Kryeministri Edi Rama kërkon të fitojë një mandat tjetër qeverisës ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha garon për mandatin e parë.
Sipas Profesorit Përparim Kabo, asnjë nga kandidatët kryesorë për kryeministër nuk meriton të fitojë zgjedhjet e 25 prillit, ai sugjeron një zgjidhje tjetër.
“As Rama 3, as Basha 1. Në gjykimin tim, Shqipërisë do t’i duhet një koalicion qeveritar drejtues i përbërë vetëm nga teknokratët. Forcat politike që ata drejtojnë janë tejet të konsumuara. Nuk mund të ndryshojnë atë realitet që ata vetë e kanë krijuar”, thotë Kabo.
I pyetur nëse duhen zgjidhje apo zgjedhje apo zgjedhjet prodhojnë edhe zgjidhje, Profesori përgjigjet:
“Shqipërisë i duhen zgjidhje, por në një sistem demokratik, siç është demokracia pluraliste kjo bëhet me ndryshimin e forcave politike përmes zgjedhjeve. Këto zgjedhje të shikojmë se çfarë do sjellin. Nëse do të ketë pastrim paraprak në forcat politike përmes vetting-ut politik, shpresojmë që zgjedhjet mund të ofrojnë dhe zgjidhjen.
“Nëse do të jenë të njëjtët kuaj të karrocave politike 30 vjeçare, atëherë zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje”.
Sipas Profesorit në vend nuk ka oferta politike, pasi mbeten thjesht oferta propagandistike.
“Oferta jepen përditë por problemi është sa politike janë, a kanë në thelb artin e të drejtuarit të shtetit? A ka në themel interesin publik? A ka kujdes për pasuritë kombëtare? A ka politika afatshkurtra dhe afatgjata për zhvillimin e vendit dhe për daljen nga kriza?”
Pala tjetër që kundërshton pa alternativat? Të dyja palët mua më duken si ata në fund të ditës në pazar që bërtasin hajde merreni se çmimi u ul. Thonë do rrisim pagat, ku do i gjesh ti këto para? E kanë bërë një analizë konkrete të financave publike? A je në gjendje të përcaktosh si do të jenë këto të ardhura? Me pritshmëri fiktive apo dëshira subjektive asgjë nuk ndryshon. Analiza duhet të jetë konkrete e gjendjes konkrete.
“Në këtë kuptim ofertë politike nuk shikoj. Ofertën propagandistike e shikoj dhe e dëgjoj çdo ditë”, tha Kabo, i ftuar sot në “Top Talk”, në TCH./NOA.al
Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se “Edi Rama dështoi në çdo sektor dhe e shkatërroi ekonominë”.
Basha shprehet se “shpenzimet për të jetuar dhe papunësia rriten çdo ditë. Ne do të sjellim shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Basha shprehet se “ju kujtohet ku Edi Rama premtoi uljen e kostos për shportën ushqimore. E kundërta ndodhi. Çmimet e ushqimeve që na duhet për të mbijetuar janë rritur me 40%, më të shtrenjtat në rajon. Gjysma e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri. Nëse nuk e ndalim sot Shqipëria do të përballet me një krizë urie. Ne kemi një plan konkret. Ne do të rrisim punësimin. Do të krijojmë vende të reja pune. Me paga dhe pensione me të mira duke e bërë koston e jetesës të përballueshme”./atsh
“Vlorën do ta bëjmë një ndër destinacionet turistike më tërheqëse të Mesdheut”, deklaron kryeministri Edi Rama duke publikuar një fotogaleri nga investimet që po kryhen në jug të vendit.
Rama theksoi se “kohën e humbur si s’ka më keq nga ata që na pararendën nuk e kthejmë dot më, por Vlorën dhe Shqipërinë që duam do ta bëjmë me se s’bën një hapësirë jetese të denjë për njerëzit e këtij vendi”.
