Së fundmi mediat belge kanë ngritur alarmin e mishit të skaduar që u eksportua nga vendi i tyre drejt Kosovës dhe mbërriti deri në doganën shqiptare.
E sipas një informacioni të fundit, në muajin Gusht të vitit të kaluar në kufirin Shqipëri-Kosovë u konfiskua 20 ton mish me etiketat e kompanisë Vanlommel. I skaduar prej një muaji nga momenti që kishte mbërritur në doganë, mishi u sekuestrua nga autoritetet.
“Shkatërruam të gjithë ngarkesën e mishit në mënyrë që të mos shkonte tek konsumatorët kosovarë“, tha një zëdhënës i Agjencisë Ushqimore të Kosovës.
Menaxheri i kompanisë “Vanlommel” thotë për mediat belge se nuk bëhet fjalë për mashtrim, por për gabim njerëzor.
Ja lajmi alarmues në mediat belge:
“Ishte një gabim nga ana jonë. Kemi marrë përsipër përgjegjësinë. Ky nuk është një rast mashtrimi. Etiketat ishin të sakta, por është e vërtetë që mishi kishte skadencë tre javore“, thotë Johan Heylen, raporton “tvklan”.
Dy deputetë belgë, Yoleen Van Camp dhe Renate Hufkens, kanë kërkuar që të nisë një hetim i plotë për këtë rast. Përmes një deklarate të përbashkët, deputetët thanë se “hetimet duhet të jenë proaktive, të shpejta dhe të plota. Për më tepër, ka një nevojë urgjente për komunikim sa më të shpejtë mes autoriteteve të përfshira dhe konsumatorëve”.
Ky është rasti i dytë me mishin e skaduar që eksportohet nga Belgjika. Përpara disa kohësh, kompania Veviba u përfshi në një skandal të ngjashëm duke dërguar mish të skaduar në Kosovë.
Rama dhe Berisha, bashkë po mbledhin para që të bëjnë luftë guerile në mbrojtje të gjësë së vjedhur prej tyre. Një provë e qartë dhe e re është te bashkëpunimi i tyre me kullat në trrualin e Teatrit Kombëtar. Ata që do të merren me ngritjen dhe shitjen e kullave shumëkatëshe janë klientë të përbashkët të Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Një turp i padëgjuar është ky. Dhe një vjedhës i pacipë vetë kryeministri që kërkon të na mallëngjejë më Teatrin e Ri Kombëtar dhe dramatik. Por kam përshtypjen që drama e parë që do të luhet në atë teatër është pjesa që do të dramatizojë falimentimin e tyre.
Keni për ta parë.
Po, a e di politika amerikane betejën guerile që po përgatit Rama-Berisha?
Edhe njëherë për Teatrin Kombëtar.
Historia anti korrupsion në Europë na ka mësuar se të korruptuarit e niveleve të larta, sa më afër goditjes penale janë, aq më shumë vjedhin me korrupsion. Kjo po shihet sot edhe në Shqipëri. Rama dhe tabori i tij është hedhur me agresion kundrejt vjedhjes kudo në administratën shtetërore. Kërkon para, më çdo kusht para. Të gjithë po i habit ky fakt. Por paratë janë për skemën Berisha-Rama.
E shihni sa pasionant është për sallën e teatrit Kombëtar Rama, aq sa edhe projektin e vodhi për t’i hedhur hi syve opinionit publik. Nuk është pasionant për Teatrin Kombëtar por për paratë e kullave. Por tani është i kapur. Nuk ka asnjë mundësi më që të gënjejnë me Teatrin Kombëtar, sepse ndërtimin e godinës së tij po të duan e bëjnë shqiptarët më donacionet e tyre, dhe nuk kanë fare nevojë që të ndihmojnë hajdutët që të vijojnë vjedhjen për t’i shpëtuar ndëshkimit.
Po ta shohësh me vëmendje konstaton se gjithçka është organizuar si nga një bandë vjedhësish e grabitësish.
