Opinione

Rudina Xhunga: Do bëhem ministre e Rendit!

Nga Rudina Xhunga

Para disa ditësh, në fund të pushimeve në Vlorë, që më mbushën me besim, se vendlindja ime do ia dalë të bëhet qyteti më turistik në Ballkan, u ndodha mes një situate dëshpëruese, që nëse nuk e ndaj, nuk do më lërë më të kthehem në Vlorë.

Një makinë na bllokoi makinën,  afër një klubi të vogël ku pinë kafe gjithë njerëzit e Flamurtarit. Një djalë u ofrua te na jepte numrin e telefonit të personit që e bllokoi.

E morëm dhe ai e kishte me nge. E lajmëruam qe do të kërkojmë policinë dhe na tha; merreni, po ju erdhi dhe na mbylli telefonin. Policia rrugore erdhi për katër minuta. Polici me motorr shkoi të sqarohet në klub, por e përzunë vlonjatce.

Erdhi dhe ishte gati te na kërkonte llogari neve, pse e kërkuam kot, kur unë me time bije për dore, mes një skene, ku polici ndiqej nga djemtë e klubit që i hakërreheshin, ndërsa im shoq mundohej të qetësonte situatën, iu ktheva policit;

Si guxojne ata të të poshtërojnë. E dinë ata kush je ti? Ti je shteti! Ah moj Rudina,- tha polici dhe befas, ndryshoi. Nxorri fletën e gjobës dhe nisi te shkruajë. Në çast erdhen çunat, edhe i zoti makinës, me ulërima e hakërrima.

Im shoq më largonte mua. Une nuk i ndahesha policit me vajzën prej dore. Sa më shumë bënin trimin ata, aq më shumë unë i jepja zemër policit. Ai nuk reagonte, mbushte fletën, derisa situata po i dilte nga kontrolli. Atëherë lajmëroi në radio për pengim pune dhe kërkoi përforcime.

Ndërsa dëgjohej nga larg sirena e policisë, ne ikëm. Por në mendje kisha poshtërimin e atij njeriu, që e beri punën e tij, sapo mori ankesën,  për 4 minuta. Vetëm pse bëri punën e tij, e benë të ndihej i pafuqishëm, i padobishëm, i mjerë.

I dhashë zemër, pastaj e lashë vetëm. Sepse ndonëse me armë e uniformë, ai  vetëm ishte. Bindja e djemve në kafe, se  përballë tij, qenë më të fortë, më trembi njësoj si mua dhe atë.

Mua më shumë. Sepse për mua , ai polic ishte shteti. Një shtet i trembur përballë të fortit nuk më mbron mua, por të fortin. Kjo më bën mua ose të tkurrem e fshihem, ose të guxoj e bërtas. Siç po bëj tani, duke e thënë shqip. Nuk kam besim te policia e drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Është efikase dhe e kudondodhur, por kokëulur. Sepse Xhafaj është i tillë. Efikas dhe i kudondodhur, por kokëulur.

Nuk e mori veten nga situata me të vëllanë. Nuk ështe peng i krimit si shumë para tij, por peng i vetes dhe i kompleksuar nga ata që i kujtojnë vëllanë.

Dhe një polic mes nje ministri te kompleksuar, dhe nje drogaxhiu, mafiozi, apo dhe të forti rruge, apo trimi stadiumi, do zgjedhë të dytin, ose do struket e do ulë kokën mos e kap reforma, apo ndonjë plumb i verbër.

Sepse ai që duhet të flasë i pari,  po hesht. Unë i dhashë zemër nje polici të bejë detyrën, unë harrova që isha nënë dhe po tërhiqja një fëmijë në sherr, ndaj e nis këtë shkrim me ofertën, me bëni mua, ministre rendi!

Që të jap shembull se guxoj të përfaqësoj dhe mbroj stafin që drejtoj. Nuk dua të bëhem vërtet, pa frikë kush ka vënë shishen në radhë. Dua vetëm, t’i them ministrit tim të rendit:  speak out, fol shqip dhe jepu zemër policëve të tu.

Tregoju që janë shteti, thuaji që shteti sado i dobët të jetë, pa shtet është 97, thuaji që droga do ju japë para që do u shënjojnë ditët, se vite nuk do kenë. Do i vrasin qëllimisht a gabimisht.

