Opinione

Basha: Koha e fjalëve po mbaron, në protestën e ardhshme vendos sovrani

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbyllje të protestës së shtatë kombëtare nga oborri i selisë së PD deklaroi se, zgjidhja e vetme politike janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë. Harrojeni se do mbani pushtetin me dhunë. Hapini rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si zgjidhja e vetme politike. Lëreni sovranin të flasë me votë ose dëgjoja zërin në protestën e ardhshme”, tha Basha.

“Ne nuk hedhim asnjë hap pas. E sotmja është dita e fundit që ju drejtohem me argumentet e arsyes të gjithë atyre me përgjegjësi në kupolën socialiste. Koha e fjalëve po mbaron sepse në protestën e ardhshme fjalën do ta ketë vetëm sovrani, vetëm ju. E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë me dhunën e krimit, mbrohet me dhunën e krimit”, u shpreh Basha.

Basha theksoi se, “demonstrata sot ishte me praninë më të madhe që ka parë ndonjëherë Shqipëria, Ballkani dhe Europa. Një protestë e lirë për zgjedhje të lira pa të cilat s’mund të ketë demokraci”.

Basha theksoi se “gjatë protestës tonë bëmë gjithçka që asnjë punonjës i thjeshtë i rendit të mos dëmtohej dhe se kam fjalën për horrat që hedhin gaz”.

Pavarësisht kësaj, tha Basha, “përgjigja e tyre ishte dhuna disproporcionale ndaj disa protestuesve me fraktura dhe plagë të thella në këmbë”.

“Të jemi të bashkuar kështu dhe të vendosur për vlerën më europiane pa të cilën nuk ka Europë, nuk ka Amerikë, nuk ka demokraci, por vetëm despotizëm lindor si ai që Edi Rama do të instalojë në Shqipëri për të shkatërruar njëherë e mirë institucionet dhe integrimin euro-atlantik”, nënvizoi Basha. /atsh

Basha: Koha e fjalëve po mbaron, në protestën e ardhshme vendos sovrani Read More »

Alibeaj: Basha dhe PD kanë qenë në mbrojtje të policëve

“Ndryshe nga kjo qeveri që, kur ishte në opozitë, dhunonte policinë, Lulzim Basha dhe PD në çdo protestë kanë qenë në mbrojtje të policëve me thirrje të hapura dhe me veprime konkrete”, deklaroi sot ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj duke reaguar pas deklaratës së policisë për arrestimet e disa protestuesve pas akteve të dhunës në protestën e së dielës në mbrëmje.

Alibeaj theksoi se, nuk ka njeri në Shqipëri që i ka dhunuar më shumë policët sesa Edi Rama duke i kthyer ata në shërbim të krimit.

“Policia që drejtohet nga të inkriminuar do të çlirohet bashkë me gjithë popullin nga zgjedha e krimit dhe te korruptuarit”, u shpreh Alibeaj ndërsa shton se policia është e popullit dhe jo kundër tij.

“Policia është e popullit dhe jo kundër popullit, qeveria është e krimit kundër policisë dhe popullit të saj. Populli është në këmbë për t’i kthyer dinjitetin dhe policisë së shtetit, prandaj ne jemi me ta në krah dhe mbrojtje të tyre”, theksoi ai./atsh

Alibeaj: Basha dhe PD kanë qenë në mbrojtje të policëve Read More »

Braçe: 30 vjet i njëjti qëllim, pushteti me dhunë

“30 vjet një kriminel, 30 vjet një parti në krim, 30 vjet dhunë, vrasje, destabilizim, sulm mbi institucionet. 30 vjet i njëjti qëllim, pushteti me dhunë. 30 vjet dhe i njëjti kriminel që përvëloi jetën e dy brezave: prindërve dhe fëmijëve që lindën në ’90-tën e që sot janë 29 vjeç! Boll më”, deklaroi sot zv.kryeministri Erion Braçe.

Braçe kërkoi që t’i jepet fund me ligj e drejtësi. “Sulmi i sotëm mbi Policinë e Shtetit ishte sulm për të vrarë, marr jetë! Shiheni në foto! Çdo sulm për të vrarë duhet hetuar e ndëshkuar në mënyrë shembullore me forcën e maksimumin e ligjit; Jo ndaj kalamajve që u perdorën por ndaj vrasësve të vërtetë, patjetër urdhërdhënësve politikë”, tha Braçe.

