Politike

Ngjela bën deklaratë të fortë: ‘Rama nuk e do bashkimin kombëtar dhe nuk e shikoj fare çfarë flet ai por i shikoj sjelljen’

Avokati Spartak Ngjela ka folur për ndryshimet e fundit në qeveri dhe situatën politike mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një intervistë në Abc News, Ngjela tha se ndryshimet në qeveri janë diçka e zakontë, ndërsa shtoi se është e kotë që të bëhen këto ndryshime pasi Shqipëria është një vend i zakonshëm dhe nuk pritet që ministrat e rinj të bëjnë diferencën.
Ngjela tha se Rama ka marrë në qeveri njerëz të paaftë dhe të panjohur, siç ishin ministrat nga Kosova, Gent Cakaj dhe Besa Shahini.

Ai aku zon Ramën duke thënë se kryeministri është kundër bashkimit kombëtar, ndërsa u shpreh se sjellja e Ramës me presidenten Vjosa Osmani nuk ishte e drejtë.

“Shqipëria është një shtet i zakonshëm dhe që të kesh potencë në politikën e jashtme nuk duhet të jesh i tillë, është një shtet që nuk reflekton në qytetërimin modern në asnjë fushë të tij. Është një shtet shumë i zakonshëm dhe është e kotë që të analizojmë se çfarë do të bëjë Xhaçka në politikën e jashtme.
Ai mori nga Kosova njerëz të panjohur. Politika ka një rregull, duhet të ishin njerëz të njohur. Këto ende nuk kanë një marrëveshje juridike me Kosovë. Rama nuk e do bashkimin kombëtar dhe nuk e shikoj fare çfarë flet ai por i shikoj sjelljen. Si mund të lejohet një sjellje e tillë me Vjosa Osmanin. Ajo u artikulua politikisht ndërsa ky me përralla. Bota intelektuale e Kosovës është shumë më lart se ne. Ai mori njerëz të paaftë dhe të panjohur. Problemi qëndron se të gjithë këto nuk i kam parë me ndonjë vështrim optimist, por ato që e kanë në dorë do e çojnë deri në fund”, tha Ngjela.

Ngjela bën deklaratë të fortë: ‘Rama nuk e do bashkimin kombëtar dhe nuk e shikoj fare çfarë flet ai por i shikoj sjelljen’ Read More »

Gent Cakaj merr ftesë nga surprizë nga partia e njohur

Gent Cakaj ka dhënë sot dorëheqje nga pozicioni i ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme në Shqipëri.

Pas dorëheqjes, në Kosovë u raportuan po sot se Cakaj pritet ti bashkohet listës zgjedhore së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Lidhur me këtë çështje ka folur deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha. Ai tha se kërkesa për Cakajn vjen nga strukturat e PDK. Sipas tij, Cakaj është një figurë me përvojë të jashtëzakonshme.

Megjithatë ai tha në T7 se ende nuk ka asgjë zyrtare për sa i përket kësaj çështjeje.

“Të them të drejtën janë të mirëseardhur të gjithë qytetarët e Kosovës. Ata e kanë derën e hapur në PDK. Por mbetet në dorën e z. Cakaj që të vendosë vetë nëse dëshiron që t’i bashkohet politikës apo të fokusohet tek familja e vet, apo ka plane të tjera.

Nuk ka konfirmim konkret. Po flas në kuptimin e deklarimit zyrtar të PDK-së”, tha Hoxha.

Foto, marrë nga profili zyrtar në Facebook të Gent Cakaj

Gent Cakaj merr ftesë nga surprizë nga partia e njohur Read More »

Cakaj: Pse e dhashë dorëheqjen

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka njoftuar sot se i ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme kryeministrit Rama.

Teksa ka shprehur mirënjohjen për kryeministrin dhe stafin e ministrisë, Cakaj thotë se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

Deklarata e plotë

“Të nderuar qytetarë, dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem në asnjë cilësi, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.

Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime”, shkruan Cakaj.

