Lajmi i fundit

Vrasja e 4-vjeçarit shqiptar, jep dorëheqjen ministri

Ministri shqiptar i Drejtësisë në qeverinë maqedonase, Bilen Saliji ka dhënë dorëheqjen dhe vendimin e ka argumentuar për shkaqe morale. Përmes një deklarate për mediat, Saliji thotë se shkak është bërë vendimi i Prokurorisë për të rikualifikuar akuzën në rastin aksidentit që i mori jetën 4-vjeçarit shqiptar, Almir Aliu.

“Një ndër arsyet kryesore për përfshirjen time në politikë dhe sidomos si ministër Drejtësie ishte besimi im se drejtësia ishte shtylla kryesore e një shteti dhe ajo që është më e rëndësishme, drejtësi e barabartë për të gjithë qytetarët”, deklaroi Saliji.

Ai thotë se aktin e dorëheqjes e ndërmerr jo nga dështimi apo presioni, por si një akt ndërgjegjësues edhe më të madh në drejtim të reformave në sistemin e drejtësisë.

4-vjeçari Almir Aliu u përplas me makinë nga maqedonasi Boban Iliçi në Kumanovë pas një konflikt me familjarë të vogëlushit. Prokuroria maqedonase ndryshoi akuzën nga vrasje me dashje dhe e cilëson veprën si aksidentale duke e akuzuar atë për “aksident me pasojë vdekjen”, një akuzë më e zbutur nga e mëparshmja.

Vrasja e 4-vjeçarit shqiptar, jep dorëheqjen ministri Read More »

Akuza e fortë e Voltana Ademit: Përmbytjet u shkaktuan nga hapja e portave të kaskadave

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi lëshoi disa akuza në drejtim të qeverisë, duke ia adresuar fajin kësaj të fundit për përmbytjet e shkaktuara në këtë qark.

Nga një studio paralele nga Shkodra, Ademi tha për emisionin ‘Studio e hapur’ në “News24” se shkak i përmbytjeve nuk janë kanalet kulluese, por shkarkimet e tejskajshme të kaskadave. Mes të tjerash kryebashkiakja tha se punonjësit e kaskadës së Vaut të Dejës nuk iu lejua celulari gjatë orarit të punës teksa u hapën portat, pasi sipas saj kishin frike se mos bashkia vihej në dijeni. Duke qëndruar tek kjo akuzë Ademi tha se kjo çështje do të hetohet.

Cilat janë problematikat?
Ska lidhje politike kjo çështje. Duhet të marrin përgjegjësitë të gjithë institucionet. Duke nisur nga kryeministri, ministrat, të marrin përgjegjësitë. Në vend që gjëja e gjallë të evakuohej, kërkesë e imja. Ende nuk është realizuar asnjë gjë e tillë.

E kujt është përgjegjësia?
Informacioni duhet të vijë nga institucione të specializuara. Kur fola për shpalljen e emergjencës, fola për pritshmërinë në këtë qark. Shkak i përmbytjeve nuk janë kanalet kulluese, por shkarkimet e tejskajshme, ndoshta dhe të pakontrolluara. Punonjës të Vaut të Dejës nuk u lejuan as celularë të mbanin në punë, pasi kishin frikë mos na lajmëronin ne. Do hetohet kjo çështje, ndoshta është akuzë e rëndë. Ka që në datën 5 mars dhe sot jemi në datën 20. Vepra të mirëfillta investimi në qarkun më të rënduar, investimet kanë qenë zero.

Sa hektarë tokë janë në ujë?
Deri në orën 18:00 të pasdites ne kemi 5 mijë hektarë tokë nën ujë, në një nivel mbi 2 metra ujë në disa zona të caktuara. Në disa zona ka ende njerëz. Përveç fshatrave, ka 26 familje të evokuara në qytet.

