Lajmi i fundit

Vendet e Ballkanit më të pambrojtura ndaj Fake News. Ja ku renditet Shqipëria

Treguesi për vitin 2018 i Njohurisë për Median (2018 Media Literacy index) i Institutit të Shoqërisë së Hapur (Open Society Institute) në Sofie thotë se vendet e Ballkanit janë vendet që bien më lehtë pre e lajmeve të “stisura” (fake news) në Evropë, si rrjedhojë e mediave të tyre që mbahen nën kontroll (nuk janë të lira), niveleve të ulëta të arsimimit dhe niveleve të ulëta të besimit në shoqëri.

Vendet e Ballkanit janë vendet më të pambrojtura në Evropë ndaj lajmeve të stisura dhe dukurisë së “përtej së vërtetës (post-truth)”, thuhet në një raport që fajëson mediat e kontrolluara së tepërmi nga shteti apo interesat e biznesit, mangësitë arsimore dhe nivele në përgjithësi të ulëta të besimit në shoqëri.

Media Literacy Map 640

Këto janë përfundimet kryesore të Treguesit të Njohurisë për Median të hartuar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur në Sofie.

Media Lit graph2

Marin Lessenski, i cili është drejtor i programit të Politikave Evropiane të Institutit të Shoqërisë së Hapur në Sofie, thotë se për një vit të dytë radhazi, treguesi vlerëson potencialin e qëndrueshmërisë së 35 shoqërive evropiane ndaj keqinformimit duke përdorur tregues të lirisë mediatike, arsimit dhe besimit ndërnjerëzor.

Ai thotë se liria mediatike është një faktor i rëndësishëm në trajtimin e dukurisë së lajmeve të stisura, por që shpesh tejkalohet.

Nivelet e arsimimit janë jetike kur vjen punë për nivelet e përgjithshme arsimore dhe një trajnim të veçantë për njohurinë për median. Midis të dyjave ka një lidhje që mund të vërehet.

“Nuk e dimë me siguri se cili është drejtimi i kësaj marrëdhënieje, por jemi të sigurt se ka një. Ne supozuam se kur niveli i arsimit ose liria e medias rritet edhe tjetra do të pasojë”, tha Lessenski për “BIRN”.

Autori tha treguesi mat qëndrueshmërisë ndaj dukurisë së përtej së vërtetës, lajmeve të stisura dhe pasojave sociale të tyre; jo të masë njohurinë për mediat në vetvete, faktorët që e parashikojnë atë – niveli i arsimimit, gjendja në të cilën ndodhet media, besimi në shoqëri dhe përdorimi i mjeteve elektronike e pjesëmarrjes në vendimmarrje nga publiku. Nivelet e arsimimit matet nga mesatarja e pikëve të testit të PISA-s për njohuritë bazë (shkrim, lexim, aritmetikë).

Sipas treguesit për vitin 2018, vendet nordike janë të pajisurat më mirë së çdo vend tjetër për t’u bërë ballë lajmeve të stisura, kryesisht pasi kanë vlerësime të larta për sa i përket arsimit të lartë dhe lirisë së medias.

Raporti citon Estoninë ne Evropën lindore si një vend me një vlerësim të lartë për sa i përket arsimit të lartë dhe lirisë së medias, që shquhet nga vendet e tjera në rajonin e Evropës qendrore dhe lindore.

Treguesi i vendos të gjitha vendet e Ballkanit të gjysmën e poshtme të shkallës matëse së këtij treguesi, me Greqinë dhe Rumaninë që janë performuesit “më të mirë” ne vendin e 27-të dhe të 28-të përkatësisht, të ndjekura nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria, Turqia and Maqedonia.

Media Lit index graph 1

Këto dy të fundit kanë marrë vlerësimin me të keq. Sipas raportit, kjo vjen për shkak të nivelit të ulët të lirisë se medias në Turqi dhe për vlerësimin e ulët në arsimim në rastin e Maqedonisë.

“Ka një përkim të dukshëm të faktorëve përkeqësues ndërmejt të gjitha vendeve në rajon”, shtoi Lessenski.