Ndërkohë, Rama njoftoi menjëherë në rrjetet sociale, se në vend të Cakajt do të ulet Olta Xhaçka dhe vendin e saj si ministre e Mbrojtjes, do ta marrë Niko Peleshi.

Cakaj: Pse e dhashë dorëheqjen Read More »

Betohet anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja para Presidentit të Republikës

Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja është betuar sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në një ceremoni të zhvilluar në presidencë.

Bejtja, e cila është anëtarja e shtatë e Kushtetueses, u betua para Metës, me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë dhe duke u zotuar, tha:“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

Në ceremoninë solemne të betimit, ishin të pranishëm Zv/kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, drejtuesja e misionit OPDAT të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Michelle Lakomy, shefi i Sektorit Politik dhe i Ngarkuar me punë në Delegacionin e BE në Tiranë, Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.

Ditën e djeshme, pas intervistimit të saj, KED dërgoi në presidencë emrin e Bejtjes si anëtarja e radhës së Kushtetuese dhe Meta nuk hezitoi për ta dekretuar.

Me emërimin e Bejtjes, Gjykata Kushtetuese siguron anëtarin e shtatë. Ajo ishte e vetmja në garë për vendin e lirë që u la nga Besnik Muçi.

Pas plotësimit të vakancës për anëtarin e 7, do të priten edhe emrat e propozuar nga Gjykata e Lartë, për të plotësuar të gjithë Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë dhe gjyqtarët qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Betohet anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja para Presidentit të Republikës Read More »

Meta apel të rinjve: ‘Mos u ankoni duke pirë kafe por…’

Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje të gjithë të rinjve që të bashkohen për të sjell ndryshimin në Shqipëri.

Ai tha sot në “Quo Vadis”, se të rinjtë nuk duhet të ankohen duke qëndruar në kafe por të jenë të zëshëm dhe të bashkohen brenda shkollave, universiteve, grupeve të interesit etj për të shtuar presionin ndaj qeverisë.

“Nuk është e thënë patjetër brenda një force politike. Ata, ndryshimin mund ta bëjnë duke ushtruar një ndikim dhe një presion më të madh, duke u bashkuar brenda shkollave, brenda universiteteve, duke rritur presionin edhe si shoqëri civile, përmes grupeve të interesit. Por duke u bërë të zëshëm, duke qenë prezent, jo duke u ankuar në kafe, apo përpara kompjuterit”, tha ai.

Meta shtoi se të rinjtë i kanë të gjitha mundësitë të reagojnë dhe të mos presin më nga kjo klasë apo elitë politike, që të zgjidhë problemet e tyre.

“Është një përgjegjësi që ata, duhet ta marrin për veten e tyre dhe për të ardhmen e vendit, sepse largimi nuk është zgjidhje. Largimi është dezertim nga Shqipëria europiane si projekt, sepse ata mund të gjejnë një punë më të mirë në çdo vend që mund të shkojnë, por atje do të jenë thjesht një statistikë. Asgjëkundi nuk do të gjejnë Atdhe”, presidenti.

Meta apel të rinjve: ‘Mos u ankoni duke pirë kafe por…’ Read More »

Kryeministri Rama publikon shifrat për gjygjtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vettingu

Në konferencën e përjavshme për shtyp, “Ekonomia në Fokus”, kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc sa i takon sistemit të Vettingut.

Rama u shpreh se deri më tani janë larguar 202 gjyqtarë e prokurorë që nuk e kaluan procesin e Vettingut dhe se janë konfirmuar 118.

Sipas tij, ata do të japin përgjigje patjetër përpara drejtësisë në një të ardhme të afërt.

“Deri më sot, në total, janë rivlerësuar në filtrin e vettingut 322 individë, prej të cilëve më shumë janë shkarkuar, se sa janë konfirmuar. Plot 128 individë të shkarkuar drejtpërdrejt dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces me siguri me vetëdijen e pamundësisë për ta kaluar filtrin, – tha Rama. – Ndërkohë që 118 janë konfirmuar. Kemi 202 individë të larguar dhe 118 të konfirmuar. Është një shifër domethënëse, kuptimplotë për të pasur një pamje të thellësisë së pastrimit të sistemit”.

