Opinione

Spiropali: Mazhoranca e hapur për dialog me opozitën, por pa kushte

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, theksoi se stina e re e politikës ka në qendër dy zhvillime shumë të rëndësishme, reformën zgjedhore dhe Integrimin në Bashkimin Europian.

Sipas Spiropalit, Partia Socialiste është shumë e hapur për dialog me opozitën brenda dhe jashtë Kuvendit, për të realizuar dhe adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it sa i takon reformës zgjedhore.

Ministrja Spiropali gjatë një interviste televizive nënvizoi se opozita në Kuvend ka qenë më produktive se ajo jashtë Kuvendit. “Kemi një opozitë në Kuvend, që ka qenë produktive. Kujtoj këtu se për çështje madhore ka qenë pjesëmarrëse dhe ka votuar, kujtoj këtu ligje të domosdoshme për Reformën në Drejtësi, duke e bërë më produktive se opozita e mëparshme, pavarësisht nënqeshjeve të opozitës pa mandate”, – tha Spiropali.

“Në këtë situatë politike të saponisur kemi përpara reformën zgjedhore, që do të jetë dhe kryefjala e diskutimeve parlamentare. Detyra jonë është që të kalojmë një reformë me mirëkuptim me opozitën në Kuvend, për të adresuar problematikat që lidhen me gjetjet e OSBE/ODIHR-it, në komisionin e reformës zgjedhore, ku bashkëkryetare është edhe përfaqësuesja e opozitës, zonja Hajdari dhe ka një vend dhe për opozitën e rrugës në atë tryezë”, – tha më tej Spiropali.

“Çështja tjetër shumë e rëndësishme është përgjigja nga Këshilli i Europës për çeljen e negociatave, e cila lidhet ngushtësisht me Reformën në Drejtësi. Ne tashmë pasi kemi kryer të gjitha detyrat presim implementimin e Reformës në Drejtësi. Ngrehina është gati, tani mekanizmi duhet të vihet në punë”, – tha Spiropali.

Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, sipas Spiropalit, ishin një provë që opozita dështoi me turp në nismën e saj. “Ka qenë një situatë e ndryshme, zgjedhjet e 30 qershorit ishin ndryshe nga zgjedhjet e tjera. Ajo që ja dolëm të bëjmë është të realizojmë një palë zgjedhje, pavarësisht forcës e dhunës, dhe prandaj ishte një fitore për Shqipërinë, jo për PS. Shqipëria arriti të organizojë zgjedhje, të ketë qetësi atë ditë e të ketë mbështetjen e partnerëve tanë të rëndësishëm në ato zgjedhje. Ne, theksoi Spiropali, shpresojmë që opozita joparlamentare të reflektojë e të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, për t’u rifutur në sheshin e betejës elektorale”.

“Ne jemi të vendosur të respektojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të gatshëm të depolitizojmë të gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve. Por opozita në rrugë ka shmangur çdo diskutim, duke dhënë argumente që nuk qëndrojnë”.

“Aspirata kombëtare për Integrim i përket Shqipërisë, jo mazhorancës apo opozitës. Jemi të gatshëm që për hir të kësaj aspirate të ulemi në tryezë, por jo të pranojmë ultimatum. Lulzim Basha humbje pas humbje vazhdon të këmbëngulë te qeveria teknike e ikja e Ramës, që u hodhën poshtë më 30 qershor, ku qytetarët shqiptarë e quajtën të dështuar këtë nismë. Ne e lexojmë drejt raportin e OSBE/ODIHR-it, prandaj duhet të ulemi me opozitën parlamentare e joparlamentare për t’i zgjidhur dhe përmirësuar standardet”, – tha Spiropali.

“Ne sa i takon Reformës Zgjedhore kemi dy synime kryesore: depolitizimin dhe votën e emigrantëve. Duhet të lëmë politikën e hurit dhe gurit, nuk i çoi askund krerët e vjetër të opozitës. Opozita ka dështuar me turp në aksionin e saj. Në u ktheftë në këtë rrugë, kjo është një humbje madhe për demokratët që duan një alternativë fituese”, – tha Spiropali.

