Politike

Pandemia/ Basha takim me mjekë e specialistë të fushës: Vendi pa menaxhim të situatës

Situata për sa i përket përhapjes së COVID-19, ka dalë jashtë kontrollit”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në takimin e zhvilluar me mjekë dhe specialistë të fushës së bashku me departamentin e shëndetësisë në PD.

Basha tha se “numri i të infektuarve po rritet çdo ditë. Me dhjetëra ankesa vijnë nga familjarë, të cilëve iu është identifikuar një pjesëtar si i infektuar, ndërsa atyre nuk u bëjnë tamponin, duke zgjeruar kështu zinxhirin e infeksionit. Dështimi me menaxhimin e situatës çoi dëm sakrificën e 3 muajve izolim. Sot qytetarët po përballen me një rritje të numrit të viktimave, të të prekurve me COVID-19, shoqëruar dhe me krizën e rëndë ekonomike”.

“Vatrat kryesore të infeksionit tani janë spitalet dhe qendrat shëndetësore. Përhapja e virusit në spitale ka rritur ndjeshëm numrin e personelit mjekësor të prekur me COVID-19, si dhe infektimin e qytetarëve që marrin ndihmë për sëmundje të ndryshme. Virusi është evidentuar tashmë kudo, në polici, në kopshte e çerdhe, në zyrat e shtetit e kudo. Qeveria është dorëzuar dhe nuk po merr masa parandaluese, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve. Karantina 3-mujore shërbeu vetëm për vjedhjen e miliona lekëve përmes tenderave sekretë, pasi qeveria nuk mori asnjë masë për kujdesin ndaj qytetarëve pas lehtësimit të kufizimeve”, theksoi Basha.

“Kemi që në mars që presim përgjigje për këto pyetje: Sa është numri i kiteve të testimit që ka në dispozicion Shqipëria dhe çfarë po bëhet me sigurimin e tyre? Si po trajtohen të infektuarit që ndodhen në qytete të tjera të vendit”. A po mbështeten financiarisht mjekët dhe infermierët, që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte tejet të vështira? A ka qeveria në dispozicion fonde për të rritur kapacitetet testuese? Sot është jetik testimi horizontal i personelit dhe pacientëve për të gjurmuar, identifikuar sa më parë dhe izoluar të infektuarit. Situata është jashtë kontrollit por qeveria hesht, ndërsa duhet të kishte marrë masa për aktivizimin e një rrjeti të gjerë laboratorësh publikë e privatë për testet molekulare e imunologjike. Në kushtet e përkeqësimit të situatës nga COVID-19, Shqipëria është pa plan dhe pa masa për pajisjen e popullsisë me maska gratis ose me çmime të përballueshme”, tha ai. /atsh

Pandemia/ Basha takim me mjekë e specialistë të fushës: Vendi pa menaxhim të situatës Read More »

Meta takon Manastirliun: Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave, do të mundemi t’ia dalim së bashku

“Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, i cili zhvilloi sot një takim pune me kërkesë të tij me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, për sfidat aktuale të përballimit të pandemisë COVID-19.

Ministrja Manastirliu e informoi Presidentin Meta se në zbatim të strategjisë së hartuar dhe propozimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, janë marrë masat për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale, rritjen e kapaciteteve të testimeve, kapaciteteve spitalore dhe burimeve njerëzore.

“Strategjia që po ndjekim ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, – tha ministrja Manastirliu.

Kreu i Shtetit pasi e siguroi Ministren për solidaritetin dhe mbështetjen e Tij të plotë për institucionet shëndetësore, shprehu falenderim dhe mirënjohje për të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal në vijën e parë të frontit.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit të shëndetësisë me buxhetin e duhur, si dhe nevojën e rritjes së masave mbrojtëse për mjekët.

Kreu i Shtetit apeloi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit të ri turistik.