Akuza e fortë e Voltana Ademit: Përmbytjet u shkaktuan nga hapja e portave të kaskadave Read More »

Falen kreditë e banesave për mbi 1 mijë familje, kategoritë përfituese

Shteti do të falë kreditë për 1084 familje që përfshijnë vitin e largët 1995 e deri më 31 dhjetor të vitit 2015, kryesisht familje të prekura nga përmbytjet dhe që kanë përfituar banesa nëpërmjet Entit Shtetëror të Banesave.

Në projektligjin e depozituar në Parlament që është pjesë e punimeve për periudhën 26 shkurt- 6 prill 2018 dhe i depozituar në muajin dhjetor të vitit të shkuar, thuhet se pjesa më e madhe e familjeve janë të varfra dhe nuk mund të shlyejnë kreditë.

Lista e banorëve përfitues shtrihet në Has, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Shkodë dhe Fier dhe me një total prej rreth 609 milionë lekësh.

RELACIONI I PROJEKTLIGJIT

Për pikën ku përcaktohet falja e detyrimeve të mbetura të kredisë për familjet në Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë, të shpërngulura nga ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës, sqarojmë se kredia është akorduar për mënjanimin e dëmeve të përmbytjes së dhjetorit 1995. Kredia iu kalua për t’u trajtuar nëpërmjet EKB-së. Në vitin 2006, me urdhrin nr.225, datë 19.9.2006, të Kryeministrit, është ngritur një grup ndërministror për verifikimin e listës së familjeve të përmbytura nga Hidrocentrali i Fierzës.

Nga sa është bërë e ditur nga puna e kryer nga ky grup lidhur me këtë problematikë, nuk është arritur një konkluzion apo zgjidhje përfundimtare. Për këtë proces nuk disponohet material. Nga familjet banuese në këto banesa është ngritur shqetësimi dhe pretendimi se e kanë të pamundur shlyerjen e detyrimeve (paradhënies apo paradhënies dhe një pjese të kredisë). Arsyet që paraqesin janë si më poshtë: – Paaftësia paguese. Pjesa më e madhe e familjeve kanë deklaruar se jetojnë në kushte të vështira dhe nuk kanë mundësi financiare për shlyerjen e kredisë; – Kërkohet falja e kredisë me arsyetimin se banesat e tyre dhe tokat e përmbytura në vendin e origjinës kanë një vlerë më të madhe se vlera e kredisë.

• Me fondin e vënë në dispozicion, me vlerë 150 000 lekë për frymë, nuk mund të përfundonin ndërtimin e banesës dhe se për këtë janë detyruar të përdorin fonde të tjera. Kjo ka ndikuar në pamundësinë e shlyerjes së vlerës së kredisë. Nga ana tjetër, Enti Kombëtar i Banesave ka hapur procese gjyqësore, duke kërkuar kthimin e vlerave të tërhequra nga këta qytetarë. Por, në këtë proces të ndjekur nga Enti kanë rezultuar shumë pengesa për arsyet e mëposhtme:

• Shpenzimet gjyqësore për hapjen e padive dhe pagimin e tatimit për vlerën e kërkuar nëpërmjet çdo padie të ngritur rëndojnë shumë shpenzimet e EKB-së.

• Largimi i këtyre qytetarëve (familjeve) në emigracion.

• Proceset gjyqësore janë mbyllur disa herë, pasi nuk gjenden adresat e sakta të këtyre qytetarëve, të cilësuar si “të paditur”, nisur nga fakti se ata nuk kanë ndërtuar banesën në vendin ku është planifikuar të ndërtohej, por janë larguar duke ndërtuar diku tjetër ose duke mos ndërtuar fare. Përfaqësuesit e EKB-së në disa qarqe kanë realizuar takime në bashkitë dhe ish-komunat përkatëse, por përgjigjja nga këto takime ka qenë se këta qytetarë janë larguar nga ajo komunë apo bashki. Njëkohësisht është kërkuar ndihmesë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për të bërë të mundur marrjen e adresave të reja për qytetarët që kanë ndërruar adresat.