Thuaju që vëllain tënd e çove në burg dhe kështu do çosh cdo një prej tyre qe vesh uniformë dhe bëhet me të keqen. Thuaju qartë, kush është e keqja.

Thuaju që do i mbrosh dhe drejtosh, jepu të rinjve ëndrrën të hyjnë ne polici për respekt e karrierë, për t’u bërë të zotë e të çmuar për  vendin, jo pjesë e listepagesës së krimit.

Jepu burrave e grave me kapele,  reformën që i mbron nga politika dhe i bën të vlefshëm për shtetin dhe jo pushtetin e radhës.

Një polic që ka frikë për bukën e fëmijës, është nje qyqar që s’do më mbrojë dot kurrë, as mua, as veten, as ty, kur të mos jesh më në politike.

Qofshja naivja e fundit që besoj te Fatmir Xhafaj, por nëse nuk besoj do më duhet sot, të bëj valixhet e iki, jo të ulem e shkruaj këto radhë.

Por nëse ti nuk flet, nëse njerëzit vriten gabimisht ( kuje, kuje, gabimisht!) , nëse nuk gjendet kush dërgon plumba në beton, para se t’i derdhë në mish, në shtëpinë e gazetarëve, nëse do tregojmë legjenda vere, pa i shkruar e zbuluar për plagosje misterioze, nëse vrasësit shtohen e trimërohen, ndërsa të tutë e të mite, struken e s’duken, atëherë edhe po fole, s’do ketë kush të të dëgjojë.

Sepse ne do kemi ikur, ndërsa ata që do mbesin,  do të vëne ministrin e tyre.

Rudina Xhunga: Do bëhem ministre e Rendit! Read More »

Ankoheni se paguani shumë taksa? Tani do t’u shtohet një tjetër çdo muaj në faturën e dritave

Qeveria shumë shpejt do t’u shtojë një tjetër taksë në faturën e dritave. Pas taksës për televizionin ku çdo familje paguan 1 mijë lekë të vjetra në muaj, tashmë do të paguajnë dhe taksën e pronës po në këtë faturë. Për opozitën kjo është një shkelje e autonomisë së pushtetit vendor, pasi një taksë e tillë duhet të mblidhet nga bashkitë.

Deklaratë e Partisë Demokratike, deputetja Dhurata Çupi

Edi Rama ka dy standarde në qeverisjen e vendit: Nga njëra anë rrit taksat për shqiptarët, duke i varfëruar gjithmonë e më shumë; Nga ana tjetër, buxhetin me taksa të rritura ia shpërndan krimit e trafikantëve shokë e miq të deputetëve. I shpërndan familjes së tij, si në rastin e baxhanakut Armand Frangu. Apo ia shpërndan miqve që e financojnë, si Agron Papuli, duke i pasuruar ata gjithnjë e më shumë. Këtë ka ndërmed të bëjë edhe me taksën më të re që u ka vënë shqiptarëve.

Nga një anë u merr familjeve shqiptare paratë e taksës së rritur të shtëpisë dhe të ndërtesës së biznesit, nga ana tjetër do t’ia japë një pjesë të këtyre parave Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Dihet se ku i çon OSHEE-ja paratë e shqiptarëve: ia jep miqve trafikantë droge te qeveritareve  ose baxhanakut të kryeministrit. Sipas planit të Edi Ramës grabitja për qytetarët me taksën e ndërtesës do të jetë e dyfishtë. Njëherë me rritjen e pajustifikuar të taksës, pastaj me caktimin e OSHEE-së si mbledhëse e kësaj takse, duke e shpërblyer me 4 përqind të shumës së mbledhur nga taksat e rritura.

Përveçse një dhunim flagrant i  kompetencave të pushtetit vendor,   vendimi pasuron arkën e OSHEE-së hajdute, duke i hequr nga xhepi një dorë parash shumicës dërrmuese të qytetarëve. Formula e Edi Ramës detyron që për një shtëpi me vlerë tregu 100 milionë lekë, qytetari të paguajë rreth 60 mijë lekë taksë ndërtese në vit. Për biznesin në qytet dhe fshat taksa është edhe më e lartë, ndërkohë që qeveria përjashton nga taksa hotelet me 5 yje.

