Opinione

Braçe-Bashës: Nuk mbahet maska ashtu or qyq, boll pe hundën tënde

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka komentuar sot mbajtjen e maskës nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Hoti.

Gjatë fjalës së tij, Basha ka përdorur maskën, por pa e ditur si ta mbante atë.

“E shihni, ky që ju flet për Coronavirusin, qe shan e mallkon çdo ditë, që bën mjekun-infeksionistin, epidemiologun, që bën shpëtimtarin e që ulëret çdo ditë bëni si them unë e bëni si bëj unë, nuk di të vendos as maskën”, shprehet ai.

Braçe shton se “pra, mirë që duhet të shkonte në Kosovë që të vinte maskë sepse këtu as në ambiente të vogla sa një dhome nuk e vinte, por ky nuk di as si ta vendose maskën. Ky do ju mbrojë, ky do ju shpëtojë. Deri tani gjithkush ka thënë për të se sheh veç hundën e tij. Ja ku e keni, veç hundën e tij pa, ndaj ai e kish hundën jashtë e kryeministri i Kosovës brenda maskës”./atsh

Braçe-Bashës: Nuk mbahet maska ashtu or qyq, boll pe hundën tënde Read More »

Basha: Shqiptarët kanë mbetur të fundit në rajon për paga

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaron se renditja e shqiptarëve të fundit në rajon për pagat në sektorin publik dhe privat, është pasojë e taksës progresive dhe një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie.

“Sipas studimit më të fundit, me qeverinë e Ramës shqiptarët kanë mbetur të fundit në rajon edhe për pagat në sektorin publik dhe privat”, tha Basha.

Në vijim, Basha shton se “këto janë pasojat katastrofike të taksës progresive dhe një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie që punon vetëm për një grusht oligarkësh”.

“Shqiptarët meritojnë punë dhe mirëqenie dhe ne do ti rrisim të ardhurat e tyre duke jua lehtësuar barrën e detyrimeve dhe taksave. Taksa e sheshtë prej 9% do të jetë më e ulëta në rajon prej të cilës do përfitojnë të gjithë të punësuarit dhe vetëpunësuarit në vendin tonë”, shprehet Basha. /atsh

Basha: Shqiptarët kanë mbetur të fundit në rajon për paga Read More »

Mjeku Dobi apel qytetarëve: Mbani maskën, ndihmoni veten dhe të tjerët për të qenë të shëndetshëm

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në kushtet e masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, shprehet se, “mbajtja e barrierave mbrojtëse është e detyrueshme në ambientet e mbyllura për çdo qytetar”.

Ministria ka publikuar mesazhin sensibilizues të doktor Drini Dobi, i cili thekson rëndësinë e mbajtjes së maskës nga qytetarët për të frenuar infektimin nga COVID-19.

“Mos e konsideroni maskën si pengesë për të folur, por konsiderojeni atë si një mjet më të rëndësishëm që do t’ju lejojë të flisni lirisht me njerëzit që doni në të ardhmen!”, shprehet mjeku Dobi.

“Mbajeni maskën jo vetëm me njerëzit e panjohur, por edhe me miqtë e të afërmit tuaj në ambientet e mbyllura, sepse vetëm kështu ndihmoni ata dhe veten, për të qenë të shëndetshëm”, apelon doktori Drini Dobi, në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve. /atsh

Mjeku Dobi apel qytetarëve: Mbani maskën, ndihmoni veten dhe të tjerët për të qenë të shëndetshëm Read More »

Pipero: Vendosja e maskës dhe zbatimi i distancës, na mban të sigurt nga COVID-19 në bregdet dhe në mal

Mjeku Pëllumb Pipero, gjatë një interviste televizive ka theksuar se maska është e domosdoshme, teksa shtoi se nëse jeni në plazh e keni shenja të COVID-19, izolohuni e telefononi 127.