Në këtë kuadër, Presidenti Meta dhe ministrja Manastirliu theksuan domosdoshmërinë e vijimit të koordinimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit nënvizoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të COVID-19, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.

Presidenti Meta dhe ministrja Manastirliu theksuan se “është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të masave mbrojtëse, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”./atsh

Meta takon Manastirliun: Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave, do të mundemi t’ia dalim së bashku Read More »

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime

“Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, u shpreh ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, gjatë një takimi që zhvilloi mëngjesin e së hënës me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Kim theksoi se, “këto dy reforma janë të rëndësishme në funksion të forcimit të demokracisë dhe të përmirësimit të mjedisit të favorshëm për investime, qoftë të qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre amerikanë në Shqipëri”.

“Ju falënderoj për mbështetjen që ju jepni për SHBA-në këtu në Vlorë”, ju drejtua ajo kryebashkiakut Leli.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës vlerësoi vizitën e ambasadores Yuri Kim, duke e cilësuar atë shprehje të mbështetjes dhe të vlerësimit për qytetarët dhe qytetin e Vlorës.

“Vizita e një ambasadori të SHBA-së në Vlorë është rikonfirmim i marrëdhënieve të ngushta reciproke mes dy vendeve, një marrëdhënie shumëplanëshe për të cilën ne, shqiptarët jemi krenarë, duke qenë njëkohësisht një nga popujt me amerikandashës në Europë”, theksoi Leli. Sipas tij, kjo është një vlerë e madhe që mbartin shqiptarët.

“Vlerat që ju sillni, janë vlera që rrisin ditë pas dite besueshmërinë tek demokracia, shembulli më i madh i së cilës janë SHBA”, nënvizoi më tej kryebashkiaku Leli.

Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që japin për Reformën në Drejtësi, e cila, sipas tij, “është pika më fondamentale për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të gjithë ata që kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën këtu, për fëmijët tanë, për ta parë më më shumë dashuri vendin tonë, Shqipërinë, falë vlerave që po rithemelohen në një dimension tjetër falë mbështetjes së SHBA”.

Leli falënderoi gjithashtu Ambasadoren Yuri Kim për mbështetjen për Reformën Zgjedhore, duke shprehur besimin dhe optimizmin që pas kësaj reforme të ketë të zgjedhur me më shumë vlera, njerëz që e duan këtë vend, që janë përpjekur të jenë korrektë gjatë jetës së tyre për t’u bërë qytetarë të denjë në një sistem vlerash demokratike.

Ai e cilësoi misionin e Ambasadores së SHBA-së, një mision sa diplomatik po aq edhe human, në funksion të konsolidimit të vlerave të demokracisë në Shqipëri.

Leli e cilësoi Vlorën e këtyre 5 viteve, një shembull të bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe pushtetit lokal, për ta ndryshuar faqen e qytetit. Ai vlerësoi mbështetjen e Kryeministrit, Edi Rama për Vlorën, në funksion të shndërrimit të saj në një pol shumë të fuqishëm turistik në të gjithë pellgun e Mesdheut, për të patur zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe për ta përkthyer atë në ekonomi.

“Investimet e realizuara gjatë 5 viteve të fundit në infrastrukturë janë shoqëruar me ndryshime në investime të biznesit, të cilat as nuk mund të mendoheshin pak vite më parë”, tha ai.

Në emër të komunitetit të banorëve të zonës së Babicës, Leli falenderoi Ambasadoren Yuri Kim, për projektin e financimit dhe transformimit të shkollës “Selam Musai” në këtë njësi administrative të Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e ushtrisë amerikane.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ndodhet prej dy ditësh në qytetin e Vlorës. Mbrëmjen e të dielës, ajo ishte në një darkë pune me përfaqësues të shoqërisë civile në këtë qytet, ndërkohë që, në vazhdim do të zhvillojë vizita në objekte muzeale në Vlorë, në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”, ku funksionon edhe Këndi Amerikan, në mjediset e Bazës Ushtarake të Pashalimanit etj./atsh

Ambasadorja Kim nga Vlora: Reformat, të rëndësishme për mjedis të favorshëm për investime Read More »

Mandati i shqiptares në parlamentin kroat/ Meta: Përfaqësim dinjitoz i komunitetit

Shqiptarja nga Hasi, Ermina Lekaj Prljaskaj ka arritur të fitojë mandatin e deputetes për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci.