Treguesi vëren një përmirësim të ngadaltë në pjesën më të madhe të vendev ballkanike që nga viti 2017. Ndërkaq, Bullgaria dhe Rumania kanë mbetur në vend, ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Rumania po shkojnë mbrapa.

Rënia e përgjithshme e besimit në institucione dhe tek bashkëqytetarët është duke dëmtuar vlerësimet për vemdet balkanike.

“Lajmet e stisura dëmton besimin dhe lidhet me polarizimin në rritje në shoqëri”, paralajmërohej në raport, ku më tej thuhej se dukuria prish dhe dëmton cilësinë e debateve politike.

Ndërsa në raport parashtrohen një sërë propozime për rregullim dhe vetë-rregullim për të trajtuar dukurinë e lajmeve të stisura, aty thuhet gjithashtu se mënyra më e mirë për të ecur përpara është duke mbështetur median e lirë.

“Sa më i kontrolluar të jetë terreni mediatik, aq edhe më i gjerë është rrejti i shtrembërimeve dhe aq më pak janë shanset për të pasur informacion dhe këndvështrime të shumëllojshme”, përfundohet në raport.

Burimi: BalkanInsight

Vendet e Ballkanit më të pambrojtura ndaj Fake News. Ja ku renditet Shqipëria Read More »

Suprizon Edlira Gjoni, bijë Dukati-“Petrunë, Dukat e Karaburun. Të tjerat s’na hyjnë në punë”.

Ky urim me vargje kaq te bukura dhe domethenese vjen nga Edlira Gjonaj. Edlira Eshte me origjine nga Dukati dhe jeton ne Washington. Ajo eshte nje gazetare e njohur, profesioniste komunikimi, trajnuese dhe lektore ne fushen e medias. 

Prag Pashkësh

Ku na duket balta, më e ëmbël se mjalta?
Në Labëri.

Po njeriu vetë, për kë ka mall në jetë?
Për vendin e tij.

Ku do të festojë, Pashkët të gëzojë?
Atje ku është bijë.

Po kur nuk mundet, e gjendet shumë larg,
Për çfarë mejton?
Për të bukurën tonë.

Me zemër në dorë,
E do pakëz Vlorë.

Do Petrunë, Dukat e Karaburun.
Të tjerat s’na hyjnë në punë.

Do vendin e njerëzit e lirë.
Kalofshi Gëzuar e qofshi sa më mirë!

Suprizon Edlira Gjoni, bijë Dukati-“Petrunë, Dukat e Karaburun. Të tjerat s’na hyjnë në punë”. Read More »

Ishte një nga emërimet e para të Arta Markut, dorëhiqet papritur prokurori

Në ditët e para në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku largoi nga Prokurpria e Elbasanit, Dritan Ginën për të emëruar Ardian Nezhën.

Por, kryeprokurori i Elbasanit, emëruar në këtë detyrë vetëm pak muaj më parë ka dhënë papritur dorëheqjen.

Nezha ka bërë të ditur se vendimi i tij lidhet me arsyer shëndetësore, por sipas burimeve të Report TV, lëvizja e Nezhës është taktike, pasi ai pritet të emërohet në një detyrë më të rëndësishme në Tiranë.

Ishte një nga emërimet e para të Arta Markut, dorëhiqet papritur prokurori Read More »

Rama vizitë në Vlorë, ja qëllimi i takimeve

Kreu i ekzekutivit Edi Rama nisi një takim dy ditor në qytetin e Vlorës, në zonën ku në dy mandatet e fundit ai është shpallur deputet.

Takimin e parë e ka zhvilluar në shkollën profesionale ‘Pavarësia’ për të vijuar në mbledhjen e Asamblesë së PS-së në këtë qytet.

Në takimin me dyer të mbyllura është zhvilluar analiza e zgjedhjeve të vitit të shkuar pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së kryetarëve të partisë, raporton “Ora”.

Në takim është diskutuar organizimi në vazhdim për të hedhur themelet e punës për fushatën e vitit 2019.

“Angazhimi i çdo anëtari të partisë në evidentimin e çdo vote të mundshme për të arritur një rezultat më të mirë. Kërkohet një rezultat akoma më i mirë se në 2017”, mësohet të ketë thënë Rama në Asamble sipas burimeve.