Nga rreth 80 milionë euro që parashikon të mbledhë nga taksa e rritur e ndërtesës, ne vit,  Edi Rama synon që OSHEE të marrë 3.2 milionë euro. Qytetarët duhet ta dimë se kaq kushtojnë vetëm  dy tenderët që kanë marrë javët e fundit baxhanaku i Edi Ramës dhe miku i Taulant Ballës. Shqiptarët nuk meritojnë një qeveri që u rrit taksat dhe i shpërndan paratë tek krimi, miqtë dhe familja. Së bashku, ne duhet të bëjmë gjithçka për të larguar një qeveri që po rrënon ekonominë e familjeve të zakonshme shqiptare!

Ankoheni se paguani shumë taksa? Tani do t’u shtohet një tjetër çdo muaj në faturën e dritave Read More »

“Pushteti fton pronarët e mediave që të…”, gazetarja e njohur flet për prapaskenat e largimeve dhe afrimeve në TV

Ajo është një nga gazetaret që prej mbylljes së Agon Channel ka preferuar të mos angazhohet në ndonjë media tjetër. Por, Sonila Meco nuk qëndron pasive. Ajo në një shkrim në Facebook komenton ndryshimet në televizionet shqiptare.

Supermedia

Nuk po gjen derman merkato mediatike këtë sezon dhe nuk ka më dyshim se prurja e programeve të reja të shoëman-it gjithëfarësoj po shkatërron dhe trullos konkurencën.

Pasi pushteti i thirri mendjes, se më me leverdi se kapja e mediave ekzistuese është futja vetë në biznesin mediatik dhe shoëbiz, në zhanret info, entertainment, infotainment, dokumentar dhe reality, duke llogaritur buxhetet edhe më të larta se televizionet, platformat, sponsorët e rreshtuar vullnetarisht, audiencën me avatarë deri nga Kina e Xhibuti, PR-in e fuqishëm ndërkombëtar dhe kohën e lirë në dispozicion krahasuar me aktorë të tjerë mediatikë, tashmë nuk mbeten më avantazhe konkuruese për mediat dhe figurat aktuale të ekranit.

Së shpejti programe, patenta dhe rubrika të reja nga pushteti, që fton pronarët mediatikë dhe ikonat televizive të çdo zhanri të logjikojnë për konkurencën e ashpër, që i pret. Ndërsa publiku të mos mashtrohet më nga merkato e çoroditur, një përpjekje e pashpresë e mediave ekzistuese për të përballuar supermedian.

“Pushteti fton pronarët e mediave që të…”, gazetarja e njohur flet për prapaskenat e largimeve dhe afrimeve në TV Read More »

Paralajmërimi i fortë për Klodiana Lalën, “Atentatorët s’kanë hequr dorë, do ketë sulme të frikshme”

Profesori i njohur, Edmond Tupja në një shkrim për sulmin ndaj gazetares, Klodiana Lala, e paralajmëron atë që të qëndrojë vigjilente pasi autorët nuk kanë hequr dorë nga qëllimi i tyre. “Mos pandehni se atentatorët kanë hequr ose do të heqin dorë nga qëllimet e tyre vrastare: Pa dashur të luaj rolin e Kasandrës së Homerit, dua t’ju them se, me shumë gjasë, ju do të bëheni sërish objekt sulmesh përherë e më të frikshme!”

Nga Edmond Tupja

E dashur Klodiana, së pari, lejomë t’ju drejtohem kështu, thjesht fare, drejtpërdrejt, duke u përpjekur të arsyetoj edhe racionalisht, pra, me logjikë të ftohtë, edhe – përse jo? – emocionalisht, pra, me zemër, sepse, siç pohonte filozofi Paskal në Francën e shekullit XVII, “Zemra ka arsyet e veta që arsyeja nuk i njeh”.

I neveritshëm e njëherazi i përbindshëm ai atentat që ata, të paemërtit e të pranishmit e nëndheshëm nën urdhrat e një kupole të kudondodhur në Shqipërinë tonë të çoroditur, tashmë të transformuar në një demokrature të frikshme, – kryen para tri ditësh kundër një pjese të së ardhmes shqiptare, pra, kundër fëmijëve tuaj, si edhe kundër prindërve tuaj pjesë e së tashmes shqiptare, që ju kanë edukuar, ndër të tjera, me frymën e ndershmërisë, e drejtësisë, e guximit dhe të dashurisë për profesionin.