“Vlorën do ta bëjmë një ndër destinacionet turistike më tërheqëse të Mesdheut, mu ashtu siç ajo e meriton për bukurinë magjepsëse që i ka falur Zoti, siç e meriton ta ketë atë krejt shqiptaria dhe siç do të ishte me siguri sot, nëse nuk do t’ia kishin humbur njëzetë e kusur vitet e para të lirisë, duke e braktisur dhe lënë në mëshirën e fatit”, shprehet Rama./atsh
Ndryshimet e papritura në qeveri kanë detyruar Kryesinë e Kuvendit të vendosë mbledhjen me urgjencë të deputetëve për të miratuar dekretimin e dy ministrave të rinj, Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi.
Kështu pra, Parlamenti do të mblidhet të hënën në orën 17:00, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama. Kuvendi i nis punimet me sesionin e ri parlamentar më 18 janar, por emërimi i ministrave të rinj do të kalojë në një seancë të jashtëzakonshme.
Katër muaj para zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama vendosi të bëjë ndryshime në qeveri. Olta Xhaçka do të jetë ministrja e re e Punëve të Jashtme, ndërsa Niko Peleshi ministër i Mbrojtjes.
Të gjitha këto ndryshime në kabinet erdhën pasi zv/ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj paraqiti dorëheqjen e tij të parevokueshme në 29 dhjetor 2020.
Më pas, ishte kryeministri Rama, i cili njoftoi në mënyrë surprizë ndryshimet në kabinetin e tij, duke bërë sërish rrotacion.
“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, – ishte njoftimi i Ramës për lëvizjet në qeveri.
Më 31 dhjetor, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njoftoi se dekretoi shkarkimin e zotit Edi Rama nga detyra e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Gjithashtu ai ka firmosur edhe shkarkimin e Olta Xhaçkës nga detyra e ministrit të Mbrojtjes dhe ka dekretuar emërimin e saj në detyrën e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Niko Peleshit në detyrën e ministrit të Mbrojtjes.
Olta Xhaçka ka mbajtur postin e ministres së Mbrojtjes që nga shtatori i vitit 2017, ndërsa tani Rama i ka besuar Ministrinë e Jashtme, e cila deri më 25 prill duhet të bindë vendet skeptike për të hapur negociatat me Shqipërinë.
Ndërsa deputeti i Korçës, Niko Peleshi, i cili do të zëvendësoje Xhaçkën, gjatë mandatit të parë të qeverisë, ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa më pas u zhvendos në dikasterin e Bujqësisë. Peleshi u largua nga kabineti i Ramës në momentin kur ai nisi kritikat ndaj qeverisë. /noa.al/
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mendon se vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Ramës.
Basha komentoi sot daljen publike të Ramës që njoftoi nisjen në janar të vaksinimit për afro 5 mijë persona.
“Edhe me vaksinat e njëjta histori si me dështimet e Ramës këto 7 vjet. Premtoi 300 mijë vende pune dhe shtoi papunësinë dhe varfërinë, rriti koston e jetës dhe shkatërroi ekonominë”.
Për kreun demokrat, si përherë Rama përpiqet t’i shesë dështimet si suksese.
“Shqipëria është vendi që jep ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj. Rama premton të sjellë shumë pak vaksina, dhe shumë vonë krahasuar me vendet e tjera. Serbia ka nisur ndërkohë vaksinimin, ndërsa Rama shkoi në Nju Jork për të blerë këpucë të reja! Ky i dështuar duhet të largohet nga qeverisja, që Shqipëria të ndryshojë e të shpresojë sërish”, thotë Basha duke nisur kështu replikat e vitit 2021.
Në këtë pikë Basha vlerëson se vaksina më e mirë për Shqipërinë është largimi i Ramës.
“Vetëm kjo do na lëvizë nga dështimet drejt suksesit, nga dë shpërimi drejt shpresës.”
Gjatë intervistës së tij për Ora News, presidenti Ilir Meta është ndalur edhe te çështja e detit me Greqinë dhe dekretin e fundit presidencial të shtetit helen për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon me 12 milje.
