Politike

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesat 3 shtetasve të dënuar më parë

Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur sot kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 3 shtetasve me precedentë penalë.

Kështu OFL i ka nisur kërkesën me shkrim shtetasit M. M., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.

Gjithashtu OFL i ka nisur kërkesën me shkrim shtetasit I. D., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.

Po ashtu, OFL i ka nisur kërkesën me shkrim shtetasit E. D., banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL bën të ditur se, është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL gjithashtu do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./atsh

Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u nis kërkesat 3 shtetasve të dënuar më parë Read More »

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar për herë të parë dy ditë pas publikimit të aktakuzës me dhjetë pika nga Prokuroria e Specializuar në Hagë ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Me një citim në shqip dhe në anglisht, Presidenti Thaçi thekson se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës! Nobody can rewrite the history of Kosova!”, deklaron Presidenti i Kosovës, Thaçi krahas emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi dy ditë më parë se i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Pas këtij njoftimi, Presidenti Thaçi anuloi pjesëmarrjen e tij në takimin e parashikuar për dialogun me Serbinë që do të mbahej më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Pas vendimit të Thaçit, edhe Kryeministri Avdullah Hoti anuloi udhëtimin e tij drejt SHBA-së duke kërkuar shtyrjen e këtij takimi./atsh

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës Read More »

“Nuk ndërhyj asnjëherë në politikën e brendshme të Kosovës”/Rama konfirmon takimin e Hotin

Kryeministri Edi Rama konfirmoi mbrëmjen e sotme se në 3 korrik do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Me Hotin nuk jemi njohur nga afër, por unë e kam takuar, e kam ndjekur pak me thënë të drejtën dhe kam një pëlqyeshmëri të veçantë sepse hyjnë tek ata që nuk flasin kot. Flasin vetëm kur u duhet vërtetë të flasin dhe thonë gjërat me kompetencë për atë që flasin. Ky është shumë virtyt i madh në politikën shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se unë nuk ndërhyj asnjëherë në politikën e brendshme të Kosovës. “Kam pasur një debat fatkeq me Ramushin për shkakun që dihet, por unë asnjëherë nuk ndërhyjë në çështje të brendshme të partive në Kosovë dhe kurrë nuk mund ta imagjinoj se si kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve, të organizoj protesta në Prishtinë për të bërë zgjedhje apo për të ndaluar zgjedhje, apo të fusë hundët se si duhet të trajtohen të varfërit apo të pasurit. Këto nuk janë tema ndërshtetërore. Ne bëhemi qesharak kur bëjmë të tilla gjëra sepse jemi dy shtete dhe duhet të respektojmë shteti shtetin. Gjithmonë duke mos harruar se jemi vëllezër nuk duhet që të tregojmë se çfarë duhet bërë atje te shteti tjetër”, tha Rama.

Rama tha se me Albin Kurtin nuk ka pasur përplasje, por është metodikë e partisë së Albinit që bën edhe loje me dy porta. “Me ca këtu që dalin në protestë kundër qeverisë, ndërkohë që nga ana tjetër bisedohet qeveri me qeveri. Është një lloj amalgame që nuk shkon. Në qeverisje u soll në mënyrë korrekte në raport me normat”, tha Rama./atsh

“Nuk ndërhyj asnjëherë në politikën e brendshme të Kosovës”/Rama konfirmon takimin e Hotin Read More »

PS mbledh Këshillin Koordinues të Qarkut Tiranë/ Spiropali: Gati për të vërtetuar me votë se rruga e transformimit vazhdon

Këshillit Koordinues i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë zhvilloi sot mbledhjen e radhës për të ndezur motorët e fitores në 2021.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha sot se “Partia Socialiste është e ndërtuar mbi modelin e besimit, frymës dhe punës së njerëzve të zakonshëm”.

“Kjo forcë qëndron si konstrukt në vlerat më të mira të komunikimit, solidaritetit, barazisë gjinore dhe pjesëmarrjes rinore”, tha ajo.