Mirëpo, njëkohësisht, bëhej e bëhet fjalë për një atentat kundër gazetarëve në përgjithësi e kundër gazetarëve investigues në veçanti, që dinë të shmangin kurthet e ëmbla të gënjeshtrave për të zhbiruar të vërtetat e hidhura të dramës ngjethëse që po përjeton këto vitet e fundit Shqipëria jonë e mjerë. Nga ana tjetër, ky është një atentat kundër gruas shqiptare, që vazhdon të jetë në shënjestër të një dhune të paparë e të pafalshme, vetëm e vetëm se ajo – qoftë gazetare, qoftë gjykatëse, qoftë punëtore apo fermere – kërkon të jetë e barabartë me burrat e të marrë pjesë gjallërisht, duke thënë fjalën e saj në të gjitha fushat e jetës.

Sigurisht, është e qartë se atentati kundër të afërmve tuaj më të shtrenjtë shpalos paturpësisht tiparet e një atentati të tipit tejet mafioz ngaqë ishte i pabesë: i pabesë, sepse u krye ndaj të gdhirë, i pabesë sepse futi në rrezen e tij vdekjeprurëse fëmijë të pambrojtur (si vajzat e tuaja të mitura) dhe njerëz të moshuar (si prindërit tuaj të tronditur) po aq të pambrojtur, dy kategori këto që kanë veçanërisht nevojë për siguri, dhembshuri e përkujdesje të pareshtur.

Gjithashtu, e dashur Klodiana, kini parasysh një gjë: mos pandehni se atentatorët kanë hequr ose do të heqin dorë nga qëllimet e tyre vrastare: Pa dashur të luaj rolin e Kasandrës së Homerit, dua t’ju them se, me shumë gjasë, ju do të bëheni sërish objekt sulmesh përherë e më të frikshme! Qëndroni, pra, vigjilente, ndërkohë që – dhe për këtë jam i bindur – do të vazhdoni deri në fund e pa u tutur punën tuaj si gazetare investiguese, sepse e tillë jeni gatuar: me brumin e ndershmërisë dhe të kurajës së patundur. Të panumërt janë ato dhe ata që ju admirojnë për punën tuaj në shërbim të së vërtetës, por mjaft gazetarë e publicistë ju vlerësojnë edhe profesionalisht për mënyrën se si niseni nga fakti, se si i zgjidhni e i renditni argumentet për ta çuar bindshëm lexuesin ose teleshikuesin drejt përfundimesh të mençura, por të paraqitura me një modesti të sinqertë ku natyrshëm gjejnë vend edhe hamendësimet e nevojshme, të cilat jo rrallëherë janë aq të domosdoshme për t’u futur në labirintin e errët të krimit e për të rindërtuar puzzle-in e nxjerrjes në dritë të autorëve të tij.

Së fundi, lejomëni t’ju kujtoj batutën e famshme të filozofit Volter, i cili në Francën e më shumë se dy shekujve më parë, thoshte: “O Zot, mbromëni nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”. Përse po jua kujtoj? Thjesht sepse jetojmë në një kohë kur është rritur numri i atyre që pasi vrasin dikë natën, shkojnë dhe e qajnë ditën! Kriminelët e tipit narkoligarkomafioz janë aktorë të përkryer sidomos kur, njëkohësisht, kanë kapur disa hallka të rëndësishme të pushtetit qendror e vendor. Ruhuni, pra, prej atyre që shtiren sikur ju duan të mirën, ju jeni aq psikologe sa ta zbërtheni, qoftë edhe nëpërmjet vështrimit, se ç’bluan dikush që ju premton në mënyrë bombastike ose patetike mbrojtje e siguri juve, familjes dhe prindërve tuaj.

E dashur Klodiana, Nuk do t’ju marr më nga koha juaj që është shumë më e çmuar se e imja. Besomëni, ju lutem, në solidaritetin tim intelektual dhe mos e reshtni kurrë e kurrsesi luftën tuaj, luftën e të gjithë gazetarëve, luftën tonë të përbashkët për ngadhënjimin e së vërtetës.

Paralajmërimi i fortë për Klodiana Lalën, “Atentatorët s’kanë hequr dorë, do ketë sulme të frikshme” Read More »

Për Klodiana Lalën dhe ata që abuzojnë me lirinë e fjalës

Nga Mentor Kikia

Rasti i sulmit me armë në shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala duhet të zbardhet me urgjencë. Sepse, ne duhet të dimë nëse ai sulm i adresohej asaj pesonalisht, për shkak të profesionit, pra për shkak të asaj që ajo ka shkruar apo ka folur?

