Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho i bën thirrje qeverisë shqiptare që të drejtojë sytë nga bizneset e drejtuara nga gratë, të cilat siç thotë ajo, kanë nevojë për mbështetje reale dhe jo propagandë!
Përmes një postimi në rrjeteve sociale, Xhixho thotë se tërmeti dhe pandemia i dhanë goditje të njëpasnjëshme sipërmarrjeve private, sidomos atyre të drejtuara nga gratë, qoftë në zona urbane apo rurale po përballen me sfidë për mbijetesë.
Nga ana tjetër, Xhixho thekson se bizneset kanë nevojë për partner strategjik siç duhet të jetë qeveria për t’i suportuar në një situatë të tillë. Ndaj vijon ajo, biznesi duhet dëgjuar, ndihmuar por kjo maxhorancë ka qasje armiqësore ndaj biznesit dhe nuk ka as aftësinë as vullnetin për ta mbëshetur.
“Bizneset e drejtuara nga gratë kanë nevojë për mbështetje reale dhe jo propagandë! Tërmeti dhe pandemia i dhanë goditje të njëpasnjëshme sipërmarrjeve private, sidomos atyre të drejtuara nga gratë, qoftë në zona urbane apo rurale po përballen me sfidë për mbijetesë. Mbështetja e munguar e qeverisë, përtej shfaqjes në televizione, ka sjellë reduktim të numrit të punonjësve, duke rritur papunësinë në radhët e Shqiptarëve, të cilët përpiqen të gjejnë shpresë dhe pse kjo e fundit venitet nga institucionet që drejtojnë sot vendin. 80% e bizneseve të drejtuara nga gratë u goditën rëndë. 1 në 5 kompani kanë reduktuar pagat ose shkurtuar punonjës nga puna. 50% e bizneseve kanë pësuar ulje fitimi. Bizneset shprehen se nuk kanë përfituar nga paketat fiskale dhe pagat e luftës. Bizneset kanë nevojë për partner strategjik siç duhet të jetë qeveria për t’i suportuar në një situatë të tillë. Biznesi duhet dëgjuar, ndihmuar por kjo maxhorancë ka qasje armiqësore ndaj biznesit dhe nuk ka as aftësinë as vullnetin për ta mbëshetur. Ne besojmë se vetëm fuqizimi ekonomik i gruas e mbi të gjitha sipërmarrjet e drejtuara nga gratë do mund ta zhvillojnë ekonominë dhe japin shpresë familjeve shqiptare. Së bashku mundemi”, u shpreh nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike bën përgjegjës Kryeministrin Edi Rama për largimin e shqiptarëve nga vendi.
Përmes një reagimi në Facebook, Tabaku shkruan se Rama u la shqiptarëve azilkërkimin si peshqesh në këto 7 vite.
“Shqipëria në azilkërkim. Ky është peshqeshi që u la shqiptarëve qeverisja e Ramës në këto 7 vite. Faktet janë kokëforta dhe nuk i zbeh dot asnjë formë e propagandës bajate të Rilindjes: 219 000 të larguar”, shkruan ish-deputetja.
Sipas Tabakut, “mesatarisht 31307 shqiptarë në vit janë larguar nga vendi që nga dita kur Rama ka nisur të flasë dhe të aplikojë vizionin shterpë mbi ekonominë dhe politikën”.
Ndërkaq, duke iu referuar asaj që shkruan znj. Tabaku, “1 në 3 të larguar janë të rinj. Të dështuar në gjithçka, veç dëshirës për të gënjyer. Të vjetër dhe pa vision”.
“Shqipëria në Punë dhe shqiptarët në shtëpinë e tyre të madhe Shqipëri. Ky është vizioni ynë, dhe për këtë do të punojmë çdo ditë me seriozitet dhe përkushtim”, përfundon Tabaku. /noa.al/
Presidenti Ilir Meta ka shfrytëzuar Ditën Ndërkombëtare të Turizmit për të përcjellë edhe mesazhin se si ky sektor është keqpërdorur.
Kreu i shtetit shkruan se vendi ka potencial të jashtëzakonshëm, por që në shumë raste është keqshfrytëzuar.
Meta thotë se është momenti për reflektim dhe për të reflektuar, në mënyrë që ky sektor të marrë frymë.