Ndërkohë, ditën e shtunë do të vijohet me një tjetër agjendë kryesisht për investimet ne qytetin e Vlorës./mapo

Rama vizitë në Vlorë, ja qëllimi i takimeve Read More »

Rrëshqitja e tokës “zhduk” një fshat të tërë !

Fenomeni i rrëshqitjes së tokës është përhapur në të gjitha zonat e Shqipërisë. “Fiks Fare” udhëtoi drejt fshatit Blinisht në zonën e Repsit. Fshat që thuajse është zhdukur krejtësisht nga rrëshqitja e tokës nga data 22 mars e në vazhdim.

Si pasojë janë krejtësisht të pabanueshme 15 shtëpi, ndërsa janë dëmtuar edhe 5 të tjera. Ekipi i emergjencave civile u ka kërkuar banorëve të largohen, pasi qëndrimi në fshat rrezikon jetën e secilit banor.

Por kësaj thirrje nuk i janë përgjigjur të gjithë banorët. Njëri prej tyre shprehet se është i vetëdijshëm për rrezikun, por qëndron prej pronës që ka. Nga shteti kërkon dëmshpërblim të plotë për dëmet. “Kërkojmë dëmshpërblim të plotë 100% pasi dëmet fillestare të banesave kanë ardhur kur ka filluar Rruga e Kombit. Dikur na kanë dhënë 200 mijë lekë të vjetra sa për të na mbyllë gojën. Ashtu siç është dëmtuar një person ku ka kaluar autostrada ashtu të shpërblehem edhe unë”, tha ai.

Çarja e tokës ka shkuar në më shumë se një metër, sipas administratorit të njësisë Rosh Frrok Doda dhe banesat janë zhvendosur deri në 100 apo 150 metër si pasojë e rrëshqitjes së tokës.

“Të gjitha shtëpitë e fshatit janë të vendosura në një strukturë gjeologjike që përbëhet nga Argjila dhe shkëmbinjtë devijon. Në 22 Mars filloi të japë disa shenja dhe banorët janë larguar.

Kemi 15 familje që u janë zhdukur shtëpitë dhe 5 të tjera të rrezikuara. Shërbimi gjeologjik që ka ardhur këtu ka dalë në përfundimin se këtu nuk banohet. Familjet janë sistemuar tek të afërmit edhe pse u kemi vënë në dispozicion dhomat e konviktit të shkollës së mesme në Rrëshen”, shprehet administratori Doda. Gjithsesi ai vazhdon të këmbënguli për largimin edhe të atyre pak banorëve që kanë mbetur në fshat.

Fshati Sheshaj është një tjetër zonë e Mirditës që është prekur nga rrëshqitja e tokës. Banorët shprehen se ka të paktën 12 vite që ka filluar rrëshqitja, duke iu frikësuar gjithnjë e më tepër një katastrofe të paralajmëruar.

Sipas tyre problemi po agravon çdo ditë prej ndërtimit të rrugës së fshatit në vitin 2002, si pasojë e ndryshimit të rrjedhës natyrore të ujërave nëntokësor. Tetë janë familjet që rrezikohen më tepër, por banesa e Pal Ruçit, është krejtësisht e pabanueshme. Të çarat janë kudo në mure dhe dysheme. Por i zoti i shtëpisë tregon se nuk kanë ku të zhvendoset edhe pse është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset.

Dëmet e para kësaj banese i erdhën nga tërmeti i rreth një viti më parë, por reshjet e fundit kanë stimuluar më tepër rrëshqitjen e tokës ndaj problemi ka agravuar.

Banorët e fshatit Sheshaj apelojnë për ndihmë sa nuk është shumë vonë!
Top Channel

Rrëshqitja e tokës “zhduk” një fshat të tërë ! Read More »

Dalint fotot, “UFO-t” bëjnë namin në pyjet e Zagorisë në Gjirokastër

Cdo ditë që kalon vendi ynë po humb pasuritë e saj natyrore. Këto foto janë pamja alarmante e Zagorisë në Gjirokastër, një nga krahinat më të bukura dhe më të njohura të jugut.

Por, një firmë private e kontraktuar nga Bashkia e Libohovës ka shkaktuar një masakër të vërtetë duke prerë pyjet me justifikimin se duhen dru për shkollat që ndodhen në territorin e Bashkisë.

