Opinione

Shembja e Teatrit/Basha: Do mbledhim koalicionin për të ndërmarrë veprimet politike

Opozita jo parlamentare, grupi i artistëve që kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar si dhe aktivistët e shoqërisë civile, po protestojnë sot para godinës së Bashkisë së Tiranës.

Ata kanë tentuar të thyejnë perimetrin e sigurisë të vendosur nga Policia e Shtetit teksa punonjësit e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit po vijojnë me prishjen e godinës prej tallashi të Teatrit Kombëtar.

Policia ndërhyri menjëherë duke e mos lejuar që kordoni të kalohet nga protestuesit, aktivistët si dhe përfaqësues të opozitës jo parlamentare.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i cili shkoi në mbështetje të protestuesve tha se PD-ja me aleatët do të marrin vendime politike.

Sipas tij, u dhunuan artistë të rinj të pafajshëm e drejtues të opozitës sepse shkuan në ndihmë të grave që po dhunoheshin.

“ Tani që flasim kryetari i Forumit Rinor ndodhet i shoqëruar në komisariatin nr 6 edhe ai i dhunuar. Dhunë barbare, paligjshmëri dhe siç shikoni këtu kanë sjellë po aq, mos më shumë polici se gjatë protestave të opozitës. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në mënyrën më të pabesë, ndërkohë që këta policë duhet të ishin në shërbim të qytetarëve”, tha Basha.

Ai tha se “koalicioni opozitar do të mblidhet sot dhe do të ndërmarrë veprimet politike. Ajo që çdo shqiptar e kupton sot nga kjo ngjarje është se me Edi Ramën paligjshmëria, dhuna dhe pabesia do të vazhdojnë. Nuk do të ketë fund dhuna, paligjshmëria edhe padrejtësia pa marrë fund kjo qeveri dhe pa u larguar ky njeri. Nuk ka rrugë tjetër”.

Basha u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndjekin në rrugën politike.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha për mediat pas shembjes së godinës së teatrit se “sot u shkatërrua historia”.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos e njohin më shtetin e Edi Ramës. Veliaj dhe Rama sot kanë shkatërruar historinë”, tha ajo./atsh

Shembja e Teatrit/Basha: Do mbledhim koalicionin për të ndërmarrë veprimet politike Read More »

Aktorja Eni Jani përgënjeshtron Aleancën: Kam firmosur për ndërtimin e Teatrit të Ri, mos keqpërdorni emrin tim

Aktorja e njohur Enerjeta Jani Fuga ka përgënjeshtruar listën e shpërndarë nga Aleanca për Teatrin sipas së cilës ishte edhe emri i saj kundër prishjes së godinës së teatrit duke e konsideruar si të pavërtetë.

Aktorja e njohur që numëron me dhjetra role në skenën e teatrit, thotë se është pro godinës së re të teatrit dhe ka firmosur vetëm peticionin drejtuar Presidentit dhe krerëve politikë, ku kerkohet hapja e rrugës se ndërtimit të nje teatri te ri.

“Unë jam shprehur që në fillim që jam për një Teatër të rI. Procesi i teatrit të ri ka kaluar shumë faza dhe mund të jetë arsye që kolegët e mi të jenë keqkuptuar apo kanë keqpërdorur emrin tim. Unë mbrëmë kam firmosur dhe e theksoj përsëri që jam për teatër të ri”, thotë aktorja Enerjeta Jani Fuga./atsh

Aktorja Eni Jani përgënjeshtron Aleancën: Kam firmosur për ndërtimin e Teatrit të Ri, mos keqpërdorni emrin tim Read More »

Basha: Vëmendja jonë te hallet e shqiptarëve, duhet të hapen kufijtë për të ndihmuar turizmin

“Qeveria duhet të marrë masa për përballuar krizën ekonomike pas pandemisë”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Gjatë një interviste televizive, Basha tha se “vëmendja jonë si opozitë është halli i përditshëm i shqiptarëve sepse vendi ka mundësi t’i bëjë ballë krizës ekonomike që po avitet dhe për të bërë atë sa më pak të dhimbshme për qytetarët, por kështu si po vazhdon kjo qeveri, kriza do jetë e papërballueshme”.

