Nëse ka ministër në kabinetin e Edi Ramës, i cili punon me përkushtim dhe pa asnjë kompromis me shkelësit e ligjit ai është Fatmir Xhafaj. Këtë të enjte Fatmir Xhafaj, Ministri i Brendshëm, shkruan në rrjetin social, se u takua me kongresmenët Anderholt dhe Steve King.
Ministri Xhafaj thekson se ka marrë vlerësime dhe mbështetje të fortë për “reformat impresionuese të qeverisë në fushën e drejtësisë dhe sigurisë“. Ndër të tjera ai thekson se: “Në Uashington për një vizitë zyrtare. Së bashku me mua edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe një ekip nga MB e Policia e Shtetit. Të ftuar nga kolegët dhe miqtë tanë amerikane. Një axhendë e ngjeshur takimesh në Departamentin e Shtetit, Kongres, FBI e DEA etj.
Në Kongres fillimisht në një takim shumë konstruktiv me kongresmenin Robert B. Anderholt dhe më pas një takim me një tjetër mik të Shqipërisë, kongresmenin Steve King. Vlerësime dhe mbështetje e fortë prej tyre për “reformat impresionuese të qeverisë në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.
Dje në një darkë pune me disa personalitete të njohur për përvojën e tyre si ligjvënës, në fushën e sigurisë dhe diplomacisë, miq e mbështetës në vite të Shqipërisë. Një diskutim shumë interesant për sfidat aktuale në fushën e sigurisë kombëtare dhe luftën kundër terrorizmit”, shkruan Fatmir Xhafaj.
Ministri Xhafaj ka mbështetje të hapur amerikane në punën e tij në luftën ndaj krimit të organizuar.
Pezullimi nga qeveria i dhënies së tapive për trojet e dhëna me ligjin 8053 të vitit 1995 për ndarjen pa shpërblim të tokës për ish ndërrmarjet bujqësore do të bëhet vetëm në vijën bregdetare.
Harta e publikuar nga qeveria, dhe ajo paraqet një vijë ndarëse përgjatë gjithë bregdetit, dhe praktikisht përfshin gjithë tokat me vlerë që nga grykëderdhja e Bunës në Veri deri në kepin e Stillos në kufirin jugor të vendit me Greqinë.
Vendimi për mosregjistrimin e trojeve të dhëna përmes komisioneve të shpërndarjes së tokave përfshin shumë fshatra bregdetarë, në jug, zonat lagunore të Divjakës, Shëngjinit, Nartës, dhe Velipojës. Me njolla të kuqe janë shënjuar edhe gjiri i Porto-Palermos në Himare, Gjiri i Lalëzit apo bregdeti i Ksamilit përballë ishullit të Korfuzit.
Praktikisht harta përshfin zonat me trojet më të lakmuara në Shqipëri, dhe sipas qeverisë pezullimi do zgjasë deri në krijimin e një Fondi tokash për Mbështetjen e Investimeve Strategjike. Tokat që do të futen në këtë fond do t’u jepen më parë investitorëve.
VKM mbart shumë pikepyetje pasi një e drejtë e dhënë me ligj nuk mund të hiqet me vendim qeverie. Parelelisht ekzekutivi ka ngritur një strukturë që do të evidentojë tokat shtetërore në bregdet, task forcës do të filtrojë të gjitha tokat në një gjerësi prej 1 kilometri e gjysmë nga bregu i detit./TCh
Aeroporti i Vlorës është një nga veprat më të mëdha infrastrukturore, që pritet të ndërtohet në mandatin e dytë qeverisës të kryeministrit Edi Rama, e cila po nxiton të krijojë kushtet e favorshme për nisjen e punimeve.
Së fundmi qeveria ka miratuar një vendim për përzgjedhjen e kompanisë konsulente për të negociuar me konsorciumin turk, që do të ndërtojë dhe operojë në aeroportin e Vlorës. Aty thuhet se fondi limit është 20 milionë lekë pa përfshirë TVSH-në, ndërsa oferta kualifikuese do të vlerësohet në bazë të çmimit të ofruar dhe përzgjedhja do të bëhet për ofertën më të ulët.
