Pas takimeve që pati me përfaqësues të biznesit të vogël në Durrës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama për të pranuar planin e PD me 5 pika për përballimin e situatës prej pandemisë së koronavirusit.
“Ne propozojmë mbrojtje për mjekët dhe infermierët, rritje të pagave për ta dhe rimbursim të të gjthë atyre që kurohen nga shtëpia. Rimbursimit total i të sëmurëve me Covid-19 duhet të jetë hapi i parë. Paga e parë e premtuar prej 1000 euro për mjekët dhe 500 për infermierët duhet të aplikohet. Së dyti hapja e shkollave e ka rritur rrezikun e përhapjes së Covid.
Duhen maska dhe dezinfektues në shkolla, çdo fëmijë duhet të studjojnë në distancë. Kalojmë tek ekonomia, xhepat e shqiptarëve janë bosh. Të gjithë ata që kanë humbur punën, duhet të marrin 160 mijë lekë në muaj në gjashtë muajt e ardhshëm”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se biznesi i vogël duhet të marrë edhe një çek në 6 muaj e ardhshëm, ndaj kërkoi që plani i opozitës me 5 pika është një plan kundër krizës dhe bëri thirrje që të zbatohet menjëherë. /noa.al
Kryedemokrati Lulzim Basha, reagon ndaj ironisë së Kryeministrit Edi Rama, i cili tha më herët “Programi i Lulit është një tramvaj me shalqin që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”.
Basha e quan kreun e qeverisë palaço dhe e akuzon se nuk e mbulon dot dështimin ku e ka futur vendin.
“Gërrvërret prej palaçoje nuk e mbulojnë dot dështimin tënd dhe krizën ku i ke zhytur njerëzit. Pas çdo gërrvërri ti fsheh vjedhjet e qeverisë prej miliona eurosh, si mbrëmë me inceneratorët. Para që duhet të shkojnë te shëndetësia, të papunët, pensionistët e biznesi në krizë”, shkruan Basha në Twitter.
Përplasjet në distancë mes Ramës dhe Bashës, nisën, pasi lideri i opozitës nga Durrësi kërkoi që të vihet në zbatim plani me pesë pika i Partisë Demokratike për rimëkëmbjen pas pandemisë së koronavirusit.
Kryeministri Edi Rama i përgjigjet kryedemokratit Lulzim Basha, i cili nga Durrësi kërkoi që të vihet në zbatim plani me pesë pika i Partisë Demokratike për rimëkëmbjen pas pandemisë së koronavirusit.
Me një gjuhë ironike, Rama shigjeton Bashën, Presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin dhe Sali Berishën.
“Programi i Lulit është një tramvaj me shalqin që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”, shkruan Rama.
“Profeti i kokoshkave t’i lërë batutat bajate dhe të respektojë çdo pikë e presje të Marrëveshjes Historike të 5 Qershorit”.
Me këto fjalë reagon Presidenti Ilir Meta, ndaj gjuhës ironike të Kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti kreun e shtetit si makinist treni.
Meta thotë se shefin e pakicës së pakicës, nuk ka formulë e marifet që e shpëton nga data 25 prill, dita e zgjedhjeve parlamentare.
“Por fajin për këtë situatë të rëndë psiqike, prapë e ka Opozita e Bashkuar. Se ajo e mësoi keq duke ja lënë fushën bosh për të kapur 100% të pushteteve”, shkruan Presidenti.
Ky reagim vjen pasi, më herët Rama tha se “Programi i Lulit është një tramvaj me shalqin që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”.
Përplasjet në distancë, nisën, pasi lideri i opozitës Lulzim Basha, nga Durrësi kërkoi që të vihet në zbatim plani me pesë pika i Partisë Demokratike për rimëkëmbjen pas pandemisë së koronavirusit./noa.al
Pas dy orë e gjysmë, ka përfunduar mbledhja e Këshillit Politik ku kërkohet konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Socialisti Damian Gjiknuri tha për mediat se iu kërkua opozitës së bashkuar që të sjellin një variant për koalicionit sipas sistemit europian dhe më tej të kërkohet mendim tek OSBE/ODHIR.
