënë në diskutim bindjet e mia dhe detyrën time, ndaj edhe unë nuk u jam shmangur asnjëherë. Pra gjithmonë unë kam qenë një kërkues i bashkëpunimit, në respekt të Kushtetutës, në përmbushje të objektivave të integrimit evropian të vendit, të çështjeve më madhore”.

Meta theksoi se, “kjo është beteja për mbrojtjen e Kushtetutës që është beteja e parë dhe e fundit e çdo Presidenti për sa kohë ai është në detyrë”.

I pyetur nëse është kjo beteja më e fortë në të gjithë karrierën e tij, Meta tha se, “nuk e di, se nuk mendoj që jemi në fund të karrierës, kështu që… Do të dëshiroja që të ishte e fundit në kuptimin e rivendosjes së normalitet kushtetues, ligjor, politik, ekonomik, shoqëror në vend, sepse kur bëhet fjalë për betejën për mbrojtjen e Kushtetutës, nuk bëhet fjalë thjesht për të mbrojtur një dokument, por bëhet fjalë për të mbrojtur të gjitha liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, cenimi i të cilave i detyron ata që të zbrazin vendin tonë siç praktikisht ka ndodhur dhe po ndodh”.

I pyetur mbi sjelljen e tij nga protesta e 2 marsit, Meta tha se, “ne duhet të jemi në koherencë me të gjitha zhvillimet dhe me të gjithë sfondin e ngjarjeve, ku kanë ndodhur edhe qëndrimet apo sjelljet politike që mund të duken jo shumë koherente, ndërkohë që koherenca jam i sigurt që është e plotë, ndërkohë sikurse është përgjegjshmëria në adresimin e sfidave më të mëdha”.

“Me vendosjen e gjendjes së situatës së jashtëzakonshme, sikurse është kjo situatë për shkak të pandemisë, padyshim që përballimi në një mënyrë sa më mbarëvajtëse dhe bashkëpunuese të kësaj situate, ka qenë dhe mbetet detyra më kryesore e të gjithëve mendoj unë, jo vetëm e Presidentit të Republikës, jo vetëm e qeverisë që padyshim ka më shumë detyra, duke përfaqësuar tërësisht ekzekutivin, por edhe e opozitës, edhe të gjithë grupeve të interesit dhe vetë qytetarëve”, theksoi Meta.

“Kështu që sjelljet e mia duhen parë gjithmonë në këtë kontekst, të interesit më të mirë të përbashkët për ta tejkaluar këtë situatë dhe gjithmonë unë kam bërë thirrje që edhe në këtë situatë duhet të ruajmë ligjshmërinë, duhet të respektojmë kushtetutshmërinë, sepse Kushtetuta jonë i ka parashikuar edhe këto raste të jashtëzakonshme, të veçanta, në mënyrë që të ruajmë edhe shëndetin e qytetarëve, por edhe një balancë me ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive të tyre, pavarësisht se disa prej tyre edhe mund të kufizohen, pikërisht për të mbrojtur shëndetin e tyre”, u shpreh Meta.

I pyetur se çfarë do të ndodhë pas kërkesës së paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor për ndërprerjen e mandatit të Ardian Dvoranit, Meta tha se, “se çfarë do të ndodhë, kjo është diçka tjetër që nuk varet vetëm nga unë. Së pari duhet të keni parasysh konsideratën në qoftë se e keni lexuar të plotë kërkesën që Institucioni i Presidentit i ka bërë Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo vetëm atij, por edhe Gjykatës së Lartë, Kuvendit të Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese”.

“Është e qartë se mandati i zotit Dvorani ka përfunduar që prej shtatë vitesh, kur kryetari i Gjykatës së Lartë i asaj kohe i ka dërguar njoftimin zyrtar Presidenti të Republikës së asaj kohe, zotit Nishani për përfundimin e mandatit të tij dhe për zëvendësimin e tij. Bazuar mbi këtë akt, Presidenti Nishani konform Kushtetutës ka propozuar emrin e një gjyqtari tjetër për të zëvendësuar pikërisht zotin Dvorani”, theksoi Meta.

“Kjo gjë nuk ka ndodhur, sepse në atë kohë Kuvendi nuk e ka miratuar gjyqtarin tjetër. Dhe për shkak të shumë arsyeve të tjera që janë aty në letër, si dhe për faktin që Gjykata e Lartë u zbraz dhe mbeti vetëm me një anëtar në detyrë, por që i kishte përfunduar mandati, kemi këtë situatë të paprecedentë ndoshta në të gjithë kontinentin tonë, por menjëherë me zgjedhjen e të parit anëtar të Gjykatës së Lartë dhe dekretimin e tij, mandati i tij është në çdo aspekt i shuar apo i përfunduar, nga ana kushtetuese, ligjore, morale, justifikuese, e kështu me radhë”, u shpreh Meta.