Spiropali u shpreh se “Partia Socialiste ka barrën dhe privilegjin të edukojë politikisht me vlerat më të larta njerëzore e politike jo vetëm anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e saj, por edhe ata qytetarë shqiptarë që janë pre e çedukimit ku ka rënë ngarkesa e mjerë kulturore opozitare shpifëse dhe përçarëse, ku e vetmja pëlhurë e zbehtë ideologjike mbetet tribalizmi i pashoq dhe gjuha e urrejtjes”.

“Tirana, Kamza, Kavaja, Rrogozhina dhe Vora, janë gati për të vërtetuar me votë se rruga e transformimit vazhdon”, tha ajo./atsh

PS mbledh Këshillin Koordinues të Qarkut Tiranë/ Spiropali: Gati për të vërtetuar me votë se rruga e transformimit vazhdon Read More »

Kuvendi rrëzon dy dekrete të Presidentit

Kuvendi miratoi sot në seancë plenare tri projektrezoluta, tre akte normative, katër projektligjet e paketës penitenciare dhe një projektvendim.

Gjithashtu Kuvendi votoi kundër një projektligj dhe dy dekrete të Presidentit të Republikës.

Seanca e sotme plenare, çeli diskutimet me paraqitjen e raporteve të veprimtarisë vjetore të tre institucioneve të pavarura: KLP, KLGJ dhe ERE-s.

Rezoluta për KLP, u miratua me 92 vota pro 13 kundër dhe 7 abstenim.

Rezoluta për KLGJ u miratua me 91 vota pro, 13 kundër dhe 8 abstenim.

Rezoluta e Kuvendit për ERE, u miratua me 87 vota pro 14 kundër dhe 11 abstenim.

Seanca vijoi me shqyrtimin e tre akteve normative.

Akti Normativ “Për pajisjen e shtetasve shqiptare me pasaportë për jashtë shtetit” u miratua me 98 vota pro 10 kundër dhe 3 abstenim.

Akti Normativ “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” u miratua me 92 vota pro 11 kundër dhe 9 abstenim.

Akti normativ “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” u miratua me 94 vota pro 13 kundër dhe 5 abstenim.

Në vijim të rendit të diskutimeve, seanca shqyrtoi dhe katër projektligjet e paketës penitenciare.

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës”, u miratua me 91 vota pro 13 kundër dhe 4 abstenim.

Projektligji “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, u miratua me 87 vota pro 12 kundër dhe 6 abstenim.

Projektligji “Për Policinë e Burgjeve”, u miratua me 91 vota pro 8 kundër dhe 5 abstenim.

Projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, u miratua me 92 vota pro 9 kundër dhe 3 abstenim.

Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe të punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve, nëpunësve qe kanë ushtruar detyra drejtuese në periudhën 28.11.1944 – 08.12.1990”. Projektligji nuk u miratua në parim, me 72 vota kundër, 30 pro dhe 6 abstenim.

Seanca plenare e ditës së sotme votoi kundër dhe dy dekrete presidenciale:

Dekreti i Presidentit të Republikës “Për shërbimet e pagesave”, u rrëzua me 89 vota kundër, 14 pro dhe 7 abstenim.

Dekret i Presidentit të Republikës “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncensionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano Durrës, miratuar ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncensionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)” u rrëzua me 85 vota kundër 16 pro dhe 8 abstenim.

Në përfundim të punimeve të ditës së sotme, seanca mori në shqyrtim Projektvendimin “Për ngritjen e nënkomisionit për monitorimin e zbatimit të buxhetit të shtetit dhe kontrollin e tij, në përbërje të komisionit të përhershëm parlamentar për Ekonominë dhe Financat” i cili në përfundim të votimeve u miratua me 99 vota pro 5 kundër dhe 6 abstenim./atsh

Kuvendi rrëzon dy dekrete të Presidentit Read More »

“Të frikësuarit nga Reforma në Drejtësi janë në sulm”/ Kim: Udhëheqësit të sigurojnë që Kushtetuesja të jetë funksionale

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka publikuar sot një shkrim mbi vendimin e Komisionit të Venecias të cilin e sheh si një mundësi për të ecur përpara.