• Për kreditë e lëvruara për përmbytjet, kontratat nuk janë lidhur pranë noterit. Duke gjykuar se këto të dhëna dhe argumente do të jenë të vlefshme në funksion të gjetjes së një rrugëzgjidhjeje për këtë problematikë, është propozuar përfshirja e kësaj pike në dispozitat transitore të projektligjit të ri të strehimit. Aktualisht, shuma e fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit për përmbytjet konsiderohet e vështirë dhe problematike për t’u arkëtuar nga banorët, ndërsa heqja e këtyre detyrimeve nga bilanci nuk ka faturë financiare për buxhetin e shtetit apo për Entin Kombëtar të Banesave.

Falen kreditë e banesave për mbi 1 mijë familje, kategoritë përfituese Read More »

Një mijë dosje pronash – Vlora me 403 çështje, zero në Tiranë

Në 2017, prokuroria ka shqyrtuar afro 1 mijë dosje hetimore që kanë të bëjnë me abuzimet me pronat. 915 çeshtje pronësie që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës, vetëgjyqësinë dhe vepra të tjera penale që u përkasin abuzimeve me pronat.

Nën hetim janë vendosur vetëm 15 zyrtarë kryesisht të hipotekës dhe pushtetit vendor vetëm në dy rrethe në Kavajë me tokat në Spille dhe një rast në Krujë ku është akzuar ish-kryetari i bashkisë.

Edhe pse Vlora është qarku që përbën thuajse gjysmën e dosjeve me abuzimet e pronave, në këtë qark nuk rezulton asnjë zyrtar i lartë i ndaluar edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej tyre mund të jetë nën hetim. E kundërta ndodh në Tiranë, ku nuk ka asnjë dosje abuzimi me pronat.

Vetëm në Vlorë rezulton të jenë 403 referim-kallëzime me 243 dosje të regjistruara për të nisur hetimet. I renditur si qyteti i dytë me më shumë raste abuzimesh me pronat Gjirokastra numëron 338 procedime penale, me 71 të pandehur. Në Berat janë 52 referim-kallëzime ndërsa në Durrës 37 kallëzime penale, ku në 30 raste nuk kanë nisur ende hetimet.

Kruja është rast specifik, pasi nga 40 kallëzime penale, 2 prej tyre janë çështje të mbartura nga vitet 2015-2016. Një prej tyre ishte rasti i kryebashkiakut Shkëlzen Hoxha dhe 3 ish-zyrtarëve të bashkisë, që u akuzuan për “falsifikimit dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”, pasi sipas prokurorisë abuzuan me një fond emergjence. Edhe ish-kreu i Hipotekës në Krujë, në vitin 2016 është proceduar penalisht për “shpërdorim detyre”.

Pas Krujës renditet Dibra me vetëm 14 çështje penale, ku rastet e vetëgjyqësisë për të marrë pronën janë gjysma e çështjeve. Së fundmi, në Kurbin u regjistruan 17 raste. Në Korçë ka vetëm 3 çështje pronash, kurse në Tropojë 11 të tilla.

Një mijë dosje pronash – Vlora me 403 çështje, zero në Tiranë Read More »

Situatë emergjente në Shkodër, uji po përparon drejt qytetit

Dyfishohet sipërfaqja e përmbytur në territorin e bashkisë së Shkodrës. Informacionet e orës 14:00 nga kjo bashki flasin për 4215 ha sipërfaqe tokë e përmbytur, gati dyfishi i sipërfaqes së përmbytur më parë.

Ndërkohë uji po përparon  drejt qytetit.  Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 110 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se në rrugën Et‘hem Kazazi ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre dhe nga këto 4 familje mbajnë bagëti, ku si pasojë e fushave të përmbytura paraqiten vështirësi në sigurimin e ushqimit për to. Këto familje furnizohen me ujë të pijshëm nepërmjet puseve dhe ky paraqitet si problem. Nevojiten  Nevojiten çizme të gjata për 10 familje.