Pra, ngrohja me dru për 16 shkolla përkthehet në shkatërrimin e një pasurie të tërë natyrore.

Pavarësisht shqetësimeve të baorëve të zonës që e duan të paprekur nga dora korruptive natyrën dhe Zagorinë e tyre, përgjigja qesharake që kanë marrë nga autoritetet lokale është “Zagoria nuk mund të trajtohet si ishull i veçantë dhe pyjet e Zagories janë prioritet i Bashkisë Libohovë”.

Në foto duket qartë se si ka qënë pylli i Derrmaz-Shemitra në vitin 2015 dhe si është katandisur tani. Është prerë e masakruar rreth 8 hektare pyll.

Banorët akuzojnë se drutë e pyllit janë shitur nga firma në Gjirokastër e më gjerë per biznes dhe jo per shkolla, duke përfituar kështu të holla të cilat kanë shkuar, me sa duket edhe në xhepat e pushtetarëve

Dalint fotot, “UFO-t” bëjnë namin në pyjet e Zagorisë në Gjirokastër Read More »

Shkrihet Gjykata e Krimeve të Rënda, dosjet “VIP” shpërndahen në gjykatat e rretheve

Nga Anila HOXHA

Pas diskutimeve dhe rezervave se çfarë do të arrinte Gjykata e Krimeve të Rënda, më në fund palët ranë dakord dhe e kaluan ligjin për organizimin dhe krijimin e kësaj gjykate. Në korrik 2003 presidenti Alfred Moisiu e dekretoi ligjin duke pohuar në këtë mënyrë se Gjykata e Krimeve të Rënda (ashtu siç shpresohej) do të shikohej në vazhdim si e vetmja mënyrë për t’ju kundërpërgjigjur krimit të organizuar dhe trafiqeve, madje edhe grabitjeve me dhunë të kryera nga grupet kriminale. Aso kohe, siç kërkonte ligji, duhej t’i nënshtroheshin kontrollit të gjithë ata që do të garonin për të qenë gjyqtarë e prokurorë të krimeve të rënda. Paraqitën kandidaturat 108 gjyqtarë të rretheve gjyqësore dhe nga kryeqyteti , të cilët duhet të plotësonin kushtin e kartelës së bardhë: Pra, asnjë masë disiplinore në karrierën tyre, rekorde të mira në vendimmarrje, figurë të paqortueshme. Pikërisht në këtë pikë hynte edhe kontrolli që kreu ndaj tyre Shërbimi Informativ dhe DSIK. Gjashtë muaj pas kësaj, në dhjetor 2003, pasi ishin konsideruar nga kjo sitje si të përzgjedhurit 27 prej tyre, presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu konfirmoi me dekret si kalues “të vettingut” për gjyqtarë të krimeve të rënda vetëm gjashtë . I njëjti kriter i fortë, u tha se u ndoq edhe nga kryeprokurori Theodhori Sollaku për prokurorët që do të përfaqësonin akuzën e shtetit në gjykatën e re. Siç caktonte ligji, Gjykata e Krimeve të Rënda do të gjykonte 32 vepra penale që nga gjenocidi deri tek bandat e organizatat kriminale. Megjithëse, zyrtarisht njihet si dita e lindjes së kësaj gjykate data 1 janar 2004, në praktikë gjyqtarët e Krimeve të Rënda dolën në seancën e parë në datën 10 shkurt 2004, në procesin për një ngjarje që tronditi vendin, atë të vrasjes së komisarit Gani Malushi. Pas kaq viteve, sot kjo gjykatë gjendet në udhëkryqin më të madh. A po zhvillohen aktualisht gjyqe në këtë godinë nga ata gjyqtarë që për 14 vite i ranë çekiçit si të tillë, apo po gjykojnë si gjyqtarë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo e dyta , është gjykata që pritet të lindë si krijesa më e re e reformës në drejtësi. Nga 10 shkurti 2004 kur u hap procesi për vrasjen e Malushit, tashmë Apeli për Krimet e Rënda (me trupë të marrë hua në rrethe) ka dilemën a duhet ta gjykojë apo jo procesin ndaj Dritan Dajtit, apo të shpallë mos kompetencën dhe t’ia dërgojë një gjykate të zakonshme në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë me numër 140, datë 16 mars 2018.