Këta po duan me çdo kusht që ta legalizojnë lejen e ndërtimit të të gjitha kullave, se pastaj paratë për destabilizim të Shqipërisë i luajnë edhe nga burgu. Në fakt janë mendje feyll e asgjë më tepër. Por e kanë kot: janë të falimentuar.
Gjithçka tani është e hetuar nga ndërkombëtarët, dhe këtyre guerilasve të Shekullit të XXI nuk iu ka mbetur gjë tjetër veçse të presim fatin e tyre ashtu si vetë e kërkuan.
Ai që jeton më vjedhje humbet gjithmonë nga fati që i imponon ligji. Kjo ka ndodhur edhe me taborët Berisha-Rama, se janë tashmë të kapur nga ligji, por janë të hetuar ndërkombtarisht: për këtë të jenë të sigurt. Ekspertët e huaj dinë sot dhe sa dhëmbë të vënë kanë në gojë; dhe sa kanë paguar për to. Janë të parët në rradhë, nga tre ministra të korrupsioneve kryeministrorë Rama-Berisha; nga tre për secilin tabori qeveritar. Dhe goditja ka filluar realisht në Lezhë; ku korrupsioni nxori edhe demonstrues që protestonin për arrestimin e hajdutëve.
Është komedi e madhe goditja e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri; prandaj thashë unë më lart që drama e parë në teatrin e ri dramatik kombëtar do t’u kushtohet atyre. Në sallën e godinës së re të Teatrit Kombëtar, që do ta ndërtojnë vetë shqiptarët me donacione, do të shihet vënia në skenë e tragjikomedisë së vetë eliminimit të korripsionit kryeministror në Shqipëri.
Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, sqaron edhe njëherë pozicionin e presidencës në lidhje me negociatat Shqipëri-Greqi për kufirin detar.
Kreu i shtetit theksoi se “vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli nul marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, jo vetëm që argumentonte pse marrëveshja e vjetër ishte e papranueshme nga ana kushtetuese, por vinte edhe piketat për një marrëveshje të ardhshme. Këto piketa tregonin institucionet, hapat, procedurat dhe metodologjinë që mund të implementohej nëse do të negociohej një marrëveshje e re. Askush nuk mund t’i anashkalojë këto hapa. Nëse një prej këtyre elementëve anashkalohet, injorohet, shmanget ose ndryshohet, nga çdo institucion, para ose gjatë negociatave, është një shkelje e Kushtetutës”.
Intervista e plotë e Presidentit Ilir Meta për “To Vima”:
President, Shqipëria kërkon një datë për nisjen e negociatave për hyrjen në Bashkimin Europian në qershor. A keni shpresë se data do të njoftohet, veçanërisht pas raportit të fundit të Komisionit Europian mbi Strategjinë për Ballkanin Perëndimor?
Ambicia e madhe e Shqipërisë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian. Ky projekt strategjik gëzon mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe politikës. Të gjithë aktorët institucionalë dhe politikë kanë mbështetur në mënyrë unanime kërkesën e Shqipërisë për hapjen e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur, gjë që unë e konsideroj si shenjë të pjekurisë politike dhe përgjegjësisë së vendit. Nuk është sekret që ne presim një vendim pozitiv për hapjen e negociatave, mundësisht gjatë presidencës bullgare të BE-së. Gjithashtu, jemi të ndërgjegjshëm se kjo do të ishte një prolog për sfida më të mëdha dhe procese që duhet të ndryshojnë rrënjësisht vendin.
Nga ana tjetër, strategjia e Komisionit Europian, e ndjekur nga turi i Presidentit Juncker në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, është një shenjë e qartë e përkushtimit ndaj rajonit. Kam shpresë se Bashkimi Europian do të vazhdojë me këtë përkushtim për të përmbushur premtimin për anëtarësim të plotë dhe të ndihmojë të gjitha vendet në rrugëtimin e tyre.