“Nuk pranojnë, qëllimi është politik dhe sebepi i letrës së ODHIR është taktikë imponuese: prano atë që dua unë se ajo më intereson, ose unë nuk jap asnjë lloj konsensusi. I kemi kërkuar një formulim të një vendi europian, produkt europian, që i trajton koalicionet siç i kërkon PD. Të imponosh konsensus me modele jo europiane është e papranueshme. Hajde diskutojmë për pragun kombëtar, apo për hapjen e listave natyrshëm duke ruajtur disa parametra, si prag votash që i jep mundësinë dhe zgjedhësve të votojnë dhe partitë të përfaqësohen, dhe jo model kaotik ”, u shpreh Gjiknuri.
Megjithatë ai shtoi se duhet të ecin përpara pasi tha se koha është kritike, pasi ndryshe rrezikohet shumë për zgjedhjet.
Gjiknuri solli si shembull, “Një qark që ka 50 mijë vota, 70% e zgjedhësve zgjedhin ekipin. Nëse 40 mijë kanë zgjedhur ekipin, ai që ka marrë 5 mijë vota del deputet. Jo se ne kemi dy fletë votimi”.
Sipas tij ky është një sistem i balancuar që ruan stabilitetin e partive dhe se mazhoranca synon që listat e partive kryesore të jenë të përfaqësuara. /noa.al
Kryebashkiaku Erion Veliaj thumbon lidershipin e PD, i cili sipas tij gëzohet për çdo grua që largohet nga partia, duke marrë shembullin e Jozefina Topallit dhe Majlinda Bregut.
Partia Socialiste ndezi sot “motorët” për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, për të siguruar një mandat të tretë qeverisës, që do të ishte historik në këto 30 vite.
Në një takim me gratë socialiste në Amfiteatrin e Tiranës, Kryetari i Bashkisë dhe njëherësh drejtues politik për Tiranën, Erion Veliaj deklaroi se PS ka vetëm një plan, të bëjë Shqipërinë dhe Tiranën më të mirë.
“Ne sot krenohemi kur themi: “Edhe një”. Kurse, kundërshtari ynë thotë: Iku edhe një! Se iku Jozefina. Iku edhe një, se iku Majlinda Bregu”.
Sipas tij, “diferenca mes Partisë Demokratike dhe një partie të lodhur nuk është emri, por mentaliteti. Në forcën tonë ka gëzim kur vjen edhe një. Në partinë e tyre ka gëzim kur ikën edhe një, kur edhe një grua tjetër largohet nga një parti që është kthyer në një tufë burrash të mllefosur”.
“Ky është mesazhi ynë i fitores, se i gëzohemi çdo zonje, çdo zonjushe, çdo goce dhe vajze, “edhe një”, kur bashkohet me forcën tonë politike”, u shpreh Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.
Gjatë takimit së Forumit të Gruas Socialiste, Erion Veliaj tha se PS krenohet për çdo grua që i bashkohet partisë.
“Na kanë ngelur edhe 207 ditë, para se ne të shkojmë në një betejë ku të themi “#edhe 1, edhe 1” për Partinë Socialiste. Kanë ngelur edhe 207 ditë para se ne të fokusohemi dhe të themi çfarë planesh kemi. Ne kemi vetëm një plan: Të bëjmë Shqipërinë dhe të bëjmë Tiranën. Pala tjetër ka një plan tjetër, kanë shtëpinë e tretë, kanë pasaporta holandeze, kanë edhe një plan B”.
“Unë besoj që për secilin prej nesh që ka vetëm një plan, duhet të mendojmë fort për situatat që kaluam. Nëse dikush ka iluzion se ata kanë hallin e familjeve tona, duhet t’i mendojë këto fakte. Mund të kemi opinione të ndryshme, por jo fakte të ndryshme. Nëse ju mendoni se Sali Berisha që kërkon ringjalljen e tij të tretë, ka hallin e familjeve tuaja, e keni gabim, ndaj duhet të flasim me çdo zonjë dhe zonjushë”, – tha Veliaj.
Ai komentoi edhe planin ekonomik të prezantuar nga opozita, ku theksoi se fokusi i tyre është t’u vendosin gjoba kompanive dhe të shtojnë vilat e tyre.
“Po shihja axhendën, se sa shtëpi do duhet të hapim nesër për familjet që u prekën nga tërmeti, kurse ata janë të shqetësuar se si në kohën e tërmetit kanë shtuar shtëpitë e tyre. Teksa gjithë ekonomia ka rënë jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, ekonomia e tyre është rritur. Shihni llogarinë e kunatit, shihni sa gjoba u vihen kompanive”.