E pyetur për rastin e Valdrin Pjetrit, Spiropali theksoi se shumë shpejt do të ketë një ligj që do rrisë kontrollin për kandidatët që do marrin pjesë në zgjedhje lokale apo qendrore. “Kandidati nuk zgjidhet vetëm nga kryetari i partisë, por nga e gjithë struktura drejtuese e saj. Partia nuk mund të bëjë hetim se çfarë ka bërë një person në moshën 20-vjeçare. Nuk është në tagrat e partisë, prandaj dhe Partia Socialiste do ketë një nismë ligjore për të përforcuar kontrollin mbi individët që zgjedhin të kandidojnë në zgjedhje qendrore apo lokale”, – tha Spiropali.

E pyetur për situatën e Presidentit, Ministrja Spiropali, nënvizoi se Presidenti Meta ka shkelur ligjin me të dyja këmbët. “Komisioni hetimor do përpilojë raportin dhe argumentet e saj se përse duhet shkarkuar presidenti. Më tej ky raport votohet në seancë parlamentare dhe në fund është Gjykata Kushtetuese që jep fjalën e fundit për këtë çështje. Por për ne situata është e qartë, Presidenti Ilir Meta ka shkelur ligjin me të dyja këmbët”, – përfundoi Spiropali. /atsh

Spiropali: Mazhoranca e hapur për dialog me opozitën, por pa kushte Read More »

Balliu: Prokuroria të nisë procedimin penal ndaj Kajmakut

“Agim Kajmaku i është shmangur drejtësisë, prokuroria duhet të nisë procedimin penal”, tha sot në një deklaratë për mediat, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu.

Në vijim, Balliu tha se megjithëse provat tashmë i ka në dritë të diellit, Arta Marku e përfshirë nga ethet e konfirmimit, kërkon nga PD të dhënat që i ka në sistem.

“Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku Alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Përveç kësaj ai ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit, veprim ky që përbën vepër penale dhe prokuroria duhet të nisë menjëherë procedim penal ndaj të zgjedhurit të Vorë”, theksoi ai.

Po ashtu Balliu akuzon kryeministrin Rama për heshtje ndaj rastit të Agim Kajmakut.

“Provat e publikuara nga Partia Demokratike nuk mundet t’i kundërshtojë dhe as t’i mohojë dot”, tha ai. /atsh

Balliu: Prokuroria të nisë procedimin penal ndaj Kajmakut Read More »

Hajdari: Zëra në PD vlerësuan Bushatin si mendim ndryshe në PS, mua më akuzuan kur nuk dogja mandatin

Kryetarja e grupit parlamentar të grupit demokrat, Rudina Hajdari ka reaguar kundrejt zërave nga Partia Demokratike që kanë vlerësuar Ditmir Bushatin, si një mendim ndryshe nga Partia Socialiste.

“Ata që nuk lanë gjë pa më sharë e akuzuar mua, kur vendosa të mos djeg mandatin, tani ju ra goja duke thënë se sa e vlerësojnë Bushatin, si një zë ndryshe brenda Partisë Socialiste./atsh

Vras mendjen mos e ka blerë gjë Partia Demokratike”, thuhet në reagimin e saj.

Hajdari: Zëra në PD vlerësuan Bushatin si mendim ndryshe në PS, mua më akuzuan kur nuk dogja mandatin Read More »

Basha: Shqiptarët më të varfër, po paguajnë më shtrenjtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një video-mesazhi tha se shqiptarët sot janë më të varfër dhe po paguajnë më shtrenjtë.

Sipas, Bashës, pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshte
“Varfëria, papunësia, mungesa e mundësive vijnë nga grabitja që po i bëhet Shqipërisë nga një grusht klientësh. Pasurohen të pushtetshmit dhe të pasurit, varfërohen njerëzit e thjeshtë dhe të pambrojtur”, shprehet ai.

