Kryeministri Edi Rama iu përgjigj Presidentit amerikan Donald Trump, pas letrës së tij, ku kërkonte zhvendosjen e ambasadës shqiptare në Izrael, për në Jeruzalem.
Nga konferenca për media pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë me Kosovën, ai tha se vendimet merren në raport me të mirat e Shqipërisë dhe se në politikën e jashtme Shqipëria është e linjëzuar me Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë tha se marrëdhëniet me Izraelin kanë qenë dhe janë të shkëlqyera, por sa i përket temës së ambasadës mbetet në linjë me BE.
“Shqipëria është vendi që ka patur më shumë hebrenj pas luftës se sa para luftës, i vetmi në Europë. Është vendi ku hebrenjtë kanë gjetur strehë, mbrojtje dhe siguri aq të madhe sa asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve. Shqipëria është vendi që ka jo vetëm një lidhje të vjetër historike me Izraelin, por edhe një respekt të madh për Izraelin. Por Shqipëria, në politikën e jashtme, në këtë aspekt, është komplet e linjëzuar me Bashkimin Europian”, deklaroi Rama, duke refuzuar propozimin e Trump për zhvendosjen e të gjithë ambasadave në Jeruzalem.
Presidenti Ilir Meta thotë se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë së fundmi një parashikim të zymtë për të ardhmen e afërt të ekonomisë shqiptare, më negativi jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.
Kreu i shtetit ngre si shqetësim se konkretisht, rritja ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të ulet në – 5.1% në vitin 2020 si rezultat i kolapsit të sektorit të turizmit, ndërprerjes globale të zinxhirit të furnizimeve, prodhimit të ulët industrial, rënies së investimeve të huaja, si dhe dërgesave nga diaspora.
Më tej shton se ndërkohë që parashikimi i rritjes ekonomike për Shqipërinë për vitin 2020 është – 9.0% më i larti krahasuar me vendet e rajonit.
“Rënia ekonomike e Shqipërisë është sa dyfishi i mesatares së vendeve të tjera të rajonit.
Pandemia ka prekur dhe ka ndikuar negativisht në ecurinë e turizmit, aq sa rënia e aktivitetit të turizmit ka kontribuar më shumë se 1/5 e uljes së rritjes ekonomike.
Gjithashtu eksportet për periudhën 7 mujore në vitin 2020 janë tkurrur në -17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia më e madhe e eksporteve është regjistruar me Italinë, në rreth 40% për periudhën mars – maj të vitit 2020. Ndërsa rënia e dërgesave nga diaspora në më shumë se 1/5 ka ndikuar negativisht në rënien e konsumit”, shkruan Presidenti.
Ai shton se në këto kushte çdo përshkallëzim i mëtejshëm i krizës politike në vend, do rrezikonte seriozisht stabilitetin dhe pasigurinë për qytetarët.
“Koha për parandalimin e rënies në humnerë është tani! Ndaj respektimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit, është kyç për stabilitetin politik, por edhe për ekonominë kombëtare dhe atë të çdo familjeje shqiptare. Koha për t’u thelluar!”, thotë në mbyllje Ilir Meta. /noa.al
Nga takimi me qytetarë dhe përfaqësues të biznesit në Elbasan, kryedemokrati Lulzim Basha, ftoi Kryeministrin Edi Rama që të pranojë planin me pesë pika të Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga kriza.
Ai tha se familjet shqiptare nuk kanë të ardhura që të blejnë bukë, mjekët dhe infermierët janë në rrezik përballë virusit.
“Planin me pesë pika ta marrë, t’i lërë broçkullat, e kemi bërë publike dhe ditë për ditë i themi merre këtë plan dhe zbatoje, se nuk ka të bëjë me konkurrencë politike. Batutat nuk hahen e nuk pihen. Si mund të thuash prit të vijë 25 prilli, të votojnë për mua dhe të shohim se çdo të bëhet, sot po flasim për 6 muaj kur njerëzit janë në pikë të hallit, e kemi bërë planin që ta zbatojë qeveria, mund të mos japin mrekulli, por një farë lehtësimi do e japin”, u shpreh Basha.