Sipas kreut të shtetit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2009 u kërkua me insistim nga Partia Socialiste, ndërsa shtoi se nuk do t’i ikë përgjegjësive të tij dhe aq më tepër nuk do të ndaj përgjegjësitë me cilndo që ka ngrënjë një lugë çorbë të prishur.
Këshilli i Lartë i Shtetit në Greqi miratoi dekretin presidencial për zgjerimin e ujërave territorialë në detin Jon me 12 milje. A ka shkelur qeveria deri tani vendimin e Gjykatës Kushtetuese në atë masë sa të cënojë interesat e Republikës së Shqipërisë?
Ilir Meta: Ka patur vetëm qëndrime zyrtare, të përgjithshme, nga ana e institucionit të Presidentit të Republikës për këtë çështje, në mënyrë të vazhdueshme. Nuk ka patur asnjë replikë dhe batuta. Përkundrazi, ka patur për fat të keq, përpjekje nga ana e kryeministrit për ta banalizuar rëndësinë e kësaj çështje dhe për t’i ikur përgjegjësive për këtë çështje. Mungesës së koherencës dhe integritetit në qëndrimet publike për këtë çështje. Dhe natyrisht edhe lojërave të tjera, të cilat nuk mund të fshihen pas mungesës së transparencës.
Nga ana e presidentit ka patur gjithmonë qëndrime shumë të qarta, parimore, konstruktive, bashkëpunuese, në respekt të Kushtetutës dhe në respekt të vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, një vendim i kërkuar nga vetë Partia Socialiste, dikur përpara 10 vitesh, i cili precizon përgjegjësitë për një marrëveshje të tillë apo të ngjashme si ajo të çdo institucioni në Republikën e Shqipërisë. Që nga presidenti, qeveria, Kuvendi dhe gjithë institucionet. Në këtë drejtim, qytetarët duhet të jenë të sigurtë se presidenti i ka përmbushur me besnikëri dhe përgjegjësi maksimale të gjitha detyrimet e veta.
Ndërsa përsa i takon reagimeve të kryeministrit, seriozitetit të tyre, besueshmërisë së tyre, mendoj se secili mund ta bëjë vlerësimin e tij, por e vërteta është që për këtë çështje të gjithë qytetarët., përfshirë dhe presidentin, më shumë informacion kanë marrë nga pala greke sesa një informacion të qartë dhe të përgjegjshëm nga kryeministri i Shqipërisë. Unë do të vazhdoj dhe po vazhdoj të bëj punën time në këtë drejtim me përgjegjshmëri të plotë, në mbrojtje, gjithmonë, të interesit kombëtar, të drejtave sovrane të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve tanë dhe do të vazhdoj të përmbush përgjegjësitë e mia dhe asnjëherë nuk do t’i iki atyre, aq më tepër të ndaj përgjegjësinë time me cilindo që ka ngrënë një lugë çorbë të prishur.
Mos ndoshta, kryeministri me deklaratat e tij shmang Grupin Negociator dhe e bën vetë negocimin?
Ilir Meta: Nuk mund të jetë i vlefshëm asnjë akt individual që del jashtë kompetencave që jep Kushtetuta dhe që përcakton qartë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, për çdo lloj aktori. Lojëra dhe manovra të caktuara thjesht mund të përdoren nga pala tjetër për të dëmtuar një proces të ardhshëm ndërkombëtar, interesat sovrane të Republikës së Shqipërisë. Ndaj unë kam bërë thirrje për të gjithë aktorët që të jenë të përgjegjshëm dhe t’i përmbahen detyrimeve kushtetuese që gjithësecili prej tyre ka në një rast të tillë.
A duhet të marrë një autorizim nga Presidenti i Republikës për këtë?