Mesazhi i Metës:
E bekuar me det e brigje, male, alpe dhe bukuri natyrore mahnitëse, me një popull mikpritës e me vlera të spikatura kulturore, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, por më së shumti të keqshfrytëzuar, të pazhvilluar dhe të fjetur.
Një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare e familjare, i goditur së fundmi dhe nga pasojat e rënda të COVID-19, meriton më shumë vëmendje për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave me pasuri natyrore të mrekullueshme dhe të gjithë Shqipërisë.
Turizmi nuk janë vetëm hotelet e luksit dhe resortet me 5 yje!
Turizëm në radhë të parë janë bujtinat mikpritëse familjare me gatime e prodhime bio në çdo stinë, që duhet të mbështeten nga shteti.
Turizëm është trashëgimia e çmuar kulturore, janë muzetë, kalatë e parqet arkeologjike që meritojnë të promovohen, si dhe sa duhet.
Turizëm janë brigjet, malet e lumenjtë përrallorë, e të gjitha pasuritë natyrore kombëtare, që në vend të gjenerojnë të ardhura për familjet shqiptare, keqshfrytëzohen nga koncensionarë.
Ndaj sot, në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit është momenti për të reflektuar mbi domosdoshmërinë për t’i dhënë frymëmarrje këtij sektori jetik për ekonominë, nëpërmjet një plani konkret, të qartë dhe efikas, që do të frenonte edhe shpopullimin e vendit, duke rikthyer shpresën për zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhme të sigurtë në këtë vend të bekuar nga Zoti.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim për rreth 4 orë me drejtuesit vendorë të Vlorës ku folën për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa para mediave u shpreh se do të kandidojë sërish në këtë qytet. Rama nuk la jashtë vëmendjes arritjet e qeverisë dhe u kujtoi banorëve gjithçka përjetonin për të bërë pagesat e tyre ndërsa premtoi se deri në fund të këtij viti, do të ketë shërbim online deri në 93% dhe njerëzit nuk do të jenë të detyruar të shkojnë në zyra.
“Kandidoj zyrtarisht në këtë qytet. Askush nuk mund të më ndajë nga Vlora. Mandatin e tretë do bëjmë më shumë se 2 të tjera. Ndryshimi ka një impakt të madh dhe më pas rrit pritshmëritë dhe natyrshëm krijon pakënaqësitë. Dikush që jeton në laget periferike të Vlorës, thotë çfarë është bërë po te unë nuk është bërë ende ajo që prisja dhe në këtë aspekt pritshmëria është rritur se më arë nuk ekzistonte. Ka akoma shumë gjëra për të bërë.
Nuk është objektiv në hava, sepse do ta arrijmë, në fund të dekadës së ardhshme Vlora të ketë mijëra turistë. Takimi me Doklen? Unë kam kohë që nuk e di çfarë thotë paraardhësi im, për moshën që ka duhet lënë në vetminë e tij. I gëzoftë nipat e mbesat. Shqipërisë nuk ka çfarë iu jep më. Unë personalisht nuk e di çfarë ka thënë, dhe as më interson. Është një person që duhet injoruar plotësisht.
Unë besoj se kemi bërë një transformim të madh të punës së administratës në tërësi me revolucionin digjital. Pra janë miliona vajtje ardhjet e kursyera për shërbime që duhet ti bënim duke u sorollatur. Nga ana tjetër nuk do të thotë që njerëzit nuk kanë të drejtë kur ankohen për administratën. Është një kantier i madh që vazhdon punën.
Kjo është një luftë e vazhdueshme, unë nuk dorëzohem por njerëzit duhet të bëjnë durim se nuk është e kollajshme. Por kjo nuk është potencialesh për PS por të përgjithshme. Për hir të vërtetës nuk është se jemi kursyer për njerëzit që kanë dështuar apo na kanë turpëruar, por është një luftë që vazhdon dhe kërkon kohën e vet. Administrata është ngrehinë dhe progresi i bërë këto vite është i kuptueshëm.
E keqja në këtë rast, e mira nuk ka fund kështu që njerëzit i kanë harruar radhat e pafundme në shi për të paguar faturat e OSHEE apo për të bërë një aplikim. Megjithatë kemi ende shumë për të përmirësuar për shërbimin online që të mbarojë kjo histori.