Fitoren e Ermina Lekaj Prljaskaj e ka përshëndetur edhe presidenti Ilir Meta, i cili është shprehur se “është tepër e rëndësishme që komuniteti shqiptar të ketë zërin dhe përfaqësimin dinjitoz në Parlamentin kroat me një deputete të nderuar, një tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate”.

“Përvoja e saj është garanci edhe për të ardhmen e shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve”, ka theksuar Meta.

“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do t’i japë një impuls të ri forcimit të tyre, si dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë”, ka shtuar Meta./atsh

Mandati i shqiptares në parlamentin kroat/ Meta: Përfaqësim dinjitoz i komunitetit Read More »

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi një takim në qytetin e Vlorës nga ku bëri të ditur se nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes.

“Bashkë, gra dhe burra, nuk do të ndalemi në rrugën e transformimit dhe të zhvillimit, për të mos u kthyer kurrë pas tek ata që qytetet tona i mbajtën peng të politikës së tyre të urrejtjes. Në 2021-shin ne do të fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”, deklaroi Spiropali.

Ministrja Spiropali mori pjesë në takimin “Përfaqësimi gjinor në Partinë Socialiste, vlerë e forcës politike më progresiste”.

Falë vizionit të Kryeministrit Rama, tha ajo, PS është sot forca politike ku gratë dhe vajzat janë pjesë e pandarë e progresit, në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, këshilla bashkiakë, administratë, Parlament dhe qeveri.

Në takim morën pjesë disa prej deputeteve dhe përfaqësueseve të Partisë Socialiste./atsh

“Në 2021 fitojmë për Vlorën, për Shqipërinë”/ Spiropali: Qytetet nuk kthehen më tek ata që i mbajtën peng Read More »

Basha apel qytetarëve: Merrni masa maksimale përmes distancimit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ndodhet sot në Pogradec, ku po vazhdon takimet me biznesin, hotelerinë dhe qytetarët.

“Situata për fat të keq vazhdon të jetë e rëndë. E rëndë është edhe situata e COVID-it, ndaj, dua t’ju përsëris thirrjen: Ju lutem, merrni masa maksimale përmes distancimit, përmes maskave në ambiente të mbyllura dhe përmes higjienës. Qartësisht, qeveria është dorëzuar. Nuk ka asnjë plan, asnjë strategji dhe refuzon të bëjë të ditur çfarë masash po merr për këtë valë të dytë, nëse mund ta quajmë kështu, të infeksioneve, e cila është shumë e lartë dhe që ka zhbërë sakrificën tremujore të secilit prej nesh”, tha Basha.

Basha iu drejtua qytetarëve duke u kërkuar të marrin masa. “Merrni masa, mbrohuni dhe të bëjmë gjithçka për një ndryshim sa më të shpejtë dhe sa më të madh në atë drejtim nga i cili do të përfitojnë të gjithë shqiptarët me ekonomi, me punësim dhe me mirëqenie dhe jo vetëm një grusht njerëzish”, tha ai./atsh

Basha apel qytetarëve: Merrni masa maksimale përmes distancimit Read More »

Miratohen 4 projektligje, Kuvendi rrëzon dekretin e Metës

Kuvendi i Shqipërisë në përfundim të seancës së sotme plenare, miratoi katër projektligje dhe katër projektrezoluta, si dhe u rrëzua një dekret i Presidentit të Republikës.