“Këtë javë, pata mundësinë të vizitoja Krujën, kështjellën e heroit të Shqipërisë, Skënderbeut. Përballë sulmesh të njëpasnjëshme nga forca ushtarake më e madhe e kohës, Skënderbeu nuk u dorëzua. Përkundrazi, bashkoi vendin, refuzoi të hiqte dorë, dhe në fund doli fitimtar pavarësisht të gjitha gjasave. Katër vjet më parë, parlamenti – në përgjigje të kërkesave të popullit shqiptar – miratoi Reformën në Drejtësi. Pavarësisht gjithçkaje, zbatimi ka pasur përparim real: shumica e institucioneve të kërkuara janë ngritur, vetingu ka larguar gjyqtarë dhe prokurorë që nuk shpjegojnë dot pasurinë e tyre, dhe gjyqtarë dhe prokurorë të rinj po trajnohen dhe merren në punë. Reforma në Drejtësi ka qenë e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që Shqipëria të sigurojë të ardhmen e saj si një anëtar edhe më me vlerë i NATO-s dhe anëtare e plotë e e Bashkimit Europian”, është shprehur Kim.

“Reforma në Drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarësinë. Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë”, ka theksuar ajo.

“Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë”, ka shtuar Kim.

“Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese”, ka nënvizuar ambasadorja Kim.

Kim thekson se, “është me rëndësi që as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit”.

Opinioni i Komisionit të Venecias hap një shteg përpara. Me qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të tanishëm, është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020. Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet. Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit”, ka nënvizuar ambasadorja Kim.

“Duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet dhe udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, për t’i dhënë qytetarëve Reformën në Drejtësi që iu detyrohen, dhe për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë”, ka shtuar Kim./atsh

“Të frikësuarit nga Reforma në Drejtësi janë në sulm”/ Kim: Udhëheqësit të sigurojnë që Kushtetuesja të jetë funksionale Read More »

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ktheu sot në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Në arsyet e kthimit të këtij ligji Meta shprehet se, “rregullimi i kuadrit normativ në këtë fushë me këtë ligj, duhet parë i lidhur me tre aspekte kryesore.

Së pari, lidhet me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.

Së dyti, lidhet me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale.

Së treti, lidhet me vetë disa problematika që paraqesin dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues”.

“Lidhur me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, Meta thekson se, “rregullimi i emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale edhe pse është një risi teknologjike që përmban anë pozitive, në kushtet akutale, për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve dhe standardeve që kërkojnë tregje të tilla të regjistrave të shpërndarë, mund të jetë një proces i parakohshëm për t’u miratuar dhe/ose për t`u zbatuar. Kjo për shkak të rreziqeve dhe anëve negative të përdorimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, që janë të shumta”, tha Meta.

“Ndaj, edhe në këtë rast, është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet. Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik”, shprehet Meta.

Lidhur me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale, Meta shton se, “të dhënat publike tregojnë se, në të gjitha vendet ka patur një shqetësim mbi rastet e shumta të mashtrimit nëpërmjet emetimit dhe tregtimit të tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale”.

“Miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare. Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja”, nënvizon Meta.

“Ndaj një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme”, thekson Meta./atsh

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” Read More »

Basha: Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj shkrimit të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim për vendimin e Komisionit të Venecias për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ripostuar Twitter-in e Ambasadës amerikane ku thuhet se, “duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet & udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre”.

“Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert e BE për shqiptarët”, ka theksuar Basha.

“Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese shërben për plotësimin e 2 prej 15 kushteve për hapjen e negociatave dhe për rikthimin e legjitimitetit në qeverisjen vendore”, ka nënvizuar Basha./atsh

Basha: Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vonon daljen nga kriza politike Read More »