Pavarësisht disa reformave të përmbyllura, rruga drejt integrimit në BE nuk është ende e qartë. Sipas burimeve të sigurta, korrupsioni mbetet problem, reforma në sistemin e drejtësisë është ende pezull dhe shumë analistë e përshkruajnë Shqipërinë si “Kolumbia e Europës” për shkak të prodhimit të marijuanës. Si i përgjigjeni këtyre?
Strategjia e re është shumë realiste kur thotë se Ballkani Perëndimor është larg të qënurit gati për anëtarësim të plotë në BE. Reformë e thellë dhe e plotë në sistemin e drejtësisë, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë luftën kundër kultivimit të drogës dhe trafikimit, janë sfidat kryesore ku duhen përqendruar përpjekjet. Kam besim se ky trend mund të ndryshojë me sukses, me vullnet të madh politik dhe ndihmë nga partnerët tanë. Padyshim që mundemi dhe duhet të bëjmë më shumë në këtë aspekt, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar, që është një kërcënim serioz për sigurinë dhe që nuk mund të mbahet brenda kufijve. Duhet të fitojmë këtë luftë për t’i vërtetuar qytetarëve tanë që policia është më eficente dhe bashkëpunuese sesa rrjetet e krimit.
Disa analistë shprehin shqetësime serioze se Tirana po kërkon ende të përmbushë vizionin e “Shqipërisë së Madhe”. Ata paralajmërojnë se kjo mund të krijojë paqendrueshmëri në Ballkan. Kohët e fundit, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një President të përbashkët në të ardhmen. Si mendoni?
Më lejoni që t’ju korrigjoj: Tirana nuk ka kërkuar kurrë dhe nuk do të kërkojë të përmbushë legjendën urbane të “Shqipërisë së Madhe”. Si President e kam bërë të qartë gjithmonë se Shqipëria është një partner i besueshëm në rajon. Që kur u rrëzua diktatura komuniste, projektet më ambicioze të vendit tonë kanë qenë NATO-ja dhe BE-ja. Kemi investuar të gjitha burimet politike, institucionale dhe njerëzore për këtë qëllim. Politika jonë e jashtme ka qenë gjithmonë e bazuar në paqe, stabilitet, siguri dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit.
Përsa i përket Kosovës, dua të theksoj se në dekadën e parë të pavarësisë së saj, Kosova ka vërtetuar se nuk është kërcënim për paqen, stabilitetin apo sigurinë e ndonjë vendi tjetër të rajonit. Autoritetet më të larta të Kosovës kanë nisur një proces dialogu me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe të asistuar nga Amerika, duke treguar se janë partnerë të besueshëm që përfaqësojnë interesat më të mira të vendit dhe qyetarëve të tyre. Tirana ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë këtë dialog, që ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sigurisht që Shqipëria ka arsye për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me Kosovën dhe përpjekjet tona reciproke kanë këtë qëllim. Për të njëjtat arsye, ne kërkojmë të kemi të njëjtin nivel mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të rajonit, sepse është në interesin tonë.
Muajt e fundit, Athina dhe Tirana kanë nisur një dialog të gjerë për të zgjidhur çështjet dypalëshe në një marrëveshje-paketë. Një nga çështjet më të ndjeshme ka të bëjë me detin, një marrëveshje e nënshkruar nga të dyja vendet në vitin 2009, por e gjykuar jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Kohët e fundit ju refuzuat t’i jepnit ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, autorizimin për të vazhduar negociatat për një marrëveshje të re me homologun e tij Nikos Kotzias. Pse e bëtë këtë?
E para, kam nënvizuar gjithmonë faktin se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë të një rëndësie të madhe strategjike. Kam dashur gjithmonë që të shikoj një dialog të hapur për të diskutuar të gjitha çështjet me interes. Agjenda aktuale nuk vjen nga një planet tjetër, as nuk është e imponuar, por ka disa çështje, disa të trashëguara nga e kaluara dhe disa nga e tashmja, të gjitha me interes të përbashkët për popujt tanë. E vlerësoj faktin që ka vullnet të mirë për t’u ulur dhe për të diskutuar këto çështje. Shpresoj që të adresohen në mënyrën më eficente të mundshme.