Braçe shprehu respektin pafund për Policinë e Shtetit, çdo drejtues e çdo polic të përfshirë në mbrojtje të ligjit e rendit publik e Kushtetues! “Tani ligj e drejtësi”, tha Braçe./atsh

Braçe: 30 vjet i njëjti qëllim, pushteti me dhunë Read More »

Basha: Negociatat nuk do të hapen në qershor

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se beteja e opozitës nuk është për karrigen e një partie, por që pushteti t’i takojë çdo qytetari. Duke folur në një takim në Fier, Basha vuri në dukje se gjendjen në vend e dinë të gjithë qytetarët, të djathtë e të majtë, e dinë edhe në Bruksel.

“Edhe ata që bëjnë sikur nuk i dinë. I di edhe Edi Rama. Partnerët tanë ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë atij, siç kanë informuar edhe kryetarin e opozitës, se në gjendjen aktuale, Këshilli Europian i qershorit do të votojë për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë. Dhe ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antieuropiane”, tha Basha.

Sipas tij, Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave, sepse “e di fare mirë se ç’ka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin”. /atsh

Basha: Negociatat nuk do të hapen në qershor Read More »

Klevis Balliu: Rama po i hedh benzinë zjarrit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i kryesisë së saj, Klevis Balliu, i ftuar në News 24, ka komentuar protestën e djeshme të opozitës së bashkuar si dhe letrën më të fundit të kryeministrit Edi Rama drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas Balliut, kryeministri Edi Rama është në test dhe se letra e sjellë nga ai do t’i vërë flakën pushtetit të tij.

“Nuk ka asnjë mënyrë, apo cep apo dialog që e nxjerr Edi Ramën kryeministër. Sot, ai është në test. Letra e fundit që ai solli, ishte një turp dhe një provokim i pastër për datën 31 . Rruga që ka zgjedhur nuk do bëjë asgjë tjetër veçse do t’i vëjë flakën pushtetit të tij.

Nëse ai mendon se mendon se do mund të luajë me ndjenjat, sakrificat dhe fëmijët e këtyre banoprëve me disa letra, bën shumë gabim. Po ashtu edhe banorët e bregut të Lumit që ende nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim, të cilët janë ende në rrugë.

Ai nuk bën gjë tjetër veçse se i hedh benzinë zjarrit që është në revoltat e tyre. Unë nuk ndaloj dot asnjë qytetar të shprehë revoltën e tij ndaj një pushteti të inkriminuar dhe të degraduar. Ne kërkojmë zgjedhje. Nuk mund të kemi zgjedhje me një njeri që nuk bën zgjedhje në partinë e tij. Ai vodhi paratë, tani do të vjedhë edhe demokracinë.

Nuk mund të flasim për pasojat pa folur për shkakun. Nuk është faji ynë që rritet numri, ka qenë nga Presidenca te sheshi “Skëndërbej”, nuk është parë kurrë ky numër. Është ai arkitekti i kriminalizimit të parlamentit dhe kapjes së drejtësisë”, deklaroi Klevis Balliu.

Klevis Balliu: Rama po i hedh benzinë zjarrit Read More »

Braçe: Dhe pak dhe do të nisë “Luli ik”

Dhe pak dhe do nisë ‘Luli ik”, deklaroi sot zëvendëskryeministri Erion Braçe, ndërsa shpërndau pamje me dron nga protesta e opozitës.

Braçe u ndal te pjesëmarrja në protestën e opozitës, duke deklaruar se “droni të bën gjëmën.

“Kalifati 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 . . . . . Droni të bën gjëmën, të gjen ku je, të numëron një nga një, edhe me dritat e telefonit të shtrenjte “smart”! Lyrzim, Tik Tak, Tik Tak, Tik Tak …… Mos harro 30 qershorin”, u shpreh Braçe.