Po ashtu Basha shton se “miliarda euro janë vjedhur, abuzuar dhe shpërdoruar në këto 6 vjet. “Shqiptarët janë pa punë, sepse ekonominë dhe mundësitë ekonomike i kanë marrë oligarkët dhe klientët e qeverisë”, tha Basha.

“Që të çlirojmë ekonominë dhe të hapim vende pune e mundësi për çdo shqiptar, duhet të largojmë Edi Ramën”, shprehet ai. /atsh

Basha: Shqiptarët më të varfër, po paguajnë më shtrenjtë Read More »

Gazmend Paja: Jam pro teatrit të ri dhe zhvillimit

Aktori i njohur i humorit, Gazmend Paja u shpreh sot pro teatrit të ri dhe zhvillimit.

“Fryma është pozitive, edhe ata që nuk kanë qenë dakord, janë bërë të logjikshëm dhe kanë kuptuar se kjo është në të mirë. Jam pro teatrit të ri, unë respektoj maksimalisht legjendat që kanë kaluar dhe janë gjallë, por jam edhe natyrë që e dua zhvillimin për vete dhe për ata që do vijnë pas nesh”, tha Paja, duke folur për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Le ta mbajmë atmosferën pozitive, bashkëpunuese, tha ai, duke shtuar se “ndoshta artistit nuk i duhet teatër se artin e tij e bën kudo, por jam për një teatër të ri se jam pro zhvillimit”.

Kryeministri Edi Rama ndau qëndrimin e Gazmend Pajës për çështjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa u shpreh se “Gaz Paja s’ka nevojë për asnjë prezantim besoj”. /atsh

Gazmend Paja: Jam pro teatrit të ri dhe zhvillimit Read More »

Koçi: Metaforikisht, LSI “bashkëshortja” numër 1 e Metës, pastaj vjen Monika

Zv.ministri i Brendshëm Petro Koçi u shpreh sot se “Ilir Meta po sillet si kryetar opozite dhe jo si President i Republikës dhe mbi të gjitha në çdo veprim e qëndrim përfaqëson interesat e drejtpërdrejta të LSI-së”.

“Metaforikisht mund të themi se LSI është bashkëshortja numër 1 e Ilir Metës. Pastaj vjen Monika. Ndërkohe duket qartazi se armiku i tij numër 1 nuk është Rama por Reforma në Drejtësi. Ramën dhe ‘imperializmin euroamerikan’ presidenti i sulmon veç për hir të riformimit të sistemit të drejtësisë, riformim që do shkëpusë drejtësinë nga kthetrat e politikanëve”, tha ai.

Gjithë aktet antikushtetuese të presidentit, sipas Koçit, “nuk shpjegohen me hallin se kush drejton pushtetin vendor”.

“Qëllimi është krijimi i një kaosi politik, dalja nga i cili të mund të shoqërohet me rrëzimin e Reformës në Drejtësi. Parlamenti nuk duhet të lejojë shkelje të mëtejshme të Kushtetutës, duke ndëshkuar së pari shkeljet e deritanishme”, tha ai./atsh

Koçi: Metaforikisht, LSI “bashkëshortja” numër 1 e Metës, pastaj vjen Monika Read More »

Suela Konjari: Të tejkalojmë bindjet partiake, Teatri është mbi partitë

Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Suela Konjari ftoi sot të gjithë kolegët artistë dhe specialistët që t’i tejkalojnë bindjet partiake, pasi Teatri është mbi partitë.

Për çështjen e Teatrit Kombëtar, ajo tha se “shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin”.