Në vijim, Basha u shpreh se “për pesë vite me radhë Maqedonia dhe Serbia kanë dy drejtime kryesore të zhvillimit të ekonomisë. Kanë mbështetur eksportet që prodhimet e qytetarëve të tyre të shkojnë në tregjet europian dhe kanë mbështetur investimet e huaja që të vijnë. Qeveria shqiptare i ka çuar paratë në dy drejtime, rilindje urbane, PPP dhe koncesione”.

Ai shtoi se teksa po afrohet sezoni turistik, mbahet mbyllur kufiri Kosovë-Shqipëri, ndërsa Greqia i hapi kufijtë.

“Qeveria shqiptare duhet të ulet me qeverinë e Kosovës për të bërë një plan duke respektuar sigurisht rregullat dhe të hapin kufijtë. 45% e turizmit vjen nga Kosova dhe një pjesë nga Maqedonia e Veriut”, tha ai.

Në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nëse ka opozita ndonjë strategji, Basha tha se “teatri është afera e radhës e korrupsionit. Ne jemi i vetmi vend në botë që në mesin e pandemisë, qeveria në mënyrë të paligjshme po vrapon të shembë një ndërtesë e cila është një monument kulture, është shumë më shumë se kaq, është një simbol, me një aferë të shumë përfolur që është e lidhur me zaptimin e territorit dhe ndërtimin e kullave aty, apo jo?”

Basha tha se përplasja mes palëve për teatrin është e gabuar.

“Ne nuk jemi një shtet paralel, as polici paralele dhe as ushtri paralele dhe natyrisht nëse shteti mobilizohet me të gjitha forcat, rezistenca do të jetë maksimale. Ta shikosh si përplasje mes dy palëve është gjeja më e gabuara”, theksoi ai.

Basha shtoi se “vendimi i Këshillit Bashkiak është i paligjshëm. Çfarë punë ka Këshilli Bashkiak të urdhërojë prishjen e një monumenti kulture. Nëse këto paskan plane për të bërë teatër, e kanë patur planin gati te bulevardi i ri, pse nuk e bëjnë aty dhe të restaurojnë këtë. Nuk është puna të bësh një teatër të ri, por të shembësh atë sepse pas tij ka troje publike dhe private dhe duan t’i grabisin edhe në kohë pandemie”.

“Teatri është një aferë e pastër korruptive dhe vjedhje, ndërsa mënyra sesi bëhet tregon qartë që këtu nuk funksionon asnjë normë e shtetit ligjor. Ky është një test gjithashtu edhe për disa institucione të ngritura rishtazi siç është SPAK-u, i cili urgjentisht duhet të hetojë falsifikimin e vendimit të Këshillit Bashkiak”, tha Basha duke shtuar se “opozita do marrë të gjitha masat e mundshme që të jetë në krah të qytetarëve dhe artistëve”. /atsh

Basha: Vëmendja jonë te hallet e shqiptarëve, duhet të hapen kufijtë për të ndihmuar turizmin Read More »

Artistët nga Maqedonia e Veriut i bashkohen peticionit të artistëve shqiptarë: Të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar

Ndërtimi i një teatri të ri po mbështetet jo vetëm nga komuniteti i aktorëve dhe regjisorëve brenda vendit, por edhe në trevat e tjera shqiptare.

Artistët maqedonas, Qendrim Rijani dhe Adem Karaga, si dhe kineasti shqiptar, Vladimir Kasaj, i janë bashkuar peticionit pro Teatrit të Ri.

Në peticioni artistët i bëjnë thirrje politikës të qëndrojë larg kësaj çështjeje dhe përsëritet vullneti i artisteve pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, në vendin ku ndodhet godina e vjetër./atsh

Artistët nga Maqedonia e Veriut i bashkohen peticionit të artistëve shqiptarë: Të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar Read More »

Balla: Basha sa herë ka gjyq ngujohet në çadër ose në teatër

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se sa herë që Lulzim Basha ka një gjyq ka një ashpërsim të toneve ngujohet në çadër ose kthehet tek Teatri Kombëtar.