E dyta, Shqipëria dhe Greqia janë të interesuara për të pasur një marrëveshje për kufirin detar. Është shumë e rëndësishme që të dyja palët të hyjnë në procesin e negociatave me një mision të qartë: të arrijnë një marrëveshje që është e ligjshme, e implementueshme dhe e pakthyeshme.
Në këtë kontekst, të dyja vendet janë të ndërgjegjshme se ndërkohë që janë pjesë e Konventës për të Drejtën Detare, duhet t’i nënshtrohemi ligjeve të vendeve përkatëse.
Vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli nul marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, jo vetëm që argumentonte pse marrëveshja e vjetër ishte e papranueshme nga ana kushtetuese, por vinte edhe piketat për një marrëveshje të ardhshme. Këto piketa tregonin institucionet, hapat, procedurat dhe metodologjinë që mund të implementohej nëse do të negociohej një marrëveshje e re. Askush nuk mund t’i anashkalojë këto hapa.
Nëse një prej këtyre elementëve anashkalohet, injorohet, shmanget ose ndryshohet, nga çdo institucion, para ose gjatë negociatave, është një shkelje e Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje e re që nuk respekton “vijat e kuqe” mund të mos pranohet nga Kushtetuesja.
E treta, ju siguroj sërish juve dhe lexuesve tuaj se, pala shqiptare, përfshirë Presindetin e Republikës dhe institucionet e tjera, do të hyjnë në këtë dialog me vendosmërinë për të arritur një marrëveshje finale. Kam qenë krejtësisht transparent me institucionet shqiptare, aktorët politikë dhe opinionin publik për të pasur një marrëveshje siç duhet.
Sipas jush, marrëveshja e vitit 2009 ishte kundër interesave të Shqipërisë? Është e nevojshme një marrëveshje krejtësisht e re apo vetëm disa amendamente në marrëveshjen e vjetër do të mjaftonin? Çfarë aspektesh duhet të mbulojnë këto amendamente?
Kjo nuk është çështje për konsiderata personale ose çështje për opinionin publik. Marrëveshja e vitit 2009 ka qenë subjekt i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që duhet të respektohet. Ka pasur dy alternativa të tjera që vendet tona duhet të zgjidhnin për të përcaktuar kufirin e tyre detar. Mes tyre, të dyja palët vendosën që të rinisnin negociatat për një marrëveshje të re. Më lejoni t’ju kujtoj që Shqipëria e ka përcaktuar kufirin detar me Italinë dhe është e interesuar që ta bëjë këtë edhe me Greqinë, që do të sillte mundësinë për një marrëveshje trilaterale mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, ende pezull nga marrëveshja Shqipëri-Greqi.
Partia Socialiste ka “ndezur motorët” e fushatës për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.
Edi Rama mësohet, se ka zhvilluar takime kokë më kokë me krerët e grupeve drejtuese të punës së PS në qarqe. Gjithashtu, kreu socialist ka pasur konsultime edhe me të tjerë faktorë të rëndësishëm, për t’i dhënë një konsensus sa më të gjërë kandidaturave që PS do të përzgjedhë si kandidat për kryebashkiakë.
Mësohet se Tirana e ka kandidaturën më të padiskutueshme, ku sërish do të rikandidojë Erjon Veliaj.
Në Durrës Vangjush Dako, për të katërtën herë, në Korçë Sotiraq Filo do të rikandidojë për herë të tretë duke kërkuar që të marrë një mandat tjetër katërvjeçarë.
Armando Subashi është rikandidim i socialistëve për Bashkinë e Fierit. Dritan Leli do të ketë një garë të dytë për Vlorën. Në Maliq pritet të kandidojë për herë të gjashtë Vaskë Çinoku. Në Shkodër zëvendëskryeministrja Senida Mesi, e cila tashmë ka filluar fushatën elektorale. Në Lezhë kandidatura kryesore e socialistëve është deputeti Pjerin Ndreu. Ndrec Deda do të rivalizojë për një mandat tjetër në Rrëshen.