“Kur mbaron një shfaqje teatri, melodia e parë që vjen për aktorin në skenë janë duartrokitjet e publikut. Me këtë dua të them, ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistët, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, teatri është mbi partitë. Shpresoj shumë dhe do të dëshiroja që të arrihet një gjuhë e përbashkët sepse çelësi sekret për t’i zgjidhur problemet në këtë botë kaq të ndërlikuar ku jetojmë, është thjesht dashuria, ta dëgjojmë dhe besojmë njëri-tjetrin. Teatri na jep mundësinë që ta duam njëri-tjetrin dhe ta besojmë. Shpresoj që të arrijmë më të mirën e mundshme”, tha ajo.

Duke ndarë këtë opinion të Konjarit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Suela Konjari i përket gjeneratës që doli në skenë në vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve dhe spikati me rolet e saj përpara publikut të Teatrit Kombëtar”.

Në çështjen e shumëdebatuar të godinës së teatrit, Rama tha se “ajo ndan të njëjtin opinion me shumicën dërrmuese të komunitetit teatror”./atsh

Suela Konjari: Të tejkalojmë bindjet partiake, Teatri është mbi partitë Read More »

Regjisori Pëllumb Kulla: Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve për Teatrin e ri Kombëtar

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendjen e publikut qëndrimin e regjisorit, diplomatit dhe profesorit të mirënjohur Pëllumb Kulla që i shtohet zërave të shumicës së artistëve për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar.

“Për më shumë se 70 vjet ne nuk kemi patur një ndërtesë të përshtatshme për teatrin qendror. Mjafton të them se ajo ishte shumë larg me shoqet e saj të Europës, po se po, por ajo ishte edhe më e papërshtatshme edhe se disa teatro të vendit”, shprehet regjisori Pëllumb Kulla.

Më tej, Kulla shton se, “në atë kompleks të ngritur nga italianët, u bë jetëgjatë një dramaturgji, pjesa më e madhe e të cilës meriton të mos kujtohet më. Mendoj dhe shpresoj se edhe kjo, në korpusin e ri do të realizohet nëpërmjet veçimit të një pavijoni memorialistik, ku mund të ruhej edhe një maket i madh i godinës së teatrit të deritanishëm, ku mund të ekspozoheshin kostumet e paharruara, që nga ai i Hamletit të Shekspirit, Ezopit dhe Kleas të Figuereidos dhe deri tek ato të Halilit dhe Hajries të Kol Jakovës”.

“Në atë ambient muzeal mund të gjenden shfaqje të filmuara apo radiofonike, këndi i dramaturgëve, ai i regjisorëve dhe i skenografëve, makete dekoresh të qëlluara dhe plot elementë që do të plotësonin nevojat shpirtërore të atyre artistëve, që me ashk kërkuan muaj me radhë restaurimin e plotë të ndërtesës. Përshëndes atmosferën optimiste që po krijohet dhe mezi pres ditën kur problemet e teatrit do të fokusohen, jo më tek ndërtimi historik i korpusit teatror, që ndodh njëherë në mijëra vjet, por tek problemet e vërteta dhe të përditshme të teatrit kombëtar, të dramaturgjisë kombëtare. Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve dhe qoftë e afërt dita kur të sakrifikohen ngrehinat e dy teatrove “ndërkombëtarë”, që t’i bëjnë vend ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, shprehet Pëllumb Kulla.

“Regjisori, aktori, diplomati dhe profesori i mirënjohur Pëllumb Kulla (që më 1967 ra viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çoi për riedukim në gurore e miniera), me një jetë të tërë kontributesh në botën e skenës dhe spektaklit shqiptar për të cilat është vlerësuar me titullin Mjeshtër i Madh, ka këtë opinion për Teatrin Kombëtar”, shprehet kryeministri Rama duke publikuar qëndrimin e regjisorit, diplomatit dhe profesorit të mirënjohur Pëllumb Kulla për ndërtimin e Teatrit të ri. /atsh

Regjisori Pëllumb Kulla: Uroj të jetë sa më i shpejtë fillimi i punimeve për Teatrin e ri Kombëtar Read More »