“Dhe pak dhe do të nisë “Luli ik”, dhe pak dhe për atë tjetrin vjen fundi. Boll 30 vjet me të”, tha Braçe./atsh

Braçe: Dhe pak dhe do të nisë “Luli ik” Read More »

Balla: Zgjedhjet me 30 Qershor janë detyrim Kushtetues, ndëshkim për këdo që cenon ato

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilluan një takim elektoral në Bashkinë Prrenjas, ku prezantuan kandidatin socialist për Bashkinë e Prrenjasit, Nuri Belba.

Në fjalën e tij Balla tha se Partia Socialiste ka marrë besimin e shqiptarëve për të bërë shtet.

“Shteti fillon nga respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve nga të gjithë. Zgjedhjet me 30 Qershor janë detyrim Kushtetues.

Askush nuk mund të dalë mbi Kushtetutën. Ligji jep ndëshkim shembullor për këdo që do të guxojë të cenojë zgjedhjet.

Edi Rama do të marrë në vitin 2021 mandatin e tretë qeverisës”, deklaroi Balla. /atsh

Balla: Zgjedhjet me 30 Qershor janë detyrim Kushtetues, ndëshkim për këdo që cenon ato Read More »

Meta: I gatshëm të dekretoj datë tjetër për zgjedhjet, dorëzoj edhe mandatin

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur sot gatishmërinë që të rishikojë Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretojë një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike.

Me anë të një reagimi, Presidenti i Republikës përsërit shqetësimin e thellë mbi krizën kushtetuese, institucionale, politike dhe të përfaqësimit ku ndodhet vendi.

“Thellimi i dallimeve mes palëve dhe kokëfortësia për mohimin e kësaj krize kanë vështirësuar edhe më tej gjetjen e rrugëdaljeve të arsyeshme dhe të qëndrueshme nga kjo gjendje që po rrezikon stabilitetin dhe demokracinë në vend”, – shprehet Kreu i Shtetit.

Me angazhimin maksimal si Kreu i Shtetit, Meta thotë se, “kam bërë thirrje të përsëritura për prapësimin nga kjo rrugë e konfliktit, duke u ofruar për të dhënë çdo kontribut dhe për të bërë gjithçka që do të afronte palët politike drejt një zgjidhjeje, që ka në themel interesin kombëtar dhe rrugëtimin e pandalshëm europian të Shqipërisë”.

“Nxitur nga zhvillimet e djeshme, përshëndes dhe mirëpres angazhimin e shprehur të Parlamentit Gjerman për zgjidhjen e krizës, duke iu bashkuar thirrjes së tyre drejtuar të gjitha palëve politike në Shqipëri, për të marrë përgjegjësitë vendimmarrëse për të gjitha çështjet që lidhen me stabilitetin demokratik në vend, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe pa përjashtuar asnjë temë”, – thekson Meta.

Gjithashtu, shton Meta, “si Kryetar i Shtetit, kam përgjegjësinë kushtetuese të respektoj dhe mbroj parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke evidentuar gjithashtu çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen”.

“Vlerësoj faktin që edhe Parlamenti Gjerman, ky institucion kyç i partnerit tonë strategjik, ka paralajmëruar se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik, duke u pamundësuar qytetarëve shqiptarë zgjedhjen mes alternativave konkurruese”, – shprehet Meta.

“Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”, – thekson ai.

“Unë kam përgjegjësi kushtetuese, që brenda caqeve që Kushtetuta më lejon, të siguroj respektimin, në formë e në përmbajtje, të Kushtetutës. Për mua bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo formal”, – nënvizon Meta.

“Bashkohem me thirrjen e Parlamentit të Gjermanisë se është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen, sepse nëse kjo nuk ndodh ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Europës”, – thekson Presidenti.

Ndaj, shton Meta, “me përgjegjësi për të ardhmen europiane të vendit; me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; me frymën e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror; shpreh angazhimin tim për të përmbushur përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar unitetin e popullit dhe parimet bazë të bashkëjetesës demokratike, që rrezikohen nga kriza politike në vend”.

“Në këtë kuadër, shpreh gatishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”, – thekson Meta.

“Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve”, – thotë Meta.

“U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit gjerman. Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe të qëndrueshme”, – shprehet Meta.

Presidenti nënvizon se, “ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”.

“Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, – përfundon Presidenti i Republikës. atsh

Meta: I gatshëm të dekretoj datë tjetër për zgjedhjet, dorëzoj edhe mandatin Read More »