Presidenti i ekipit të Kukësit, Safet Gjici, pritet të jetë një nga kandidaturat kryesore si kryebashkiak në qytetin verilindor. Gjici është kandidatura e Ramës për të thyer pushtetin e shumë viteve të demokratëve dhe për të tentuar, që të marrë administrimin e Kukësit.
Këta janë disa nga kandidaturat të konfirmuara dhe që kanë filluar thuajse më shumë se një vit më parë punë në bashkitë, ku ata do të garojnë.CNA.al
Hetimet për abuzimin me pronat në zonën e bregdetit në Shëngjin, kanë nxjerr në pah dhe një aspect tjetër të abuzimit me detyrën të kryetarit të Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj.
52-vjeçari i zgjedhur kryebashkiak me siglën e PD-së në zgjedhjet lokale të vitit 2015, duket se ka shpërdoruar detyrën dhe sa i takon emërimeve në administratën e bashkisë.
Çudia ka ndodhur me dy punonjëse të Kadastrës, që janë gjithashtu nën hetim për pronat. Gjelina Bacaj, 55 vjeç, rezulton vetëm me arsim të mesëm ndërkohë që punon si përgjegjëse e Kadastrës.
Ndërsa Juxhina Mema vetëm 25 vjeçe, e diplomuar për fizioterapi, ka punuar gjithashtu si specialist pranë Kadastrës gjatë kohës që janë kryer abuzimet me pronën.
Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në njësitë më të prekura nga përmbytjet, pasi sipas saj rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.
Për më tepër Bashkia thotë situata e përmbytjeve vazhdon të përkeqësohet dhe ka rritje të nivelit të ujit.
Situata në territorin e Bashkisë së Shkodrës deri në orën 09.00 të datës 18 mars 2018, paraqitet si me poshtë:
Pas inspektimeve në terren të bëra nga Bashkia Shkodër, në Njësitë Administrative të përmbytura situata e përmbytjeve vazhdon të përkeqësohet dhe sipërfaqja totale ka arritur mbi 2420 Ha. Në detaje paraqitet si më poshtë:
Njësia Administrative Dajç:
Deri në këto momente, janë mbi 780 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit: Fshati Mushan (kënetë dhe argjinaturë) 290 ha, fshati Shirq 240 ha, fshati Suka-Dajç (kënetë) 70 ha, fshati Dajç (kënetë) 100 ha, fshati Darragjat 40 ha, fshati Samrisht i Ri 15 ha, fshati Samrisht i Vjetër 10 ha, fshati Pentar 15 ha.Kalimi bëhet i mundur me mjete të larta.
Niveli i ujit ka pësuar rritje sipas hidrometrit në kuotën 6.45 cm dhe ka tendencë rritjeje. Nga përmbytjet janë dëmtuar kultura të dyta foragjere, jonxhe, bimë dekorative dhe të tjera si më poshtë:
Sipërfaqja e përmbytur e mbjellë me kultura bujqësore është si më poshtë:
1. Foragjere dhe jonxhe 283 ha
2. Bime dekorative 10 ha
3. Vreshtë 0,5 ha
4. Grurë 5 ha
5. E pakultivuar 481.5 ha
Në lagjen Zadrimë, lagjen Marinaj dhe lagjen e Maçit në fshatin Shirq janë të bllokuara nga uji 20 familje dhe në fshatin Mushan 5 familje. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit afërsisht në 300 m gjatësi.
Në Njësinë Administrative Dajç nevojiten 80 (x 8litër) bidona ujë për banorë.
Njësia Administrative Ana e Malit:
Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të jetë e përkeqësuar dhe paraqitet më e rënduar. Në Obot kaloht vetëm me varka. Mbi 1200 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 420 ha, fshati Oblikë 580 ha, fshati Obot 200 ha. Niveli i ujit ka pësuar rritje me rreth 40 cm dhe ka tendencë rritjeje.