‘Sot dolën me plan ekonomik, seriozisht? I vetmi plan ekonomik që kam dëgjuar këto tetë vite është, gjej një kompani, vëri gjobë nëpërmjet zëdhënies, paguaj gjobën që unë të të heq sulmin ndaj partisë. Pyetja është: Do mendojmë për ekonominë, shtëpitë, planet B, për rritjen e financave të dy familjeve të vetme, që edhe në opozitë vetëm u ka shkuar puna vaj, apo duhet të përveshim mëngët për të gjitha familjet e Shqipërisë”, nënvizoi Veliaj.
Duke e cilësuar PS si forca më pozitive, më progresiste dhe më patriote e Shqipërisë, Veliaj tha se qytetarët shqiptarë kanë një shans historik që jo vetëm PS të fitojë këto zgjedhje, por të fitojë e ardhmja e vendit.
I vetmi shans i tyre që të fitojnë është përçarja. I vetmi shans që ne të fitojmë është bashkimi. I vetmi shans që ata të fitojnë është helmi”.
“I vetmi shans që ne të fitojmë është mjalti, është goja e ëmbël. I vetmi shans që ata të fitojnë është dhuna. I vetmi shans që ne të fitojmë është paqja, vëllazëria me njeri-tjetrin. Ndaj, motrat e mia, ne kemi 207 ditë për gojën e ëmbël, për fjalën e mirë, për politikën e bashkimit, për njerëzit që i bëjnë të tjerët të rrinë më afër me njeri-tjetrin, jo t’i largojnë”.
“Për një kulturë e cila çon në fqinjësi të mirë, në solidaritet, në vëllazëri. Kemi një shans historik që jo vetëm ne të fitojmë këto zgjedhje, por të fitojmë të ardhmen. Nuk është punë për zgjedhjet e ardhshme, është punë për gjeneratën e ardhshme. Ndaj, në këto 207 ditë, unë dua që secila prej jush të bëjë 207 kontakte, të bëjë 207 biseda, të pijë 207 kafe nga një kafe në ditë me një gocë, me një vajzë, me një zonjë dhe me një zonjushë që duhet të bashkohet, duhet të jetë ajo “#Edhe 1”. Mezi pres që këto 207 ditë, goja e ëmbël, mendja e shëndoshë dhe zemra e hapur të jetë karta jonë e fitores”, deklaroi Veliaj.
Presidenti Ilir Meta thotë se kur ethet elektorale dhe planifikimet e çmendura për kapje votash me presione nga më të fëlliqurat kanë nisur para kohe, situata ekonomike në vend po shënon një regres të pandalshëm.
Ai shton se përshkallëzimi i krizës politike në këto kushte bëhet edhe më kërcënues për stabilitetin e vendit dhe shton pasigurinë për qytetarët, sipërmarrjen dhe investitorët.
“Ndaj i mbështes plotësisht vlerësimet dhe rekomandimet e Prof.Dr. Arben Malaj për rrugën e duhur që duhet ndjekur për daljen nga humnera. Siç ai thekson me të drejtë: “Ringritja fillon nga reduktimi i pasigurive dhe paqartësive për të ardhmen.”
“Disa arsye kryesore për këtë opsion janë risqet se individët dhe investitorët privatë vendas dhe të huaj mund të presin zgjedhjet parlamentare 2021 për të marrë vendime për të rritur investimet e tyre; donatorët bilateralë dhe multilateralë po ngadalësojnë lëvrimin e granteve dhe kredive të buta. Qeveria ka dështuar të thithë fonde nga donatorët për tërmetin”, shkruan Meta.
Ai citon më tej se Qeveria vazhdon të aplikojë partneritete publike-private prefenciale, që do të prodhojnë kosto të rënda për konsolidimin financiar të vendit. Për ta përmirësuar ringritjen e ekonomisë sonë gjatë vitit 2021 kërkohen një sërë reformash strukturore për një model rritje ekonomike të shëndetshme, ku rritet pesha e ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë së dijes dhe ku ndahen më mirë përfitimet e rritjes ekonomike.
Kreu i shtetit shkëput pjesë nga shkrimi i Malaj dhe thotë se politikat dhe paketat lehtësuese dhe mbështetëse për të papunët, për të varfrit dhe për bizneset, duhet të jenë të qarta dhe lehtësisht të arritshme deri te të varfrit dhe të papunët.