Në lagjen Ajasëm janë rreth 3 ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji. Emergjente paraqitet baza ushqimore për bagëtitë për 5 familje , rreth 100 krerë bagëti.

Në njësinë administrative të Dajçit, niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka sërish tendencë rritjeje. Në total  banesat që janë të bllokuara nga uji janë mbi 194

Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit pasi niveli është 20 cm pa dalë nga argjinatura. Në Obot kalohet vetëm me varka. Në këtë fshat janë rreth 150 shtëpi të rrethuara nga uji nga ku në 12 prej tyre ka hyrë uji

Perseritet kerkesa: Shpallni emergjencen

“Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.
Edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë, akoma Bashkia Shkodër nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet përgjegjëse.
Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të  mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.” thuhet në njoftimin e bashkise.

Zonat e tjera te prekura nga permbytja

Njësia Administrative Dajç
Deri në këto momente, janë mbi 1415 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit: Fshati Mushan 330 ha, fshati Shirq 310 ha, fshati Suka-Dajç 140 ha, fshati Dajç 220 ha, fshati Darragjat 140 ha, fshati Samrisht i Ri 120 ha, fshati Samrisht i Vjetër 50 ha, fshati Pentar 20 ha, fshati Belaj 50 ha , fshati Rrushkull 35 ha.

Kalimi bëhet i mundur me mjete të larta të ushtrisë në rrugën kryesore. Rruga Shirq-Darragjat kalohet me varka.

Rruga Belaj-Pentar dhe rruga Bishti i Qarrit janë të bllokuara.Niveli i ujit ka pësuar rritje sipas hidrometrit në dhe ka tendencë rritjeje.

Në total  banesat që janë të bllokuara nga uji janë mbi 194 të ndarë sipas fshatrave : 42 në fshatin Shirq , 19 në Mushan, në fshatin Belaj 20, në fshatin Darragjat 15, në fshatin Samrisht të Vjetër 80, në fshatin Suka 11 banesa nga ku lagjia Mazija totalisht e izolume me 8 banesa, në fshatin Samrisht i Ri 6 banesa, në fshatin Dajç 1 shtëpi totalisht e izoluar. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit .Niveli është 20 cm pa dalë nga argjinatura. Janë 26 shtëpi të rrezikuara.

Njësia Administrative Ana e Malit:
Në Njësinë Administrative Ana e Malit, situata vijon të jetë e përkeqësuar dhe paraqitet e rënduar. Në Obot kalohet vetëm me varka. Mbi 1300 ha tokë janë të përmbytura: Fshati Muriqan 450 ha, fshati Oblikë 650 ha, fshati Obot 200 ha. Në Obot janë rreth 150 shtëpi të rrethuara nga uji nga ku në 12 prej tyre ka hyrë uji .Në Muriqan në 8 shtë 8 shtëpi ka hyrë uji . Në Goricë 40 shtëpi ka rrethuara nga uji. Në lagjen Gallube në 4 shtëpi ka hyrë uji. Niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka tendencë rritjeje.

Në njësinë administrative Ana e Malit Ujësjellsi Oblika1 dhe 2 si pasojë e përmbytjeve, janë jashtë funksionit.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit,në fshatin Obot nevojiten 61 palë çizme të gjata
për banesat , 100 thasë miell për familje dhe 210 (x 8litër) bidona ujë për banorë.

Njësia Administrative Bërdicë:
Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 1050 ha tokë e përmbytur e ndarë sipas fshatrave  si më poshtë:
1.Fshati Trush 550 ha
2.Fshati Bërdicë e Madhe 250 ha
3.Fshati Bërdicë e Mesme 100 ha
4.Fshati Bërdicë e Sipërme 150 ha

Janë të rrethuara nga uji 10 shtepi ne fshatin Berdice e Siperme, 8 ne Berdice e Madhe dhe 30 ne fshatin Trush.