Deri në fund të vitit do fusim shërbime të tjera, pra 93% të shërbimeve dhe nuk do jetë e nevojshme të shkoni në zyra për të shkuar apo për të marrë mbrapsht. Do të shihet a jam apo jo në Vlorë. Vërtetë jam më i gjatë se të tjerët, por në këtë rast jam i barabartë”, u shpreh kryeministri.
Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e qeverisë, u shpreh sot se pushteti me vota e ka harruar opozitën.
“Nga Gërdeci në Gërdec. Si e keni ndërmend të hyni në tempullin e qeverisjes ju shakaxhinjtë e politikës?. “Nga dera? E pamundur të hyni nga dera. Nuk hyni dot nga dera. Edhe vetë e dini. Keni bërë aq prapësira sa shqiptarët nuk do ua hapin derën. Ju e keni harruar pushtetin me vota. Pushteti me vota ju ka harruar juve”- tha Spiropali.
“Por ju nuk epeni! Ju që nuk e merrni dot pushtetin me vota dhe nuk hyni dot në pushtet nga dera, pra, ju që pushtetin nuk e meritoni, ju që pa llokma pushteti ju dhemb koka, ju rritet temperatura, ju kap xerxeleja, një ide se nga doni të hyni në tempullin e pushtetit, e keni.”- u shpreh ajo
“Nga dritarja? Nuk duket ide e keqe për humbësa! Por halli është se dritaret e pushtetit janë po aq të dukshme sa edhe dera. Njerëzit janë aq të mllefosur me ju sa nuk do ju lënë të hyni nga dritarja. Nuk do ju japin as aq vota sa duhen për të hyrë nga dritarja”, vijoi Spiropali.
“Nga oxhaku? S’është çudi që ndonjë mëndjendrituri prej jush, nga ata që ju i keni me tepricë, t’i ketë lindur ideja e ngjitjes natën fshehtas mbi çati. Pastaj të zbrisni me litar nga oxhaku. Por oxhaku është i ngushtë, mund t’ju merret fryma. Për më tepër oxhaku nuk e nxë të gjithë lukuninë tuaj. Oxhaku është edhe plot me blozë. Kur të zbrisni mbi vatër do ju djegë zjarri, do jeni mysafirë të përcëlluar, të paftuar, të nxirë. Punë që s’bëhet. Nga oxhaku që i ngjan Kalit të Trojës, është hile që nuk ecën. Harrojeni. Të squtin që ua ka dhënë këtë ide linçojeni në televizionin e ri dhe të zi si oxhak me blozë pa asnjë transparence, që e keni ngritur me pare Gërdeci, domethënë me pare gjaku. Cilësojeni “kolonë e pestë e Edi Ramës në radhët tona” budallain maskara që ju dha idenë e marrjes së pushtetit nga oxhaku. Do ju besojnë fanatikët, besnikët, militantët tuaj që i keni stërvitur duke i rrahur me vaj e me uthull për një kohë të gjatë me klishera komuniste”- tha Spiropali.
“S’është çudi vijoi ajo, t’ju ketë vajtur mendja ta merrni pushtetin si në romanet e Kadaresë. Duke hedhur nga jashtë kërma për ta pushtuar tempullin e pushtetit me coftina dhe yxhyme si turqit kështjellat tona? Me topa balte? Me intriga orientale? Me rrena të mëdha e të vogla? Me pijanecë virtualë?”
“Do ishte e kotë. Do dështonit me sukses. Votuesit e sotëm shqiptarë nuk janë mesjetarë. Mesjetarë jeni ju. Me bombardim të tempullit?
E provuat para ca muajsh. S’ju ndezi. Ju paralajmëruan se do ju shpallin organizatë terroriste. Po e përsëritët, nuk do merren gjithë kohën me ju. Të dytën herë nuk ju paralajmërojnë. Ndoshta doni të vini në pushtet si Selam Musai që e zuri topin nga grika me gunë përmbi tela. Ose si Vojo Kushi që e pushtoi tankun duke i hedhur një granatë brenda. Kot e keni. As njëri as tjetri, dhe të tjerë si ata të dy, nuk janë tuajt”- deklaroi Spiropali.