Rama theksoi se kjo është vetëm një anë e medaljes. Ana tjetër, shtoi ai, ka të bëjë me faktin se çfarë ndodh me të larguarit.

“Paralelisht me pastrimin, ka vijuar dhe po konsolidohet procesi i ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, ata që nuk kanë mundur të justifikojnë pasuritë marramendësi apo pasuri shumë më tepër mbi mundësitë legale të tyre, do të përgjigjen përpara drejtësisë. Nga kjo do të konfirmohet edhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë. Fjala kyç në këtë proces është durimi, sepse bëhet fjalë për të ndërtuar nga themelet një prej 3 pushteteve që përcaktojnë 3 shtyllat e sistemit demokratik, pushtetin gjyqësor”, – shpjegoi Rama. /noa.al/

Kryeministri Rama publikon shifrat për gjygjtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Vettingu Read More »

Lëvizje të papritura në qeveri, ikën Cakaj,ja kush e zëvëndëson…

Ndryshime të reja kanë ndodhur në qeveri para fundit të këtij viti, ku kryeministri Rama ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme të ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj.

Në vend të tij është emëruar ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ndërkohë, kreu i qeverisë ka rikthyer në kabinet Niko Peleshin, i cili do mbajë postin e ministrit të Mbrojtjes.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme. Dua ta falënderoj me mirënjohje Gentin, jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e Mbrojtjes”, – shkruan Rama në Twitter.

Kështu, Gent Cakaj ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme, mëngjesin e kësaj të marte.

Paraditen e sotme, në konferencën e fundvitit, për më shumë se 1 orë e 40 minuta, kryeministri Rama nuk paralajmëroi në asnjë moment ndryshimet në kabinet.

Vijon…

Lëvizje të papritura në qeveri, ikën Cakaj,ja kush e zëvëndëson… Read More »

Meta paralajmëron se do të marrë një vendim të fortë për çështjen e negociatave të detit me Greqinë

Presidenti i Republikës është përfshirë në debatin që hapi opozita pas dekretit të presidentit grek për zgjerimin nga 6-12 milje detare në detin Jon.

Me anë të një deklarate, që e ka publikuar edhe në rrjetin social, Meta paralajmëron se do të marrë një vendim të fortë për çështjen e negociatave të detit me Greqinë, pasi sipas tij, qeveria vijon të mos e informojë.

“Nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar. Sipas traditës së vendosur, pasi të vihem në dijeni të plotë të informacioneve të kërkuara zyrtarisht, do të bëj plotësisht transparent vlerësimet dhe qëndrimet e mia në lidhje me të gjitha zhvillimet ndaj kësaj çështjeje”, deklaroi Meta.

Deklarata e plotë

Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik shqiptar mbi aktin më të fundit të nxjerrë nga autoritetet më të larta të Republikës së Greqisë dhe pasojat e mundshme të tij ndaj vendit tonë, dëshiroj të evidentoj si vijon:

Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të mia dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.15/2010, kam autorizuar Plotfuqinë për Negocim Nr.733, në emër të Republikës së Shqipërisë, të ekipit negociator me përbërjen e 13 anëtarëve për negocimin e “’Projekt Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare’, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve”, datë 19.03.2018.

Gjatë gjithë kohës, kam ofruar të gjithë bashkëpunimin në këtë proces, duke siguruar respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare.

Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit.

I rikujtoj edhe një herë përfaqësuesve të institucioneve në të gjithë nivelin hierarkik shtetëror, detyrimin dhe përgjegjësinë për përputhshmërinë e plotë të veprimtarisë së tyre kushtetuese dhe ligjore, në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare.

I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.

Sipas traditës së vendosur, pasi të vihet në dijeni të plotë të informacioneve të kërkuara zyrtarisht, do të bëj plotësisht transparent vlerësimet dhe qëndrimet e mia në lidhje me të gjitha zhvillimet ndaj kësaj çështjeje.

Meta paralajmëron se do të marrë një vendim të fortë për çështjen e negociatave të detit me Greqinë Read More »