“Eliminimi i çdo vonese e pengese në procesin e integrimit europian çliron energji dhe burime rritje dhe zhvillimi edhe në kohë krize. Reduktimi i risqeve të thellimit dhe zgjatjes së krizës politike është kritik për reduktimin e paqartësive dhe pasigurive që pengojnë ringritjen. Përzgjedhja me përgjegjësi profesionale dhe transparencë maksimale e përdorimit të fondeve të rindërtimit dhe ringritjes do të zgjidhte krizën e të pastrehëve, të çerdheve, kopshteve, shkollave, të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, por njëkohësisht do të rrisë punësimin dhe rritjen e të ardhurave për shtresat në nevojë. Të mirëintegruara së bashku këto reforma dhe parime mirëqeverisje do të ndikojnë në ringritjen e ekonomisë sonë, mundësisht brenda vitit 2021”, citon Presidenti.
Kriza e pandemisë mund të jetë më e lehtë, ringritja më e vështirë- Nga Arben Malaj
Strategjia e ringritjes nuk nënkupton një lumë fondesh në ekonomi. Risku i keqpërdorimit të “parave të lira” në vendet me shkallë të lartë të korrupsionit dhe kapjes së shtetit është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Sapo Covid-19 goditi rëndë dhe pa pritur ekonominë globale, u tentua të përllogaritej niveli e rënies së ekonomisë, rritjes së papunësisë dhe borxhit publik. Është shumë shpejt për të bërë parashikime të qëndrueshme për pasojat dhe kostot e COVID-19. FMN, BE dhe EBRD parashikuan se rënia e ekonomisë globale do të ishte 3.5 %, rritja e papunësisë me rreth 300 milionë dhe rritja e borxhit publik mesatarisht 30% mbi nivelin e momentit të fillimit të pandemisë. Në BE, rënia ekonomike u parashikua – 7.4 të GDP-së në 2020 dhe + 6.1 % në 2021.
Përllogaritja e pasojave të pandemisë vlen për të qartësuar dhe implementuar politikat kundër ciklike monetare dhe fiskale dhe vë theksin te reformat strukturore, që lehtësonin pasojat e krizës dhe të krijojnë premisa nxitëse për rimëkëmbjen dhe ringritjen e ekonomisë dhe stabilitetit financiar sa më parë.
Analiza e recesioneve të tjera pas vitit 1945 tregon se nëse rënia e ekonomisë gjatë vitit 2020 do të jetë më e ngadaltë se ajo e parashikuar në fillim, ringritja e ekonomisë dhe stabiliteti i financave publike do të jetë më e ngadaltë dhe niveli i parakrizës mund të arrihet në fund të vitit 2022, por vende të ndryshme do të kenë sjellje të ndryshme në rimëkëmbjen e tyre. COVID19 ka shkaktuar një recesion, nga i cili ekonomia globale pritet të rikuperohet në fund të vitit 2022, nëse ekziston një vaksinë.
Një moment i vështirë për studiuesit edhe politikëbërësit është forma e ringritjes së ekonomisë, a do të kompensohet një rënie e thellë me një rritje të shpejtë në formën e V-së. I tillë ishte parashikimi i BERZH për ekonominë shqiptare se gjatë vitit 2020 do të ishte – 9% të PBB-së, por në 2021 do të rritej me 12%. Opsione të tjera të ringritjes mund të jenë në formën e L-së, në formën e U-së dhe në formën e Ë-së.
Rënia mund të rezultojë më e lehtë, mund të shpjegohet me disa arsye, por më kryesoret mund të jenë: parashikimet e para u bënë nën një presion të fortë të paqartësive dhe pasigurive që krijoi goditja nga COVID19; shkalla e lartë dhe fleksibiliteti maksimal që u dakordësua për përdorimin e politikave monetare jokonvencionale për të ulur koston e parasë dhe për të siguruar likuiditete për qeveritë dhe biznesin, të cilat ishin të larmishme dhe të palimituara; dhe politikat fiskale ekspansioniste mbështetën qëndrime të unifikuara se taksat e ulëta, ristrukturimi i detyrimeve për t’u paguar në një kohë të dytë, lehtësitë dhe paketat fiskale për të papunët, të varfrit dhe për bizneset nuk do të pengoheshin nga kufizime për mosrritjen e borxheve. Të marra së bashku edhe me çeljen graduale të ekonomisë globale, ato prodhuan efekte pozitive në rritjen e kërkesës agregate dhe ndikuan që rënia ekonomike dhe papunësia të jenë nën nivelet kritike të parashikuara në fillim të krizës.