“Sa herë që Lulzim Basha ka një gjyq ka një ashpërsim të toneve dhe një kthim tek teatri. Në dhjetor kishte gjyqin në Shkallë të Parë dhe Lulzim Basha flinte tek Teatri Kombëtar, dje kishte gjyqin në Gjykatën e Apel dhe mbrëmë fjeti në sallën e Teatrit Kombëtar. Sa herë Luli ka gjyq shkon tek teatri për të bërë teatër. Mos e merrni seriozisht asnjëherë, pasi kur ka hall mundohet të kapet pas vagonit të fundit të zhvillimit të pakthyeshëm pas të Tiranës. Teatri nuk është vagoni i fundit, por është një prej vagonëve të shumtë të ndryshimit dhe zbukurimit të Tiranës, për ta bërë atë kryeqytetin e Shqipërisë europiane”, tha Balla.

I ftuar në emisionin ‘Kapital’ në Vizion Plus, Balla ka folur edhe lidhur me debatin për prishjen e Teatrit Kombëtar, ku u shpreh se ky është rasti i radhës që vendos përballë botën e të bukurës dhe botën e Partisë Demokratike.

“Bashkia e Tiranës qeveriset nga PS, nga një këshill bashkiak që kanë mandatin e qytetarëve të Tiranës për të bërë punë publike dhe do të do të bëhet nga fondet e Bashkisë Tiranë. Njerëzit janë plotësisht dakord që të mos shkojnë më kurrë në një teatër që rrezikon të shembet, në një teatër ku të ha miu, por të shkojnë në një teatër të ri, i cili për nga projekti do të jetë një prej veprave arkitekturore më të mira në Ballkan. Prandaj është demokracia, populli mandaton përfaqësuesin dhe ai merr vendimet. Mundohem ta mirëkuptoj PD që është në një krizë të thellë programi, lidershipi dhe ekipi dhe mundohen të kapen pas gjithçkaje. Fatkeqësia e madhe e PD-së është pasi ata rendin pas çështjeve që në fakt kanë mbështetjen e njerëzve. Sot i gjithë publiku shqiptar është njohur me një grup të madh artistësh të vërtetë. Unë njoh për artistë shqiptarë Robert Ndrenikën, Ndrek Lucën apo Sandër Prosin. Nuk di të them se mund të krahasosh emrin e Robert Ndrenikës, Luftar Pajës e shumë artistësh të tjerë të popullit që i janë drejtuar sot Presidentit të Republikës apo dhe politikës së mbrapshtë të PD, ku i kërkojnë të heqin dorë nga kjo histori kundër të bukurës në vend. Procesi ligjor në lidhje me këtë çështje ka përfunduar dhe këshilli bashkiak ka bërë një vendimmarrje të cilët duhet ta respektojnë vendimmarrjen e ligjvënësve të këshillit bashkiak. Vetë PD kur ka qenë në pushtet nuk e ka përcaktuar atë godinë si godinë të trashëgimisë kulturore shqiptare”, u shpreh Balla.

Duke folur për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, Balla tha se qeveria po administron situatën e vështirë dhe ftoi qytetarët të ruajnë distancat dhe higjienën, për të dalë faqebardhë në luftën me armikun e padukshëm./atsh

Balla: Basha sa herë ka gjyq ngujohet në çadër ose në teatër Read More »

Teatri Kombëtar, Basha: Grabitja në mes të pandemisë është akt lufte

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përcolli sot një deklaratë të Organizatës Europa Nostra në mbështetje të Teatrit Kombëtar.

“Afera me TK është vjedhja më e dhunshme që u bëhet shqiptarëve nga Rama. Grabitja e TK në mes të pandemisë është akt lufte ndaj shoqërisë dhe ekonomisë që po rrënohen: varfëri masive, krizë e thellë, papunësi e lartë, institucione të kapura dhe korrupsion rekord”, tha Basha, duke mbajtur qëndrim solidariteti personal dhe të opozitës për këtë kauzë.

Europa Nostra, organizatë europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore europiane, e ka shpallur Teatrin si një nga 7 ndërtesat më të rrezikuara në Europë, që duhet mbrojtur dhe restauruar.

Në deklaratën e mbrëmshme Europa Nostra shprehet se kundërshton propozimin për prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar në Tiranë, sipas saj, një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara në Europë.