Sepse, ne duhet të dimë nëse ka shkuar deri këtu reagimi i njerëzve të fortë, të politikës dhe krimit, që nuk lejojnë tu preket as imazhi publik? Apo për të mësuar që ka shkuar deri këtu kërcënimi ndaj punëtorëve të medias?

Sepse, nëse kjo është e vërtetë, atëherë jemi në një situatë të rëndë dhe alarmante dhe autorët duhet të dalin para drejtësisë në “mënyrë shembullore”, sa më shpejt.
Sespe, edhe nëse ai sulm ka arsye të tjera, duhet të zbardhet, sa më parë, për ti siguruar jetën atyre njerëzve që u paralajmëruan atë natë në mënyrë ”simbolike”, e për të davaritur panikun e krijuar mes tyre.

Ky nuk është rasti. Ngjarja ta do që sot të ngrejmë të gjithë zërin kundër asaj që ndodhi. Dhe unë e bashkoj të gjithë britmën time me ata që bërtasin për të siguruar lirinë e medias, lirinë e punës tonë për të informuar dhe denoncuar paudhësitë dhe maskarallëqet e pafundme në këtë vend. Ky pra, nuk është rasti, për të thënë gjëra të tjera, por unë mendoj se duhen thënë. Pikërisht në shërbim të asaj lirie që ne e kërkojmë me forcë, jo për vete, por si frymë dhe gjak për demokracionë tonë.

A e abuzojmë ne gazetarët lirinë tonë, apo, a abuzojmë ne me të tjerët, në emër të profesionit tonë? Të flasësh “qesim”, por guximshëm, nuk është gazetari investigative. Kjo dëmton imazhin tonë, profesionin e misionin tonë, dhe u shërben edhe më shumë atyre që duhen denoncuar, jo me fjalë të guximshme, por me fakte të forta. U shërben atyre që kërkojnë heshtjen tonë. U shërben, të na zhvlerësojnë dhe konsiderojnë si koshere që gumëzhin, pa pickuar.

Portalet e mediat online mbushen çdo ditë me lajme të tilla. Me saktë me shkrime ku nuk dallohet ku mbaron lajmi e ku fillon qëndrimi i autorit. Akoma më keq, çdo kush i jep të drejtë vetes të thotë çdo gjë, të sulmojë e shajë gjithkënd, dhe kjo në emër të gazetarisë, lirisë së medias. Padyshim, media duhet të jetë e lirë, pa asnjë kufizim. Por jo e lirë të llapë, të shajë e denigrojë, shpesh edhe njerëz krejt pa faj. Duhet të jetë e lirë të denoncojë, të informojë e investigojë.

Në emër të gazetarisë, edhe një syresh ndër ne, shkruan në median e tij dhe nëpër portale, duke sharë e shpifur ndaj një familjeje. Duke mos i lënë kusur, gruas e burrit, fëmijëve dhe farefisit, themeleve të shtëpisë dhe katundit të origjinës.

Duke i nxjerrë në pazar deri edhe dhëmbët e dhëmballët të mbushura e të pambushura, recetën e ilaçeve të stomakut, zemrës e qetësuesit e gjumit. Kjo shitet si denoncim i korrupsionit. Në fakt është një përndjekje kriminale që bëhet, sepse gruaja-drejtoreshë arsimi, nuk i futi në punë si mësuese bashkëshorten gazetarit. Dhe gazetarit mos ia kthe fjalën, se ai të bën gjëmën.

Dikush tjetër shkruan natë e ditë për dyqane e supermarkete që shesin ushqime të rrezikshme. Pa asnjë fakt, asnjë provë, pa asnjë emër artikulli.

Vetëm duke abuzuar me ndjeshmërinë e njerëzve për sigurinë ushqimore e vetëm për të vënë gjoba ndaj tregtarëve. Nëse këta soj gazetarësh i rrahin nesër në ndonjë qoshe, a duhet vallë të protestojmë për cënimin e lirisë së medias?

Respektimi i lirisë është padyshim i dyanshëm. Ne e kërkojmë lirinë, jo për veten tonë, por në emër të demokracisë, për të përmbushur një mision, që nuk është në shërbimin tonë, por në shërbim të demokracisë dhe shoqërisë. Të jesh gazetar nuk është një privilegj. Eshtë një detyrë, madje e vështirë, për ti shërbyer shoqërisë.