Ringritja mund të jetë më e vështirë sepse edhe pse nuk ka kufizime të vazhdimit të politikave monetare jokonvencionale dhe politikave fiskale ekspansioniste është arritur në një “pikë thyerje” ku efektshmëria e tyre në ekonominë reale vjen dhe ulet. Kjo, edhe për faktin se individët dhe bizneset në kushtet e niveleve shqetësuese të paqartësive dhe pasigurive nuk marrin risk për më shumë borxhe, pavarësisht nga kostoja e ulët e tyre apo garancitë sovrane. Ritmet e ulëta të rritjes se konsumit dhe investimit private qartësojnë se rritja e kërkesës agregate do të jetë më e ngadaltë dhe niveli para krizës mund të spostohet nga optimizmi për vitin 2021 në parashikime më realiste. Studiuesit qartësojnë se: “Shumë do të varet jo vetëm nga evolucioni i vendosjes terapeutike dhe vaksinave pandemike dhe efektive, por edhe nga ato monetare, politikat fiskale, tregtare dhe rregullatore që do të ndiqen”.
Profesori Michael Boskin i Universitetit i Stanfordit këshillon se: “Mes kaq shumë pasiguri, politikëbërësit duhet (i) të përqendrohen në mbajtjen e taksave të ulëta; (ii) zhvillimin e planeve për konsolidimin fiskal dhe (iii) shmangien e rregulloreve të reja derisa ekonomia të kthehet në rrugën e duhur”. Po në Shqipëri si mund të jetë ringritja? Në fillim, të COVID-19 për ekonominë tonë u parashikua një rënie ekonomike 5-9% të PBB-së dhe një ringritje e shpejtë në 2021 me rreth 12%. Pas treguesve të 9-mujorit 2020, shifrat do të rishikohen, rënia mund të jetë 4.5-6%, ndërsa ringritja mund të jetë 8-9 % të GDP-së. Ringritja fillon nga reduktimi i pasigurive dhe paqartësive për të ardhmen.
Ringritja mund të jetë më e ngadalshme, pasi fatkeqësisht në vendin tonë ka një politikë krizëprodhuese, paqartësitë dhe pasiguritë janë rritur, braktisja e vendit është rritur, ndërsa integrimi europian po ngadalësohet. Disa arsye kryesore për këtë opsion janë risqet se individët dhe investitorët privatë vendës dhe të huaj mund të presin zgjedhjet parlamentare 2021 për të marrë vendime për të rritur investimet e tyre; donatorët bilateralë dhe multilateralë po ngadalësojnë lëvrimin e granteve dhe kredive të buta. Qeveria ka dështuar të thithë fonde nga donatorët për tërmetin.
Qeveria vazhdon të aplikojë partneritete publike-private prefenciale, që do të prodhojnë kosto të rënda për konsolidimin financiar të vendit. Për ta përmirësuar ringritjen e ekonomisë sonë gjatë vitit 2021 kërkohen një sërë reformash strukturore për një model rritje ekonomike të shëndetshme, ku rritet pesha e ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë së dijes dhe ku ndahen më mirë përfitimet e rritjes ekonomike. Politikat dhe paketat lehtësuese dhe mbështetëse për të papunët, për të varfrit dhe për bizneset duhet të jenë të qarta dhe lehtësisht të arritshme deri te të varfrit dhe të papunët.
Eliminimi i çdo vonese e pengese në procesin e integrimit europian çliron energji dhe burime rritje dhe zhvillimi edhe në kohë krize. Reduktimi i risqeve të thellimit dhe zgjatjes së krizës politike është kritik për reduktimin e paqartësive dhe pasigurive që pengojnë ringritjen. Përzgjedhja me përgjegjësi profesionale dhe transparencë maksimale e përdorimit të fondeve të rindërtimit dhe ringritjes do të zgjidhte krizën e të pastrehëve, të çerdheve, kopshteve, shkollave, të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, por njëkohësisht do të rrisë punësimin dhe rritjen e të ardhurave për shtresat në nevojë. Të mirëintegruara së bashku këto reforma dhe parime mirëqeverisje do të ndikojnë në ringritjen e ekonomisë sonë, mundësisht brenda vitit 2021.