“Për më tepër, të mos harrojmë se nuk është një, por kemi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kështu që për mua kjo është një çështje tepër e qartë dhe e shteruar në mënyrë tepër objektive në letrën që unë u kam dërguar KLGJ-së dhe institucioneve të tjera”, nënvizoi Meta.

I pyetur se si i përgjigjet atyre që thonë se largimi i Dvoranit është pjesë e marrëveshjes me zotin Rama, Presidenti Meta tha se, “zero marrëveshje, nga ana ime në respektin e Kushtetutës, të ligjeve! Dhe sidomos të Kushtetutës, sepse ajo është mbi çdo ligj dhe për fat të keq ne kemi nxjerrë gjatë kësaj kohe mjaft ligje që dalin mbi Kushtetutën dhe që është një çmenduri! Është sikur në ushtri të dalë një kapter mbi gjeneralin! Apo në diplomaci që një atashe ambasade të dalë mbi ambasadorin, sepse kështu është e ndërtuar e gjithë arkitektura e shtetit ligjor”.

“Megjithatë, këto gjëra, për fat të keq këto gjëra kanë ndodhur në vendin tonë dhe ne kemi mjaft probleme në funksionimin e shtetit ligjor, sepse ka humbur respekti mbi Kushtetutën. Kushtetuta është mbi çdo gjë, edhe mbi gjithçka. Kështu që nuk ekziston dhe nuk ka asnjë arsye që të ketë një marrëveshje mbi këtë gjë, sepse këto janë çështje që zgjidhen nga vetë Kushtetuta, dhe ligjet në respekt të Kushtetutës, jo në dhunim të Kushtetutës, sepse secili duhet të bëjë detyrën e tij”, përfundoi Meta./atsh

Meta: Beteja e parë dhe e fundit e çdo presidenti është mbrojtja e Kushtetutës Read More »

Rama komentuesve: Jeni padiskutim më të vështirë në debat se ata që ju përfaqësojnë në mexhelis, Grupi 7X7=42

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot komentuesve në rrjetet e tij sociale duke theksuar se “nuk ka asgjë personale me askënd, thjesht debatoj, pa dorashka, me ata që sulmojnë e shpeshherë shajnë e fyejnë pa frena fare”.

“Miq. Kush nga ju ka menduar se e kam fyer në replikat e mia këtu, ndjesë! Nuk është kurrë ky qëllimi dhe as arsyeja pse unë replikoj me ju në këtë faqe, qofshin edhe urrejtësit e mi më të mëdhenj ata që kundërshtoj! Unë s’kam kurrësesi asgjë personale me askënd, thjesht debatoj, pa dorashka, me ata që sulmojnë e shpeshherë shajnë e fyejnë pa frena fare, se përndryshe pse na duhet kjo faqe! Disa thonë që tallem, por jo, kurrësesi, përndryshe nuk do harxhoja asnjë sekondë me replika e me bam e bume këtu…”, tha Rama.

Disa thonë, vijoi ai, “s’bëjnë kryeministrat kështu, por jo, unë vërtetë jam përkohësisht kryeministër, por s’kam qenë e s’do jem asnjëherë asgjë tjetër përveçse ai që kam qenë dhe ky që jam”.

Rama tha se “ka dhe disa demokratikas të paepur, që kujtojnë se bëjnë lufte politike me mua këtu e shajnë e nuk pushojnë, mendim ndryshe thonë, por jo, sharja s’është mendim fare apo jo?!”

“Megjithatë as ata s’dua t’i bëj të ndjehen keq! Në asnjë mënyrë! Debati me tërheq shumë dhe të ma bëjnë hallall, kur s’e kam dot me ata që demokratikasit e kësaj faqeje votojnë, sepse janë pa lidhje të votuarit e tyre, s’kam me kë e bëj tjetër përveçse me ta direkt debatin politik – meqë ra llafi, jeni padiskutim më të vështirë në debat se ata që ju përfaqësojnë në mexhelis, Grupi 7X7=42 e kam llafin. Nejse, s’po e zgjas më tutje. Përqafime pa parti”, tha Kryeministri./atsh

Rama komentuesve: Jeni padiskutim më të vështirë në debat se ata që ju përfaqësojnë në mexhelis, Grupi 7X7=42 Read More »