Në vendimin e marrë sot nga Këshilli i Ministrave ngarkohet Ministria e Infrastrukturës që të krijojë komision për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”. Ky komision duhet të përbëhet nga jo më pak se 3 anëtarë, specialistë të fushës përkatëse të autoritetit kontraktor (juristë, ekonomistë dhe inxhinierë), i cili duhet të identifikojë shoqëritë konsulente që ofrojnë shërbime në fushën e fushën e këshillimit juridiko-financiar e teknik.
Në pikën 4 të vendimit, thuhet se numri i shoqërive të identifikuara nuk duhet të jetë më pak se tre kompani dhe se “komisioni fton të gjitha shoqëritë që të paraqesin dokumentacionin për të provuar kapacitetin e tyre për përmbushjen e objektit të kësaj kontrate, brenda një periudhe jo më shumë se 7 ditë nga data e dërgimit të ftesës. Ftesa dhe kriteret e përzgjedhjes duhet të përmbajnë elementet që përcaktohen në këtë vendim”.
Në përfundim të vlerësimit, komisioni harton një raport përmbledhës për zhvillimin e procedurës dhe ia paraqet për miratim titullarit të autoritetit kontraktor. Midis kushteve që duhet të plotësojë kompania, është edhe nënpika C, pikës 4, sipas të cilës, kompania duhet të ketë të paktën “një kontratë për shërbim të ngjashëm, të realizuar brenda tri viteve të fundit. Shërbimi duhet të jetë ofruar dhe realizuar për një investim me vlerë minimale 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) euro si dhe të kenë një xhiro vjetore mesatare të tri viteve të fundit jo më pak se 50% të vlerës së investimit”./Shqip
Ëndërrat realizohen. Këtë e vërteton 92-vjeçarja, Gullu Saraç, e cila ka nisur shkollën fillore për të mësuar lexim dhe shkrim, një mundësi që nuk i erdhi kur ishte e vogël.
Saraç është një prej tetë grave që janë bërë pjesë e kursit të shkrim-leximit. “Fëmijët e mi provuan të më mësojnë si të lexoj e shkruaj për disa vite, por deri tani nuk kisha vijuar procesin shkollor”, tha ajo.
Ideja për të nisur shkollën në këtë moshë i erdhi nga motra e saj që ndiqte flloren çdo ditë. Por, ajo e ka edhe një dëshirë të madhe, për të shkruar emrat e fëmijëve dhe nipërve.
“Është dicka e mirë që kursi mbahen në shkollë pasi gjithmonë më ka pëlqyer të ulem në bankat e shkollës. Tani mund të lexoj disa artikuj, por shpresoj se do mësoj të shkruaj me ndihmën e mësuave. Dua të shkruaj emrat e fëmijëve dhe nipërve të mi”, tha ajo për mediat turke.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se do të nisë operacionin e gjërë ndaj biznesve në prill dhe maj për të mbledhur borxhet e krijuara dhe verifikuar lëshimin e kuponit tatimor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, zhvilloi ditën e mërkurë datë 21 mars 2018, mbledhjen e “Komitetit Operacional” nr.11 për “Miratimin e Planit Operacional për periudhën Prill – Maj 2018”, të Drejtorisë së Hetimit Tatimor. Ky plan është hartuar në funksion të parandalimit, zbulimit dhe ndëshkimit të evazionit fiskal dhe paligjshmërisë në fushën e tatimeve.
Zbatimi i tij do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke pasur si objekt kryesor :
-Arkëtimin e borxheve të krijuara
-Tatimpaguesit aktive që kalojnë në status pasiv, si pasojë e ndryshimit të përgjegjësisë tatimore
-Verifikimin e subjekteve për lëshimin e kuponit tatimor në vlerën reale të produktit/shërbimit krahasuar me listën e afishuar të çmimeve.
Gjithashtu në fokus të punës së Drejtorisë së Hetimit Tatimor për këtë periudhë do të jenë edhe subjektet që janë të angazhuara në realizimin e punëve publike. Ndërsa në sektorin e ndërtimit kontrollet do të përqendrohen në verifikimin e gjendjes aktuale, si dhe në verifikimin e numrit të punonjësve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar për të nxitur të gjithë tatimpaguesit që të përmbushin në mënyrë vullnetare të gjitha detyrimet ligjore, por dhe të denoncojnë akte të abuzimit nga ana e administratës tatimore.