Njësia Administrative Velipojë:
Në njësinë administrative Velipojë, janë të përmbytura mbi 260 Ha tokë :
1.Fshati Baks 160 ha
2.Fshati Ças 100 ha

Janë të rrethuara nga uji 10 shtëpi në Lagjen Çobaj në Luarz. Në fshatin Luarz në 3 vende del uji nën argjinaturë.

Njësia Administrative Rrethina:
Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë e ndarë sipas fshatrave  si më poshtë. Në fshatin  Zues janë të përmbytura 70 Ha tokë nga të cilat 10 Ha ndodhen  poshtë fshatit Zues dhe 60 Ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës. Nga këto janë Jonxhe+foragjere 40 Ha. Në zonën e Livadheve (Nj.ad.Rrethina) janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji. Niveli i ujit ka pësuar rritje.

Njësia Administrative Guri i Zi:
Në njësinë administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore.Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës.
Janë të përmbytur rreth 10 ha tokë në  fshatin Kuç. Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.

Situatë emergjente në Shkodër, uji po përparon drejt qytetit Read More »

Ligji për gjuhët, protesta para shtëpive të deputetëve në Maqedoni

Shtëpitë e deputetëve të shumicës, si ajo e Forsina Remenskit, Hari Llokvenec dhe disa të tjerë, edhe mbrëmë ishin shënjestër e protestave që pasuan pas miratimit të ligjit për gjuhët. Deputetja e LSDM-së Forsina Remenski, para shtëpisë së të cilës po protestohet për dy natë me radhë, përsëritë se protesta po organizohet nga anëtarë të VMRO-DPMNE-së, për çka si dëshmi, publikoi edhe disa mesazhe. Në këto biseda që kishte siguruar deputetja Remenski, qëndronin porosi të anëtarëve të Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Karposh, për tubim dhe protesta para shtëpive të deputetëve. Remesnki tha se më së voni deri të premten, do ngrit padi penale ndaj organizatorëve të protestave që ajo i konsideron të paligjshme. Nga VMRO-DPMNE sot nuk deshën të komentojnë akuzat e Remenskit, ndërsa ditë më parë kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristjan Mickoski mohoi që protestat të jenë të organizuara nga VMRO-DPMNE-ja.

I pakapshëm për televizionin Alsat ishte dhe vetë Toni Jarevski që shihej në bisedat e publikuara nga Remenski, si iniciatorë për protestën para shtëpisë së kësaj të fundit. Për arsye sigurie, deputetëve të LSDM-së, nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme u janë dërguar nga dy pjesëtarë të forcave policore, që të evitojnë ndonjë sulmi eventual nga protestuesit. Ndërsa në shtëpitë e deputetëve ku është protestuar, ka pasur numër të shtuar të forcave policore, me qëllim të parandalimit të eskalimit eventual të situatës.

“Duke u bazuar në vlerësimet e sigurisë, që bëhen zakonisht, Ministria e Punëve të Brendshme i ka shpërndarë pjesëtarë të policisë para objekteve dhe shtëpive ku protestohet ditëve të fundit. Për secilën thyerje të rendit dhe qetësisë publike, manifestim të dhunës Ministria e Punëve të Brendshme ndërmerr masa konkrete për pastrimin e dilemave – deklaroi Toni Angellovski”– Zëdhënës i MPB-së, njofton Alsat M.

Nga MPB thonë se po hetojnë të gjitha kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes që është përdorur në protestat kundër votimit të ligjit për gjuhët. Që nga dita e miratimit të Ligjit për gjuhët në lexim të tretë, një numër i vogël i qytetarëve filluan që të shprehin pakënaqësinë e tyre në forma të ndryshme, si dhënia flakë e veturave të deputetëve, mbishkrime fyese për shqiptarët dhe kërcënime. Këto sulme i ka dënuar edhe kryeministri Zaev dhe partitë tjera parlamentare.