Ai kërkoi që plani i PD të zbatohet një orë e më parë, jo për qejfin e tij apo për inatin e Edi Ramës, por për të mirën e qytetarëve. /noa.al
Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën çelëse të mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Shqipërisë me Kosovën, duke thënë se mbledhja e gjashtë e dy kabineteve mbahet në Tiranë, me rastin e 100-vjetorin e pavarësisë së kryeqytetit shqiptar.
Ai kërkoi që të dy vendet të investohen së bashku për 150-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, për të cilin tha se është ende larg në kohë, por jo aq larg sa të mos mendohet që sot për një projekt të përbashkët për rikualifikimin urban tërësor të qytetit historik të shqiptarisë.
Kryeministri Rama tha se “Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të Bashkimit Europian në rajonin tonë duke nisur nga më e thjeshta dhe më kuptimplota heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që të dyja ministritë e Brendshme e dy qeverive të intensifikojnë punën dhe të krijojnë një database të përbashkët për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve e daljeve në të gjitha pikat kufitare të perimetrit tonë të përbashkët që do na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme dhe abuzimit me lirinë e lëvizjes.”
Ai tha më tej do të firmoset marrëveshja mes dy qeverive edhe për hyrje-daljen e mallrave të përbashkëta në Portin e Durrësit.
“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim për hyrje-daljen e mallrave na çon në një destinacion të paimagjinueshëm, deri para pak vitesh, shndërrimin e këtij porti në një port de facto edhe të Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivit që Porti i Durrësit të kthehet në një port të rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”, deklaroi Rama.
14 marrëveshjet që pritet të nënshkruhen
Marrëveshje për Zbatimin e Lehtësirave të Ndërsjella në Procedurat Doganore të Kontrollit të Hyrje-Daljeve së Mallrave.
– Bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor
– Krijimi i fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës
– Bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjelltë në raste fatkeqësish Natyrore dhe fatkeqësive të tjera
– Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë
– Marrëveshje për shmangien e Tatimit të dyfishtë mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin si dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal
– Marrëveshje bashkëpunimi mes MF dhe Ministrise së Ekonomisë dhe Punësimit
– Krijimi i Korridorit Digjital 5G
– Themelimi i Ligës së Përbashkët të Basketbollit
– Platformë e përbashkët digjitale të Arsimit parauniversitar
– Kalendar i Përbashkët Kulturor vjetor
– Marrëveshje për bashkëprodhim të Filmit
– Memorandum bashkëpunimi mes Ministrive të Kulturës
“Nuk është Edi Rama që ka sjellë në pushtet socialistët, ai ka sjellë në pushtet bandat dhe ka përvetësuar oligarkët”.
Kështu deklaroi Presidenti Ilir Meta në konferencën e sotme për mediat, pas pyetjes nëse gjuha e ashpër e përdorur prej tij në ditët e fundit, ka lidhje me fushatën elektorale.
Kreu i shtetit tha se socialistët e kanë marrë Edi Ramën nga refugjat dhe e kanë bërë ministër dhe e kanë mbajtur 20 e ca vjet në pushtet, por shtoi se, ai është i pashpresë në rast se humbjen e tij, kërkon ta kthejë në një tragjedi për Shqipërinë.
Ndaj e ftoi që “Të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit dhe të bëjë listat e hapura. Me lista të hapura Edi Rama në asnjë qark të Shqipërisë nuk del deputet. Ai di shumë mirë që del jashtë kontrollit Partia Socialiste, se do të votojnë socialistët dhe jo biznesmenët, por sepse ai nuk del deputet.”.
Sipas tij, Edi Rama nëë politikë humbet si kudo, ndaj tha se është koha të mbledhë forcat dhe të ketë dinjitet për të pranuar humbjen.
Lidhur me ndryshimet në kodin zgjedhor, tha se kush do të shkelë 5 qershorin do e cilësojë atentat ndaj Shqipërisë dhe përpjekje për të instaluar një grusht shteti apo juntë.