Vendimi

Gjykimi i Erblin Tukës dhe Erjon Jovanit tek Krimet e Rënda për trafik droge të mbetur në tentativë hapi lojën mes Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Durrësit, aty ku të rinjtë ishin arrestuar tek po transportonin drejt Italisë 190 kg cannabis. Nga 21 dhjetori deri në 4 janar 2018, Gjykata e Krimeve shpalli mos kompetencën, pasi, sipas saj, në lexim të ligjeve të reja vepra e trafikut të drogës tashmë nuk duhet të gjykohet më prej saj, por prej një gjykate të zakonshme. Por, Gjykata e Durrësit çmoi se, një dispozitë kalimtare ia jep kompetencat ekzistuese Krimeve të Rënda, deri sa të ngrihet Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Çështja përfundoi në dorën e gjyqtarëve të lartë për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Tre gjyqtarët e lartë Artan Zeneli, Tom Ndreca dhe Edmond Ismalaj “e zgjidhën” ngërçin në dukje, duke urdhëruar se çdo çështje nën hetim dhe gjykim tek Krimet e Rënda, por që nuk janë kompetencë e GJKKO, do të gjykohen nga gjykatat e zakonshme. Për rrjedhojë, thuhet më tej, edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda do të hetojë vetëm veprat që janë kompetencë e kësaj gjykate. Por ky vendim nuk është me pesë gjyqtarë, dhe dilema e parë është: a është ai një vendim unifikues, apo njehsues. Pikëpyetja e dytë është: Për sa kohë në vendimin e zbardhur nuk jepen afate para, apo pas 1 gushtit, a do të sjellë kjo prishje të vendimeve të dhëna nga Krimet e Rënda. Si për shembull: tashmë që u dënua grupi i zjarrit për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha, a do të shkojë dosja e Lazarati për t’u gjykuar si çështje e thjeshtë në Gjirokastër, ose i akuzuari Denis Shtraza a shkon në Durrës? Shanset janë që po. Në këtë paqartësi lëvizja e radhës i takon Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka dorëzuar një dosje me katër të arrestuar për një ton drogë në portin e Durrësit. Testi sërish i përket Gjykatës së Lartë, e cila do të mblidhet këtë javë për të shqyrtuar kërkesën për Albert Dokun e të tjerë, nën akuzë për trafik droge. Ajo duhet të ri-shprehet për kompetencat në mënyrë më të qartë. Ajo që gjyqtarë e prokurorë kanë të qartë është se dosje si ai i 613 kilogramëve kokainë, grupi Habilaj e të tjerë, janë kompetencë e Krimeve të Rënda, pra e GJKKO (nëse do ishte ngritur ), për sa kohë janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Këto dosje, bashkë me çështjen “Emiliano Shullazi” do të vazhdojnë të hetohen e gjykohen sipas kompetencave të reja të GJKKO. Të tjerat, sikurse bllokimi i një skafi në Gjirin e Lalzit, ka kaluar në heshtje në një gjykatë të zakonshme, siç do të kalojnë edhe ata kultivues hashashi që nuk janë pjesë e një grupi kriminal, vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi, Sadtin Sula, Marjan Levanti dhe të gjithë ata gjobëvënës.

Dilemat

Por kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, shikon si problemin më të madh, e gjithashtu, edhe dilemën më të madhe, dispozitën kalimtare në Kodin e Procedurës Penale që do të shkaktojë në rrëmujë të vërtetë (dispozitë kalimtare e shtuar me ligjin 35/2017 datë 30.3.2017). Sandër Simoni thotë se “problemi më i madh është nëse kjo dispozitë tranzitore e KPP, a mund të interpretohet e ndarë, ndryshe për Prokurorinë e ndryshe për Gjykatën e Krimeve të Rënda? Dispozita tranzitore e Kodit të Procedurës Penale ka dy parashikime që nuk përkojnë me njëra tjetrën. Me dy parashikime të ndryshme. Për sa i përket kompetencës për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dispozita është e qartë dhe referon në komptencën përpara ndryshimeve të nenit 75/ a, ndërsa paragrafi i kompetencës lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda, duket se ka lënë pa përmendur dhe pa saktësuar këtë fakt. Deri më tani, nga ana jonë ky paragraf është interpretuar në favor të frymës së dispozitës kalimtare”.