Për Klodiana Lalën dhe ata që abuzojnë me lirinë e fjalës Read More »

Ndoka, Ramës: Qytetaria shkodrane vërtet nuk të don, por ky dënim është i rëndë për ta, këtë nuk do ta falin kurrë!

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të reagojë, pasi krimi ka pushtuar Shqipërinë.

Ndoka e ka cilësuar ngjarjen e sotme të Shkodrës, ku u ekzekutua biznesmeni 31 vjeçar, si rënie të shtetit.

Ja postimi i Ndokës:

Shko në Shkodër Z. Kryeministër! Zgjohu Zoti Kryeminister, Rendi dhe siguria nuk jane statistike numrash, por garanci dhe shpresë për të jetuar në këtë vend.

Zgjohu nga “gjumi”, çliroju nga demagogjia; qendro në krye të shtetit, qeveris dhe mos u tall me popullin tënd, që të vetmen shpresë ka shtetin që ta mbrojë.

Ku është shteti, ku është rendi e siguria, ku është përgjegjësia e juaj si KM?

Katër vrasje me pesë viktima në Shkodër, dy persona të zhdukur, tre automjete të djegura; ende asnjë autor i dyshuar, asnjë piste hetimi, asnjë motiv, asnjë përpjekje institucionale, asnjë shpresë për familjet shkodrane.

Sa tmerr, sa turp, sa mungesë përgjegjësie e profesionalizmi, sa frikë për sot e për nesër. Kryeministri na thotë; se po mos të kishte ndodhur ngjarja kriminale në Selenicë, do ishim më mirë se vjet!

Sa ftohtë llogjikon, sa frikshëm, sa pa përgjegjësi; krimi nuk është statistike, por jetë njeriu Z.Kryeminister.

Leri të tjerët të merren me shifrat, por merru me fenomenin kriminal në rritje, që po zhduk shpresën në këtë vend.

Shpalli luftë krimit dhe kriminelëve, atyre të rrugës dhe atyre qe i ke në parti e Kuvend, që ti ka sjell krimi aty, për të mbrojtur vetën me “avokatët e djallit” me mandat politik.

Zgjohu Zoti Kryeminister, filloje luftën me vetën dhe të tuat si fillim, me të tjerët të merret drejtësia, por pa avokatët e djallit nëp?r këmbë, të mandatuar nga vota e krimit.

Qytetaria shkodrane vërtet nuk të don, por ky dënim është i rëndë për ta, këtë nuk do ta falin kurrë!

Kuptoje këtë situate, po ta them si mik, si deputet i zgjedhur në Shkodër pesë herë, e njoh atë qytet, më ka mandatuar ti përfaqesoj.

Por të njoh edhe ty si njeri, si Kryeminister, ndaj gjej forcë dhe kurajo; shko në Shkodër, çliroje Drejtorinë e Policisë nga interferimi i krimit dhe drejtimi i përfaqësuesve të tu politikë.

Kaq e thjeshtë është zgjidhja; por në keto kushte, sot e ke vetëm ti në dorë ta zgjidhësh, për fatin tonë të keq! Shko në Shkodër Z.Kryeministër!

Ndoka, Ramës: Qytetaria shkodrane vërtet nuk të don, por ky dënim është i rëndë për ta, këtë nuk do ta falin kurrë! Read More »

Ngjarjet e rënda në Shkodër, reagon Jozefina Topalli: Qyteti im është nën pushtetin e krimit, askush nuk i del zot

Ish-kryetarja e Kuvendit dhe deputetja e PD-së Jozefina Topalli përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme në Shkodër ku biznesmeni Arjan Ferracaku u gjend i vdekur në zonën e Livadhës pasi ishte qëlluar me kallashnikov.

Jozefina Topalli thotë se Shkodra sot është nën pushtetin e krimit dhe se askush nuk i del zot.

“Kaq shume te vrare . Kaq egersisht te vrare…Keshtu nuk ka ndodhur kurre ne qytetin tim.
Shkodra sot eshte e braktisur nga te gjithe”, shkruan Topalli.

Postimi i plotë:

Qyteti im eshte nen pushtetin e krimit.. dhe askush nuk i del zot!

Nje tjeter i ri, nje djale 31 vjeç, baba i dy femijeve eshte gjetur i vrare ne qytetin tim, njoftojne mediat .Ajo qe po ndodh ne qytetin e Shkodres eshte e frikshme.