Europa Nostra ka vënë në dijeni për këtë qëndrim disa institucione dhe personalitete europiane, prej të cilëve kërkohet reagim, David Sassoli, President i Parlamentit Europian, Maryia Gabriell, Komisionerja europiane për Kulturën, Josep Borell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Luigi Soreca, ambasador i BE në Shqipëri./atsh

Teatri Kombëtar, Basha: Grabitja në mes të pandemisë është akt lufte Read More »

Basha: Teatri vija e kuqe e demokracisë, do kaloj orë të tëra këtu pranë artistëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar Aleancës për Mbrojtjen eTeatrit të cilët janë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Në një prononcim për mediat, Basha tha se “Bashkia e Tiranës ka një kryebashkiak të paligjshëm, këshilli është inekzistent për sa kohë të jetë ky njeri, batërdia do vazhdojë, e gjitha kjo vjedhje dhe dhunë, zhvatje, e pronave ka vetëm një emër, Edi Rama. Ai është përgjegjësi”.

“Partia Demokratike ka qenë pranë artistëve, i bej thirrje qytetarëve që t’u qëndrojë pranë, po mbrojnë vijën e fundit pas së cilës vjen diktatura. Do kaloj orë të tëra këtu dhe do jem pranë tyre”,- tha ai.

“Jemi i vetmi vend në botë që qeveria në vend t’i mbrojë i grabit qytetarët. Në vend që t’i kushtohet vëmendje COVID-t Rama grabit pronat, ka 7 vite vjedhje, por pandemia tregoi fytyrën e vërtetë, se kur nuk ndalesh nga pandemia do të thotë je i pashpresë“, tha Basha.

“Jam këtu për të treguar solidaritetin tim personal dhe të gjithë opozitës dhe për tu kërkuar të gjithë qytetarëve të jemi solidarë për të mbrojtur një vijë të kuqe të demokracisë. Qytetarët kanë të drejtë të mbrohen me të gjitha mjetet. Kur shteti bie në dorë të banditëve dhe shkel ligjin dhe Kushtetutën siç po shkelet ligji dhe Kushtetuta këtu qytetarët mund të zgjedhin tu përgjigjen me çdo mjet”,- vijoi ai./atsh

Basha: Teatri vija e kuqe e demokracisë, do kaloj orë të tëra këtu pranë artistëve Read More »

“Hapja graduale rrit imunitetin”/ Pipero: Rastet e fundit nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt

Mjeku i njohur Pëllumb Pipero e konsideron të qetë dhe të butë epideminë në vendin tonë pavarësisht një rritjeje të ndjeshme të numrit të të infektuarve në 24 orët e fundit.

Gjatë një interviste televizive, Pipero tha se “sot kemi 18 raste pozitive, por dje dhe sot nuk kemi asnjë rast të ri të shtruar. Janë raste që nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt”.

Por Pipero apelon që qytetarët nuk duhet të humbasin kujdesin dhe vëmendjen përballë koronavirusit.

“Është një virus me shumë të panjohura dhe vendet që nuk kanë respektuar gradualitetin janë kthyer pas në masa. Hapja duhet të jetë graduale dhe rajonale, pasi ato mikrovatra që janë ende t’i mbajmë të survejuara, të mos na ndodhi t’i kthejmë mbrapsht”, tha Pipero, duke theksuar se është shumë e rëndësishme mbajtja e distancës fizike dhe larja e duarve nga qytetarët.

Ai theksoi se rastet edhe pse sporadike janë pa komplikacione, duke nënvizuar se epidemia është nën kontroll.

“Ka një teori që me kalimin nga një person në një tjetër bie virulenca dhe ky është fakt. Dhe ekspozimi, vazhdimi i hapjes do na japi dy gjëra: së pari në aspektin psikologjik do jemi më të qetë, në aspektin ekonomik po e po , por edhe rritja e imunitetit”, deklaroi mjeku Pipero.

Ai theksoi se “virusi tek ne ka jo vetëm rënie të qarkullimit të transmetueshmërisë, por edhe rënie të virulencës, nuk është më agresiv sa ka qenë. Pra nuk sjell sëmundje, sjell rritje të mbrojtjes”./atsh

“Hapja graduale rrit imunitetin”/ Pipero: Rastet e fundit nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt Read More »