Nga sipërfaqja e mësipërme, sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore vlerësohet në 890 Ha, të shpërndara si më poshtë:
1. Jonxhe 713 Ha
2. Kultura të dyta foragjere 139 Ha
3. Grurë 5 Ha
4. Sera 3 Ha
5. Bimë dekorative 20 Ha
6. Vreshtë 1 Ha
7. Ullishte 2 Ha
8. Agrume 1Ha
9. Tunele 1
10. Pemëtore 3
11. Perime 2
12. E pakultivuar 310 Ha
Në njësinë administrative Ana e Malit Ujësjellësi Oblika1, si pasojë e përmbytjeve, është jashtë funksionit. Bashkia Shkodër me anë të dy mjeteve autobotë ka bërë dhe po bën furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit,në fshatin Obot nevojiten 61 palë çizme të gjata
për banesat, 100 thasë miell për familje dhe 210 (x 8litër) bidona ujë për banorë.
Njësia Administrative Bërdicë:
Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 290 ha tokë e përmbytur e ndarë sipas fshatrave si më poshtë:
1. Fshati Trush 140 ha
2. Fshati Bërdicë e Madhe 80 ha
3. Fshati Bërdicë e Sipërme 70 ha
Nga përmbytjet janë dëmtuar kultura të dyta foragjere, jonxhe, dhe të tjera si më poshtë:
1. Jonxhe dhe foragjere 175 Ha
2. Grurë 3 ha
3. E pakultivuar 112 Ha
Njësia Administrative Velipojë:
Në njësinë administrative Velipojë, në fshatin Baks i Ri janë të përmbytura mbi 20 Ha tokë të mbjella me kulura bujqësore.
Njësia Administrative Rrethina:
Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë e ndarë sipas fshatrave si më poshtë. Në fshatin Zues janë të përmbytura 70 Ha tokë nga të cilat 10 Ha ndodhen poshtë fshatit Zues dhe 60 Ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës. Nga këto janë Jonxhe+foragjere 40 Ha.
Qyteti Shkodër
Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 60 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën Et’hem Kazazi ka prezencë uji dhe në një segment prej 10 metrash ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre dhe nga këto 4 familje mbajnë bagëti, ku si pasojë e fushave të përmbytura paraqiten vështirësi në sigurimin e ushqimit për to. Këto familje furnizohen me ujë të pijshëm nëpërmjet puseve dhe ky paraqitet si problem.
Në lagjen Ajasëm janë rreth 80 dynym tokë e mbuluar nga uji dhe si pasojë 5 familje të
cilat mbajnë rreth 100 krerë bagëti kanë vështirësi në sigurimin e ushqimit për to.
Njësia Administrative Guri i Zi:
Në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore.Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës.
Specialistët tanë janë në terren, dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara.
Nevojat për bazë ushqimore për vazhdimësinë, për blegtorinë, në zonat e
përmbytura janë imediate dhe paraqiten si më poshtë:
Koncentrat 45 t (10 t Nj.ad Ana e Malit, 30 t Nj.ad Dajç, 5 t Nj.ad.Rrethina)
Bar i thatë 10 t (10 t Nj.ad Ana e Malit)
Kërkojmë një kamion ushtrie për shpërndarjen e ndihmave në terren. Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.
Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.
Edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë, akoma Bashkia Shkodër nuk ka një përgjigje zyrtare.
Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.
Bashkia Shkodër është e angazhuar në monitorimin dhe përgjigjen ndaj nevojave emergjente të banorëve.
Dhjetëra persona janë mbledhur përpara komisariatit të Lezhës në mbështetje të kryebashkiakut të arrestuar Fran Frrokaj.
Simpatizantët dhe mbështetësit e tij janë mbledhur përpara ndërtesës së komisariatit, duke kërkuar lirimin e Frrokajt.
Kryebashkiaku me 12 zyrtarë të tjerë u arrestuan nga policia të premten nën akuzën e përvetësimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun. Zyrtarët janë të arrestuar prej rreth 72 orësh. Ndaj tyre pritet të merret masa e sigurisë.