Ligji për gjuhët, protesta para shtëpive të deputetëve në Maqedoni Read More »

FMN “shuplakë” qeverisë: Ndalni praktikat e PPP-ve, me rrezik për buxhetin

Edhe njëherë FMN i tërheq ‘veshin’ qeverisë për koncensionet. Në deklaratën e fundit pas vizitës 2 javore në Shqipëri të misionit, FMN tregohet skeptike me projektet e Partneritetit Publik Privatë pasi mbartin shumë risqe fiskale në kurriz të publikut ndaj edhe i kërkon qeverisë që të bëj një ndarje më të saktë mes shtetit dhe privatit.

“Sa u takon PPP-ve, një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave. Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eliminohet. Plani i qeverisë për krijimin e një banke zhvillimi për të financuar investimet publike është mirë të marrë parasysh përvojën ndërkombëtare sa u takon risqeve që shoqërojnë subjekte të tilla, përfshirë risqet fiskale, financiare dhe të drejtimit të brendshëm”, shkruhet në raport.

Sipas FMN rënia e investimeve në infrastrukturë, energji si dhe borxhi mjaft I lartë publik do të ngadalësojnë rritjen ekonomike.

“Rënia graduale e investimeve të mëdha në infrastrukturën e sektorit energjetik pritet ta ngadalësojë ritmin e rritjes. Me një nivel borxhi publik mjaft të lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe detyrimet të kushtëzuara në rritje, mosrealizimet fiskale mund ta ulnin besimin, t’i rrisnin primet e riskut të huamarrjes dhe t’i pakësonin investimet private. Progresi i pamjaftueshëm në zbatimin e reformës strukturore në fusha të tilla si energjetika, menaxhimi financiar publik dhe reformat në gjyqësor mund ta cenonin besimin e investitorëve, duke i zvogëluar ndjeshëm flukset hyrëse nga donatorët dhe flukset e kapitalit dhe duke e ulur rritjen”, thuhet më tej.

Si stres për ekonominë shqiptare FMN shikon edhe sektorin financiarë. Sipas FMN banka qendrore duhet të tregohet e kujdesshme me blerësit e rinj të bankave dhe të monitorojë të gjithë tregun bankarë.
“Konsolidimi i tanishëm i bankave, me shitjen e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre. Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar. Monitorimi strikt i bankave me rëndësi sistemike do të duhet të fuqizohet më tej, për ta kufizuar riskun e huamarrësve të mëdhenj dhe për ta zbutur riskun e huadhënies mes palëve të lidhura”, thuhet në raport.

Në lidhje me përfshirjen ne TVSH të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë FMN këshillon se “administrata do shpërqendrohet, në vend të fokusohet të ndërmarrjet e mëdha dhe ka rrezik të ulen të ardhurat, ndaj nuk ishim dakord që në fillim”.

FMN “shuplakë” qeverisë: Ndalni praktikat e PPP-ve, me rrezik për buxhetin Read More »

Rama takon Mogherinin dhe Fleckenstein: Me grupin “Miqtë e Shqipërisë në PE”

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime miqësore para dëgjesës në Parlamentin Europian. Rama është takuar me shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini si dhe me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein. Me të dy diplomatët, Rama ka pasur biseda të veçanta.

“Disa takime miqësore përpara dëgjesës me grupin “Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian”🇦🇱😊🇪🇺”, shkruan kryeministri.

Më herët Rama u takua komisionerin Johannes Hahn si dhe me kryeministrin belg Charles Michel, i cili shprehu mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE.

 

 

Rama takon Mogherinin dhe Fleckenstein: Me grupin “Miqtë e Shqipërisë në PE” Read More »