Ilir Meta: Mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është tepër i qartë. Lojërat pastaj, jo nuk ka marrëveshje, jo ka dakordësi…
E ka quajtur vendim famëkeq kryeministri Rama
Është vendim i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kërkuar me insistim nga vetë Partia Socialiste. Tani se çfarë ka famëkeqe, kjo është një çështje që i takon atij të sqarojë, por autorizimin që kanë kërkuar, e kanë kërkuar gjithashtu në zbatim atij vendimi dhe e kanë marrë autorizimin pikërisht në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu Kryeministri shprehet se është e drejta e një vendi, është e drejta e Greqisë të marrë vendime të tilla, të dekretoj vendime të tilla dhe ne nuk ndërhyjmë. E vetmja zgjidhje e jona është të shkojmë në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Sipas Presidentit të Republikës a është kjo vërtet zgjidhje për këtë çështje?
Ilir Meta: Unë nuk ndaloj dot asnjë politikan shqiptar të bëhet zëdhënës i një pale tjetër, por është detyra ime t’u qëndroj besnik përgjegjësive të mia kushtetuese. Dhe u kam qëndruar atyre dhe do t’u qëndroj deri në fund pasi për këtë jam betuar mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Kush është betuar në ndonjë vend tjetër, le t’u qëndrojë betimeve të tij!
Pra ju nuk do ta pranoni zoti President që Shqipëria të përfaqësohet në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë, pa zgjidhur vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Ilir Meta: Mendoj se Shqipëria do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e brendshme dhe rajonale në datën 25 prill 2021.
Kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc të vitit të vështirë që po lëmë pas.
Ai është ndalur në dy go ditje të mëdha, pasojat e të rmetit dhe pandemia e COVID-19.
Rama thotë se të gjithë ashtu sikurse dhe ai mendojnë se bëjnë punën më të vështirë.
Kreu i qeverisë veçon sak rificat e mjekëve, ndërtuesve, shpëtuesve të jetëve e në veçanti të shqiptarëve të zakonshëm.
“Të gjithë mendojnë se bëjnë punën më të vështirë. Edhe unë mendoj se kjo punë që bëj është puna më e vështirë. Unë punoj shumë, problemet që duhen zgjidhur janë ta pafundme. Lëre pastaj bum tërmeti…bam COVID-i…çfarë sfidash. Por prapëseprapë puna më e vështirë është e atyre që duhet të vrapojnë për të dhënë ndihmën e parë edhe nën rrënojat e tërmetit”, tha Rama.
“Puna më vështirë, – shtoi kreu i qeverisë”, – “është e atyre që ndërtojnë shtëpitë dhe shkollat, puna pa orar dhe pa të diela e mjekëve dhe infermierëve që tash sa kohë nuk mbahet mend që luftojnë kundër COVID”.
“Puna më e vështirë është puna e shqiptarëve të zakonshëm që jetojnë edhe punojnë edhe në këtë kohë të vështirë, e prindërve që luftojnë për t’i dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të fortë. Ata janë arsyeja pse unë zgjohem çdo mëngjes për të bërë më të mirë për vendin”, tha Rama ndër të tjera, teksa bëri një përmbledhje të vitit 2020 që po lëmë pas./NOA.al
Analisti Agron Gjekmarkaj, tha sot se ndryshimet e bëra së fundmi në qeveri bëhen në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit, duke shtuar se nuk sjellin asgjë të re, kurse paralajmëroi se viti që vjen do të jetë viti i Lulzim Bashës dhe opozitës.
Për Gjekmarkajn, Rama ka qeverisur keq në 8 vjet. Ai shtoi se viti tjetër do të jetë i opozitës, vit i ndryshimit.
“Rama do humbasë mandatet. Edi Rama nuk duhet të ikë se ka bërë 2 mandate, por se ka qeverisur keq. Unë besoj se viti tjetër do jetë viti i opozitës, viti i ndryshimit. Unë kam besim se opozita do të rikonstruktohet dhe do të sjellë njerëz më të besuar dhe më të mirë në cilësi. Kjo është prova e madhe e Lulzim Bashës dhe mendoj se mund të jetë provë e suksesshme.