“O zotërinj pa zotnillëk! E vetmja rrugë e juaja drejt pushtetit është ajo që keni nisur. Rruga e zvarrisjes. Llagëmet. Gjirizat. Rruga e miut.
Thirrini mendjes o të uruar. Të vini në pushtet ju duhen qindra-mijëra vota. Shqipëria nuk ka qindra-mijëra shejtan-budallenj, që të pranojnë t’ua blini votat me pare gjaku dhe me gënjeshtra”- u shpreh ajo.
Spiropali theksoi se, “gjithsesi ju ca vota do i merrni. Por jo aq sa ju duhen për të hyrë në pushtet nga dera. As aq sa ju duhen për të na hequr frikën se mund të mbetemi në pushtet 20 mandate dhe 40 legjislatura. Shumë më pak. Ju do merrni aq vota sa meritoni. Aq sa u duhen krerëve tuaj të futen në parlament që të sigurojnë imunitet parlamentar për t’u ruajtur nga të papriturat që presin tek dera”.
“Nuk do merrni asnjë votë më tepër se sa duhen për t’i çuar opozitarët idealistë nga humbja në humbje dhe opozitën e kriminalizuar nga Gërdeci në Gërdec”, – deklaroi ajo. /atsh
Për shkak edhe të tensioneve me Turqiqë, çështja e rihapur e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë vijon të mbetet një nga diskutimet më të nxehta të politikës shqiptare, por edhe asaj rajonale.
Ish-Kryeministri Sali Berisha, i ftuar sonte në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, është pyetur nga Arian Çani se kë do të zgjidhte, Greqinë apo Turqinë, nëse do të ishte në vend të Kryeministrit Edi Rama.
Ai foli edhe për situatën politike në vend, duke u shprehur se të gjitha sondazhet nxjerrin opozitën fituese, ndërsa pretendoi se për këtë arsye Rama, i tmerruar nga humbja, i është shmangur një përballje të mundshme me Bashën, në Durrës.
Fillimisht Berisha foli mbi çështjen e detit. Ai tha se vendi ynë duhet të synojë bashkëpunime me të dyja këto shtete, por në fund të fundit, ai do të zgjidhte interesin e Shqipërisë.
“Charles de Gaulle ka lënë një postulat epik: Secili kryqin e tij! Do zgjidhja Shqipërinë dhe interesat e saj. Natyrisht fqinj të respektuar e të gjitha, por Shqipëria është një vend i cili duhet të ndërtojë marrëdhënie miqësore me të dyja këto vende”.
“Dhe të uroj që problemi që është problem prej shumë dekadash, që u acarua me problemin e Qipros. Kemi firmosur një marrëveshje dhe i kam qëndruar gjithnjë. Të imagjinohet se Shqipëria do anësojë kundër Greqisë apo Turqisë, kjo nuk mund të imagjinohet. Shqipëria do mbajë një qëndrim në përputhje me interesin e saj kombëtar. Shqipëria uron që këto të zgjidhin konfliktin nëpërmjet dialogut. Tani është pala greke që thotë le t’i referohemi gjykatës për zgjidhjen e problemit”, – tha Berisha.
Një javë më parë, Kryeministri Edi Rama, gjatë një konferencë në Athinë, tha se Presidenti turk Erdogan nuk e urren Greqinë ndryshe nga ç;pretendohet dhe pranoi miqësinë me kreun e shtetit turk.
Berisha tha se, “po të isha Kryeministër unë, çështja e detit nuk ekzistonte. Sepse dy qeveri greke njëra pas tjetrës, njëra e PASOK tjetra e Neo Demokracisë, të dyja pranuan të shkojnë në gjykatë. Dhe erdhi Edi Rama dhe tha jo nuk shkoj në gjykatë”.
“Ne lidhëm marrëveshje, e rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Pala greke më kërkoi ta rinegociojmë. Jo i thashë unë nuk rinegociohet, se gjykata diktonte metodën për të arritur marrëveshjen”.
“Ka qenë vendim totalisht i diktuar nga Edi Rama dhe pala tjetër. Asgjë s’ka ndryshuar në raport me detin për qëndrimin tim”, – theksoi Berisha.
Ish-kryeministri Sali berisha foli edhe mbi situatën politike në vend. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora se ndryshe nga pretendimet e ditëve të fundit, do të kandidojë në të njëjtin qark, si në dy mandatet e fundit, dhe jo në Durrës.