“Natyrisht jemi ende brenda pandemisë në vendin tonë. Shifrat ndryshojnë dita ditës. Më shqetësojnë rastet që shtrohen në spital jo vetëm për ne por edhe për familjet, do të thosha midis tyre rastet e rënda e sidomos humbjet e jetëve. Fakti që një 43-vjeçar pa sëmundje shoqëruese ka humbur jetën do të thotë se ky virus në vetvete mund të shkaktojë dëmtime serioze madje mund të marri jetën edhe në rastet kur nuk kanë sëmundje kronike edhe kur nuk janë të moshuar. Dua të përsëris kujdesin që duhet të kemi kudo dhe maskën që duhet ta kemi kudo”,- shprehet Pipero.

“Duhet që çdo pushues, nëse ka shenja klinike, veçanërisht temperaturë, do këshilloja të qëndroj në shtëpi. Nëse ndodh që kur është me pushime të ketë shqetësime mjaftoj të komunikoj me 127 dhe shërbimin shëndetësor do ta ketë në dispozicion. Tamponi nuk është procedurë që të shëron por procedure diagnostikuese që ju ofrohet të gjithë qytetarëve qoftë shqiptarë apo të huaj. Kam një këshillë për operatorët turistikë, jo vetëm t’i ftojnë pushuesit por para se t’i rekomandojnë akomodimin t’i pyesin nëse kanë shenja klinike dhe të mos i rekomandojnë të vijnë nëse kanë shenja klinike. Shqipëria, bregdeti, malet tona për pushuesit janë shumë të sigurta, me kushtin që si pushuesit edhe ne qytetarët të respektojmë protokollet dhe masat e domosdoshme siç është maska dhe distanca. Kaq mjafton për të qenë të sigurt edhe në bregdet edhe në mal”, thekson Pipero.

Duke folur nga Vlora, mjeku Pipero tha se në qytetin jugperëndimor po respektohen masat nëpër lokale dhe nga qytetarët.

“Tavolinat dhe çadrat janë në distancën e duhur. Dy tre qytetarë që kam shkëmbyer ishin me maskë të vendosur. Maska është e domosdoshme, qoftë edhe maska e thjeshtë është e rëndësishme për të qenë të sigurt kudo”, u shpreh mjeku Pipero./atsh

Pipero: Vendosja e maskës dhe zbatimi i distancës, na mban të sigurt nga COVID-19 në bregdet dhe në mal Read More »

Mjekja hematologe që u përball me COVID-19: Vendosja e maskave duhet të ishte bërë mandatore me kohë

Mjekja hematologe, Alma Cili, e cila u përball me virusin e rëndë COVID-19, tregon se ajo ndjen ende shenjat e tij.

Në një intervistë në media, mjekja shprehet se ende e ka të vështirë të ecë apo të flasë gjatë, pasi i duhet të ndalet dhe të marrë frymë thellë.

Lidhur me akuzat e ngritura se QSUT u kthye në vatër e rrezikshme e përhapjes së COVID-19, Cili e konsideron absurde ta cilësosh QSUT vatër infeksioni.

“Në QSUT unë kam hyrë 18 vjeç dhe është i vetmi spital ku bëhet shkencë. Aty nuk bëhet korrupsion, në asnjë formë. Nuk po them që rroga ime është maksimale, por absolutisht nuk mund të blesh një fustan me ato lekët e vdekjes“, deklaroi mjekja.

Në një ditë, thotë Cili, në një klinikë në kat, në një godinë me gjashtë kate, mund të qarkullojnë të paktën 60 pacientë, që janë absolutisht me maska.