“Ne nuk do të lejojmë kurrsesi instalimin e një grushti shteti. Çdo shqiptar, me votë apo çdo mjet tjetër do të vendosë rendin kushtetues që ka kaq vjet që nëpërkëmbët. Socialistët do të jenë të parët, pasi ata i dhanë Kushtetutën demokratike Shqipërisë në vitin 1998 me referendum”, tha Ilir Meta. /noa.al
Kryedemokrati Lulzim Basha, është shprehur mbrëmjen e sotme rreth aludimeve të një koalicion të mundshëm mes tij dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës. Basha e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë, madje shkon dhe më tej duke thënë se dosjet e Edi Ramës janë gati dhe pas 25 Prillit ai do të shkojë në ndjekje pénale të përballet me drejtësinë.
“Dosjet e Edi Ramës janë gati. Edi Rama do të shkojë për ndjekje pénale dhe sa më takon mua, nesër si kryeministër do marrë ndëshkimin e merituar nga drejtësia. Pas 25 prillit, kam vetëm një mesazh: e pret drejtësia. Atë dhe një grusht njerëzish që i kanë pirë gjakun vendit. Nuk ka koalicion me të keqen, nuk ka bashkëqeverisje me të keqen. Po nuk larguam të keqen me votë, nuk ka ndryshim. Në emrin tim personal, të PD dhe të Opozitës së Bashkuar, nuk ka dhe nuk do ketë bashkëqeverisje me Ramën. Edi Rama do të shkojë para drejtësisë. Rama nuk ka shpëtim, është i pashpresë, vetëm po anuloi datën e zgjedhjeve. Është i pashpresë për arsyen e thjeshtë dhe të vetme: për dy mandatet e shkátërrimit të ekonomisë dhe institucioneve, për dy mandatet e premtimeve të pambajtura,” tha Basha.
Opozita e bashkuar e përfaqësuar në Këshillin Politik nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i ka dërguar një letër përfaqësuesit socialist Damian Gjiknuri, ku kërkohet që Partia Socialiste të pranojë ekspertizën e OSBE/ODIHR për gjetjen e dakordësisë.
Në letër thuhet se është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që, me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it, pasi reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë”, thuhet në letër.
Letra e plotë e opozitës
Gjiknuri,
Këshilli Politik funksinon vetëm mbi tërësinë e rregullave të marrëveshjes politike të 14 janarit 2020 dhe mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke iu drejtuar OSBE/ODIHR-it është rregull themelor i saj. Pa zbatimin e këtij mekanizmi nuk ka zgjidhje të pranuara siç përcakton marrëveshja dhe pa zgjidhje të pranuara nuk ka konsensus në reformën zgjedhore. Konsensusi është mekanizmi themelor i funksionimit të Këshillit Politik si instrumenti vendimmarrës për çdo ndryshim të Kodit Zgjedhor.
Mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë kanë qenë të qarta që palët në Këshill të kërkojnë konsensusin në kuadër të Këshillit Politik. Reforma zgjedhore konsensuale është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë që me qëllim gjetjen e konsensusit në Këshill, mosdakordësia për çështjen themelore të koalicioneve zgjedhore që tashmë është shtruar publikisht dhe zyrtarisht në Këshill nga opozita, t’i dërgohet menjëherë e pa vonesë OSBE/ODIHR-it.
Qëndrimi juaj refuzues i shprehur në të gjitha seancat e Këshillit Politik që nga data 14 shtator e së fundmi me shkresën e datës 29 shtator 2020, është bërë pengesë dhe ka bllokuar funksionimin e Këshillit Politik si dhe ka minuar zbatimin e Marrëveshjes se 14 janarit. Bllokimi nga ana juaj i funksionimit të Këshillit Politik, refuzimi për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it, si dhe tentativa për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit, po venë në rrezik hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Opozita do të vazhdojë të ngulë këmbë në Këshillin Politik që rregullat e funksionimit të tij të zbatohen të plota, konsensusi të jetë mekanizmi i vetëm. Në këtë kuadër ripërsërisim kërkesën tonë që Këshilli t’i drejtohet si hap i parë, pa asnjë vonesë tjetër, OSBE/ODIHR-it. Kjo do t’i hapë rrugë shqyrtimit të çështjeve të tjera ku rëndësi ka hapja e plotë e listave të kandidatëve. /noa.al