Por thënë më thjesht: Neni 285 i dispozitës kalimtare penale është aq i paqartë, sa lë të kuptosh se Gjykata e Krimeve të Rënda duhet të gjykojë me kompetencat që do të ketë GJKKO, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda të hetojë me kompetencat që ka pasur deri sa të ngrihet SPAK. Mirëpo a mundet që ligji të parashikojë ndryshe për gjykatën e prokurorinë, sepse ngërçi tjetër që hapet është kush do t’i gjykojë veprat që heton Prokuroria e Krimeve të Rënda, nëse de facto është ngritur GJKKO?

300 ditët

Me paketën e re, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe prokuroria nuk duhet të ekzistonte më që prej 1 shtatorit 2017, pra ligji i 2003 i funksionimit të tyre duhej të shfuqizohej mesnatën e 300, nga hyrja në fuqi e ligjit për institucionet e reja që shpresohet të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por gjykata e re, si edhe SPAK-u, po lindin me vonesë, sepse ligji tjetër, ai i vettingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk u zbatua në kohë. Me vendimin e Gjykatës së Lartë, Krimeve të Rënda u ka ngelur nga ligji i vjetër vetëm emri. Tashmë dosje të tjera po vërshojnë nga rrethet për tenderat, megjithëse ajo vazhdon të jetë në kufirin minimal të gjykimit të korrupsionit me vetëm katër çështje. Kur u hodh lopata e parë me dhé për ndërtimin e godinës së qelqtë, (aty ku më herët kishte qenë reparti i Reneas) ishin entuziastë në këtë ceremoni, ministri i drejtësisë së asaj kohe Ilir Rusmaili, ambasadori Helmut Lohan dhe drejtori për zgjerimin në Komisionin Europian, Michael Lee. Nga ajo kohë, shumë ujë ka rrjedhur. Nga një histori suksesi, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe prokuroria u kthyen vitet e fundit në depozita të hetimit e gjykimit të dosjeve të kultivuesve te hashashit, adoleshentëve, e ish partnerëve, që gjobisnin njëri-tjetrin dhe vrasësve në familje. Shumë larg mesazhit të përçuar nga kjo godinë kur dënoheshin grupe si ajo e Lushnjës, e Cërrikut, apo e Durrësit.

Autorja është GAZETARE për çështjet e gjyqësorit dhe shkrimi është botuar në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale

Shkrihet Gjykata e Krimeve të Rënda, dosjet “VIP” shpërndahen në gjykatat e rretheve Read More »

Tokat, kreu i Gjykatës Vlorë: Faji i policisë dhe i prokurorisë

Nëse drejtësisë së gjykatës së Vlorës, i kanë shpëtuar abuzues me pronat në bregdet, për kryetarin Skënder Haluça, faji është i prokurorisë. ”Hetimi jo i plotë i çështjeve të pronësisë nga prokuroria dhe policia, dhe për këtë shkak një numër i të akuzuarish mund ti kenë shpëtuar drejtësisë”.

Teksa pranon se ”peshqit” e abuzimit me pronat mund ti kenë shpëtuar rrjetës së drejtësisë, Haluca thotë se dosjet që ka gjykuar në 6 vitet e fundit, i kanë krijuar bindjen për batërdinë që sipas tij është bërë me pronat në bregdet.

”Mbi bazë të informacioneve dhe dokumentacionit që kemi, dhe nga eksperienca, ka probleme të jashtëzakonshme me pronësinë. Është bërë batërdi me pronat e qytetarëve dhe të shtetit”,-thotë Haluça për ”Ora News”.

Mes 204 çështjeve të lidhura me pronën gjatë vitit 2017, Haluca veçon 21 procese për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale, veprimtari për të cilën thotë po rezulton shumë e përhapur.

Tokat, kreu i Gjykatës Vlorë: Faji i policisë dhe i prokurorisë Read More »