“Që kur u zbulua rasti zero, jemi munduar t’i mbajmë në dhoma të ndara, por sigurisht që është verë dhe hapet dera, s’mund të thyejmë atë lidhjen mes pacientëve. Ju shkoni në një supermarket, ku mund të keni 5 veta në radhë dhe nëse njëri teshtin, virusi mund të përhapet deri në 8 metra. Vendosja e maskave duhet të ishte bërë mandatore me kohë. Ne gjithë kohës kemi pasur mbrojtje, jemi të mbuluar totalisht, na duken vetëm sytë”, tha ajo./atsh

Mjekja hematologe që u përball me COVID-19: Vendosja e maskave duhet të ishte bërë mandatore me kohë Read More »

Veliaj: Edi Rama do të fitojë më thellë në zgjedhjet e ardhshme, nuk diskutohet që PS është forcë e parë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shprehet i sigurt se mazhoranca do të fitojë edhe mandatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke folur për emisionin “Pa protokoll” në Report tv, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Rama do të arrijë një tjetër fitore në 2021 për të vijuar bashkëpunimin edhe me pushtetin vendor.

“Unë mendoj se Edi Rama do të fitojë më thellë në zgjedhjet e ardhshme sepse mendoj se puna titanike për menaxhimin e pasojave të tërmetit, s’besoj se ka nevojë për fushatë. Unë mendoj për fitoren që të kemi një superfitore. Unë jam në këtë punë deri në vitin 2023. Edi Rama do ta fiillojë mandatin e tij në 2021 dhe do ta mbarojë në 2025. Për fitoren këtu nuk diskutohet që PS është forcë e parë. Ne do të synojmë 71 që është fitorja minimale apo 74- 75 që është fitorja komode. Jo komode për të qenë Edi Rama rehat, por komode për punë. Bovilla nuk do ishte inauguruar dje nëse ne do të ishim me atë koalicion që mua më tradhëtoi ditën kur ne miratonim atë investim”, tha Veliaj.

Duke folur për projektet në Bashkinë e Tiranës, Veliaj deklaroi se, në zonat me 24 orë ujë do nisë çmontimi i depozitave.

Veliaj tha se, sot 62 % e Tiranës furnizohet me ujë 24 orë dhe në këto zona do të nisë dhe çmontimi i depozitave në pallate.

“Kur unë mora bashkinë asnjë lagje nuk kishte ujë 24 orë. Sot ka 62% e Tiranës si Xhamlliku, rruga e Durrësit, Tregu çam, Myslym Shyri, Tirana e Re e shumë të tjera. Në zonat ku ka 24 orë ujë do të filloj pak nga pak dhe çmontimi i depozitave në pallat. Zonat e tjera që nuk kanë ujë 24 orë kanë një përmirësim në 15-16 orë furnizim me ujë”, tha Veliaj.

Sa i përket transportit urban, Veliaj tha se rritja e çmimit të biletës së autobusit me 10 lekë bëri që flota e tyre të shtohet me 50 %.

“Kemi pasur në Tiranë 200 autobusë me 30 lekë dhe sot kemi 300 autobusë me 40 lekë pra kemi një rritje të flotës me 100 mjete”, tha ai.

Veliaj tregoi edhe sesi se si po përballohet situata me pandeminë dhe projektet e reja për kryeqytetin.

Veliaj tha se në lidhje me pandeminë Bashkia ka bërë gjithçka që qytetit të mos i mungojë asgjë duke u adaptuar me situatën e re.

“Pandemia ka një kosto të paevitueshme si shtim i pastrimit, dezinfektimit, shtim i kostove për maskat e doreza në institucionet që në menaxhojmë, një ndryshim i buxhetit kur bëhet fjalë për të ardhura që prisje nga turistët, një situatë e vështirë. Çdo fundjavë bëhet dezinfektimi në kopshte e çerdhe që të jenë gati për javën kur rikthehen fëmijët. Tashmë kjo u bë një praktike punë dhe po adaptohemi dhe krahasuar me fillimin, tani po bëhet pjesë e një rutine. Për buxhetin është dashur që të shtyjmë disa investime në një apo dy rrugë dhe se shpenzimet janë fokusuar më shumë tek dezinfektimi dhe çështjet që lidhen me pandeminë. Kostoja ndryshon sa herë shtyhet pandemia dhe çdo gjë është në vazhdim, duhet të presim fundin e vitit për të bërë faturimin e saj. ndryshime dhe reflektime në buxhetë ka pasur vazhdimisht në varësi të situatës me pandeminë, por ndihem mire që qytetit nuk i ka munguar asnjë nga shërbimet”, tha Veliaj./atsh