Sipas Berishës, Rama u largua nga Durrësi dhe shkoi për kandidim në Vlorë menjëherë sapo mori vesh që në atë qytet do kandidonte edhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha.
Po ashtu ish-kryeministri tregoi edhe se Rama ka zhvilluar një takim me Lefter Kokën dhe Endrit Doklen, ku këta të fundit i kanë thënë se “është i pashpresë”.
“Rama po bën atë që bën udhëheqësi i Taxhikistanit, Moduro i Venezueles dhe disa afrikanë që ndryshojnë kushtetutën për të qëndruar në pushtet. Rama po përpiqet të grabisë mandate me Kushtetutë”, – theksoi Berisha.
“Në të gjitha sondazhet që bëhen ai del i fundosur. Iku nga Durrësi se mori vesh që do shkonte Basha. Shkoi në Vlorë. Iku nga Durrësi se bëri një takim me Lefter Kokën, Indrit Doklen dhe nuk ia morën përsipër. I thanë je i pashpresë. Sot shpalli dhe u kthye në Vlorë”, – theksoi ish-kryeminsitri Sali Berisha.
Presidenti Ilir Meta ndan bindjen se demokracia nuk mund të sajohet, por se ajo kërkon energjinë e të rinjve.
Ai ndan një shkrim të cilin e quan një analizë të shkëlqyer të profesor Bajram Hysa, për të cilin thotë se na fton për reflektim të gjithëve:
“Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.
Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi”.
Ikja e të rinjve, po thahet demokracia- Nga Profesor Bajram Hysi
Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-ës kanë aplikuar për azil në shtetet e Bashkimit Europian rreth 30.5 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të publikuara nga EUROSTAT. Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34 vjeç. 15.3 mijë persona ishin të grupmoshës 18-34 vjeç. Mos vallë ne shqiptarët po jetojmë epilogun e kohëve biblike dhe të kohëve moderne?
Krizë e thellë besimi
Kush i shtyn vallë të rinjtë tanë të ikin në masë? Forca tërheqëse e pasurimit? Jo. “Kurrë mos beso se një njeri që kapet pas fitimeve materiale është i lumtur”, thoshte Seneka. Lumturinë dhe mirëqenien çdokush e sheh në vendin e tij. Por të rinjtë janë në krizë të thellë besimi. Janë të ndrydhur në vetvete, kur ndiejnë rreth vetes klimën e përjashtimit dhe mospranimit. Shteti ndaj tyre sillet si racist. I përbuz, i fyen me lloj-lloj formash. Kur aplikojnë për punë e kualifikime, dokumentet e tyre përfundojnë në kosh. Ata e kanë të pamundur për të realizuar ëndrrat e tyre, për të shfrytëzuar aftësitë e tyre, për të marrë pjesë në jetën demokratike. Për të mos folur për nevojtarët në zonat rurale, të cilët janë larg qendrave të debatit për të drejtat e njeriut. Përtej fjalorit patriotik, forumet tona akademike duhet të evidentojnë dhe debatojnë shkakun kryesor të këtyre ikjeve masive të të rinjve.
Prishen rregullat e lojës demokratike
Unë mendoj se ikjet masive ndodhin pasi të rinjtë tanë nuk kanë një kontratë me vendin e tyre, me kombin e tyre. Ata janë shqiptarë, por ndihen sikur nuk i përkasin Shqipërisë, sepse thelbi i përkatësisë në thelb është bashkësia kulturore. Në Shqipëri ka ndodhur një anomali historike, është shkërmoqur bashkësia kulturore që do t’u lejonte të rinjve të integroheshin në gjirin e kombit. Mbrojtja e demokracisë nuk i mobilizon, më tepër sesa shkelja e vlerave të saj. Të rinjtë që ikin nuk e kanë kuptuar siç duhet rëndësinë e rolit të tyre në jetën e kombit dhe pjesëmarrja e tyre ka ardhur duke u dobësuar. Ideja se disa çështje, mbi të cilat ata mendojnë se nuk kanë asnjë ndikim, zgjidhen pa pjesëmarrjen e tyre, pa dyshim shpjegon te të rinjtë dhe te grupet e varfra dhe më të prekshme njëfarë ftohtësie në lidhje me rregullat e lojës demokratike.