Mendoj se është viti i Bashës dhe i opozitës. Opozita ka dhënë prova serioze, në aspektin e programit që iu ka dhënë shqiptarëve, ka dhënë alternativa që më pas u zbatuan nga qeveria. Kjo gjë tregon se opozita ka potencialet për të ardhur në qeveri. Kjo opozitë duhet të përqendrohet që të jetë më e bashkuar, të marrë njerëz sa më të denjë, që të përfaqësojë vërtetë popullin shqiptar”, deklaroi Gjekmarkaj.
“Ndryshimet në qeveri ishin të befta. Nuk pritej, sepse Rama ndryshoi tani ministrin e Brendshëm. Por ndryshimet nuk sjellin asgjë. Mandati i dytë ka pasur ministra të dobët profesionalë e politikë. Ndryshimet janë në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit. Rama do të thotë se po drejton me socialistë, por është e diskutueshme sesa realisht socialistë janë.
Rama tenton që të kënaqë militantët, por ka zhgënjyer qytetarët. Këta janë ministra të sprovuar, e më shumë kanë qeverisur keq sesa mirë. Rama më së pari ka bërë shumë propagandë, pastaj ministrat. Në këtë kontekst, 4 muaj nuk mund të presim mrekulli”, u shpreh Gjekmarkaj.
Në lidhje me ministrat e larguar Cakaj dhe Shahini, Gjekmarkaj deklaroi se nuk ka asgjë të keqe që të kemi funksionarë të lartë të Shqipërisë nga shteti i Kosovës, por se ata duhet që të jenë personalitete të rëndësishme.
“Nuk ka asgjë të keqe marrja e ministrave nga Kosova. Nëse do të merrte Veton Surroin apo të tjerë persona me rëndësi, do vlerësohej. Rama mori të rinj të paprovuar, u goditën vazhdimisht dhe aq sa u bënë një peshë dhe kryeministri u detyrua që t’i heqë. Absolutisht nuk ka asgjë të keqe që të marrësh ministra nga Kosova, por problemi është tek cilësia. Rama veproi si mbretërit në mesjetë, që nuk i jep llogaritë askujt, unë të marr, unë të heq”, vlerësoi Gjekmarkaj.
Për situatën politike në Kosovë, Gjekmarkaj vlerësoi se Albin Kurti e Vjosa Osmani mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
“Shoh një rritje të Vetëvendosjes. Pritet të shihet si do të lëvizë Vjosa Osmani. Isa Mustafa nuk di të ikë nga karrigia. Besoj se Kurti e Osmani mund të bashkëpunojnë. Gjykata Kushtetuese tregon se dii të respektojë ligjin. Shpresojmë që GJK të marrë vendime me rëndësi, të drejta.
Ngjarjet në Kosovë ka ndikim psikologjik edhe në Shqipëri. Në Kosovë e kanë lëshuar karrigen më lehtë, ndërsa në Shqipëri ngjan se ikin bashkë me karrigen. GJK në Shqipëri duhet të shikojë faktin si u bënë zgjedhje moniste në vend. Ata zgjedhje duhet të përsëriten. Edhe çështja e Teatrit duhet të rishikohet nga GJK”, shtoi Gjekmarkaj.
Në fund, Gjekmarkaj theksoi se për vaksinën ndaj koronavirusit, ka pasur më shumë fjalë sesa vepra.
“Nëse vaksina anti-Covid vjen në Shqipëri, unë do e bëja i pari. E rëndësishme është që virusi të jetë mes nesh. Shikoj më shumë fjalë se vaksina. Nuk do ishin realitet nëse do vijnë 100 vaksina në Bullgari, por të vijnë shumë vaksina. Është detyrë e qeverisë, që të sjellë vaksinat, që t’i japin fund pandemisë. Shumë vende ballkanike kanë ecur para nesh. Duhet të mos kemi fjalë, por fakte. Fjalët i merr era”, përmbylli Gjekmarkaj.