Rrethinat e Tiranës dhe në përgjithësi të rajonit të qendrës së Shqipërisë, Durrës dhe Elbasan, kanë çmimin më të lartë të tokës bujqësore në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, çmimi mesatar i tokës në BE arriti në 63,000 mijë euro për një hektar (6.3 euro metri katror) në vitin 2017.
Në Shqipëri, çmimi mesatar i një metri katror në fshatrat e Tiranës varion mesatarisht në 70-90 euro për metër katror sipas të dhënave që dha ekspertja Xheni Jahja nga Tirana Real Estate.
Sipas të dhënave krahasuese, çmimi i tokës bujqësore në Shqipëri është rreth 10 herë më i lartë se në vendet e BE-së.
Ekspertja Jahja ka disa shpjegime për këtë deformim të tregut të tokës bujqësore në vendin tonë.
Së pari, mungesa e planeve rregullues dhe planeve të detajuara. Sipas saj, të pasurit e një plani eleminon abuzimin që bëjnë pronarët në ofertën që hedhin ne treg. Ndaj dhe çdo ditë përballemi me oferta të fryra që nuk i përshtaten kërkesës që ka tregu, shtoi ajo.
Së dyti, çmimi i lartë i tokës në zonat rurale është edhe për shkak të kërkesës së vazhdueshme për zhvillim të sipërfaqeve të mëdha për zona industriale.
Ekspertët e fushës mendojnë se, shkak për deformimin e çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë ndërtimet të cilat vijojnë të bëhen jo konform planeve rregulluese. Për shkak se toka bujqësore është përdorur lirisht edhe për tokë truall, vlera e saj është rritur artificialisht pas viteve 1990. Duke u ndryshuar destinacioni i përdorimit të tokës pa mbikëqyrjen e shtetit, aktualisht Shqipëria paraqitet me çmimet më të larta të tokës në rajon.
Jahja thotë se së fundmi ka pasur një klient që donte të shiste një tokë në Kamëz dhe e mbante me 180 euro/m2, pasi ngulte këmbë se e shiste për ndërtim, ndonëse ajo ishte tokë arë.
Toka në Europë
Sipas të dhënave të Eurostat, Holanda regjistroi çmimin më të shtrenjtë të blerjes së një hektari tokë të punueshme në BE në vitin 2016 (63 000 euro). Çmimi i tokës së punueshme në çdo rajon të Holandës ishte mbi të gjitha mesataret kombëtare të BE-së.
Megjithatë, midis rajoneve të BE-së për të cilat disponohen të dhëna, çmimi më i shtrenjtë për tokën bujqësore ishte në rajonin e Ligurias të Italisë (mesatarisht 108 000 euro për hektar (10.8 euro).
Ndërsa toka me lirë u regjistrua në Rumani, ku një hektar kushton mesatarisht 1958 euro. Ky informacion, i publikuar nga Eurostat, vjen nga një grup i ri statistikash mbi çmimet e tokës bujqësore dhe qiratë, e cila mbulon shumicën e shteteve anëtare të BE.
Eurostat shpjegon se niveli i çmimeve të tokës varet nga ligjet kombëtare, rajonale (klima, afërsia me rrjetet) dhe faktorët lokalë (cilësia e tokës, pjerrësia, drenazhimi etj.) si dhe forcat e tregut të ofertës dhe kërkesës rregullat e pronësisë së huaj).
Nga të dhënat në dispozicion, rritja më e madhe në çmimet e tokës të tokës bujqësore midis 2011 dhe 2016 ishte në Republikën Çeke (një rritje tre herë), Lituania, Estonia, Letonia dhe Hungaria (një rritje dyfish). Çmimet u rritën edhe në shtetet e tjera anëtare, edhe pse me norma shumë më të ulëta. Në pothuajse të gjitha rajonet, blerja e tokës bujqësore ishte më e shtrenjtë se blerja e kullotave (20 herë më të shtrenjta në ishujt grekë të Voreio Aigaio). Po ashtu, blerja e tokës së punueshme të ujitshme ishte më e shtrenjtë se tokat në thatë./Monitor
E gjithë Shkodra është nën pushtetin e ujit. Sipas të dhënave të shtabit të emergjencave sipërfaqja totale e përmbytur është rritur ndjeshëm, duke shkuar në 4958 hektarë.