Veliaj: Edi Rama do të fitojë më thellë në zgjedhjet e ardhshme, nuk diskutohet që PS është forcë e parë Read More »

“Pak kohë më parë thoshte se listat e hapura janë një ide e vlefshme, sot është kundër”/ Balla: Jozefina ka të drejtë, Luli gënjen edhe kur e pyet sa është ora

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi solli në vëmendjen deklaratat e pak kohëve më parë të Lulzim Bashës, kur thoshte se listat e hapura janë një ide e vlefshme, ndërkohë që sot është kundër listave të hapura.
Balla ndau një video ku kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me të rinj, është shprehur në mbështetje të listave të hapura.
“Jozefina ka gjithmonë të drejtë: Luli gënjen edhe kur e pyet sa është ora. Pak kohë më parë thoshte se listat e hapura janë një ide e vlefshme. Sot është kundër listave të hapura, kundër votës së qytetarëve jo vetëm për partinë, por edhe për kandidatin që preferon”, tha Balla./atsh

“Pak kohë më parë thoshte se listat e hapura janë një ide e vlefshme, sot është kundër”/ Balla: Jozefina ka të drejtë, Luli gënjen edhe kur e pyet sa është ora Read More »

“Në fillim të gushtit mund të arrihet maja e kurbës së infektimeve”/ Brataj: Shumëçka varet nga ndërgjegjësimi për mbajtjen e maskës dhe distancës sociale

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha për një nga mediet e vendit se në fillim të muajit gusht do të ketë një rritje të rasteve pozitivë me koronavirus.

Brataj tha se rritja e numrit të të prekurve varet edhe nga vetë qytetarët, të cilët sipas tij duhet të ndërgjegjësohen akoma më shumë për rrezikun që u kanoset.

“Nuk është piku akoma ky që po shohim tani. Në fillim të gushtit si të thuash, mund të mendojmë për një rritje numrash ose për majën e kurbës që mund të thuhet, për arsye të lirimit të të gjithë masave dhe transportit publik që s’ka as 10 ditë që është hapur dhe kuptohet që i do 3-4 javët e veta, faza e shpërndarjes së infeksionit, inkubacioni dhe shfaqja e sëmundjes, shenjave e simptomave. Pastaj sesi do të vazhdojë piku, kjo varet nga ne sesa do të ndërgjegjësohemi akoma në këtë situatë”, tha Brataj.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore u shpreh se situata në vendin tonë nuk do të jetë e ngjashme me atë të Italisë, për shkak edhe të shumë faktorëve që nga njohja e sëmundjes tanimë e deri në prodhimin e vaksinave të para. “Që nga dendësia e popullsisë, mosha e popullsisë, njohja e sëmundjes që nga protokollet e mjekimit dhe që nga ajo që po shpresojmë të gjithë që mendoj janë gati dy vaksinat e para që janë në prodhim, sepse janë bërë provat shkencore edhe tek humanët të cilat kanë dhënë rezultate pozitive”, u shpreh Brataj.

Brataj tha se përdorimi i maskës sipas studimeve shkencore mbron nga 65 deri në 70% nga marrja e këtij infeksioni.

“Nëse për dy muaj i gjithë njerëzimi do të mbante maska, do të zhdukej virusi. Kështu që, rëndësia e maskës është shumë e rëndësishme. Studimet e tjera na kanë treguar se arrihet nga 65-70% të uljes së infeksionit vetëm nga përdorimi i maskës”, u shpreh Brataj. /atsh

“Në fillim të gushtit mund të arrihet maja e kurbës së infektimeve”/ Brataj: Shumëçka varet nga ndërgjegjësimi për mbajtjen e maskës dhe distancës sociale Read More »