Demokracia kërkon energjinë e të rinjve
Ndaj është imperative që nxënësit dhe studentët duhen përgatitur me përgjegjësitë e njeriut të lirë të së ardhmes, të edukohen me të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndryshe do të ketë pasoja afatgjata mbi fatin e të gjithëve. Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e këtyre të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet e thahet.
Qytetar i gjallë është ai që ushtron të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësues. Shumë të rinj, me prirje të larmishme politike, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë, ndaj fati i zgjedhjeve mbetet në dorë të militantëve tradicionalë. Rama u bë autokrat pikërisht pse të rinjtë dhe njerëzit që presupozohen të jenë aktivë në jetën politike e sociale, i sundon ndjenja e apatisë dhe mosreagimit kur dhunohen dhe nëpërkëmben rregullat demokratike.
Duke iu nënshtruar skemave të mendimit autoritar të Kryeministrit, e lejuan atë të përvetësojë demokracinë, të bëjë një qeveri me njerëz të paditur, që shquhen vetëm si mjeshtër të korrupsionit dhe PPP-ve. “Rilindasit” kanë ndërtuar një pushtet për vete, që nuk ndahet me të tjerët, duke prodhuar skamje, varfëri ekstreme, vetmi të hidhur dhe shterpë. Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, nuk kanë një ide të qartë mbi mënyrën sesi duhet të funksionojë shoqëria në shkallë lokale, ku pjesëmarrja e tyre është e fuqishme.
Dhe jemi në një situatë kur përjetojmë “melankolinë e demokracisë”. Kur një njeri i vetëm, i veshur me të gjitha pushtetet, bën çfarë t’i shkrepet. Hap e mbyll listat si t’i dojë qejfi. Ndryshon rregullat e lojës në mes të lojës.
Gjithçka buron nga kriza e sotme e arsimit
Të rinjtë kanë të drejtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, por Shqipëria nuk i përgatit ata me përgjegjësitë e njeriut të lirë. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.
Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi. Liria është e pamundur për të paditurin. Ka vite që te ne ka munguar edukimi bazë. Është zbehur roli i shkollave. Është rrënuar prestigji dhe roli i universiteteve.
Qeveria kreu vetëvrasje ditën që ndryshoi ligjin e arsimit të lartë, duke cenuar autonominë dhe vënë në pikëpyetje rolin e universiteteve . Sot nuk ka programe që shkollat dhe universitetet të lidhen me jetën. Hendeku mes arsimit të ofruar dhe shijeve të nxënësve është jashtëzakonisht i thellë. Të rinjtë kanë një botë të vetën. Dikur ne ishim të mohuar si popull, sot të rinjtë mohohen si individë. Koha, energjia dhe fondet që i kushtohen edukimit themelor përbëjnë investimin njerëzor më përcaktues për të ardhmen e vendit.
Mjafton të përmendim se në vitin 2018, arsimit i janë akorduar fonde sa 2.47% e PBB-së, ndërsa në vitin 2019 ai nuk i kalon nivelet e mbështetjes së ofruar në vitin 2013. Shkollat dhe universitetet kanë për detyrë t’i përgatisin të rinjtë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, si qytetarë me të drejta të barabarta. Duket se PD-ja dhe opozita ka një projekt bashkëkohor për arsimimin dhe punësimin e të rinjve, për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Petro Koçi krijoi një parti të tijën, para zgjedhjeve të vitit 2013, por më pas ai e shkriu forcën politike që krijoi me Partinë Socialiste, ku nisi karrierën politike.
Patro Koçit iu besua më pas posti i zëvendës-ministrit të Mbrojtjes,
Sakaq, përmoes këtij posti, Petro Koçi ka marrë një tjetër post politik.
Koçit i është besuar drejtimi i degës së Partisë Socialiste në Fier.
Lajmi është bërë i ditur nga deputetja e PS, Adelina Rista. “Nga sot, PETRO KOÇI në krye të Partisë Socialiste Fier!Shumë urime dhe suksese! SUKSESE PS!”, shkroi Rista.
Emërimi i Petro Koçit në krye të socialistëve të Fierit vjen para zgjedhjeve të përgjithshme të 24 prillit.
Fieri konsiderohet një ndër bastionet e së majtës.