Banorët janë pa ujë të pijshëm, ndërsa mbi 300 shtëpia janë të rrethuara nga uji. Një problem tjetër është edhe mungesa energjisë.
Shtyllat e energjisë elektrike janë dëmtuar dhe kërkohet ndërhyrja e OSHEE-së. Uji nuk ka kursyer as shkollat, disa prej të cilave kanë prezencë uji.
NJOFTIMI I PLOTË
Situata në territorin e Bashkisë së Shkodrës deri në orën 09:00 të datës 22 mars 2018, paraqitet si më poshtë:
Pas inspektimeve në terren të bëra nga Bashkia Shkodër, në Njësitë Administrative të përmbytura situata e përmbytjeve vazhdon të përkeqësohet dhe sipërfaqja totale ka arritur mbi 4958 Ha. Në detaje paraqitet si më poshtë:
Njësia Administrative Dajç: 1750 ha
Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit. Rruga Shirq-Darragjat, rruga, Belaj- Pentar, Rruga Bishti i Qarrit dhe Urrela janë të bllokuara.
Në disa shkolla në ambientet e brendshme të shkollës ka prezencë uji. Kanë rënë disa shtylla të energjisë elektrike në rrugën e Dajçit. Kërkojmë nga OSHEE ndërhyrje emergjente duke marrë masat përkatëse.
Paraqitet shume e nevojshme vendosja e shenjave orientuese në rruge për të bërë të mundur kalimin. Janë mbi 300 shtëpi të rrethuara nga uji. Kërkohet furnizim me ujë të pijshëm për banorët.
Njësia Administrative Ana e Malit: 1300 ha
Ujësjellësi Oblika 1 dhe Oblika 2 janë jashtë funksionit. Kërkohet furnizimi me ujë të pijshëm për banorët dhe nevojiten çizme të gjata për banorët. Lagjja Goricë është totalisht e izoluar. Janë 177 shtëpi të rrethuara nga uji, 150 në Obot dhe 27 në Goricë.
Njësia Administrative Bërdicë:
Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 1280 ha tokë e përmbytur .
Stacioni i pompave të Ujësjellësit në Trush si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Janë 100 shtëpi të rrethuara nga uji.
Njësia Administrative Velipojë:
Në njësinë administrative Velipojë, janë të përmbytura mbi 410 Ha tokë:
Në fshatin Luarz del uji nën argjinaturë. Ndërsa në atë të Çasit paraqiten shumë probleme. Kërkohet ndërhyrje emergjente. Rruga nacionale është e pakalueshme.
Fshati Luarz është pa energji elektrike.
Paraqitet shumë e nevojshme vendosja e shenjave orientuese në rrugë për të bërë të mundur kalimin.
Njësia Administrative Rrethina:
Në njësinë administrative Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë Në zonën e Livadheve (Nj.ad.Rrethina) janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji. Në 3 shtëpi ka hyrë uji brenda.
Njësia Administrative Guri i Zi:
Në njësinë administrative Gur i Zi vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Paraqitet shume problematike kjo dukuri pasi mund te rrezikohet argjinatura.
Qyteti Shkodër:
Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 135 ha. Në këtë rrugë ndodhen mbi 70 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre. Me shumë vështirësi kalohet me makinë ushtrie, ndërsa në disa zona kalimi bëhet i mundur vetëm me varkë.
Në lagjen Ajasëm janë rreth 3ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji. Bashkia Shkodër ka bërë evakuime të banorëve dhe gjësë së gjallë kur janë paraqitur nevoja. Në këtë moment janë 69 persona të akomoduar në konvikt. Gjithashtu Bashkia Shkodër ka bërë të mundur edhe lëvizjen e banorëve dhe akomodimin e tyre tek të afërmit e tyre.
Specialistët tanë janë në terren, dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara.
Nevojat për bazë ushqimore afatgjatë, për blegtorinë, në zonat e përmbytura janë Imediate dhe paraqiten si më poshtë:
1. Koncentrat 110t
2. Bar i thatë 50 t
Baza ushqimore e ardhur nuk është e duhura (ka ardhur elb).
Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dezinfektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.
Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.
Edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë, akoma Bashkia Shkodër nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet përgjegjëse.
Insistojmë në kërkesën tonë të vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.
Bashkia Shkodër është e angazhuar në monitorimin dhe përgjigjen në çdo kohë të nevojave emergjente të banorëve.