Kaq shume te vrare . Kaq egersisht te vrare…Keshtu nuk ka ndodhur kurre ne qytetin tim. Shkodra sot eshte e braktisur nga te gjithe. Qytetaret e saj jane ne meshire te krimit.

Sikur te mos i mjaftoje mjerimi e papunesia e tmerrshme, aty asgje nuk eshte me si me pare. Shkodranet jane braktisur…. nga te gjithe nga te gjithe…

Qyteti im , qyteti muzikes, i gazit e fjales se embel, i gezimit te jetes, sot eshte nen terrorin e plumbave te krimit …dhe eshte vetem! Vetem.

Ngjarjet e rënda në Shkodër, reagon Jozefina Topalli: Qyteti im është nën pushtetin e krimit, askush nuk i del zot Read More »

Psikologjia e humbjes, shqiptari dhe gomari!

Nga Kreshnik Osmani

Numri i shqiptareve qe i takon dhe te thone cdo dite se ky vend eshte plotesisht e pamundur qe te behet eshte duke u rritur me ritme te frikshme dhe une jam i prirur te mos besoj se kjo gje ndodh rastesisht, por eshte super e studjuar dhe e investuar. Pyetja qe lind natyrshem ne raste si keto eshte: “A eshte mundur qe te tejkalohet psikologjia e humbjes, e deshtimit dhe e inferioritetit?!” A eshte e mundur qe te shpetojme prej nje virusi kaq te rrezikshem apo eshte pa sherim?! Teksa mendoja lidhur me kete me erdhi ne ndihme historia e nje fshatari me gomarin e tij te dashur.

Nje dite fshatari donte te lidhte gomarin ne mbremje por nuk kishte asnje cope litar per ta bere kete. Shkon tek komshiu per t’i kerkuar ndihme. Komshiu i thote: “As une nuk kam litar, por e kam nje zgjidhje per hallin tend. Afroju gomarit dhe improvizo levizjet sikur je duke e lidhur dhe shko e fli rehat”. Ashtu beri fshatari. Iu afrua gomarit dhe beri sikur po e lidhte dhe gomari nuk luajti gjithe naten nga vendi. Te nesermen fshatari shkoi per ta marre gomarin qe ta nxirrte ne fushe, por gomari nuk luante vendit. As me te mire as me te keq. Fshatari i gjendur ne veshtiresi shkon serish dhe kerkon ndihme tek komshiu i tij duke i treguar se gomari nuk luante vendit.

Komshiu i tha: “Gomari nuk luan vendit sepse ai eshte fiksuar qe ti e ke lidhur dhe nuk ka per te levizur nga vendi, nese nuk e zgjidh. Shko tek gomari, bej sikur po e zgjidh dhe ai do te levize”.
Po aty nuk ka asnje litar tha fshatari.
Keshtu mendon ti i tha komshiu, por gomarit i eshte fiksuar se eshte i lidhur. Ashtu beri fshatari, beri sikur e zgjidhi dhe gomari nuk beri fare rezistence. Doli ne are per bukuri per te bere detyrat e tij te zakonshme.
Mos te guxoje askush qe te qeshe me gomarin. Pjesa me e madhe e njerezve, jane te kapur prej nje litari te holle dhe te padukshem te cilin ua ka lidhur paria mafioze ne qafe. Kete litar njerezit nuk e shohin, dhe eshte pikerisht ai litar qe i mban peng dhe te lidhur si sklleverit pas padroneve te tyre. Ky eshte litari qe i mban peng te ndryshojne jetet e tyre dhe t’i shpetojne skllaverise. Keshtu pra, sa shume njerez te mencur dhe te fuqishem, perjetojne iluzionin se jane te pafuqishem. Sa shume njerez te mencur dhe shume te zgjuar mendojne se jane gomere nga trute. Sa njerez te forte dhe plot me energji mendojne se jane plotesisht te pafuqishem.

Te gjithe popujt e botes, te cilet e trashegojne brez pas brezi psikologjine e humbjes, te injorances, te prapambetjes, te dobesise, te frikes dhe te pafuqise, do te mbeten skellever te kastave mafioze te cilat ei sundojne, deri sa te zgjidhin ate litarin e holle te cilin ata ua kane lidhur ne fyt, me shume dredhi, hile e marifet!

Psikologjia e humbjes, shqiptari dhe gomari! Read More »