Raporti vjetor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2019, i cili u prezantua nga Genci Mamani, Drejtori i Përgjithshëm i ADS-së mori miratimin e deputetëve. Projektrezoluta për këtë institucion u miratua me 91 vota pro, 12 kundër dhe 10 abstenim.

Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 u prezantua për deputetët, nga guvernatori Gent Sejko. Projektrezoluta për BSH u miratua me 97 vota pro, 9 kundër dhe 8 abstenime.

Raporti vjetor i Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2019, u paraqit në këtë seancë nga Kryetari i AMA-s, Gentian Salaj. Projektrezoluta për AMA-n u miratua me 84 vota pro, 14 kundër dhe 16 abstenime.

Projektrezoluta “Për vlerësimin e Veprimtarisë së Radio-Televizionit Shqiptar, për vitin 2019”, u miratua me 85 vota pro, 16 kundër dhe 14 abstenime.

Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ” , u miratua me 104 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenim.

Projektligji i radhës, në rend dite që u miratua me 107 vota pro, 5 kundër kishte të bënte me “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”.

Projektligji “Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, u miratua me 96 vota pro, 9 kundra dhe 6 abstenim.

Më pas u vijua me shqyrtimin e projektligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 91 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

Dekreti i Presidentit të Republikës “Për kthimin në Kuvend të ligjit “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, u rrëzua me 84 vota kundër, 21 vota pro dhe 8 abstenim./atsh

Miratohen 4 projektligje, Kuvendi rrëzon dekretin e Metës Read More »

Eksodi historik i 2 korrikut/ Basha: Ambasada gjermane dhe seli të tjera diplomatike u shndërruan në qiellin e lirisë për shqiptarët

Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujton sot ditën e hapjes e dyerve të Ambasadës gjermane në Tiranë duke e konsideruar goditjen më të fortë të diktaturës komuniste dhe fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët.

Basha shprehet se “si sot 30 vjet më parë hapja e dyerve të Ambasadës gjermane në Tiranë shënoi fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët dhe një nga goditjet më të forta për diktaturën komuniste. Mijëra qytetarë shqiptarë që u strehuan për gati dy javë në Ambasadën gjermane, u bënë ato ditë simboli i qëndresës dhe kurajos ndaj një regjimi që edhe në grahmat e fundit kishte treguar mizori çnjerëzore”.

“Edhe pse në kushte të vështira, Ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë. Ditët e nxehta të korrikut ’90 ishin vendimtare për ndryshimin e madh që ndodhi në Shqipëri vetëm pak muaj më pas. Shumë të rinj sot, të lirë për të udhëtuar kudo në Europë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodhi ato ditë të nxehta korriku në Tiranë. Të tjerë, në moshë më të madhe i kane ende të freskëta në kujtesë ngjarjet e Rrugës së Ambasadave, pasigurinë për të ardhmen e atyre që ishin brenda dyerve, padurimin për t’u larguar drejt perëndimit të ëndërruar, apo dyzimin dhe frikën e të tjerëve që shihnin nga larg se si regjimi po shkërmoqej”, tha ai.

Po ashtu Basha shtoi se “sot si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa. Janë vlerat e një bashkimi që na frymëzon dhe na shtyn përpara. Shqiptarët përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave. I jam kthyer jo pak herë me mendje dhe me emocionet e pashlyeshme të 16-vjeçarit, 2 korrikut 1990, e në veçanti ditën kur si Ministër i Brendshëm ndërmora bashkë me një grup të rinjsh dhe studentësh udhëtimin e parë pa viza të shqiptarëve drejt Europës”.

“Le të jetë kjo ditë një shtysë dhe frymëzim për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve, për të rrëzuar çdo mur që na mban larg Europës së cilës i përkasim”, shprehet ai./atsh

Eksodi historik i 2 korrikut/ Basha: Ambasada gjermane dhe seli të tjera diplomatike u shndërruan në qiellin e lirisë për shqiptarët Read More »